Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shtohen rastet e ndërhyrjeve në zemër/Shkak, kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit

Rritja e sëmundshmërisë në popullatën shqiptare kryesisht të sëmundjeve kardiovaskulare ka sjellë edhe rritje të numrit të interventeve për këtë lloj sëmundje.

QSUT ka edhe   peshën më të madhe të ndërhyrjeve kardiovaskulare, kryesisht by pass aoro koronare dhe by pass valvul mekanike, por nuk mungojnë edhe ndërhyrjet e tjera të përfshira në paketat kardiologjike.

Patologjitë dhe ndërhyrjet kirurgjikale të zemrës po njohin rritje nga viti në vit. Të dhënat e fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor tregojnë se numri i paketave të kardiokirurgjisë të kryera për vitin e shkuar janë rritur me 11 %.

Pjesa më e madhe e tyre prej 67.77 % janë kryer në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndërsa të tjerat në spitalin Shefqet Ndroqi.

Rritje kanë shënuar edhe vizitat kardiologjike dhe ndërhyrjet emergjente. tabele

Nga kjo sëmundje nuk janë të prekur vetem moshat e treta por tashmë ndërhyrjet kirurgjikale po vihen re edhe tek moshat e reja.

Sipas mjekëve kjo rritje e sëmundshmërisë dhe ndërhyrjeve vjen si pasojë e kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik.

Bluzat e bardha rekomandojnë të tregohet kujdes i shtuar në drejtim të jetesës si dhe një kontroll rutinë mjekësore për të gjithë personat mbi 40 vjeç.

Tv Klan

Vera shton rastet me infeksione në lëkurë

Rrezet e diellit, temperaturat e larta dhe frekuentimi i plazhit, sjell edhe shtim të rasteve me problemet në lëkurë.

Sipas dermatologëve problemet më të shpeshat janë myku si dhe infeksionet bakteriale tek fëmijët.

“Myku është më i shpeshti që del në pah, më shumë tek pjesa e këmbëve ose në pjesët palosëse të trupit. Infeksionet bakteriale edhe ato janë të mundura në lëkurat që kanë një sistem mbrojtës lehtësisht akoma duke u ndërtuar, kryesisht tek fëmijët i gjejmë më të shpeshtë sëmundjet me ngarkesa bakteriale në lëkurë.

Sëmundjet bakteriale, mykotik edhe disa sëmundje të lëkurës që janë kronike dhe të sëmurët kronikë e që kanë një ndjeshmëri të lartë nga dielli, ne themi që ta evitojnë diellin e fortë kryesisht ato që kanë lupus, dermatozët që kanë ndjeshmëri nga rrezatimi diellor”, u shpreh Blerta Gjoni, dermatologe.

Nuk  mungojnë edhe alergjitë nga rrezet e diellit apo djegiet në lëkurë.

“Dermatikët e shpeshta në lëkurë, janë ato kategori njerëzish që pëlqejnë të rrezatohen, kryesisht tek moshat e reja, pasi ato qëndrojnë shumë më tepër në kohën e pikut në ujë. Por, kemi pasur shfaqje të rastëve të herpes simplex edhe tek fëmijët e tek mosha e adoleshencës.

Rastet që janë përkeqësuar më shumë janë ato të akneve, pasi ndonjëherë temperaturat e larta bën të mundur që kur kemi mbiprodhim të tepërt të djersës të çrregullojnë gjëndrat e yndyrnës dhe të përkeqësojë aknet”, shtoi dermatologia.

Mjekët rekomandojnë që të përdoren produkte për mbrojtjen e lëkurës si dhe të evitohet qëndrimi në diell në pikun e të nxehtit, jo vetëm për fëmijët dhe të sëmurët kronikë, por edhe ata që kanë nishane të shumta./tvklan

Pandemia e Covid-19 mund ta ‘ketë plakur’ trurin tonë

Një studim i ri nga University of Nottingham ka zbuluar se pandemia e Covid-19 ka përshpejtuar shëndetin e trurit njerëzor, edhe nëse individi nuk është infektuar.

Studimi i publikuar në Nature Communication tregoi se njerëzit që kaluan pandeminë e Covid-19  shfaqin shenja të moshimit më të shpejtë të trurit sesa ata që janë skanuar para saj.

Ndryshimet janë më të dukshme te individët në moshë dhe te personat  që vijnë nga rrethana më të disfavorshme.

Vetëm pjesëmarrësit që ishin infektuar nga Covid-19 midis skanerëve, shfaqën rënie në disa aftësi konjitive si fleksibiliteti mendor dhe shpejtësia e përpunimit.

Kjo mund të tregojë se ndikimi i  pandemisë në moshimin e trurit (pa infeksion), mund  të mos shkaktojë simptoma. Autorët thonë se efekti mund të jetë i kthyeshëm.

“Ajo që më habiti më shumë ishte se edhe personat që s’kishin kaluar Covid shfaqën ritme të dallueshme të mohimit të trurit.

Kjo tregon sesa përjetimi i vetë pandemisë, nga izolimi te pasiguria, ka ndikuar te shëndeti i trurit tonë”,tha udhëheqësja e studimit, Ali-Reza Mohammadi-Nejad.

Ekipi vëzhgoi  skanerët  e trurit të 1000 individëve të rritur.

Disa pjesëmarrës kishin kryer skanerë para  dhe pas pandemisë, të tjerë vetëm para saj. Studiuesit vlerësuan “moshën e trurit” të secilit, pra sesa  vjeç ishte truri i tyre krahasuar me moshën e individëve.

“Ky studim na kujton se shëndeti i trurit nuk varet vetëm nga sëmundja, por nga mjedisi i përditshmërisë.  Pandemia tendosi jetët e njerëzve, sidomos atyre që përballen me disavantazhe.

Ne ende s’mund ta testojmë nëse ndryshimet që pamë mund të kthehen, por është e mundur dhe ky është  një mendim inkurajues”, tha Dorothee Auer./tvklan

Instrumentet muzikore mbajnë trurin aktiv

Të luash një instrument muzikor mban trurin të ri dhe në formë. Kjo pasi frenon rënien e aftësive për perceptimin e të folurit, që me kalimin e kohës dhe moshës që avancon, dobësohet.

E vërteton një punë studimore e publikuar në revistën Plos Biology nga një bashkëpunim mes universiteteve kanadeze dhe kineze.

Kërkuesit kanë vëzhguar me rezonancë magnetike funksionale aktivitetin cerebral të personave të moshuar, duke i ndarë në grupe ata që nuk kishin aftësi dhe dije muzikore dhe ata që gjatë jetës kishin luajtur një instrument.

Rezultoi se të moshuarit muzikantë e kanë shumë më të lehtë të dallojnë tingujt e gjuhës e rrokje, edhe kur janë të mbuluar me zhurma dhe ndotje akustike.

