Gazeta Si – GJKKO ka publikuar arsyetimin e vendimit të 13 gushtit, për të lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta.
Sipas gjykatës, nuk ekzistojnë rrethana të reja që të justifikojnë zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.
Në vendim theksohet se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ai tashmë ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe i janë komunikuar zyrtarisht akuzat për korrupsion pasiv në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
GJKKO vlerëson se masa e sigurisë mbetet proporcionale me rëndësinë e fakteve dhe dënimin e mundshëm, duke theksuar se ekziston ende rreziku i “helmimit të provave” përmes ndikimit tek dëshmitarët apo personat që kanë dijeni mbi faktet e hetimit.
Gjykatat kanë vlerësuar se në rastin konkret evidentohet prania e rrethanave nga të cilat krijohet vlerësimi se ka rrezik eminent që liria e pakushtëzuar me masë sigurimi e kërkuesit (të pandehurit) Ilir Metaj mundet të helmojë provat apo mundet të riskojë gjetjen dhe fiksimin e gjendjes natyrore të tyre”, vlerëson gjyqtari Çela.
Sipas gjykatës, funksionet aktuale dhe ato të mëparshme të Metës i japin atij mundësi të ushtrojë ndikim të paligjshëm në procesin gjyqësor.
Në vendimin e zbardhur të GJKKO-së thuhet se, “Meta për shkak të funksionit që ka aktualisht apo funksioneve që ka pasur në të kaluarën, mund të ushtrojë influencën e tij për të ndikuar në procesin e marrjes dhe vërtetësisë së provave të tjera, të ndryshme nga ato dokumentare, sikurse janë pyetja e personave që kanë dijeni për faktet objekt hetimi, duke qenë se ai po hetohet për disa vepra penale”.
Po ashtu, gjyqtari Çela ka vlerësuar se tashmë pozita e Metës përballë drejtësisë është rënduar dhe nuk është me një person në hetim, por është marrë zyrtarisht i pandehur.
Më 4 gusht, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë. Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Gjykata argumenton se përfundimi i hetimeve paraprake nuk e eliminon rrezikun për provat, sidomos ato “të gjalla” si dëshmitarët, të cilët do të pyeten gjatë gjykimit. Për këtë arsye, kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u refuzua.
Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
The post Pse u la në burg Ilir Meta? GJKKO: Rrezikon provat dhe intimidimin e dëshmitarëve appeared first on Gazeta Si.