Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Berisha takim me deputetët e Bundestagut gjerman: U fola për farsën e 11 majit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka pritur në një takim deputetët gjermanë, Tilman Kuban, anëtar i Komisionit për Çështjet e BE dhe Zëdhënës për Çështjet Evropiane i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, si edhe Dr. David Preisendanz, anëtar i Komisionit për Çështjet e BE-së.

“Vizita e tyre në Tiranë është një dëshmi e vëmendjes së madhe të Qeverisë Gjermane dhe të kancelarit Merz në drejtim të zgjerimit evropian drejt Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor. Misionet faktmbledhëse të Bundestagut, në rajon dhe në Shqipëri, në vlerësimin tim kanë qenë të mirëpritura dhe shumë të dobishme”, shkruan Berisha në Facebook rreth takimit të zhvilluar.

Sipas kryedemokratit, gjatë takimit u shkëmbyen detaje mbi farsën elektorale të 11 majit 2025, që sipas tij lidhen me përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore nga qeveria në fushatë, duke rikthyer kohërat e dikurshme të partisë-shtet.

“Dy deputetëve të nderuar gjermanë u përshkrova modelin autoritar të regjimit, dhe se si Edi Rama ka ndërtuar të parin dhe te vetmin narkoshtet në Europë, që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013. Kartelet shqiptare kanë arritur tanimë të kthehen, falë tij, në organizatat kryesore të kontrollit të trafiqeve nga Amerika Latine dhe Lindja, e deri në portet kryesore të Europës. Një realitet i kriminalizuar dhe i korruptuar është në bazë të eksodit masiv të shqiptarëve, që varfërohen dita ditës që të forcohet narko-shteti i Ramës.

Pa ndryshuar ky model, Shqipëria nuk do të jetë kurrë në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme”, theksoi kreu i PD

Në përmbyllje të takimit Berisha u shpreh se ka mirëpritur mundësinë e organizimit të një misioni fakt-mbledhës nga Bundestagu gjerman, “duke rikujtuar që gjetjet dhe dokumentet e Parlamentit gjerman mbi Shqipërinë në vitet e shkuara kanë qenë gjithmonë tejet të sakta dhe baza solide për raporte edhe më të qenësishëm”, shkruan Berisha.

 

 

 

Tokë e xanun? Blloqe betoni në hapësirën publike, në telashe babë e bir në Tiranë

Vijon puna e policisë në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, për lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.

Konkretisht lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë, për këtë paligjshmëri, ndërkohë që është proceduar penalisht djali i 67-vjeçarit.

Sipas policisë 67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.

“Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën “Ali Demi”.

Sot, nga hapësira u hoqën  blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete.

Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme. Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Hasani me anëtarët e Bundestagut: Gjermania, partner kyç për reformat dhe integrimin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot një takim me anëtarë të Bundestagut gjerman, Tilman Kuban dhe David Preisendanz.

Forcimi i partneritetit dypalësh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe agjenda evropiane ishin pjesë e bashkëbisedimit të tyre.

Ministri në këtë takim ka vlerësuar Gjermaninë si partner kyç strategjik në procesin e reformave dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

“Gjermania është një partner kyç strategjik në procesin e reformave dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

Gjatë takimit të sotëm me Tilman Kuban dhe David Preisendanz, anëtarë të Bundestag, mirëprita dialogun e hapur dhe riafirmova rëndësinë e diplomacisë parlamentare në ndërtimin e besimit dhe avancimin e objektivave tona të përbashkëta evropianë. Presim me padurim të çojmë këtë bashkëpunim edhe më përpara”, shkruan në një postim në Facebook ministri Hasani.

 

 

Egnatia kërkon kualifikimin në Islandë

Mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 21:00, Egnatia do të zbresë në fushë me objektivin për t’u kualifikuar në turin e dytë të Champions League.

