Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksident i rëndë në Ksamil, 29-vjeçari në gjendje kritike dërgohet në Spitalin e Traumës

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Ksamil. Sipas informacioneve, një automjet i ka prerë rrugën motomjetit, me drejtues 29-vjeçarin, Mario Selishta.

Ky i fundit është lënduar rëndë dhe është nisur drejt spitalit të Traumës në kryeqytet. Bëhet me dije se 29-vjeçari i plagosur me origjinë nga Dibra, ndodhej në Ksamil për pushime pasi jetonte në Itali.

Aksidenti ka ndodhur në rrugën “Butrinti” pranë një karburanti, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të përplasjes.

Aksident në Vlorë: Makina godet motorin, motoristi dërgohet në spital

Në orët e mbrëmjes në qytetin e Vlorës është regjistruar një aksident rrugor, fatmirësisht pa pasoja për jetën

Ende nuk dihen rrethanat kur një automjet tip “Audi” u përfshi në një aksident me një motomjet, kur për pasojë i lënduar mbeti drejtuesi i këtij të fundit, i cili u transportua në spital.

Njoftim i policisë:

Sot, rreth orës 20:15, në rrugën “Murat Tërbaçi”, Vlorë, shtetasi R. J., 33 vjeç duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përfshirë në një aksident rrugor me motomjetin me drejtues shtetasin L. K., 52 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Tiranë, 3 autorët i shkojnë në shtëpi, e godasin me shishe në kokë dhe i presin njërin vesh

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë, ku një 21-vjeçar u plagos rëndë nga 3 shtetas.

Burimet bëjnë me dije se sherri ka nisur në rrjetet sociale, më pas 3 autorët i kanë shkuar 21-vjeçarit te shtëpia dhe e kanë goditur me shishe në kokë.

Mes dëmtimeve të shumta, mësohet se 21-vjeçarit i është prerë totalisht edhe njëri vesh.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka arrestuar 3 autorët, shtetasit Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj.

Po ashtu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobta, ndërkohë që 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi:

Tiranë-Plagosën rëndë për motive të dobëta një 21-vjeçar, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

SPAK: Kemi nën hetim 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë e ish-ministër

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar se aktualisht janë duke u hetuar 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, SPAK bëri të ditur se hetimet përfshijnë vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Për shkak të sekretit hetimor, emrat dhe akuzat konkrete ndaj tyre nuk janë bërë publike.

Institucioni ka sqaruar gjithashtu se gjatë periudhës 2022–2024 janë dërguar letërporosi drejt autoriteteve të huaja për sigurimin e materialeve hetimore shtesë, veçanërisht nga aplikacione të enkriptuara si SKY ECC, EncroChat dhe ANOM, të përdorura nga rrjete kriminale për komunikime të fshehta.

Sipas SPAK, ky bashkëpunim ndërkombëtar ka ndihmuar në zbardhjen e një sërë çështjesh të rënda penale në Shqipëri, Europë dhe më gjerë.

Zelensky: Moska po lëshon vetëm ultimatume, do të vazhdojë luftën

‘Rusia vazhdon të lëshojë ultimatume thjesht sepse dëshiron të vazhdojë luftën\’. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përsëriti këtë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili po viziton Kievin.

“Çështja e përfundimit të luftës duhet të zgjidhet në nivel udhëheqësish. Por ne shohim se rusët po bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar takimin. Ne jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë produktive, në masën më të plotë. Shpresojmë që partnerët tanë do të ndihmojnë në sigurimin e të paktën një pozicioni minimalisht produktiv nga pala ruse. Nëse ata nuk pranojnë një zgjidhje diplomatike për këtë luftë, nëse nuk duan ta përfundojnë atë, nevojiten sanksione shumë të ashpra. Ne mbështetemi shumë në paketa të forta sanksionesh nga partnerët tanë”, përfundoi ai.

OKB shpalli zyrtarisht zi për bukë në Gaza, reagon Netanyahu: Gënjeshtër! Të vetmit që po vdesin nga uria janë pengjet izraelite

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu sot e denoncoi si një “gënjeshtër të hapur” një raport të OKB-së që zyrtarisht shpalli zi për bukë në Gaza dhe fajësoi Hamasin për mungesat.

