Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Qipro, dy persona humbin jetën, gjenden të djegur brenda automjetit të shkrumbuar

Dy persona kanë humbur jetën brenda një automjeti të shkrumbuar nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë rajonin jugor të Qipros.

Mediat e huaja raportojnë se trupat e pajetë, të karbonizuar, u gjetën në një makinë të djegur në fshatin Malia, në Limasol, ku zjarri shpërtheu të mërkurën pasdite.

Mësohet se viktimat nuk janë identifikuar ende, por automjeti i përkiste një gruaje 77-vjeçare, e cila ishte shpallur e zhdukur.

Rreth 250 zjarrfikës janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme. m.p.

Kryebashkiaku i Shijakut: Kemi 160 vende të lira pune, paga 1 milionë lekë

“Bashkia Shijak, në bashkëpunim me Zyrën e Punës, ka hapur 160 vende të reja pune për muajin Korrik” – njofton kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana përmes një postimi në Facebook.

Arbana shkruan se pozicionet e lira përfshijnë agjentë shitjesh, punëtorë fabrike, shoferë, juristë, IT, kamarierë, marangozë, si dhe profesione të tjera.

Elton Arbana duke theksuar se kjo nismë synon të mbështesë familjet dhe ekonominë lokale, sqaron se këto janë pozicione pune të mirë paguara me paga që shkojnë deri në 100,000 lekë të reja në muaj. m.p.

Giorgia Meloni në kopertinën e TIME: Nuk jam raciste, po mbrojmë qytetërimin tonë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është zgjedhur nga revista amerikane TIME për të qenë në kopertinën e numrit të saj më të fundit.

Artikulli shoqërues mban titullin: “Ku po e udhëheq Giorgia Meloni Evropën?”, duke analizuar rolin në rritje të lideres italiane në skenën europiane dhe më gjerë.

Në intervistën për revistën, Meloni thekson: “Unë besoj se duhet të mbrojmë atë që jemi: qytetërimin tonë, identitetin tonë, kulturën tonë.” Ajo e përkufizon nacionalizmin e saj si një formë vetëmbrojtjeje ndaj globalizmit, për të cilin thotë se “nuk ka funksionuar.”

TIME i kushton hapësirë edhe pozicionit të saj në politikën ndërkombëtare, duke përmendur mbështetjen që Meloni i ka dhënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe mënyrën sesi ajo komunikoi këtë qëndrim gjatë një takimi me ish-presidentin amerikan Donald Trump.

“Trump e dëgjoi, u përgjigj, por pa krijuar hidhërim,” shkruan revista. Meloni e komentoi takimin duke thënë: “Ne të dy jemi luftëtarë.”

Artikulli ndalet edhe në detaje më personale nga jeta e kryeministres. Motra e saj, Arianna Meloni – gjithashtu koordinatore e partisë Vëllezërit e Italisë – rrëfen se babai i tyre i braktisi kur ishin fëmijë: “Kjo tregon se, thjesht, nuk ishte i interesuar për ne.”

Në pjesë të tjera të intervistës, Meloni përpiqet të sqarojë pozicionet e saj përballë kritikave të shumta që i adresohen brenda dhe jashtë Italisë: “Më kanë akuzuar për gjithçka – nga lufta në Ukrainë deri te vdekja e njerëzve në Mesdhe. Ata thjesht nuk kanë argumente. Unë nuk jam raciste, nuk jam homofobe, nuk jam asgjë nga ato që thonë për mua.” m.p.

Rama publikon pamjet: Te Fresku rikthehet ajri pas çlirimit të hapësirave publike

Kryeministri Edi Rama vijon me publikimin e pamjeve nga zona të ndryshme të Tiranës, ku hapësirat publike janë çliruar nga ndërtimet pa leje në Tiranë.

Këtë radhë, Rama ka publikuar pamjet nga zona e Freskut në kryeqytet, ku heqja e strukturave metalike të lokaleve brenda hapësirave të përbashkëta të pallateve, u ka rikthyer ajrin banorëve.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet pa leje vazhdon prej disa ditësh në të gjithë vendin.

Kryeministri Rama u ka bërë thirrje pronarëve të lokaleve e bizneseve që t’i çmontojnë vetë këto struktura, në të kundërt do të përballen me gjoba. m.p.