Kampionët e Shqipërisë luajnë në transfertë kundër Breidablik në Islandë, duke nisur nga avantazhi minimal 1-0 i ndeshjes së parë të zhvilluar në Rrogozhinë. Në rast kualifikimi, Egnatia do të përballet me ekipin polak Lech Poznań.

Sot në fushë do të zbresin gjithashtu edhe dy ekipe të tjera shqiptare: Drita, kampione e Kosovës, dhe Shkëndija, kampione e Maqedonisë së Veriut. Tv Klan

Vlorë, vijojnë kontrollet/ Kthyen hapësirën publike në parkim, procedim 2 shtetasve

Vijojnë kontrollet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në Vlorë. Sipas policisë u proceduan penalisht dy shtetas që kishin kthyer hapësirën publike në parkim privat.

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve në terren dhe në bashkëpunim me strukturat vendore kanë konstatuar se dy shtetas ushtronin aktivitet tregtar në mënyrë të paligjshme, në një hapësirë publike të administruar nga Bashkia Vlorë.

“Në lagjen “Uji i Ftohtë”, u konstatua se shtetasit E. S., 49 vjeç, dhe S. D., 57 vjeç, ushtronin aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve, pa qenë të pajisur me leje përkatëse nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e hapësirave publike, pa qenë të regjistruar në organet tatimore, si dhe pa poseduar NIPT.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore”dhe “Pushtimi i tokës”, në ngarkim të dy shtetasve E. S, dhe S. D”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon kontrollet intensive për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike, ndërkohë që ju ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112.

“Europa duhet të mbetet civilizim”, Rama flet nga ‘zemra’ e Bavarisë

Kryeministri Edi Rama foli në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, në Bavari të Gjermanisë, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

Fjalimin e tij në Bavari, kryeministri e nisi duke iu kthyer Europës së dikurshme, më saktë Bavarisë, si një simbol i bukurisë dhe vizionit romantik. Prezencën në pallatin historik nuk e cilësoi vetëm nder, por një privilegj të rrallë.

“Të gjendesh këtu, nën harqet e një pallati që lindi nga një ëndërr për bukurinë, vetminë dhe përjetësinë, do të thotë të ndjesh diçka më të madhe se arkitektura. Është të përqafosh një ide që është bërë e përjetshme. Sovrani bavarez që ndërtoi këtë vend u quajt i çmendur. Për përkushtimin ndaj bukurisë, sepse zgjodhi shpirtin, jo shpatën. Romantiku i fundit i madh i pushtetit, sundoi me ëndrra, jo me dekrete.”

Më pas, ndaloi te sfidat aktuale të Europës, në një kohë frike për copëtim, për harresë të asaj që i mban të lidhur popujt.

“Sonte, muzika na fton të kujtojmë se Europa ka qenë dhe duhet të mbetet civilizim. Një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por stil jetese. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një mbledhje rezistence ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor, ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor.”

Kryeministri ndau edhe kujtime nga Shqipëria e komunizmit dhe fëmijëria e tij.

“Në Shqipëri, ne e dimë si tingëllon heshtja. Jetuam për dekada të shkëputur nga sonatat dhe sallat e koncerteve. E megjithatë, muzika gjente rrugën e vet. E mbaj mend kur isha fëmijë dhe shihja filma bardh e zi, me një antenë të paligjshme. Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih e Berlin, fëmijët tanë rriten jo më me ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar.”

Në vijim, përmendi një moment domethënës për Shqipërinë, që e lidh me Bavarinë.

“Si mund të mos kujtoj këtu në Bavari një gjest të guximshëm për Shqipërinë? Në vitin 1984, Franz Strauss erdhi në Shqipëri, jo me kërcënime, por me oferta. Jo për të lëpirë regjimin, por për të hapur një dritare për popullin. Sot, ajo dorë ndihet ende. Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse. Ai moment provon se urat nuk ndërtohen vetëm kur kalimi është i lehtë – ndonjëherë ndërtohen në heshtje.”

