Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

Qeveria gjermane miraton projektligjin për modelin e ri të shërbimit ushtarak

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:45

Qeveria gjermane ka miratuar projektligjin e Ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius për një model të ri të shërbimit ushtarak, raportoi agjencia e lajmeve DPA.

Projektligji prezanton një shërbim ushtarak vullnetar të ngjashëm me atë të Suedisë, ku të gjithë ata që mbarojnë shkollën i nënshtrohen provimit ushtarak, por vetëm disa prej tyre hyjnë përfundimisht në shërbim aktiv. Dokumenti përmban gjithashtu disa “elementë të detyrueshëm”, të cilët në veçanti rivendosin provimin e rekrutëve dhe i detyrojnë të gjithë burrat midis 18 dhe 25 vjeç të plotësojnë një formular me një paragraf mbi gatishmërinë e tyre për të kryer shërbimin ushtarak. Gratë mund ta bëjnë këtë vullnetarisht.

Autoritetet synojnë ta bëjnë shërbimin ushtarak më tërheqës. Për këtë qëllim, ato planifikojnë të rrisin pagat ushtarake, të mbulojnë disa kosto për rekrutët e rinj, duke përfshirë lejet e drejtimit, të zgjerojnë mundësitë e karrierës dhe trajnimit, si dhe të përmirësojnë aksesin në kurset e gjuhëve dhe mjediset sportive. Ata që vendosin të qëndrojnë në ushtri do të marrin pagesa shtesë.

Projektligji specifikon gjithashtu kushtet sipas të cilave mund të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Kjo mund të ndodhë nëse situata e sigurisë përkeqësohet dhe vendi përballet me mungesë vullnetarësh për të siguruar sigurinë kombëtare dhe për të kryer misione të NATO-s.

Të shtënat me armë gjatë meshës në një shkollë katolike në Minneapolis, dy fëmijë 8 dhe 10 vjeç mes viktimave!

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:40

Dy fëmijë, tetë dhe dhjetë vjeç, janë mes viktimave nga të shtënat me armë që ndodhi në shkollë katolike në Minneapolis.

17 persona të tjerë mbetën të plagosur, 14 prej tyre fëmijë. Dy prej tyre janë në gjendje kritike, sipas autoriteteve.

 

Burri vrau gruan në Greqi, 4 fëmijët merren në kujdestari nga tezja e tyreBurri vrau gruan në Greqi, 4 fëmijët merren në kujdestari nga tezja e tyre

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:32

Pas ngjarjes së rëndë ku një grua 36-vjeçare humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj, autoritetet greke po finalizojnë procedurat për kujdestarinë e katër fëmijëve të saj. Familjarët e viktimës kanë konfirmuar se është vendosur që të afërmit më të ngushtë konkretisht motra e saj të kujdeset për fëmijët.

Tezja e tyre, e cila aktualisht banon dhe është e punësuar në ishullin e Skiathosit, ka pranuar të marrë përgjegjësinë për rritjen e fëmijëve, përfshirë vajzën 18-vjeçare dhe tre të miturit e tjerë. Ata pritet të zhvendosen së shpejti pranë saj.

Avokati i familjes ka bërë të ditur se gjykata e Volosit është në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes dhe pritet që Prokuroria të lëshojë vendimin përfundimtar ditën e nesërme. Raporti i hartuar nga Shërbimet Sociale është pozitiv dhe vlerëson se tezja ofron një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për jetesën dhe mirëqenien e fëmijëve.

Të katërt fëmijët kanë shprehur qartazi dëshirën për të qëndruar me të afërmen e tyre, ndërkohë që ndodhen ende nën ndikimin e thellë emocional të traumës së shkaktuar nga humbja tragjike e nënës dhe akti kriminal i babait të tyre.

Izraeli paralajmëron palestinezët: Evakuimi nga qyteti i Gazës, i pashmangshëm

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:25

Ushtria izraelite u ka thënë palestinezëve se evakuimi i qytetit të Gazës është “i pashmangshëm”, ndërsa forcat e saj përgatiten ta pushtojnë atë.