Liverpool nuk ndalet, do sulmuesin që kushton 165 mln euro

Liverpooli vazhdon të kërkojë përforcime për repartin ofensiv dhe një nga emrat që mbetet fort në radarin e “The Reds” është Alexander Isak. Sulmuesi suedez, i cili shënoi 27 gola sezonin e kaluar, është vënë në qendër të vëmendjes pas mungesës së tij në turneun parasezonal të Newcastle United në Azi.

Newcastle United mbetet i vendosur: Isak nuk është në shitje. “Magpies” e vlerësojnë sulmuesin me 165 milionë euro dhe theksojnë se kanë avantazhin, pasi lojtari ka edhe tri vite të mbetura në kontratë. Bisedimet për një rinovim të mundshëm kanë ngecur, çka e ka përkeqësuar edhe më tej situatën.

Sipas “Sky Sports”, nuk është bërë ende asnjë kërkesë zyrtare për transferim nga ana e Isakut, por raportohet se ai është i zhgënjyer që Newcastle nuk i dha mundësinë të bisedonte me Liverpool-in më herët gjatë verës.

Nënshkrimi i Alexander Isak, pas Ekitike, do të ishte një deklaratë e qartë e ambicieve të Liverpool-it në këtë merkato. Newcastle po shqyrton një mundësi për të nënshkruar me Benjamin Sesko në rast se Alexander Isak largohet. m.p.

Xheni Karaj i përgjigjet Evi Kokalarit: Je grua e ligë, unë s’dal në protesta për lekë

Një debat ka shpërthyer mes aktivistes konservatore Evi Kokalari dhe aktivistes për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Xheni Karaj, pas protestës të zhvilluar një ditë më parë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të Palestinës.

Evi Kokalari ka reaguar me tone të ashpra ndaj pjesëmarrjes së Karajt në protestë, duke e quajtur një “idiotllëk të financuar nga Soros dhe e majta ndërkombëtare”, ndërsa ka përfshirë në kritikat e saj edhe aktivisten e njohur suedeze Greta Thunberg.

“Fakti që Xheni Karaj dhe Greta Thunberg janë në krye të protestës tregon shumë mirë kush e financon këtë idiotllik.

Xheni Karaj ka marrë boll para nga Soros dhe organizata të majta për të shtyrë ‘të drejtat’ e homoseksualëve në Shqipëri dhe arriti deri aty që hidhte në gjyq për ‘diskriminim’ të krishterët që refuzonin që në një familje të hiqeshin emërtimet ‘nënë dhe baba’, e të zëvëndësoheshin me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’, pra Xheni Karaj është element që përdoret për degjenerimin total të shoqërisë civile nga ata të Davos

Greta Thunberg është produkt direkt i Partise së Davos dhe u përdor që kur ishte minorene.

Shto të gjithë ata që ju bashkuan këtyre sepse mendojnë se muhamedi i lindur diku nga shekulli i 7të, ka më shumë vlerë se Konstandini i madh, Justiniani, apo se mbreti Bardhyl dhe mbreti Agron dhe Gjergj Kastrioti, që ndërtuan themelet e këtij kombi.

Jam gati ti blej Xheni Karaj një biletë avioni (madje business) për të shkuar në Gaza dhe të bëhet ‘spokeperson’ për Hamasin dhe Gazën, të cilën e shkatërroi Hamasi vet, ama kur ta hedhin nga tarraca e ndonjë pallati sepse është GAY, mos të kërkoj ndihmë për t’u kthyer në atdhe.

Boll dëme po i bën shoqërisë tonë”,- shkruan Kokalari në rrjetet sociale.

Në përgjigje, Xheni Karaj e cilëson deklaratën e Kokalarit si plot urrejtje dhe paragjykim, duke theksuar se gratë si Kokalari janë rritur me “thërrimet e pushtetit patriarkal”, dhe nuk arrijnë të kapërcejnë “mediokritetin e qenies së tyre”.

“E dashur Evi,

Gratë si ti që janë mësuar të jetojnë me thërrimet që pushteti i burrave “konservatorë” dhe patriarkal ju hedh në tavolinë si lëmoshë, duke ju dhënë vetëm iluzionin se jeni të barabarta me ta nuk e tejkalojnë dot mediokritetin e qenies së tyre.

