Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Sokol Malaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit tw Tiranws Sokol Malaj.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 29/2023, datë 12.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Sokol Malaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 659, datë 12.05.2023.

‘Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 659, datë 12.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Sokol Malaj. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në vendim. m.p.

Gjermania injoron kritikat, vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit

Sipas shifrave zyrtare të publikuara, Gjermania ka vazhduar eksportet e saj ushtarake drejt Izraelit në muajt e fundit pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Gaza.

Qeveria gjermane konfirmoi se ka miratuar pajisje ushtarake dhe armë me vlerë 250,5 milionë euro për Izraelin midis 1 janarit 2024 dhe 26 qershorit 2025. Sipas shifrave zyrtare, licencat e miratuara të eksportit kanë arritur në 161,1 milionë euro në vitin 2024 dhe 28 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2025.

Qeveria i publikoi këto shifra në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë e opozitës, e cila bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve të armëve për Izraelin.

Gjermania ka qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqës politikë që vazhdimisht përmendin përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit të rrënjosur në të kaluarën naziste të Gjermanisë dhe Holokaustin.

Eksportet e armëve në Izrael u pezulluan për një kohë të shkurtër vitin e kaluar kur Nikaragua ngriti padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke akuzuar Gjermaninë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza.

Zyrtarët gjermanë më vonë rifilluan eksportet duke argumentuar se kishin marrë garanci me shkrim nga Izraeli në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar. Ata gjithashtu përmendën kërcënimin e paraqitur nga Irani si justifikim tjetër për rifillimin e dërgesave të armëve.

Që kur Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza në vitin 2023, më shumë se 58.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100.000 të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli aktualisht përballet me një padi për gjenocid në GJND për veprimet e tij në Gaza, ku të paktën 1,9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe vuajnë nga mungesa të mëdha ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe artikujsh të tjerë thelbësorë. m.p.

Gjermania dhe BE: Sulmet ndaj gjyqtarëve në Kosovë janë të papranueshme

Ndërkombëtarët reagojnë në mbrojtje të Gjykatës Supreme të Kosovës pas shfuqizimit të vendimit të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat fiskale.

Shefi i misionit të Bashkimit Europian, Aivo Orav, përmes rrjetit social X, thekson se sulmet ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme. “Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, shkruan diplomati europian.

Gjithashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e mbështeti këtë qëndrim. “Është më e pakta që i duhet këtij vendi në këtë situatë politike tashmë të vështirë”, shkruan diplomati gjerman në Kosovë.

Kurse misioni i OSBE-së, përmes një reagimi zyrtar, thekson rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit. m.p.

“Më pëlqejnë!” Ribery motivon Bayernin për 2 blerje në merkato

Franck Ribery duket optimist për merkaton e Bayern. Legjenda e skuadrës bavareze, në një intervistë për Sport Bild, i ka lavdëruar dy lojtarët që po kërkon Bayern.

“Nick Woltemade? Më pëlqen. E pashë me kombëtaren kundër Portugalisë. Duket lojtar premtues. Pavarësisht se është i gjatë, ka shumë teknikë. Profili i tij është i pazakontë në kohët e sotme. Do të ishte një blerje me impakt”.

I pyetur për Luis Díaz, francezi ka thënë: “Ajo që ka treguar te Liverpool është fantastike. Dëmtimet e kanë penguar, por duket se është lojtar me karakter të fortë”. m.p.

Macron kundër planit të NATO: Jo armëve amerikane për Ukrainën

Franca nuk pritet t’i bashkohet një nisme të mbështetur nga NATO, e cila synon që vendet evropiane të financojnë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën. Sipas raportimeve të Politico, presidenti Emmanuel Macron ka theksuar rëndësinë e forcimit të industrisë së mbrojtjes brenda Evropës dhe mbështet prodhimin vendas të armëve, si pjesë e një strategjie për të rritur pavarësinë ushtarake të kontinentit.

Ky qëndrim konsiderohet si një ndër arsyet kryesore pse Parisi ka refuzuar të përfshihet në planin e ri të NATO-s, i cili parashikon përdorimin e rezervave ekzistuese të armëve nga vendet anëtare dhe më pas rimbushjen e tyre me blerje të reja nga SHBA. Përveç kësaj, Franca po përpiqet të rrisë investimet në mbrojtje në një kohë kur përballet me presion për të ulur borxhin publik dhe për të stabilizuar financat e saj.

