Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 August 2025Main stream

Viti i ri shkollor,Ristani:Hapim 5 shkolla të reja,kompensim financiar për fëmijët..

By: b b
27 August 2025 at 14:52

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zhvilloi një takim me institucionet e varësisë për fillimin e vitit të ri shkollor. Nënkryetarja dha lajmin e mirë për hapjen e 5 shkollave të reja këtë vit.

“Gjatë vitit do të hapim 5 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi dhe 1 të rikonstruktuar rrënjësisht. Do të jetë shkolla “Pjetër Budi”, njësia administrative 7, “Edith Durham”, historikja, në njësinë 5, “Ibrahim Hima” në Vaqarr e cila do të jetë e para që do të jetë gati. Jemi në fazën e mobilimit, kështu që besoj brenda shtatorit do ta zgjidhim. Shkolla e mesme e bashkuar “Mersim Duqi”, njësia administrative Bërzhitë, në fshatin Ibë gjithashtu ndërtim i ri. Shkolla e bashkuar në Krrabë e cila do të përfundojë rreth fundit të vitit shkollor, pra në 2026 dhe është duke u rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” e cila po kalon një riskontruktim të plotë. Pra, është thuajse e re dhe që do të përfundojë brenda këtij viti”, u shpreh Ristani.

Ajo tha se këtë vit nis edhe ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve të reja në kryeqytet.

“Sa i përket arsimit parashkollor, do të funksionojë me 45 çerdhe dhe 54 kopshte, dhe 126 grupe parashkollorësh. Janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat periferike të Tiranës ku rreth 6 000 fëmijë do të hyjnë për herë të parë në sistemin tonë të çerdheve dhe të kopshteve, kështu që u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre familjeve të reja që bëhen pjesë e këtij komuniteti të shërbimit. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ri të kopshteve dhe çerdheve të integruar tek ish-shkolla “Migjeni”, njësia administrative numër 9, ndërtim i ri në kopshtin në njësinë administrative Farkë. Po bëhemi gati për punime në kopshtin 50 në njësinë administrative numër 8 në rrugën “Besim Daja”. Gjithashtu gjatë 2026 do të vijojmë ndërtimin e ri për një kopësht dhe çerdhe të integruar në njësinë administrative numër 1 ku nevoja për kopshte dhe çerdhe ka qenë gjithashtu në rritje”, tha Ristani.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se në fokus do jenë fëmijët që nuk kanë mundësi financiare për t’u ushqyer mirë të cilëve do t’u jepet edhe një kompensim financiar nga Bashkia Tiranë.

“Po aq e rëndësishme është pjesa e ndihmesës apo pjesa e aktiviteteve që plotësojnë zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e nxënësve, përpos orareve të shkollës. Kemi në përkrahje të kësaj edhe kompensim ushqimor i cili kalon me miratimin e Këshillit Bashkiak dhe financim të Bashkisë për ata nxënës të cilët nuk e kanë mundësinë të ushqehen rregullisht apo t’u jepet drekë me vete në ambientet e shkollës. Kjo ndodh me 140 nxënës në 11 shkolla të ndryshme të cilët përfitojnë nga ky program i mbuluar nga buxheti i bashkisë dhe qendrat sociale të cilat ofrojnë programin e pas shkolle për ato familje me fëmijë të neglizhuar për sa i përket orarit apo impenjimit apo dhe kapaciteteve të familjeve të tyre për t’i ndjekur në nevojat arsimore dhe në zhvillimin e tyre. Është e rëndësishme të theksohet që ndajmë çdo vit 700 bursa për nxënës që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe japim 2800 të tilla për nxënësit ekselentë, për ata që janë më të mirët marrin dhe gjithashtu kompensim. Investimet janë njësoj si në qendër, si në periferi”, përfundoi Ristani.