Kur bëhet fjalë për dhunimin dhe vdekjen e mijëra fëmijëve, grave e burrave të pafajshëm, ju heshtni, ose edhe më keq, lehni pas tastierës për të sharë e për të diskredituar ata që ngrihen për ti thënë jo vrasjes dhe vdekjes.

Ironia është se ti, e cila pretendon se po mbron “themelin e kombit” duke sulmuar një grua që mbron të drejtat e njeriut, në fakt po mbron vetëm privilegjet e atyre që historikisht na kanë mohuar historikisht ne grave çdo të drejtë, çdo vend, çdo zë.

Ti zgjedh të shpërfillësh faktin që unë dhe shumë të tjerë dalim në rrugë jo për t’u pasuruar nga “fondet e Davosit” apo “Soros”, por sepse besojmë se çdo jetë ka vlerë dhe se dhuna nuk justifikohet kurrë.

Kur përmend me lehtësi dhe ligësi të frikshme se do të më blesh një biletë për në Gaza, vetëm për të përmbushur fantazinë tënde perverse ku mua më hedhin nga tarraca e një pallati sepse jam lesbike, ti nuk po më ofendon mua.

Ti në fakt po zbulon më shumë skëterrën që ke brënda vetes tënde, të cilën e ke mësuar nga pushtetet e burrave që adhuron.

Mos u shqetëso për mua Evkë. Unë do të vazhdoj të jem këtu.

Do të vazhdoj të flas për të drejtat e grave, për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e njerëzve që shtypen nga të gjitha regjimet.

Do të vazhdoj të luftoj për një botë ku asnjë grua të mos dhunohet, heshtë e të përkulë kokën përballë urrejtjes.

E ti, e dashur Evi, nëse një ditë vendos të lësh mënjanë thërrimet dhe të ngresh kokën, ne do të jemi këtu.

Deri atëherë, vazhdo vill vrer e ushqehu me fantazi perverse sepse ne të tjerët do të vazhdojmë të bëjmë punën që duhet bërë për të krijuar një botë më të drejtë”, shkruan Karaj. m.p.

Vrau babain në bashkëpunim me nënën, si gënjeu 26-vjeçarja: U rrëzua në tualet dhe vdiq

“Ra në tualet dhe vdiq”. Kjo është dëshmia e 26-vjeçares Emanilda Rama e cila mbyti me tel të atin e saj, Anesti Rama në Fier.

Ngjarja u krye nga e reja në bashkëpunim me të ëmën, e cila ndihmoi në pastrimin e trupit të viktimës dhe vendngjarjes me qëllim që të inskenonin vdekjen si aksidentale.

Policia nisi hetimet për rastin dhe zbuloi se 26-vjeçar kishte kryer krimin në bashkëpunim me nënën ndërsa të dyja përfunduan në pranga.

Krimin e bën edhe më tronditës deklarata e vajzës e cila në dëshminë e saj në polici ka pranuar vrasjen pasi sipas saj, i ati e trajtonte me shumë fanatizëm, duke mos e lejuar as të vishet në mënyrë bashkëkohore e as te argëtohet, një sjellje që i ushtronte shumë presion në përditshmërinë e saj. m.p.

Digjen 3 shtëpi në Kakavijë, ndërpritet për një orë qarkullimi i automjeteve

3 banesa janë djegur në fshatin Kakavijë, shumë pranë edhe me doganën që lidh vendin tonë me Greqinë.

Si pasojë e situatës së krijuar, qarkullimi i mjeteve për efekt sigurie për qytetarët u ndërpre për gati 60 minuta.

Dhimitraq Toli, kryetari i Bashkisë Dropull, u shpreh se situata u vendos nën kontroll falë angazhimit të forcave të repartit zjarrfikës, por edhe mbërritjes së dy avionëve nga shteti fqinj.

Për fat të mirë, nuk raportohen dëme në njerëz, ndërsa lëvizja vijon normalisht pranë pikës kufitare. m.p.

“Nëse lojtari ynë shkon në Arabi, duam përqindje!” Liverpool i vendos kusht Bayern-it

Luis Diaz do të transferohet te Bayern brenda 8 ditëve të ardhshme. Kështu shkruan gazeta e Mynihut, TZ, e cila ka zbuluar edhe detajet e transferimit.

Liverpool ka pranuar të ulet në bisedime për të caktuar çmimin e sulmuesit, duke dhënë qartë sinjalet se do ta shesë kolumbianin. Bayern ofron 75 mln euro për Luis Diaz, por klubi anglez kërkon diçka më shumë.