“Izraeli nuk ka një politikë për rritjen e urisë. Izraeli ka një politikë për parandalimin e urisë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë, duke shtuar se “të vetmit që vdesin qëllimisht nga uria në Gaza janë pengjet izraelite” të Hamasit.

OKB sot zyrtarisht shpalli gjendje urie në Gaza, duke vlerësuar se ajo “mund të ishte shmangur” pa “pengimin sistematik të Izraelit”.

Megjithatë, raporti i OKB-së “injoron përpjekjet humanitare të Izraelit dhe vjedhjen sistematike të ndihmës nga Hamasi”, shkroi Netanyahu, duke shprehur pakënaqësi, sipas të cilit “këto vjedhje janë ato që shkaktuan mungesat e përkohshme, të cilat Izraeli i kapërceu falë” veprimeve të tij.

Tragjike në Itali! Furgoni shtyp djalin 2-vjeçar, shoferi nuk e dinte se çfarë kishte bërë derisa u njoftua nga policia

Një tragjedi ndodhi në pjesën veriore të qytetit të Catanzaros, në rajonin e Kalabrisë në Itali, pasi një djalë 2-vjeçar u shtyp për vdekje nga një furgon që po manovronte pranë shtëpisë së tij.

Sipas informacioneve nga mediat italiane, tragjedia ndodhi kur fëmija ishte vetëm në oborr dhe i kishte shpëtuar vëmendjes së prindërve të tij. Ekipet e shpëtimit nxituan menjëherë në vendngjarje, megjithatë djali i vogël tashmë ndërruar jetë.

Shoferi i furgonit nuk e kuptoi se e kishte goditur fëmijën dhe vazhdoi rrugën e tij. Ai u gjet më vonë nga autoritetet dhe kur u informua për rezultatin tragjik të incidentit, u sëmur rëndë.

Policia po heton rrethanat e sakta të aksidentit.

Negociatat për programin bërthamor të Iranit, ministri i Jashtëm iranian do të takohet me homologët e tij europianë javën e ardhshme

Irani do të zhvillojë bisedime të reja mbi programin e tij bërthamor me Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Bashkimin Evropian të martën, njoftoi Ministria e Jashtme iraniane.

“U ra dakord që negociatat midis Iranit dhe tre vendeve europiane dhe Bashkimit Europian do të vazhdojnë të martën e ardhshme në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm”, ​​tha ministria në një deklaratë të lëshuar pas një bisede telefonike midis ministrit të jashtëm iranian dhe homologëve të tij nga vendet evropiane, si dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaia Kallas.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se “koha po mbaron” për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur rivendosjen e sanksioneve kundër Teheranit. Ai gjithashtu konfirmoi se bisedimet midis Iranit dhe fuqive evropiane mbi programin bërthamor të Iranit do të zhvillohen javën e ardhshme.

“Sapo patëm një bisedë të rëndësishme telefonike që përfshinte kolegët e mi Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lamy, Ministrin e Jashtëm Gjerman, Johann Vandeful dhe Kaia Kallas me homologun tonë iranian mbi programin bërthamor dhe sanksionet kundër Iranit që po përgatitemi të rivendosim”, shkroi Barrot në mediat sociale.

Evropa mbetet e përkushtuar ndaj diplomacisë, por koha po mbaron për bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, tha ministri i jashtëm gjerman pas bisedimeve me homologët e tij britanikë dhe francezë, si dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së.

“Koha po mbaron dhe Irani duhet të bëjë një angazhim thelbësor për të shmangur një rikthim të papritur. Ne ishim të qartë se nuk do ta lëmë mekanizmin e sanksioneve të skadojë nëse nuk ka një marrëveshje të verifikueshme dhe të qëndrueshme”, shkroi Johann Vandeful.

Administrata Trump vijon luftën ndaj imigracionit të paligjshëm, SHBA do të kontrollojë 55 milionë viza amerikane për shkelje

Autoritetet amerikane do të kontrollojnë më shumë se 55 milionë mbajtës vizash për të parë nëse kanë shkelur kushtet e qëndrimit të tyre në SHBA.

