Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se në vazhdimin e seancës konstituive, e cila nis në orën 20:00, ka thënë se presin reflektim dhe konsolidim të Kuvendit.
“Presim me reflektu dhe me u konsoliduar Kuvendi, përndryshe ne nuk kishim ardhur. Unë nuk e di pse opozita vjen dhe nuk voton“, tha ai.
Murati është pyetur nëse ka frikë pas paralajmërimit për bombë në Kuvend, por nuk është përgjigjur duke thënë se çka është kjo pyetje. /kp/
Sot për të 42-në herë do të mbahet seanca në tentativë për konstituimin e Kuvendit.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve të presidentes Vjosa Osmani me liderët partiakë edhe kjo seancë e Kuvendit duket të jetë e njëjtë dhe pa zgjidhje.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, partitë tjera po konsiderojnë se Haxhiu nuk është unifikuese.
PDK dhe AAK ka kërkuar nga LVV ta ndërrojë kandidaten, ndërsa nga LDK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë emër të LVV për kryetare të Kuvendit.
Ndërkaq, një ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një deklaratë për media lidhur me ngërçin politik në vend ka folur për mënyrën e votimit në Kuvendin e Kosovës.
Osmani deklaroi se votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por kërkohet konsensusi i deputetëve.
“Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me të”, tha e para e shtetit, raporton Telegrafi.
Presidentja Osmani tutje theksoi se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja atëherë do t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë për sqarim për pasojat juridike.
“Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetuese kjo do të thotë se moskryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja, pra do të ketë pasoja juridike… nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë”, tha ajo.
Presidentja tutje shtoi se partitë kryesore kanë ende qëndrime diametralisht të kundërta, por nuk do të thotë se brenda afatit nuk do të ketë afrim. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë tentativën e 41-të me radhë për konstituim. Para fillimit të kësaj seance, avokati Arianit Koci ka protestuar sërish.
Koci kësaj radhe ka vendosur që protestën e tij ta bëjë në një mënyrë tjetër më simbolike, duke sjellë gomarët para Kuvendit.
“I kemi marrë me simbolikë, me tregu se kush po na udhëheq, dhe të njëjtit po mendojnë që na jemi gomar. Protesta është e qetë. Po i kërkoj falje këtyre gomarëve që kanë marrë rrugë nga Istogu deri këtu”, tha Koci.
Koci tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e ka përcaktuar se fajtorë është Albin Kurti.
“Nuk po du me qenë faktor që i thellon ndasitë, por dua të jem faktor i unitetit Kam vërejtje të madhe edhe për PDK, LDK, AAK e Nisma, sepse po sillen sikur me qenë qyqana”, tha Koci.
Ai tha se nuk po e kupton policinë qysh po shqetësohen nga katër gomarë e nuk po shqetësohen nga gomarët brenda.
“E papranueshme, sidoqoftë ne do të respektojmë urdhrat”, tha Koci.
E miku i tij i cili solli gomarët nga Istogu në Prishtinë, ironizoi duke thënë se “ky i vogli ka nevojë për sigurim shëndetësorë – nuk po i ofendoj nënat as fëmijët. Është një i ri që ka nevojë për shkollim adekuat e mirëqenie”. /Telegrafi/
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.
Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk po e kupton pragmatizmin politik se nuk është tragjedi të bësh kompromis, por është vlerë normale demokratike.
I pari i LDK-së tha se ka parti që po ia japin atë kompromis, duke thënë se PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra të LVV-së për kryeparlamentar.
“Ka parti që po ja japin atë kompromis, e kam thënë edhe herën e kaluar LDK-ja i ka 20 vota kundër për secilin emër, NISMA i ka 3 vota për një emër, PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra, AAK-ja i ka 5 vota për tre emra. Pra kompromisi është i mundshëm, zgjedh e merr”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se nëse Kurti insiston në kushtet paraprake dhe thotë që ky është kompromisi i tij, atëherë ti e ngatërron kompromisin me imponimin.
“E këtu besoj se ka shkarje të rëndë logjike e besa edhe të inteligjencës”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese mosvotimin në Kuvend nga deputetët e partive tjera.
Kusari-Lila në një deklaratë për media theksoi se janë duke i bërë përgatitjet finale në mënyrë që t’i drejtohet Gjykatës.
“Është e qartë se nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë. Ndërsa, synimi i tretë në fakt çka do të doja të thosha është se është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale, tashmë për mospjesëmarrjen në votim nga deputetët e partitë deri tash opozitare”, tha ajo.
Deputetja e LVV-së theksoi tutje se ajo që është evidente e që mund të lexohet në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është se votimi në seancë është obligim.
