Në Gjermani jetojnë më shumë se 600 mijë njerëz me rrënjë kosovare. Politikisht, diaspora nuk ka qenë e dukshme për një kohë të gjatë.
Tani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po lufton për të fituar mbështetjen e tyre, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
Kosova mbetet një nga vendet evropiane më të varura nga mërgata e saj. Vetëm gjatë vitit të kaluar dërgesat e parave nga jashtë përbënin rreth 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, siç raporton gazeta e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung”, për një kohë të gjatë kjo diasporë e madhe ka qenë politikisht e padukshme brenda sistemit gjerman. Sot, me një numër që kalon mbi 600 mijë njerëz me rrënjë kosovare që jetojnë në Gjermani, një gjeneratë e re po kërkon të thyejë këtë izolim dhe të gjejë zërin që i takon.
Ky zgjim politik ka zgjuar vëmendjen edhe në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po lufton fort për të fituar simpatinë e tyre, duke parë te Gjermania dhe Zvicra bastionet më të fuqishme të partisë së tij, Vetëvendosje. Në zgjedhjet e fundit, tre të katërtat e kosovarëve me të drejtë vote në Gjermani zgjodhën pikërisht atë.
Në artikullin e saj, “Süddeutsche Zeitung” sjell në vëmendje rastin e Arianit Besirit, i cili në mars të vitit 2025 hyri në histori si i pari kosovar që zgjidhet kryetar i një komune në Gjermani (në Morbach të Rheinland-Pfalz). Ky sukses bëri që ai të ftohej menjëherë në një audiencë zyrtare nga vetë Kurti në Prishtinë.
I pyetur mbi këtë fenomen, Besiri jep një shpjegim mjaft analitik për gazetën gjermane. Sipas tij, joshja që Kurti dhe partia e tij u bëjnë mërgimtarëve qëndron te premtimi se ata, si “fëmijë të Kosovës”, po ndihmojnë në ndërtimin e një “shteti të fortë”.
Sipas analizës së Besirit, vota për Kurtin nga jashtë funksionon edhe si një lloj mekanizmi psikologjik për t’u çliruar nga ndjenja e fajit ose e turpit që ata jetojnë në mirëqenie në Perëndim, ndërsa të afërmit e tyre në vendlindje përballen me vështirësi të përditshme. Ky raport krijon një presion të lartë te gjeneratat e dyta për të mos dështuar në mërgim.
Për një kohë të gjatë, raportet mes atyre që jetonin brenda dhe atyre që kishin ikur kanë qenë të ndërlikuara. Për këtë temë, “Süddeutsche Zeitung” ka intervistuar edhe shkencëtaren e komunikimit në Universitetin e Cardiffit, Dafina Paca. Ajo shpjegon se kosovarët e shteteve gjermanofone në vendlindje janë trajtuar shpesh si njerëz naivë e qëllimmirë, me kuletë të mbushur me para, pra si “shaci” që sjellin makina të shtrenjta dhe para, por që nuk posedojnë ndonjë kapital të mirëfilltë kulturor.
Këtë ndarje po tenton ta luftojë edhe Rina Limoni, e cila në vitet 90-të u arratis vetë në Gjermani dhe sot drejton podkastin “Diasporas Speaking”. Limoni vë në dukje se megjithëse lidhja me vendlindjen është e fortë, diaspora nuk është një grup homogjen. Ajo sqaron se në zgjedhjet e fundit morën pjesë realisht rreth 20 për qind e mërgimtarëve, andaj duhen parë me kujdes nuancat dhe karakteristikat e brendshme që e shtyjnë këtë masë drejt kutive të votimit.
Për gjeneratën e re të politikanëve shqiptaro-gjermanë, si 29-vjeçari Berat Arifi, kryetar i të rinjve socialdemokratë në Gelsenkirchen, përkrahja për ndryshimin në Kosovë vjen si pasojë e zhgënjimit nga e kaluara. Në bisedë me “Süddeutsche Zeitung”, Arifi shprehet se ata u lodhën duke parë se si elitat e vjetra politike pas lufte u bënë të pasur mbi varfërinë e popullit. Premtimi i Kurtit për të luftuar korrupsionin dhe për të mos lëshuar pe ndaj Serbisë bën që këta të rinj të ndihen të respektuar dhe të përfshirë në fatet e atdheut.
Megjithatë, siç përfundon shkrimi i gazetës gjermane, ky patriotizëm i madh politik nuk përkohet domosdoshmërisht me një dëshirë për t’u kthyer mbrapsht. /Telegrafi/
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder dhe presidenti rus, Vladimir Putin janë takuar në Kremlin, në një bisedë që ka rikthyer në vëmendje diskutimet për gjetjen e një ndërmjetësi në luftën e Ukrainës.
Takimi u konfirmua nga këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Juri Ushakov, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”. “Po, ata janë takuar. Ishte një bisedë e mirë”, deklaroi Ushakov për agjencinë e lajmeve Interfax, duke refuzuar gjithsesi të jepte detaje mbi përmbajtjen apo mbi perspektivat e negociatave mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian.
Ky takim vjen fill pas deklaratave publike të Putinit, i cili propozoi hapur ish-kancelarin gjerman si personin e duhur për të ndërmjetësuar mes BE-së dhe Rusisë. Gjatë një takimi me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve në Shën Petersburg, Putin u shpreh se si ndërmjetësues mund të vijnë në konsideratë vetëm njerëz neutralë “të cilëve mund t’u besohet”.
Ai u shfaq i “habitur” nga debati i ashpër që ky propozim ndezi në Gjermani, duke shtuar se nuk bëhet fjalë nëse Schröder është apo jo mik i tij, por se ai është një burrë shteti që mbron interesat gjermane. Në të njëjtën kohë, Putin kritikoi ashpër Gjermaninë dhe Europën, duke thënë se furnizimet me armë për Ukrainën tregojnë se ata nuk janë më neutralë.
Pavarësisht insistimit të Kremlinit, emërimi i një negociatori që nuk përfaqëson asnjë qeveri zyrtare konsiderohet thuajse i pamundur nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Gjatë një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Qipro, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, lëshoi një paralajmërim të prerë “ky është një kurth në të cilin Rusia po përpiqet të na fusë”.
Përveç Schröderit, nga qarqe të ndryshme si ndërmjetësues potencialë janë lakuar edhe emrat e ish-kancelares Angela Merkel, presidentit finlandez Alexander Stubb, si dhe ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Edhe pse luftimet në terren po bëhen gjithnjë e më të ashpra, brenda qeverisë federale gjermane ekziston besimi se në muajt e ardhshëm mund të ketë bisedime me Rusinë për t'i dhënë fund luftës.
Nga burime qeveritare në Berlin bëhet e ditur se “ngadalë po hapet një dritare mundësie për bisedime të palës evropiane me Rusinë”, shkruan “Der Spiegel”. Megjithatë, të njëjtat burime nënvizojnë se betejat e ashpra të ditëve të fundit tregojnë se ky proces nuk do të zgjasë me javë, por me muaj të tërë. /Telegrafi/
Fati i ishullit të Sazanit në Shqipëri dukej se ishte vulosur që në një ditë dimri në Alpet e Zvicrës, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2022, Jared Kushner, dhëndri i zhdërvjelltë i Donald Trumpit, ftoi shefin e qeverisë shqiptare Edi Rama për një kafe.
