Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

​Dështon mbledhja e KGJK-së, debat mes anëtarëve



Ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku do të shqyrtohej kërkesa e U.D Presidentes të Kosovës dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.

Dështimi erdhi si pasojë e një debatit mes anëtarëve të KGJK-së dhe kryesuesit Rrustem Thaqi.

Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, kërkoi që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për katër vite.

“Do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, meqenëse prej dorëheqjes së tyre këta janë mbajtur në sistem pa ndonjë bazë kushtetuese dhe ligjore dhe KGJK si institucion është dashur të vendos që moti këtë çështje dhe të mos jetë sot objekt. Mirëpo pse nuk është bërë kjo ndoshta ju e dini si kryesues. Mendoj se është diçka e pazakonshme por njëkohësisht edhe jashtë çdo afati të arsyeshëm. Mund të ndodh që dorëheqja të revokohet sa është e freskët jo pas katër viteve. Krijon destabilitet dhe cenon parimin e sigurisë juridike”, tha Hyseni.

Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, është përgjigjur se nuk mund të japë përgjegjësi për këtë çështje, pasi sipas tij, ai është emëruar së fundmi në pozitën e kryesuesit.


Ndërkohë, në mbledhje është propozuar që pika e dytë e rendit të ditës, “Zgjedhja e Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, të shtyhet për një mbledhje tjetër, për shkak të mungesës së anëtares së re Afërdita Bytyçi e cila është edhe kandidate për këtë pozitë.

Po ashtu, është propozuar shtyrja e pikës për “Shqyrtimin e mandatit të anëtarëve të Komisioneve të përhershme të KGJK-së”.

Anëtari Artan Abazi ka kundërshtuar shtyrjen e kësaj pike, duke thënë se është një propozim i panevojshëm dhe duhet të funksionalizohen.

“Është propozim i panevojshëm.. Arsyeja pse nuk duhet të hiqet pika konsideroj që me fajin tonë që ky këshill ka mbetur peng pa punuar që gjashtë muaj, cila është arsyeja mos me i zgjedhë anëtarët. A mundet dikush diku nga ju që kërkonit me ngul që të funksionalizohet këshilli, pse sot nuk po bëjka të funksionalizohet këshillit. Unë propozoj që fare të mos hiqet”, tha Abazi.

Ndërsa, anëtari Ahmet Imami tha se në mbledhjet e kaluara ishte propozuar themelimi i komisioneve, por ishte pritur që anëtarët e rinj të bëheshin pjesë e tyre.

“Në mbledhjen e kaluar ne kemi propozuar që të themelohen komisionet, por me qëllim që t’i presim anëtarët e rinj që ata të jenë pjesë e komisioneve. Me qenë se gjyqtarja nuk është këtu, unë propozoj që ajo pikë e rendit të ditës të hiqet që t’ia mundësojë edhe asaj që të jetë. Unë mendoj që është dashur që të jetë pika e parë (pika e 9 për dorëheqjen e gjyqtarëve serbë). Pajtohem që jemi vonuar, ato dorëheqje e kanë dhënë efektin e tyre”, tha Imami.

Kryesuesi Thaqi iu përgjigj anëtarit Hyseni, duke i kërkuar që të mos keqpërdorë pozicionin në prani të publikut.

“Nuk mund të më mbash përgjegjës, nuk kam obligim as përgjigje me të dhënë, ti do të merresh vëmendje, nuk është korrekte nga ana juaj. Mund të ju pyes se prej që jeni zgjedhuar anëtarë këshilli cilat kanë qenë kërkesat tuaja. Mos të keqpërdorim pozicionin në prani të publikut”, tha Thaqi.

Hyseni iu kundërpërgjigj duke thënë se kryesuesi duhet të japë përgjigje për çështjen.

“Je kryesues dhe e dinë e duhesh me ditë. Drejtësia duhet t’i shërbejë drejtësisë”, tha Hyseni.

