Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vijon lufta tregtare/ Trump vendos tarifë 25% ndaj Indisë, paralajmëron taksë shtesë për naftën ruse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi më 30 korrik se do të vendosë një tarifë prej 25 për qind ndaj mallrave nga India, si dhe një taksë shtesë për shkak të blerjeve që ky vend bën nga Rusia për naftë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se India “është miku ynë”, por shtoi se “tarifat e saj janë shumë të larta” për produktet amerikane.

Sipas tij, India blen pajisje ushtarake dhe naftë nga Rusia – veprime që, sipas Trumpit, e ndihmojnë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë. Për këtë arsye, ai tha se nga e premtja do të nisë zbatimin e një “dënimi” shtesë si pjesë e rishikimit të sistemit tarifor të administratës së tij ndaj disa vendeve.

Njoftimi vjen pas disa marrëveshjeve tregtare të negociuara me Bashkimin Evropian, Japoninë, Filipinet dhe Indonezinë – që Trump i cilësoi si hapa për hapjen e tregjeve për mallrat amerikane dhe për mundësinë që SHBA-ja të rrisë normat tatimore mbi importet.

Trump e konsideron të ardhurat nga tarifat si një mënyrë për të kompensuar rritjen e deficitit buxhetor të shkaktuar nga uljet e taksave mbi të ardhurat, si dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në prodhimin vendor.

Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të SHBA-së, vitin e kaluar SHBA kishte një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë, që do të thotë se kishte importuar më shumë se sa kishte eksportuar.

India, me një popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorësh, është vendi më i madh në botë dhe shihet si një kundërpeshë e mundshme gjeopolitike ndaj Kinës. Nju Delhi ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe nuk i ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Në shkurt, gjatë një takimi me kryeministrin indian, Narendra Modi, Trump kishte deklaruar se India do të fillonte të blinte naftë dhe gaz natyror amerikan. /REL

The post Vijon lufta tregtare/ Trump vendos tarifë 25% ndaj Indisë, paralajmëron taksë shtesë për naftën ruse first appeared on JavaNews.al.

Brenda një baze sekrete bërthamore të braktisur në pyjet e thella të Europës (FOTO)

Mes një “deti” me lisa të bardhë dhe pishash baltike që lëkunden nga era, rruga të çon gjithnjë e më thellë në pyllin e Parkut Kombëtar Žemaitija në perëndim të Lituanisë. Aty ku sot shtrihet paqja dhe natyra, dikur fshihej një nga sekretet më të errëta të Luftës së Ftohtë, baza bërthamore Plokštinė, e ndërtuar nga Bashkimi Sovjetik për të qenë gati për një sulm shkatërrues ndaj Evropës Perëndimore.

Sot, kjo strukturë dikur top-sekrete është kthyer në një muze tërheqës dhe tronditës, i njohur si Muzeu i Luftës së Ftohtë. Në vitin 2024, rreth 35000 vizitorë nga e gjithë bota zbuluan botën e nëndheshme të bazës: dhoma të fshehta, korridore hermetike dhe një silos raketash që zbret 30 metra nën tokë.

Nga baza bërthamore në atraksion turistik

Plokštinė, e përfunduar në vitin 1962, u ndërtua nga mbi 10000 punëtorë nga të gjitha anët e Bashkimit Sovjetik. E vendosur në një pyll të dendur pranë liqenit Plateliai, zona u zgjodh për karakteristikat ideale që ofronte: tokë e butë për gërmim, popullsi e rrallë dhe ujë i bollshëm për sistemet ftohëse, përcjell A2 CNN. Por ndërtimi i bazës nuk kaloi pa u vënë re. Siç kujton guida vendase Aušra Brazdeikytė, që ka lindur afër bazës, “nuk dinim çfarë armësh mbante baza, por e dinim që ajo ekzistonte. Ushtarët ishin pjesë e përditshmërisë”.

E gjithë struktura ishte rrethuar me tela me gjemba dhe një gardh elektrik prej 3 kilometrash. Sekreti ruhej aq fort, sa SHBA arriti ta zbulonte vetëm në vitin 1978, përmes fotografive satelitore, kur baza tashmë ishte çarmatosur.

Një botë e errët nën tokë

Hyrja në kompleks është ende një vrimë në tokë, mbi të cilën shkruhet në rusisht: “Ju lutem, fshini këpucët”. Brenda korridoreve të ftohta, vizitorët kalojnë përmes sallave tematike që tregojnë fazat e ndryshme të Luftës së Ftohtë. Statuja të Leninit e Stalinit, flamuj me drapër e çekan dhe relikte ushtarake krijojnë një atmosferë të zymtë dhe të frikshme.

Kullat e raketave, 30 metra të thella, janë ndër më mbresëlënësit. Edhe pse kurrë nuk u përdorën për lëshime raketash, viktimat nuk munguan. Një ushtar humbi jetën duke rënë nga lartësia gjatë një kontrolli rutinë, ndërsa dy të tjerë vdiqën gjatë një derdhjeje të acidit nitrik.

Në zemër të kompleksit ndodhet dhe një central elektrik nëndheshëm, i ndërtuar për emergjenca, si dhe një hangar gjigant për karburantin e raketave, vende që sot duken si skenografi nga një lojë kompjuterike post-apokaliptike.

Qyteti fantazmë i ngjitur me bazën

Vetëm pak metra larg ndodhet një qytet ushtarak i braktisur, që dikur strehoi 300 ushtarë dhe oficerë. Në një kthesë ironike të historisë, pas çarmatosjes së bazës, disa nga ndërtesat u kthyen në kamp veror për fëmijë me emrin “Žuvėdra” (Pulëbardha), që funksionoi nga 1979 deri në 1990. Sot, gjurmët e qytetit janë të mbuluara nga bari dhe balta. Hangarët e dikurshëm duken si piramida të humbura në pyll.