Kushner foli me entuziazëm për një udhëtim në Shqipëri dhe për plazhet përrallore të Adriatikut dhe Jonit. Ai e pyeti Ramën nëse mund ta shihte vendin më nga afër për investime të mundshme. Të paktën kështu e përshkroi më vonë autokrati shqiptar këtë takim për gazetën amerikane “Wall Street Journal”.
Sipas “Süddeutsche Zeitung”, familja Trump nuk po vjen në Shqipëri për mision humanitar. Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka e kanë vizituar disa herë Shqipërinë. Planet e tyre janë gjigante: në ishullin e vogël të Sazanit dhe në fshatin bregdetar të Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës në jug të vendit, ata planifikojnë të ndërtojnë resorte luksoze.
Në një sipërfaqe prej më shumë se 1400 hektarësh pritet të ndërtohen hotele me pesë yje me gjithsej 10 mijë dhoma, si dhe vila, apartamente, pishina dhe porte jahtesh. Mediat e afërta me qeverinë flasin për një vlerë investimi prej katër miliardë dollarësh - ndonëse në fillim flitej për 1,4 miliardë. Kompania e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, disponon rreth pesë miliardë dollarë nga fondet sovrane të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, siç raporton The New Yorker.
Kundër këtij megaprojekti në fillim u ngritën mbrojtësit e mjedisit, gazetarët investigativë dhe popullsia lokale, por tani rezistenca po rritet ndjeshëm. Gjatë fundjavës, qindra njerëz u mblodhën në plazhin e Zvërnecit, pasi ndërtuesit rrethuan një pjesë të madhe të brezit bregdetar me tela me gjemba. Punonjësit e një kompanie private sigurimi ndërhynë dhunshëm ndaj demonstruesve, duke i qëlluar me gurë dhe duke tërhequr zvarrë një person.
Këto skena ndezën një valë të madhe revolte, duke bërë që protestat të përhapen edhe në kryeqytetin e vendit, në Tiranë. Atje, të hënën dhe të martën, mijëra njerëz dolën në rrugë duke thirrur parulla si “Shqipëria nuk është në shitje”, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe arrestimin e kryeministrit Edi Rama si dhe të liderit të opozitës Sali Berisha. Të dy shihen nga demonstruesit si politikanë të korruptuar që u janë nënshtruar interesave të oligarkëve. Protestuesit e rinj e mbuluan Edi Ramën me sharje të rënda, duke përfshirë në to edhe të gjithë fisin e tij.
Siç shton më tej “Süddeutsche Zeitung”, ishulli i Sazanit ka një pozicion strategjik mjaft të lakmuar, i cili përgjatë shekujve u shfrytëzua nga ushtri të shumta: romakët, osmanët dhe italianët. Në Luftën e Ftohtë, ishulli u kthye në një bazë ushtarake rreptësisht të fshehtë të Shqipërisë komuniste, ku për një kohë pati edhe prezencë sovjetike. Rëndësinë e tij ushtarake e bëri të qartë Nikita Hrushçovi në vitin 1958 gjatë një vizite, kur deklaroi se nga këtu mund të kontrollohej Mesdheu deri në Gjibraltar.
Që Kushner, bashkëshortja e tij, biznesmenët nga Katari, investitorët vendas të dyshimtë me kompani fantazmë dhe oligarkët të mund të ndërtojnë në bregdetin shqiptar, qeveria ndryshoi me nxitim ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtij truku juridik, ndërtimi i resorteve të luksit në natyrën e paprekur u legalizua brenda natës. Megjithatë, tani hovi i investitorit amerikan rrezikon të frenohet nga drejtësia: pronësia mbi atë pjesë të bregdetit është e paqartë, andaj Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet këtë javë se si një rrjet i dyshimtë personash privatë dhe kompanish mori në zotërim tokat në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Revista gjermane “Der Spiegel” po ashtu trajton protestat e fundit në Shqipëri. Ajo citon kryeministrin e Shqipërisë, i cili i tha gazetës britanike “The Guardian”: “Ne kemi nevojë për turizmin e luksit aq sa ka nevojë shkretëtira për ujë”. Kështu Edi Rama mbrojti qëllimin për ta kthyer ishullin e Sazanit në një ishull privat luksi. Në fund të vitit 2024, Ivanka Trump dhe Jared Kushner kërkuan leje për investim, dhe miratimi nuk vonoi.
Kompania e Kushnerit, Atlantic Incubation Partners LLC, planifikon të investojë 1.4 miliardë euro për të hapur atje një resort luksoz që do të shtrihet në të gjithë ishullin. Në një podkast me David Senra, Ivanka Trump foli me ekzaltim për projektin, duke u shprehur: “Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur prej 1400 hektarësh në mes të Mesdheut. Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar, kështu e zbuluam ishullin. Notuam deri atje, ecëm zbathur deri në majë dhe u magjepsëm krejtësisht. Kemi punuar për disa vite për të zhvilluar potencialin e këtij ishulli, me shumë kujdes, sepse vendi është shumë i bukur”.
“Der Spiegel” nënvizon se komentet në YouTube poshtë këtij podkasti nuk ishin aq entuziaste. Një përdorues shkroi: “Ishulli i Sazanit nuk është një ishull i izoluar në mes të Mesdheut, zonja Trump. Dhe ju nuk jeni një pirate moderne që u ndal rastësisht aty me jahtin e një miku dhe e ‘zbuloi’ atë. Sazani ndodhet përballë bregdetit të Vlorës dhe është pjesë e historisë, gjeografisë dhe identitetit të Shqipërisë prej brezash. Mbi të gjitha, ai nuk është pronë private - ai i përket popullit shqiptar”. Një tjetër ishte më i shkurtër: „Korrupsion i ëmbël“.
Vitin e kaluar, edhe Jared Kushner i tha gazetës “The Guardian” se planifikonte të krijonte në Sazan “resortin ideal ku do të dëshironte të kalonte pushimet me familjen dhe miqtë e tij”. Një “ishull privat” për Trump-Kushnerët dhe miqtë e tyre super të pasur. Vitin e kaluar, autoritetet shqiptare madje e përshpejtuan projektin e pasurive të paluajtshme duke i dhënë Kushnerit statusin e “investitorit strategjik”. Njerëzit në Shqipëri kanë filluar ta quajnë Sazanin si „Ishulli i Trumpëve”.
Sipas gazetës konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, planifikon një megaprojekt turistik në rivierën shqiptare, dhe kryeministri i Shqipërisë po e mbështet atë. Në Shqipëri po formohet një rezistencë kundër një projekti turistik që po shtyhet përpara nga dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Që nga fillimi i javës, në Tiranë, çdo mbrëmje mijëra demonstrues marshojnë përpara selisë së kryeministrit Edi Rama. Ata kërkojnë ndalimin e punimeve dhe dorëheqjen e shefit të qeverisë, i cili e mbështet fuqishëm këtë projekt ndërtimi me një vëllim investimi prej rreth 1.4 miliardë eurosh.
Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, të mërkurën pati përleshje me policinë në margjinat e një tubimi. Policia përdori ujëhedhëset për të larguar demonstruesit nga hapësirë para selisë së kryeministrit.
Sipërfaqet e projektuara për ndërtim ndodhen në zonën e mbrojtur të natyrës rreth Lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa. Kjo zonë ligatinore është një vend i rëndësishëm folezimi dhe pushimi për shpendët shtegtarë, mes të cilëve flamingot, pelikanët dhe çafkat. Mbrojtësit e natyrës frigohen se ndërtimi i planifikuar i hoteleve të luksit dhe komplekseve të vilave me deri në 10 mijë dhoma, si dhe porteve të jahteve e pishinave në një sipërfaqe prej 1400 hektarësh, do të nxjerrë nga ekuilibri ekosistemin e deltës së Vjosës.
Në këtë deltë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, hapja e të cilit po shtyhet më tej për shkak të betejave ligjore me mbrojtësit e mjedisit dhe mosmarrëveshjeve mes palëve të përfshira në ndërtim. Pas këtij projekti në gadishullin e Zvërnecit dhe në ishullin përballë tij, Sazan, qëndron kompania Affinity Partners, e cila nën udhëheqjen e Kushnerit thuhet se disponon mjete investimi nga Katari dhe Arabia Saudite në vlerë prej tre miliardë eurosh. Në Zvërnec, në fund të majit, filluan përgatitjet për ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe u vendosën gardhe rrethuese.
Me flamingo rozë prej kartoni dhe pankarta si „Shqipëria nuk është në shitje“, mijëra demonstrues po marshojnë prej ditësh nëpër qendrën e Tiranës, raporton gazeta e Vjenës “Die Presse”. Arsyeja e protestës: shqiptarët duan të parandalojnë me çdo kusht një resort luksoz të planifikuar nga një konsorcium miliarderësh në ishullin e Sazanit dhe në një brez bregdetar në Lagunën e Nartës, jo larg fshatit bregdetar të Zvërnecit në Shqipërinë e Jugut.
Vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump, shprehet e mrekulluar nga plazhet e ishullit të Sazanit, që dikur përdorej si bazë ushtarake dhe tani është i pabanuar: “Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur në mes të Mesdheut”.
Sipas “Die Presse”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e vlerëson investimin e këtij konsorciumi. Si investitor strategjik, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, pritet të paguajë 1.4 miliardë dollarë. Ky çift kontrovers investitorësh amerikanë po ngjall zemërimin e masave në Shqipëri, një vend që tradicionalisht njihet si pro-amerikan. “Ivanka, shko në shtëpi”, ishte një nga mesazhet e indonjuara të demonstruesve në Tiranë dhe Zvërnec.
Ndërkohë, i ashtuquajturi “Revolucion i flamingove” po përhapet edhe në diasporën shqiptare jashtë vendit: të premten mbrëma ishin planifikuar protestat e para edhe në München dhe Berlin kundër planeve të Kushnerit, shkruan gazeta gjermane “Bild”
Zemërimi i demonstruesve nuk drejtohet aspak vetëm kundër familjes sipërmarrëse Trump, por para së gjithash kundër kastës politike të Shqipërisë, e cila kritikohet si e korruptuar. Që kur anëtarët e një kompanie private sigurimi rrethuan me tela me gjemba brezin bregdetar prej disa qindra hektarësh në Zvërnec në fund të majit dhe tërhoqën zvarrë një demonstrues për qindra metra përgjatë plazhit, një valë e madhe indinjate ka përfshirë Shqipërinë.
Siç vë në dukje gazeta “Bild”, qeveria shqiptare i ka dhënë Kushnerit statusin e „investitorit strategjik“ në fund të vitit 2024. Ky status i veçantë u rezervohet projekteve që konsiderohen veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai mundëson procedura të përshpejtuara administrative dhe të licencimit, si dhe një mbështetje të ngushtë nga organet shtetërore.
Kryeministri kontrovers Edi Rama i vlerëson këto plane si një shans historik për ekonominë dhe turizmin. Ndërsa Zydjon Vorpsi nga organizata mjedisore PPNEA tha për “Bild”: „Shqipëria njihet para së gjithash për habitatet e saj të egra dhe natyrën e saj. Mirëpo, vizioni i prezantuar tani është pikërisht rruga drejt shkatërrimit të vetë potencialit turistik të vendit”. /Telegrafi/
Pas mariuanës, kokaina është kthyer në substancën ilegale më të përhapur në Zvicër. Sipas gazetës zvicerane “Blick”, konsumi i kësaj droge ka shënuar në rritje të pandalshme që nga fillimi i viteve 2000, ndërsa nga viti 2015 e këtej rritja ka qenë shumë e madhe.
Analizat e fundit të ujërave të zeza tregojnë se qytetet zvicerane, si ato të mëdhatë ashtu edhe ato më të voglat, konsumojnë mesatarisht më shumë kokainë sesa metropolet e tjera të mëdha europiane.
Një studim i ri i organizatës “Sucht Schweiz” (Varësia në Zvicër) tregon për herë të parë se në cilët sektorë dhe profesione përdoret më së shumti kjo substancë.
Siç raporton “Blick”, në sektorin e gastronomisë shumë punëtorë konsumojnë kokainë. Këtë e bëjnë për shkak të orareve të gjata të punës, punës gjatë natës dhe stresit. Edhe ndërtimaria renditet e dyta për nga konsumimi i kokainës.
Faktorët kryesorë që nxisin konsumin janë lodhja e madhe fizike, presioni për të kryer punën e kërkuar, presioni i bashkëmoshatarëve.
Sipas studimit, lista e profesioneve ku kokaina përdoret më shumë përfshin: gastronominë, ndërtimtarinë, artin dhe argëtimin, shoferët e kamionëve, profesionet e ekonomisë dhe konsulencës financiare, sektorin e drejtësisë (avokatë, juristë), ekspertët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Ekspertët paralajmërojnë se për shumë njerëz, marrja e drogës është kthyer në diçka normale gjatë orarit të punës. Mosha më e prekur mbetet ajo mes 18 dhe 34 vjeç. Punonjësit e përdorin kokainën për të qëndruar zgjuar më gjatë, për të rritur vetëbesimin dhe për të përballuar ngarkesën.
Ajo që ka befasuar studiuesit e varësisë, siç nënvizon gazeta Blick, është se përdoruesit e rregullt janë kryesisht njerëz të mirëarsimuar. Pothuajse të gjithë kanë një formim profesional ose një diplomë të arsimit universitar. /Telegrafi/
Me shumicë votash, kuvendi komunal i Zurichut ka miratuar pajisjen e anëtarëve të tij me një mekanizëm kërkimor të bazuar në Inteligjencën Artificiale (AI).
Ky asistent digjital synon t’u vijë në ndihmë veçanërisht deputetëve të rinj për t’u orientuar më lehtë në mesin e fluksit gjithnjë e më të madh të dokumenteve dhe çështjeve politike.
