Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy e gjeti veten në një situatë të vështirë pasi shkoi për peshkim me zëvendës presidentin e SHBA-së, JD Vance në një lum pranë pronës së tij në jug të Londrës. Diplomati britanik kishte ftuar Vance dhe familjen e tij në pronën e tij, ndërsa më pas shkuan për të peshkuar.
Lammy u paralajmërua nga Agjencia e Mjedisit pasi nuk kishte licencë për peshkim, ndërsa nëse do të gjobitej, do të të duhej të paguante gati 4 mijë dollarë. Sipas Agjencisë së Mjedisit, kushdo që është mbi 13-vjeç duhet të ketë licencë për të peshkuar në ujërat e ëmbla në vend.
Më vonë, ai mori një licencë dhe u paraqit vetë në agjenci, duke e quajtur incidentin një “gabim administrativ”.
Ilir Meta kritikoi vendimin e Gjykatës për mbajtjen e tij në qeli me argumentimin se rrezikon intimidimin e dëshmitarëve. Meta e quajti, absurde duke thënë se nuk janë më anëtarë të partisë së tij dhe se nuk ka kë të intimidojë.
Megjithatë avokati Idajet Beqiri, në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, u shpreh se vendimi i gjykatës ishte i qartë dhe i saktë sepse sipas tij ish-presidenti Meta ka treguar se nuk kursen asnjë, kur vetë është në rrezik.
“Meta ka treguar që vret dëshmitarë. Mi gjeni dy dëshmitarët okularë që ngritën arkat e floririt në Krrabë, ikën ata djemtë të rinj. Ikën sepse e hëngrën kokën e verdhë nga Ilir Meta.
Por drejtësia jonë e kalbur nuk i shkoi deri në fund hetimeve të disa ngjarjeve…Meta pagoi vrasës, ka paguar vrasës edhe në raste të tjera.
Si mund të harrohej, ekzekutimi që do i bëhej “lepurit”…Këto janë çështje të hapura…Ai nuk funksionon si individ është tamëm organizatë kriminale.
Dhe këto vrasje nuk i ka bërë me dorën e vet ai…Ai ka paguar. Po të vijë Bami në Shqipëri dhe të dëshmojë, do të thotë se kush e ka urdhëruar për të vrarë vëllain e deputetit të Lezhës…”, tha ai.
Përgjatë një jave, në kuadër të kontrolleve për sigurinë detare, janë bllokuar 26 mjete lundruese për shkelje të ndryshme. Në total, nga Ksamili në Koman, janë kontrolluar 414 mjete.
Konkretisht, janë bllokuar 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike.
Sipas të dhënave të ndara nga Policia e Shtetit, 11 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë prej 100 000 lekësh secili.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 28 turistë vendas dhe të huaj, si dhe 9 mjete lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: “Mos shkelni perimetrin e sigurisë; Lundroni vetëm në zonat e lejuara; Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.”
Situata në Serbi është e tensionuar: Çdo ditë ka raportime të reja për dhunë policore kundër demonstruesve, arrestime dhe akuza se qeveria e vendit të Ballkanit Perëndimor po punëson banda kriminale kundër popullsisë së vet civile.
Që kur një tendë stacioni treni u shemb në qytetin verior serb të Novi Sadit në nëntor 2024, duke vrarë 16 persona, protestat kundër qeverisë serbe kanë vazhduar të pandërprera. Demonstratat ishin paqësore për një kohë të gjatë – por ditët e fundit, dhuna është përshkallëzuar në rrugët e kryeqytetit, Beograd, dhe qyteteve të tjera. Presidenti populist i krahut të djathtë i vendit, Aleksandar Vuçiç tani dëshiron të veprojë edhe më ashpër ndaj protestuesve.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, bëri thirrje në një deklaratë “të gjitha palëve për të ulur tensionet”. Çdo dyshim për përdorim të ekzagjeruar të forcës nga policia duhet të hetohet siç duhet.