“Ne po e përgatisim, gjegjësisht jemi duke i bërë përgatitjet finale që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitar për mos pjesëmarrje në votim”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndruar simbolikisht në sallë pas dështimit për të 40-në herë të konstituimit të Kuvendit.
Deputetja Vlora Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari po e shkel Kushtetutën. Ajo i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim dhe për kthim në rend të ditës.
“Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë… Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrimë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, deklaroi Çitaku. /kp/
Kuvendi i Kosovës nisi sot me kërkesën e kryesuesit Avni Dehari për dhënien e emrave nga partitë politike për Komisionin Zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra pasi doli në foltore kërkoi nga Dehari të respektojë Kushtetutën.
“Kryesues po të bëjmë tirrje edhe njëherë respektoni Kushtetutën…”, tha Deliu.
“Regjia të lutem ndërpritja mikrofonin”, tha Dehari.
“Kryesues ju lutem zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kthehuni në rend dite”, tha më pas deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ndërkaq, pas kësaj reagoi sërish kryesuesi Dehari “Regjia, ju lutem le të ndërpritet”.
Ndërkaq, Time Kadrijaj nga AAK me ironi propozoi për anëtar të Komisionit, Albin Kurtin.
“Ne si Aleancë kemi ndryshua qëndrim, na vjen keq.. e kemi një emër për Komision… dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, tha ajo me ironi.
Ndryshe, për të 40-në herë dështoi sot konstituimi i Kuvendit. /Telegrafi/
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas dështimit të 40-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është pyetur nëse do të marrë pjesë në takim nëse ftohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Abdixhiku u përgjigj shkurt duke thënë se sapo të marr ftesë do të shkoj, dhe se presidentja bënë mirë të ketë qëndrim për situatën e krijuar.
“Jo ende nuk kam marrë ftesë, dhe shkojmë kurdo që marrim ftesë. Dhe bënë mirë që na mbledh presidentja dhe bënë mirë edhe që të ketë qëndrim për këtë çështje”, tha Abdixhiku.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.
Kështu bëri të ditur një ditë më parë këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Sipas tij, Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata.
“Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës sot të mblidhet sërish, në tentativën e 40-të për konstituim.
Partitë politike parlamentare nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për kreun e Kuvendit, gjersa po bëhen gati 5 muaj që nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 8 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa për partitë tjera ky emër nuk është unifikues.
Ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.
Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Për më tepër, ajo rikujtoi se Kushtetuta parasheh që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.
Në këtë aktgjykim, Gjykata e Kushtetuese gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional.
Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, këshilltari për media, Bekim Kupina.
Sipas tij, Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm për takime, konsultime dhe bashkëpunim politik për të dalë nga bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ka ofruar dy kompromise konkrete për zgjidhjen e situatës.
“Gjithmonë jam i gatshëm për takime, konsultime konstruktive e bashkëpunime, për konsensus e kompromis,” tha Kurti.
Ai tha se kompromisi i parë që u është ofruar partive politike është që ato të delegojnë përfaqësuesit e tyre dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit përmes një pakete të përbashkët, ku secili votim të bëhet një nga një.
“Nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë. Me bojkot nuk shkohet përpara. Të kemi marrëveshje politike për kryetarin dhe pesë nënkryetarët – me marrëveshje paketë të votohen një nga një,” u shpreh Kurti.
Kompromisin e dytë, Kurti e cilësoi si një ofertë të njëanshme nga kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Kompromisi tjetër është ofruar njëanshëm nga kandidatja jonë Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, do të tërhiqet. Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër,” theksoi Kurti.
Ai shprehu habi për qëndrimin e partive opozitare që po kundërshtojnë vazhdimisht votimin e fshehtë.
“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare për votim të fshehtë, kur dihet që qytetarët me 9 shkurt kanë votuar me votë të fshehtë dhe e kanë bërë Vetëvendosjen fituese,” tha ai.
Në fund, Kurti tha se PDK e LDK nuk bëjnë sa Vetëvendosja. Ai këto komente i bëri gjatë vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Bradhosh të Prishtinës./Telegrafi/
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës po përballet me një krizë të thellë, për të 39‑ën herë ka dështuar seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, as të dielën nuk pati ndonjë ndryshim sa i përket qëndrimeve të partive politike.
Taborët politikë i kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit duke thënë se po shkelet Kushtetuta.
E megjithëse vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme politike, deputetët e zgjedhur duket se nuk do të bëjnë as përpjekjet më të vogla që vendi të dal nga kjo situatë, duke marrë parasysh se tash edhe përfundon sesioni pranveror i Kuvendit.
