Brad Pitt ka kërkuar zyrtarisht që të ketë qasje në mesazhet private të ish-bashkëshortes së tij, Angelina Jolie, në një kërkesë të re ligjore të paraqitur më 30 qershor.
Aktori 61-vjeçar ka deklaruar se është përballur me vështirësi në përpjekjet për të siguruar komunikimet e 50-vjeçares Jolie, të cilat ai beson se mund të ofrojnë prova të rëndësishme në procesin që vazhdon prej vitesh mes tyre për pronësinë e kantinës franceze të verës, Château Miraval, shkruan DailyMail.
Çifti, dikur një nga më të famshmit e Hollywoodit, është përfshirë në një përplasje të ashpër ligjore që nga viti 2021, kur Angelina Jolie shiti pjesën e saj në pronë – me vlerë rreth 64 milionë dollarë – te biznesmeni rus Yuri Shefler, pronar i SPI Group, kompania mëmë e markës Stoli.

Pitt pretendon se Jolie ka shkelur një marrëveshje të mëparshme mes tyre, sipas së cilës asnjëri nuk duhej të shiste aksionin pa pëlqimin e tjetrit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga DailyMail.com, Pitt ka dështuar të marrë në pyetje Alexey Oliynik, një përfaqësues i lartë i Stoli Group, për të cilin ai pohon se ka njohuri të drejtpërdrejta mbi negociatat mes Joliet dhe ekipit të saj.

Ai kërkon që Oliynik të dorëzojë komunikime që përfshijnë biseda me Angelina Jolie dhe ekipin e saj rreth shitjes së aksioneve.
Por Oliynik ka argumentuar se është rezident në Zvicër dhe nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në një proces ligjor që zhvillohet në Kaliforni.
Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim lidhur me këtë kërkesë.

Ndërkohë, një burim për UsWeekly është shprehur se kjo është një tjetër përpjekje e palës së paditur për të shmangur ndarjen e dokumenteve që do të mund të ndihmonin në zbardhjen e së vërtetës.
Përplasja mes ish-çiftit është ashpërsuar edhe më shumë kohët e fundit, veçanërisht rreth çështjes së marrëveshjeve për mos-zbulim (NDA), të cilat janë bërë një pikë kyçe në procesin gjyqësor.
Në korrik të vitit të kaluar, Jolie i kishte bërë thirrje Pitt që të përfundonte betejën ligjore dhe të lejonin që familja të “shërohej”, por burime për DailyMail.com thanë se aktori nuk ka asnjë qëllim për ta tërhequr padinë.

Sipas tyre, Jolie e bëri këtë kërkesë vetëm pasi e kuptoi se rasti i saj nuk është aq i fortë sa kishte menduar. Një burim i afërt me situatën deklaroi: “Brad nuk do ta tërheqë këtë padi – pse do ta bënte? Kjo ka qenë një çështje e zakonshme biznesi, por për fat të keq Angelina ka futur vazhdimisht elemente personale që i përkasin një procesi divorci”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga revista People në shkurt 2022, Jolie kishte shitur aksionin e saj te kompania Tenute del Mondo, pjesë e prodhuesit Stoli Group. Pitt ka pretenduar se kompania e mëparshme e investimeve e Joliet, Nouvel, i detyrohej kompanisë së tij, Mondo Bongo, të drejtën e refuzimit të parë.

Pas ndarjes, marrëdhënia e Pitt me fëmijët e tij dhe të Jolie është përkeqësuar dukshëm. Ata ndajnë gjashtë fëmijë: Maddox (23), Pax (21), Zahara (20), Shiloh (19), dhe binjakët Vivienne dhe Knox, që më 12 korrik mbushin 17 vjeç. Disa prej tyre kanë hequr mbiemrin “Pitt” nga emri i tyre – Zahara ishte e para, e pasuar nga Vivienne dhe më pas Shiloh. Sot, aktori thuhet se ka “thuajse asnjë kontakt” me fëmijët e rritur.
Angelina Jolie kishte paraqitur kërkesën për divorc në vitin 2019, pas pesë vjet martesë. Që atëherë, beteja e tyre ligjore ka vazhduar, me përballje të vazhdueshme që përfshijnë çështje pronësie, marrëveshje biznesi dhe kujdestari familjare. /Telegrafi/
The post Brad Pitt kërkon qasje në mesazhet private të Angeline Joliet, lidhur me shitjen e pronës së tyre të përbashkët në Francë appeared first on Telegrafi.