Nga hija e së kaluarës në dritën e turizmit

E gjithë kjo tragjedi historike ndodhet në një nga zonat më të bukura të Lituanisë. Parku Kombëtar Žemaitija, përveç historisë, ofron liqene kristal, shtigje ecjeje dhe biçikletash, kampe buzë ujit dhe restorante panoramike. Fshati Plateliai, vetëm 15 minuta nga baza, ka një kishë të drunjtë madhështore të shekullit XVIII, si dhe një muze të veçantë të karnavaleve me maska druri tradicionale.

Ushqimet vendase janë po ashtu një kënaqësi më vete: žemaičių blynai (palaçinka me patate dhe mish), cepelinai (një lloj kulaçi patate me mbushje mishi ose djathi), dhe padyshim, supa e ftohtë šaltibarščiai me panxhar dhe qumësht.

Ajo që dikur ishte sekreti më i madh i rajonit Žemaitija, sot është një mësim i gjallë i historisë dhe një destinacion turistik unik. Lituania ka ditur ta kthejë një plagë të thellë të Luftës së Ftohtë në një mjet edukimi dhe reflektimi. E ndarë mes të kaluarës së errët dhe bukurisë natyrore, kjo pjesë e vendit simbolizon më së miri transformimin nga frika në shpresë./ A2 CNN

The post Brenda një baze sekrete bërthamore të braktisur në pyjet e thella të Europës (FOTO) first appeared on JavaNews.al.

Sherri Berisha-Këlliçi, Kulluri: Të 2 simbolizojnë humbjet elektorale! Kryedemokrati e konsideron veten pronar i PD

Ka mjaftuar një deklaratë e Belind Këlliçit se shpejt SPAK do të bëjë një tjetër arrestim të bujshëm në radhët e socialistëve, që të dilte në pah përçarja mes tij dhe kreut të PD-së Sali Berishës.

Si fillim, Berisha hodhi në sulm gazetarin e medias së familjes Syri Tv Çim Pekën, i cili e quajti Belind Këlliçin “si gazetar kronike” që njofton me burime arrestime vjeshte duke i dhënë zë narrativës se SPAK punon, një qëndrim që sipas tij i shërben Edi Ramës dhe kreut të prokurorisë së Posaçme Altin Dumanit.

Ish deputeti dhe themeluesi i partisë “Djathtas 1912”, Edvin Kulluri, në një intervistë në Report Tv tha se krisje të tilla brenda një partie politike janë ndodhi që pasojnë humbjet elektorale të njëpasnjëshme të focës politike.

“Çdo proces zgjedhor i këtyre 12 viteve të fundit, për shkak të humbjeve ka prodhuar gjithmonë krisje, debate, përçarje, ka krijuar dinamika brenda PD-së dhe është komplet normale. Një lidership që humb ka 2 rrugë, ose do të vazhdojë me kokfortësinë e tij tek humbja e radhës, ose do të reflektojë dhe do të largohet, t’i nënshtrohet debatit dhe ndryshimit.

Këtu të gjitha palët flasin për ndryshim, edhe Berisha ka folur për reflektim, edhe ata që miniaturë duket se nuk janë dakord me lidershipin e Berishës kërkojnë ndryshim, edhe ata që nuk janë reshtuar me asnjërën palë kërkojnë të ketë një ndryshim. Kam parasysh zotin Alihmehmeti që ka thënë që në parti nuk ka meritokraci. Unë besoj që çdo debat në PD i bën mirë, sepse i bën mirë opozitarizmit, i bën mirë dialektikës demokratike”,- tha Kulluri.

Për Kullurin, Berisha dhe Këlliçi simbolizojnë më së miri humbjet elektorale në Partinë Demokratike, dhe se kryedemokrati është alergjik ndaj deklaratave pro SPAK, veçanërisht nga të vetët.

“Nuk ka asgjë parimore në atë debat sepse Berisha vetë vjen si humbës i 2013 dhe erdhi te humbja më 11 maj. Këlliçi humbi shumë thellë në Tiranë, pra të dy janë personazhe që simbolizojnë humbjet e PD-së në mënyrë perfekte. Këtu debate për SPAK-un ka lidhje me atë që Këlliçi ka në axhendën e tij politike të nisur që nga zgjedhjet lokale. Duket që ia kishte fajin Veliaj për humbjen dhe nuk ka asnjë përgjegjësi ai vetë dhe PD-së që përfaqësonte.

Ndërkohë që Sali Berisha ka problemin që është në luftë të hapur me organet e drejtësisë, sidomos me SPAK-un dhe GJKKO-n dhe biles arrin deri aty që të rreshtohet deri kundër Olsian Çelës dhe Sokol Sadushit që deri dje i etiketonte si prokurorë dhe personazhe të regjimit të Edi Ramës. E gjitha sillet rreth fobisë që ka ai për çeshtjen që ka në gjykim”,- tha Kulluri.

Kulluri theksoi se “tërheqja e veshit” që iu bë Këlliçit konfirmon sërish që Partia Demokratike është e privatizuar nga Sali Berisha dhe çdo anëtar i kësaj force politike duhet të zbatojë e ndjekë linjën e caktuar nga kryedemokrati, deri në autocensurë.

“Pas 34 vitesh të së njëjtës muzikë nuk kemi ne pse veçojmë një tingull nga e gjithë simfonia e Berishës. Kjo është një simfoni e shkruar, e dëgjuar. Ai e konsideron veten pronar i PD-së dhe koha ka treguar që posedon elektoratin e PD-së, një elektorat krejtësisht i pamjaftueshëm për të qenë konkurrent fitues në zgjedhje”,- tha Këlliçi.

The post Sherri Berisha-Këlliçi, Kulluri: Të 2 simbolizojnë humbjet elektorale! Kryedemokrati e konsideron veten pronar i PD first appeared on JavaNews.al.