Metoda sesi mund të arrihet një akord është vendosja e një klauzole rishitjeje. Nëse Bayern e shet sulmuesin në Arabinë Saudite brenda tri vitesh, Liverpool kërkon një përqindje.

Paga aktuale e kolumbianit në “Anfield” është 2,7 mln euro neto në vit. Bayern pritet ta paguajë 7 mln euro neto në vit. m.p.

“Berisha s’duhet të jetë më kryetar, kërkon alibi për të mos dhënë dorëheqjen”

Për publicistin Namir Lapardhaja, me humbjen në zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk duhet që të jetë më në krye të PD, sipas statusit të kësaj partie.

I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ai tha se Berisha vijon që të kërkojë albi për humbjen në zgjedhje për të mos dhënë dorëheqjen.

‘Sa kohë që një parti s’ka kurojë që ta lexoj drejt rezultatin do të gjejë justifikime, e gjithë përpjekja nga 11 maji dhe deri më sot mendoj se PD i duhet që të mbajë gjallë një kauzë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve. Berishës i duhet alibi për të justifikuar qëndrimin e tij në krye të PD. Sepse si mund ta mbajnë gjallë ata frymën opozitare, vetëm duke krijuar alibi të tilla, pasi edhe grupi i PD është rrudhur.

E shoh si një përpjekje për të mbijetuar se sa për të zgjidhur diçka. Si çdo zgjedhje edhe ato të 11 majit kanë pasur problematika, por duke marr parasysh edhe rekomandimet e OSBE-së. Berishës i duhet alibia e farsës për të mos dhënë dorëheqjen, pasi në bazë të statusit të PD Berishës i takon sot që të mos jetë drejtues i PD. Sepse statusi thotë se lideri që humbet zgjedhjet duhet që të largohet’, tha ai.

Teksa u ndal tek përplasjet mes Adratik Lapajt dhe Endrit Shabanit, ai tha se një përplasje të tillë e kishte parashikuar para zgjedhjeve të 11 majit.

‘Unë e kisha parashikuar këtë përplasje mes tyre, pas disa shenjave arrogante që kishin treguar para zgjedhjeve. Nga këta politikan të rinj pritet që të sjellin frymë të re, kurse ata hodhën në erë besimin e shumë njerëzve tek politika e re’, tha ai.

Teksa në shtator do të nis edhe sesioni i ri parlamentar, Lapardhaja, parashikoi një opozitë që do të vijojë me rrëmujë dhe një mazhorancë më emra të rinj në kabinetin qeveritar.

‘Atë që kemi parë edhe më parë një kabinet i Ramës me emra të panjohur dhe përballë tij kemi një opozitë që do të bëjë rrëmujë. Rama në çdo zgjedhje të kaluara edhe pse del fitues, ai vazhdon fushatën për zgjedhjet e ardhshme. Po në këto ditë është sjell edhe si kryebashkiak, si drejtues i IKMT dhe si drejtues i drejtorive të caktuara të pushtetit vendor dhe kjo vjen nga mënyra e konceptit që Rama ka për shtetit’, tha ai. m.p.

Universiteti amerikan pranon: Do paguajmë 221 mln dollarë pas problemeve me Trump

Universiteti i Kolumbias në Nju Jork ka rënë dakord të paguajë 221 milionë dollarë pas një mosmarrëveshje me administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund hetimeve mbi akuzat për antisemitizëm.

“Universiteti i Kolumbias ka arritur një marrëveshje me qeverinë amerikane për t’i dhënë fund hetimeve federale mbi shkeljet e dyshuara të ligjeve federale kundër diskriminimit”, tha universiteti në një deklaratë.

Sipas marrëveshjes, “shumica e subvencioneve federale që u anuluan ose pezulluan në mars të vitit 2025” do t’i vihen përsëri në dispozicion universitetit, tha ajo.

Trump akuzon Universitetin e njohur të Kolumbias dhe institucione të tjera arsimore se nuk kanë ndërmarrë veprime kundër antisemitizmit gjatë protestave mbarëkombëtare në lidhje me luftën në Gaza.

Qeveria kishte shkurtuar fondet federale për Universitetin e Kolumbias me 400 milionë dollarë (rreth 369.2 milionë euro) për shkak të akuzave për antisemitizëm dhe dështimit të tij për të mbrojtur studentët hebrenj.