Projektligji depozitohet në Kuvend, lejimi i gjuetisë vetëm në zona të miratuara

By: b b
27 August 2025 at 14:35

Pas më shumë se një dekade moratoriumi për gjuetinë do të hiqet. Qeveria ka depozituar në Kuvend, pas konsultimit publik, projektligjin që parashikon lejimin e gjuetisë vetëm në zonat e miratuara me ligj dhe gjuetarët do të kalojnë një test për të marrë lejen 5-vjeçare për të këtë aktivitet.

Gjithashtu me miratimin e zonave të lejuara të gjuetisë do të përjashtohet gjuetia në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë.

Qëllimi i draftligjjit të ri është përmirësimi i ligjit aktual në disa aspekte dhe nene të caktuara të tij, duke garantuar të drejtën e ushtrimit të gjuetisë dhe të të drejtave mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre si dhe do të inkurajojë përfshirjen e gjuetarëve në monitorimin, menaxhimin dhe kërkimin me qëllim përkujdesjen dhe ruajtjen e faunës së egër dhe të habitatit të saj.

“Me miratimin e këtij draftligji, gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara të gjuetisë dhe do të përjashtohen të gjitha territoret e tjera në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj.

Në projektligjin e ri që pritet të kalojë në Parlament, synohet që t’u jepet me shumë përgjegjësi shoqatave për gjuetinë dhe të menaxhojnë territoret e tyre.

“Futja e një koncepti të ri në këtë fushë, ajo e menaxhuesit të zonës së gjuetisë, i cili është personi kyç që në zonën e tij të gjuetisë do të sigurojë funksionimin e shërbimit profesional e do të organizojë veprimtarinë e gjuetisë, i cili do të zgjidhet sipas një procedure ligjore konkurimi. Rëndësi merr edhe zhvillimi i instrumenteve ligjore për të mundësuar marrjen e masave konkrete për menaxhimin e terreneve në favor të biodiversitetit”, thuhet në projektligj.

“Gjuetarët detyrohen të mbajnë kontakte me autoritetet dhe shoqëritë përgjegjëse për marrjen e masave të gjuetisë për të luftuar gjuetinë e paligjshme në mënyrë që të arrihet në një gjueti të përgjegjshme”, detajohet më tej në projektligj.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet gjithashtu inkurajimi i kontributit të gjuetarëve si aktorë të biodiversitetit.

“Gjuetarët duhet të shihen si një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm të gjuetisë në mënyrë që vetë gjuetarët që janë të apasionuar në gjueti, të mund të ushtrojnë këtë veprimtari sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj”, nënvizohet më tej.

Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti.

“Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore, private apo në përdorim  të kombinuar zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha zonat e gjuetisë dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë. Zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë”, thuhet në projektligj.

Këto zona do të jepen me ë tek persona fizik ose biznese, përmes një konkurrimi publik.

“Menaxhuesi i zonës së gjuetisë është personi fizik ose juridik, që përzgjidhet sipas një procedure konkurrimi për marrjen në përdorim të një zone gjuetie”, thuhet në projektligj./ata

Përplasje për Groenlandën, qeveria daneze thërret për sqarim ambasadorin amerikan

By: b b
27 August 2025 at 14:22

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur për sqarime ambasadorin amerikan në Kopenhagë, pas të dhënave se shtetas amerikanë kishin kryer operacione të fshehta në Groenlandë.

Transmetuesi publik danez “DR” citoi burime që thoshin se synimi i amerikanëve ishte të infiltroheshin në shoqërinë lokale dhe të promovonin shkëputjen e ishullit nga vendi nordik dhe bashkimin e tij me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, organi mediatik nuk ishte në gjendje të sqaronte se për cilin institucion punonin personat e infiltruar. Shërbimet sekrete daneze kanë paralajmëruar se Groenlanda është vënë në shënjestër të fushatave të shumta influencuese.

Ministri i Jashtëm Lars Lokke Rasmussen deklaroi se çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Danimarkës do të jetë e papranueshme dhe kjo i është bërë e qartë ambasadorit amerikan.

Megjithatë, presidenti Donald Trump ka deklaruar disa herë se synon ta aneksojë ishullin, që funksionon si pjesë autonome e Danimarkës dhe zëvendës presidenti JD Vance e ka akuzuar Kopenhagën se nuk po investon në territor.