Nga ana tjetër, Gjermania ka dalë si një ndër mbështetëset kryesore të planit. Kancelari Friedrich Merz i ka komunikuar presidentit amerikan Donald Trump se Berlini është i gatshëm të luajë një rol kyç në furnizimin me armë për Kievin. Për Gjermaninë, blerja e armëve amerikane shihet si një zgjidhje praktike dhe e shpejtë, për shkak të kapacitetit të kufizuar të prodhimit të industrisë evropiane të mbrojtjes.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në Uashington, nënvizoi përkushtimin e Gjermanisë për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen evropiane, duke theksuar se roli i SHBA-së mbetet thelbësor për sigurinë kolektive të aleancës. Ai bëri të ditur gjithashtu se Berlini është në bisedime me SHBA-në për një blerje të mundshme të raketave me rreze të gjatë veprimi Typhoon, si një alternativë e shpejtë për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës.

Kjo lëvizje vjen pasi Gjermania ka premtuar edhe financimin e dy sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur Britaninë e Madhe, Holandën dhe katër vende nordike si ndër vendet që mbështesin këtë iniciativë.

Më 14 korrik, Donald Trump konfirmoi një marrëveshje mes SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO për dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë, me kusht që kostot të mbulohen nga shtetet anëtare të aleancës. m.p.

Shkodër, përfshihet nga zjarri masivi pyjor i Qafë-Qelës

Një zjarr ka rënë sot në pyjet mes Vaut të Dejës dhe Pukës. Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Qafë- Qelës. Në këtë masiv pyjor janë shfaqur papritur disa vatra zjarri gjatë mesditës së sotme. Sipërfaqet e përfshira nga flakët janë shkurre.

Për vënien nën kontrollë të flakëve kanë shkuar zjarrfikës nga Puka dhe Vau i Dejës. Vatrat e zjarrit dyshohet të jenë ndezur qëllimisht. m.p.

“Nuk garoj në festivale, sepse fituesi paracaktohet! Këtu funksionon vetëm miku”

Iftuar në episodin e radhës në podcastin “FLET” me Ilnisa Agollin në Top Channel dhe Top Albania Radio ka qenë Stine, një nga kantautorët dhe artistët më të njohur në vendin tonë. Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që ka krijuar gjatë karrierës së tij. Në këtë intervistë ai është rrëfyer si kurrë më parë.

Mendon Stine se e ka prekur kulmin e karrierës nuzikore?

Jo, nuk e kam prekur. Akoma nuk e kam filluar. Nuk kam prekur as çerekun.

Festivalet sot dhe vite më parë. Ku qëndron diferenca mes tyre dhe a ka një urë midis të shkuarës dhe kësaj të tashmes kur i krahason?

Janë dy kohë të ndryshme, atëherë ishte një sitë, artistët mendoheshin më shumë për atë eventin e festivalit. Mundoheshin që t’i sillnin më të mirat sepse vetëm ai ishte. Kurse tani po nxjerrin aq shumë sa që nuk dëgjojmë as të mirat dhe as të këqijat e muzikës.

Nesti që flet, Stine që dëgjohet nga publiku! Artisti rrëfen pse zgjodhi që emrin e artit ta kishte të tillë: “Plotësojnë…” I mungon kjo kohë Stines?

Sigurisht që po, më mungon.

Si mund të përshtatet një artist në një kohë ku bëhen manipulime në këto festivalet e sotme?

Nuk përshtatesh dot, duhet të bësh kompromis me marrëveshjen ose do tërhiqesh. Nuk ke çfarë bën.

A nënkupton kjo që sot bëhen manipulime?

Absolutisht që po.

Stine merr pjesë ne festivale sepse përfshihet emocionalisht në to apo për të lançuar një këngë të re?

Unë nuk e di nëse do të marr më pjesë në festivale sepse më duhet ta them. Nëse kam marrë pjesë, e kam bërë që të jem brenda në konkurrencë sepse më pëlqen shumë konkurrenca, por që në momentin që merret vesh që gjithçka është parashkruar vetëm konkurrencë që nuk ka aty. Kjo më bën që unë të mos e marr mundimin. Këto lloj organizimesh që bëhen, vetëm artistët e mirë që nuk mund të promovohen. Promovohen miq dhe prandaj jemi këtu ku jemi. Ky është një favor, një ndër shkaqet. m.p.