Më pas, universiteti ra dakord për një sërë reformash për të rikuperuar fondet, duke shkaktuar zemërim tek shumë studentë.

Vitin e kaluar, shumë universitete amerikane, përfshirë Universitetin e Kolumbias, ishin skena e protestave të dhunshme anti-Izrael në lidhje me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe Luftën pasuese në Gaza.

Columbia tha se gjithashtu ra dakord të zgjidhte hetimet e ngritura nga Komisioni i SHBA-së për Mundësi të Barabarta në Punësim për 21 milionë dollarë dhe se marrëveshja e saj me administratën Trump ruajti “autonominë dhe autoritetin e saj mbi punësimin e fakultetit, pranimet dhe vendimmarrjen akademike”.

Pasi qeveria anuloi fondet, shkolla pranoi më vonë në mars një sërë kërkesash që përfshinin shqyrtimin e departamenteve që ofronin kurse mbi Lindjen e Mesme dhe lëshime të tjera që u dënuan gjerësisht nga akademikët amerikanë. m.p.

DER SPIEGEL: Për krimet në Gazë është bashkëfajtore edhe Gjermania

Në një koment të ashpër, revista gjermane DER SPIEGEL ngre alarmin për shndërrimin e luftës së Izraelit në Gaza në një katastrofë politike, morale dhe ligjore me pasoja ndërkombëtare – dhe fajëson drejtpërdrejt qeverinë gjermane për bashkëpërgjegjësi të heshtur.

Sipas revistës DER SPIEGEL, krimet e luftës të ushtrisë izraelite në Gaza nuk mund të mohohen më. Vdekja e mbi 58’000 palestinezëve, përfshirë 17’000 fëmijë, shkatërrimi sistematik i infrastrukturës civile dhe, mbi të gjitha, uria masive e imponuar mbi një popullsi të bllokuar, janë dokumentuar botërisht.

Pamjet e fëmijëve të uritur deri në kockë, dëshmitë e mjekëve dhe deklaratat publike të zyrtarëve izraelitë për një strategji të zhvendosjes masive të popullsisë, nuk lënë më vend për dyshim: Izraeli po ndjek një politikë ndëshkimi kolektiv, jashtë çdo kuadri të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Qeveria e Benjamin Netanjahut, sipas DER SPIEGEL, ka ngritur një regjim urie në Gaza që ka për qëllim të godasë jo më vetëm Hamasin, por vetë ekzistencën e palestinezëve në këtë territor. Deri edhe peshkimi u është ndaluar banorëve të Gazës. Furnizimi me ndihma është rrënuar, ndërsa çdo përpjekje për të siguruar ushqim shoqërohet me rrezik jete për civilët. Dhe të gjitha këto ndodhin përpara syve të botës – me heshtjen ose aprovimin pasiv të aleatëve perëndimorë.

Në këtë situatë, shtetet si Franca, Britania, Zvicra dhe mbi 30 qeveri të tjera perëndimore kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës. Por Gjermania – jo. Në vend të kësaj, zyrtarët e saj shprehen hapur: “Ne jemi në krah të Izraelit”. Për revistën DER SPIEGEL, kjo është një tradhti ndaj vetë mësimeve të nxjerra nga historia gjermane. Të përkrahësh një qeveri që kryen krime lufte, në emër të mbështetjes historike për Izraelin, do të thotë të keqinterpretohet dhe të bëhet perverse ajo përgjegjësi që buron nga Holokausti: mbrojtja e jetës njerëzore, të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.
Komenti thekson se lufta e Izraelit në Gaza, ndonëse nisi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 7 tetorit, ka humbur çdo kufi të vetëmbrojtjes së ligjshme. Hamas ende nuk është shkatërruar, pengjet izraelite ende nuk janë liruar, dhe nuk ekziston asnjë plan serioz për të ardhmen politike të Gazës. Ajo që ka mbetur është vdekja, kaosi dhe hapësira për ëndrrat e kolonëve ekstremistë izraelitë, që kërkojnë Gazën pa palestinezë.

Ndërkohë, në Izrael shtohet presioni i brendshëm për armëpushim, por Netanjahu vazhdon luftën për të ruajtur koalicionin e tij të djathtë dhe pushtetin personal. Në botën perëndimore, lodhja dhe apatia ndaj konfliktit janë bërë normë, por në pjesë të tjera të globit, bëhet gjithnjë e më e qartë: bashkësia ndërkombëtare po dështon.