Në fund, ai i bëri thirrje Europës që të mbrohet jo vetëm me fuqi, por edhe me me art.

“Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore janë binjake. Europa pa shpirt, nuk është më Europë. Duhet të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e saj! Atë që duhet ta mbrojmë jo vetëm me traktate, jo vetëm me ushtarë, por në rrugë, në klasat e fëmijëve dhe në skutat e fshehta të ëndrrave tona. Le të jemi pak të çmendur, si Ludvigu, sa të besojmë në bukuri dhe ta mbrojmë, ta bëjmë sërish zemrën e Europës.”

Herrenchiemsee Festspiele “është një festival prestigjioz muzikor që zhvillohet çdo verë në ishullin Herreninsel, në liqenin Chiemsee të Bavarisë, Gjermani.

Edicioni 2025 zhvillohet nga 15 deri më 27 korrik, me koncerte të përditshme që fillojnë në orën 19:00. Programi përfshin muzikë klasike të nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e interpretuesve të njohur ndërkombëtarisht. /tvklan.al

Berisha vijon me akuzat: Si i bleu Rama votat me skemat në bujqësi

Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD Sali Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj qeverisë socialiste për blerjen dhe manipulimin e votave në zgjedhjet e 11 Majit. Kryedemokrati përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama, që sipas tij “për të siguruar mandatin e katërt, përdori të gjitha llojet e krimeve elektorale të padëgjuara më parë”.

Sot kreu i PD, Berisha shpjegoi atë që sipas tij qe skema e blerjes së votave në sektorin e bujqësisë.

“Si u blenë votat me skemat në bujqësi? 1. Garancia sovrane për kreditë për SME në bujqësi. 2. Programi kombëtar për subvencionin në bujqësi. Edi Rama në skemën e parë premtoi 70 për qind garanci sovrane për kredi të buta në bujqësi për SME-të. Fondi 250 milionë euro nga 32 milionë euro që kanë marrë fermerët çdo vit. Skema është shpallur me datën 10 shkurt 2025.

Kodi zgjedhor, neni 91/4 dhe vendimi numër 9, viti 2020 i KQZ ndalon çdo lloj transaksioni dhe ndikimi në procesin zgjedhor. Kurse kjo skemë u aplikua gjatë fushatës zgjedhore nga ministrat Denaj, Ibrahimaj, Lubi Balluku, Mazniku dhe shumë të tjerë.

Më 10 shkurt 2025, Edi Rama njofton se garancia sovrane do mbulojë 70 përqind të principalit të kredisë. Faktikisht pra është një blerje masive votash. Pjesëmarrësit në atë takim ishin Anila Denaj, guvernatori i bankës, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e AZHBR.”– deklaroi Berisha, i cili vijoi të përsëriste takimet e zhvilluara me Këshillin e Agrobiznesit, Bashkimin e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Bashkimin e Prodhuesve, e me radhë të gjitha takimet e zhvilluara para zgjedhjeve lidhur me kreditë e buta në bujqësinë.

“Pra, siç e shihni, me skemën e garancisë sovrane, në kundërshtim flagrante me ligjin, me kodin, Edi Rama dhe ministrat e tij qarkuan Shqipërinë për të blerë vota.”– shtoi ish-kryeministri Berisha.

Kryedemokrati duke iu referuar kryeministrit Rama, përsëriti se ai është sipas tij “njeriu që shkatërroi bujqësinë shqiptare”.

Tabaku reagon për shembjet në Theth: Konflikti, pasojë direkte e “Paketës së Maleve”

Përmes një videoje në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Theth, ku qeveria ka ndërmarrë një aksion për largimin e disa bizneseve dhe banesave.

Sipas deputetes Tabaku, kjo është vjedhja e radhës e qeverisë Rama ndaj qytetarëve të ndershëm të veriut.