Në kalendarin zyrtar të punës së Kuvendit të Kosovës, sesioni pranveror përfundon më 31 korrik.
Kjo është hera e parë që ky sesion e gjen Kuvendin e Kosovës të pa konstituar, e në mungesë të kësaj deputetët nuk pritet që ta kenë pushimin e zakonshëm deri në vjeshtë.
Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila ka filluar me 15 prill 2025, por nuk ka përfunduar. Referuar nenit 12, paragrafi 5 të Rregullores se Kuvendit të Republikës së Kosovës: “Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Nga drejtoria për media e institucionit legjislativ, kanë treguar se si i parasheh rregullorja dy sesionet e punimeve brenda vitit.
“1. Kuvendi zhvillon punën në dy sesione: 1.1. Sesioni Pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar dhe përfundon në fund të muajit korrik. 1.2. Sesioni Vjeshtor fillon të hënën e dytë të muajit shtator dhe përfundon në fund të muajit dhjetor. 2. Kuvendi, ndërmjet dy sesioneve, mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme”, thuhet nga Kuvendi.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim të situatës gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, ose do të kemi shpallje të zgjedhjeve të reja. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka ftuar krerët e subjekteve politike për një takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, nëKuvendin e Kosovës.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këtë po e bën në përpjekje të konsensusit për konstituimin e Kuvendit.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, pjesëmarrja në takim është konfirmuar nga PDK, LDK, AAK e Nisma Socialdemokrate.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës sot mblidhet për të 38-në herë për konstituim, proces ky që ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe që ka shkaktuar bllokadë politike.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mos heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, gjersa partitë tjera vazhdojnë të insistojnë se Haxhiun nuk do ta votojnë pasi sipas tyre nuk është emër unifikues.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës sot mblidhet për të 37-në herë për konstituim.
Ndonëse nuk ka ndonjë zhvillim të ri që pritet t’i jap zgjidhje ngërçit politik, partitë politike janë në pritje të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votimin për Komisionin zgjedhor që do të mundësonte votim për të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Partitë politike aktualisht nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq për partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK-në ky emër është i papranueshëm për kreun e Kuvendit.
PDK dhe AAK kanë deklaruar se do të votojnë pro kandidatëve tjerë për kryetar të Kuvendit, por jo për Albulena Haxhiun, ndërkaq nga LDK kanë thënë se nuk do ta votojnë asnjë emër.
Ndryshe, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë mbajtur më 8 shkurt. /Telegrafi/
Deputetët e do të mblidhen sërish sot në një tentativë të radhës për konstituimin e Kuvendit.
Kjo është hera e 36-të që Kuvendi mblidhet me shpresën për konstituim, një situatë e paprecedentë në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës.
Pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme, deri më tani nuk është arritur konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe themelimin e organeve të tjera të brendshme.
Seanca është thirrur për orën 11:00, ndërsa nuk pritet që të ketë ndonjë ndryshim , pasi që partitë politike po vazhdojnë të qëndrojnë në pozicione të njëjta sa i përket emrit të Albulena Haxhiut të propozuar nga LVV si kandidate për kryeparlamentare.
Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile në vend kanë bërë thirrje të vazhdueshme për dialog politik dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se zvarritja e procesit dëmton funksionimin demokratik të shtetit dhe pengon përparimin në fusha të rëndësishme si integrimi evropian, reformat dhe zhvillimi ekonomik.
Mungesa e Kuvendit funksional ka bllokuar edhe punën e qeverisë, e cila aktualisht vepron me kompetenca të kufizuara. /Telegrafi/
Deputetët do të mblidhen sot për të 35 herë më radhë në tentimin për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Tashmë seancat po janë vetëm çështje numri dhe procedure që po ndiqet çdo 48 orë.
Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidatja Albulena Haxhiu për kryeparlamentare, ndërsa partitë tjera kanë theksuar se nuk do të votojnë Haxhiun për të parën e Kuvendit.
PDK dhe AAK kanë kërkuar nga LVV të propozojë kandidat tjetër, gjersa nga LDK kanë theksuar se nuk do të votojnë asnjë kandidat./Telegrafi/
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ajo, bllokimin e institucioneve dhe mungesë totale të përgjegjësisë politike në raport me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Çitaku tha se PDK-ja ka ofruar zgjidhje dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por se Kurti dhe partia e tij nuk po kërkojnë konsensus, por nënshtrim, raporton KosovaPress.
“Kosova është marrë peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe VV-së. Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa secili prej nesh. Ne kërkojmë zgjidhje, kemi ofruar zgjidhje, mirëpo LVV nuk dëshiron bashkëpunim, por dëshiron diktakt dhe nënshtrim, dhe PDK nuk i nënshtrohet diktatit,” ka deklaruar Çitaku.