Shpresë, Frikë dhe Besueshmëri, Trinom i Pashkëputur në Udhëtimin Europian të Shqipërisë

Nga Fejzo Subashi

Prej më shumë se tridhjetë vitesh, Shqipërinë e kanë shoqëruar tri ndjenja të fuqishme në udhëtimin e pa fund të saj drejt Europës: Shpresa, Frika dhe Besueshmëria. Këto ndjenja nuk janë thjesht emocione, të shpërndara në kohë dhe rrethana, por janë bërë komponentë të pandarë të identitetit tonë europian të vonuar. Që nga rënia e regjimit komunist, në vendin tonë është shpresuar, është pasiguruar dhe është vënë në pikëpyetje çdo marrëdhënie me veten dhe me të tjerët.

Shpresa: Rruga që nuk shuhet

Shpresa ka qenë motori më i fuqishëm i këtij rrugëtimi. E shprehur fillimisht në fillesat e saj, me gjuhën e protestës, të rinisë, sidomos asaj studentore, të arratisjes, dhe më pas të kërkesës për integrim. Shpresa ka ndriçuar horizontin tonë kombëtar. Por është një shpresë që ka zgjatur më shumë seç duhej. Është shpresa e brezave që lindën në fillim të viteve ’90, të cilët sot janë prindër, profesionistë, emigrantë, qytetarë të sprovuar. Është po ashtu shpresa e një brezi më të vjetër, që dikur ëndërronte për “Europën që na takon”, por sot është plakur me një ndjenjë pezmi dhe mosbesimi.

Në një shoqëri normale, shpresa duhet të pasohet nga përmbushja, nga hapat konkretë. Por në Shqipëri, shpresa është bërë një gjendje e përhershme. Dhe për ironi, ajo sot mbahet gjallë më shumë nga vetë europianët që besojnë ende se Shqipëria mund të ndryshojë, sesa nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që kanë nisur të lodhen nga pritja.

Frika: Historia që nuk duam ta kujtojmë

Frika është motra binjake e shpresës në këtë rrugëtim. Ka qenë frika nga destabiliteti, nga vetë-shkatërrimi, nga krizat që shpesh i kemi shkaktuar vetë. Kriza e vitit 1997, lufta në Kosovë, përplasjet politike të dhunshme, shpërdorimi i institucioneve, konfliktet që gjithnjë janë afruar rrezikshëm me kaosin, këto nuk janë thjesht episode, por plagë të pashëruara në ndërgjegjen tonë kolektive.

Frika është gjithashtu ajo që ka penguar shumë vende europiane të japin një dritë jeshile për integrimin. Ata shohin ende një vend ku demokracia është më shumë procedurë sesa kulturë, ku shteti i së drejtës është më shumë një slogan se një realitet funksional. Dhe kjo frikë nuk lind nga paragjykimi, por nga përvoja.
Besueshmëria: Aty ku fillon (dhe mbaron) gjithçka

Ndër të treja, besueshmëria është ndoshta elementi më kritik. Ajo nuk fitohet me deklarata, por ndërtohet në heshtje, me veprime të qëndrueshme. Pikërisht këtu kemi dështuar më shumë se kudo.

Kancelaritë europiane janë lodhur nga premtimet e përsëritura dhe nga ndryshimet e përkohshme që s’ndërtojnë institucione, por mbajnë në këmbë individë. Qeveritë tona kanë shpesh më shumë talent për të manipuluar perceptimet, sesa për të ndërtuar besim të qëndrueshëm. Në vend të një vazhdimësie në reforma, kemi pasur ndërprerje, kthime prapa, diletantizëm, ose më keq: qëllime të fshehura pas fasadës europiane.

Në këtë klimë, edhe qytetarët kanë humbur besimin, jo vetëm tek politika, por edhe te vetë ideja e integrimit si diçka që mund të ndodhë në jetën e tyre. Dhe këtu nis problemi më i madh: kur nuk ke më besim as në veten tënde, as tek partneri yt, atëherë çdo marrëdhënie bëhet thjesht një formalitet që ushqehet nga dyshimi dhe jo nga dëshira.