“Vizat do të revokohen nëse ka prova të pranisë së paligjshme, aktivitetit kriminal, kërcënimit për sigurinë publike, pjesëmarrjes në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimit të mbështetjes për një organizatë terroriste”, tha një zyrtar.

Mbajtësit e vizave do t’i nënshtrohen “kontrollit të vazhdueshëm”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Associated Press.

Njoftimi i fundit erdhi pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara do të ngrinin menjëherë lëshimin e vizave të punës për shoferët e kamionëve.

“Numri në rritje rrezikon jetën amerikane dhe dëmton jetesën e shoferëve amerikanë të kamionëve”, shkroi Rubio në X të enjten.

Presidenti, Donald Trump e ka bërë luftën kundër imigracionit një gur themeli të mandatit të tij të dytë, vëren BBC.

Si pjesë e shqyrtimit të gjerë, studentët dhe vizitorët e ardhshëm në SHBA do t’i nënshtrohen kontrolleve të mediave sociale. Autoritetet amerikane do të kërkojnë “çdo tregues armiqësie ndaj popullit, kulturës, qeverisë, institucioneve ose parimeve themelore të Shteteve të Bashkuara”.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit janë udhëzuar gjithashtu të identifikojnë njerëzit “që mbështesin, ndihmojnë ose inkurajojnë terroristët e huaj të caktuar dhe kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, ose që kryejnë ngacmime ose dhunë të paligjshme antisemite”.

Matthew Tragesser, një zëdhënës i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së, tha se “përfitimet e Amerikës nuk duhet t’u jepen atyre që përçmojnë vendin tonë dhe promovojnë ideologji antiamerikane”. Ai shtoi se agjencia e imigracionit është e përkushtuar për të “zbatuar politika” që “zhdukin antiamerikanizmin”.

 

Trump flet për takimin dypalësh Trump-Zelensky: Ata janë si vaji dhe uthulla, nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se do të shihte nëse Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të punonin së bashku për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Do të shohim nëse Putin dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, ata janë si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta”, tha presidenti i SHBA-së gjatë një bisede të shkurtër me gazetarët.

Trump tha gjithashtu se nuk ishte i sigurt nëse duhej të merrte pjesë në një takim që po përpiqej të organizonte midis Putinit dhe Zelensky-t, pas bisedimeve të fundit me Putinin në Alaska.

Megjithatë, siç vuri në dukje, ai do të preferonte të mos merrte pjesë.

E trishtë, qyteti i Gazës zyrtarisht në zi për bukë!

Autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore njoftoi të premten se qyteti më i madh i Rripit të Gazës është përfshirë nga zia e bukës dhe se ajo ka gjasa të përhapet në të gjithë Gazën, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për armëpushim dhe për heqjen e kufizimeve ndaj ndihmave humanitare.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore, apo IPC, tha se zia e bukës po ndodh në Qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, dhe se ajo mund të përhapet drejt jugut në Deir al-Balah dhe Han Junis deri në fund të muajit të ardhshëm.

Ky përcaktim i IPC-së vjen pasi për muaj të të tërë organizatat humanitare paralajmëruan se kufizimet që Izraeli i ka vendosur ndaj ushqimit dhe ndihmave të tjera në Gazë, si dhe lufta e ushtrisë izraelite, po shkaktonin shkallë të larta të urisë mes civilëve palestinezë, sidomos fëmijëve.

Izraeli e hodhi poshtë qëndrimin e IPC-së. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti atë “gënjeshtër të hapur”.

Kjo është hera e parë që IPC-ja konfirmon zyrtarisht zi buke në Lindjen e Mesme.

Raporti i IPC-së pritet ta rrisë trysninë ndërkombëtare mbi Izraelin, i cili është në një luftë të përgjakshme me Hamasin që nga sulmi që grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE e kreu në Izrael më 7 tetor 2023.

Izraeli thotë se ka për qëllim ta ashpërsojë luftën duke rimarrë nën kontroll Qytetin e Gazës dhe bastionet e tjera të Hamasit, pavarësisht se ekspertët paralajmërojnë se kjo do ta rëndojë edhe më shumë krizën e urisë.

