Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

Zhvillohet analiza e gjakut që mund të zbulojë kancerin e vezores

27 August 2025 at 10:51

Shkencëtarët kanë zhvilluar një analizë të thjeshtë gjaku për të zbuluar kancerin e vezores herët, gjë që mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet për gratë me këtë sëmundje.

 Më shumë se 300,000 gra, kryesisht mbi moshën 50 vjeç, diagnostikohen në të gjithë botën çdo vit, sipas Fondit Botëror të Kërkimit të Kancerit. Kanceri ovarian shpesh diagnostikohet vonë, gjë që e bën trajtimin e gjendjes më të vështirë.

Analiza e testuar nga studiuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së kërkon dy lloje të ndryshme të shënuesve të gjakut në ato që tregojnë simptoma të sëmundjes, të cilat përfshijnë dhimbje legenit dhe një bark të fryrë. Pastaj përdor të mësuarit automatik për të njohur modelet që do të ishin të vështira për t’u zbuluar nga njerëzit.

Aktualisht, sëmundja zakonisht diagnostikohet duke përdorur një përzierje skanimesh dhe biopsish, të tilla si një skanim me ultratinguj, një skanim CT, një biopsi me gjilpërë, një laparoskopi ose kirurgji për të hequr indet ose ndoshta vezoret.

Shpesh zbulohet vonë sepse simptoma të tilla si fryrja, ndjenja e ngopjes shpejt pas ngrënies ose nevoja për të urinuar shpesh nuk janë gjithmonë shenja të dukshme të mundshme të kancerit.

Analiza e gjakut kërkon atë që kanceri ovarian lëshon në qarkullimin e gjakut, madje edhe në fazat e tij të hershme.

Qelizat kancerogjene lëshojnë fragmente në gjak që mbajnë molekula të vogla, të ngjashme me yndyrën, të njohura si lipide, së bashku me proteina të caktuara. Ky kombinim i lipideve dhe proteinave është si një gjurmë gishtash biologjike për kancerin ovarian.

Analiza mund ta zbulojë sëmundjen “në fazat e hershme dhe me saktësi më të madhe se mjetet aktuale”, sipas Alex Fisher, drejtorit kryesor të operacioneve dhe bashkëthemeluesit të AOA Dx, që zhvilloi testin.

The post Zhvillohet analiza e gjakut që mund të zbulojë kancerin e vezores appeared first on Gazeta Si.

Dy vatra zjarri aktive, Ministria e Mbrojtjes: Po operohet me helikopter

27 August 2025 at 10:38

Nga Gazeta Si- 14 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit ndërkohë që dy prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes thotë se situata nga zjarri në pyllin e Poros në Akërni të Vlorës paraqitet nën kontroll, ndërsa operacioni vazhdon që në orët e para të mëngjesit, ku janë angazhuar forcat zjarrfikëse, bashkiake, ushtria, përfaqësues të AdZM dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe ish-fazanerisë, ku ka tym të shtuar për shkak të djegies së pishave dhe trungjeve.

Kjo është dita e tretë e zjarrit në këtë pyll, edhe pse ka pasur ndërhyrje me helikopter.

Në zonën e Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri ka pasur intensitet më të ulët, por nuk është izoluar plotësisht gjatë natës. Aktualisht mbahet në monitorim dhe janë djegur rreth 18 hektarë pyll, pa rrezik për banesa.

The post Dy vatra zjarri aktive, Ministria e Mbrojtjes: Po operohet me helikopter appeared first on Gazeta Si.

Akuzohen nga Italia si pjesëtarë të grupeve kriminale, arrestohen tre persona në Fier

27 August 2025 at 10:04

Nga Gazeta Si- Tre persona të kërkuar nga Italia për trafik droge janë arrestuar brenda pak orëve nga Policia.

Të arrestuarit janë K. Sh., 24 vjeç, A. M., 29 vjeç dhe E. F., 22 vjeç.

Të tre personat janë nga qyteti i Fierit, teksa do priten edhe procedurat e ekstradimit nëpërmjet Interpol Tiranës. Aksionet janë kryer në intervale të ndryshme, teksa të ndaluarit akuzohen si pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare.