I pyetur nga DW, Komisioni Evropian tha se po e monitoron nga afër situatën në Serbi. Qëndrimi i KE është i qartë: “E drejta për demonstrata paqësore dhe liria e tubimit duhet të respektohen dhe autoritetet duhet t’i mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga dëmtimet ose dhuna”, tha Guillaume Mercier, një zëdhënës i Komisionit. Megjithatë, këto deklarata nuk mjaftojnë për shumë politikanë dhe vëzhgues. Për muaj të tërë, ata kanë bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër kundër qeverisë serbe dhe Presidentit Vuçiç.
Një nga kritikët është eurodeputeti Tonino Picula. Si raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, ai i kushton shumë kohë vendit. Socialdemokrati kroat e kritikoi Brukselin të mërkurën, duke folur për stacionin televiziv N1 që mbulon të gjithë Ballkanin Perëndimor, për mosmiratimin e një qëndrimi më të unifikuar dhe kritik ndaj Serbisë. “BE-ja aktualisht nuk ka as motivimin dhe as kapacitetet për të vepruar ndryshe ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiç. Ndryshe nga Ukraina, uniteti i nevojshëm për të ushtruar presion mungon këtu”, tha Picula.
Këtu mund të luajnë rol gjithashtu interesat strategjike si të Brukselit ashtu edhe të Beogradit: Në vitin 2024, BE nënshkroi një marrëveshje me Serbinë, duke siguruar akses në litiumin serb. Për më tepër, Serbia ka shfrytëzuar me mjeshtëri marrëdhëniet e saj miqësore me Rusinë, thotë Antigona Imeri e Qendrës për Studime të Politikave Evropiane, një grup ekspertësh me seli në Bruksel. Duke pasur frikë nga një afrim me regjimin e presidentit të hershëm rus Vladimir Putin, Evropa ka qenë shumë e butë: “Kjo strategji zbutjeje e BE ka dështuar, ajo tani duhet të përdorë urgjentisht një ton ndryshe.”
Por edhe pas përshkallëzimit të fundit të dhunës, BE-ja vazhdon të veprojë me metodën “punohet si zakonisht” me Serbinë dhe dështoi ta bënte në mënyrë të qartë qeverinë përgjegjëse. “Kjo është e kuptueshme nga një perspektivë gjeopolitike, por bëhet problematike nëse krijon përshtypjen se shkon në kurriz të vlerave themelore të Unionit”, tha Imeri.
Përshtypja që krijohet minon besimin e shumë njerëzve në BE – dhe besimi në Serbi është tashmë relativisht i dobët: Në një sondazh të pranverës 2025 të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, vetëm 40 përqind e të anketuarve thanë se do të votonin për pranimin e vendit të tyre në BE. Ndërkohë, më shumë se gjysma thonë se nuk besojnë më se BE është seriozisht e interesuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen.
Jo të gjithë ekspertët e konsiderojnë problematike strategjinë e Brukselit ndaj Beogradit: “Mendoj se është shumë herët për të vlerësuar qëndrimin e BE-së për këtë çështje”, thotë Nina Vujanoviç nga organizata kërkimore Bruegel me seli në Bruksel. BE-ja ka sinjalizuar se po e monitoron situatën dhe duhet të vazhdojë ta bëjë këtë.
Në vend që të ushtrojë presion, Brukseli duhet të përqendrohet në stimujt ekonomikë – atëherë rreziku i largimit të Serbisë tek Rusia do të ishte i ulët: “Serbia ka një interes shumë më të madh ekonomik në zbatimin e reformave të BE-së sesa në afrimin me Rusinë”, sipas Vujanoviç. Vendi ka qenë prej kohësh i lidhur ngushtë ekonomikisht me BE-në: Mbi 60 përqind e eksporteve serbe shkojnë në BE dhe mbi 60 përqind e investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë prej andej.