Juristë të njohur ndërkombëtarë tashmë po shqyrtojnë nëse në Gaza po kryhet gjenocid. Megjithëse kjo akuzë është juridikisht komplekse dhe politikisht e nxehtë, nuk ka më dyshim – nënvizon DER SPIEGEL – se Izraeli po kryen krime lufte: nga uria në masë, te ndëshkimi kolektiv dhe shkatërrimi sistematik i objekteve civile. Skandaloze është se reagimi vendimtar i shteteve perëndimore ka munguar – kjo është dështimi i vërtetë.

Gjermania, për shkak të lidhjes së saj të veçantë me Izraelin, ka instrumente dhe ndikim që mund ta përdorë. Dhe duhet t’i përdorë. DER SPIEGEL kërkon ndërprerjen e eksporteve të armëve drejt Izraelit, pezullimin e përfitimeve tregtare dhe ndaljen e bashkëpunimit politik brenda BE-së, për aq kohë sa lufta vazhdon. Po ashtu, i kërkohet Gjermanisë që të mbështesë Gjykatën Penale Ndërkombëtare, edhe nëse kjo gjykatë ngre aktakuzë ndaj zyrtarëve izraelitë.

Nuk mjafton më që kancelari Friedrich Merz të shprehë “mosaprovimin” e tij të vakët ndaj veprimeve të Izraelit. Ai duhet të dalë hapur dhe të kërkojë ndaljen e menjëhershme të luftës. Të gjitha aktet e shkatërrimit, urisë dhe çnjerëzimit duhet të marrin fund. Netanjahu duhet të ndalet. Dhe bota duhet të ndërtojë një plan për rindërtimin e Gazës dhe për një zgjidhje politike afatgjatë.

DER SPIEGEL përmbyll komentin me një thirrje të qartë: Pas tmerrit të 7 tetorit dhe katastrofës në Gaza, duhet domosdoshmërisht të vijë një përpjekje serioze për paqen dhe krijimin e dy shteteve – një për palestinezët dhe një për izraelitët. Kjo është një detyrë e madhe, por Gjermania nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë më pasive. Tani është koha që të veprojë. m.p.

Opozita kërkoi shkarkimin e Veliajt në Këshillin Bashkiak, socialistët…

Debatet dhe akuzat kanë shoqëruar mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak te Tiranës. Keshilltarët e opozitës kanë përsëritur kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut, pas marrjes së tij të pandehur të mërkurën.

Anuela Ristani, e cila vijonte jetë kryetarja në detyrë e bashkisë së Tiranës nuk bëri asnjë koment ndaj kërkesës së opozitës për shkarkimin e Erion Veliajt. Por përgjigjia erdhi e prerë nga grupi i këshilltarëve socialistë.

Demokratët akuzuan kryeministrin Rama për shkelje të kushtetutës, të autonomisë vendore dhe pushtim të bashkisë së Tiranës.

Edhe në këtë rast Anuela Ristani nuk bëri asnjë koment, ndërsa ndërhyrja bëhej vetëm nga Megi Fino, kryetarja e Këshillit Bashkiak.

Rendi i ditës kishte 18 pika, një prej tyre dhe më e diskutuara ishte kalimi i godinës “Pallatit të Kongreseve” në administrim të Ministrisë së Kulturës. Debatet vijuan edhe për aksionin e lirimit të hapësirave publike, ku demokratët kërkuan sqarime se si do të veprohet me objektet e prishura, por që kanë leje nga bashkia e Tiranës.

Pas tri orë debatesh dhe diskutime, Këshilli Bashkiak me kartonat e shumicës kaloi pikat e rendit të ditës, ndërsa disa prej tyre u shtynë pas kërkesës së opozitës. Ndërkaq burime nga Bashkia bëjnë të ditur se vijojnë të jenë në detyrë edhe nënkryetarët, të cilëve Rama pak ditë më parë u kërkoi largimin. m.p.

Zjarri në Kakavijë, ndërhyjnë helikopterë nga Greqia

Një vatër zjarri e përmasave të mëdha përfshiu këtë të mërkurë fshatin Kakavijë në bashkinë Dropull, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale. Flakët shpërthyen fillimisht pranë kishës së fshatit dhe u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, duke e kthyer situatën në problematike.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse dhe efektivë të policisë kufitare të Kakavijës. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në operacion u përfshinë edhe helikopterë të ardhur nga Greqia.