“Biznese dhe prona që prej 25–30 vitesh kanë qenë aktive në Theth, po grabiten për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja nga oligarkët, klientët e radhës, madje edhe grupet kriminale,” – u shpreh ajo.

Duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një ligj të pastër antikushtetues, Tabaku paralajmëroi se kjo nismë nuk do të sjellë zgjidhje për çështjen e pronës në veri të vendit, por përkundrazi do të përkeqësojë situatën, duke prodhuar konflikte dhe duke i dhënë investitorëve të përzgjedhur toka publike dhe shtetërore në mënyrë arbitrare.

“Pse disa u legalizuan e disa jo? Pse disa janë të nënës dhe disa të njerkës? Përgjigjja është një: Paketa e Maleve është një paketë vjedhjeje,” – deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi se modeli që po ndodh sot në Theth është i njëjtë me atë që ndodhi në jug të Shqipërisë, nga Butrinti deri në Manastir, ku prona publike dhe shtetërore u kthyen në pronë private e oligarkëve.

“Konflikti që po ndodh sot në Theth është pasojë direkte e kësaj politike klienteliste dhe grabitqare,” – përfundoi Tabaku.

 

“5 ditë kohë ose i shembim”, aksion për lirimin e hapësirave publike në Shkodër

Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Shkodër. Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë Benet Beci ka shpërndarë një video nga aksioni, ku grupe të efektivëve të Policisë shkojnë nëpër biznese duke iu sqaruar pronarëve të tyre që hapësirat publike që kanë zënë, përbëjnë shkelje ligjore dhe duke iu kërkuar që ta lirojnë atë.

“Një pjesë e bizneseve kanë nisur lirimin vullnetar të hapësirave që u përkasin qytetarëve. Policia Bashkiake ka njoftuar të gjitha bizneset për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave në të kundërt, do të veprohet sipas ligjit deri në lirimin e plotë të tyre.”– shkruan Beci krahas videos.

Pronarët e bizneseve kanë një afat 5-ditor për t’i liruar vetë hapësirat publike të zëna, në të kundërt ato do të shemben nga forcat e IMT-së.

I dënuar në Itali për../Sekuestrohen pasuritë me vlerë 287 mijë €, të një 53 vjeçari

Sekuestrohen 4 pasuri me vlerë rreth 287 000 euro, të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale jashtë vendit.

Pronari, i dënuar në Itali me 9 vjet burgim dhe 60 000 euro gjobë, për pjesëmarrje në grup kriminal për shfrytëzim prostitucioni.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një hetimi pasuror të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutuan gjatë operacionit “Origjina”, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 2 apartamenteve dhe 2 automjeteve në pronësi të shtetasit A. L., 53 vjeç.

4 pasuritë dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të 53-vjeçarit në Itali, ku ka qenë i dënuar me 9 vjet burgim dhe 60 000 euro gjobë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Agjencitë turistike kanadeze: Shqipëria, bukuri ballkanike me trashëgimi të pasur

Vendi ynë vijon të rrëmbejë vëmendjen e agjencive më të mëdha turistike botërore, që sugjerojnë njëkohësisht se mbetet një nga destinacionet e kësaj vere.

Një prej tyre është “G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është njëherësh partner me “National Geographic”, dhe që shkruan se “e fshehur në një cep të Detit Mesdhe, Shqipëria është një bukuri ballkanike me trashëgimi të pasur, plazhe të bukura që po riprezantohet si një nga destinacionet më të dashura të Mesdheut.”

Kanadezja “G Adventures” rendit në artikullin e radhës se në Shqipëri mund të përjetoni historinë e periudhave të ndryshme, duke nisur me Gjirokastrën, qytetin e gurtë përrallor me rrugët me kalldrëm që të çojnë në shpatin e kodrës tek kalaja unike.

Në brendësi të artikullit për Shqipërinë, kanadezja “G Adventures” ndalet në Amfiteatrin e Durrësit, të epokës romake, dikur vendi i betejave të gladiatorëve, që sot është një atraksion turistik që duhet vizituar.