Të tre ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Maksimumi i dënimit për këto vepra shkon deri në 10 vjet burgim.

Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdha  droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

The post Akuzohen nga Italia si pjesëtarë të grupeve kriminale, arrestohen tre persona në Fier appeared first on Gazeta Si.

Kishte 2 kallashë në makinë për t’ua shitur kriminelëve, arrestohet 22-vjeçari (video)

27 August 2025 at 09:56

Nga Gazeta Si- Një 22-vjeçar është arrestuar në ‘Tunelin e Murrizit’ në Rrugën e Arbrit pasi po transportonte 2 armë zjarri automatike nga Burreli për në Tiranë.

I arrestuari është A. D., banues në Burrel, i cili dyshohet se do i shiste armët në kryeqytet, te grupet kriminale.

U sekuestruan si prova materiale pas kontrollit të makinës, 2 armët e zjarrit, 4 krehra, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.

Dosja për hetime të mëtejshme i kaloi Prokurorisë, për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

The post Kishte 2 kallashë në makinë për t’ua shitur kriminelëve, arrestohet 22-vjeçari (video) appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 26 August 2025Main stream

Prej shtatorit, manikyri xhel do ndalohet në BE dhe Zvicër: Është kancerogjen

26 August 2025 at 14:42

Nga 1 shtatori 2025, TPO, produkti që fshihet prapa thonjve me xhel nuk do të mund të shitet më në BE dhe Zvicës. Inspektorati shëndetësor ka vendosur që as produktet që përmbajnë TPO, të cilat ishin në qarkullim, nuk mund të përdoren më as nga sallonet profesionale të thonjve. Ky ndalim i TPO është pasojë e klasifikimit të ri të tij si CMR kategori 1B, toksik për riprodhim.

Ky klasifikim është përcaktuar nga rregullorja europiane CLP (Klasifikimi, Etiketimi dhe Paketimi), e cila klasifikon kimikatet sipas rrezikut më të lartë, pavarësisht përdorimit të tyre.

Nuk do të ketë më prodhim, shitje apo përdorim. Drejtoria e Përgjithshme e Konkurrencës, Konsumatorëve dhe Sanksioneve për Mashtrime (DGCCRF) ka shpallur një ndalim të plotë. Madje edhe stoqet e mbajtura tashmë në sallone duhet të hidhen menjëherë.

Deri tani, TPO ishte sekreti për një tharje të shpejtë, shkëlqim të lartë dhe qëndrueshmëri për javë të tëra.

E publikuar në maj 2025, rregullorja evropiane “Omnibus VII” vendos një goditje radikale ndaj substancave kancerogjene, mutagjene ose toksike në kozmetikë.

Nga shtatori, të gjitha produktet që përmbajnë TPO do të tërhiqen nga tregu dhe do të ndalohen nga përdorimi, madje edhe nga profesionistët.

The post Prej shtatorit, manikyri xhel do ndalohet në BE dhe Zvicër: Është kancerogjen appeared first on Gazeta Si.

Valët e të nxehtit po i plakin njerëzit më shpejt

26 August 2025 at 13:57

Ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit po përshpejton plakjen tek njerëzit, sipas një studimi. Ndikimi është gjerësisht i krahasueshëm me dëmin që pirja e duhanit, përdorimi i alkoolit, dieta e dobët ose ushtrimet e kufizuara mund të kenë në shëndet, thanë studiuesit.

Temperaturat ekstreme janë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, duke shkaktuar potencialisht dëme të përhapura dhe afatgjata në shëndetin e miliarda njerëzve, paralajmëruan shkencëtarët.

Hulumtimi përfaqëson një “ndryshim” në kuptimin e shkallës dhe ashpërsisë së ndikimit të nxehtësisë në shëndetin tonë, i cili mund të jetë gjatë gjithë jetës.

Dihej tashmë që valët e të nxehtit shkaktojnë rritje afatshkurtra të vdekjeve të hershme me, për shembull, pothuajse 600 vdekje të parakohshme të lidhura me një valë të nxehti të qershorit në Angli. Por analiza e re është një nga të parat që vlerëson ndikimin afatgjatë.