Gjatë një vizite të bërë pak muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se nuk mund të aneksojnë një vend tjetër.

Danimarka është gjithashtu një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe e ka parë Amerikën si një aleat të ngushtë. Për pasojë, banorët e vendit nordik kanë mbetur të çuditur nga qasja e Trump, i cili nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës.

Salvini sulmon sërish Macronin:Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador,duhet..

By: b b
27 August 2025 at 14:07

“Bashkimi Ekonomik Evropian funksiononte shumë mirë, ndërsa kjo EuroBurokraci është vdekja e kontinentit tonë.”

“Edhe nga pikëpamja e vlerave, pasi e majta madje ka penguar njohjen e rrënjëve judeo-kristiane të Evropës, shumë qytete tani ndodhen nën ndikimin e forcave islamike autoritare. Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador, Macron duhet të shqetësohet për situatën ekonomike dhe sociale të shumë periferive franceze.”

Kështu u shpreh zëvendëskryeministri dhe lideri i Legës, Matteo Salvini, në një intervistë për mediat italiane gjatë takimit të qeverisë italiane në Rimini.

Italia po luan “absolutisht” mirë rolin e saj mbi çështjen e Ukrainës dhe “mbroj qëndrimin tonë të ekuilibruar dhe të mençur, ndryshe nga disa qeveri evropiane dhe disa drejtues në Bruksel të cilët — përsërit ai — këmbëngulin të flasin për armë, ushtri, bomba dhe raketa”. “Të dëgjohet Papa Leone — shton ai — dhe të investohet në diplomaci, në vend që të mendohet për luftëra të pamundura kundër Rusisë, të cilat në të kaluarën, nga Napoleoni te Hitleri, nuk sollën asgjë të mirë”.

Sa i përket çështjes së tarifave, për Salvini-n tani “duhet ndryshuar Evropa, duke hequr burokracinë dhe kufizime si ato mbi motorët me benzinë dhe naftë duke filluar nga 2035-a. Amerika mbron veten dhe bën mirë, Kina dhe India bëjnë të njëjtën gjë, është Evropa që po gabon, siç e kujtoi edhe vetë Draghi pikërisht këtu në takim: Ndërsa fuqitë e tjera inovojnë dhe çlirojnë energji, Brukseli nxjerr norma, kufizime, rregullore absurde dhe ndalime”.
Për zëvendëskryeministrin “përgjigjja nuk mund të jetë “më shumë Evropë”, por përkundrazi një Evropë që, në linjë me atë që mendonin etërit themelues, të merret me më pak gjëra dhe t’i bëjë mirë, duke lënë shtetet kombëtare të vendosin për çështjet që i prekin më nga afër”.

Inspektorët bërthamorë kthehen në Iran, por rivendosja e sanksioneve e pashmangshme

By: b b
27 August 2025 at 13:56

Gati dy muaj pasi Teherani ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka dërguar sërish inspektorë në Iran, pikërisht në kohën kur vendi po përballet me mundësinë e rikthimit të sanksioneve të mëdha ndërkombëtare.

Irani i pezulloi inspektimet në korrik, duke cituar bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj objekteve kyçe në qershor. Por, rikthimi i inspektorëve është kryesisht simbolik.

Tani për tani, misioni i IAEA-së – i konfirmuar nga drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi – ka karakter përgatitor, dhe përqendrohet në “modalitetet praktike” për rikthimin e vëzhgimit në disa objekte të shpërndara, disa prej të cilave u dëmtuan rëndë nga sulmet.

Pa qasje dhe bashkëpunim më të madh, është e pamundur të shtyhet rikthimi i sanksioneve të OKB-së, të cilat fuqitë evropiane synojnë t’i rikthejnë në fund të muajit.

Edhe nëse Irani lejon vizitat në disa objekte, hyrja në lokacione të ndjeshme si Fordo, Natanz dhe Isfahan – të gjitha të goditura nga bombardimet amerikane – mund të mbetet e ndaluar, gjë që kufizon aftësinë e IAEA-së për ta verifikuar veprimtarinë bërthamore të Iranit.