“Mahnituni nga fortesa që shikon nga Berati, një nga vendet magjike të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, i listuar nga UNESCO. Kudo që të ecni, do të shihni shtëpitë karakteristike dhe më pas mund të merrni shtegun me kalldrëm drejt rrënojave të kështjellës në majë të kodrës.”

“G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është partner me “National Geographic”, sugjeron për vizitorët edhe Rivierën e bukur shqiptare. “Riviera Shqiptare është një vend me diell dhe me plazhe me rërë të artë dhe vende të UNESCO-s që tërheqin vizitorët e festivaleve dhe ata që e duan historinë.”

Në artikullin e detajuar përmendet Dhërmiu, vendi argëtues ku ka shumë festivale dhe adhuruesit e muzikës elektronike dynden në brigjet mesdhetare të Dhërmiut për të shijuar diellin dhe për të pirë në baret e plazhit.

Më tej, tur-operatori kanadez “G Adventures” sugjeron Porto Palermon si një vend të qetë me Kalanë e Ali Pashës për të vëzhguar gadishullin e bukur. Në listën e sugjerimeve të “G Adventures” nuk mungojnë as Himara dhe Vlora, destinacione të cilat kanë plazhe të kristalta dhe ia vlen të vizitohen.

Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada përmend Butrintin si një zonë mahnitëse me bukuri natyrore dhe mrekulli arkeologjike e shtigje këmbësorësh që të lënë pa fjalë.

“Alpet Shqiptare janë një vend i mrekullueshëm për dashamirësit e natyrës së egër dhe vargmalet shtrihen në Kosovë dhe Mal të Zi, dhe majat shkëmbore janë një mikpritëse për shëtitësit, shkruhet në publikimin e fundit të “G Adventures”.” Klan News

Kuvendi i Kosovës s’gjen rrugëdalje/ 47 dështime radhazi

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik. Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tani e tre muaj.

Partitë në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë. Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale. Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë. Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë. REL

“Zbrazet” edhe bashkia e Vaut të Dejës

Dorëheqje edhe në bashkinë e Vaut të Dejës. Siç raporton gazetarja e Klan News, Emi Kalaja, pas mbledhjes së kryebashkiakut Kristian Shkreli, tre zv.kryetarët e bashkisë, pesë administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur dorëheqjen.

Kështu, është zbatuar porosia e kryeministrit Edi Rama për “rifreskim” të institucioneve.

Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.

Në mbledhjen e djeshme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve./tvklan.al

 

 

Danimarka do të hapë edhe dy grupkapitujt e mbetur me Shqipërinë

Ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, e ka siguruar Shqipërinë se së shpejti do të hapen edhe dy kapitujt e mbetur të negociatave.

Ajo tha se Shqipëria po zbaton reformat e kërkuara, por korrupsioni mbetet ende një problem.

“Shqipëria po bën përparim të madh, po zbaton reformat e kërkuara. Ne e dimë që ata nuk janë ende gati për anëtarësim të plotë në BE. Ka probleme të tilla si korrupsioni. Deri më tani kemi hapur katër grupkapituj. Besojmë se gjatë presidencës daneze mund të hapim një ose dy grupkapitujt e mbetur. Ky proces për momentin është hapje e kapitujve të negociatave. Nuk po flasim për mbylljen e tyre sepse deri atëherë nevojiten më shumë reforma. Do të jetë një proces zgjerimi i bazuar në meritë, jo vetëm në rastin e Shqipërisë. Dua të them se Shqipëria është një nga vendet në Ballkanin Perëndimor që po tregon rezultate konkrete në këtë proces,” tha Marie Bjerre.