Tre mesazhe, për tri palë përgjegjësish

Ky shkrim nuk është vetëm reflektim, por thirrje për veprim , në tri drejtime:

Së pari duhet të ndërgjegjësohen vetë kancelaritë europiane se: Shqipëria nuk është thjesht një vend i vogël në Ballkan. Ajo është një simbol i një bote që kërkon të jetë pjesë e Europës pa kthyer kurrizin ndaj historisë së saj. Gjykoj se këto kançelari duhet ta ndihmojeni vendin ton jo vetëm me rekomandime teknike, por edhe me një vullnet të qartë politik që të vendosë një standard të ri për integrimin, bazuar në realitet, por edhe në përgjegjësi të përbashkëta. Ata duhet të reflektojnë , ashtu si edhe ne, pasi përgjegjësia ndaj historisë së djeshme më shumë peshon nga ata.

Për klasën politike shqiptare: Integrimi europian nuk është dhe as duhet të jetë një çështje retorike. Ajo nuk duhet të jetë vetëm pjesë e platformave elektorale. Integrimi duhet të jetë për klasën politike një kontratë përgjegjësie politike dhe morale me popullin dhe me të ardhmen. Ku parsor të jetë qëllimi ku të dërtoni institucione, jo emra. Jepni besim, jo fjalë. Zbatoni reforma që sjellin drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të ndershme, jo thjesht rekomandime që plotësojnë raportet ndërkombëtare.

Absolutisht ky hap vërtet rrënjësor i pa realizuar deri dje kërkon dhe detyra dhe detyrime për qytetarin shqiptar ku: Shpresa është e vlefshme, por jo e mjaftueshme. Të drejtën për të qenë pjesë e Europës e kemi, por edhe detyrën për të qenë europianë në sjellje, në përgjegjësi, në vetëdije. Pa këtë, Europa mbetet vetëm një ëndërr, dhe jo një shtëpi ku mund të hyjmë me dinjitet. m.p.

Tiranë, gjendet i pajetë në makinë një 29-vjeçar

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të mërkurë në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij.

Mësohet se viktima është shtetasi E.D., rreth 29 vjeç, i cili është konstatuar i pajetë nga familjarët në parkimin e pallatit ku banonte.

Sipas burimeve paraprake, nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e vdekjes. m.p.

“A të thashë se Shabani është njeri i Veliajt?” Profesori i kujton lutjen Lapajt

Pas kërkesës së Zeqir Kordhonit në KQZ, se do të mbajë mandatin e deputetit që fitoi nga koalicioni “Nisma Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani kanë nisur një përplasje virtuale ku hedhin akuza ndaj njëri-tjetrit.

Adriatik Lapaj i cili u fut në zgjedhje në koalicion me Endri Shabanin e Nismës Thurje, shpërtheu i indinjuar përmes një postimi në Facebook ku u shpreh se nuk e dinte se do luftohej nga ana që ‘’i futa në gji”.

Të shumta kanë qenë reagimet publike, një ndër to edhe profesori nga Saranda Skerdjan Dhuli i cili i komenton se i ishte lutur, i kishte shkruar qindra herë duke e paralajmëruar të mos dilte në koalicion me Shabanin, pasi ishte njëriu i Veliajt, por Lapaj nuk e kishte dëgjuar.

Këtë koment e ka konfirmuar dhe vetë Adriatiku i cili i shkruan se e pranon që iu lut dhe paralajmëroi, por si duket tashmë shumë vonë. m.p.

Aksident në aksin Elbasan-Librazhd, dy të lënduara dërgohen në spital

Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Sipas raportimeve, nga përplasja e dy automjeteve kanë mbetur të plagosur dy pasagjere ndërsa ka nisur procedimi penal për një prej shoferëve.

Të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spital ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin J. M., 27 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjetin që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. B., 50 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin K. B”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. m.p.

Serbia po mbushet me mercenarë rusë! Po bëhet gati një grusht shteti

Mercenarët e paguar nga Rusia kanë zbarkuar në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë. Kështu shkruan, pas një investigimi të hollësishëm, grupi mediak i Balkan Insight.