IPC-ja theksoi se uria është shkaktuar nga luftimet dhe bllokimi i ndihmave, si dhe është përkeqësuar nga shpërnguljet e mëdha dhe dështimi i prodhimit ushqimor në Gazë, duke e çuar urinë në shkallë kërcënuese për jetën banorëve në të gjithë vendin pas 22 muajsh lufte.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gazë, rreth një e katërta e popullsisë, po përballen me shkallë katastrofike të urisë dhe shumë prej tyre rrezikojnë të vdesin nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen, tha raporti i IPC-së.

Muajin e kaluar, IPC-ja paralajmëroi se “skenari më i keq i urisë” po zhvillohej në Gazë, por nuk kishte bërë përcaktim zyrtar.

Netanyahu mohon se ka uri në Gazë, duke i quajtur raportet për urinë “gënjeshtra” të promovuara nga Hamasi.

“Raporti i IPC-së është një gënjeshtër e hapur. Izraeli nuk ka politikë të urisë. Izraeli ka politikë për të parandaluar urinë”, tha zyra e tij në një postim në X.

Edhe Ministria e Jashtme e Izraelit hodhi poshtë gjetjet, duke thënë se mbi 100.000 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë që nga nisja e luftës, përfshirë një rritje të madhe në javët e fundit.

Por, ekspertët theksojnë se Gaza është ende duke u rimëkëmbur nga forcimi i bllokadës prej fillimit të marsit deri në mesin e majit, kur Izraeli ndaloi futjen e ushqimeve, barnave dhe mallrave të tjera.

“Një numër gjithnjë në rritje i njerëzve, sidomos fëmijët e vegjël, po vdesin nga uria dhe sëmundje të parandalueshme, sepse Izraeli e ka bërë urinë pjesë thelbësore të fushatës për të kontrolluar Rripin”, tha Chris Newton, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Ai shtoi se plani i Izraelit për ta përshkallëzuar luftën në Qytetin e Gazës vetëm disa javë pasi u dha paralajmërimi për fillimin e urisë tregon se “uria është e qëllimshme dhe se Izraeli po e përdor atë si armë”.

Netanyahu thotë se nevojitet më shumë trysni ushtarak për t’i arritur synimet e Izraelit: lirimin e pengjeve që mbahet nga Hamasi dhe asgjësimin përfundimtar të grupit militant.

Si përcaktohet zia e bukës?

IPC-ja tha se raporti i publikuar të premten përfshin vetëm njerëzit që jetojnë në qarqet e Gazës, Deir al-Balah dhe Han Junis. Nuk u arrit të klasifikohej qarku i Gazës veriore për shkak të mungesës së qasjes dhe të dhënave, ndërsa popullsia e mbetur në Rafah u përjashtua, pasi është kryesisht e pabanuar.

OKB-ja është ankuar për pengesa në shpërndarjen e ndihmës në Gazë, duke fajësuar Izraelin dhe gjendjen e pasigurt.

Nga ana tjetër, Izraeli ka kritikuar operacionin e udhëhequr nga OKB dhe akuzon Hamasin për vjedhjen e ndihmave, gjë që ky i fundit e mohon.

Ky është rasti i pestë në 14 vjetët e fundit që IPC-ja shpall zyrtarisht zinë e bukës – një iniciativë që përfshin 21 organizata ndihmash, agjenci të OKB-së dhe organizata rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania dhe Kanadaja.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe mori rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite.

Prej atëherë, më shumë se 62.122 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisjes së Hamasit dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë.

Përveç këtij bilanci, 154 të rritur kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen nga fundi i qershorit, kur Ministria nisi t’i llogariste këto raste, dhe 112 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja që prej fillimit të luftës.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit./REL

Britania e Madhe mbështet OKB-në: Zia e bukës e shkaktuar nga Izraeli në Gaza është një turp moral

Kjo u deklarua nga Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy pas publikimit të raportit të Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) mbi urinë në Rrip. Dokumenti “thekson qartë pasojat katastrofike, veçanërisht për fëmijët”, shtoi Lammy.