Sipas deputetit të partisë liberale (FDP), Martin Burki, puna në parlamentin e Zurichut është bërë jashtëzakonisht komplekse vitet e fundit. Numri i çështjeve që kërkojnë shqyrtim dhe analizë, sipas tij, po rritet vazhdimisht.
Gjatë debateve në parlament, pika që ngriti më shumë diskutim ishte nëse ky asistent duhet të ishte një motor kërkimi klasik apo një Inteligjencë Artificiale Gjenerative (që mëson vetë dhe krijon tekste të reja).
Në fund, vendimi që u mor ishte ky: kuvendi komunal nuk dëshiron as konsum të lartë të energjisë elektrike dhe as “halucinacione” (raste kur inteligjenca artificiale gjeneron informacione të rreme ose të shpikura).
Për këtë arsye, mjeti do të kufizohet vetëm në funksionin e një motori kërkimi të avancuar me inteligjencë artificiale mbi dokumentet ekzistuese.
Votat kundër këtij projekti erdhën ekskluzivisht nga Partia Popullore Zvicerane (SVP).
Përfaqësuesit e saj sqaruan se në parim nuk janë kundër mbështetjes nga teknologjia, por votuan kundër sepse në argumentimin e projektit u përmendën termat ekologjikë si emetimet zero dhe konsumi i energjisë si kritere për përzgjedhjen e teknologjisë. /Telegrafi/
Më pak se dy javë para referendumit të 14 qershorit në Zvicër, kundërshtarët e iniciativës, e cila kërkon kufizimin e banorëve në 1o milionë, janë në epërsi.
Sipas sondazhit të dytë të realizuar nga transmetuesi publik zviceran SRG, 52 për qind e votuesve pritet të votojnë kundër kësaj nisme, njofton portali Swissinfo.ch
Iniciativa “Kundër një Zvicre me 10 milionë banorë”, e lansuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), synon të kufizojë popullsinë e vendit në maksimum 10 milionë njerëz deri në vitin 2050. Kjo do të nënkuptonte kufizimin në mënyrë drastike të ardhjes së të huajve në Zvicër.
Edhe pse në fillim të majit kampet pro dhe kundër ishin plotësisht të barabarta, kundërshtarët e iniciativës tashmë kanë marrë epërsinë. Aktualisht, nisma gëzon mbështetjen e 45 për qind të votuesve, ndërsa 3 për qind mbeten ende të pavendosur.
Te zviceranët që jetojnë jashtë vendit, kundërshtimi është thelluar edhe më shumë: 63 për qind e tyre do të votonin kundër kufizimit të popullsisë, 33 për qind janë pro dhe 4 për qind nuk kanë ende një mendim.
Lukas Golder, politolog në institutin e kërkimeve gfs.bern, theksoi se zviceranët jashtë vendit përfitojnë drejtpërdrejt nga marrëveshja për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimin Europian. Këtë marrëveshje, iniciativa e SVP-së kërkon ta shfuqizojë si masë të fundit për të ndaluar rritjen e popullsisë.
“Zviceranët jashtë shtetit janë skeptikë ndaj propozimeve të SVP-së për kufizimin e imigracionit. Ata kanë rrëzuar të gjitha iniciativat e ngjashme në vitet e kaluara, përfshirë edhe iniciativën kundër imigracionit masiv të vitit 2014, e cila gjithsesi asokohe u pranua nga shumica e popullsisë brenda Zvicrës”, shpjegon Golder.
Forca të shumta policore kanë rrethuar dhe kanë marrë nën kontroll Aeroportin e Tivatit në Malin e Zi, pasi një fluturim “charter” me 90 persona të ardhur nga Beogradi është bllokuar në pistë, njofton gazeta malazeze “Vijesti”.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi u ka ndaluar atyre hyrjen në vend nën dyshimin për “veprim hibrid” dhe rrezikim të sigurisë kombëtare, duke vendosur që të gjithë të kthehen mbrapsht në kryeqytetin serb.
Sipas gazetës “Vijesti”, grupi prej 90 personash - një pjesë e madhe e të cilëve në dosjet policore fugurojnë si “persona me interes për sigurinë” dhe me lëndë kriminale - arriti në Tivat të mërkuren paradite me një avion të kompanisë “Air Serbia”. Gjatë kontrollit në pikën kufitare, anëtarët e këtij grupi refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të policisë se cili ishte qëllimi i vizitës së tyre në Malin e Zi.
Sipas të dhënave që disponojnë shërbimet malazeze të sigurisë, këta persona kishin marrë përsipër si detyrë të ofronin një lloj “sigurie joformale” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të premten në Tivat.
Për shkak të këtij aktiviteti të dyshimtë dhe të paautorizuar, zyrtarë e policisë malazeze konfirmuan: “Atyre u është ndaluar hyrja. Me fluturimin e parë do të kthehen të gjithë në Beograd”. Avioni i tipit “Embraer E195”, i cili duhej të nisej menjëherë pas uljes, u bllokua për orë të tëra në pistën e aeroportit për të kryer verifikimet e detajuara.
Në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Policisë së Malit të Zi sqaroi se ky aksion vjen në kuadër të masave të shtuara për mbarëvajtjen e Samitit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit.
Një vrasje mafioze në qendër të Beogradit ka disa javë që është duke dominuar debatet publike në Serbi.
Gangsteri i njohur Aleksandar Neshoviq, i cili u ekzekutua nga një kundërshtar i tij, rezulton të ketë një të kaluar të bujshme kriminale edhe në Zvicër, shkruan gazeta “Blick” e Zürichut.
Vrasja ndodhi më 12 maj në restorantin luksoz "27" në Beograd.
Dy bosët e nëntokës, Sasha Vukoviq dhe Aleksandar Neshoviq, të cilët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin, ishin ulur në të njëjtën tryezë për një takim pajtimi.
Ndërmjetësi i këtij takimi ishte askush tjetër veçse Veselin Miliq, shefi i policisë së Beogradit, i cili ishte ulur bashkë me ta.
Por skenari mori një rrjedhë të përgjakshme: Vukoviq dyshohet se qëlloi Neshoviqin me dy plumba në bark. Armën e krimit, pak përpara se të uleshin, ia kishte sjellë në restorant bashkëshortja.
Të nesërmen e krimit, partnerja e Neshoviqit e denoncoi atë si të zhdukur, ndërsa thashethemet për një vrasje të fshehur nga policia nisën të qarkullonin.
Autoritetet ndërmorën një valë arrestimesh: prapa hekurave përfunduan shefi i policisë Miliq, disa nga truprojat e tij, autori i dyshuar Vukoviq, bashkëshortja e tij, pronari i restorantit dhe një kamarier që kishte pastruar gjakun.
Shefi i policisë u shkarkua menjëherë nga detyra, shkruan “Blick”.
Kufoma e viktimës u gjet nëntë ditë pas krimit, më 21 maj.
Mbetjet e Neshoviqit ishin djegur dhe më pas ishin betonuar brenda një fuçie vaji për motorë.
Rasti ka ndezur debate pasi dëshmon lidhjen e ngushtë mes nëntokës dhe shtetit në Serbi.