Një pengesë edhe më e madhe është rezerva e uraniumit të pasuruar e Iranit. Rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar pranë nivelit për armë mbetet i zbuluar, duke ngritur alarm në kryeqytetet perëndimore.

Treshja evropiane – Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – e kanë bërë të qartë se lehtësimi i sanksioneve varet nga tri kushte: rikthimi i plotë i inspektimeve, raportimi transparent i rezervave të uraniumit dhe angazhimi i besueshëm në diplomaci me Uashingtonin.

Këtë të fundit, Irani e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe fundjavën e kaluar, duke mos dashur të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Behnam Taleblu, drejtor i lartë i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se është “shumë e pamundur” që evropianët ta shtyjnë rikthimin e sanksioneve.

“E vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është nëse inspektorët rifillojnë plotësisht vëzhgimin dhe nëse ka vullnet real politik në Teheran për diplomaci. Në atë rast, sanksionet mund të shtyheshin për tre deri në gjashtë muaj… Por, e shoh shumë të pamundur”, tha ai.

Gjendjen e përkeqëson edhe mosbesimi i thellë i Iranit ndaj IAEA-së, të cilën e akuzon për anshmëri politike dhe për dështim në dënimin e veprimeve ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së.

Media të linjës së ashpër kanë shkuar edhe më larg. Gazeta Kayhan madje ka bërë thirrje që Grossi të “gjykohet dhe të ekzekutohet”, nëse shkel në tokën Iran./REL

Tiranë/ Kishin përshtatur dy ambiente për lojëra fati, procedohen penalisht 4 kinezë

By: b b
27 August 2025 at 13:30

Policia e Tiranës ka zbuluar dy ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, ndërsa ka proceduar katër shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.

Sipas njoftimit të policisë, për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç; R. L., 33 vjeç; L. M., 63 vjeç; dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim dy shtetas kinezë, W. Zh. dhe Y. L.

Nga këto ambiente janë sekuestruar 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë.

Policia bën me dije se në operacionin e koduar “Jackpot”, pajisjet janë gjetur gjatë kontrolleve në dy ambiente të ndryshme, në Mjull-Bathore dhe në Vaqarr.

Njoftimi i policisë

“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, operacioni policor i koduar “Jackpot”.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Sekuestrohen nga këto ambiente, 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë.

Procedohen 4 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.

Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë W. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”

Policia arreston ish-kreun e IMT-së së Durrësit, ja akuza që rëndon mbi të

By: b b
27 August 2025 at 13:22

Policia e Durrësit ka vendosur në pranga ish-kreun e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, A.H.

Policia njoftoi se ai u arrestuar pasi kur ka qenë kryeinspektor në vitin 2017 ka ndërtuar pa leje disa shtëpi pushimi në fshatin Shetaj të Ishmit.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor i IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”, njoftoi policia.

55-vjeçari u emërua në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit (sot IMT) më 7 maj të vitit 2018, detyrë që e mbajti deri në prill të vitit 2021.

Pa sukses bisedimet për programin bërthamor iranian

By: b b
27 August 2025 at 13:16

Zyrtarë të lartë iranianë u takuan në Gjenevë me negociatorë nga Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania për të diskutuar për programin bërthamor të vendit.

Bisedimet bërthamore midis përfaqësuesve të qeverive nga Teherani, Berlini, Londra dhe Parisi në Zvicër përfunduan pa ndonjë përparim të martën.

Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në qershor, qeveria e Teheranit bllokoi inspektimet ndërkombëtare të vendit. Qëllimi i takimit në Zvicër ishte të gjente mënyra për të rifilluar kontrollet ndërkombëtare mbi objektet bërthamore të Iranit. Pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit në qershor, udhëheqësit e Teheranit bllokuan inspektimet ndërkombëtare të vendit. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Iranipërballet me rivendosjen e sanksioneve të pezulluara.