Me mjete ekonomike sigurisht që mund të ushtrohet presion ndaj Vuçiçit dhe regjimit të tij: BE-ja i ka premtuar Serbisë një shumë marramendëse prej 1.6 miliardë eurosh deri në vitin 2027 – por këto fonde janë të lidhura me zbatimin e reformave. “BE-ja mund t’i shkurtojë këto fonde ose të vonojë ndarjen e tyre nëse përcakton se një vend nuk po i përmbush detyrimet e tij”, shpjegon Vujanoviç.
Deri më tani, Serbia, e cila ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, duket se është larg zbatimit të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Një raport i BE-së mbi sundimin e ligjit në Serbi, i botuar në korrik, zbuloi, ndër të tjera, se vazhdon të ushtrohet presion i fortë politik mbi gjyqësorin dhe shoqatat e shoqërisë civile. Ka shqetësime në rritje për sigurinë e gazetarëve në Serbi.
Pikërisht kundër kësaj gjendjeje, kanë dalë në rrugë për muaj të tërë studentët dhe shumë qytetarë të tjerë të vendit – pavarësisht rrezikut të arrestimit ose lëndimit nga policia. Nëse dhuna gjatë protestave vazhdon, BE-ja mund të vihet nën presion në rritje për të marrë një qëndrim më të qartë ndaj Beogradit.
Pandi Nakoleci, 40-vjeçari shqiptar që vrau gruan e tij Marjola Nakolecit, 36-vjeçe para fëmijëve të tyre në Volos u paraqit të dielës para gjykatës.
Sapo mbërriti, gazetarët e pyetën “Pse e bëre?” dhe nëse pendohej, megjithatë, ai qëndroi i heshtur dhe me kokën ulur.
Mediat greke shkruajnë se brenda gjykatës, ai takoi vajzën e tij 18-vjeçare, së cilës thuhet se i tha: “Isha i hutuar, nuk doja ta bëja”.
Prokurori ngriti një padi penale kundër tij për vrasje me dashje kundër një viktime të dhunës në familje.
Më pas, oficeri hetues i dha atij një afat për të kërkuar falje të martën në orën 10:00.
Zyra e prokurorit urdhëroi një hetim social për fëmijët e mitur të çiftit se ku duhet të çohen. Deri më tani, ata po qëndrojnë me të afërmit e nënës.
Pas vrasjes së bashkëshortes, 40-vjeçari u fsheh për më shumë se 24 orë, duke u përpjekur t’i shmangej arrestimit. Megjithatë, ai u gjet i fshehur në barin e një parcele toke, rreth 200 metra larg shtëpisë së tij, në një parking të vjetër.
Dëshmitarë okularë dhe fqinjë raportuan se gjatë arrestimit ai po i bërtiste policisë se e kishte vrarë gruan e tij sepse ajo po e tradhtonte. “Ia bëra mirë. Ajo e meritonte këtë. Nuk pendohem për asgjë”, dyshohet se ishin fjalët e para të vrasësit 40-vjeçar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta një ditë më parë.
Në mesazh, Osmani thekson se Zheji la pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare.
Osmani përmend gjithashtu edhe kontributin e Zhejit në dokumentimin dhe shkrimin për dhimbjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. Ai u shua papritur, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit. Artur Zheji do të kujtohet si një zë i guximshëm, një mendimtar i lirë dhe një penë e shquar e gazetarisë shqiptare.
Ai shkroi edhe për dhimbjet dhe shkatërrimet që kishte lënë pas regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit medial. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit!”, thuhet në mesazh.
Presidenti Donald Trump planifikon të dërgojë trupa në Çikago, gjë që përbën një “abuzim me pushtetin”, sipas guvernatorit demokrat të shtetit të Illinoisit në SHBA.
Nuk ka asnjë emergjencë që justifikon dërgimin e Gardës Kombëtare në Illinois dhe presidenti amerikan po “përpiqet të krijojë një krizë të rreme”, tha JB Pritzker në një deklaratë, citon BBC
Trump ka vendosur tashmë rreth 2 mijë trupa në Uashington DC, ku qeverisja lokale është gjithashtu në duart e demokratëve, si pjesë e një fushate që ai e portretizon si një goditje ndaj krimit në qytetet amerikane.