Të moshuarit muzikantë kishin një aktivitet të trurit shumë më efikas dhe mjaft të ngjashëm me muzikantët e rinj në moshë, e kjo pasi, praktika muzikore forcon aftësinë mendore dhe e mban funksionale arkitekturën e rrjeteve nervore. Klan News

Aktiviteti fizik parandalon sëmundjet tumorale

Aktiviteti fizik është armë e fortë në parandalimin e sëmundjeve kancerogjene. Jo vetëm kaq, por rrit edhe efikasitetin e terapive onkologjike, dhe e arrin këtë pasi është në gjendje të ndryshojë mikrobiotën intestinale.

Sipas një studimi të Universitetit të Pittsburgh, ndryshimi që shkakton te kjo e fundit ndikon te qelizat imunitare, duke i shtuar efikasitetin për të vrarë qelizat tumorale.

Deri tani, provat dhe eksperimentet në laborator kanë treguar se kaviet që kishin aktivitet gjatë një periudhe 4-javore, patën tumore më të vegjël dhe më tepër mundësi për mbijetesë, benefite që u zhdukën pas terapisë me antibiotikë.

Pra, bakteret intestinale luajnë rol të mirë, dhe është vërtetuar se të ushtruarit nxit numrin e tyre, që më pas ushtrojnë rol vendimtar te mbrojtja dhe aktivizimi imunitar që lufton qelizat e sëmura.

Po ashtu, rezultoi se organizmi që ushtrohet fizikisht ka një kontroll shumë më të mirë e efikas ndaj patologjive të rënda. Klan News

Prodhohet në laborator minipankreasi/ Ja si krijohet hormoni i insulinës

Krijohen në laborator miniorganet e para, modele të thjeshtuara të organeve të njeriut. Kjo është një arritje mjaft e rëndësishme, pasi konsiderohet premtuese për krijimin e terapive të reja, kryesisht për diabetin.

Ekipi kërkimor i Mjekësisë Molekulare Max Delbrück ka arritur të rikrijojë pankreasin, duke formuar grupime qelizash që prodhojnë hormonin thelbësor, insulinën.

Deri më sot, të gjitha kërkimet për funksionimin e këtyre qelizave kaq komplekse kanë dështuar. Ndërsa kësaj here, pas 5 vitesh përpjekje, është arritur të organizohen qelizat me një rrjet enësh gjaku. Kjo e bëri të mundur që qelizat prodhuese të insulinës të piqeshin, duke u bërë mjaft të ngjashme me ato të pankreasit real.

Autorët e studimit i kanë transplantuar këto qeliza tek kaviet diabetike, dhe qelizat përgjegjëse për rregullimin e insulinës kanë rezultuar efikase. Ndërkohë, pas 19 javësh, nuk kishte më shenja të sëmundjes, çka është mjaft shpresëdhënëse për të ardhmen e terapive për diabetikët. Klan News

 

Mrekulli shkencore në Itali/ Pacienti sfidon paralizën, ecën pas 4 vitesh

Neurostimulimi ngre në këmbë një paraplegjik. Verifkohet në Itali për të parën herë në botë një rezultat i tillë, mbi një pacient 33-vjeçar, i cili para 4 vitesh kishte humbur përdorimin e këmbëve në një incident sportiv.

Ndërhyrja e realizuar ka parfshirë një trial klinik, ku së pari i është implantuar një neurostimulues në shtyllën kurrizore, që më pas është aktivizuar, e ka zgjuar disa lidhje nervore. Më pas është nevojitur kohë për rihabilitim me anë të ushtrimeve specifike.

Gjatë 3 muajve mjekët kanë asisituar në një rritje të dukshme të lëvizjeve të këmbëve dhe të kontrollit të qëndrimit të trupit. Më pas 33-vjeçari është ngritur në këmbë dhe ka arritur të ecë pas 6 muajsh nga ndërhyrja duke përshkuar 58 m në vetëm 6 minuta.

Mjekët dhe ekipi i specialistëve nga disa institute dhe spitale italiane u shprehen entuziastë dhe në verifikim të këtij protokolli, hapi i radhës do të jetë kërkesa për të marrë autorizim nga entet përkatëse për ta trajtuar këtë teknikë si një ndërhyrje rutine, pasi mundësitë janë të larta për sukses.

Aktualisht është e përshtatshme për t’u aplikuar vetëm mbi paraplegjikët, dhe në pacientë nga 18 deri në 55-vjeç, jo në mbipeshë, dhe pa sëmundje të sistemit nervor qendror. Klan News

Rikthehet “sëmundja e shekullit të shkuar”! Mjeku: Vjen nga “turizmi seksual”

Sifilizi, një nga sëmundjet  seksualisht të transmetueshme, ka shënuar rritje të rasteve në vendin tonë.  Mjeku gjinekolog, Shkëlqim Balili, shprehet  në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se vitet e fundit, ndikuar edhe nga rritja e numrit të turistëve, janë shtuar pacientët me këtë infeksion seksual. Sëmundja transmetohet përmes kontaktit me personin e infektuar.

Mjeku bën thirrje për marrjen e masave nga autoritetet për zhdukjen e kësaj sëmundjeje që i përket shekullit të kaluar.

“Para 2 javësh kam qenë në një konferencë ndërkombëtare dhe kam dëgjuar referimin e shëndetit publik në Tiranë që është shtuar sifilizi. Kjo është një problematikë”…

Katerina Trungu: Ka më shumë pacientë tani, vitet e fundit?

Shkëlqim Balili: Po. Ka edhe një mendim që është shtuar nga turizmi, ka turizëm seksual që vijnë apostafat. Mandej, ka turizëm seksual me grupe të organizuara, mandej ka grupe seksualisht edhe te meshkujt. Dua të  them që sifilizi është sëmundje e shekullit të kaluar, hyn te sëmundjet veneriane, sëmundje që merret me kontakt seksual, me lëngje, inde, prekje, me lëkurë, me puthje, veshje, vaska.

Katerina Trungu:Edhe nga puthja?

Shkëlqim Balili: Edhe puthja. Me gërvishtje, plasjet e lëkurës, pra kontakti i lëkurës. Sifilizi, unë mendoj që shteti dhe parlamenti duhet të  marrë  masa urgjente që të zhduket si sëmundje sepse është një sëmundje pa shenja, një sëmundje që neglizhohet, një sëmundje që vazhdon me vite dhe që në fund i sëmuri vdes.

Kjo sëmundje ka disa simptoma si nyje apo ulcera në lëkurë, puçrra të vogla që neglizhohen. Në çdo rast, duhet kryer një analizë gjaku që tregon menjëherë praninë e sëmundjes. Kapja e hershme e saj mundëson trajtimin dhe shërimin. Në faza të vona, sifilizi depërton në organet e trupit, në sy, tru, zemër etj duke shkaktuar mosfunksionim të tyre e deri në vdekje të pacientit.

40% e popullsisë mbi 18 vjeç me hipertension

“Prevalenca e hipertensionit në popullatën shqiptare ka ardhur në rritje.