Deputetja Çitaku komentoi edhe mungesën e emërimit të një ambasadori të SHBA-së në Kosovë, duke e lidhur këtë me qasjen e Qeverisë Kurti në raport me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne jemi në pritje, sigurisht se ShBA-të të emërojnë ambasadorin në Kosovë, nuk mund të flas në emër të ShBA-së, pse një emërim i tillë nuk ka ndodhur ende. Por, Kurti me kokëfortësinë e tij ka paralizuar Kosovën edhe nga brenda, por edhe në raport me aleatët tanë”, u shpreh ajo.
Sot, ka dështuar edhe përpjekja e 34 për konstitumin e Kuvendit të Kosovës.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret./kp/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka fajësuar deputetët e ish-opozitës se nuk po duan që të konstituohet Kuvendi.
Kurti ka thënë se deputetët e mazhorancës po e duan më shumë Kuvendin, e ata e kanë qeverinë. Ndërkaq deputetët e opozitës, të cilët nuk kanë qeveri, e kanë veçse Kuvendin dhe nuk po e duan Kuvendin.
“Në këtë frymë, më lejoni që deputetët opozitarë, të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka deklaruar Kurti.
Kuri u shpreh se sa më herët që ta kuptojnë që kundërshtimin ndaj meje do të mund ta thonë kur vjen puna te votimi i qeverisë, aq më mirë do të jetë.
“Në ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës, njëmend i ka kompetencat e kufizuara, por nuk kemi më pak punë. Ne nuk kemi më pak punë – ne kemi më pak kompetenca. Dhe ndërmjet Kurtit 2 dhe Kurtit 3, e kemi këtë qeveri në detyrë, që është qeveri në tranzicion – le ta quajmë Kurti 2.5.”, tha Kurti.
Ai këto komente i bëri në Podujevë gjatë vënies së gurthemelit për pishinën gjysmë-olimpike, disa orë para seancës konstitutive të Kuvendit e cila dështoi sërish. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të 34-në herë, ndërsa nuk pritet të ketë as sot ndonjë lëvizje pozitive për konstituimin e legjislativit.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mos heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për kryeparlamentare.
Seancat po vazhdojnë të mbahen çdo 48 orë, pavarësisht se nuk po ka asnjë lëvizje drejt konstituimit të Kuvendit.
Në mungesë të kuorumit nuk po arrihet as formimi i Komisionit për votim të fshehtë.
Në këtë kontekst, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Time Kadrijaj dhe të përkrahur nga 10 deputetë të tjerë, kanë dorëzuar që më shumë se një muaj më parë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Ata kërkojnë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së formimit të këtij komisioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt më 5 maj 2025.
AAK ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, Zyra për Media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se rasti është ende në shqyrtim.
Në një përgjigje zyrtare, Gjykata ka bërë të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim. /Telegrafi/
Që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, PDK e dyta dhe LDK e treta, institucionet e reja ende nuk janë krijuar. Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë kanë bërë betimin si deputetë, mirëpo Kuvendi i ri ende nuk është konstituar.
Kjo ngërç ka ardhur pasi LVV ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por subjektet e tjera parlamentare kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj. Fillimisht, procesi i votimit për kryetaren e Kuvendit ishte i hapur, por më pas kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, vendosi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë. As votimi i fshehtë nuk ka prodhuar rezultat, transmeton Telegrafi.
Të martën u shënua edhe dështimi i 33-të i seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa seancat po vazhdojnë të mbahen çdo 48 orë.
Njohësit e çështjeve politike në vend kanë shprehur shqetësimin e tyre për bllokadën e krijuar në Kuvend.
Melazim Koci, analist politik, në një deklaratë për Telegrafin tha se bllokada institucionale ka marrë përmasat e një marrëzie politike.
“Ajo është duke dërguar mesazh shumë të keq në botë, në një çast shumë delikat në arenën ndërkombëtare. Bllokada institucionale në Kosovë nga (ar)miqtë e Kosovës nuk ka si të interpretohet ndryshe pos si paaftësi e shqiptarëve të Kosovës për të jetësuar kompromis, pragmatizëm dhe rrjedhimisht edhe mungesë e aftësive shtetndërtuese. Për një demokraci të etabluar me dekada kjo bllokade nuk do të kishte efekte negative, por për Kosovën si demokraci e re dhe në tranzicion, ajo është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme, sepse zbehë kredencialet shtetërore të Kosovës. Uroj që udhëheqja e Kosovës këtë ta kuptoj sa më parë dhe t’i vë në plan të parë interesat shtetërore të Kosovës dhe jo ato partiake”, theksoi ai.