Në një postim në X të mërkurën, zëdhënësi i ushtrisë për gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha se familjet që do të zhvendosen në jug do të “marrin ndihmën më bujare humanitare”.

Tanket izraelite hynë në një zonë të re të qytetit të Gazës gjatë natës, duke detyruar më shumë banorë të largohen, thanë dëshmitarët. Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit izraelite – kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.

Thirrja për evakuim vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të kryesojë një takim në Shtëpinë e Bardhë mbi një vizion pas luftës për Gazën.

 

Dorëheqja e Liburn Aliut, ja kush është ministri i ri i Mjedisit në Kosovë

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:19

Hysen Durmishi është caktuar ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas dorëheqjes së ministrit Liburn Aliu. Durmishi ka qenë zëvendësministër.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ushtrues të detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas dorëheqjes dhe lirimit nga detyra të ministrit të këtij dikasteri, Liburn Aliu. Kryeministri Kurti e uron z. Durmishi për përgjegjësinë e re dhe i dëshiron suksese në përmbushjen e detyrave”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Aliu gjatë ditës njoftoi se ka dhënë dorëheqje, duke thënë se e ka marrë këtë vendim pasi Dimal Basha mori postin e kryeparlamentarit. Sipas Aliut, zgjedhja e Bashës s’ka qenë në lartësinë e idealit të tij për Republikën.

Armenia dërgon trupa paqeruajtëse në Kosovë, forcohet përkrahja e SHBA-së në misionin KFOR

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:07

Një kontingjent i trupave paqeruajtëse nga Armenia është nisur nga Yerevani drejt Kosovës për t’iu bashkuar misionit të KFOR-it.

Përcjellja e tyre u bë nga Zyrtari i lartë i mbrojtjes dhe Atashehu amerikan, koloneli Crowe.

Në një njoftim të Ambasadës së SHBA-së në Armeni, theksohet se ky shtet ka dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme përkushtimin e tij për paqen dhe stabilitetin rajonal, duke kontribuar me trupa në KFOR.

“Armenia mbetet një nga kontribuesit më të mëdhenj jo-anëtarë të NATO-s në KFOR, duke tejkaluar edhe disa shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së. Ky përkushtim i vazhdueshëm thekson rolin e Armenisë si një partner i besueshëm në operacionet rajonale të sigurisë dhe gatishmërinë e saj për të punuar përkrah forcave aleate”, thuhet në njoftim.

 

 

Senior Defense Official and Defense Attaché, COL Crowe, bid farewell to another contingent of the Armenian Peacekeeping Brigade deploying to Kosovo in support of NATO’s Kosovo Force (KFOR) mission.

Since 2004, Armenia has been a steadfast troop-contributing nation to KFOR,… pic.twitter.com/W1vSFCTuHh

— US Embassy, Armenia (@usembarmenia) August 27, 2025

Ambasada amerikane në Jerevan ka shtuar se është krenare të mbështesë kontributin e Armenisë në KFOR, duke e cilësuar atë si një hap në përforcimin e koalicioneve ndërkombëtare dhe partneritetit të sigurisë me Armeninë në rajonin e Kaukazit.

Zjarr në pyllin mbi fshatin Miras të Devollit, forcat e zjarrfikësve në terren

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:01

Një vatër zjarri ka shpërthyer këtë pasdite në një sipërfaqe pyjore mbi fshatin Miras, në bashkinë Devoll. Flakët kanë përfshirë një zonë të gjerë, ndërsa forcat e zjarrfikësve janë angazhuar në përpjekje për të shpërndarë flakët.

Aktualisht, në terren ndodhen dy mjete zjarrfikëse, 10 zjarrfikës dhe rreth 20 punonjës nga Drejtoria e Shërbimeve dhe Pyjeve, të cilët po punojnë intensivisht për të izoluar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në zona të tjera.

Era e fortë dhe bima e dendur po e bëjnë menaxhimin e situatës më të vështirë, ndërsa ndërhyrja po realizohet edhe me mjete rrethanore, për shkak të terrenit të vështirë. Autoritetet janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar një përhapje të mëtejshme të flakëve dhe për të mbrojtur zonat e rrezikuara.