Studiuesit ndoqën 25,000 njerëz në Tajvan për 15 vjet dhe krahasuan ekspozimin e tyre ndaj valëve të të nxehtit me moshën e tyre biologjike, një masë e shëndetit të përgjithshëm. Ata zbuluan, për shembull, se mosha biologjike u rrit me rreth nëntë ditë për njerëzit që përjetuan katër ditë më shumë me valë të nxehti gjatë një periudhe dyvjeçare. Punëtorët të cilët kanë tendencë të kalojnë më shumë kohë jashtë, u prekën më shumë, me moshën e tyre biologjike që u rrit me 33 ditë.

Ndërsa rritja e moshës biologjike mund të duket mjaft e vogël, shkencëtarët vunë re se kjo ndodhi vetëm gjatë një periudhe dyvjeçare. Ata po hetojnë ndikimin e valëve të të nxehtit në plakjen gjatë gjithë jetës së njerëzve.

Hulumtuesit thanë gjithashtu se ndikimi i përgjithshëm në popullatat në të gjithë botën do të ishte i madh, sepse të gjithë vuajnë gjatë valëve të të nxehtit, dhe mosha më e lartë biologjike është një parashikues i fortë i rritjes së rrezikut të vdekjes.

The post Valët e të nxehtit po i plakin njerëzit më shpejt appeared first on Gazeta Si.

‘Zhduket’ qyteti amerikan, stuhia e pluhurit shkakton dëme

26 August 2025 at 13:13

Një mur gjigant pluhuri mbuloi zonën metropolitane të Feniksit (Phoenix) mbrëmjen e së hënës, duke e ulur në thuajse zero shikueshmërinë. Sikur të mos mjaftonte kjo, një stuhi shiu dhe ere goditi qytetin, duke rrëzuar pemë, shkaktuar dëme në ndërtesa dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike.

The post ‘Zhduket’ qyteti amerikan, stuhia e pluhurit shkakton dëme appeared first on Gazeta Si.

Greqi/ Gjykata lë në burg 40-vjeçarin që vrau gruan: Nuk doja! Avokati: Ajo po vritet për herë të dytë

26 August 2025 at 12:11

Nga Gazeta Si- Gjykata e Volosit në Greqi ka lënë në burg 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, që akuzohet se vrau gruan e tij 36-vjeçare, Marjola, nënë e 4 fëmijëve, pas një grindjeje në familje, të premten e 22 gushtit.

Në mbrojtjen e tij, i pandehuri pretendoi se “nuk kishte qëllim vrasjeje” dhe se e vrau atë “në një shpërthim tërbimi”. Ai pretendoi se nuk kishte pasur sjellje të dhunshme në të kaluarën ndaj viktimës, duke thënë se tani ndjehet i shkatërruar.

Në mënyrë më të detajuar, sipas medias lokale ‘thenewspaper’, autori i krimit tha se ishte në një gjendje të rëndë mendore dhe në moment ka marrë një thikë që e përdornin për mishin dhe i ka gjuajtur, pa e kuptuar se çfarë po bënte.

Ai tha se është thellësisht i penduar dhe u kërkoi falje katër fëmijëve të tij.

“Do të doja të kthehesha pas në kohë dhe të isha në vendin e saj. Jam i shkatërruar, i thyer mendërisht, i dëshpëruar. Mendova t’i jepja fund jetës sime në burg”, tha ai.

Nakoleci ka shprehur pendesë, por gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje ka dhënë deklarata kontradiktore. Një herë ka thënë se nuk donte dhe i doli situata nga kontrolli. Më pas se e tradhtonte, kishte lidhje jashtëmartesore, se fëmija që kishte abortuar nuk ishte i tij dhe alibi të tjera për konfliktet e vazhdueshme në familje.

“Nuk isha i dhunshëm”

Ai gjithashtu edhe mohoi se kishte përdorur dhunë ndaj gruas së tij, pas deklaratave të motrës së viktimës e cila tha se ai e kishte përdhunuar disa herë viktimën, në përpjekje për të shmangur divorcin.