Shefi i shkarkuar i policisë, Veselin Miliq, përpara se të merrte këtë detyrë, kishte shërbyer si këshilltar i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq
Nga ana tjetër, edhe vetë vrasësi i dyshuar, Sasha Vukoviq, kishte punuar dikur si polic.
Aleksandar Neshoviq nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë europiane.
Në vitin 2000, ai u bë protagonist i faqeve të para të gazetave zvicerane. Në mars të atij viti, si një 26-vjeçar, ai ishte arrestuar në Zürich për tregti droge. Pas gjashtë muajsh në paraburgim, ai organizoi një arratisje si nëpër filma, shkruan “Blick”.
Pasi u ankua për dhimbje dhëmbi, ai u dërgua më 5 tetor 2000 nga burgu në klinikën dentare të Universitetit të Zürichut. Sapo mbërriti, dy policët shoqërues u përballën me një person të armatosur dhe të maskuar, i cili i detyroi të shtriheshin në tokë.
Neshoviq, i lidhur me pranga në duar dhe këmbë, u arratis me ndihmën e bashkëpunëtorit në një makinë “Mercedes” të vjedhur, ku po prisnin edhe dy persona të tjerë.
Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme në Zürich konfirmoi se që nga ajo ditë, ai nuk ra më kurrë në duart e drejtësisë zvicerane.
Lidhja e gangsterit me Zvicrën mbeti aktive deri në vdekjen e tij. Pas lajmit për vrasjen, një influencuese e njohur mode me banim në Zürich, e cila numëron mbi 85,000 ndjekës në Instagram, bëri një postim publik ku mbante zi për Neshoviqin, të cilin e kishte kumbar të pagëzimit.
“Ike në një mënyrë që asnjë njeri nuk e meriton”, shkroi ajo në postimin që mori rreth 5000 pëlqime, duke e cilësuar si “një baba të dytë”. Pasi u kontaktua nga gazeta zvicerane “Blick”, influencuesja zgjodhi të mos përgjigjej dhe e fshiu menjëherë postimin nga rrjetet sociale.
Gjykata Themelore e Podgoricës ka rrëzuar padinë e Andrej Vuçiqit kundër gazetës së përditshme malazeze “Vijesti”, kryeredaktorit të saj dhe një redaktori të kronikës së zezë si dhe një gazetareje, duke vlerësuar se publikimi i përgjimeve të aplikacionit “Sky”, në të cilat përmendet vëllai i presidentit të Serbisë, ishte në interesin publik. Kështu njofton gazeta kroate “Jutarnji list”.
Gjykata arriti në përfundimin se Vuçiqi është një figurë publike dhe pjesëmarrës aktiv në jetën politike të Serbisë, dhe për këtë arsye duhet të tolerojë një shkallë më të lartë të kritikës dhe interesit publik sesa personat privatë.
Përmes padisë, Vuçiqi kërkonte 5000 euro dëmshpërblim për shkak të cenimit të nderit, reputacionit dhe dinjitetit, si dhe fshirjen e tekstit me titull “Zvonko dhe Andrej festuan miliardën…”, të publikuar më 23 janar 2024, si dhe publikimin e vendimit të gjykatës në portal me shpenzimet e kryeredaktorit. Gjykata i rrëzoi të gjitha kërkesat e tij dhe e detyroi atë t’u paguajë të paditurve pak më shumë se 3400 euro për shpenzimet e procedurës gjyqësore. Në tekstin që ishte objekt i kontestit, “Vijesti” kishte cituar pjesë nga komunikimet “sekrete” në “Sky” mes policit të arratisur Lubo Milloviq dhe Millosh Bozhoviq nga Nikshiqi, ku përmenden shërbimet e sigurisë së Malit të Zi dhe Serbisë, klanet kriminale, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, vëllai i tij Andrej, si dhe biznesmeni ser nga Kosova Zvonko Veselinoviq.
Sipas gjykatës, heqja e tekstit mund të prodhonte një “chilling effect” serioz - efekt frikësimi dhe parandalimi - dhe do të çonte në situatën ku gazetarët dhe redaktorët në të ardhmen do të shmangnin raportimin për tema të ndjeshme nga frika e pasojave të ngjashme. U vlerësua se një praktikë e tillë do të ishte “problem serioz për demokracinë dhe lirinë e shprehjes” dhe do të dekurajonte mediat dhe aktorët e tjerë që të flisnin për çështje të interesit publik.
Përgjimet në “Sky” midis ish-policit malazez Milloviq dhe Millosh Bozhoviqit sugjerojnë se në qarqet kriminale, Andrej Vuçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi perceptoheshin si figura kyçe të fuqisë politiko-kriminale në Serbi.
Në mesazhe përmenden lidhjet e supozuara me grupet e tifozëve, shërbimet e sigurisë, ekipin e kriminelit të njohur serb Velko Belivuk dhe bizneset në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe pretendimin se ata “festuan miliardën e parë të eurove”.
Kur flitet për kompanitë ajrore zvicerane, emrat e parë që u vijnë në mendje udhëtarëve janë “Swiss”, “Edelweiss” apo “Helvetic Airways”. Megjithatë, një tjetër kompani më pak e njohur për publikun e gjerë po shënon një rritje të jashtëzakonshme në Zvicër. Bëhet fjalë për “Chair Airlines” me seli në Zürich, e cila, sipas një raportimi nga televizioni publik i Zvicrës (SRF), po përjeton një ekspansion të fuqishëm dhe pritet të transportojë më shumë se 900’000 pasagjerë gjatë këtij viti, duke iu afruar kështu me hapa të shpejtë kufirit historik prej një milion udhëtarësh.
“Chair Airlines” punëson rreth 200 persona. Kompania pritet të marrë së shpejti avionin e saj të pestë dhe kryen fluturime të rregullta nga aeroportet kryesore zvicerane si Zürichu, Baseli dhe Berni. Suksesi dhe rritja e saj bazohen kryesisht në një treg specifik: fluturimet drejt vendeve të Ballkanit.
Së fundmi, “Chair Airlines” qe e detyruar të anulonte në momentin e fundit fluturimet e planifikuara për sezonin e verës nga Zürichu drejt Vlorës. “Chair Airlines” dëshironte të ishte kompania e parë ajrore në botë që do ta përfshinte këtë destinacion të ri në programin fluturues. Megjithatë, aeroporti i ri në jugperëndim të Shqipërisë, nuk ka marrë ende leje për operim.
Televizioni publik i Zvicrës vë në dukje se rasti i Vlorës tregon qartë se vendet e Ballkanit po fitojnë një rëndësi gjithnjë e më të madhe në industrinë ndërkombëtare të udhëtimeve. Nga ky trend po përfiton kompania “Chair Airlines”, e cila është e specializuar pikërisht në këtë treg. Shqipëria aktualisht po përjeton një bum të vërtetë dhe është një destinacion shumë i pëlqyer edhe për vizitorët zviceranë, veçanërisht zona jugperëndimore e rajonit të Vlorës me plazhet e saj të bukura dhe ofertat me çmime tejet të përballueshme.
