Çanta origjinale e aktores Jane Birkin shitet për 8.6 milionë euro – pronar i ri bëhet një miliarder japonez
Çanta origjinale që u krijua posaçërisht për aktoren Jane Birkin dhe që u shndërrua në një nga veprat më ikonike të modës së shekullit XX, është shitur para disa ditësh në një ankand në Paris për shumën rekord prej 8.6 milionë eurosh (rreth 10.04 milionë dollarë amerikanë).
Prej ditësh kishte spekulime se cila figurë e famshme mund të kishte blerë këtë çantë ikonë. Tani është zbuluar se pronari i ri është Shinsuke Sakimoto, një miliarder japonez, ish-futbollist dhe aktualisht drejtor i kompanisë Valuence Japan Inc., e cila merret me rishitjen e mallrave luksoze.
Kompania Valuence operon në nivel global përmes ankandeve ALLU dhe dyqaneve të shitjes me pakicë, duke tregtuar sende të dorës së dytë luksoze dhe dizajni. Megjithatë, kjo blerje nuk ka qenë një investim për rishitje – Sakimoto theksoi se çanta nuk do të shitet më tej, por do të ruhet si një trashëgimi kulturore në nder të Jane Birkin dhe kontributit të saj në botën e modës.
“Me të arritur çanta në Japoni, kompania Valuence Japan do të organizojë një paraqitje për mediat dhe palët e interesuara. Së shpejti do të publikojmë detaje të sakta dhe afatet kohore të ekspozitës,” tha Sakimoto.
Sipas tregimeve që qarkullojnë prej kohësh në qarqet e modës, çanta e parë “Birkin” lindi në vitin 1984, kur aktorja dhe këngëtarja me origjinë francezo-britanike ishte duke udhëtuar me avion pranë drejtorit ekzekutiv të Hermès, Jean-Louis Dumas. Gjatë bisedës, ajo i kishte treguar se, si një nënë e re, kishte nevojë për një çantë që të ishte funksionale por edhe me stil. Dumas, i frymëzuar, skicoi aty për aty një çantë të madhe, të formës drejtkëndëshe, që të kishte vend edhe për biberonët e fëmijës.
Hermès e krijoi këtë çantë posaçërisht për Jane Birkin dhe më pas filloi të prodhonte versione më të vogla për tregun. Dizajni i saj u shndërrua në një sukses global dhe ndihmoi në rritjen e mëtejshme të këtij brendi të njohur francez. Çanta origjinale mban ende inicialet “J.B.” si simbol i trashëgimisë së saj. /Telegrafi/
The post Çanta origjinale e aktores Jane Birkin shitet për 8.6 milionë euro – pronar i ri bëhet një miliarder japonez appeared first on Telegrafi.