Ajo thekson se, Agjencitë ruse të inteligjencës kanë ngritur kampe trajnimi për mercenarë në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë për të përgatitur pjesëmarrësit për një përpjekje për grusht shteti në Moldavi.

Qytetarët moldavë u rekrutuan për operacionin dhe u kërkua të dorëzonin telefonat dhe pasaportat e tyre para se të fillonte trajnimi. Përgatitja përfshinte, ndër të tjera, trajnim në operacionin me dronë.

Maksim Rosca, një nga mercenarët, zbuloi se pjesëmarrësve iu premtua një shpërblim prej 300 deri në 500 dollarë për përfundimin e një kursi intensiv 10-ditor.

Në një intervistë me mediat moldave, Rosca zhvilloi trajnimin fillimisht në entitetin pro-rus të Republika Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës, me popullsi kryesisht serbe, dhe më vonë në një fshat të quajtur Radenka, në Serbinë lindore. Pagesat thuhet se janë bërë në kriptomonedha. Sipas hetimit, seancat trajnuese u mbajtën midis 1 dhe 16 gushtit, dhe përsëri nga 22 gushti deri më 11 tetor 2024, në të dy vendet.

Operacioni kishte për qëllim të minonte zgjedhjet presidenciale në Moldavi, të cilat u zhvilluan në vjeshtën e vitit 2024. Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës mohojnë zyrtarisht ekzistencën e kampeve të stërvitjes në territorin e tyre, por zyra e prokurorit vendas ka nisur tashmë një hetim.

Në Serbi, policia zbuloi mbetjet e një kampi – letra të djegura, gjurmë të mushamasë së djegur dhe tokë të djegur. Sipas raporteve të medias pranë autoriteteve serbe, në vend u zbuluan gjithashtu dronë, syze mbrojtëse, pajisje komunikimi satelitor Starlink dhe lëngje të ndezshme.

Zyrtarët serbë nuk kanë dhënë ende asnjë koment. Instruktorët thuhet se janë të lidhur me Ëagner PMC ruse dhe individë që janë nën sanksione të BE-së. m.p.

Dash Sula ironizon Lapajn: “Po vuan atë që të paralajmërova”

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar lidhur me përplasjen e sotme mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e fituar nga koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ironizuar situatën e krijuar, Sula shprehet se kur do t’i bësh gropën tjetrit, bie vetë brenda.

Ai rikthen në kujtesë një bisedë të zhvilluar me Lapajn në momentin që po pretendonte për të kandiduar në listën e ‘Nismës Shqipëria Bëhet’ në Elbasan, shkruan A2 CNN.

Sula tha se Lapaj gjatë bisedës e kishte siguruar se ata që ishin në listë të mbyllur do të jepnin dorëheqjen dhe nëse deputeti demokrat do të merrte më shumë vota nga anëtarët e tjerë të listës së hapur në Elbasan, do të merrte mandatin automatikisht, gjë që sipas tij aktualisht nuk po ndodh në Tiranë.

POSTIMI:

“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson. Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja tek ajo gjë që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mendësitë e partive të vjetra”. m.p.

VIDEO: Zjarr në skenën e festivalit më të madh të muzikës elektronike

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë skenën kryesore të festivalit të famshëm “Tomorrowland”, që mbahet në Boom, Belgjikë. Zjarrfikësit janë aktualisht në vendngjarje dhe po përpiqen të vënë nën kontroll flakët.

Sipas VRT News, ende nuk ka të dhëna të konfirmuara nëse ka persona të lënduar. Në momentin që shpërtheu zjarri, në vendngjarje nuk kishte vizitorë, pasi festivali pritet të nisë të premten, por rreth 1,000 punonjës ndodheshin në zonë.

Banorëve përreth u është kërkuar të mbajnë dritaret dhe dyert e mbyllura për shkak të tymit të dendur. Pamjet e publikuara tregojnë flakët që kanë përpirë skenën kryesore, ndërsa re të mëdha tymi ngrihen në ajër. Në sfond dëgjohen edhe fishekzjarre që shpërthejnë, por mbetet e paqartë nëse ato kanë lidhje me shkakun e zjarrit.