Të premten, Trump tha se do ta zbatonte këtë politikë edhe në Çikago dhe Nju Jork, dy qytete të tjera të mëdha të kontrolluara nga demokratët.
Kryetari i Bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, u përgjigj ndaj komenteve të presidentit Trump, duke thënë në një deklaratë se ai nuk kishte marrë asnjë informacion për një dislokim të mundshëm të Gardës Kombëtare në qytet.
Ai shtoi se qeveria lokale ka “shqetësime serioze” për çdo dislokim të trupave, duke e quajtur qasjen e presidentit “të pakoordinuar, të panevojshme dhe të gabuar“.
Sipas tij, një dislokim i tillë “i paligjshëm” mund të “nxisë tensione mes qytetarëve dhe forcave të rendit”, dhe të rrezikojë përparimin që qyteti ka bërë në uljen e krimit.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar që personeli i Gardës Kombëtare që patrullon në rrugët e Uashingtonit të jetë i armatosur, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump kundër asaj që ata e përshkruajnë si “krim të pakontrolluar” në qytet.
Vetëm javën e kaluar, Pentagoni dhe Ushtria Amerikane deklaruan se trupat e përfshira në këtë dislokim, të cilët tani janë rreth 2 mijë, nuk do të mbajnë armë.
Ndërsa administrata Trump e ka vlerësuar lart këtë mision, sondazhet tregojnë se ai është thellësisht jopopullor mes banorëve të Uashingtonit, një qytet tradicionalisht demokrat.
Në një deklaratë, Pentagoni tha se trupat e Gardës Kombëtare “do të jenë së shpejti në mision me armët e dhëna nga shërbimi, në përputhje me misionin dhe trajnimin e tyre”.
Nuk është e qartë nëse vendimi për të armatosur trupat do të thotë se roli i tyre në Uashington do të ndryshojë.
Deri tani, trupat nuk kanë marrë pjesë në operacione të zbatimit të ligjit, të cilat janë kryer nga policia lokale dhe oficerë të agjencive të ndryshme federale.
Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lushnjës pas publikimeve në media se kishte komunikime me përmbajtje pornografike, në rrjetet sociale, me shtetase të mitura.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas denoncimit të bërë nga emisioni “Piranjat”, se një shtetas 26-vjeçar kishte komunikime me përmbajtje pornografike, në rrjetet sociale, me shtetase të mitura, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Vepra të turpshme” dhe “Pornografia”, shtetasin Q. K., 26 vjeç, banues në Karbunarë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon qytetarët që të denoncojnë raste të tilla dhe çdo paligjshmëri në numrin 112 duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga rikonstruktimi i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës.
Ndërkohë që në pamje duket procesi i rikonstruktimit, Rama shkruan se ky spital do t’i shërbyer banorëve të zonës, por edhe turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë.
“Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rilind nga themelet, për t’i shërbyer mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe qindra mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë me dije se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë në pikën më të ulët që nga lufta e dytë botërore. Por Putin theksoi se me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë gjërat kanë ndryshuar dhe se po shikon dritë në fund të tunelit. Putin theksoi se Washingtoni dhe Perëndimi ka përgjegjësinë më të madhe për uljen e tensioneve
“Sa i përket marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara, ato janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore. E kam thënë këtë shumë herë. Por me ardhjen e Presidentit Trump po fillojmë të shohim dritë në fund të tunelit. Dhe kohët e fundit kemi pasur një takim shumë të mirë dhe të sinqertë në Alaska. Kontaktet vazhdojnë në nivel ministror, zyrtar dhe biznesi. Shpresoj vërtet që hapat e parë që janë ndërmarrë janë vetëm fillimi i një rivendosjeje të plotë të marrëdhënieve tona (midis Rusisë dhe SHBA-së). Kjo nuk varet nga ne. Varet para së gjithash nga partnerët tanë perëndimorë. Në kuptimin më të gjerë. Sepse SHBA-të janë të lidhura nga detyrime të caktuara në shoqata të ndryshme, përfshirë Bllokun e Atlantikut të Veriut. Prandaj, hapat e ardhshëm tani varen nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara. Por jam i sigurt se cilësitë e lidershipit të presidentit aktual, Presidentit Trump, janë një garanci e mirë se marrëdhëniet do të rivendosen. Dhe shpresoj që ritmi i punës sonë të përbashkët mbi këto baza do të vazhdojë.”