Ndërsa Thaqi u përgjigj se do të jetë i përkushtuar në kryerjen e detyrës së tij, por jo sipas tij duke i shërbyer vëmendjes ditore.

“Do të jem deri në përfundim të mandatit tim. Do të jem i përkushtuar që të kryej detyrën time. Por jo duke i shërbyer vëmendjes ditore”, tha kryesuesi.

Kryesuesi kërkoi respekt ndaj njëri tjetrit, por mbledhja dështoi pasi që anëtarët e KGJK-së filluan ta bojkotojnë mbledhjen. /KP/

Vrasja në Roskovec, drejtori i policisë në Fier: Autori nuk pranon të dorëzohet, u bë i mundur lirimi i vajzës



Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti në një deklaratë për mediat ka zbuluar detaje lidhur me operacionin që po zhvillohet në fshatin Vidhisht pas vrasjes së 58-vjeçarit, Kosta Plaka nga 35-vjeçari Refit Buzi.

Pas vrasjes së ish-vjehrrit dhe plagosjes së ish-vjehrrës, autori është arratisur dhe ka marrë me vete ish-bashkëshorten e tij.

Ahmeti ka njoftuar se është bërë i mundur lirimi i vajzës dhe është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë ai theksoi se po vijon puna për të bindur të riun që të dorëzohet, raporton euronews.al.

“Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.

Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”, tha ai.

Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë



Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për shkak të veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal te Republikës së Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpall Aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit Sh.A., për shkak të veprës penale Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal te Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është shpall fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5.000 (pesë mijë) euro.

Tutje bëhet i ditur se Ahmeti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Ndryshe, Ahmeti është akuzuar se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij.

Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro. /Telegrafi/

Rama: Fitorja e 83 mandateve ishte bekim dhe mallkim njëkohësisht



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhje, e cila i siguroi 83 mandate, përbën njëkohësisht një bekim dhe një përgjegjësi të madhe.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar me Grupin Parlamentar ai u shpreh se besimi i qytetarëve i jep qeverisë forcën për të vijuar reformat, por njëkohësisht bën që qytetarët të kërkojnë llogari për çdo problem që haset.

Sipas tij, qeveria nuk duhet të ankohet për këtë realitet, por ta pranojë dhe të punojë edhe më shumë.

Kryeministri shtoi se faktet dhe arritjet nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me empati, duke nënvizuar se një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati.

“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, ajo fitore, sa është bekim, është edhe mallkim. Është bekim, sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin me besimin e madh të popullit. Është edhe mallkim, jo vetëm sepse, për shkak të atij besimi të madh që na dhanë shqiptarët, ata shohin te ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon, por edhe sepse fitoret e mëdha, si ajo e qershorit të shkuar, e vënë në peshore çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërive të qytetarëve. Këto pritshmëri, sado të paarsyeshme mund të duken, nuk krahasohen më me të djeshmen, por me Evropën e zhvilluar.

Ne nuk duhet të ankohemi, por duhet ta pranojmë këtë dhe të bëjmë edhe më shumë.

Faktet tona nuk dëgjohen, jo sepse janë të rreme, por sepse, kur një e vërtetë thuhet pa empati, madje me arrogancë, mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati”, u shpreh Rama. /euronews.al/

Seanca konstituive më 6 gusht, Cakolli: Mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit



Sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka caktuar për 6 gusht në ora 10:00 seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

E lidhur me këtë ka reaguar sot Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli në një postim në Facebook shkruan se caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit.

Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar.

Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër.

Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiak. /Telegrafi/


Rama: Në bulevard nuk ishte një protestë, por një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara për të parë vetveten



Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së zgjeruar me Grupin Parlamentar dhe kabinetin qeveritar, u ndal te protesta e zhvilluar së fundmi nga qytetarët në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment kyç reflektimi për qeverisjen.

Ai tha se ajo që ndodhi në bulevard nuk duhet parë si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara për të parë vetveten.

Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re ku vetëm prezantimi i fakteve apo punëve të bëra nuk mjafton më për të përmbushur pritshmëritë e shoqërisë.

“Një shpend i rrallë u bë simbol i vendit brenda një muaji. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamurit dhe janë të hapura për t’u lexuar.

Kam menduar se ata janë mosmirënjohës. Kjo është pikënisja ku gjendet kuptimi i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria. Ndaj dua t’ua them unë atyre që protestuan në bulevard dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, vetëm apo me të tjerë.

Jo vetëm gjatë qeverisjes, por që pas zgjedhjeve, ju jeni matësit e rinj të standardeve tona. Ju nuk jeni mosmirënjohës.

Ju që mbushët rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat për ata që nuk dolën në Bulevardin e Flamingove për të sulmuar qeverinë apo për t’i bashkuar krahët këngës “Rama ik” apo “Rama jep dorëheqjen”.

Ata që votuan për ne dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta ishte kundër meje. Ajo që ndodhi në bulevard nuk duhet parë si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara për të parë vetveten.

Të gjithë ata qytetarë që u mblodhën aq të shumtë aty, ku sorrat dhe korbat nuk kishin nxjerrë ende kokën, e çuan një mesazh të nevojshëm për të përcjellë diçka më të fortë sesa ngjyra apo përkatësia e një partie.

Shija kontaminuese e asaj proteste dhe nevoja për t’ju bashkuar asaj proteste ishin një energji e mahnitshme, besoj, shumë më e fuqishme sesa arsenali ynë i fakteve për ndërtimet në Zvërnec.

Faktet tona nuk mjaftojnë më, sepse njerëzit këtu nuk jetojnë më me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhnin, siç ndodhte deri dje”, u shpreh Rama. /euronews.al/

Haxhiu: I kemi numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, partitë të arrijnë zgjidhje për presidentin



Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë zgjidhje për çështjen e presidentit.

Haxhiu në një konferencë për media tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për zgjedhje të reja.

Ajo nënvizoi se LVV-ja i ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërkaq u bëri thirrje partive parlamentare që të arrijnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.

“Spekulimeve që po planifikojnë një raund të ri zgjedhor unë do t’i përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si të tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë se LVV-ja i ka numrat për Kuvend dhe Qeveri. Por mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën se pse u ngutët me konstituim dhe qeveri. Kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar se nëse ngutemi thonë pse u ngute, nëse nuk ngutem pse nuk u ngute. Asnjëherë nuk u bie taman”, shtoi ajo.

Haxhiu nuk tregoi nëse ajo personalisht do të jetë kandidate e LVV për kryetare të Kuvendit.

“Sa i përket asaj se a do të jem unë kandidate për kryetare të Kuvendit, kjo i takon fituesit, LVV-së. Është në përgjegjësinë e tyre se kush do të jetë kandidati apo kandidatja për kryetar të Kuvendit. Seanca konstituive është caktuar më 6 gusht dhe aty do të dihet se kush do të jetë kandidati nga LVV-ja”, potencoi ajo. /kp/

​ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet



Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore shënoi rritje në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025

ASK njofton se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, gjersa grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

“Në TM2 2026, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 10.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2,9%,krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjersa Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 6,3 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.

Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

ASK njofton të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë. /Telegrafi/

Haxhiu, ndërkombëtarëve: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër



Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që të mos bie pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje vite më parë.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se KGJK-ja, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka kompetencë që të kthejë gjyqtarët serbë në punë, pasi ata ofruan dorëheqje më 2022, duke këshilluar që KGJK-ja të ndjekë shembullin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që i kërkoi asaj të lirojë nga detyra prokurorët dhe stafin administrativë serbë.

“Imagjinoni të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden urdhrat e një shteti tjetër”, tha Haxhiu, raporton Evropa e Lirë.

Ajo po ashtu kritikoi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po bën “presion” mbi KGJK-në dhe KPK-në për çështjen e dorëheqjeve.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian kërkoi që partitë politike të mos i bëjnë presion KGJK-së në vendimmarrje, pasi disa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan që këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.