“Nuk e kam detyruar kurrë të kryente marrëdhënie seksuale, nuk kam përdorur kurrë dhunë fizike ndaj saj. Ajo që thuhet nuk korrespondon me realitetin”, tha ai.

Duke përfunduar deklaratën e tij, ai kërkon një vlerësim psikiatrik. Ai pretendoi se ishte shtruar në spital psikiatrik pas një tentative vetëvrasjeje dhe se po merrte ilaçe për çrregullim ankthi dhe konfuzion.

Mirëpo e kaluara e Nakolecit sipas hetuesve, është e mbushur jo vetëm me precedentë penalë për falsifikim, drogë dhe organizatë kriminale, për të cilat ka pasur edhe dënime, por edhe i skeduar me kartelë për problemet e shëndetit mendor, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.

“Marjolia vritet për herë të dytë”

Avokati i familjes së 36-vjeçares theksoi se viktima kishte vuajtur nga sjellje abuzive gjatë gjithë jetës së saj me të pandehurin.

Sipas deklaratave, avokati vuri në dukje se “Marjolia po vritet për herë të dytë me atë që dëgjohet nga ana e autorit të krimit dhe kujtesa e saj po njolloset në një mënyrë të padrejtë dhe poshtëruese”.

“Ai po ndiqte nënën time me thikë”

Momentet e tmerrshme që përjetoi para syve të tij përshkruhen në dëshminë e njërit prej fëmijëve të 36-vjeçares. Siç është bërë e ditur, autori 40-vjeçar vrau 36-vjeçaren para fëmijëve të tyre. Njëri prej tyre e përshkruan krimin brutal kornizë për kornizë.

“E kuptova që nëna ime ishte shumë e frikësuar”, thotë fëmija, duke shtuar, “në një moment, ndërsa të dy prindërit e mi ishin në shtëpi, babai im vrapoi te dera e kuzhinës, e cila është ngjitur me dhomën time të gjumit, dhe u drejtua për në ballkon. Atje kishte një kuti me mjete të ndryshme”, thotë fëmija në dëshminë e tij.

“Ai mori njërën prej tyre, e cila ishte një thikë, dhe filloi të ndiqte nënën time”, shton ai.

“Mami u përpoq të mbyllte derën prej druri të kuzhinës në mënyrë që babai të mos hynte dot, por arriti ta thyente derën”, vazhdon ai.

“Ai po e godiste me tërbim”

Një dëshmitar okular që ishte në vendngjarje përshkruan se si pa “një burrë të tërbuar duke qëndruar mbi një grua të rrëzuar që ishte e mbuluar me gjak dhe duke e rrahur dhunshëm në të gjithë trupin”.

The post Greqi/ Gjykata lë në burg 40-vjeçarin që vrau gruan: Nuk doja! Avokati: Ajo po vritet për herë të dytë appeared first on Gazeta Si.

Për herë të parë në botë, shkencëtarët transplantojnë mushkëri derri te një pacient

26 August 2025 at 11:13

Shkencëtarët në Kinë kanë transplantuar me sukses një mushkëri derri në një person të gjallë për herë të parë.

Hulumtuesit nga Universiteti Mjekësor i Guangzhou-t transplantuan një mushkëri derri që ishte modifikuar gjenetikisht për ta bërë më të pajtueshme me njerëzit në një pacient që ishte shpallur i vdekur në tru. Mushkëria mbeti e qëndrueshme dhe funksionale për nëntë ditë.

Rezultatet, të botuara në revistën Nature Medicine, shënojnë një moment të rëndësishëm në transplantimin e organeve ndër-specie, i njohur si ksenotransplantim. Shkencëtarët e kanë cilësuar atë si një zgjidhje të mundshme për të adresuar mungesën e dhurimeve të organeve njerëzore.

Derrat konsiderohen kandidatë të mirë për ksenotransplantim sepse organet e tyre janë të ngjashme në madhësi dhe funksion me organet njerëzore.

