PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit
ISLAMABAD, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën shtatë persona humbën sot jetën nga përmbytjet e rrëmbyeshme në Pakistanin verior, tha një zyrtar, në një tjetër fatkeqësi që goditi rajonin e Himalajeve mes ndikimeve në rritje të ndryshimeve klimatike.
Viktimat ishin vullnetarë që punonin për të restauruar një kanal uji në një luginë malore në rajonin Gilgit-Baltistan kur pati përmbytje uji pas shpërthimit të një liqeni akullnajor, tha zyrtari lokal i shpëtimit Tahir Shah.
“Të paktën gjashtë të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim në spital”, shtoi ai.
Përmbytjet bllokuan një autostradë që lidh Pakistanin me Kinën fqinje dhe i prenë disa fshatra malore nga rrugët e furnizimit, sipas një zyrtari tjetër, Islam Uddin.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë mijëra njerëz të bllokuar në fshatra të largëta ku bashkohen vargmalet Karakoram dhe Himalaje, tha Haroon Gull nga agjencia e fatkeqësive. /Ad.Ab./
The post PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.