Për këtë arsye, aeroporti i Vlorës konsiderohet si një qendër e mundshme e ardhshme në fushën e turizmit. Agjencitë zvicerane të udhëtimit raportojnë një rritje mbresëlënëse prej 55 për qind të rezervimeve drejt Shqipërisë, ndërsa edhe destinacionet e tjera të Ballkanit po shënojnë rritje të vazhdueshme.
Fakti që në Zvicër ekziston një kompani ajrore me fokus kaq të fortë drejt Ballkanit ka një histori të gjatë që nis më shumë se 40 vjet më parë. Në vitin 1981, Bexhet Sallahu, i cili kishte emigruar disa vite më parë nga Kosova në Zvicër, themeloi në Zürich agjencinë e udhëtimit “Prishtina Reisen”. Ai ishte një pionier i vërtetë në këtë biznes, duke pasur si synim t’u mundësonte kosovarëve që jetonin në Zvicër dhe në pjesën tjetër të Evropës udhëtimet drejt atdheut.
Në vitin 2005, udhëheqjen e biznesit e mori gjenerata e ardhshme, e bija e tij, Lejla Ibrahimi-Sallahu, e cila e unifikoi dhe e modernizoi kompaninë nën emrin “Air Prishtina” me seli në Zürich. Kompania u shndërrua shpejt në lider të tregut për udhëtimet ajrore drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, “Air Prishtina” nuk kishte avionët e saj, por bashkëpunonte ngushtë me kompaninë ajrore gjermane “Germania”.
Kthesa e madhe erdhi në vitin 2019, kur kompania gjermane “Germania” falimentoi. Kjo krijoi një mundësi të artë që “Air Prishtina” të hynte vetë në biznesin e mirëfilltë të fluturimeve. Lejla Ibrahimi-Sallahu mori shumicën e aksioneve përmes një shoqërie investimesh dhe “Germania” u riemërua në “Chair Airlines”.
Ndonëse kompania ofron edhe destinacione klasike pushimesh verore si Palma de Mallorca, Kreta dhe Hurghada, Ballkani mbetet gjithnjë në qendër të fokusit dhe strategjisë së saj të suksesit.
Kapiteni i kombëtares zvicerane me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, po shënon një tjetër sukses, por këtë herë jashtë fushës së gjelbër. Rrjeti i njohur i supermarketeve zvicerane, Denner, ka sjellë një projekt krejtësisht të pazakontë marketingu në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit, duke bashkuar yjet e sportit me një nga legjendat më të mëdha të kinemasë botërore, Terence Hill.
Nën titullin “The Socceritos”, kompania ka realizuar një film me metrazh të shkurtër, i cili ndërthur në mënyrë origjinale zhanrin e vjetër të filmave me kauboj me magjinë e futbollit.
Përveç legjendës së filmave, 87-vjeçarit Terence Hill, për rolet kryesore janë përzgjedhur yjet e futbollit zviceran: mesfushori Granit Xhaka, sulmuesi Zeki Amdouni, si dhe futbollistja e njohur Ana Maria Markoviq.
Ngjarja e filmit shtjellohet rreth tre shokëve të patrembur - Terence, Granitit dhe Zekit - të cilët udhëtojnë nga qyteti në qytet në Perëndimin e Egër për t’u mësuar banorëve vendas lojën e futbollit. Rrugëtimi i tyre sfidohet kur në një nga qytetet përballen me një kriminel lokal, i cili përpiqet me çdo kusht ta ndalojë futbollin. Sipas skenarit, konflikti mes tyre kulmon në një bast të madh, i cili në fund vendos edhe për triumfin e këtij sporti në Perëndimin e Egër.
Për rrjetin e dyqaneve Denner, kjo tematikë nuk është thjesht një lojë. Kompania e përdor historinë e filmit si një alegori për të treguar zanafillën e saj. Ashtu si personazhet e filmit që shfaqen si pionierë që sollën futbollin në Perëndimin e Egër, edhe Denner e sheh veten si pionierin që solli konceptin e dyqaneve me çmime të lira në Zvicër. Njëkohësisht, fushata bën një paralelizëm mes evolucionit të futbollit dhe modernizimit të vazhdueshëm të filialeve dhe produkteve të këtij rrjeti.
Xhirimet janë realizuar në Spanjë, pikërisht në të njëjtat kulisa historike ku dekada më parë Terence Hill ka xhiruar filmat e tij të famshëm. Regjia e projektit iu besua regjisorit dhe skenaristit të njohur zviceran, Reto Salimbeni.
Sipas drejtuesve të marketingut në Denner, angazhimi i të gjithë protagonistëve, përfshirë Xhakën, ka qenë i jashtëzakonshëm që nga ideja e parë e deri te finalizimi. Filmi ka shënuar premierën e tij ekskluzive në kinemanë “Corso” të Zürichut dhe tashmë ka nisur të shpërndahet në të gjitha kanalet digjitale të rrjetit të dyqaneve. /Telegrafi/
Iniciativa më e re e partisë politike zvicerane SVP synon t’ua heqë të drejtat popullatës migrante dhe të rikthejë Statutin e Sezonierëve. Një “JO” në referendumin e 14 qershorit është një angazhim që të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Ky tekst u drejtohet juve - mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse ky votim na prek drejtpërdrejt.
Arbër Bullakaj
Historia jonë – përgjegjësia jonë
Kur kohët e fundit e shoqërova një gazetare nëpër qytetin tim, Wil, e kuptova sa krenar mund të jem për gjeneratën e prindërve tanë. Unë i përkas gjeneratës së dytë me origjinë jashtë Zvicrës, pjesëtarët e së cilës quhen edhe “sekondo”. Menjëherë pranë stacionit të trenit në Wil kaluam pranë një ndërtese zyrash, të cilën axha im e kishte ndërtuar si punëtor sezonal.
Edhe babai im punoi në kantiere të ndryshme, para se të gjente punë në një fabrikë. Si pjesëtarë të gjeneratës së parë të migrantëve, ata kontribuan në mirëqenien e këtij vendi duke kryer punët më të rënda. Por u deshën 14 vjet derisa babai im arriti ta sillte familjen në Zvicër - unë isha tetë vjeç kur erdha në këtë vend. Që kur jam vetë prind, e kuptoj edhe më mirë sa të vështira ishin ato vite për të gjitha familjet e prekura.
Shumë prej jush e njohin këtë histori. Baballarët dhe gjyshërit tuaj erdhën nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, nga Shqipëria. Erdhën për të punuar në ndërtimtari, në fabrika, në pastrim. Punuan fort - çdo ditë. Por nuk u lejohej të sillnin familjet e tyre. Muaj të tërë kalonin vetëm. Pa të drejta. Pa siguri. Kur shefi thoshte «ik», ti ikje.