Flakët arritën të përfshijnë edhe një banesë e cila, sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, rezulton të jetë e braktisur prej vitesh pasi pronarët janë emigrantë.

Pas orësh përpjekjesh, zjarri është vendosur nën kontroll dhe forcat e emergjencës vijojnë punën në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të tij. m.p.

Flet vëllai i 56-vjeçarit viktimë në Fier: Kisha dy vite pa folur, nuk e linte gruaja

Familja Rama në Frashër të Patosit ka hapur dyert e mortit ndërsa të afërm pas vrasjes së Anesti Rama, që u mbyt me tel nga vajza e tij.

Vëllai i të ndjerit, Ferdinant Rama, ka thënë për gazetarët se kishte më shumë se 2 vite që nuk fliste me vëllain, pasi sipas tij, bashkëshortja e të ndjerit, Valbona Rama, nuk e lejonte.

Ai thotë se vëllai i tij kishte shumë konflikte me bashkëshorten.

“E kemi ditur dhe më përpara, nuk shkonin, ajo thoshte nuk e dua burrin. Thoshte merreni dhe mbajeni ju, merrni pensionin e bëni çfarë të doni, unë nuk e dua. Çifti ka dy fëmijë, dy vajza. Unë e mësova nga kunata, lajmëroi gruan time e mori në telefon edhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth 2 vjet e gjysmë që nuk flisja me vëllanë, se nuk na linte ajo të llafoseshim. E dija që nuk shkonin mirë. Pyesja vëllain tjetër, i them si është Anesti”, tregoi ai.

56-vjeçari Anesti Rama u vra me mbytje nga vajza e tij Ermalinda Rama 26 vjeç. Krimi ndodhi mbrëmjen e së mërkurës para mesnate dhe u tentua të fshihej si aksidentale, por ngjarja u zbulua sot. Vajza u arrestua, ndërsa e shoqëruar mbahet edhe nëna e saj pasi dyshohet si bashkëpunëtore. m.p.

Zjarr në pyllin e Lybeshës, terreni malor bën të vështirë punën e zjarrfikësve

Një vatër zjarri ka rënë në pyllin në fshatin Lybeshë, në Njësinë Administrative Vërtop, në Poliçan. Mësohet se flakët kanë rënë në një sipërfaqe të pyllit dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, duke u favorizuar nga erërat dhe temperaturat e larta.

Burime për mediat bëjnë me dije se në ndihmë të zjarrfikësve të qytetit të Poliçanit, janë nisur edhe nga qyteti i Beratit dy mjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.

Gjithashtu drejt zonës së zjarrit janë nisur edhe dy fuoristrada të PMNZSH-së Berat, pasi mjetet e tjera e kanë të pamundur të futen në zonë, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së rrugëve.

Mësohet se situata është vënë në kontroll dhe flakët janë lokalizuar, por ka ende disa vatra të vogla të ndezura të cilat mund të riaktivizohen. m.p.

Fotografonte vajzat në tualet, dënohet me 18,5 vite burg

Një ish-stjuard i linjës ajrore “American Airlines” është dënuar me 18,5 vite burg për vendosjen e një telefoni të fshehur në tualetin e avionit me qëllim regjistrimin e vajzave të mitura. Ngjarja tronditëse ndodhi në shtator 2023, kur një 14-vjeçare zbuloi telefonin e ngjitur me shirit në kapakun e tualetit gjatë një fluturimi nga Charlotte drejt Bostonit.

Estes Carter Thompson III, nga Karolina e Veriut, u arrestua në janar 2024 dhe u akuzua për përpjekje për shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe posedim të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve që përfshinin një të mitur para pubertetit. Ai u shpall fajtor dhe mori një dënim prej gati 20 vitesh nga Gjykata Federale në Boston, i cili do të pasohet me 5 vite liri të mbikëqyrur.

Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se Thompson kishte regjistruar të paktën 5 vajza të moshës nga 7 deri në 14 vjeç në një periudhë nëntëmujore. Prokurorët theksuan në dokumentet e gjykatës se viktimat janë privuar nga ndjenja e sigurisë dhe besimit në botë, duke mbetur me trauma të thella psikologjike.