Në 34-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dërgoi një mesazh urimi popullit dhe qeverisë së Ukrainës, duke shprehur dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës kundër Rusisë, të cilën e quan një “masakër të pakuptimtë”.Në një letër të ndarë në mediat sociale nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump vlerësoi “shpirtin e palëkundur” të popullit ukrainas dhe “luftën e tyre për liri”, duke riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e vendit.Ndërkohë, Zelensky e ka falenderuar për faktin se SHBA po qëndron krah më krah me Ukrainën, duke shtuar se beson se ‘duke punuar së bashku mund t’i japim fund kësaj lufte dhe të arrijmë paqe të vërtetë”.Letra e plotë:
I nderuar z. President,
Në emër të popullit amerikan, ju shpreh përgëzimet dhe urimet më të përzemërta për ju dhe popullin trim të Ukrainës, teksa festoni 34-vjetorin e pavarësisë.
Populli i Ukrainës ka një shpirt të palëkundur dhe guximi i vendit tuaj frymëzon mbarë botën. Në këtë ditë të rëndësishme, dua të dini se Shtetet e Bashkuara respektojnë qëndresën tuaj, nderojnë sakrificat tuaja dhe besojnë në të ardhmen tuaj si një komb i lirë dhe i pavarur.
Tani është momenti për t’i dhënë fund vrasjeve të pakuptimta. Shtetet e Bashkuara mbështesin një marrëveshje të negociuar që do të sjellë një paqe të qëndrueshme e afatgjatë, që i jep fund gjakderdhjes dhe garanton sovranitetin e Ukrainës dhe dinjitetin e saj.
Pentagoni planifikon të dërgojë Gardën Kombëtare në Çikago që në shtator. Presidenti Trump synon ta përdorë këtë forcë për të luftuar krimin, siç ka bërë në Uashington D.C. Megjithatë, guvernatori dhe kryetari i bashkisë e akuzojnë atë për “tejkalim autoritar”.
Sipas një raporti në Washington Post, Pentagoni planifikon të vendosë Gardën Kombëtare në Çikago që në shtator për të luftuar krimin. Plani përfshin disa opsione, duke përfshirë vendosjen e disa mijëra anëtarëve të njësisë Rezervë të Ushtrisë Amerikane në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së në shtetin e Illinois, raportoi gazeta, duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen.
Departamenti i Mbrojtjes tha se nuk donte të spekulonte rreth operacioneve të ardhshme. Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, dhe kryetari i bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, të dy demokratë, akuzuan Presidentin republikan të SHBA-së, Donald Trump, për krijimin e kaosit. “Pasi përdori Los Angeles dhe Washington, D.C., si terrene testimi për tejkalimin e autoritarizmit, Trump tani po luan hapur me idenë e marrjes nën kontroll të shteteve dhe qyteteve të tjera”, tha Pritzker.
Në Platformën X, ai shkroi se Trump dhe republikanët po përpiqeshin ta portretizonin partinë e tyre si një parti të ligjit dhe rendit. “Kjo nuk mund të ishte më larg së vërtetës.”
Kohët e fundit, Trump aktivizoi Gardën Kombëtare për të frenuar atë që ai e quajti krim të pakontrollueshëm në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington. Ai gjithashtu e vendosi policinë lokale nën kontrollin federal. Veprimet e tij në Uashington janë shumë të diskutueshme – ka pasur tashmë protesta. Statistikat e policisë nuk japin prova për një rritje të krimit.
