George dhe Amal Clooney shijojnë pushimet në vilën milionëshe buzë Liqenit Como, krahas yjeve të njohur të Hollywoodit
Si pronarë të një vile madhështore buzë liqenit, e vlerësuar rreth 100 milionë dollarë (86.1 milionë euro), kush mund t’i fajësojë George dhe Amal Clooney për dëshirën për t’ua treguar miqve të tyre më të famshëm?
George, 64 vjeç, Amal, 47 vjeçe, dhe binjakët e tyre tetëvjeçarë, Ella dhe Alexander, u bashkuan me një grup miqsh në Liqenin Como, mes të cilëve ishte edhe aktori i filmit “Happy Gilmore”, Adam Sandler.
Ata u nisën me varkë nga vila madhështore e Clooney-t, Villa Oleandra, për të kaluar një drekë plot gjallëri në resortin ekskluziv Villa d’Este, shkruan DailyMail.
Në mesin e të ftuarve ishin edhe regjisorja Greta Gerwig, e nominuar disa herë për Oscar për filmin “Barbie”, së bashku me bashkëshortin e saj, regjisorin Noah Baumbach.
Po ashtu, u panë aktorët fitues të çmimeve Oscar, Jim Broadbent dhe Laura Dern.
Në bord ishin gjithashtu aktorët amerikanë Billy Crudup, Grace Edwards dhe Patrick Wilson, ndërsa pjesë e grupit ishte edhe aktorja Eve Hewson, vajza e këngëtarit të famshëm të U2, Bono.
E vetmja që mund të quhej “lokale” ishte aktorja italiane-gjermane, Alba Rohrwacher.
Pas qëndrimit në Como, Clooney-t dhe të ftuarit e tyre pritet të udhëtojnë drejt Festivalit të Filmit në Venecia, që nis këtë javë.
Prej kohësh qarkullojnë thashetheme se George Clooney ka ndërmend ta shesë vilën e tij të famshme, por ai gjithmonë e ka mbajtur.
Kur e bleu në vitin 2002 nga familja Heinz, aktori pagoi vetëm 10 milionë euro. Madje, prania e tij në Como u raportua se nxiti një “boom” në tregun e patundshmërive, duke bërë që çmimet e shtëpive në zonë të dyfishoheshin.
Shtëpia, e cila ka 25 dhoma, në vitin 2022 u vlerësua mbi 100 milionë dollarë (86.1 milionë euro) nga “Wall Street Journal”. Për George Clooney, Como ka edhe një vlerë sentimentale, pasi aty e takoi Amal-in në vitin 2013, gjatë një darke me miq të përbashkët.
Në një intervistë për Hollywood Reporter në vitin 2017, ai kujtoi: “Mendova se ishte e bukur, e zgjuar dhe shumë gazmore”.
Villa Oleandra ka mirëpritur për vite me radhë emra të njohur të industrisë së filmit. Në vitin 2004, aty u mblodh gjithë ekipi i “Ocean’s Twelve”, ndërsa në 2010, aktorët Emily Blunt dhe John Krasinski zgjodhën vilën për martesën e tyre.
Krasinski më vonë tregoi se George ua kishte ofruar shtëpinë disa herë, derisa më në fund pranuan.
Në vitin 2018, Jennifer Aniston qëndroi përkohësisht aty gjatë xhirimeve të komedisë “Murder Mystery”. Clooney gjithashtu u tregua i përkushtuar ndaj zonës kur në verën e vitit 2021 Como u godit nga reshje të mëdha shiu dhe rrëshqitje dheu.
Pas vizitës, ai tha në një video: “Gjendja është më e rëndë nga sa mendova. Do të nevojiten miliona dollarë, por kjo është një qytet i fortë dhe do të rikthehet më i mirë se kurrë”. Kryetari i komunës, Roberto Pozzi, konfirmoi për Sunday Times se Clooney erdhi menjëherë në bashki për të parë dëmet.
Në vitin 2019, aktori organizoi një fushatë bamirësie me Omaze, ku fituesit patën mundësi të njihnin nga afër George dhe Amal në Como. Të ardhurat u dedikuan për Fondacionin Clooney për Drejtësi.
Përveç vilës së famshme në Itali, George dhe Amal Clooney zotërojnë edhe rezidenca në Francë, Britani dhe Los Angeles, ku jetojnë me binjakët e tyre Ella dhe Alexander. /Telegrafi/
The post George dhe Amal Clooney shijojnë pushimet në vilën milionëshe buzë Liqenit Como, krahas yjeve të njohur të Hollywoodit appeared first on Telegrafi.