Tarifat doganore SHBA-BE, liderët të pakënaqur me Von der Leyen! Marrëveshja më e keqe në histori

Ursula von der Leyen po shigjetohet si humbëse në negociatat tregtare për marrëveshjen me Donald Trump që u prezantua këtë fundjavë nga të dy liderët pas takimit në Skoci. Presidentja e Komisionit Evropian thotë Corriere ka dalë me një staturë më të zvogëluar politike nga kjo marrëveshjeje, dhe tani i duhet të sheshojë pakënaqësitë e disa vendeve të mëdha evropiane. Polonia, Spanja, Franca dhe së fundmi Gjermania që është parë si arkitekte e marrëveshjes kanë shprehur pakënaqësi ndaj marrëveshjes.

Von der leyen mbajti kontakte të ngushta me kompanitë dhe organizatat e mëdha tregtare evropiane: automobilistike, farmaceutike, bujqësore e kështu me radhë, dhe në fund veproi sipas thirrjes unanime që vinte nga komuniteti i biznesit: mjaft, le t’u japim atyre atë që duan, nuk mund të fillojmë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Federatës Gjermane të Automobilave, Hildegard Müller, deklaroi se “tarifat prej 15% do t’u kushtojnë prodhuesve të automjeteve miliarda”. Dakord, por të njëjtët “prodhues automjetesh” kanë qenë mallkimi i Berlinit dhe Brukselit: nxitoni, le të gjejmë një kompromis me Uashingtonin.

Për më tepër, sektori i automobilave është i vetmi që e ka kufizuar dëmin: tarifa do të shkojë nga 27.5% në 15%. Politikanët dhe udhëheqësit e biznesit shfaqën oportunizëm në këtë rast, mbi të gjitha kancelaria gjermane që e ka shtyrë von der leyen për dialog me Trump.

Strategjia rezultoi një dështim. Disa brenda Komisionit po reflektojnë mbi mundësinë e veprimit ndryshe në prillin e kaluar. Ideja është të mos vendoseshin kundër tarifa, por duke penalizuar, në vend që të përjashtojnë, gjigantët dixhitalë amerikanë, nga Google te Meta apo sektorin financiar amerikan, i cili korr fitime në Evropë.

Për këtë Von Der Leyen nuk u përpoq dhe plani eci gjithnjë e më tej në rrugë të gabuar duke gjetur veten në fund të korrikut, në një pozicion shumë të vështirë negociues. Për momentin, ajo mbetet e pakërcënuar ne pozitën e saj pasi sipas të përditshmes italiane Corriere, Merz, Macron, Meloni dhe të tjerët, nuk duan t’i shtojnë një krizë institucionale traumës së shkaktuar nga ndoshta marrëveshja më e keqe në historinë e Bashkimit Evropian.

The post Tarifat doganore SHBA-BE, liderët të pakënaqur me Von der Leyen! Marrëveshja më e keqe në histori first appeared on JavaNews.al.

Horoskopi ditor për nesër, e enjte 31 korrik 2025

Dashi

Nëse doni qe marrëdhënia me partnerin te ece edhe me mire sot duhet te tregoheni me te përkujdesur për te dhe t’i kushtoni kohen e duhur. Beqaret do realizojnë një takim mbresëlënës i cili nuk duhet humbur për asnjë lloj arsyeje. Ne planin financiar Hëna do iu nxite te merrni vendimet e duhura. Ato para qe keni do dini t’i menaxhoni me kujdes.

Demi

Do ngrini shume pikëpyetje sot mbi lidhjen qe keni krijuar dhe nuk do ndiheni aspak te qete derisa te flisni hapur me partnerin dhe te sqaroheni. Beqaret nuk duhet te nxitohen, por t’i marrin gjerat shtruar. Situata mund te ndryshoje tërësisht për ta nëse bëjnë durim. Financat do jene pika juaj me e dobët. Kujdes me shpenzimet e pamenduara sepse do përballeni me probleme serioze.

Binjaket

Do i besoni verbërisht partnerit tuaj gjate kësaj dite dhe do merrni vendime shume te rëndësishme mbi te ardhmen. Beqaret nuk do jene ne humor aspak te mire dhe nuk do bëjnë asnjë hap për te krijuar ndonjë lidhje. As me miqtë nuk do kenë durim te qëndrojnë. Ne planin financiar mos iu besoni këshillave qe do iu japin persona qe sapo i keni njohur.

Gaforrja

Mos u tregoni ironike me partnerin tuaj gjate kësaj dite sepse ne një moment ai mund te mërzitet dhe te mbyllet ne vetvete. Beqaret nga ana tjetër nuk duhet ta humbin për asnjë çast besimin dhe shpresën se do e gjejnë princin e kaltër. Bëjini sytë katër. Me financat do tregoheni shume te zotet dhe nuk do hidhni asnjë hap te nxituar. Nuk priten vështirësi.

Luani

Partneri do mundohet t’ua plotësoje te gjitha dëshirat gjate kësaj dite vetëm e vetëm qe ju te ndiheni për mrekulli. Ai ju do me shume se veten e tij. Beqaret do kenë një takim interesant, por yjet këshillojnë te mos tregohen menjëherë te hapur me personat qe do ndeshin. Financat nuk do jene ne gjendje te trazuar megjithatë duhet shtrënguar paksa rripi.

Virgjeresha

Dite me e favorshme për beqaret kjo e sotmja. Do ketë takime te papritura me persona qe do i mrekullojnë dhe do i bëjnë menjëherë për vete. Te dashuruarit do kenë një dite te zakonshme dhe pa asgjë te veçante. Gjithsesi nuk do ndodhe asgjë për t’u shqetësuar. Financat do jene te mira, prandaj duhet te përfitoni për te bere ndonjë investim me shume.