Vendet evropiane gjithashtu po bëjnë presion për një inspektim të uraniumit të pasuruar të vendit, i cili konsiderohet lëndë e parë për ndërtimin e një bombe atomike.

Irani përballet me rivendosjen e sanksioneve
Irani ka mohuar për vite me radhë se dëshiron të zhvillojë armë bërthamore. Pas bisedimeve në Gjenevë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit Kazem Gharibabadi shkroi në platformën X se vendi i tij mbetet i hapur për diplomaci. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për pasojat e sanksioneve të reja. Evropianët pritet të marrin një vendim për këtë çështje deri në fund të muajit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghai, deklaroi në televizionin shtetëror se palët kishin diskutuar pikëpamjet e tyre në takimin e Gjenevës.

“Ne i kemi paraqitur qëndrimet tona shumë qartë dhe me transparencë gjatë negociatave të sotme. Gjithashtu kemi dëgjuar argumentet e palës tjetër”, tha Baghai për televizionin shtetëror. Nga perspektiva e Iranit, rivendosja e sanksioneve të OKB-së është e pajustifikuar, pohoi Baghai.

Trumpi e braktisi marrëveshjen
Në marrëveshjen bërthamore të Vjenës, Irani u zotua të kufizonte programin e tij bërthamor. Në këmbim, sanksionet do të hiqeshin.

Megjithatë, gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e anuloi marrëveshjen, e cila ishte nënshkruar nën Presidentin demokrat Barack Obama. Në të njëjtën kohë, Trumpi vendosi sanksione të reja dhe më të ashpra kundër Iranit. Si rezultat, udhëheqësit iranianë vazhduan të ndiqnin pasurimin e uraniumit./dw

Shkaktoi aksidentin ku humbën jetën dy motrat, gjykata lë në burg 23-vjeçarin

By: b b
27 August 2025 at 13:03

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 23-vjeçarin Kevi Norra, i cili shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi masën e arrestit me burg, të cilën gjykata e pranoi.

I riu Norra që u përplas mbrëmjen e 24 gushtit me mjetin e dy motrave në aksin Delvinë-Sarandë, ishte duke lëvizur me shpejtësi, kur ka kryer një parakalim të gabuar duke i dalë përballë mjetit të dy motrave. Si pasojë, Rozina dhe Elvisa Dhimaku, 20 dhe 22 vjeçe, ndërruan jetë.

E plagosur mbeti edhe 24-vjeçarja Antonela Zhupa, e cila u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa 23-vjeçari rezultoi se ishte i dehur në timon.

Avokatët e Erion Veliaj: Po i pengohet e drejta për një mbrojtje të barabartë

By: b b
27 August 2025 at 12:53

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar ndaj vendimit të Prokurorisë së Posaçme për t’i refuzuar një kopje fizike të materialeve hetimore që lidhen me çështjen ndaj tij.

Sipas tyre, këtë muaj Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht SPAK-ut dokumentet në format fizik, për të përgatitur një mbrojtje efektive, siç i garanton neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës.

Kërkesa, megjithatë, është refuzuar me argumentin se materialet i janë dorëzuar avokatëve në një USB. Por, në kushtet e izolimit ku ndodhet, Veliaj nuk ka akses në pajisje elektronike dhe, për shkak të volumit të lartë të akteve, avokatët nuk mund t’ia dërgojnë të gjitha fizikisht.

Reagimi i plotë:

Reagim i avokatëve të Erion Veliaj për të drejtën e tij për të patur një mbrojtje të barabartë, si çdo qytetar, përpara ligjit
Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.

Trump kërcënon Rusinë me luftë ekonomike nëse nuk arrihet paqja në Ukrainë

By: b b
27 August 2025 at 12:20

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur sërish poshtë mundësinë e ndonjë takimi të afërt mes udhëheqësve rusë dhe ukrainas, ndërsa ka folur për mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Moskës, megjithatë ai ka nënvizuar se edhe pala ukrainase ka përgjegjësi.

“Unë dua që lufta të përfundojë”, u tha Trump gazetarëve të martën në Shtëpinë e Bardhë.