Sipas studimeve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afro 42 %  e personave mbi 18 vjeç vuan nga hipertensioni”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.

“Hipertensioni mbetet një rrezik kryesor për të gjitha vendet e Evropës Juglindore krahasuar me vendet Evropës Perëndimore. Hipertensioni arterial ka ardhur në rritje në popullatën tonë. Prevalenca e hipertensionit arterial është tek grupmoshat më të reja, nën 40 vjeç. Tek meshkujt varion nga 16-40 %, ndërsa tek fermat nga 9-26 %”, thotë specialistja e ISHP, Dorina Canaku.

Edhe të rinjtë mbi 18 vjeç po preken nga hipertensioni.

Tek grupmosha mbi 18 vjeç dëshmon për një rritje të hipertensionit arterial në popullatës shqiptare, nga 37 % në 40 %, por pozitiv është fakti i personave që e kanë nën kontroll hipertensionin”, shprehet Canaku.

Për mjekët ky është një alarm i cili nuk duhet neglizhuar, pasi hipertensioni është klasifikuar si vrasësi i heshtur.

“Është një faktor rreziku kryesor për vdekshmërinë në vendin tonë. Të reduktohet konsumi i kripës, të konsumohen sa më shumë fruta dhe perime. Sa më pak yndyra të saturuara, të kryhet aktivitet fizik i rregullt dhe intensiv të paktën 3 ditë të javës”, shton Canaku.

Vlerësohet se 1.28 miliardë të rritur të moshës 30-79 vjeç në të gjithë botën kanë hipertension, shumica (dy të tretat), jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas raporteve të OBSH, 46% e të rriturve me hipertension nuk janë në dijeni se e kanë këtë gjendje.

Tv Klan

Studimi: Martesa rrit rrezikun për demencë

Martesa dëmton rëndë shëndetin mendor. Për më ironikët kjo do të ngjallte reagime natyrisht, por në fakt eksistojnë studime të shumta mbi temën, dhe i fundit i kryer vë në dukje se martesa rrit rrezikun për tu prekur veçanërisht nga demenca. Ekipi kërkimor bën të qartë se arsyeja qëndron pas reduktimit të jetës shoqërore, gjë që sjell izolim.

Njeriu, si qenie sociale, pavarësisht se nuk e ndjen, duhet të përmbushë detyrime, dhe me kalimin e viteve, kjo sjell pasoja në shëndet, kryesisht atë mendor, me nje degradim më të shpejtë të funksioneve të trurit, por edhe me rrezik të shtuar për tu prekur nga to. Puna kërkimore e publikuar në revistën Alzheimer and Dementia, ka marrë në shqyrtim dhe analizuar mbi 24 mijë persona të martuar në SHBA, të cilët janë ndjekur nga ekipi mjekësor për 18 vjet.

Të gjithë pjesëmarrësit në studim i janë nënshtruar në mënyrë periodike testeve neuropsikologjike, që shërben për verfikimin e gjendjes konjitive.

Në grupimin tjetër, me njerëz të pamartuar, gjithashtu janë kryer të njejtat teste përgjatë viteve me persona të moshave të ndryshme, deri në 104 vjeç.

Në rezultate dallohet një diference e madhe mes dy grupimeve, ku që në testet e kontrollet e para mjekësore kishin treguar shenja të një defiçiti të lehtë mendor që me kalimin e kohës u thellua, dhe të gjithë adultët jo të martuar kishin një risk të paktën 50% më të ulët për të vuajtur nga demenca në krahasim me kolegët e tyre të martuar.

Përfundimet kanë qenë surprizë dhe autorët hedhin hipotezën që faktori kryesor mund të jetë që një stil jetese me aktiv dhe me pak rutinor ndoshta ndikon në mbajtjen e trurit më të fresket tek ata që nuk ishin në çift të konsoliduar.

Për të rikonfirmuar rezultatet, u kërkuan faktorë të tjerë për të analizuar që mund të ndikonin në këtë ndryshim, si mosha, gjinia, etnia, edukim, varësia ndaj duhanit apo aspekte të tjera të shëndetit fizik dhe mendor.

Rezultatet duket sikur rikonfirmonin veten, dhe shkencëtarët i rikthehen hipotezave. Theksohet se jeta sociale më aktive është faktor vendimtar, pasi në sjellje normale, çiftet kanë tendencen të jenë më pak të integruar në shoqëri, duke e kthyer jetesën në një univers rutine. Kjo gjë e bën trurin të ketë më pak stimuj, dhe rehatia e përqëndrimi në vetëm disa shtylla, sjell përgjumje dhe rënie te funksioneve të trurit, që theksohet me kalimin e kohës.

Përveç kësaj, personat single janë shumë më të pavarur, një faktor ky thelbësor që ndikon në mbajtjejn e një konstanteje aktive në shumë aspekte. Studimi është mjaft interesant, por sërish duhet marrë parasysh që studime të tjera mund ta hedhin poshtë këtë hipotezë. Ndërsa antropologët, që studjojnë pikërisht njeriun, sikurse e sugjeron dhe fjala nga greqishtja e lashtë anthropos, sugjerojnë se në jemi qenie monogame, si pak të tilla në natyre, por jemi monogame seriale. Dhe këtu ndikojnë faktore nga evolucioni, kultura, biologjia dhe ndryshimet e shoqërisë ku jetojmë. Klan News

Si të dalloni arrestin kardiak nga ataku i zemrës

Arresti kardiak është një problem serioz vdekjeprurës që mund t’i ndodhë kujtdo.

Kur ndodh arresti kardiak, gjaku në organizmin e njeriut resht së qarkulluari.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, shpesh arresti kardiak ngatërrohet me atakun në zemër, ndonëse janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Arresti Kardiak

Arresti kardiak ka të bëjë me momentin kur zemra krejt papritur resht së pompuari gjak, për shkak të një problem serioz me sinjalet elektrike në këtë organ.

Kur zemra nuk pompon gjak, truri vuan për oksigjen.

Një gjë e tillë shkakton gjendje të fikëti dhe ndalim të frymëmarrjes.

Cilat Janë Shenjat E Arrestit Kardiak?

Një arrest kardiak ndodh pa simptoma dhe krejt papritur.

Nëse nuk trajtohet menjëherë, arresti kardiak mund të jetë vdekjeprurës.

Nëse dikush është goditur nga arresti kardiak, ai ose ajo :

Do të humbasin ndjenjat

Nuk do të reagojnë

Nuk do të marrin dot frymë.

Shenjat e Atakut Në Zemër

Dhimbje kraharori

Shqetësim në pjesën e sipërme të trupit

Djersë të ftohta

Të përzjera.

Këto simptoma mund të jenë të menjëhershme por mund të zgjasin edhe disa ditë përpara se një atak zemre të ndodhë vërtet.

Ndaj AgroWeb.org këshillon të shkoni te mjeku sapo të keni këto shenja.