Peshorja

Nëse doni qe marrëdhënia ne çift te shkoje mire ndërmjet jush dhe atij qe keni ne krah duhet te bëni disa lëshime dhe te mos e kundërshtoni gjithë kohës partnerin. Beqaret do kenë mbështetjen e Saturnit për te gjetur princin e tyre te kaltër. Dita do jete shume me ndryshe se zakonisht. Ne planin financiar ka rrezik te përballeni me vështirësi. Kujdes!

Akrepi

Mos tentoni aspak te joshni persona te tjerë sot sepse do keni probleme shume te mëdha me partnerin tuaj. Nëse nga ana tjetër nuk ndjeni me aq shume sa me pare për atë mos ja fshihni. Beqaret nuk do jene me fat kështu qe sado qe te kërkojnë nuk kane për ta gjetur princin e kaltër. Financat do jene te mira, kështu qe mund te përfitoni edhe për te hequr ndonjë para mënjanë.

Shigjetari

Nuk do ketë pasion te zjarrte sot ne jetën tuaj ne çift megjithatë as probleme serioze nuk priten. Mundohuni ta merrni çdo gjë me qetësi dhe te mos alarmoheni. Beqaret do kenë njohje te reja, por nuk do jene shume te sigurte nëse ata janë aq te përshtatshëm sa për te krijuar një lidhje. Ne planin financiar tregohuni me te moderuar qe te mos keni vështirësi.

Bricjapi

Ka rrezik qe dita e sotme te jete mbushur me tension dhe mosmarrëveshje te shumta për çiftet. Mundohuni te tregoheni paska me te arsyeshëm dhe te mateni mire me fjalët. Beqaret nuk do kenë fat as sot kështu qe do bëjnë mire te mos bëjnë sakrifica te kota. Financat do jete te stabilizuara fale ndihmës qe do iu jap enje mik shume i ngushte.

Ujori

Do afroheni me shume me partnerin tuaj gjate kësaj jave dhe do sqaroni çmos keqkuptim qe keni pasur para disa kohesh. Do qetësoheni mjaft për këtë fakt. Beqaret duhet t’i marrin me seriozisht propozimet qe do iu bëhen sepse koha ikën shpejt. Financat do jene shume te mira. Përfitoni nga kjo për te kryer investime te rëndësishme apo për te hequr disa para mënjanë.

Peshqit

Mos e fajësoni veten tuaj për asgjë sot sepse nuk keni për te përfituar aspak nga kjo. Partneri do kërkojë te bashkëpunoje për gjithçka ne mënyre qe situata te stabilizohet. Beqaret nuk duhet t’ua hedhin sytë personave qe e kane tashme një lidhje. Ne planin financiar do jeni luftarake dhe do arrini jo vetëm ta stabilizoni situatën, por edhe te keni permiresime.

The post Horoskopi ditor për nesër, e enjte 31 korrik 2025 first appeared on JavaNews.al.

Rasti i parë në botë, një 38-vjeçar në Itali rifiton shikimin falë terapisë gjenetike

Një burrë që vuante nga humbja e shikimit në Itali ka rifituar shikimin falë një terapie eksperimentale gjenetike, duke shënuar kështu rastin e parë në botë.

38-vjeçari vuan nga sindroma Usher e tipit 1b, një çrregullim i rrallë gjenetik që shkakton shurdhim të thellë që nga lindja dhe një humbje progresive të shikimit, duke çuar në verbëri.

Ndërhyrja kirurgjikale u krye në korrik 2024 në klinikën e oftalmologjisë të Universitetit të Kampanjës “Luigi Vanvitelli” në Italinë jugore. Në atë kohë, pacienti kishte një kapacitet vizual më pak se një të dhjetën, duke e parë botën sikur po e shikonte përmes një vrime çelësi.

Një vit më vonë, pacienti ka rikuperuar shikimin si nga afër ashtu edhe nga larg, madje edhe në kushte me dritë të dobët, thanë mjekët e tij gjatë një konference për shtyp.

“Më parë, gjithçka ishte e turbullt, e paqartë. Tani mund të dal vetëm natën, të njoh kolegët, të lexoj titrat në televizor nga larg, të shoh korridoret e magazinës ku punoj pa u penguar”, tha pacienti.

“Nuk është vetëm që po sheh më mirë, por po fillon të jetojë”, shtoi ai.

Operacioni shënon demonstrimin e parë klinik të efektivitetit të terapisë së re gjenetike, e cila u zhvillua nga studiuesit në Institutin Telethon të Gjenetikës dhe Mjekësisë (TIGEM) në Pozzuoli.

Operacioni përfshin injektimin e dy vektorëve të veçantë viralë nën retinë, secili prej të cilëve mban gjysmën e gjenit të nevojshëm për të prodhuar proteinën që mungon te pacientët me sindromën Usher 1B.

“Operacioni zhvillohet nën anestezi të përgjithshme, por rikuperimi është i shpejtë”, tha Francesca Simonelli, drejtoreshë e klinikës së oftalmologjisë në Universitetin Vanvitelli.

“Tashmë pas disa ditësh, një përmirësim është i dukshëm. Në dy javë, pacienti i parë mund të shihte më mirë dhe në një muaj ai ishte në gjendje të gjente rrugën e tij edhe në errësirë. Sot, një vit më vonë, shikimi i tij është rikthyer”, shtoi Simonelli.

Shtatë pacientë të tjerë iu nënshtruan gjithashtu procedurës nga tetori 2024 deri në prill 2025, asnjëri prej të cilëve nuk pati efekte anësore serioze.

Rezultatet paraprake janë inkurajuese dhe do të pasohen nga një fazë e dytë eksperimentale me shtatë pacientë të tjerë që do të hyjnë në program.

Nëse ka sukses, terapia mund të bëhet një mundësi e re për shumë pacientë që vuajnë nga çrregullime gjenetike të syve./E.T

Australia zgjeron ndalimin e mediave sociale për fëmijët edhe në YouTube

Australia njoftoi të mërkurën se do të përfshijë YouTube në ndalimin për përdoruesit nën 16 vjeç, duke ndryshuar vendimin e mëparshëm që e kishte përjashtuar platformën nga kjo masë.