Në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Ministrja Bjerre inkurajoi forcat politike shqiptare që të mbështesin planin e qeverisë Rama për të përfunduar negociatat me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur. Klan News

Formimi profesional/Gonxhja: Fitoni një zanat të mirëpaguar. Mbi 10 mijë të trajnuar

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se në 12 muajt e fundit përmes Qendrave të Formimit Profesional, në mbështetje të strategjisë për aftësimin e forcës së punës:10,745 punëkërkues të papunë janë trajnuar, ndër to 5,922 gra dhe vajza kanë përfituar aftësim profesional.

Sipas ministrit Gonxhja formimi profesional mundëson marrjen e një profesioni të mirëpaguar brenda 4 muajve.

Ndërkohë, secili mund të aplikojë lehtësisht për formim profesional përmes e-Albania, në shërbimin “Aplikim për kurse të formimit profesional”

Postimi i ministrit Blendi Gonxhja

Formimi Profesional mundëson marrjen e një profesioni të mirëpaguar brenda 4 muajve!

Në 12 muajt e fundit, përmes Qendrave të Formimit Profesional, në mbështetje të strategjisë për aftësimin e forcës së punës:

-10,745 punëkërkues të papunë janë trajnuar

-5,922 gra dhe vajza kanë përfituar aftësim profesional

-Apliko lehtësisht për formim profesional përmes e-Albania, në shërbimin “Aplikim për kurse të formimit profesional”

-Mëso më shumë në:  www.aftesi.al /Opinion.al

Aktiviteti fizik parandalon sëmundjet tumorale

Aktiviteti fizik është armë e fortë në parandalimin e sëmundjeve kancerogjene. Jo vetëm kaq, por rrit edhe efikasitetin e terapive onkologjike, dhe e arrin këtë pasi është në gjendje të ndryshojë mikrobiotën intestinale.

Sipas një studimi të Universitetit të Pittsburgh, ndryshimi që shkakton te kjo e fundit ndikon te qelizat imunitare, duke i shtuar efikasitetin për të vrarë qelizat tumorale.

Deri tani, provat dhe eksperimentet në laborator kanë treguar se kaviet që kishin aktivitet gjatë një periudhe 4-javore, patën tumore më të vegjël dhe më tepër mundësi për mbijetesë, benefite që u zhdukën pas terapisë me antibiotikë.

Pra, bakteret intestinale luajnë rol të mirë, dhe është vërtetuar se të ushtruarit nxit numrin e tyre, që më pas ushtrojnë rol vendimtar te mbrojtja dhe aktivizimi imunitar që lufton qelizat e sëmura.

Po ashtu, rezultoi se organizmi që ushtrohet fizikisht ka një kontroll shumë më të mirë e efikas ndaj patologjive të rënda. Klan News

Koplik/ Po punonte për hapjen e një pusi, humb jetën aksidentalisht 55 vjeçari

U aksidentua ndërsa punonte për hapjen e një pusi, humb jetën një shtetas në Koplik.

Sipas informacionit paraprak të policisë ka humbur jetën shtetasi A. H., rreth 55 vjeç, ku duke punuar me sondë shpimi për hapjen pusit të ujit, aksidentalisht është dëmtuar dhe për pasojë ka humbur jetën.

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 10:30, në lagjen “Mehaj” të Koplikut.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Koplik, Malësi e Madhe/Informacion paraprak

Rreth orës 10:30, në lagjen “Mehaj”, shtetasi A. H., rreth 55 vjeç, duke punuar me sondë shpimi për hapjen e një pusi uji, aksidentalisht është dëmtuar dhe për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Amsterdami, një fluturim larg! Rinasi hap linjën direkte me “TUI fly”

Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza njofton nisjen e fluturimeve direkte Tiranë- Amsterdam me linjën “TUI fly”.

Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale nga TIA, udhëtimet drejt kryeqytetit holandez do të operohen çdo të martë dhe të shtunë. Kjo linjë e re vjen si pjesë e zgjerimit të destinacioneve që ofron Rinasi, duke e bërë më të thjeshtë lëvizjen drejt qyteteve evropiane ikonike.