SPAK dhe Policia aksion për të goditur korrupsionin e ndërtimeve pa leje, arrestohen 2 punojnës të IMT, 2 të tjerë në kërkim

By: Fax Web
27 August 2025 at 18:01

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK, ka ndërmarrë një operacion për goditjen e korrupsionit në radhët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Burime bëjnë të ditur se deri tani janë arrestuar dy punonjës të kësaj strukture, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve.

Detaje të tjera pritet të mësohen në vijim nga operacioni që është akoma në vijim.

Trump sulmon George dhe Alex Sorosin, i akuzon për mbështetje të protestave të dhunshme: Të hetohen penalisht

By: Fax Web
27 August 2025 at 17:34

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer sërish në akuza ndaj filantropit miliarder George Soros dhe djalit të tij Alex Soros, duke i akuzuar për përfshirje në protesta të dhunshme.

Trump ka kërkuar që të hetohen nën ligjin federal RICO, që parashikon ndjekje penale për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ka shkruar: “George Soros dhe djali i tij i mrekullueshëm nga e majta radikale duhet të ndiqen penalisht sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme, dhe shumë më tepër”.

Megjithëse nuk dha ndonjë arsye të qartë për këtë reagim të papritur, deklaratat vijnë në një kohë kur administrata e tij është duke ndjekur penalisht disa nga kundërshtarët e tij politikë.

Trump e shfrytëzoi situatën për të justifikuar vendimin e tij për të dërguar Trupat e Gardës Kombëtare dhe Marinsat në Los Anxhelos, qytet i drejtuar nga demokratët, që prej disa javësh po përballet me protesta.

Më herët, Trump kishte akuzuar Sorosin se qëndronte pas dënimit të tij në vitin 2024 lidhur me pagesat për të fshehur marrëdhënien me një aktore filmash për të rritur, duke pretenduar se Soros kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi prokurorin publik që ngriti akuzat.

95-vjeçari George Soros ka qenë për vite me radhë një nga figurat më të sulmuara nga e djathta, si në SHBA, ashtu edhe në Evropë, për shkak të mbështetjes së tij financiare ndaj kauzave progresiste dhe Partisë Demokratike (e majta në SHBA).

Në vitin 2023, George Soros njoftoi se do t’i dorëzonte drejtimin e fondacionit të tij “Open Society Foundations” djalit të tij, Alex Soros. Ky i fundit ishte një mbështetës i zëshëm i Kamala Harris, kundërshtares së Trump, në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.

Pak para se të largohej nga detyra në janar, ish-Presidenti amerikan Joe Biden i dha George Sorosit Medaljen Presidenciale të Lirisë, për kontributin e tij në “projekte që forcojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, arsimin dhe drejtësinë sociale në mbarë botën.”

Presidenti Trump reagon për sulmin me armë: E tmerrshme, FBI është në vendngjarje

By: Fax Web
27 August 2025 at 17:29

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi në një shkollë katolike në Minneapolis, ku raportohet për disa persona të plagosur, ndërsa autori është vrarë nga policia.

Në një reagim në rrjetin social “Truth Social”, Trump e konsideron ngjarjen si një skenë të tmerrshme, teksa shton se situatën po e mban në monitorim.

“Jam informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis, Minesota. FBI-ja reagoi shpejt dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutjet për të gjithë personat e përfshirë”, ka shkruar Presidenti Trump.

Vetëm 57% e banorëve kanë mbulim me kanalizime, nevojë në rritje për impiante

By: Fax Web
27 August 2025 at 13:55

Në vitin që lamë pas mbulimi me kanalizime në vend, si një tregues i matshëm tek ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve shënoi një rritje të lehtë por ende larg mesatares kombëtare të kërkuar.

Enti Rregullator i Ujit në raportin e performancës të publikuar kohëve të fundit për vitin 2024 nënvizon se mbulimi me kanalizime shënoi një rritje 2.2% krahasuar me vitin 2023.