“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtarë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër”, tha Haxhiu, duke pyetur po ashtu se kush nga ndërkombëtarët do të kërkonte nga këshillat që të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Haxhiu tha se pas aktit të dorëheqjes, nuk është në vullnetin politik e as në vendimet e këshillave që të zhbëhet ky vendim.

“Dorëheqja është akt juridik që sjellë përfundimin e mandatit dhe pasi ky efekt është prodhuar, ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Legjislacioni në fuqi nuk i jep asnjë kompetencë ligjore as KPK-së, as KGJK-së që të anulojë pasojat e dorëheqjes apo të rivendosë një mandat që ka përfunduar”, tha Haxhiu.

Ajo kërkoi nga KGJK-ja që gjatë mbledhjes së sotme të respektojë ligjet dhe t’i dërgojë asaj propozimin për lirim nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje më 2022.

Gjendet eshtra njeriu, dyshohet se i përkasin një personi që ishte shpallur i zhdukur në vitin 2025



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë gjetur eshtra të njeriut, që dyshohet se i përkasin një personi që ishte shpallur i zhdukur rreth një viti më parë.

Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se eshtrat e gjetur janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Malishevë / 05.10.2025 – 10:00. Lidhur me rastin janë gjetur eshtra të njeriut që dyshohet se i përkasin viktimës mashkull kosovar i cili ishte shpallur si person i zhdukur. Eshtrat e gjetur janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Vrasje në tentativë në Vushtrri, plagoset një person – arrestohen pesë të dyshuar



Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë bë Vushtrri, ku një person është plagosur me armë zjarri.

Rasti ka ndodhur të enjten, në ora 15:00.

“Vushtrri / 23.07.2026 – 15:00. Raportohet se gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë pas një mosmarrëveshje kanë plagosur me armë zjarri viktimën mashkull kosovar, ndërsa viktima tjetër mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.

Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri gëzhoja.

Nga njësitë policore janë arrestuar pesë të dyshuar, ndërsa një tjetër ndodhet në kërkim policor.

Lidhur me rastin është sekuestruar një pistoletë me katër fishekë.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit katër të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një është dërguar në mbajte. /Telegrafi/

Vrau ish-vjehrrin, 35-vjeçari lë të lirë ish-bashkëshorten që e mbante peng - po negociohet për dorëzimin e tij



35-vjeçari Nertil Buzi ka lënë të lirë ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. Plaka, të cilën e mbante peng prej disa orësh, ndërkaq po negociohet që të dorëzohet autori i cili është i rrethuar nga forcat e policisë.

Rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm Nertil Buzi dyshohet se vrau me armë zjarri ish-vjehrrin Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka, si dhe mori peng ish-bashkëshorten e tij, duke u larguar nga vendngjarja me makinë.

Sipas dëshmive të të afërmeve të viktimës për A2CNN, 35-vjeçari ishte arrestuar edhe herë të tjera nga Policia e Fierit, por ishte lënë i lirë nga Prokuroria.

Po ashtu të afërmit e viktimës pretendojnë se autori kishte kërcënuar me armë zjarri ish-bashkëshorten, dhe ngjarja e rëndë e ndodhur sot, ishte e paralajmëruar

​Sot jepet fjala përfundimtare në procesin ndaj Sami Lushtakut



Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të bashkëakuzuarit Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po presin për fjalët përfundimtare, në rastin ku akuzohen për krim të organizuar dhe frikësim të dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”.

Të akuzuarit në seancën e kaluar kanë vendosur që të mbrohen në heshtje.

Gjykimi në këtë rast po vazhdon për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës.