Gjyqtarja Julia Kobick e përshkroi sjelljen e tij si “të neveritshme” dhe tha se “pafajësia e fëmijëve është humbur për shkak të veprimeve të tij”. Në sallën e gjyqit, Thompson kërkoi falje duke i cilësuar veprimet e tij si “egoiste, të sëmura dhe të gabuara”.

Ai pritet të vuajë dënimin në burgun FMC Butner në Karolinën e Veriut dhe, sipas avokatëve të tij, ka ndërmend të ndjekë trajtim të specializuar për krime seksuale. m.p.

Vajza nga Fieri i mori jetën babait sepse ai… nuk e lejonte të argëtohej

Detaje të rënda kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë në familje në Frashër të Fier, ku vajza mbyti për vdekje me tel babanë e saj. 26-vjeçarja ka pranuar krimin dhe në dëshminë e saj në polici ka deklaruar se i ati e trajtonte me fanatizëm.

Në dëshminë e saj e reja thotë se babai nuk e lejonte të vishej në mënyrë bashkëkohore dhe as të argëtohej. Sipas 26-vjeçares, i ati ushtronte shumë presion në përditshmërinë e saj.

Krimi i rëndë ndodhi rreth mesnatës së djeshme, por 26-vjeçarja e raportoi në polici si aksident. Efektivët ngritën dyshime gjatë deklarimeve të saj në polici dhe kryen hetime të thelluar deri në zbulimin e së vërtetës.

Ndërron jetë legjenda e wrestling, Hulk Hogan

Hulk Hogan, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e “wrestling” dhe një hero fëmijërie për shumë njerëz në të gjithë botën, përfshi Shqipërinë, ka vdekur në moshën 71-vjeçare.

Legjenda e mundjes dhe e televizionit amerikan ndërroi jetë pas një arresti kardiak.

Hogan, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Gene Bollea, u bë i famshëm në vitet ‘80 si fytyra e WWE.

Prania e tij e jashtëzakonshme, promovimet e fuqishme dhe ndeshjet e paharrueshme e bënë atë një emër të njohur në të gjithë botën.

Ylli Manjani: Ore demokratë, po Berishën pse nuk e shani me libër shtëpie tani që mbrojti armikun?

Ylli Manjani ka ironizuar demokratët, pas deklaratës së një ditë më parë të Sali Berishës, që mori në mbrojtje Erion Veliajn.

Manjani thotë se demokratët, iu janë futur me libër shtëpie atyre që e kanë mbrojtur deri më sot Veliajn, ndërsa për Berishën nuk thonë asgjë.

“Ore megjithmend, nuk pashë askund asnjë demokrat facebuku të shajë Sali Berishën, i cili ka mbrojtur Erion Velinë dhe të drejtat e tij.

Ku jeni o demokretër!?

Dëgjoni apo jo?!

Vetë Berisha i mbrojti të drejtat e Velisë (dhe mirë bëri d.m.th)

Unë nuk e kam mbrojtur aq shumë Erion Velinë (për të mos rhënë që se kam mbrojtur fare) kur thashë se “prokurori i çështjes është sjellë pa etikë dhe me ngarkesa personale në sallën e gjyqit”.

Se kundër arrestit jo proporcional me burg kam nja 10 vite që shprehem kundër, pavarësisht se kush është i arrestuari.

Por te unë hapët librin e shpisë, te doktori duaj po njiheni gjë me librin tuaj të shpisë që s’ndjeheni, apo si?!

Hë mo, flisni! Shiheni mirë librin e shpisë tuaj tani..

Shani veten më mirë se nuk ja vlen tua kthesh të sharën.

Bëjeni edhe ju si tifozët e Flamurtarit dikur, që shanin Vasil Rucin dhe, kur ai bëri gol filluan të shajnë motrat e veta…

Bahhh…

****

Kjo vlen edhe po ju demokretër që akoma më asocioni mua me Liken, të cilin për herë të fundit e kam takuar gati 9 vite më parë.

Te doktori mbajeni frymën edhe ju, se ai po e mbron (dhe mirë po bën, gjithashtu)

Hë xhan”, shkruan Manjani.

The post Ylli Manjani: Ore demokratë, po Berishën pse nuk e shani me libër shtëpie tani që mbrojti armikun? first appeared on JavaNews.al.

❌