Shkaktarët E Arrestit Kardiak

Shkaku kryesor i një arresti kardiak është prishja e ritmit normal të zemrës që ndodh kur aktiviteti elektrik në zemër bëhet aq kaotik sa zemra thjesht heq dorë.

Sëmundjet koronare, ataku në zemër, sëmundjet e valvulave të zemrës, miokardit e të tjera janë disa prej shkaktarëve më të zakonshëm të arrestit kardiak.

Cili Është Dallimi Mes Një Arresti Kardiak Dhe Një Ataku Në Zemër?

Njerëzit shpesh mendojnë që një arrest kardiak dhe një atak në zemër janë e njëjta gjë.

Ataku Në Zemër

Ataku në zemër ndodh kur furnizimi i zemrës me gjak ndërpritet si pasojë e një bllokimi të enëve të gjakut.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ataku në zemër shoqërohet me dhimbje të fortë në kraharor.

Zemra vazhdon të pompojë gjak dhe njeriu vazhdon të marrë frymë.

Arresti Kardiak

Arresti kardiak ndodh kur zemra ndalon së furnizuari trupin me gjak.

Njerëzit që pësojnë një arrest kardiak humbin ndjenjat dhe nuk marrin frymë krejt papritur.

Të dyja rastet kanë nevojë për ndihmë mjekësore të menjëhershme./AgroWeb

“Faktor ndikues, stili i jetesës” / Mjekët: 5% e fëmijëve të prekur nga astma

Edhe pse nuk ka studime të viteve të fundit në Shqipëri, rreth 5% e fëmijëve në vend janë të prekur nga sëmundja e astmës, gjë e cila sipas specialistëve ka pasur trend rritës.

“Tek fëmijët për fat të mirë, prevalenca e astmës është akoma e ulët, pra rreth 5 % e popullatës rezulton, te fëmijët në mosha pediatriake bazuar në të dhënat shkencore. Por, ajo çka ne shikojmë në përditshmërinë tonë është vënë re që sëmundshmëria është rritur, sepse dhe vet sëmundjet alergjike në Shqipëri janë rritur si sëmundshmëri, si prevalencë që ne e konsiderojmë”, tha Eris Mësonjësi, mjeke alergologe.

Disa nga faktorët ndikues në këtë problem shëndetësor janë stili i jetesës, por dhe mungesa e aktiviteteve në natyrë nënvizojnë mjekët.

“Vet jeta që ne bëjmë, përshtatja me stilin perëndimor që është një nga faktorët e rrezikut që rrit pjesën e prevalencës e sëmundjeve tona. Fakti që fëmijët rrinë më të mbyllur brenda, pra nuk luajnë më në ambientet të hapura, fakti që nuk kalojnë më aq shumë sëmundje infektive të thjeshta që i bëjnë që të forcohet deri diku imuniteti, përballemi më shumë kimikate në jetën e përditshme”, tha Eris Mësonjësi, mjeke alergologe.

Sëmundja e astmës mund të mbahet nën kontroll nga mjekimet përkatëse që merr pacienti.

“Pjesa më e madhe e astmës, 90/95% e astmave, janë astma të formave të lehta dhe të mesme që me pak mjekim, e theksoj se pa mjekim nuk duhen të jenë asnjëherë, janë goxha të stabilizuar, sëmundjen e kanë goxha të kontrolluar dhe që mund të bëjë një jetë aktive, një jetë normale. Çdo pacientë që vuan nga astma, kanë rrezik për të bërë kriza të rënda të astmës gjatë gjithë jetës së tij”, tha Eris Mësonjësi, mjeke alergologe.

Ekzaminimi pranë specialistëve, por dhe marrja e vaksinave antialergjike shmang komplikacionet serioze të astmës shprehen mjekët. Klan News

Fryrja e organizmit nga grumbullimi i lëngjeve, si të humbisni peshën e tepërt

Trupi i njeriut përbëhet nga 55 deri në 75 përqind ujë.

Por akumulimi i tepërt i ujit në trup mund të shkaktojë fryrje, dhimbje dhe shtim në peshë.

Akumulimi i ujit është vetëm një nga shkaktarët e shtimit në peshë, megjithatë ai kontributon për shtimin në peshë me të paktën 2 deri në 5 kilogramë.

Akumulimi i ujit ndodh si pasojë e disa faktorëve.

Disa prej tyre janë konsumi i madh i kripës, mungesa e proteinave, mungesa e aktivitetit fizik dhe ndryshimet hormonale.

Faktorë më të lartë rreziku janë problemet me zemrën, veshkat dhe marrja e ilaçeve kundër dhimbjeve, kontraceptivëve dhe ilaçeve për zemrën.

AgroWeb.org ju liston më poshtë disa nga mënyrat më të mira për të humbur peshën e shkaktuar nga akumulimi i lëngjeve në trup.

Si Të Humbni Peshën E Krijuar Nga Akumulimi i Lëngjeve

Aktiviteti Fizik

Mungesa e aktivitetit fizik është një nga faktorët kryesorë të akumulimit të lëngjeve në trup.

Nëse kryeni aktivitet fizik, indet e këmbëve dhe kyçeve do të lëshojnë lëngjet e mbledhura.

Kujdes Me Kripën

Pakësimi i sasisë së kripës është një nga mënyrat më efikase në humbjen e peshës së krijuar nga akumulimi i lëngjeve.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, sasia ditore e kripës së konsumuar nuk duhet të jetë më shumë se 2,300 miligramë në ditë, e barazvlefshme me një lugë çaji.

Tregoni kujdes me konsumin e proshutave, sallamrave, djathrave, supave dhe produkteve të tjera të paketuara industriale.

Më Shumë Proteinë

Proteina luan një rol kryesor në ruajtjen e ekuilibrave të lëngjeve në organizëm.

Sasia e rekomanduar ditore e proteinës duhet të jetë një gramë për çdo kilogramë të peshës trupore.

Burime të mira të proteinës janë produktet e detit, mishi i shpendëve, mishi pa dhjamë i viçit dhe derrit, vezët dhe fasulet.

Më Shumë Kalium

Kaliumi është një mineral tepër i përfshirë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup.

Ai ndihmon në nxjerrjen e ujit dhe krips nga urina dhe djersa.

Sasia e rekomanduar ditore e kaliumit është 4,700 miligramë.

Ushqime të pasura me kalium janë barishtet, banania, patatet, avokado dhe domatet.

Më Shumë Magnez

Magnezi rrit prodhimin e urinës dhe uljen e sasisë së ujit të akumuluar në trup.

Të rriturit kanë nevojë për 310-420 miligramë magnez në ditë.

Magnezi gjendet me bollëk tek barishtet si spinaqi, por edhe tek avokado, bajamet dhe fasulet e zeza.

Hidratimi

Hidratimi është shumë i rëndësishëm për nxjerrjen e ujit të tepërt nga organizmi.

Ekspertët rekomandojnë pirjen e një gote me ujë përpara çdo vakti ose ushqimi të konsumuar gjatë ditës.

