Reading view

Axhenda e shurdhit

Nga Skënder Minxhozi/

“Ajo që thoni ju s’ka asnjë lidhje me përkrahjen për qeverinë. Ka qenë një datë e vendosur shumë muaj më parë. Eshtë krejt gjë tjetër”. Kjo qe përgjigja që Sali Berisha i dha një gazetari televiziv gjatë fushatës, kur ai e pyeti për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohej në Tiranë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit. Në atë rast, por edhe në të tjera rrethana, Berisha përpiqej rregullisht ta minimizonte rëndësinë e atij aktiviteti edhe pse në mes të Tiranës kish nisur të marrë formë ngrehina e përkohshme ku do të mbahej Samiti.

Ishte preludi i atij takimi i cili do të sillte një breshëri urimesh në adresë të Edi Ramës për “fitoren në zgjedhje”. Megjithëse kutitë ishin ende duke u numëruar dhe tradita shumëvjeçare e zgjedhjeve shqiptare këshillonte kujdes në deklarata dhe urime. Ato vinin si rregull pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të zbardhte zyrtarisht rezultatin final.

47 krerë shtetesh e qeverish të Evropës nuk mjaftuan që Sali Berisha të mos i hynte detit në këmbë për të bindur shqiptarët se fitorja e Ramës qe në fakt një humbje dhe se ai ishte më i izoluar se kurrë nga ndërkombëtarët pasi kishte vjedhur zgjedhjet. Gjithçka e kthyer kokëposhtë, gjithçka e parë në të kundërtën e saj. Është një axhendë politike që shpërfill realitetin, duke ndërtuar një të tillë enkas për vete.

Këtë po shohim edhe në këtë muaj të parë pas zgjedhjeve parlamentare, kur fitorja e qeverisë dhe humbja e opozitës janë të dyja të përmasave madhështore. Siç e thoshte edhe slogani elektoral i Partisë Demokratike. Më e para lojë pasqyrash që lidhet me zgjedhjet u luajt me urimin e munguar, e më pas të anatemuar të qeverisë amerikane. Pasi Berisha e pati të vështirë ta konsiderojë turravrapin e hareshëm të Von Der Leyen mes shiut në krahët e Edi Ramës, si një shuplakë të Brukselit për Tiranën, ai u hodh matanë Atlantikut. “Pse s’po vjen urim nga amerikanët”? “Ta shihni që do t’i hedhin poshtë zgjedhjet, Rama i ka ditët e numëruara”!

Loja e heshtjes me Amerikën i dha hov edhe një herë më tepër teorive të komplotit për gjithfarë urdhërash e mesazhesh sekrete që Trump i paskesh dërguar Edi Ramës, ndërkohë që sipas të njëjtave teori Altin Dumani bënte gati prangat për kryeministrin me dosjen e Mcgonigalit në dorë. E gjitha sipas parimit shvejkian “e ç’më duhet mua se çfarë them unë”?!

E njëjta axhendë propogande prej shurdhi e cila shpërfill çdo lidhje me të vërtetën dhe realitetin ka pushtuar edhe temat e tjera të aktualitetit politik. Hapen kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, e menjëhershme vjen replika: mirë që u hapën, po shihni kur do të mbyllen! Deklarojnë zyrtarët më të lartë të BE, përfshirë komisioneren e zgjerimit Marta Kos se Shqipëria mund të aderojë në Union brenda vitit 2030, sërish opozita vijon me të vetën: Rama na ka izoluar si askush më parë me miqtë e partnerët!

Për të disatën herë gjatë ditëve të fundit Berisha po pretendon se ministri i jashtëm Igli Hasani ka kërcënuar misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR me qëllim që ata të ndryshojnë qëndrim në përpilimin e raportit final të zgjedhjeve të 11 majit. Çka e detyroi misionin në fjalë të deklarojë zyrtarisht për median shqiptare se “nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet”. E megjithatë, sado i qartë e pa ekuivok të jetë ky paragraf, sërish nuk ka ndonjë garanci se Berisha nuk do e përsërisë historinë e ministrit të jashtëm me misionin sipas versionit të tij. E ka fajin axhenda e shurdhit!