“Ajo që e kam në mendje është shumë, shumë serioze, nëse më duhet ta bëj. Por dua ta shoh luftën duke përfunduar”, theksoi ai.

Presidenti paralajmëroi për sanksione ekonomike, duke shtuar: “Nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike. Një luftë ekonomike do të jetë e keqe, dhe do të jetë e keqe për Rusinë, dhe unë nuk e dua këtë”.

Trump vuri në dukje se, edhe pse ka marrëdhënie të mira me liderët e të dyja palëve, duhet që të dy, Putini dhe Zelensky, të jenë të përfshirë në proces njëkohësisht. Ai shtoi se nuk mund t’i japë asnjë qindarkë Ukrainës pa koordinim, duke iu referuar marrëveshjeve të NATO-s për blerjen e armëve amerikane për Kievin.

Trump gjithashtu la të kuptohej mundësia e masave kundër Kievit, pa dhënë detaje, ndërsa për marrëdhëniet me Putinin tha: “Nëse mund t’i shpëtoj mijëra njerëz nga vdekja përmes sanksioneve ndaj Rusisë ose Ukrainës ose kujtdo tjetër, është mirë”.

Megjithatë, Rusia ka vazhduar pushtimin e plotë të Ukrainës pa ndërprerje, edhe pas takimeve të Trumpit me Putinin në Alaskë më 15 gusht dhe me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë tri ditë më vonë.

Udhëheqësit ukrainas, përfshirë këshilltarin e lartë të presidentit Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, raportuan për zhvillimet në lindje të vendit, ku Rusia ka shënuar fitore në fushëbetejë. Komandanti i lartë ushtarak ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, njoftoi për avancime në disa zona kufitare, por theksoi se informacioni nga terreni nuk mund të verifikohet gjithmonë menjëherë.

Ndërkohë, Kievi ka kërkuar me urgjencë më shumë armë nga Perëndimi, për shkak të shqetësimeve se Rusia “nuk është e interesuar” për paqe. SHBA-ja dhe vendet evropiane i kanë dhënë Ukrainës ndihmë dhe pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë, por Trump i ka bërë presion Evropës për të marrë pjesën më të madhe të barrës.

Kosovë/Ministri Aliu njofton dorëheqjen pas zgjedhjes së Bashës kryeparlamentar

By: b b
27 August 2025 at 12:03

Liburn Aliu ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook.

Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

Aliu – i cili është anëtar dhe ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Qeverinë në detyrë për koment në lidhje me dorëheqjen e tij.

Basha, i cili u zgjodh me 73 vota për, njihet për gjuhën e tij të vrazhdë kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, ai e ka përdorur fjalën “langarecët” për t’i kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Kush është Dimal Basha?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.

Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e kësaj partie, ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë./REL/

Zjarret në vend, Rama: Së shpejti ne do të kemi flotën tonë, me dy avionë zjarrfikës

By: b b
27 August 2025 at 11:53

Ditën e sotme po mbahet një ceremoni, ku po nderphen me medalje dhe shpërblime forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te kritikat se përse Shqipërisë i mungon ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarreve.

Rama premtoi se së shpejti, Shqipëria do të ketë flotën e saj me dy avionë zjarrfikës.

“Kur dëgjojmë zërat përse Shqipëria nuk ka avionë, avionët nuk janë magjistarë, ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit të europian të mbrojtjes civile por s’janë të plotfuqishme.

22 avioni nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve në Izmir, ashtu sikurse nuk u shmang dot shkrumbimi në Los Aangelos.

Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nis me dy avionë, por magjia është sakrifica në tokë”, u shpreh Rama.

Rama nderon forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve

By: b b
27 August 2025 at 11:39

Kryeministri i vendit, Edi Rama mbajti ditën e sotme një ceremoni e Mirënjohjes Kombëtare për dhënien e medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Gjatë fjalës së tij Rama shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë punonjësit që u përballën me zjarret.