Kjo masë vjen pas një studimi që tregoi se 37% e të miturve hasën përmbajtje të dëmshme në YouTube, më shumë se në platformat e tjera sociale.

Kryeministri Anthony Albanese theksoi se vendimi është për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve australianë.

YouTube argumenton se është një platformë video dhe jo rrjet social, pasi kryesisht ofron përmbajtje të lirë dhe me cilësi.

Megjithatë, qeveria kërkon që të gjitha platformat të marrin masa për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Ndalimi pritet të hyjë në fuqi në dhjetor dhe do të lejojë vetëm prindërit dhe mësuesit të përdorin platformën për fëmijët nën 16 vjeç. /E.T

India tani është eksportuesi kryesor i telefonave inteligjentë në SHBA

India e ka tejkaluar Kinën si qendra kryesore e prodhimit për telefonat inteligjentë të shitur në SHBA.

Raporti i fundit i Canalys tregon se 44% e të gjitha importeve të telefonave inteligjentë në SHBA për periudhën prill-qershor (tremujori i dytë) u bënë nga India, shkruajnë mediat e huaja.

Kjo është një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitin e kaluar, kur India përbënte vetëm 13% të të gjitha importeve të telefonave inteligjentë në SHBA, ndërsa Kina mbante një pjesë prej 61%.

Apple luajti një rol të madh në ngritjen e Indisë si eksportuesi kryesor i telefonave inteligjentë në SHBA.

Por nuk është vetëm Apple, pasi Samsung dhe Motorola gjithashtu kanë rritur furnizimet e tyre të telefonave inteligjentë nga India.

Duke parë shifrat, Apple ishte lideri i qartë në skenën e telefonave inteligjentë në SHBA me 13.3 milionë dërgesa në tremujorin e dytë dhe një pjesë tregu prej 49%. Samsung u rendit në vendin e dytë me rreth 8.3 milionë dërgesa, një pjesë tregu prej 31%, ndërsa Motorola ishte e treta me 3.2 milionë dërgesa dhe një pjesë tregu prej 12%.

Google dhe TCL ndanë secila një pjesë tregu prej 3% me dërgesa tremujore pak më pak se 1 milion secila.

Një total prej 27.1 milionë telefonash inteligjentë u dërguan në SHBA gjatë periudhës së tremujorit të dytë, që është një rritje e lehtë vjetore prej 1%./E.T

Qyteti spanjoll u lutet turistëve “të vijnë nga e hëna në të enjte”

Qyteti Brihuega në qendër të Spanjës ka bërë një thirrje të pazakontë: vizitorët të shmangin ardhjen gjatë fundjavës.

I njohur për fushat mahnitëse me livandë që shtrihen në mbi 1,000 hektarë, Brihuega tërheq mijëra turistë çdo verë.

Kryetari i bashkisë, Luis Vuego, ka kërkuar që udhëtimet të planifikohen nga e hëna në të enjte, për të shmangur mbingarkesën dhe për të lehtësuar presionin mbi shërbimet lokale.

Ai tha se fundjavat janë shumë të vështira për qytetin, duke përmendur se “javën e kaluar qyteti u kolapsua”.

Pavarësisht sfidave, sezoni i livandës sjell mbi 8 milionë euro për ekonominë vendase në vetëm disa javë. /E.T

Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten

Kjo është një teori që po hetohet me intensitet nga komuniteti shkencor, ndërsa studimet po tregojnë lidhje midis glutenit dhe një sërë çrregullimesh mendore nga ADHD-ja te skizofrenia

Dina L. Kelly, profesore e psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it, ka kaluar 17 vitet e fundit duke drejtuar studime klinike mbi skizofreninë dhe sëmundje të rënda mendore, duke u angazhuar gjithashtu në kërkime mbi psikofarmakologjinë.

“Do të isha treguar skeptike nëse dikush do më thoshte se do studioja këtë lidhje”, thotë Kelly. “Mendoja se trajtimi ishte vetëm çështje ilaçesh, nuk e dija që ushqimi dhe dieta mund të ishin në vetvete një lloj terapie.”

Rruga e saj kërkimore filloi kur analizoi të dhëna të ushtarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rezultatet treguan se gjatë mungesës së grurit pati një rënie të ndjeshme të rasteve të shtrimeve për skizofreni.

Më tej, ajo dhe kolegët e saj studiuan punën e psikiatrit Curtis Dohan nga vitet ’70, i cili dokumentoi raste të pacientëve me skizofreni që u përmirësuan pasi lanë dietën me grurë. Ai gjithashtu vizitoi zona të izoluara në Papua Guinenë e Re, ku gruri nuk ishte pjesë e dietës, dhe zbuloi se nuk kishte fare raste të skizofrenisë, ndryshe nga popullsitë që konsumonin grurë.

Kelly më pas pati mundësinë të realizojë një studim klinik në shkallë të gjerë, ku analizoi antitrupat që trupi prodhon si përgjigje ndaj glutenit. Gjetjet e saj treguan për nivele të larta antitrupash kundër glutenit tek njerëzit me skizofreni. Kjo e çoi drejt bindjes se ekziston një lidhje e fortë midis funksionimit të trurit dhe ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe nuk është e vetmja që mendon kështu, transmeton Telegrafi.

Gluteni dhe shëndeti mendor

Dëshmitë tregojnë se ushqimet që përmbajnë gluten mund të lidhen me shumë simptoma psikiatrike, nëpërmjet një përgjigjeje imune, tek një në 17 persona.

Në librin “Lirohuni nga drithërat”, ku Kelly është bashkautore, paraqiten kërkimet më të fundit mbi këtë temë.