“Popullsia në zonën e juridiksionit, për vitin 2024, për 17 shoqëritë UK, raportohet rreth 4,446,331 banorë, nga të cilët kanë akses në shërbimin e grumbullimit të ujërave të ndotura 2,535,858 banorë ose e shprehur në lidhje me KUN rreth 738,854 lidhje.

Ky tregues ka një rritje të lehtë, pasi shërbimi me kanalizime raportohet të jetë shtuar me rreth 7,616 lidhje duke çuar mbulimin në 57% me këtë shërbim, megjithëse mbetet shumë larg nivelit 75% të mesatares kombëtare të kërkuar” thuhet në këtë raport.

Enti analizon se mbulimi i përgjithshëm me kanalizime është përmirësuar gradualisht dhe përmirësimi ka ardhur më shumë si efekt i rritjes së mbulimit me kanalizime në zonat urbane, ndërkohë që mbulimi me kanalizime në zonat rurale nuk ka pasur përmirësime të ndjeshme.

“Fondet për investime në sektor për shërbimin e kanalizimeve kanë qenë të pakta, gati sa një e treta e investimeve për shërbimin e ujësjellësit, pasi më shumë i është kushtuar vëmendje shërbimit të furnizimit me ujë, gjithashtu ky diferencim ka ekzistuar edhe midis zonave urbane dhe rurale, me prioritet zonat urbane. Prandaj dhe treguesi i mbulimit për të dyja shërbimet UK është më i lartë në zonat urbane.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet zona rurale, në të cilën përgjithësisht nuk ka rrjet kanalizimesh dhe shkarkimet e ujërave të ndotura realizohen individualisht me gropa septike” thuhet në raport.

Si pjesë e shërbimit të kanalizimeve të ujërave të ndotura raporti sjell në vëmendje edhe nevojën për investime në Impiante të Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) .

Sipas Entit kjo mbetet sfidë për sektorin UK për t`u realizuar në të ardhmen duke pasur parasysh që është edhe një nga kërkesat që duhen plotësuar në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, që të arrihet akses në kanalizime dhe higjienë adekuate dhe të barabartë për të gjithë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë nevojave të grave dhe vajzave dhe ata që janë në situata të cenueshme.

“Ndaj, është e nevojshme të ndërmerren investime për ndërtimin e infrastrukturës së grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane në shkallë vendi” vlerëson raporti./ Monitor

Lokalet i kishin kthyer në “fole” të lojërave të fatit

By: Fax Web
27 August 2025 at 13:50

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Policia sekuestroi 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë. Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

“Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda mesazh drejtuar policëve të dekoruar ne luftën kundër zjarreve.

By: Fax Web
27 August 2025 at 13:35

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda:
“Krenarë për ju, për sakrificën, përgjegjshmërinë, guximin dhe humanizmin që treguat në mbrojtje të jetës së qytetarëve.”

Këta pesë punonjës policie, të dekoruar nga Kryeministri i vendit, përballë flakëve të zjarreve treguan guxim, sakrificë dhe përkushtim deri në rrezikimin e jetës së tyre.

Ata janë fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit, vlera më e mirë në shërbim të qytetarëve dhe shembulli që frymëzon e na bën krenarë të gjithëve.

Krahas tyre, mijëra burra e gra, djem e vajza të Policisë së Shtetit sakrifikojnë përditë në përmbushje të misionit sa të vështirë, aq edhe fisnik: mbrojtjen e jetës me jetën e tyre.

🙏 Respekt dhe mirënjohje për ta!

Shkaktoi aksidentin ku vdiqën dy motrat Dhimaku, Gjykata e Sarandës lë në burg 23-vjeçarin Kevin Norra

By: Fax Web
27 August 2025 at 12:43

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 23-vjeçarin Kevin Norra, i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Dhimaku. Në seancën e zhvilluar, prokurorja e çështjes Besjana Sadikaj kërkoi masën e arrestit me burg, të cilën gjykata e pranoi.