Të dashur dhe të respektuar shërbyes në uniformën e shtetit tonë, të nderuar miq edhe të ftuar, ushtarakë policë, zjarrfikës, mjek, personel i emergjencave civile në të gjitha gradat e cilësitë dhe sidomos për secilën prej meritave tuaja jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni.

Beteja e zjarrit që përfshiu territoret të konsiderueshme të vendit tonë në 2 muajt e fundit ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh dhimbjesh, një kronikë dramatike me nota stërmundimi , përkushtimi dhe me momente kulmore edhe heroizmi, njerëzor që i bëjnë nder uniformave tuaja.

Rama u ndal te komisari Agim Troci, i cili u  plagos duke luftuar me flakët në Delvinë.

“Mes tyre ka edhe jetë të dyta, si jeta e komisar Agim Trocit që u dergj i plagosur për ditë të tëra në shtrat, por pa keqardhje për veprimin heroik që mund ta kishte ndarë përgjithmonë nga familja dhe nga fëmijët. Jetë sfiduese si kolonel Gëzim Markut, i cili u pri trupave me forcën enjë shembulli të rrallë, janë jetë të hedhur mes zjarreve, si ai zjarrfikësit nga Bulqiza, apo komandanti Ervin Buzi”, u shpreh Rama.

Zgjedhjet/LVV në Supreme kundër urdhrit të PZAP për certifikimin e Listës Serbe

By: b b
27 August 2025 at 11:26

Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë bërë ankesë të martën në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi – të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie – i kërkuan të martën Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin e PZAP-së, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga LVV-ja.

Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.

Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Pse s’u certifikua Lista Serbe?
Zyra e Partive Politike në KQZ – që ka për detyrë shqyrtimin e aplikimeve të partive politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – rekomandoi certifikimin e Listës Serbe.

Megjithatë, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të zëshëm kundër certifikimit të saj, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Këto pretendime u kundërshtuan nga Lista Serbe dhe nga Beogradi zyrtar.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe komisioni zgjedhor nuk e kishte certifikuar atë fillimisht edhe asokohe.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./REL

Nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e Inteligjencës Artificiale

By: b b
27 August 2025 at 11:03

Viti i ri shkollor do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në kurrikulën mësimore, pasi për herë të parë nxënësit e klasës së katërt në Shqipëri do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale (AI), si pjesë e programit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau një video gjatë një vizite të ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, në shkollën “Isa Boletini” në Paskuqan.

Krahas videos, Rama shkruan se: “Ky vit i ri shkollor do të sjellë një tjetër risi në arsim, ku për herë të parë nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale, me kurrikulën e re të TIK, teksa vijojmë investimet për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë në shkolla. Në çdo shkollë po vijon edhe shpërndarja e librave falas, një lehtësi për familjet në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, e cila shfaqet në një video, deklaroi se fëmijët kanë akses në platforma si “Code Monkey”, përmes së cilës rreth 35 mijë nxënës kanë mësuar të kodojnë.

“Prej 3 vitesh ne kemi nisur një Program të TIK-ut që nga klasa e parë, por me zhvillimet teknologjike ne kemi mundur të kemi një ndjekje reale edhe të arritjeve të nxënësve që mësojnë përmes platformës ‘Code Monkey’. I kemi mësuar rreth 35 mijë fëmijë si të kodojnë, por nga ana tjetër kemi miratuar edhe kurrikulën e re për klasat e katërta e cila për herë të parë do të sjellë bazat e njohurive për Inteligjencën artificiale.”, tha ministrja Manastirliu.

Kjo nismë është pjesë e një vizioni të qeverisë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar, duke sjellë teknologjinë dhe dijet e avancuara që në ciklin fillor, me synimin për të krijuar gjenerata të reja të përgatitura për epokën digjitale.

Merz nuk dëshiron të njohë një shtet të pavarur palestinez

By: b b
27 August 2025 at 10:51

Edhe pse më shumë se 140 shtete e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, dhe atyre pritet t’u shtohen edhe Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Danimarka dhe Australia, Gjermania nuk e mbështet këtë.