“Ekziston një hendek midis gastroenterologjisë dhe psikiatrisë. Nuk i dimë të gjitha, por kjo është një hap më pranë lidhjes së këtyre pikave.”

 

Çfarë është ndjeshmëria ndaj glutenit?

Gluteni është një grup proteinash që gjendet në grurë, elb dhe thekër, pjesë e zakonshme e bukës, makaronave, produkteve të brumit etj. Disa njerëz janë të ndjeshëm ndaj glutenit, pra, sistemi i tyre imunitar e trajton si një “pushtues” të huaj.

Sëmundja celiake është forma më e njohur e ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe shoqërohet me dëmtime të traktit tretës, diare, fryrje barku, dhimbje, lodhje, humbje peshe dhe skuqje të lëkurës. Ka edhe një formë më të zakonshme, të quajtur ndjeshmëri joceliake ndaj glutenit (NCGS), që nuk diagnostikohet lehtësisht pasi analizat për celiaki shpesh rezultojnë negative.

Gluteni dhe inflamacioni

Gluteni është bërë pjesë e dietës njerëzore vetëm rreth 6.000 vjet më parë. Sipas Kelly, trupi ynë e ka të vështirë ta zbërthejë plotësisht. Nëse një person i ndjeshëm ndaj glutenit e konsumon, trupi prodhon antitrupa për ta luftuar, veçanërisht ndaj një pjese të glutenit të quajtur gliadin, e cila nxit inflamacion dhe dëmton zorrën, duke krijuar sindromën e zorrës së përshkueshme.

Kjo lejon që antitrupat të qarkullojnë në gjak dhe të ndikojnë edhe në tru, duke shkaktuar simptoma si mjegull mendore, mungesë përqendrimi, ankth, luhatje humori, halucinacione apo kriza epileptike.

“Ekziston një sekuencë specifike proteinike, e quajtur 33-mer, që gjendet te gruri dhe është shumë e ngjashme me një strukturë të receptorëve në tru,” shpjegon Kelly. “Sistemi imunitar mund të mos arrijë ta dallojë diferencën.”

Kjo mund të nënkuptojë se te disa persona, sistemi imunitar gabimisht sulmon trurin, duke e ngatërruar me glutenin.

Lidhja me depresionin dhe ankthin

Zona e trurit e quajtur amigdala luan një rol në përpunimin e frikës dhe ankthit. Studimet tregojnë se njerëzit me çrregullime ankthi kanë reagim më të lartë në këtë zonë. Gjithashtu, serotonina, një neurotransmetues i rëndësishëm për gjendjen shpirtërore, prodhohet në masën 95% nga zorrët. Balanca e baktereve në zorrë ndikon drejtpërdrejt në këtë proces.

“Të gjithë këta çrregullime kanë të përbashkët inflamacionin si shkaktar,” thotë Kelly. “Sistemi imunitar i disa njerëzve nuk funksionon siç duhet dhe kjo mund të lidhet edhe me glutenin.”

Simptomat më të zakonshme që Kelly vëren te pacientët janë: mjegull mendore, ankth, depresion, dhimbje koke, migrenë dhe dhimbje kyçesh.

Dieta pa gluten dhe përmirësimi i simptomave

Studimet tregojnë se njerëzit me ADHD kanë më shumë gjasa të kenë sëmundje celiake ose NCGS. Lidhja midis depresionit dhe celiakisë është e mirëdokumentuar, një studim me mbi 2.000 pacientë celiakë tregoi se 39% kishin pasur simptoma depresioni gjatë jetës.

“Një teori është se depresioni vjen si pasojë e përballjes me një sëmundje kronike,” shpjegon Kelly, “por ka studime që tregojnë edhe lidhje fiziologjike midis glutenit dhe depresionit.”

Ndërkaq, të dhënat janë edhe më të qarta për pacientët me skizofreni: dieta pa gluten mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave. /E.T

Nga 1 gushti, recetë e re mjekësore e unifikuar në gjithë sistemin shëndetësor

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për modernizimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e efikasitetit në procesin e përshkrimit dhe shpërndarjes së barnave është miratuar receta e re mjekësore në formatin e ri unik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në dy farmaci në Tiranë nga ku deklaroi se nga data 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Gjatë bashkëbisedimit me farmacistët, ministrja Koçiu prezantoi zyrtarisht përmbajtjen dhe lehtësirat e recetës së re duke theksuar se “nga data 1 gusht të gjithë profesionistët e shëndetësisë do të përdorin një model të unifikuar të recetës mjekësore”.

Ministrja Koçiu u ndal edhe tek lehtësirat që receta e re do të sjellë për farmacistët dhe pacientët.

Ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

“Receta e re mjekësore krahas atyre standardeve me informacionet bazë ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit. Kjo është një garanci më shumë për të siguruar që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistët e duhur të shëndetësisë“, nënvizoi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë,  si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishme si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë./e.t

Delvinë/ Ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë , nën hetim 3 persona

Një nga rastet më të rënda të dëmeve nga zjarret në qarkun e Vlorës ka çuar në nisjen e hetimeve për tre shtetas të dyshuar si përgjegjës për një zjarr masiv që përfshiu disa fshatra në bashkinë Delvinë.

Policia e Delvinës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ka vënë nën hetim shtetasit A. M., 56 vjeç, D. G., 60 vjeç dhe S. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Kalasë, të cilët dyshohet se më 24 korrik, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në Kalasë.

Si pasojë e përhapjes së flakëve nga data 24 deri më 28 korrik, zjarri përfshiu zonat përreth dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në Senicë, një kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve”. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e çdo personi të përfshirë në këtë zjarrvënie./e.t

Panik në aeroportin e Antalias/ Avioni bën ulje emergjente pas një defekti (VIDEO)

Paniku përfshiu aeroportin e Antalias në Turqi kur një aeroplan i Turkish Airlines bëri një ulje emergjente për shkak të një zjarri në marshin e uljes. Sipas raportimit në media pasagjerët shikohen duke u drejtuar drejt rrëshqitëseve të emergjencës dhe duke vrapuar të tmerruar përgjatë pistës.