Përveç ujit, ju mund të konsumoni ushqime që kanë rol hidratues siç janë shalqini, selinoja, kastraveci dhe luleshtrydhet./AgroWeb.org

“Reumatizma shkon deri tek organet”, mjekja tregon simptomat

Mjekja Valbona Salko në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan tha se reumatizma ndryshe nga sa jemi mësuar që të dëgjojmë, nuk është një sëmundje që prek vetëm kockat, kyçet apo muskujt.

Mjekja thotë se ajo shkon më gjerë nga sa ne mund ta kishim ditur.

Sëmundjet reumatizmale mund të prekin dhe organet e trupit, si veshkën, mëlçinë e të tjera, kur sëmundja ka agravuar.

Mjekja tregoi gjithashtu dhe simptomat kryesore të reumatizmës si ngurtësia e trupit në lëvizje, dhimbja e kyçeve dhe muskujve, sëmundje të lëkurë, rënie të flokëve, lodhje e shpeshtë dhe dobësi trupore. Në grupin e simptomave të sëmundjeve reumatizmale bën pjese dhe prekja e organeve.

“Përditshmëria që i përket kohës sonë përgjithësisht, është bërë rutinë që themi jam e dobët ose ndjehem e lodhur. Në moshën 20 e deri në 40 vjeç kjo është një simptomë që gjithmonë neglizhohet dhe ne kur i karakterizojmë këto sëmundje, që siç do i shohim janë me kritere. Në moshat e reja fillojnë në një mënyrë të fshehtë, në një mënyrë që gjithmonë neglizhohet. Lodhja dhe dobësia muskulore nuk kanë pse të jenë në një adult të ri, absolutisht është një simptomë që është në këto kriteret që thashë dhe nuk duhet që të neglizhohet.

Të tjera simptoma janë sëmundje e lëkurës apo rënie e flokëve. Shumë shpesh këto sëmundje shfaqen me karakteristika tipike të lëkurës, nuk janë vetëm sëmundje dermatologjike, shpesh herë janë atashim i sëmundjeve sistemike reumatizmale. Simptoma të tjera, ku ka reumatizëm ka dhe dhimbje të kyçeve dhe kockave. Mund të jetë e fokusuar në një artikulacion, por mund të jetë dhe më e shpërndarë. Individi mund ta përjetojë më shumë natën ose në momente qetësie. Tjetër simptomë është dhe kur ndjen një lloj vështirësie për t’u çuar në mëngjes. Në momentin që këta pacientë çohen në mëngjes nga krevati për të bërë rutinën e tyre, nuk e kanë më atë zhdërvjelltësinë që duhet të kenë.

Një tjetër simptomë është që këto sëmundje bëjnë dhe një lloj prekje e organeve të brendshme. Shumë prej tyre nuk kursejnë asgjë, por ky është një stad që ne nuk  do të donim që ta shikonim. Nuk do donim që të shikonim një lupus në një stad që ka prekur gjakun apo veshkën sepse pastaj për të vendosur diagnozën nevojiten shumë ekzaminime, qoftë të përgjithshme, qoftë specifike. Sa i përket pjesës së përgjithshme kur ne shohim një bilanc kur është prekur veshka, gjaku, mëlçia dhe shumë organe të tjera ne dëshpërohemi sepse i bie që pacienti ka ardhur në një stad të avancuar, ose sëmundja ka filluar me një agresivitet jo të zakonshëm”, tha mjekja./tvklan.al

Udhëzimi i ri, si do gjurmohen produktet ushqimore që nga 1 janari 2026

Nga 1 janari 2026, të gjitha produktet ushqimore që qarkullojnë në tregun shqiptar duhet të përmbajnë një kod identifikimi të njohur si “lot”, i cili do të vendoset në etiketë për të garantuar gjurmueshmëri të plotë në zinxhirin ushqimor.

Kjo masë vjen si pjesë e udhëzimit të ri “Mbi treguesit ose shenjat që identifikojnë lot-in të cilit i përket një produkt ushqimor1 të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i botuar në Fletoren Zyrtare, që synon rritjen e sigurisë ushqimore dhe përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian.

“Ky udhëzim ka për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes në faza të ndryshme të zinxhirit ushqimor të lot-it, të formuluar me tregues identifikues me shkronja ose numra, duke u mundësuar autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore”, citohet në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas këtij udhëzimi, çdo produkt ushqimor do të duhet të ketë të shënuar një tregues unik, të formatuar me shkronja ose numra, që tregon kohën dhe vendin e prodhimit, përpunimit ose paketimit. Ky tregues do t’i paraprijë shkronja “L”, përveç rasteve kur identifikimi është i qartë edhe pa të.

Udhëzimi parashikon disa përjashtime për produkte që tregtohen pa ambalazh, për paketime shumë të vogla ose produkte të destinuara për përpunim të menjëhershëm. Megjithatë, shumica e produkteve ushqimore të parapaketuara do të duhet të pajisen me këtë kod.

Produktet që janë etiketuara përpara hyrjes në fuqi të udhëzimit do të lejohen të qëndrojnë në treg deri në përfundimin e stoqeve, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është ngarkuar të monitorojë këtë proces kalimtar.

Udhëzimi

Neni 1 1. Ky udhëzim ka për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes në faza të ndryshme të zinxhirit ushqimor të lot-it, të formuluar me tregues identifikues me shkronja ose numra, duke u mundësuar autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore. 2. Për qëllimet e këtij udhëzimi, “lot” nënkupton një sasi të identifikueshme të një produkti ushqimor të dorëzuar në të njëjtën kohë dhe që është prodhuar, përpunuar ose paketuar praktikisht në të njëjtat kushte.

Neni 2 1. Produktet ushqimore tregtohen vetëm nëse përmbajnë lot-in me treguesit identifikues të përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi. 2. Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet: a) për produktet bujqësore, të cilat, pas largimit nga ferma, janë: i. shitur ose dorëzuar në stacionet e magazinimit, përgatitjes ose paketimit të përkohshëm; ii. transportohen tek organizatat e prodhuesve; ose iii. mblidhen për përfshirje të menjëhershme në një proces përgatitjeje ose përpunimi; b) në pikën e shitjes te konsumatori i fundit, kur produktet ushqimore nuk janë të parapaketuara, janë të paketuara me kërkesë të blerësit ose janë të parapaketuara për shitje të menjëhershme; c) për paketimet ose kontejnerët, ana më e madhe e të cilave ka një sipërfaqe më të vogël se 10 cm2 ; ç) në porcione individuale të akullores, treguesi që mundëson identifikimin e lot-it të tregohen në paketimin e kombinuar.