Në qershor, pavarësisht protestave në Los Angeles, Trump vendosi 4,000 anëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë dhe 700 marinsa në detyrë aktive pas demonstratave kundër bastisjeve të deportimit nga autoritetet e imigracionit ICE.
Trump kishte thënë të premten: “Ne do t’i bëjmë qytetet tona shumë, shumë të sigurta. Çikago është një rrëmujë.” Ai vuri në dyshim kompetencën e kryetarit të bashkisë demokrat të qytetit.
Zyrtarët e njohur me çështjen thanë, sipas Washington Post, se një ndërhyrje ushtarake në Çikago ishte planifikuar prej kohësh, me shumë mundësi në lidhje me operacionet e zgjeruara të Imigracionit dhe Doganave për të kërkuar migrantë pa dokumente.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje nga hetimet ndaj organizatës kriminale Çela-Çopja, të drejtuar nga Ervis Cela dhe Franc Copja.
Sipas gazetares Klodiana Lala, organizata kishte krijuar një rrjet të sofistikuar për trafikimin e armëve dhe drogës.
Komunikimet e zbardhura mes anëtarëve të grupit tregojnë metodat e sofistikuara të transportit të armëve: armët me silenciator vendoseshin në kanace, armët më të sofistikuara ruheshin në qese me vakuum, ndërsa disa armë çmontoheshin dhe futeshin në kuti metalike për transport.
“Armet me silenciator, po i vendos ne kanace. Armet e sofistikuara vendoseshin ne qese me vakuum
Armet cmontoheshin dhe me pas futeshin ne kuti metalike”, thuhet ne pergjimet e SKY ECC.
Po ashtu, organizata dyshohet të ketë trafikuar tonë të tëra kokainë nga Paraguai drejt Evropës, duke pastruar dhjetra milionë euro. SPAK e identifikon Ervis Celen dhe Franc Copjan si bërthamën e këtij grupi kriminal.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.
Një stuhi e papritur dhe e fuqishme me erë dhe breshër goditi bregdetin e Romagnës para agimit, duke filluar në orën 4:30 të mëngjesit, fillimisht në zonat e Ravennës dhe Cervias dhe më pas me forcë në provincën e Riminit, duke shkaktuar përmbytje.
Mediat italiane bëjnë të ditur se u rrëzuan pemë dhe rrugët në disa zona u shndërruan në lumenj, duke ndërprerë trafikun. Autoritete kanë nisur mbikëqyrjen për të përcaktuar nëse ka pasur dëme më serioze.
Zonat më të prekura ku u raportuan dëmet më të mëdha janë Cesenatico, Gatteo, Bellaria Igea Marina, Rimini deri në Riccione dhe Cattolica.
Për shkak të rënies së një peme mbi shina, një tren i bllokuar në linjën Rimini-Ravenna u evakuua dhe pasagjerët u shpëtuan.
Në linjën hekurudhore Rimini-Ferrara, shërbimi midis Riminit dhe Cesenatico-s është pezulluar për shkak të dëmeve nga moti. Trenat rajonalë mund të jenë subjekt i kufizimeve të itinerarit dhe anulimeve. Trenat me shpejtësi të lartë mbeten në funksion.
Plazhet në zonën e Cervia dhe Milano Marittima (Ravenna) u dëmtuan rëndë nga stuhia me erëra të forta që goditën Rivierën Romagna para agimit. Shezlongjet u përmbysën dhe çatitë e disa strukturave u rrëzuan ose u shembën.
Në Rimini, Bashkia, me Këshilltarin e Mbrojtjes Civile Yuri Magrini, e përshkroi një “ngjarje shumë të rëndë” me 74 milimetra reshje shiu. Pesë nënkalime u përmbytën, njëra me një makinë të bllokuar brenda.
Pemë të shumta ranë mbi makina, kopshte dhe shtëpi, duke i bllokuar pothuajse të gjitha qytetet dhe duke i lënë nënkalimet ende të përmbytura. Disa zjarrfikës dhe ekipe të Mbrojtjes Civile ishin në vendngjarje në zonat më të prekura.