Norra që u përplas mbrëmjen e 24 gushtit me mjetin e dy motrave në aksin Delvinë-Sarandë, ishte duke lëvizur me shpejtësi, kur ka kryer një parakalim të gabuar duke i dalë përballë mjetit të dy motrave duke u përplasur kokë më kokë. Si pasojë, Rozina dhe Elvisa Dhimaku, 20 dhe 22 vjeçe, ndërruan jetë.

E plagosur mbeti edhe 24-vjeçarja Antonela Zhupa, e cila u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa 23-vjeçari, specialist në ministrinë e Brendshme, rezultoi se ishte i dehur në timon.

Trump sulmon Lavrov-in, Financial Times: SHBA, gati të ofrojë mbrojtje ajrore për Ukrainën!

By: Fax Web
27 August 2025 at 12:41

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ofruar burime inteligjence dhe mbikëqyrjeje të fushëbetejës në kuadrin e një plani sigurie të Perëndimit për Ukrainën e pasluftës dhe për qenë pjesëmarrëse në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Europa, duke përfshirë këtu dhe një zonë ndalim-fluturimi.

Lajmin e përcjell Financial Times, që hyn edhe më shumë në detaje duke treguar se plani i kancelarive perëndimore do të përfshinte një rajon të çmilitarizuar, të patrulluar mbase nga paqeruajtës neutralë prej një vendi të tretë, me të cilët të bien si Kievi, ashtu edhe Moska. Përtej kësaj do të ishte një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupat ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO.

Më në brendësi, si një linjë e tretë mbrojtjeje, do të ishte një forcë parandaluese e udhëhequr nga Europa. Zyrtarë të lartë amerikanë, vazhdon shkrimi, u kanë pohuar homologëve të tyre në Europë se Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “elementë strategjikë”, duke përfshirë këtu të dhënat e inteligjencës, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, si dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo forcë të drejtuar nga BE-ja në terren.

Oferta amerikane është e kushtëzuar sakaq nga angazhimi që të jenë  kryeqytetet europiane ato të cilat të vendosin dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, sepse SHBA-ja e kundërshton stacionimin e ushtarëve te saj atje. Vetë Donald Trumpi ndërkohë, shfaqi sërish një lloj pakënaqësie me Moskën teksa, përdori një term vulgar për të kritikuar vërejtjet e Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në lidhje me “mungesën e legjitimitetit” të Volodymyr Zelensky-t në nënshkrimin e traktateve të ardhshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. “Ç’rëndësi ka se çfarë thonë, ata vetëm impostohen, janë thjesht budallallëqe”, tha presidenti amerikan në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

U nis nga Himara për Durrës, skafi pëson defekt në det, shpëtohen 3 persona

By: Fax Web
27 August 2025 at 12:35

Kapiteneria e Portit Vlorë, në bashkëpunim me QNOD-në dhe Policinë Kufitare Vlorë, ka kryer operacionin e shpëtimit të një mjeti lundrues tip skaf me flamur Shqiptar, me 3 persona ne bord.

Mjeti lundrues ishte nisur nga Himara një natë më përpara dhe kishte për destinacion Durrësin, por kishte pësuar avari në motor dhe ishte duke bërë ujë në lokal të motorit në afërsi të Gjirit të Gramës.

Drejtuesi i mjetit lundrues pasi është hasur me defektin ka kontaktuar me Kapitanerinë e Portit Vlorë dhe ka kërkuar asistencë teknike dhe  rimorkimin e mjetit lundrues pasi ishte në kushtet e lëvizjes “pa motor” dhe nuk mund të lundronte më.

Më pas mjeti lundrues është rimorkiuar për në portin e Himarës.

Mjeti lundrues ka pësuar vetëm dëme materiale, ndërsa personat që ndodheshin në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Fier/ Kontrabandonin karburant me autobot, 2 të arrestuar dhe një në kërkim! (EMRAT)

By: Fax Web
27 August 2025 at 12:23

Kontrabanda e karburantit me autobot çon në pranga 2 persona të dyshuar dhe një i tretë u shpall në kërkim nga policia e Fierit, si bashkëpunëtor në krim.