“Pikërisht kur duket se nuk kanë mbetur fjalë për të përshkruar ferrin në Gaza, është shtuar një e re: zia e bukës. Kjo nuk është mister, është një katastrofë e shkaktuar nga njeriu, një akuzë morale dhe një dështim i vetë njerëzimit. Zia e bukës nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin; është shembja e qëllimshme e sistemeve të nevojshme për mbijetesën njerëzore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Njerëzit po vdesin nga uria, fëmijët po vdesin dhe ata që kanë detyrë të veprojnë po dështojnë. Si fuqi pushtuese, Izraeli ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë detyrën për të siguruar furnizime ushqimore dhe mjekësore për popullsinë. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë pa u ndëshkuar. S’ka më justifikime. Koha për të vepruar nuk është nesër, është tani.” Guterres përsëriti më pas nevojën për “një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe akses të plotë dhe të pakufizuar humanitar”.

Kukës/ Drejtonin automjetet pa leje drejtimi, arrestohet një shofer, procedohen dy të tjerë

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Kukës në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore ka arrestuar një drejtues mjeti pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe dy të tjerë.

Njoftim i Policisë:

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Kukës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin I. Sh., 58 vjeç, banues në Krumë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në qytetin e Krumës, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.

 

Po këto shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, banues në Kukës, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, si dhe për shtetasin H. C., 41 vjeç, banues në fshatin Cahan, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin pa dëshminë përkatëse të aftësisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon ndaj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo veprim që pengon lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve. Parkimet e gabuara, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, do të përballen me masa të menjëhershme penale dhe administrative

Situata e zjarreve në vend/ 13 vatra në orët e fundit, prej tyre vetëm 2 aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se në orët e fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, prej të cilave janë ende aktive.

Njëra prej tyre është në Pezë Helmës, në Tiranë, ndërsa tjetra ndodhet në Ibë po në Tiranë.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Forcat zjarrfikëse, me ndihmën edhe të Forcave të Armatosura po vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në Finiq të Vlorës, dy helikopterë të FA janë duke kryer operacione intensive nga ajri, duke mbështetur forcat tokësore në shuarjen e flakëve.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat:

– 9 vatra janë shuar,

– 2 vatra janë aktive,

– 2 vatra janë në monitorim.

Aktualisht aktive mbeten vatrat në:

* Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë: Vatra e zjarrit po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.

* Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë: Është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku një vatër u shua një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.

* Parku Natyror Gërmenj, njësia Leskovik: Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.

* Fshati Dërmish, njësia Finiq, Vlorë: Vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa.

 

Vuçiç fton protestuesit në debat publik mes tensioneve dhe akuzave për dhunë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, që mund të mbahej përpara të gjitha televizioneve dhe portalet.

Ai këtë ftesë e bëri publike përmes një videoje në Instagram.

Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit iu përgjigjën thirrjes së Vuçiçit, duke thënë se me presidentin e Serbisë do të bisedojnë vetëm kur ai të shpallë zgjedhje të reja.

“Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore, kur të shpallë zgjedhje”, thanë studentët.

Në Serbi, për më shumë se nëntë muaj po mbahen protesta, ku kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Studentët, që udhëheqin protestat, i konsiderojnë zgjedhjet e reja si hap të pashmangshëm, pasi “shteti nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë” në Novi Sad.

Ndërkohë, pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.

“Ftoj përfaqësuesit e lëvizjes së bllokadës në një bisedë dhe debat publik mbi vizionet, të flasim për planet dhe programet tona për të ardhmen dhe që së bashku të dënojmë dhunën në rrugët tona”, tha Vuçiç në videon e publikuar më 22 gusht.

Presidenti serb tha se protestat po zgjasin tash e nëntë muaj dhe se “një pjesë e njerëzve në vendin tonë duan ndryshime”.

“Së pari këto u paraqitën si kërkesa për drejtësi, e më pas hapur filluan të flasin për ndryshime politike dhe për kërkesa për zgjedhje, edhe pse më parë i mohonin. Pavarësisht gjithçkaje të keqe që mendoj për kërkesat e tyre, besoj se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është me rëndësi vendimtare që të rifillojmë dialogun në Serbinë tonë”, theksoi Vuçiç.

Ai nënvizoi se në periudhën e kaluar është përpjekur t’i dëgjojë kundërshtarët e tij politikë, por pranoi se nuk e ka bërë gjithmonë këtë gjë sa duhet.