Fluturimi TK243 u nis nga Stambolli në orën 17:25, por pak para ngritjes,  tymi përfshiu avionin teksa ishte duke lëvizur. Informacionet fillestare tregojnë për një defekt serioz hidraulik , i cili e detyroi pilotin të kthehej dhe të ulej menjëherë në Antalia .

Turkish Airlines flight TK2430, a Boeing 777-300ER, evacuates on the apron after landing at Antalya Airport after the crew detected a fire in the aircraft’s landing gear. pic.twitter.com/d6Z6SGa0jT

— Breaking Aviation News & Videos (@aviationbrk) July 29, 2025

Të 247 pasagjerët dhe 13 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt , ndërsa avioni u tërhoq më vonë në një zonë të sigurt të aeroportit.

Turkish Airlines nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare, ndërsa një hetim i plotë për shkaqet e incidentit është duke u zhvilluar./E.T

KAS i heq mandatin kushërirës së Lapajt, e merr e para e listës së mbyllur

Lufta për mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit ka hyrë në një fazë të re, pas një vendimi të fundit nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS).

KAS rrëzoi kërkesën e Adriatik Lapajt për njohjen e dorëheqjeve në listën e mbyllur të kandidatëve, çka do t’i hapte rrugën përfitimit të mandatit nga vetë ai si kandidati më i votuar në listën e hapur.

Por vendimi i sotëm nuk u ndal aty. KAS vendosi të rrëzojë veprimet e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke ia hequr mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Lapajt duke ia kaluar Anës Dajko, e cila renditej e para në listën e mbyllur.

Ky zhvillim shton tensionin brenda koalicionit dhe pritet të ndikojë në konfigurimin përfundimtar të përfaqësimit në Kuvend../e.t

“SHBA është e paparashikueshme”, Gjermania rrit shpenzimet ushtarake me qindra miliardë euro

Gjermania po përgatit një valë porosish prokurimi me vlerë qindra miliardë euro, duke përfshirë 20 avionë luftarakë Eurofighter, deri në 3000 automjete të blinduara Boxer dhe deri në 3500 automjete luftarake këmbësorie Patria.

Burime për Reuters bëjnë me dije se, blerjet janë pjesë e përpjekjes së Kancelarit Friedrich Merz për të ndërtuar ushtrinë më të fuqishme konvencionale të Evropës, me qëllim uljen e varësisë nga një aleat gjithnjë e më i paparashikueshëm, Shtetet e Bashkuara, dhe marrjen e përgjegjësisë më të madhe për sigurinë evropiane.

Më herët këtë vit, Merz siguroi mbështetjen parlamentare të nevojshme për të përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga kufijtë e borxhit të Gjermanisë të përcaktuara me kushtetutë, duke i mundësuar qeverisë së tij të financojë riorganizimin ushtarak.

Buxheti i rregullt i mbrojtjes i Gjermanisë parashikohet të rritet në rreth 83 miliardë euro (95.8 miliardë dollarë) në vitin 2026, 20 miliardë më shumë se në vitin 2025. Vetëm porosia e Eurofighter pritet të kushtojë midis 4 dhe 5 miliardë euro, thanë burimet, ndërsa automjetet Boxer, vlerësohen në 10 miliardë euro. Automjetet Patria pritet të kushtojnë afërsisht 7 miliardë euro.

Ministria e mbrojtjes po finalizon gjithashtu planet për të blerë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T dhe disa qindra platforma mbrojtëse nga dronë SkyRanger, thanë burimet, duke vënë në dukje se detajet financiare për këto blerje ende nuk janë finalizuar. Merz është zotuar të përmbushë standardin e ri të NATO-s për shpenzime prej 3.5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2029 – shumë përpara shumicës së anëtarëve të aleancës.

The post “SHBA është e paparashikueshme”, Gjermania rrit shpenzimet ushtarake me qindra miliardë euro first appeared on JavaNews.al.

KAS e la pa mandat deputeti, reagon Lapaj: PSD-së iu pranuan dorëheqjet, me ne zbatohet ligj tjetër se jemi Gulag!

Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’ Adriatik Lapaj ka reaguar lidhur me vendimin e KAS qe i rrëzoi sot ankimimin ku kërkonte që mandati i fituar më 11 maj nga koalicioni që drejton, t’i kalonte atij.

Përmes një statusi në Facebook Lapaj e cilëson vendimin e KAS standard të dyfishtë, duke sjellë në vëmendje praktikën e ndjekur nga PSD ku mandati u kaloi kandidatëve në listë të hapur pas dorëheqjeve të listës së mbyllur.

“Pra, PSD-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag.

Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë”, shprehet Lapaj.

The post KAS e la pa mandat deputeti, reagon Lapaj: PSD-së iu pranuan dorëheqjet, me ne zbatohet ligj tjetër se jemi Gulag! first appeared on JavaNews.al.

Sulmi kibernetik ndaj SPAK, Gjykata e Lartë lë në burg Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokaj

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesat për liri të Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokajt, dy të akuzuarit për hakerimin e sistemit të SPAK.

Kolegji Penal refuzoi rekursin e bërë prej tyre kundër masave “arrest në burg”, duke e lënë këtë masë në fuqi.

Gjoni dhe Rrokaj akuzohen për “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, duke vjedhur dosjet në hetim nga tre prokurorë.

Rrokaj, ish-punonjës i IMT-së pretendohet se ka pranuar se ka ndërhyrë në postën elektronike të tre prokurorëve dhe më pas dyshohet se ia ka transferuar të dhënat e përftuara Zambak Gjonajt, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i Burgjeve.