Tomorrowland është një nga festivalet më të mëdha të muzikës elektronike në botë, që mbledh çdo vit mijëra adhurues nga e gjithë bota. m.p.

Lapaj-Shabani, zbulohet arsyeja e konfliktit: Bashkia e Tiranës!

Top Channel pretendon se ka zbuluar arsyen e përplasjes së Adriatik Lapajt me Endri Shabanin.

Sipas këtij burimi, divorci politik Lapaj-Shabani shkon përtej një mandati deputeti dhe si shkak ka mungesën e dakortësisë për një tjetër garë të pritshme, atë të bashkisë së Tiranës.

Endrit Shabani projektonte veten si kandidatin e vetëm të koalicionit kurdo që të bëhen zgjedhjet, ambicie që mesa duket nuk i ka shkuar për shtat aleatit të tij, për të cilin Shabani kishte një kundërpërgjigje.

Me pak fjalë, Shabani ka dashur të kandidojë për bashkinë e Tiranës si kandidat i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, kurse Lapaj ka preferuar një emër tjetër. Ndoshta ekonomistin Panajot Soko.

Takimet speciale me eskorta, Policia e Burgjeve nis kontrollet!

Pas skandaleve të njëpasnjëshme në burgjet e vendit, ku të burgosurit janë kapur me celularë si dhe takime speciale me eskotra dhe modele të njohura nga showbizzi shqiptar, Policia e Burgjeve ka zbarkuar në paraburgimin 313 dhe 302 ku po ushtron kontrolle blic.

Nga burimet e para për mediat mësohet se kontrollet e hollësishme po ushtrohen në qeli për sende të ndaluara si telefon dhe arme të ftohta.

Inspektimi i imtësishëm në të gjitha burgjet e vendit ka nisur prej mbrëmjes së djeshme dhe raportohet të ketë përfunduar mëngjesin e sotëm ku është kontrolluar për sende të ndaluara të futura brenda nëpër qeli si dhe gjithashtu është bërë kqyrja e të gjitha kartelave të takimeve për disa të burgosur specifikë.

Kujtojmë se dy javë më parë, gjatë një kontrolli të ushtruar në burgun e Drenovës është kapur me telefon celular Laert Haxhiun, një prej të dënuarve për krime të rënda, i njohur për përfshirjen në “Masakrën e Lushnjës”. m.p.

Riaktivizohen zjarret në Drenovë të Mallakastrës, zjarrfikësit në terren

Ditën e djeshme forcat zjarrfikëse arritën të vendosnin nën kontroll zjarrin në Drenovë të Mallakastrës, por mësohet se vatra është aktivizuar sërish.

Burimet për median bëjnë me dijë se zjarri është riaktivizuar në masivin pyjor të Drenovës. Shërbimet zjarrfikëse kanë rinisur operacionin për shuarjen e flakëve, por mësohet se situata është e vështirë për shkak të terrenit malor.

Kujtojmë se zjarri në Drenovë kanë rënë disa ditë më parë dhe janë proceduar penalisht tre persona të cilët dyshohet se kanë ndezur zjarr në tokat e tyre për djegien e mbeturinave, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në sipërfaqet pyjore dhe të mbjellave me vreshta dhe pemë frutore. m.p.

“Ka shkelur djersën e Adriatik Lapajt”, themeluesi i Nisma Thurje sulmon Endri Shabanin

Bashkëthemeluesi i Nisma Thurje, Napolon Laska, i ka dedikuar një shkrim në Facebook kreut të kësaj partie, Endri Shabani, duke shkruar se ky i fundit është mashtrues dhe se ka përvetësuar 240 mijë euro në 4 vite.

Duke iu referuar lajmit të sotëm, ku Shabani përdori dajën për të penguar mandatin e Lapajt, Laska shkruan se Shabani ka shkelur në mundin dhe djersën e Lapajt dhe mijëra aktivistëve.

“Si themelues dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Nisma Thurje duke marrë shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit, nuk mund të rri i heshtur dhe pa thënë disa gjëra të cilat meritojnë vëmendjen e publikut. Kur është themeluar Nisma Thurje si parti, në fund të vitit 2020, statuti parashikonte që mos të kishte një kryetar të modelit të forcave të vjetra politike, por të kishte rotacion çdo 2 vite pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjithashtu, kryetari edhe pse i sanksionuar në statut si i tillë për shkak të kërkesave të ligjit, nuk kishte të drejtë vendimmarrje, por vendimmarrjen e kishte Çentrali, organ I partisë në të cilin vendimet merreshin në mënyrë demokratike.