Melazim Koci
Ndër tjera, ai tha se për situatën e krijuar përgjegjëse është partia më e madhe në parlament, por edhe subjektet tjera politike, ish-opozitare.
“Përgjegjësia më e madhe i bie partisë së parë që ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament. Ajo (VV) mund të propozoj një emër tjetër dhe kriza të tejkalohet. Përgjegjësi është edhe ish – opozita, sepse edhe ata mund ta votojnë zonjën Haxhiu dhe t’i kontribuojnë tejkalimit të krizës. Mjerisht, të dy palët janë kurthuar në kalkulime meskine, sepse as njëra dhe as tjetra nuk kanë shumicën. Dy palët thuajse presin që dikush nga jashtë të vij dhe të propozoj tejkalimin e krizës. Kjo nuk do të ndodhi, sepse ndërhyrje nga jashtë nuk do të ketë. Kosova përfundimisht duhet të mësohet të zgjidh kontestet e brendshme me bisedime dhe kompromise. Nëse nuk do të ketë reflektim nga të gjithë, kjo situatë mund të zgjasë edhe shumë kohë”, ka pohuar Koci.
I pyetur se çfarë vendimi pret nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën e AAK-së për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e votimit të fshehtë për kryeparlamentaren, Koci u shpreh pesimist lidhur me ndonjë vendim që mund ta marrë kjo Gjykatë.
“Nga Gjykata Kushtetuese nuk pres asgjë, sepse para nisjes së seancës së Parlamentit është vendosur për votim të hapur. Gjykata Kushtetuese këtë vendim nuk mund ta ndryshoj. Këtë vendim mund ta ndryshoj vetëm një shumicë parlamentare, por jo Gjykata Kushtetuese.
Madje nuk pres rezultate as nëse Presidentja ose një grup i deputetëve e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen tjetër të të drejtës për propozim dhe zgjedhje te kryetarit/kryetares të Parlamentit. Kushtetuta e jonë është e mangët në këtë çështje. Neni 67 i Kushtetutës i jep te drejtën partisë/grupimit të parë për të propozuar kryetaren/kryetarin e Parlamentit, por nuk e shpjegon se çfarë dhe si te veprohet nëse partia e parë nuk e ka shumicën dhe sa kohe ka në disponim partia e parë. Këtë çështje Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë ose ta zbërthejë, sepse kjo pastaj do të ishte amandamentim i Kushtetutës. Amandamentimin e Kushtetutës mund ta bëjë vetëm Kuvendi. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese është me duar të lidhura rreth këtyre dy çështjeve dhe nuk mund të ndihmoj”, nënvizoi ai.
Edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se situata e krijuar është për keqardhje.
“Është për keqardhje mungesa e vullnetit politik të partive politike për të arritur marrëveshje politike për të bërë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për formimin e qeverisë. Sikurse, është e pakuptimtë dhe qasje jo institucionale mënyra se si Kryesuesi i seancës konstituive Dehari po abuzon me udhëheqjen e seancës duke ndërruar mënyrën e votimit”, tha ai për Telegrafin.
Ehat Miftaraj
Ai shtoi tutje se LVV është dashur të reflektojë dhe ta ndërrojë kandidatin për postin e kryeparlamentarit.
“Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga dita e zgjedhjeve dhe kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar për më shumë se 33 herë të kaloj propozimin e LVV për të votuar kandidaten për kryeparlamentare. Një parti politike serioze dhe që ka në qendër interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës, do të reflektonte duke ndryshuar kandidatin për kryeparlamentar për të i hapur rrugë konstitituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë ashtu sikurse po proklamojnë se i kanë votat për formimin e qeverisë”, potencoi ai.
Miftaraj shtoi tutje se “Nëse kjo qasje e VV vazhdon do të vijmë në një situatë ku Albin Kurti përtej mandatit 4 vjeçar si Kryeministër i Kosovës si e parasheh Kushtetuta dhe ligji do të jetë Kryeministri i parë që këtë mandat mbase të shtyje deri afër mandatit pesë vjeçar”.
Ndryshe, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Time Kadrijaj dhe të përkrahur nga 10 deputetë të tjerë, kanë dorëzuar që më shumë se një muaj më parë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Ata kërkojnë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së formimit të këtij komisioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt më 5 maj 2025.
AAK ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, Zyra për Media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se rasti është ende në shqyrtim.
Në një përgjigje zyrtare, Gjykata ka bërë të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim.
“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, të enjten do të mbahet edhe seanca e radhës ku do të ketë përpjekje për konstituimin e Kuvendit./Telegrafi/