Sulmi kibernetik ndaj SPAK, u sinjalizua në datën 12 mars 2025 dhe në harkun e 48 orëve u identifikuan dy bashkëpunëtorët, të cilët më pas u vunë në pranga.

The post Sulmi kibernetik ndaj SPAK, Gjykata e Lartë lë në burg Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokaj first appeared on JavaNews.al.

Vodhën rreth 15 mijë euro dhe bizhuteri floriri në dy shtëpi, arrestohet një nga hajdutët, tjetri në kërkim

Policia identifikon dhe godet një grup që kryente vjedhje banesash në kryeqytet.

Gjatë operacionit të koduar “Vlera” janë dokumentuar vjedhjet me thyerje në dy shtëpi, ndërsa një prej autorëve të dyshuar u arrestua dhe tjetri u shpall në kërkim.

I ndaluari është Rexhep Koçi, 57 vjeç, kurse i kërkuari Griseld Lika, 30 vjeç.

Gjenden në banesën e të arrestuarit edhe 900 mijë lekë, 5700 euro, 12 ora, 20 bizhuteri (varëse, unaza) dhe 8 celularë, të dyshuara të vjedhura, dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.

“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vlera”, si rezultat i të cilit janë zbardhur 2 raste në këtë fushë dhe janë identifikuar 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, shtetasi R. K., 57 vjeç, është arrestuar, ndërsa tjetri, shtetasi G. L., 30 vjeç, është shpallur në kërkim”, tha policia.

Nga hetimet dyshohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje, në 2 banesa, gjatë muajve shkurt dhe korrik, shuma të konsiderueshme parash, sende me vlerë dhe celularë.

Policia ndau edhe pamjet nga kamerat e sigurisë të vjedhjeve të kryera, teksa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer ai dhe shtetasi i arrestuar.

Ndaj tyre rëndon akuza “vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe dosja i kaloi prokurorisë.

The post Vodhën rreth 15 mijë euro dhe bizhuteri floriri në dy shtëpi, arrestohet një nga hajdutët, tjetri në kërkim first appeared on JavaNews.al.

“Rusia po përgatit një “ndërhyrje të paprecedentë” në zgjedhjet e vjeshtës”, Kremlini mohon deklaratën e presidentes së Moldavisë

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha pas mbledhjes së Këshillit Suprem të Sigurisë më 30 korrik se Rusia synon të “kontrollojë” Moldavinë duke ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit. Ajo paralajmëroi se Moska po përgatit mjete politike për të ndikuar rezultatin dhe për të fituar shumicën në Parlamentin e ri. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj shkurt se “Rusia nuk ndërhyn në punët e asnjë vendi”.

Në konferencën për media pas mbledhjes së këshillit, shefja e shtetit deklaroi se Kremlini do të përdorë disa “instrumente politike” për të rritur gjasat e tij për të siguruar shumicën në Parlamentin e Kishinievit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit.

Ajo tha se këto janë të grupuara në të ashtuquajturin “rrymë sovraniste”, e cila promovon “një alternativë zhvillimi për Moldavinë”, së bashku me euroskepticizmin.

Ajo përmendi gjithashtu “rrymën populiste-agresive” të grupit kriminal Shor, e cila përdor skema për blerje votash, rekruton persona të dhunshëm për protesta të paguara kundër qeverisë dhe përfshin grupe të krimit të organizuar për të vandalizuar institucione shtetërore.

Presidentja tha se një nga objektivat është edhe ulja e pjesëmarrjes së diasporës në votime, përmes provokimeve dhe korrupsionit zgjedhor.

Autoritetet planifikojnë të hapin një numër rekord prej gati 300 qendrash votimi jashtë vendit.

The post “Rusia po përgatit një “ndërhyrje të paprecedentë” në zgjedhjet e vjeshtës”, Kremlini mohon deklaratën e presidentes së Moldavisë first appeared on JavaNews.al.

2 mijë euro ryshfet për legalizimin e shtëpisë, dënohet me burg ish-zyrtari i Kadastrës Fier dhe dy të tjerë

Gjykata e Posaçme dënon me 4 vite burg në total ish-zyrtarin e Kadastrës (ASHK) së Fierit dhe dy qytetarët që u akuzuan se dhanë ryshfet 2 mijë euro për një legalizim banese.

Në fund të procesit të gjykimit, paraqitjes së pretencës nga SPAK dhe konkluzioneve të palës mbrojtëse, kryesuesja e trupës gjykuese, Fjorela Davidhi, vendosi shpalljen fajtorë të tyre, ku për një nga të akuzuarit nuk u dha dënim, edhe pse u shpall fajtor.

Ish-punonjësi i Kadastrës, Endri Ngresi, u dënua me 3 vite burgim, Ardjan Kumaraku me 1 vit dhe për Afërdita Vidhin nuk u dha dënim. Ish-zyrtari u dënua edhe me përjashtim për 5 vitet e ardhshme nga çdo funksion publik.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Endri Ngresi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Në zbatim të nenit 35, paragrafi i parë të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh”, thuhet në vendim.

Për të pandehuren Vidhi, GJKKO u shpreh:

“Përjashtimin e të pandehurës Afërdita Vidhi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të K.Penal”.

Në muajin janar Prokuroria e Posaçme dërgoi për proces në GJKKO dosjen me 3 të pandehurit për korrupsion.

Bëhet fjalë për një rast ryshfeti me vlerë 2 mijë euro që dy të pandehurit e tjerë të dosjes, Ardjan Kumaraku dhe Afërdita Vidhi, i kanë dhënë aktualisht ish-punonjësit Endri Ngresi, me qëllim legalizimin e banesës dhe pajisjen me dokumentet përkatëse.

The post 2 mijë euro ryshfet për legalizimin e shtëpisë, dënohet me burg ish-zyrtari i Kadastrës Fier dhe dy të tjerë first appeared on JavaNews.al.

❌