Kirurgët kanë transplantuar tashmë veshka, zemra dhe mëlçi derrash të modifikuara gjenetikisht te njerëzit. Por mushkëritë paraqesin një sfidë unike sepse ato marrin një nivel të lartë të rrjedhjes së gjakut dhe janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj ajrit të jashtëm, duke rritur rrezikun e infeksionit.

Ekipi kinez transplantoi mushkërinë e majtë të një derri të modifikuar gjenetikisht te një pacient 39-vjeçar që kishte vdekur në tru dhe e mbajti mushkërinë e djathtë origjinale. Sistemi imunitar i pacientit nuk e hodhi poshtë menjëherë mushkërinë e derrit dhe ajo mbeti funksionale për nëntë ditë.

Por kishte shenja të dëmtimit të mushkërive pas 24 orësh në mushkërinë e derrit dhe tregues të refuzimit në ditën e tretë dhe të gjashtë. Eksperimenti përfundoi në ditën e nëntë.

“Studimi përbën provë të konceptit se, me përmirësime të mëtejshme, ksenotransplantimi i mushkërive mund të bëhet në të ardhmen një mundësi reale për shpëtimin e jetëve”, tha Dr. Beatriz Domínguez-Gil, drejtoreshë e Organizatës Kombëtare të Transplantit në Spanjë (ONT).

Vitin e kaluar, pati më shumë se 173,000 transplantime organesh në të gjithë botën, përfshirë më shumë se 45,000 në Europë, sipas një baze të dhënash globale të drejtuar nga ONT dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Nevoja klinike është e jashtëzakonshme sepse kërkesa për organe e tejkalon shumë furnizimin”, tha Domínguez-Gil.

The post Për herë të parë në botë, shkencëtarët transplantojnë mushkëri derri te një pacient appeared first on Gazeta Si.

Italianët, kosovarët dhe grekët zgjedhin Shqipërinë për të studiuar

26 August 2025 at 11:11

Nga Gazeta Si- Faktorë si gjuha, lidhjet kulturore dhe historike, si dhe afërsia gjeografike mund të ndikojnë në lëvizshmërinë e studentëve për studime jashtë vendit.

Sipas statistikave të fundit të Eurostat, për 17 nga vendet e BE-së, shumica e studentëve nga jashtë në vitin 2023 ishin nga vende të tjera të Europës. Në tabelën e publikuar, tregohet se në Shqipëri, grupi më i madh i studentëve të huaj është nga Italia, ndjekur nga Kosova dhe Greqia ndërkohë që në Greqi, studentët shqiptarë janë grupi i dytë më i madh që studiojnë atje.

Studentët nga Azia përbënin 40.0% deri në 45.0% të të gjithë studentëve të arsimit të lartë nga jashtë në Irlandë, Qipro, Finlandë, Letoni, Hungari dhe Gjermani. Në Francë, më shumë se gjysma (52.3%) e studentëve të arsimit të lartë nga jashtë vendit në vitin 2023 ishin nga Afrika, ndërsa Portugalia gjithashtu regjistroi një përqindje veçanërisht të lartë (42.1%) nga ky kontinent.

Pjesa e studentëve të arsimit të lartë që ishin nga Karaibet, Amerika Qendrore dhe Jugore ishte dukshëm më e lartë në Spanjë (46.7%) dhe Portugali (33.0%) sesa në vendet e tjera të BE-së.

Irlanda (15.8%) ishte i vetmi vend i BE-së ku më shumë se 4.5% e studentëve të arsimit të lartë nga jashtë vendit kishin origjinën nga Amerika e Veriut.

Për 13 nga vendet e BE-së, vendi kryesor i origjinës për studentët nga jashtë në vitin 2023 ishte një vend tjetër i BE-së. Këto shpesh ishin vende fqinje (si studentët nga Sllovakia në Çeki) ose vende që mund të arrihen me një kalim relativisht të shkurtër uji (për shembull, studentët nga Finlanda që studiojnë në Estoni). Në 4 nga vendet e BE-së – Danimarkë, Hungari, Holandë (të dhënat e vitit 2020) dhe Austri – studentët nga Gjermania përbënin pjesën më të madhe të studentëve nga jashtë, ndërsa studentët gjermanë ishin grupi i dytë më i madh i studentëve nga jashtë në Kroaci dhe Luksemburg, dhe grupi i tretë më i madh në Bullgari, Greqi, Maltë dhe Suedi.