Sipas kancelarit Friedrich Merz ndryshe nga vendet e tjera si Kanadaja ose Franca qeveria gjermane aktualisht nuk planifikon të njohë një shtet të pavarur palestinez . Kancelari Friedrich Merz e bëri sërish të qartë këtë pas një takimi me kryeministrin kanadez Mark Carney. “Ne nuk do ta mbështesim këtë iniciativë,” tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministin kanadez Carney. “Aktualisht ne nuk i konsiderojmë të përmbushura në asnjë lloj mënyre kushtet për njohjen e shtetit”, tha Merz.

Kanadaja, Franca, Britania e Madhe dhe Australia kanë deklaruar se do ta njohin një shtet të pavarur palestinez nëAsamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. “Nëse kjo do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ne nuk do ta ndjekim këtë hap” tha Merz.

Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete
Nuk ekziston as “një komb në kuptimin e vërtetë”, as një territor kombëtar palestinez i njohur, as “një autoritet shtetëror që ofron një qeveri që njihet nga të gjithë”, e sqaroi më vonë kancelari qëndimin e tij në një takim të përbashkët me kryeministrin belg Bart De Wever në Berlin.

“Megjithatë qeveria izraelite nuk duhet ta bëjë të pamundur që një shtet i tillë të krijohet një ditë”, shtoi Merz. Zgjerimi i ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor, për shembull, “padyshim synon ta bëjë të pamundur formimin e shtetit në të ardhmen”, tha Merz duke shtuar se qëllimi i qeverisë gjermane mbetet një zgjidhje me dy shtete.

Spanja, Irlanda dhe Danimarka
Më shumë se 140 vende në mbarë botën e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, përfshirë edhe disa shtete anëtare të BE-së si Spanja dhe Irlanda. Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, nuk e ka përjashtuar njohjen e një shteti palestinez. “Ne jemi pro,” u tha Frederiksen gazetarëve të martën (26.08.). Megjithatë duhet të sigurohet që ai do të jetë “një shtet demokratik”./DW

Situata e zjarreve në vend/ Nga 14 vatrat e raportuara gjatë ditës, dy ende aktive

By: b b
27 August 2025 at 10:26

Në ditët e fundit, strukturat e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura kanë intensifikuar veprimet në terren për të përballuar një situatë zjarrvënieje ende të rëndë në disa qarqe të vendit.

Nga 14 vatrat e raportuara gjatë ditës, 11 janë shuar plotësisht, 2 mbeten aktive, ndërsa 1 po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

Vatrat aktive janë në zonat:

Zona e Akërnisë (Delisuf, Novoselë), Bashkia Vlorë. Aktualisht, situata në zonën e Akërnisë është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit me angazhimin e strukturave të MZSH Vlorë (2 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë), 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura me 20 efektivë dhe 40 trupa, dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe në operim të menjëhershëm.

Momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Zona e Bogovës, Bashkia Skrapar. Edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.

Zona e Pezë Helmësit, Bashkia Tiranë. Vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim.

Përfshihet nga flakët e zjarrit një pallat në Dibër, evakuohen banorët

By: b b
27 August 2025 at 10:16

Një zjarr ka përfshirë një apartament në katin e katërt të një pallati në qytetin e Peshkopisë, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme materiale në disa apartamente.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10, kur flakët kanë shpërthyer në një prej apartamenteve dhe janë përhapur me shpejtësi edhe në apartamentet e tjera në të njëjtin kat.

“Rreth orës 02:10, në qytetin e Peshkopisë, ka rënë zjarr në një apartament në katin nr 4, të një pallati, ku si pasojë zjarri është përhapur edhe në disa apartamente të tjera që ndodheshin në këtë kat”, bëjnë me dije shërbimet e emergjencës.

Forcat Zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për të evakuuar banorët e pallatit, duke shmangur çdo rrezik për jetën e tyre. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Pas disa orësh përpjekjeje, është bërë e mundur shuarja e plotë e flakëve.

Vetoja e presidentit polak kundër ndihmave për ukrainasit shkakton stuhi politike

By: b b
27 August 2025 at 10:05

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë.

Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai./REL

❌
❌