Në pikat e tjera të aktakuzës, në këtë rast ishin përfshirë edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se nuk kishte parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për aprovimin e kërkesave. Ky aktvendim ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2018.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020, kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për arratisjen nga QKUK-ja, gjykata e kishte liruar Lushtakun nga akuza, ndërsa e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, të ndodhura më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, për disa vepra penale që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” dhe që në QKUK kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore. /KP/

Hetohet një rast i vdekjes në Shtime, një person u dërgua pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Shtimes.

Rasti ka ndodhur të enjten në ora 20:44.

“Nga emergjenca e Ferizajt është raportuar se viktima mashkull kosovar është dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimes”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

​Kurti flet për marrëdhëniet me SHBA, thotë se ato janë të veçanta që nga shekulli XIX



Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve janë të veçanta dhe se ato kanë zanafillë shumë më përpara se lufta e fundit në Kosovë, duke theksuar rolin historik të diasporës shqiptare në forcimin e këtyre lidhjeve.

Kurti i bëri këto deklarata me rastin e pritjes në zyrën e tij të një grupi mysafiresh nga Kalifornia, Uashingtoni, Ishulli i Manit dhe Bullgaria, të cilat po vizitojnë Kosovën në kuadër të programit "Ethno Tour 2026", të organizuar nga antropologia Janet Reineck.

Sipas tij, marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve "ka qenë e veçantë jo vetëm nga fundi i shekullit të kaluar dhe lufta çlirimtare, por që nga ardhja e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara qysh në shekullin XIX" teksa shtoi se kjo histori çoi në themelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra" në Boston në vitin 1912, raporton kp.

“Që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson deri te ndikimi i priftit dhe mendimtarit shqiptar në mërgim, Fan Noli, diaspora jonë ka luajtur një rol kyç në ndërtimin dhe ruajtjen e kësaj lidhjeje të çmuar”, shkroi Kurti, transmeton KosovaPress.

Ai theksoi se gjatë takimit me Janet Reineck biseduan edhe për progresin e Kosovës dhe rolin e diasporës shqiptare.

"Mërgata jonë e dashur janë ambasadorët tanë masivë, duke ardhur gjithmonë në vendlindje dhe duke e promovuar atë", u shpreh kryeministri në detyrë.

Sipas Kurtit, gjatë takimit me pjesëmarrëset e "Ethno Tour 2026", të cilat janë profesioniste në fusha si inxhinieria mjedisore, planifikimi urban, shëndetësia, arsimi dhe teknologjia e informacionit, u diskutua edhe për të drejtat e njeriut, kulturën, arsimin, shërbimet për të moshuarit, bujqësinë dhe ekonominë.

Vëllai i viktimës në Fier: Vrasje e paramenduar, autori është liruar tri herë - Policia mbërriti me vonesë



Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku një 35-vjeçar ka vrarë ish-vjehrrin, ka plagosur ish-vjehrrën, si dhe ka marr peng ish-bashkëshorten e tij.

Në dëshminë e dhënë për A2CNN, vëllai i viktimës, tha se vrasja ka qenë e paramenduar.


Ai vë në dukje se autori i ngjarjes ishte arrestuar tre herë, por është liruar në të gjitha rastet.

“Dëgjuam zhurmë. Bërtisnin brenda. Ku do vinim ne atje? Ai thoshte hajdeni se do t’u vras të gjithë! Policia ka ardhur pas një ore. Autori doli nga mbrapa shtëpisë, e kishte lënë në vend tjetër makinën. Vajza këtu qëndronte, e mori dhe iku. Kishin probleme, tre herë është arrestuar dhe tre herë ka dalë. Këtu ishte me arrest shtëpie. Pa mua s’e bën dot jetën i thoshte ai. Ishte një vrasje e paramenduar. Unë vajta brenda, vëllai shtrirë, kunata shtrirë”, u shpreh ai.

Përditësim i motit për sot, IHK njofton për reshje shiu dhe zhvillim të reve konvektive



Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sipas të dhënave meteorologjike, sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe relativisht i freskët për këtë periudhë të vitit.