Në të gjithë BE-në, Kina (përfshirë Hong Kongun) ishte vendi më i zakonshëm i origjinës për studentët e arsimit të lartë nga jashtë në vitin 2023, duke përbërë 5.6% të totalit. Kishte më shumë studentë nga Kina (se çdo vend tjetër i huaj) që studionin në Finlandë dhe Suedi, ndërsa studentët kinezë përbënin popullsinë e dytë ose të tretë më të madhe të studentëve të huaj të 7 vendeve të tjera të BE-së. Të vetmet vende të tjera jo-anëtare të BE-së që u shfaqën disa herë në renditje ishin India dhe disa vende fqinje me BE-në – Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Rusia dhe Ukraina.

The post Italianët, kosovarët dhe grekët zgjedhin Shqipërinë për të studiuar appeared first on Gazeta Si.

Borsh/ Pronari i hotelit kërcënon me armë dy punonjëset, vihet në pranga! Nën hetim edhe babai dhe një tjetër

26 August 2025 at 10:04

Nga Gazeta Si- Pronari i një hoteli në Borsh të Vlorës është arrestuar pasi kërcënoi me armë zjarri dy punonjëse të tij. Në pranga është vënë 26-vjeçari Emanuel Shkëmbi, i cili pasi është konfliktuar me punonjëset, A.O, 21-vjeçe dhe R.O, 53-vjeçe, nënë e bijë, i ka kanosur me pistoletë.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në ambientet e hotelit.

Nën hetim është vënë edhe babai i tij 56-vjeçar i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj njërës prej punonjësve, A.K, si edhe një 76-vjeçar me inicialet P.B, i cili akuzohet se ka fshehur armën e zjarrit pas konfliktit. Policia ka publikuar momentin e konfliktit mes personave, ndërsa pistoleta u gjet e fshehur në një valixhe.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia thotë se ka sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, 1 krehër pistolete si dhe 8 fishekë 9 mm. Ndaj 26-vjeçarit rëndojnë akuzat e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. I ati akuzohet për dëmtime me dashje, ndërsa personi që fshehu pistoletën për veprime që pengojnë të vërtetën.

The post Borsh/ Pronari i hotelit kërcënon me armë dy punonjëset, vihet në pranga! Nën hetim edhe babai dhe një tjetër appeared first on Gazeta Si.

Temperaturat shkojnë deri në 30 gradë, pasdite largohen vranësirat

26 August 2025 at 09:16

Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe alternime vranësirash kalimtare të pakta deri mesatare në pjesën e parë të ditës. Në relievet malore në lindje këto vranësira hera-herës do të jenë deri të dendura kalimtare.

Temperaturat do shkojnë deri në 30°C në shumicën e qyteteve të vendit si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Gjirokastra dhe Berati.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 10 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

The post Temperaturat shkojnë deri në 30 gradë, pasdite largohen vranësirat appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Zjarri në Vlorë përhapet me shpejtësi! Terreni i vështirë pengon zjarrfikëset, ndërhyjnë 4 helikopterë

25 August 2025 at 19:33

Zjarri i rënë pasditen e sotme në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, pranë lagunës së Nartës, është përhapur me shpejtësi.

Në operacionin për vendosjen në kontroll të vatrës së zjarrit janë angazhuar dhe 4 helikopterë, të cilët po operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro. 

“Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse. 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë por nuk kanë mundur të ndërhyjnë”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Në operacion po marrin pjesë dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, deklaroi se zjarri ka përfshirë një gjatësi prej 2-3 km dhe dyshohet se është i qëllimshëm.

The post Zjarri në Vlorë përhapet me shpejtësi! Terreni i vështirë pengon zjarrfikëset, ndërhyjnë 4 helikopterë appeared first on Gazeta Si.