“E pranoj këtë si gabim timin, por jam i gatshëm të mos flasim për dhunën në rrugë, sepse neve nuk na nevojitet asnjë luftë civile, as përplasje e dhunë. Dua të flasim për të ardhmen e Serbisë. Të gjithë së bashku, sepse kjo është më e mira për Serbinë tonë”, u shpreh ai.

Prandaj, siç tha Vuçiç, “propozoj dhe ofroj bisedë e debat në të gjitha televizionet dhe portalet tona, me përfaqësues legjitimë, të cilët ata i zgjedhin vetë”.

“Kur them ata, mendoj për përfaqësuesit e lëvizjes studentore bllokuese – profesorë, politikanë, studentë… Të hyjmë në dialog, në debat me ata që mendojnë ndryshe. Ata kanë të drejtë ta kërkojnë këtë nga presidenti i tyre, përfshirë edhe zgjedhjet”, tha presidenti i Serbisë.

Sipas tij, qëllimi është që “së bashku të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme për vendin tonë dhe të paraqesim programet tona”.

“Ka ardhur koha të tregojmë fytyrat e secilit prej nesh, por shumë më e rëndësishme se kjo është të tregojmë programet dhe të prezantojmë vizionet. Unë dua të bëjmë një garë vizionesh, një betejë për të ardhmen, ta zgjidhim këtë me dialog e bisedë, ashtu siç do të donte çdo qytetar i vendit tonë. Pa përplasje dhe pa dhunë. Të rindërtojmë shtetin, ta kthejmë në pozitën e duhur ku ishte para nëntë muajsh”, deklaroi Vuçiç.

Në fund të video-adresimit ai tha se beson se do të japë gjithçka nga vetja për të treguar respekt, por se dëshiron që të dëgjohet edhe pala tjetër.

“Kjo është oferta ime, më shumë se e drejtë. Dua të hyj në debat dhe dua që të dyja palët të paraqesin vizionin dhe planet e tyre. Për Serbinë, në këtë moment, kjo është gjëja më e rëndësishme. Më pas qytetarët do të kenë mundësinë të shohin se cili vizion është real dhe i vërtetë”, tha presidenti serb.

Ndërkohë që në Serbi po vazhdojnë protestat, ditët e fundit janë intensifikuar sulmet e përkrahësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiçit kundër protestuesve në qytete të ndryshme të vendit.

Lidhur me raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia serbe – veçanërisht ndaj të miturve, gazetarëve dhe grave, përfshirë rastin kur një polic e kërcënoi një studente të ndaluar me përdhunim – ka reaguar edhe Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, Brankica Jankoviq.

Ajo ka kërkuar që dhuna të ndalet dhe u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të trajtojnë të gjithë qytetarët në Serbi në mënyrë të barabartë./REL

Shqiptari vrau gruan në Greqi, fqinjët: Ishte grua e qetë dhe e përkushtuar ndaj 4 fëmijëve! Autori përdorues droge

Një çift shqiptarësh u përfshinë sot në një krim makabër në familje në Greqi, ku burri vrau bashkëshorten në sy të fëmijës.

Autori i krimit, ndërtues me profesion, doli me vrap nga pallati dhe iku me vrap në Rrugën Gladstonos, ndërsa policia ka nisur një kërkim për ta gjetur dhe arrestuar atë.
Zona është rrethuar nga forca të forta policie, ndërsa një ambulancë dhe një mjek ligjor ndodhen në vendngjarje.

Sipas informacioneve nga protothema.gr, autori ishte përdorues droge dhe kishte tentuar vetëvrasje në qershor. Sipas fqinjëve, çifti ishte zhvendosur në apartamentin në katin e dytë të pallatit në rrugën Konstanta nr. 18 disa muaj më parë.

Të tronditur, ata përshkruajnë se 36-vjeçarja fatkeqe ishte një grua e qetë dhe punëtore që punonte në një fabrikë.

Ajo ishte e përkushtuar ndaj rritjes së katër fëmijëve që kishte me autorin e krimit dhe në të njëjtën kohë luftonte për të siguruar jetesën.

Fëmija i tyre më i madh është një vajzë 18-vjeçare dhe më i vogli është një djalë vetëm gjashtë vjeç. Një grua që zotëron një dyqan pranë shtëpisë së saj deklaroi se kishte dëgjuar për vendin e vrasjes dhe se “dëgjoi se ai e kishte therur në qafë”.