Neni 3 1. Lot-i përcaktohet në çdo rast nga prodhuesi ose ambalazhuesi i produktit ushqimor, ose shitësi i parë në Republikën e Shqipërisë. 2. Treguesit e përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, përcaktohen dhe vendosen nën përgjegjësinë e operatorëve që kryejnë procese specifike në zinxhirin ushqimor. Treguesit të paraprihen nga shkronja “L”, me përjashtim të rasteve kur dallohet qartë nga treguesit e tjerë në etiketë ose ambalazh.

Neni 4 1. Në rastin e produkteve ushqimore të parapaketuara, treguesi i përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, dhe sipas rastit, shkronja “L”, do të shfaqet në paketim ose në një etiketë bashkëngjitur.

Kur produktet ushqimore nuk janë të paketuara paraprakisht, treguesi i përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, dhe sipas rastit, shkronja “L” vendoset në paketim ose në kontejner ose, në rast të kundërt, në dokumentet shoqëruese tregtare. 3. Treguesit të vendosen në të gjitha rastet në mënyrë të tillë që të jenë lehtësisht të dukshëm, qartësisht të lexueshëm dhe të pashlyeshëm.

Neni 5 1. Kur në etiketë është vendosur data e jetëgjatësisë minimale ose “të përdoret deri …”, treguesit e përmendur në nenin 1, të pikës 1, të këtij udhëzimi, nuk vendosen në etiketën e produktit ushqimor, me kusht që data konsiston të paktën në tregues të pakoduar të datës dhe muajit duke ruajtur radhën e vendosjes.

Neni 6 1. Produktet ushqimore të etiketuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi do të vazhdojnë të tregtohen deri në mbarimin e stoqeve. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të evidentojë sasinë stok të këtyre produkteve deri në shitjen e plotë të tyre.

Neni 7 1. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Udhëzimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026./Monitor

Recetat tradicionale të pashkëve, ja çfarë gatuhet më së shumti në këto ditë feste

Pashkët janë një festë e pasur në menunë e ushqimeve tradicionale që përgatiten në këtë ditë.

Ndonëse shumë receta janë të njohura në këtë ditë disa të tjera mund të mos e dini por përgatiten edhe për Pashkë.

Në këtë artikull gjeni 5 recetat kryesore të kësaj feste.

Vezët e kuqe

Me siguri jeni fmailjarë me vezët e kuqe dhe mënyrat e shumta të ngjyrosjes së tyre në shtëpi.

Ky ritual është ndoshta më i hershmi i tradiës së Pashkëve dhe përgatitet në vigjiljen enatës së Pashkëve.

Role me mish të grirë

Mishi duke të mbizotërojë tryezën për Pashkë dhe në ato ortodokse e preferuar është roleja e mishit të grirë.

Kjo recetë përgatitet si një qofte e madhe e gjatë me vezë në mes dhe ju shërbehet të ftuarve në feta të holla.

Buka me vezë

Mund ta quani buka me vezë ose buka e ëmbël e pashkëve dhe po flasim për recetën tradicionale të bukës së Pashkëve.

Cyrek

Cyreku bazohet në recetën e një buke të hershme me origjinë greke. Ka formën e gërshetit dhe përmbam dy lloje gjalpi dele dhe lope.

Yshmer

Më siguri keni dëgjuar për recetën e vjetër të yshmerit, por a edini se përgatitet edhe për Pashkë. Kjo pjatë është tradicionale e zonës së Myzeqesë dhe gatuhet me shije të ëmbël dhe të kripur.

Përgatitja e yshmerit kërkon pak kohë pasi duhet të hapni petë për tí spërkatur me mbushjen tracionale me gjalpë, vezë dhe qumësht./AgroWeb.org

A janë të sigurta për diabetikët pijet me kafeinë?

Diabetikët duhet të tregojnë shumë kujdes me ushqimin ashtu si edhe me lëngjet.

Ata duhet të heqin dorë nga ëmbëlsirat e përpunuara dhe karbohidratet e tjera të rafinuara, të cilat rrisin ndjeshëm nivelet e sheqerit.

Nga ana tjetër ka disa ushqime e pije të përditshme, të cilat është e pamundur t’i shmangesh aq lehtë.

Miliona njerëz në botë tregohen më dorëlëshuar kur vjen puna tek pijet me kafeinë, sepse ndryshe nga sheqeri, kafeina supozohet të jetë më pak e dëmshme për diabetiket.

A janë të sigurta për diabetikët pijet me kafeinë?

Studimet kanë treguar se kafeina ul ndjeshmërinë e insulinës dhe rrit nivelin e sheqerit në gjak tek njerëzit e diagnostikuar me diabet të tipit 2.

Një studim i vitit 2017 shpjegoi se kafeina rrit nivelin e glukozës dhe e mban lart atë për shumë kohë.

Kjo nuk duket diçka e mirë e megjithatë, studime të tjera thonë se disa aspekte të kafeinës mund të jenë mirëbërëse për njerëzit që vuajnë nga diabeti.

Nëse nuk vuani nga diabeti, ekspertët thonë se nuk duhet të hiqni dorë nga kafeja.

Një studim i vitit 2014 zbuloi se pirja e dy filxhanëve në ditë ul rrezikun e diabetit të tipit 2 me 12 përqind.

Sipas studiuesve si kafeja dhe çaji kanë vlera shtesë për shkak të antioksidantëve të cilat mbrojnë trupin dhe rrisin aftësitë mbrojtëse të sistemit imunitar.

Çaji jeshil në veçanti mundet të ulë rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit dy, sepse është i pasur me antioksidantë.

Për më tepër, ky çaj është shumë i mirë për rënien në peshë sepse mbipesha është problem për diabetikët.

Pijet Më Të Mira dhe Më Të Këqija Për Diabetikët

Pijet e gazuara dhe me kafeinë nuk duhen konsumuara, thonë specialistët.

Këto pije kanë më shumë sheqer se sa kafeinë.

Një pije e gazuar ka 37 gramë sheqer ose 9 lugë çaji sheqer dhe vetëm 33 miligram kafeinë.

Pijet me ëmbëlsues artificialë rrisin rrezikun e sëmundjeve të metabolizmit dhe diabetit të tipit 2.

Pijet energjike apo ato pije që pretendojnë të kenë vitamina janë më të tmerrshmet. Një kanaçe e thjeshtë përmban minimalisht 27 gramë sheqer dhe 28 gramë karbohidrate, duke u kthyer në një tmerr të vërtetë për diabetikët dhe jo vetëm.

Nga ana tjetër, vitaminat dhe mineralet merren më mirë nëpërmjet ushqimit dhe jo pseudo pijeve të shëndetshme.

Sasia e Duhur e Kafeinës Për Diabetikët dhe Jo Vetëm

Kur vjen puna tek sasia, ajo nuk është e njëjtë për çdo njeri.

Niveli i sheqerit në gjak rritet ndryshe nga njëri tek tjetri, ndaj i takon vetëm njerëzve që të mbajnë nën vëzhgim racionet dhe sasitë e pijeve që konsumojnë dhe pasojat që lënë pas.

Pirësit e rregullt të kafesë duhet të mbajnë nën kontroll edhe kolesterolin.

