Iu deshën më shumë se 7 muaj si president për të kuptuar se Putin nuk dëshiron paqe. Lideri amerikan, Donald Trump, mësoi kush ishte i keqi dhe i miri në luftën e nisur nga Rusia kundër Ukrainës.
Pasi ndërhyri me bomba 13 tonëshe për të rivendosur paqen e trazuar në Lindjen e Mesme, kreu i Shtëpisë së Bardhë po llogariste zgjidhjen edhe të një tjetër konflikti në botë. Por një telefonatë me Kremlinin e solli atë me këmbë në tokë dhe biseda e shkuar keq me presidentin rus, Vladimir Putin, e zemëroi Trumpin deri në pikën sa ndryshoi edhe fjalët për të. Në ditët e para të presidencës e vlerësonte si një lider që dëshironte paqen, tek paralajmërimet serioze për të ndaluar sulmet në Ukrainë, tek pakënaqësitë zyrtare për mungesën e progresit në negociatat e paqes, e deri tek ashpërsimi i gjuhës së papërshtatshme se ishte ngopur me broçkullat e Putinit. Një audio ekskluzive e publikuar nga CNN zbulon një anë tjetër të negociatave që bën Trump pas dyerve të mbyllur. “Nëse vazhdon në Ukrainë, nuk kam alternativë tjetër zoti Putin, do ta bombardoj ashpër Moskën!”, ishte kërcënimi që republikani i kishte drejtuar liderit të Kremlinit, të cilin e pohon vetë në audion sekrete që i përket vitit 2024 në një event për mbledhjen e fondeve të fushatës. Por çfarë sinjalizon i gjithë ky ndryshim në deklaratat publike dhe të fshehta të presidentit të botës së lirë?
“Putinit i thashë: nëse futesh në Ukrainë, do ta bombardoj rëndë Moskën. Po të them sepse nuk kam zgjidhje tjetër. Më pas ai më tha: nuk të besoj. Por e di se ai më besoi mua në masën 10 për qind”, tregon audio e Donald Trump.
Trump më vonë pretendoi se një paralajmërim të ngjashëm ia kishte dhënë edhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, lidhur me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë atij se Shtetet e Bashkuara do ta bombardonin Pekinin si kundërpërgjigje. “Ai mendoi se unë jam i çmendur”, u shpreh Trump, përpara se të pohojë se me të nuk kishte patur kurrë një problem. Deklaratat dhe audio e publikuar nga CNN tregojnë anën tjetër të medaljes së presidentit amerikan, praktikisht mënyrën se si ai negocion pas dyerve të mbyllura. Kremlini ka reaguar lidhur me këtë kërcënim të lëshuar nga Trump, gjuha e të cilit ka ndryshuar në drejtim të Vladimir Putin. Rusia thotë se nuk është e garantuar vërtetësia e artikullit të publikuar nga CNN për kërcënimin me bombardim të Moskës. “Këto kohë ka më shumë lajme false se sa informacion të vërtetë. Megjithatë mund të konfirmoj se në atë kohë nuk kishte bisedime telefonike mes Trump dhe Putin. Po flasim për një kohë kur Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ky i fundit komentoi edhe kritikat e forta që erdhë nga Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në drejtim të presidentit rus, duke nënvizuar se Moska është e qetë lidhur me deklaratat e forta. “Vazhdojmë që të përmirësojmë marrëdhëniet e thyera mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Peskov.
“Frustrimi është fjala që më vjen ndërmend për këtë situatë. Trump ka folur me Putinin 6 herë. Kanë kaluar rreth 6 muaj që kur Trump erdhi në detyrë dhe është përpjekur t’i japë fund kësaj lufte, dhe në thelb ai nuk ka asgjë për të treguar për këtë. Putini jo vetëm që nuk është i gatshëm të bëjë paqe, por ka intensifikuar fushatat e bombardimit të Ukrainës. Dhe kështu mendoj se ajo që po shihni këtu është se Trump thjesht nuk ka më durim. I kam dhënë këtij djali një shans të mirë për të bërë paqe, dhe ai nuk e ka marrë ende shkopin. Mendoj se ndoshta disa gjëra të tjera janë në lojë. Njëra është se ai pati një samit shumë të mirë të NATO-s, dhe po mendoj se prapa skenave, të gjithë i thanë Presidentit Trump: Mos e vendosni Ukrainën nën presion. Dhe gjëja e tretë që mund të jetë në lojë këtu është Irani, ku Trump mori rrezikun për t’u bashkuar me Izraelin në goditjen e objekteve bërthamore të Iranit, dhe kjo me të vërtetë ka funksionuar. Tani kemi një peizazh krejt të ri diplomatik që po hapet në Lindjen e Mesme, dhe mendoj se Trump e kupton tani. Ai duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë nëse do të arrijë një marrëveshje në Ukrainë. Ajo që ndodhi këtu është se keni një grup në Pentagon të udhëhequr nga shefi i politikës, emri i tij është Bridge Colby, i cili për disa vitet e fundit ka thënë se duhet të ndalojmë dërgimin e armëve në Ukrainë. Duhet të përqendrohemi në sfidën e madhe të kohës sonë, dhe kjo është Kina. Dhe mendoj se ai është personi që tha, hej, rezervat po mbarojnë. Duhet t’i pezullojmë këto transferime armësh që janë në pritje. Nëse Trump e dinte për këtë, është e paqartë, por mendoj se është e qartë se kur Trump mori vesh dhe u frustrua pasi telefonata me Putinin nuk shkoi mirë dhe pastaj Putini intensifikoi fushatën e bombardimeve, ai tha, jo, do ta riaktivizoj atë rrjedhë dhe tani duhet të presim dhe të shohim. Tani, nëse e shikoni Trumpin, lexoni gjuhën e trupit të tij, atij po i mbaron durimi dhe mendoj se e kupton që nëse do të marrë një marrëveshje nga Putini, Ukraina duhet ta ndalojë Rusinë në fushën e betejës. Që Ukraina ta ndalojë Rusinë në fushën e betejës, do të duhet një rrjedhë e vazhdueshme e armëve amerikane dhe europiane. Mendoj se varet pak a shumë nga sistemi i armëve për të cilin po flasim, por nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara e kanë lejuar kompleksin e tyre ushtarak-industrial të atrofizohet deri në atë pikë sa thjesht nuk mund të shtypë një buton dhe të prodhojë më shumë raketa Patriot ose më shumë artileri 155 milimetra. Dhe Europa është në të njëjtën situate”. m.p.