IHK njofton se gjatë ditës priten intervale të shkurta me diell, por në pjesën më të madhe të vendit do të dominojnë vranësirat.

Instituti më tej njofton se për sot parashihen reshje shiu, të shoqëruara herë pas here me zhvillime lokale të reve konvektive.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9°C dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë 17°C deri në 20°C, duke shënuar vlera dukshëm më të ulëta se mesatarja e ditëve të fundit.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor dhe verior, me shpejtësi 1–11 m/s, e cila në intervale të shkurtra mund të jetë më e theksuar.

Kushtet biometeorologjike:

Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullsisë. Rënia e temperaturave dhe freskia e ajrit do të ndikojnë pozitivisht te personat që janë ndjerë të lodhur nga temperaturat e larta të ditëve të kaluara.

Personat me sëmundje kronike mund të kenë vetëm shqetësime të lehta për shkak të luhatjeve të motit.

Kushtet agrometeorologjike:

Reshjet e mundshme dhe temperaturat më të ulëta do të krijojnë kushte të favorshme për kulturat bujqësore, duke përmirësuar lagështinë në shtresat sipërfaqësore të tokës dhe duke ulur stresin termik te bimët. Këto kushte janë të dobishme sidomos për kulturat perimore, ndërsa fermerëve u rekomandohet që aktivitetet e mbrojtjes së bimëve t’i planifikojnë në intervalet pa reshje dhe të monitorojnë zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore pas lagështisë së shtuar. /Telegrafi/

Ngjarje e rëndë në Vidhisht të Fierit, burri vret ish-vjehrrin, merr peng edhe ish-gruan e tij



Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Fier, ku sipas informacioneve një burrë ka vrarë ish-vjehrrin e tij në fshatin Vidhisht dhe më pas ka marrë peng ish-gruan.

Policia e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Bëhet e ditur se një 35-vjeçar ka vrarë ish-vjehrrin, ka plagosur ish-vjehrrën, si dhe ka marr peng ish-bashkëshorten e tij.

Pas ngjarjes autori është larguar me një automjet së bashku me ish-bashkëshorten, duke marrë me vete edhe armën e gjahut, me të cilën ka qëlluar.

“Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut”, thuhet në njoftim.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. /A2CNN/

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu sot tregon datën



Ditë më parë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se të premten do ta caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës.

Haxhiu ka paralajmëruar se kjo datë do të jetë në fillim të gushtit.

Lidhur me këtë, sot në ora 11:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu mban konferencë për media.

Ndryshe, ditë më parë një deklaratë për media, ushtruesja e detyrës së presidentes pati thënë se nuk është nxituar të caktojë seancën me arsyetim që partitë të kenë kohë të mjaftueshme për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.

“Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes zotit Albin Kurti. Siç e dini i ka pas dy takime, njëra me PDK- në, tjetra me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të vijim dhe arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.

Ajo mohoi të ketë pasur ndonjë marrëveshje mes Kurtit e Lumir Abxhixhikut për formim të institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit.

“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje sigurisht që do ta bënim publike. Në takim ka qenë Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave z. Murati, dhe në anën tjetër Zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, ishte shprehur Haxhiu. /Telegrafi/

Vranësira dhe reshje shiu në Shqipëri



Territori i Shqipërisë do të ndikohet sot nga mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.

Reshjet parashikohen të jenë të dobëta deri lokalisht me intensitet mesatar në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera do të jenë kryesisht të dobëta.

Gjatë ditës, në disa zona priten edhe stuhi lokale të shoqëruara me bubullima, të cilat mund të sjellin përkeqësime të përkohshme të kushteve atmosferike.

Temperaturat do të variojnë nga 17°C në zonat më të freskëta deri në 26°C në ato më të ngrohta.

Në det parashikohet valëzim i forcës 2 deri në 3 ballë.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje, me shpejtësi mesatare 5-10 m/s, ndërsa në momente të veçanta, gjatë stuhive, pritet të fitojë intensitet. /tch/

❌