Është e sigurt që nëse ju pëlqen kafeja, niveli i kolesterolit është i lartë./AgroWeb.org

Studimi: Mënyra e jetesës pas të 50-ave përcakton vdekjen

Është logjike, por kur propagandohet nga më shumë se 120 studiues, tingëllon edhe më urgjente.

Pas të 50-ve burrat dhe gratë duhet të shmangin duhanin, si dhe kolesterolin e tepërt dhe mbipeshën. Kjo ka efekt.

50-vjeçarët, që nuk pinë duhan, kanë presion normal të gjakut, nuk kanë kolesterol të lartë ose diabet dhe mbajnë një peshë trupore të shëndetshme, jo vetëm që jetojnë më gjatë, por janë të mbrojtur më gjatë edhe nga sëmundjet kardiovaskulare.

Këtë e zbuluan shkencëtarët e klinikës universitare Hamburg-Eppendorf (UKE) – së bashku me rreth 120 studiues në mbarë botën. Për studimin e tyre shkencëtarët vlerësuan të dhënat e më shumë se dy milionë njerëzve nga 39 vende.

Rezultatet u publikuan në numrin e fundit të revistës “New England Journal of Medicine”.

“Pesë faktorë klasikë të rrezikshmërisë”

“Pesë faktorët klasikë të rrezikut presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, diabeti, nënpesha ose mbipesha apo obeziteti dhe nivelet e larta të kolesterolit janë përgjegjës për rreth gjysmën e të gjitha sëmundjeve kardiovaskulare në mbarë botën”, thotë Christina Magnussen, autorja kryesore dhe zëvendësdrejtoresha e klinikës së kardiologjike në UKE.

“Ne donim të dinim, se si mungesa ose kontrolli i këtyre faktorëve ndikon te jetëgjatësia.

Studimi tregon, se gratë që në moshën 50 vjeçare nuk kishin asnjë nga këta faktorë rreziku zhvilluan sëmundje kardiovaskulare 13,3 vjet më vonë dhe vdiqën 14,5 vjet më vonë se gratë me të pesë faktorët e rrezikut.

Burrat pa këta faktorë rreziku jetuan 10.6 vjet më gjatë pa sëmundje kardiovaskulare dhe vdiqën mesatarisht 11.8 vjet më vonë se burrat me faktorë rreziku. Gratë, që në moshën 50 vjeçare nuk pinë duhan, jetojnë 5,5 vjet më gjatë pa sëmundje kardiovaskulare; për meshkujt është 4,8 vjet.

Mbajtja nën kontoll e tensionit të gjakut

“Prandaj ia vlen që me moshë të ndryshoni sjelljen tuaj. Nga të pesë faktorët e rrezikut, kontrolli i presionit të gjakut është ai që ka lidhje me sasinë e viteve të tjera të shëndetshme”, shpjegon Stefan Blankenberg, drejtor mjekësor i qendrës universitare për zemrën dhe enët e gjakut në UKE. Njerëzit, që e kontrollojnë presionin e lartë të gjakut ose e lënë duhanin në moshën 55-60 vjeç, jetojnë më gjatë dhe pa sëmundje kardiovaskulare sesa njerëzit, që nuk ndryshojnë stilin e tyre të jetesës.

1,4 milionë njerëz në Gjermani me demencë

Instituti Robert Koch (RKI) ka bërë publike të dhënat aktuale mbi sëmundjen e demencës në Gjermani. Sipas tij rreth 1,4 milionë njerëz këtu janë të prekur nga demenca. Në vitin 2022, 2,8 përqind e njerëzve mbi moshën 40 vjeç jetonin me diagnozën e demencës, njofton RKI në Berlin. Femrat janë më të prekura se meshkujt. Në përgjithësi me moshën rritet edhe shpeshtësia e sëmundjes – një diagnozë të tillë kishin 6,9 përqind e mbi 65 vjeçarëve.

Numri i rasteve të demencës në Gjermaninë lindore dhe në lindje të Bavarisë ishte më i lartë se në rajonet e tjera. Sipas studimit një rol të rëndësishëm mund të luajnë faktorët e rrezikshmërisë, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, që në dekadat e fundit kanë patur një shpërndarje të pabarabartë rajonale, por në Gjermaninë Lindore ishin më të zakonshme.

300.000 njerëz vuajnë nga parkinsoni

Studiuesit nga RKI dhe Instituti Shkencor i AOK (Wido) analizuan edhe të dhënat mbi shpeshtësinë e sëmundjes së parkinsonit. Në vitin 2022 në Gjermani, sipas të dhënave, jetonin gati 300.000 njerëz të diagnostikuar me parkinson. 0.61 për qind e 40-vjeçarëve, burrat ishin më shpesh të prekur se gratë. Prezenca e sëmundjes së parkinsonit rritet me moshën. Tek personat mbi 65 vjeç ishin të prekur 1.42 për qind.

Demenca dhe parkinsoni janë dy sëmundjet neurodegjenerative më të zakonshme. Demenca karakterizohet nga një përkeqësim progresiv, i pakthyeshëm i strukturave të trurit, që shoqërohet me një rënie të aftësive njohëse si kujtesa, gjuha, vëmendja dhe përqendrimi, por edhe nga ndryshime të personalitetit, emocioneve dhe aftësive sociale. Sëmundja zhvillohet ngadalë dhe është deri tani e pashërueshme.

Në sëmundjen e parkinsonit ndodh dëmtimi i qelizave nervore të trurit, që prodhojnë neurotransmetuesin dopamin.

Si rezultat shfaqen pengesa, sidomos në aftësitë motorike. Ngurtësimi i muskujve ose dridhjet janë tipike. Mund të ketë edhe çrregullime të fshikëzës urinare dhe tretjes, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, depresion dhe rrëzime.

Shifrat janë bazuar në të dhënat e të siguruarve në sigurimin shëndetësor AOK dhe janë publikuar në “Journal of Health Monitoring”./DW

Ushqimet e darkës që ju fryjnë stomakun pa e ditur

Darka, si vakti i fundit i ditës, luan një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punëve në organizëm jo vetëm gjatë natës.

Përzgjedhja e ushqimeve të duhura është faktor jo vetëm i një gjumi të qetë e të pa trazuar por edhe i problemeve (ose jo) me tretjen.

Një nga këto probleme, është fryrja, e cila është e sikletshme dhe mund të na lërë gjithë natën pa gjumë.

Ushqimet e Darkës Që Ju Fryjnë Pa E Ditur
Fryrja në stomak mund të burojë nga një sërë problemesh si:

Konsumi i tepruar i fibrës
Konstipacioni
Sindroma e Zorrës së Irrituar
Konsumi i tepruar i ushqimeve të fermentuara.
Ushqimet e mëposhtme kanë tendencën të shkaktojnë fryrje në stomak nëse i konsumoni në darkë.