‘S’ka më para për Ukrainën’/ Trump kritikon Zelenskyn: Merr miliona dollarë sa herë largohet nga Shtëpia e Bardhë

25 August 2025 at 19:25

Mediat e huaja shkruajnë se Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka folur përsëri me Vladimir Putinin, duke e përshkruar bisedën si “të mirë”: “Patëm një bisedë të mirë, të gjitha bisedat tona janë të mira.”

Trump gjithashtu akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur: “Një shitës i shkëlqyer: sa herë që largohej nga Shtëpia e Bardhë, merrte me vete miliona dollarë.”

The post ‘S’ka më para për Ukrainën’/ Trump kritikon Zelenskyn: Merr miliona dollarë sa herë largohet nga Shtëpia e Bardhë appeared first on Gazeta Si.

Trump pas sulmit izraelit në spitalin në Gaza: Duhet t’i japim fund këtij makthi

25 August 2025 at 18:27

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk ishte i kënaqur me sulmin izraelit gjatë natës ndaj një spitali në Gaza.

Sipas mediave të huaja, Trump mes të tjerash tha se nuk ishte më herët në dijeni të këtij sulmi.

“Nuk jam i kënaqur me këtë. Nuk dua ta shoh”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Në të njëjtën kohë, duhet t’i japim fund atij makthi”, shtoi më tej Trump. Të paktën 20 persona janë vrarë në një sulm ndaj Spitalit Nasser, përfshirë pesë gazetarë. 

The post Trump pas sulmit izraelit në spitalin në Gaza: Duhet t’i japim fund këtij makthi appeared first on Gazeta Si.

Dieta mesdhetare ul rrezikun e demencës me 35% tek njerëzit me rrezik më të lartë

25 August 2025 at 12:34

Ndjekja e rreptë e dietës mesdhetare uli rrezikun e demencës me të paktën 35% tek njerëzit me dy kopje të gjenit APOE4, një faktor kryesor rreziku për sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të ri.

“Ne ndoqëm mbi 5,700 njerëz për 34 vjet dhe zbuluam se ata që ndoqën një dietë mesdhetare bazë me pak alkool, mish të kuq dhe të përpunuar, por plot me perime, fruta, arra, drithëra të plota, bishtajore, peshk dhe vaj ulliri, të gjithë ulën rrezikun e demencës”, thotë Yuxi Liu, autori kryesor i studimit që u botua të hënën në revistën Nature.

“Por përfitimi ishte më i lartë për njerëzit me gjenin APOE4, veçanërisht ata me dy kopje të APOE4”, tha Liu. Jo vetëm që ndjekja e një diete mesdhetare bazë uli probabilitetin e zhvillimit të demencës me 35% tek njerëzit me dy gjene APOE4, por edhe respektimi më i lartë i dietës uli më tej rrezikun e tyre.

Një tjetër gjetje e rëndësishme e studimit: Njerëzit me gjenin APOE4 duket se kanë profile metabolike dalluese që u përgjigjen më mirë lëndëve ushqyese të shëndetshme në dietën mesdhetare.

Proceset metabolike si tretja e lëndëve ushqyese, prodhimi i energjisë dhe ndërtimi dhe riparimi i nervave dhe indeve të trupit dhe trurit varen shumë nga cilësia e vitaminave, enzimave, aminoacideve, karbohidrateve dhe lipideve (yndyrnave) në një dietë të shëndetshme, tha Liu.

Sjelljet e shëndetshme dhe rreziku i demencës

Ky nuk është studimi i parë që gjen një lidhje midis dietave mesdhetare dhe dietave të tjera me bazë bimore dhe rrezikut të demencës.

Një studim i madh me mbi 60,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023 zbuloi se ata që i përmbaheshin më shumë një diete mesdhetare kishin deri në 23% më pak rrezik për demencë krahasuar me njerëzit që nuk e ndiqnin mirë dietën.

Një studim tjetër i vitit 2023 që shqyrtoi indet e trurit i pasqyroi këto gjetje. Njerëzit që konsumonin ushqime nga dietat mesdhetare me bazë bimore kishin pothuajse 40% më pak gjasa për të pasur shenjat dalluese të sëmundjes së Alzheimerit.