Ky ishte Statuti i Sezonierëve - një kapitull i errët i historisë zvicerane. Ai e kufizonte qëndrimin e «punëtorëve mysafirë» (Gastarbeiter) në nëntë muaj në vit. Sezonierët ndërtuan, riparuan, mbollën dhe gatuajtën për Zvicërn. Morën paga të ulëta, paguajtën taksa, por pothuajse nuk kishin të drejta. Pas këtij sistemi qëndrojnë dhjetëra mijëra familje të copëtuara. Fëmijë që duhej të fshiheshin ditën nëpër dollapa e bodrume - të ashtuquajturit «fëmijët e dollapit», «Schrankenkinder» në gjermanisht. Fëmijë që nuk guxonin të shkonin në shkollë, te mjeku, as të luanin jashtë. Nëna që kishin vetëm zgjedhjen traumatizuese: t’i linin fëmijët pas ose t’i fshihnin pranë vetes. Punëtorë që në kufirin e Chiassos duhej të zhvisheshin edhe në të ftohtë të acartë dhe të renditeshin në radhë për t’u bërë radiografi.
Bashkimi familjar ishte i ndaluar për kohë të gjatë dhe më vonë i lejuar vetëm me kushte të rrepta. Ndërrimi i vendit të punës ose i vendbanimit nuk ishte i parashikuar. Nëse një grua mbetej shtatzënë, duhej të largohej. Vetëm në vitin 2002, me futjen e lëvizjes së lirë të personave, iu dha fund këtij statuti të padenjë. Falë saj, babai im mundi ta sillte familjen. Unë munda të shkoja në shkollë këtu, të studioja - dhe sot jam deputet në Parlamentin e Zvicrës. Kjo ishte e mundur vetëm sepse Zvicra e hoqi Statutin e Sezonierëve.
Më 14 qershor, pikërisht kjo e arritur do të hidhet në referendum.
Çfarë do vërtet kjo iniciativë - dhe pse na prek neve
Iniciativa e partisë politike SVP me titullin «Jo Zvicrës 10 milionëshe! (Iniciativa për qëndrueshmëri)» reklamohet me fotografi kiçi të peizazheve dhe familjeve që ecin nëpër livadhe alpine. Ky është mashtrim. Kjo iniciativë nuk do ta ndalonte rritjen e popullatës. Ekonomia zvicerane varet nga imigrimi - zhvillimi demografik dhe dalja në pension e gjeneratës me më shumë fëmijë e bëjnë këtë të pashmangshme.
Iniciativa ndjek një qëllim tjetër. Ia vlen ta lexosh tekstin me kujdes. Vendimtare është: Në popullatën e përhershme rezidente, e cila duhet të kufizohet, numërohen vetëm ata që jetojnë më shumë se dymbëdhjetë muaj në Zvicër. Thënë troç: migrantët duhet të vazhdojnë të vijnë për të punuar - por jo për një vit të plotë dhe jo me familjen e tyre. SVP nuk do më pak të huaj. Ajo do punëtorë pa të drejta. Njerëz që kujdesen për pleqtë tanë, ndërtojnë shtëpitë tona, pastrojnë zyrat tona - por vijnë pa familje, pa të drejtë qëndrimi të përhershëm dhe pa mbrojtje.
Ky është Statuti i Sezonierëve me veshje të re. Emër tjetër, efekt i njëjtë.
Çfarë ndodh konkretisht? Zvicra ka sot 9,2 milionë banorë. Për pak vite do të jenë 9,5 milionë. Atëherë hyn në fuqi masa e parë:
Bashkimi familjar kufizohet. Kush do ta sjellë bashkëshortin, fëmijët, prindërit - nuk mund ta bëjë këtë. Kjo bëhet më e vështirë ose e pamundur. Refugjatët me qëndrim të përkohshëm nuk marrin më të drejtë qëndrimi.
Kur numri i popullsisë arrin në 10 milionë vjen masa e dytë: marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare duhet të anulohen - sipas Qeverisë së Zvicrës edhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Refugjatëve dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Në fund, anulimi i lëvizjes së lirë të personave. Kthehen kontingjentet. Mbrojtja e pagave bie.
SVP ka mësuar nga gabimet e veta. Ndryshe nga iniciativa kundër imigrimit masiv të vitit 2014, teksti i iniciativës këtë herë është i qartë. Ai synon qartësisht një ndarje të shoqërisë në dy pjesë: lart sunduesit e vendosur. Poshtë migrantët pa të drejta.
Çfarë do të thotë kjo për mërgatën shqiptare
Tani po ju flas drejtpërdrejt juve - mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse kjo iniciativë na prek veçanërisht neve.
Bashkimi familjar: Shumë prej nesh kanë ende familje në vendlindje. Prindër, vëllezër e motra, bashkëshortë. Kush do t’i sjellë këtu, edhe sot e ka të vështirë. Pas kësaj iniciative do të jetë edhe më e vështirë - ose e pamundur. Paramendoni: babai juaj është vetëm në Kosovë. Nëna juaj është e sëmurë. Ju doni ta sillni këtu. Përgjigja: Jo. Kufiri është i mbyllur.
Statusi i qëndrimit: Nuk bëhet fjalë vetëm për ardhësit e rinj. Bëhet fjalë për të gjithë ata që tashmë jetojnë këtu. Kush ka lejen e qëndrimit B: vazhdimi i saj bëhet i pasigurt. Kush ka lejen C: edhe ajo nuk është më e sigurt nëse bien marrëveshjet bilaterale me BE-në. Kush do pasaportën zvicerane: natyralizimi bëhet më i vështirë, kohët e pritjes më të gjata, arbitrariteti më i madh.
Pagat: Pa marrëveshjet bilaterale bie mbrojtja e pagave. Sot kontrollohen mbi 37’000 firma nëse paguajnë paga të drejta. Pa këto kontrolle, shefi thotë: «Pse duhet të të paguaj 28 franga në orë? Tjetri e bën për 15.» Studimet tregojnë: pagat bien me 1,7 deri në 4,7 për qind. Me një pagë prej 5000 frangash, kjo do të thotë 235 franga më pak - çdo muaj. Pothuajse 3000 franga më pak në vit. Dhe kjo prek pikërisht degët ku punojnë shumë prej nesh: ndërtimtari, gastronomi, pastrim, kujdes shëndetësor, transport.
Pensioni dhe sigurimet shëndetësore: AHV-së i mungojnë deri në vitin 2060 rreth 8 miliardë franga, nëse më pak të rinj paguajnë. Kontributi për sigurimin shëndetësor rritet për 250 franga për person në vit - për një familje me katër persona janë 1000 franga më shumë. Dhe SVP-ja do njëkohësisht ta rrisë moshën e pensionit në 67 vjeç. Dy vjet më gjatë në kantier, në pastrim, në kujdes - për njerëz që me 65 vjeç shpesh janë fizikisht të shkatërruar.
Klima politike: Kur një iniciativë thotë se në Zvicër «ka tepër prej jush», kjo e ndryshon atmosferën në të gjithë vendin. Në vendin e punës, në shkollë, në komunë. Kush jeton këtu prej 20 vjetësh, paguan taksa dhe punon, paraqitet prapë si «problem». Këtë e njohim. Dhe me këtë iniciativë do të jetë edhe më keq.
Një «kurrë më!»