TIA thekson se ky zhvillim pasqyron interesin në rritje të operatorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë, si një destinacion gjithnjë e më tërheqës turistik dhe ekonomik.

Fluturimet drejt Amsterdamit pritet të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të vizitorëve nga Holanda dhe Evropa Perëndimore, sidomos gjatë sezonit turistik veror.

Postimi në i TIA

Fluturimi i parë direkt me TUI fly drejt Amsterdamit është nisur nga @tirana.international.airport ✈

Nga tani, çdo të martë dhe të shtunë, udhëto drejt qytetit të mullinjve me erë, tulipanëve dhe kanaleve ikonike.

Udhëtimet bëhen më të thjeshta, destinacionet më të shumta.

Aeroporti Je Ti!

 

 

Siguria ushqimore/Braçe kritika zyrtarëve:S’hyhet në baxho siç vjen nga rruga, pa…

Pas aksionit të qeverisë të nisur për sigurinë ushqimore, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, deputeti Erion Braçe.

Ai ka qenë kritik ndaj zyrtarë të shtetit, ku shkruan se ata nuk duhet të hyjnë në baxhot, frigoriferët e bulmetit e të mishit siç vijnë nga rruga. Sipas tij nuk mund të hyhet në baxho pa qese në këpucë e në kokë, pa përparëse e pa doreza.

Postimin e tij ai e mbyll “Se është aksion për sigurinë e ushqimeve, jo për të kapur malin si prodhues i rigonit!”

Postimi i Braçes

BRENDA NË AKSION PËR SIGURINË E USHQIMIT;

A ka mundësi që zyrtarët e shtetit të mos hynë në baxhot e bulmetit dhe frigoriferët e bulmetit e të mishit siç vijnë nga rruuuuugaaaaa;

Pra pa qese në këpucë e në kokë, pa përparëse e pa doreza??

se është aksion për sigurinë e ushqimeve, jo për të kapur malin si prodhues i rigonit!

 

Hapen regjistrimet në Arsimin Profesional/ Rama-të rinjve: Bëni zgjedhjen e duhur!

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e regjistrimeve për arsimin profesional. Kryeministri Rama ka bërë me dije se të rinjtë mund të regjistrohen përmes portalit  e-Albania.

“Regjistrimet në Arsimin Profesional janë hapur. Bëj zgjedhjen e duhur. Regjistrohu përmes e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”, shkruan Rama në Facebook.

Regjistrimet për klasën e dhjetë për arsimin profesional janë hapur që më 7 korrik dhe do të zgjasin deri në fund të muajit shtator.

Procesi kryhet përmes portalit e-Albania ku çdo prind mund të aplikojë online përmes këtij shërbimi dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla. Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy-tre dhe katër vjeçare, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme. Aplikimi për regjistrim kryhet nga prindi ose personi që ushtron përgjegjësinë prindërore sipas procedurës të publikuar në këtë shërbim.

Sikurse ka bërë me dije Ministria e Arsimit, të gjithë nxënësit që janë regjistruar aktualisht në një gjimnaz apo në një shkollë tjetër, dhe kanë dëshirë të vijojnë studimet në arsimin profesional, kanë të drejtë të bëjnë çregjistrimin apo anulimin e aplikimit deri një ditë para fillimit të shkollës dhe mund të regjistrohen në shkollat e Arsimit Profesional.

Disa nga avantazhet e regjistrimit në arsimim profesional:

1)Vajzat që regjistrohen në arsimin profesional përfitojnë 50 % të bursës.

2)Të gjithë nxënësit që regjistrohen në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, përfitojnë bursë për të gjitha vitet e shkollimit.

Pas mbarimit të Arsimit Profesional, nxënësit pajisen me aftësi që kërkon tregu i punës, dhe nuk penalizohen në vijimin e studimeve universitare.

 

❌