The post Dieta mesdhetare ul rrezikun e demencës me 35% tek njerëzit me rrezik më të lartë appeared first on Gazeta Si.

Kurbin/ Kallash, granata dhe municione të fshehura në banesë, prangoset 19-vjeçari

25 August 2025 at 12:05

Nga Gazeta Si- E.Z., 19 vjeç është arrestuar ditën e sotme nga policia e Lezhës pasi kishte kthyer banesën në depo armatimi.

Janë sekuestruar si prova materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak dhe 3 granata.

19-vjeçari akuzohet për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

The post Kurbin/ Kallash, granata dhe municione të fshehura në banesë, prangoset 19-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

I dehur në timon dhe me shpejtësi shkaktoi aksidentin ku humbën jetën dy motrat, arrestohet shoferi 23-vjeçar

25 August 2025 at 10:19

Nga Gazeta Si- Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës kur u përplasën me 23-vjeçarin Kevin Nora, përplasje që rezultoi fatale për to, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa është jashtë rrezikut për jetën.

I riu Nora, me një mjet tip Audi, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës kur u përfshi në aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë mbrëmjen e 24 gushtit. Sipas të dhënave paraprake, 23-vjeçari ka bërë parakalim të gabuar ndërkohë që ka qenë me shpejtësi. Gjithashtu, pas verifikimeve, ai rezulton se ka qenë edhe i dehur.

23-vjeçari tashmë është vënë në pranga.

The post I dehur në timon dhe me shpejtësi shkaktoi aksidentin ku humbën jetën dy motrat, arrestohet shoferi 23-vjeçar appeared first on Gazeta Si.

Alarm në SHBA, zbulohet paraziti i rrallë që ‘ha’ mish njerëzor

25 August 2025 at 10:07

Shfaqja e një paraziti jashtëzakonisht të rrallë, i njohur si krimb-vidë po shkakton shqetësim në Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të Reuters.

Rasti, i raportuar tek një person që udhëtoi nga Guatemala në Merilend dhe zhvilloi një infektim me parazitin krimb-vidë, është rasti i parë i konfirmuar në Shtetet e Bashkuara në 2025, ndërsa epidemia përhapet gradualisht në veri nga Amerika Qendrore dhe Meksika jugore.

Krimbi ushqehet me mishin e gjallë të kafshëve, kryesisht bagëtive, dhe rrallë infekton njerëzit. Megjithatë, kur ndodh, gjendja mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet menjëherë.

Shkencëtarët thonë se zbulimi i hershëm është thelbësor, pasi krimbat mund të vrasin “strehuesit” e tyre nëse nuk trajtohen. Mënyra se si larvat hanë mishin i ngjan një vide që depërton në dru, prandaj edhe kanë marrë këtë emër.

Shfaqja e parazitit në Shtetet e Bashkuara pritet të ketë gjithashtu një ndikim në tregjet e mishit të viçit dhe bagëtive.

The post Alarm në SHBA, zbulohet paraziti i rrallë që ‘ha’ mish njerëzor appeared first on Gazeta Si.

Pjesë e grupit kriminal, arrestohet në Malin e Tomorit 46-vjeçari

25 August 2025 at 09:57

Një 46-vjeçar u lokalizua në malin e Tomorrit dhe u arrestua pasi ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë arrest në burg për trafik lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në grup kriminal. D. B. po lëvizte me automjet kur Forcat Operacionale ndërhynë duke e arrestuar.

Në vitin 2023, GJKKO dha masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në tetor të vitit 2023, ai u arrestua bashkë me kushëririn e tij, E. B. dhe S. T. në Itali, si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Milano. Tre trafikantëve iu sekuestruan edhe 1 milionë euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi. Policia e Durrësit sekuestroi 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, një bar kafe, 3 dyqane, 2 shoqëri peshkimi së bashku me asetet e tyre.

Emri i tij doli nga një hetim i SPAK, që çoi në goditjen e një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, që vepronte në Itali dhe Shqipëri.

The post Pjesë e grupit kriminal, arrestohet në Malin e Tomorit 46-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

❌
❌