Suksesi i Zvicrës, një vend pa lëndë të para, bazohet në një formulë të provuar: demokraci e qëndrueshme dhe e drejtë, kulturë e balancës sociale, imigrim dhe integrim i njerëzve të motivuar e të talentuar. Migrantët kanë ndërtuar firma si Nestlé dhe Swatch, të cilat ende sot krijojnë vende pune. Nuk guxon të ndodhë që vendi ynë, i cili ekonomikisht varet nga popullata migrante, njëkohësisht t’ia heqë asaj të drejtat.
Rikthimi i Statutit të Sezonierëve është qëllimi i vërtetë i kësaj iniciative. Një JO e fuqishme më 14 qershor është një gjest që thotë «kurrë më!» - kurrë më nuk duam të kthehemi te Statuti i padenjë i Sezonierëve. Kurrë më nuk duhet të fshihen fëmijë nëpër dollapa. Kurrë më nuk duhet të ndahen familje me vite të tëra.
Hannah Arendt e ka quajtur të drejtën për të drejta si të drejtën më themelore: të drejtën për të qenë fare pjesë e një bashkësie politike që të mbron. Një demokraci që ia mohon këtë të drejtë më shumë se një të katërtës së popullatës së vet, është një demokraci e mangët.
Çfarë mundeni të bëni ju? Kush ka pasaportën zvicerane: votoni JO më 14 qershor. Me postë ose në kutinë e votimit. Kush nuk ka të drejtë vote: flisni me fqinjët tuaj, me kolegët e punës, me miqtë zviceranë. Thuani atyre: «Të lutem voto JO - për mua. Sepse unë nuk mundem, por ti mundesh.» Shpërndajeni këtë artikull. Diskutoni në familje, në shoqatë, në punë. Çdo votë është e rëndësishme.
Një JO më 14 qershor është një angazhim që të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Debati mbi përkatësinë dhe të drejtën e shtetësisë do të vazhdojë edhe pas kësaj. Ne nuk kemi nevojë për një demokraci diskriminuese dhe përjashtuese, por për një demokraci të gjallë dhe të vërtetë.
Arbër Bullakaj (40) është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës. Baza e tij elektorale është në kantonin St. Gallen në Zvicrën lindore. Ai është sipërmarrës në fushën e teknologjisë informative nga qyteti i Wil-it (kantoni St. Gallen). Ai është i biri i një ish-punëtori sezonal dhe bashkëiniciator i Iniciativës për Demokraci, e cila synon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë në Zvicër.
Një vit pas shembjes shkatërruese të dheut dhe shkëmbinjve në fshatin Blatten, i cili gjendej në kantonin zviceran të Wallsit, është publikuar bilanci zyrtar dhe i plotë i dëmeve financiare.
Katastrofa natyrore e 28 majit të vitit të kaluar, e cila gllabëroi dhe shkatërroi pjesë të mëdha të fshatit piktoresk alpin, ka shkakuar dëme në vlerë prej 255 milionë franga zvicerane.
Nga shuma totale e dëmeve, pjesa dërrmuese - 210 milionë franga - u përket dëmeve në ndërtesa dhe banesa që u rrafshuan apo u dëmtuan rëndë nga masa shkëmbore. Përveç kësaj, 30 milionë franga të tjera u llogaritën për shkatërrimin e pajisjeve shtëpiake, mobilieve dhe sendeve personale të banorëve.
Ndërkaq, rreth 15 milionë franga dëme të tjera u regjistruan jashtë skemave të zakonshme të emergjencës, duke përfshirë këtu dëmshpërblimet për makinat e shtypura nga shkëmbinjtë dhe humbjet financiare të bizneseve lokale që u detyruan të ndërpritnin aktivitetin menjëherë pas katastrofës.
Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (SVV) sqaroi përmes një komunikate se kompanitë private të sigurimeve reaguan me shpejtësi dhe pa burokraci për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur në fshatin Blatten.
Vetëm katër muaj pas ngjarjes, mbi 80 për qind e vlerës së siguruar për rastet e shkatërrimit të plotë të shtëpive dhe pasurisë shtëpiake u ishte paguar tashmë qytetarëve./Telegrafi.
Dilerë të rinj në moshë, kokainë e cilësisë së lartë dhe heroinë në sasi të mëdha me çmime të ulëta: mafia shqiptare e ka pushtuar tregun e Tiçinos, një kanton italishtfolës në kufi me Italinë. Siç shkruan portali swissinfo.ch, pasojat e pushtimit të tregut me drogë janë shkatërruese.
Në vitin 2025 arrestimet janë rritur për 56 për qind.
Më 29 prill, në fshatin Capolago u ndalua një 24-vjeçar shqiptar me 54 gramë kokainë. Ai është rasti më i fundit në një seri të gjatë ngjarjesh. Në vitin 2025, në Tiçino u arrestuan 122 persona për trafik droge, ndërsa në vitin 2024 ishin 78, gjë që paraqet një rritje prej 56 për qind. Ndërkohë, gjysma e të burgosurve në burgjet e Tiçinos ndodhen prapa grilave për këtë lloj kriminaliteti.
Mafia shqiptare e ka pushtuar tregun e Tiçinos me ndihmën e një rrjeti dilerësh të rinj, të quajtur si «Cavallini» (që domethënë korrierë ose edhe kuaj të vegjël).
Këta të rinj, shpesh të papunë, vijnë me avion ose tren nga Shqipëria në Itali dhe më pas hyjnë në Tiçino, shpesh me vetura që i marrin me qira, njofton swissinfo.ch.
Ata qëndrojnë vetëm pak muaj, sa për të shitur drogën që u sigurohet nga rrjete mafioze, dhe marrin për këtë nga 500 deri në 1000 franga në muaj, të cilat mund t’i shpenzojnë ose t’ua dërgojnë familjeve të tyre. Po fitimet nga shitja e drogës? Ato i shkojnë organizatës.
“Dilerët janë pjesë e një rrjeti që funksionon si një organizatë e vërtetë kriminale. Është vërtet e menduar mirë, duhet pranuar. Ata vijnë dhe ikin. Qëndrojnë këtu vetëm për një kohë të shkurtër: nja dy muaj. Kështu që, nëse policia arreston një shpërndarës, kap vetëm atë…", thotë një konsumator i kahershëm me të cilin mediumi zviceran bisedoi në qytetin e Luganos.
Pjesën tjetër e bën omerta - kodi i nderit dhe heshtjes, i cili është rregull te mafia shqiptare. Dhe kjo strategji funksionon.
“Sot, këta trafikantë droge veprojnë në të gjithë kantonin, madje edhe në rajonin e Locarnos, ku deri para pak vitesh nuk i hasnim”, thotë kryekomisari i policisë kantonale dhe udhëheqësi i sektorit të antidrogës, Paolo Lopa.
Sekreti i suksesit të tyre është ky: kokainë e cilësisë më të lartë (pastërtia midis 60 dhe 80 për qind) me çmime relativisht të ulëta. “Ky është ligji i tregut”, thotë Lopa. “Askush sot”, vazhdon ai, “nuk është në gjendje të ofrojë këtë cilësi me këto çmime”.
Në Tiçino, mafia shqiptare nuk pushton sheshe apo lagje qytetesh. Ajo depërton në mënyrë diskrete direkt në banesat e konsumatorëve, bën të ditur swissinfo.