Mishi i Kuq Me Yndyrë
Ushqimet me bazë shtazore dhe tepër të yndyrshme janë të tmerrshme për tretjen.

Ato kërkojnë shumë kohë për tu tretur dhe shkaktojnë fryrje dhe rëndesë në stomak.

Përpos tyre, kripa luan një rol në tretje sepse organizmi mbledh më shumë ujë prej saj.

Ushqimet Pikante
Ushqimet pikante dhe me fibër fermentohen në stomak sepse kërkojnë shumë kohë për tu tretur duke shkaktuar kështu një grumbullim të dëmshëm të gazrave në stomak.

Fryrja që do të përjetoni prej këtyre ushqimeve do ju lërë gjithë natën pa gjumë.

Brokoli, Lulelakra dhe Lakrat e Vogla
Ushqime të tilla kanë tendencën të shkaktojnë fryrje dhe gazra tek disa njerëz.

Për më tepër, ato përmbajnë një karbohidrat kompleks që fermentohet në stomak dhe nxit prodhimin e gazrave.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që ushqime të tilla të integrohen ngadalë në regjimin ushqimor deri sa stomaku të mësohet ngadalë me tretjen e tyre.

Ushqimet Që Eliminojnë Fryrjen e Stomakut?
Ushqimet e mëposhtme jo vetëm që nuk ju fryjnë por edhe ndihmojnë në mbarëvajtjen e tretjes

Kivi
Kivi është një frut shumë i pasur me fibër.

Ekspertët thonë se ngrënia e dy frutave në ditë për katër javë me radhë eliminon konstipacionin dhe fryrjet e stomakut.

Çaji i Nenexhikut
Ky çaj është përdorur prej shekujsh për të përmirësuar tretjen dhe zgjidhur problemet e stomakut.

Studimet thonë se ky çaj ose suplementët e nenexhikut mund të konsumohen rregullisht për katër javë.

Në këtë mënyrë ato do të përgjysmojnë simptomat e problemeve me tretjen dhe do të shfryjnë stomakun.

Bananja
Ky frut është një burim shumë i pasur i fibrës e cila ushqen bakteret e mira në stomak dhe përmirëson tretjen.

Gratë që hanë dy banana në ditë për 2 muaj me rradhë kanë një bark më të sheshtë.

Kefiri
Kefiri përmban një enzimë të rëndësishme që shpërbën laktozën, një sheqernë tek qumështi që shkakton probleme me stomakun.

Pirja e kefirit zgjidh problemet me tretjen dhe eliminon fryrjen dhe gazrat me të paktën 70%.

Xhenxhefili
Xhenxhefili është përdorur prej mijëra vitesh për të qetësuar stomakun dhe përmirësuar tretjen.

Ai qetëson muskujt dhe lejon trupin të nxjerrë gazrat më me lehtësi.

Xhinxheroli, një prej përbërësve kryesorë të këtij zhardhoku, ofron përfitime të shkëlqyera për stomakun dhe tretjen.

Pjepri
Pjepri ka aftësi çliruese dhe ndihmon në eliminimin e ujrave të tepërt nga organizmi.

Ai shfryn stomakun por edhe shërben si një zëvendësues natyral i elektroliteve sepse është shumë i pasur me kalium./AgroWeb

Aplikacioni me inteligjencë artificiale për zbulimin e kancerit të lëkurës

Kompania britanike e teknologjisë, “Skin Analytics” ka marrë miratimin nga organet rregullatorë për aplikacionin “DERM”, një sistem autonom me inteligjencë artificiale për zbulimin e kancerit të lëkurës që mund të përdoret në telefonat inteligjentë.

Zbulimi i kancerit të lëkurës në fazat e hershme rrit shkallën e lartë të mbijetesës. Kjo teknologji mundëson fotografimin e lëkurës së pacientit dhe diagnostikimin pothuajse të menjëhershëm.

Rrezet e ngrohta të diellit nuk janë gjithmonë të mira për lëkurën e disa njerëzve. Evropa po përballet me një mungesë të theksuar mjekësh të lëkurës, me rreth 30 dermatologë për një milion banorë.

Kanceri i lëkurës është një nga format më të trajtueshme të kësaj sëmundje, nëse zbulohet në fazat e hershme. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thonë se normat e kancerit të lëkurës janë rritur 170% gjatë dekadës së fundit dhe 11% e rasteve urgjente u duhet të presin më shumë se një muaj për t’u vizituar tek mjeku.

Kompania “Skin Analytics” po demonstron në Londër teknologjinë e re “DERM AI”. Aplikacioni në fjalë funksionon në shumicën e telefonave inteligjentë dhe kërkon një lente shtesë që mundëson fotografimin e lëkurës dhe diagnozën pothuajse të menjëhershme.

“Procesi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë. Siç e shikoni kam hapur aplikacionin që aktivizon kamerën dhe zgjedh pjesën e trupit ku do të fotografojmë. Cilësia e fotos duhet të jetë sa më e mirë që të vlerësohet nga inteligjenca artificiale. Pasi zgjedh foton më të mirë, rezultati del brenda pak sekondash, duke ofruar detaje se çfarë nënkupton. Imazhi ruhet në sistem për t’u krahasuar me rezultatet që pasojnë”.

Inteligjenca artificiale krahason foton e marrë nga lëkura e pacientit me një bibliotekë imazhesh dhe pastaj jep rezultatin.

Kompania “Skin Analytics” thotë se “DERM” ka një shkallë saktësie prej 98.8% në diagnostikim.

Neil Daly, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë “Skin Analytics” shpjegon se si teknologjia pas aplikacionit “DERM” tashmë gjendet në shumicën e telefonave inteligjentë.

“Mund të përdorim një sërë telefonash të ndryshëm inteligjentë për të fotografuar zonën e dyshuar të lëkurës. Përdorim një lente të posaçme që e ngjitet tek telefoni për marrë një imazh me cilësi shumë të lartë. Kjo lloj teknologjie mundëson që shumë pacientë të vizitohen brenda një kohe të shkurtër si rezultat i disponimit të telefonave inteligjentë”.

Rregullatori Evropian për Pajisjet Mjekësore i hapi dritën jeshile përdorimit të këtij aplikacioni, duke u bërë pajisja e parë autonome me inteligjencë artificiale e autorizuar për zbulimin e kancerit. Rreth 21 qendra mjekësore në Britani po e përdorin këtë aplikacion dhe kanë testuar rreth 135, 000 pacientë. Kompania “Skin Analytics” thotë se kjo teknologji ka ndihmuar diagnostikimin e më shumë se 13,000 pacientëve të prekur nga kanceri i lëkurës.

Në zhvillim prej 12 vjetësh, aplikacioni DERM me inteligjencë artificiale mbështetet tek një librari e madhe të dhënash dhe imazhesh ku përfshihen kacerët e lëkurës, lëkura në fazat e para të shfaqjes së sëmundjes si dhe dëmtime të lëkurës që ngjasojnë me sëmundjen./VOA

❌