Në pranga ranë Blertian Dulaj dhe Mario Margilaj, 49 dhe 58 vjeç, banues në Fier, kurse në kërkim është E. R., 34 vjeç.

Operacioni është koduar “Liquid” dhe u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor Fier-Mbrostar, autobotin me drejtues shtetasin B. D., i cili po transportonte lëndë hidrokarbure, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës. Nga veprimet hetimore rezultoi se autoboti ishte ngarkuar me lëndë hidrokarbure në një ambient në pronësi të M. M. dhe se do të magazinohej në një ambient në pronësi të E. R.”, shpjegoi policia vendore për dinamikën.

Autoboti dhe lënda hidrokarbure u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kurse dosja për rastin do hetohet më tej nga Prokuroria e Fierit, me akuzat “tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “ruajtja dhe magazinimi i mallrave kontrabandë” dhe “fshehja e të ardhurave”.

6 muaj në qeli, avokatët e Veliajt: SPAK s’i jep kopjen fizike të materialeve hetimore, s’ka akses në pajisje elektronike

By: Fax Web
27 August 2025 at 12:22

Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliajt, i cili mbahet në qeli që prej muajit shkurt, në një reagim për mediat thonë se SPAK nuk i jep kopjen fizike të materialeve hetimore. Në reagim theksohet se Veliaj nuk mund të shohë materialet përmes USB pasi s’ka akses në pajisje elektronike.

Reagimi i plote

Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.

“Do kemi flotën tonë të avionëve”/ Rama për zjarret: Ndihma nga ajri nuk na ka munguar falë BE

By: Fax Web
27 August 2025 at 11:38

Pas verës që sfidoi si asnjëherë Shqipërinë nga zjarret, kryeministri Edi Rama mbajti sot ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Rama iu përgjigj edhe kritikave se përse Shqipërisë i mungon ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarreve.

“Kur dëgjojmë zërat përse Shqipëria nuk ka avionë, avionët nuk janë magjistarë, ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit të europian të mbrojtjes civile por s’janë të plotfuqishme.

22 avioni nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve në Izmir, ashtu sikurse nuk u shmang dot shkrumbimi në Los Aangelos.

Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nis me dy avionë, por magjia është sakrifica në tokë”-u shpreh Rama.

“Japin vendime në favor të zjarrvënësve e gllabëruesve”, Rama kritika dhe paralajmërime për prokurorë e gjyqtarë: Kush sulmon interesat publike…

By: Fax Web
27 August 2025 at 11:37

Kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë fjalës së tij sot në ceremoninë për nderimin e zjarrfikësve që luftuan më flakët në këto ditë të vështira të vendit, u ndal sërish te kritikat për disa gjyqtarë dhe prokurorë që sipas tij kanë vepruar jo në interes të publikut.

“Mijëra njerëz me uniformë derdhën energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, në luftë sfilitëse me zjarret dhe mijëra hektarë pasuri pyjore përpihet nga flakët, disa personave që nuk u dihen emrat me integritet zero i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me 4 këmbët interesat duke dhënë vendime të ‘ububushme’ jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve… I kam kërkuar ministrit të drejtësisë t’ia përcjellë gjyqësorit rastet e mësipërme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë i paralajmëroi për pasoja dhe masa për të gjitha ata që sipas tij do “do të sulmoj shtetin me vendime kundër interesit publik në proces me zjarrvënësit, zaptuesit apo gllabëruesit e të mirave të këtij vendi”.

“Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë. Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi.

Nuk do kursejmë çdo mbështetje për prokurorë dhe gjyqtarë që i shërbejnë misionit të Shqipërisë 2030, duke luftuar korrupsion dhe krim të organizuar në mbrojtje të interesit publik.

Do të udhëhiqemi nga forca e shembullit të atyre që në provën e zjarrit treguan se punonjësit e shtetit nuk janë ato kokrra që bëjnë lajm, por  janë shumicë dërrmuese që nuk bëjnë lajm, por që ngrenë përditë vendin më lart”, tha Rama.

❌
❌