Festivali Ndërkombëtar i Artit, Gjon Mili International Video Art Festival, është një ngjarje inovative e fokusuar tek video arti. I krijuar në nder të Gjon Milit – artistit dhe fotografit të shquar për teknikat e tij eksperimentale – ky festival mbledh bashkë artistë, kineastë dhe audienca nga e gjithë bota.
I organizuar si festival lëvizës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ai shërben si një platformë ku prezantohen vepra avangarde që sfidojnë kufijtë e vizuales. Programi i pasur përfshin ekspozita të video artit, shfaqje filmash, punëtori dhe seminare, duke nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar perspektiva të reja krijuese.
Qyteti i Korçës hap sot dyert për një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Video-Arteve “Gjon Mili”, me temën “The Skin of Light”. Ky festival, që tashmë është bërë një traditë në qytetin e lindjes së mjeshtrit të madh të fotografisë, rikthehet për të sjellë artin bashkëkohor dhe teknologjinë në një përvojë mbi-realiste, ku drita, kujtesa dhe koha marrin trajta të reja në duart e artistëve ndërkombëtarë.
Këtë vit, festivali zhvillohet më 27, 28 dhe 29 gusht në ambientet e Muzeut të Fotografisë “Gjon Mili”, një hapësirë që nuk është zgjedhur rastësisht. Organizatorët theksojnë se filozofia e këtij edicioni lidhet drejtpërdrejt me fillesën, me vendin ku mori jetë frymëzimi i madh i Milit, duke krijuar një dialog të fuqishëm mes trashëgimisë së fotografit dhe shprehjes bashkëkohore artistike. Prania e veprave të reja në këtë muze kthehet në një akt simbolik: aty ku drita u bë gjuhë krijuese për Gjon Milin, tani ajo gjen një interpretim të ri nga artistë që eksperimentojnë me format dhe teknologjitë e kohës sonë.
Në programin e këtij edicioni janë përfshirë gjashtëdhjetë e dy artistë të përzgjedhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të prezantojnë punime të një spektri të gjerë krijimtarie. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë video-art eksperimental, dokumentarë të shkurtër, animacione, instalacione audiovizuale dhe krijime që sfidojnë kufijtë tradicionalë të artit. Puna e tyre përqendrohet tek trajtimi multisensorial i dritës, kohës dhe kujtesës, duke i shndërruar këto koncepte në përvoja të reja ndijore, që synojnë të kapërcejnë perceptimin e zakonshëm. Titulli “The Skin of Light” nuk është thjesht një metaforë poetike, por një udhërrëfyes i gjithë programit: ai sugjeron prekjen e dritës, transformimin e saj në një lëkurë që mbështjell kujtesën dhe kohën, duke e kthyer artin në një formë trupi të gjallë.
Festivali “Gjon Mili” është më shumë se një ngjarje artistike; ai është një platformë e gjallë ku takohen arti dhe teknologjia. Duke e parë dritën si element estetik, si mjet teknologjik, por edhe si simbol transformimi shoqëror, ky edicion synon të sjellë një përvojë që nuk kufizohet vetëm në kinematë apo sallat e ekspozitës, por shtrihet në ndërgjegjen e publikut si një ftesë për të menduar ndryshe mbi të shkuarën dhe të ardhmen. Korça, e njohur për traditën e saj të pasur kulturore dhe për vendin që zë në historinë artistike të vendit, kthehet kështu në një laborator ndërkombëtar të artit bashkëkohor.
Ky festival nuk ka ndikim vetëm në fushën e artit, por është gjithashtu një hap i rëndësishëm për vetë qytetin dhe kulturën shqiptare. Ai sjell në Korçë jo vetëm artistë dhe kuratorë të njohur nga skena ndërkombëtare, por edhe vizitorë të shumtë, duke e gjallëruar jetën kulturore dhe duke i dhënë një shtysë të re turizmit kulturor. Me kalimin e viteve, festivali po kthehet në një pikë referimi, një ngjarje e cila e vendos Korçën në qendër të hartës kulturore të rajonit dhe më gjerë, duke e lidhur trashëgiminë e Gjon Milit me artin e së sotmes dhe vizionin e së nesërmes.
The post Filloi në Korçë nata e parë e Festivalit ndërkombëtar të Video Artit ”Gjon Mili” first appeared on JavaNews.al.