Ngjarje të ndryshme kriminale në qarkun Elbasan, disa persona nën hetim dhe një në kërkim për dhunë në familje

Policia e Elbasanit ka evidentuar një sërë ngjarjesh penale në zona të ndryshme të qarkut, që variojnë nga posedimi i lëndëve narkotike dhe kanosja, te dhuna në familje dhe vjedhja.

Për këto raste janë nisur procedime penale ndaj disa shtetasve, ndërsa një 70-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e cila më pas ka tentuar të vetëvritet. Policia po vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtyre ngjarjeve.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Z., 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. P., 28 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë një 29-vjeçar dhe ka dëmtuar një automjet të ndaluar në rrugë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik shpallën në kërkim shtetasin T. H., 70 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 62 vjeçe, e cila dyshohet se për këtë shkak ka tentuar të vetëvritet, duke konsumuar medikamente. 62-vjeçarja është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen e shtetasit T. H. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Y. B., 33 vjeç dhe I. H., 50 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-A. D., 50 vjeç, pasi ka goditur me grushte dy 17-vjeçarë, për motive të dobëta.

Në Komisariatin e Policisë Gramsh ka kallëzuar shtetasi E. Xh., 42 vjeç, se në kasafortën e objektit të kultit fetar, që ai ka në administrim, në fshatin Grabovë, kanë vjedhur një shumë parash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Mes akuzave për destabilizim nga Rusia/ Liderët evropianë shprehin mbështetje për Moldavinë, pritet të vizitojnë Kishinaun javën e ardhshme

Presidenti francez Emmanuel Macron , kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti polak Donald Tusk do të udhëtojnë për në Kishinau të mërkurën, më 27 gusht, për një vizitë në mbështetje të Moldavisë , e cila ka akuzuar Rusinë për përpjekje destabilizuese, njoftoi sot presidenca franceze. 

Pas një ftese nga presidentja pro-evropiane Maia Sandu , të tre udhëheqësit do të udhëtojnë për në Kishinau me rastin e 34-vjetorit të pavarësisë së vendit për të “riafirmuar mbështetjen e tyre të plotë për sigurinë, sovranitetin dhe rrugën evropiane të Moldavisë ” .

Presidentja e cila fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor 2024 dhe mbështet Ukrainën, akuzoi Rusinë në fund të korrikut se ka kryer një operacion kompleks dhe të koordinuar ndërhyrjeje “pa precedent” për të sjellë Moldavinë pro-evropiane në kampin e saj në zgjedhjet parlamentare në shtator. 

Moska dëshiron të jetë në gjendje ta “vërë nën kontrollin e saj që nga vjeshta” këtë vend që kufizohet me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën, falë mekanizmave të blerjes së votave dhe financimit me ” kriptovalutë “, pasi ka parashikuar një shpenzim prej “100 milionë eurosh” për këtë qëllim , denoncoi presidenti, duke theksuar gjithashtu përgjegjësitë e rrjetit social Telegram. 

Maya Sandu akuzoi dy forcat kryesore të opozitës se e kanë përdorur këtë plan për ta privuar atë nga shumica në parlament, gjë që do ta sillte këtë ish-republikë sovjetike më afër integrimit të saj në BE.

Rama: Gjyqtari Demiri bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun”, s’do tolerojmë asnjë që pengon programe në interes të publikut

Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me vendimet e gjykatësit Klarent Demiri, i cili ka penguar ekzekutimin e vendimeve të çlirimit të hapësirave publike të zëna.

“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë theksoi se, qeveria nuk do të tolerojë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

“Një gjë është pak po e sigurtë: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut”, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se edhe për këtë gjykatës qeveria do t’i drejtohet organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit.

“Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajën e tyre”, theksoi Rama.

Të shtënat me armë në Kombinat, autori qëlloi drejt automjetit të 37-vjeçarit

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:10, në rrugën “Petraq Leka” dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit me të cilin po lëvizte shtetasi E. K., 37 vjeç. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, gjeneralitet e të cilit nuk jepen, për shkak se hetimi vijon.

Po punohet intensivisht për dokumentimin e rrethanave të rastit si dhe kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.

❌