Gjykata e Elbasanir ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për një person, i akuzuar për veprën penale ‘Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor’. Prokuroria thotë se personi F.S, i ka vënë zjarrin një pjesë të pyllit për të shtrirë tubin e ujit për të vaditur ullinjtë.
Njoftimi i prokurorisë Elbasan:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan u caktua masa e sigurimit ‘Arrest me burg’ për shtetasin F.S. për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” parashikuar nga neni 206/a§1 i Kodit Penal.
Më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh “Mare” dhe “Cendel”.
Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë. Pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij.
Në deklarim ai tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën për të pastruar pyllin për të shtrirë një markush uji.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan sekuestroi në cilësinë e provës materiale një çakmak, ndërkohë që shtetasi F.S. po hetohet për veprën penale e parashikuar nga neni 206/a§1 i Kodit Penal, që përbën krim të kryer me dashje dhe për të cilin dispozita përkatëse përcakton një maksimum dënimi prej 8 (tete) vite burg.
Një tjetër aksident i rëndë është shënuar pak minuta më parë, në kryqëzimin pranë shkollës së muzikës në Fier. Një automjet tip Land Rover, i drejtuar nga një i ri, ka përplasur një qytetar që po kalonte rrugën.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Banorët e disa fshatrave që i përkasin bashkisë se Selenicës pjesë e qarkut Vlorë janë ngritur mëngjesin e kësaj të diele në një protestë paqësore në hyrje të rrugës së fshatit.
Ata po protestojnë për mungesën e rrugës së fshatit, e cila ndër vite ka qenë në gjendje të degraduar infrastrukturore. Është një rrugë rreth 10-15 km e gjatë e cila lidh më tepër se 5 fshatra të cilët janë Velca, Matogjini, Bashaj, Vërmiku, Ramica.
Ndër vite ky segment rrugor nuk ka patur asnjë investim.
Banorët kërkojnë rehabilitimin e segmentit rrugor. Në dorë mbajnë pankarta dhe bëjnë thirrje si “Duam Rrugë”, “Nuk presim më” apo edhe “Kërkojmë Investime”.
Ata kanë bllokuar për disa minuta në shenjë proteste edhe rrugën hyrëse të fshatrave.
40-vjeçari shqiptar, Pandeli Nakoleci që vrau gruan e tij 36-vjeçare para syve të katër fëmijëve, u paraqit paraditen e së dielës, 24 gusht, para prokurorit në Volos.
Gjatë mbërritjes, gazetarët e pyetën: “Pse e bëre?” dhe nëse pendohesh, por ai nuk foli teksa mbante kokën poshtë. Sipas dëshmitarëve, gjatë arrestimit ai deklaroi se e vrau gruan sepse e tradhtonte, duke thënë: “Ia bëra mirë, e meritonte. Nuk pendohen për asgjë.”
Pas ngjarjes, i dyshuari fshihej më shumë se 24 orë në një parcelë me bar, rreth 200 metra larg shtëpisë së tij. Ai kishte veshur rroba të tjera, ndërsa nuk u gjet as telefoni i tij, as thika.
Autoritetet kishin nisur një ndjekje intensive, ndërsa një fqinj njoftoi policinë për një person që lëvizte në zonë me veshje të ndryshme. 40-vjeçari u arrestua gjatë një kontrolli të policisë. Sipas burimeve, nuk ka histori dhune në familje, megjithëse i dyshuari kishte pasur më parë kontakte me policinë.
Trupi i viktimës është dërguar në Mjekësinë Ligjore të Selanikut, ku pritet të kryhet autopsia më 25 gusht 2025.
Një 41 vjeçar, është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për shtetasin Edson Jozwik alias Edson Pjetri, të cilit Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: trafikim lëndësh narkotike, pastrim parash, grup kriminal dhe kryerje veprash penale nga grup i strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të SPAK, Edson Pjetri, së bashku me persona të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, dyshohet se ka trafikuar rreth 160 kg cannabis sativa nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Njoftimi:
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.