Është po kjo axhendë që prodhoi fantazmën e trenit bullgar apo të 130 mijë votave të munguara, që vijojnë të mbeten akuza pa prova. Apo edhe më keq, të provuara si të pavërteta. Axhenda e shurdhit bën të dalin në plan të dytë e të mos përmenden devijimet e votave brenda listës së opozitës, kalimet e votave nga një kandidat tek tjetri, shoqeruar me akuza publike mes emrave të njohur të Partisë Demokratike.

Nevoja urgjente për një fabul justifikuese për humbjen e thellë krijon prioritete të cilat nuk kanë lidhje me realitetin, por me interesin partiak. Në vitrinë është ulur këmbëkryq axhenda e shurdhit. Jo e atij që nuk dëgjon, por shumw më keq se kaq. Axhenda e atij që dëgjon, sheh dhe kupton, por bën sikur nuk disponon asnjërën nga këto aftësi. Dhe ky është invaliditeti më i keq sepse të çon rregullisht t’i biesh murit me kokë.

The post Axhenda e shurdhit first appeared on JavaNews.al.

  •  

Forcat izraelite: Po vijojmë sulmet kundër objektivave në Iran

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran.

Në një njoftim të shkurtër të publikuar në Telegram, IDF shkruan se “Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të godasin objektiva për të eliminuar kërcënimet në Iran”.

Ky zhvillim vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit ndaj bazave ushtarake iraniane, ku sipas IDF-së, u vranë tre komandantë ushtarakë iranianë.

Pas këtij sulmi, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit në orët e mëngjesit të së shtunës.

The post Forcat izraelite: Po vijojmë sulmet kundër objektivave në Iran first appeared on JavaNews.al.

  •  

Sulmet iraniane mbi Izrael vrasin 3 persona, plagosen më shumë se 80 të tjerë

Irani dhe Izraeli shënjestruan njëri-tjetrin me raketa dhe sulme ajrore në orët e para të së shtunës, pasi Izraeli nisi ofensivën e tij më të madhe ajrore ndonjëherë kundër armikut të tij të hershëm në një përpjekje për ta parandaluar atë të zhvillojë një armë bërthamore.

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë Izraelin, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, duke i detyruar banorët të nxitonin në strehimore ndërsa valë të njëpasnjëshme raketash iraniane u përhapën në qiell dhe interceptorët izraelitë u ngritën për t’i kapur ato.

Dy persona raportohet të kenë humbur jetën dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur pasi një raketë iraniane goditi në jug të Tel Avivit, thanë shërbimet e emergjencës të Izraelit.

Një numër i madh i ndihmësve mjekësorë u dërguan në vendngjarje, ku gjetën dëme të shumta dhe një numër njerëzish të bllokuar nën rrënoja.

 

 

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të shtunën se udhëheqja iraniane kishte kaluar vijën e kuqe duke qëlluar civilët dhe se do të “paguajë një çmim të lartë për këtë”.
Një raketë e shkrepur nga Jemeni nga milicia Huthi e mbështetur nga Irani, vrau pesë palestinezë, përfshirë tre fëmijë, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Në Iran, disa shpërthime u dëgjuan gjatë natës në kryeqytetin Teheran, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.

Agjencia e lajmeve Fars tha se dy predha goditën aeroportin Mehrabad të Teheranit, dhe media iraniane tha se atje u raportuan flakë. Pranë vendeve kryesore të udhëheqjes iraniane, aeroporti strehon një bazë të forcave ajrore me avionë luftarakë dhe avionë transporti.

I dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se 78 persona, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, janë vrarë në sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit dhe më shumë se 320 të tjerë janë plagosur, shumica prej të cilëve civilë.

Teherani nisi një valë sulmesh ajrore të shtunën pas dy sulmeve ajrore të premten në mbrëmje, raportoi Fars. Një nga valët e sulmeve ajrore shënjestroi Tel Avivin, qendrën tregtare të Izraelit, para agimit të së shtunës, me shpërthime të dëgjuara deri në Jerusalem, thanë dëshmitarët.

Këto ishin në përgjigje të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit herët të premten kundër komandantëve, shkencëtarëve bërthamorë, objektivave ushtarake dhe lokacioneve bërthamore. Irani mohon se aktivitetet e tij të pasurimit të uraniumit janë pjesë e një programi sekret armësh.

(BalkanWeb)

The post Sulmet iraniane mbi Izrael vrasin 3 persona, plagosen më shumë se 80 të tjerë first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