Me konsensus në atë kohë, edhe pse ishte përfshirë shumë vonë në Thurjen si organizatë, u vendos që Endri Shabani të ishte kryetar i parë I partisë, ndërkohë u vendos që unë të isha Sekretar i Përgjithshëm. Ndërkohë që të gjithë ishim përqendruar në fushatë Endri Shabani e kishte mendjen si të linte vetëm veten në parti, për të administruar fondet që do vinin nga KQZ.

Pas zgjedhjeve të vitit 2021 duke qenë se Nisma Thurje përfitiu rimbursim për çdo palë zgjedhje të shpenzimeve dhe një fond rreth 240 mijë Euro në 4 vite.
Çdo akt i dorëzuar në gjykatë, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, për shkarkime apo zgjedhje apo zgjatje mandati në forumet drejtuese në parti është falsifikuar pasi asnjherë nuk është mbledhur kongresi dhe forume të tjera të partisë.
Sigurisht që pas zgjedhjeve u kujdes që të largoheshin dhe ata pak anëtarë që kishin ngelur, duke e kthyer Nisma Thurje nga shpresë për ndryshim në atë kohë, në Partinë njeriut të Vetëm.

Të gjitha këto falsifikime dhe qëndrimi i tij në krye të partisë në kundërshtim me statutin sigurisht që janë bërë për të vjedhur 240 mijë Eurot e akorduara nga KZQ. Ndaj sot, nuk jam i habitur që ky hajdut kronik tenton të vjedhë mandatin e Adriatik Lapajt dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet duke shkelur mbi mundin dhe djersën jo vetëm të Adriatikut por të qindra dhe mijëra aktivistëve e mbi të gjitha mbi besimin e mbi 70mijë votuesve. Hajdutët në politikê i kemi provuar, na dalin e teprojnë kêta që kemi. Si shokët edhe Shabani do vejë në burg ku e ka vendin si hajdut e mashtrues”, shkruan Laska në Facebook.

Qeveria miraton vendimin, hapet pika e kalimit kufitar në aeroportin e Vlorës

Këshilli i Ministrave ka miratuar hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë nisjes së qarkullimit ndërkombëtar të pasagjerëve përmes këtij aeroporti të ri.

Sipas vendimit, pika kufitare do të shërbejë për qarkullimin ndërkufitar ajror të shtetasve, ndërsa për zbatimin e tij janë ngarkuar disa ministri: Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për qarkullimin ndërkufitar ajror të shtetasve.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. m.p.

2 trilionë euro, Von der Leyen prezanton buxhetin e BE-së 2028-2034

Ursula von der Leyen ka zbuluar propozimin e saj për buxhetin e ri të Bashkimit Evropian me vlerë 2 trilionë euro midis viteve 2028 dhe 2034, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 1.21 trilionë euro të miratuar nga udhëheqësit në verën e vitit 2020.

“Është një buxhet për një epokë të re që përputhet me ambicien e Evropës”, tha presidentja e Komisionit Evropian të mërkurën pasdite.

“Kjo adreson sfidat e Evropës. Kjo forcon pavarësinë tonë”, tha ajo, sipas medias së huaj.

Projekti i saj rimodelon strukturën e buxhetit përgjatë tre shtyllave kryesore. 865 miliardë euro për politikën bujqësore, të peshkimit, të kohezionit dhe atë sociale.

410 miliardë euro për konkurrueshmërinë, duke përfshirë kërkimin dhe inovacionin. 200 euro për veprim të jashtëm, përfshirë 100 miliardë euro për Ukrainën.

Ndërsa kontributet direkte nga shtetet anëtare do të mbulojnë pjesën më të madhe të buxhetit, Von der Leyen parashikon gjithashtu taksa të reja në të gjithë BE-në mbi mbeturinat elektrike, duhanin dhe fitimet e korporatave për t’i lejuar Brukselit të mbledhë të ardhura shtesë vetë. m.p.

❌