Si preferoni të uleni kur jeni në zyrë? Po në tryezën e darkës? Në autobus? Shumë njerëz ndihen më rehat duke u ulur me njërën këmbë të kryqëzuar mbi tjetrën. Edhe pse ndonjëherë mund t’u mpihen këmbët, ky pozicion është i rehatshëm dhe i përshtatshëm për ta. Por, a po ju bën më shumë dëm sesa dobi?
Njerëzit kanë besuar prej kohësh se ulja me këmbë të kryqëzuara është e dëmshme.
Thuhet se shkakton venat me variçe, komplikime gjatë shtatzënisë dhe presion të lartë të gjakut, por lexoni më tej për të mësuar se çfarë thotë shkenca për secilën nga këto pretendime.
Vendosja e këmbës mbi këmbë gjatë shtatzënisë, çfarë ndodh?
Gjatë shtatzënisë, trupi kalon në shumë ndryshime fizike. Ndërsa mitra zgjerohet, qendra e gravitetit zhvendoset përpara. Mund të vëreni se ecni, qëndroni në këmbë dhe uleni ndryshe nga zakonisht.
Ndërsa kërkoni pozicione të reja për t’u ndjerë rehat, asnjë prej tyre nuk do të dëmtojë as ju dhe as foshnjën — përfshirë edhe uljen me këmbë të kryqëzuara.
Megjithatë, dhimbjet muskulore, dhimbjet e shpinës dhe ngërçet (cramps) janë të zakonshme gjatë shtatzënisë. Ulja me këmbë të kryqëzuara nuk do të dëmtojë foshnjën, por mund të shkaktojë ënjtje të kyçeve ose ngërçe në këmbë. Nëse vëreni ënjtje ose ngërçe, përpiquni të uleni me të dyja këmbët në tokë ose të ngritura mbi një tabure.
A mund të rritet presioni i gjakut, nëse uleni me këmbën mbi këmbë
Kur ju matin presionin e gjakut, zakonisht ju kërkohet të vendosni të dyja këmbët në tokë. Kjo sepse kryqëzimi i njërës këmbë mbi tjetrën mund të shkaktojë një rritje të përkohshme të presionit të gjakut.
Një studim i botuar në Journal of Clinical Nursing gjeti një rritje të ndjeshme të presionit të gjakut kur pjesëmarrësit kryqëzonin këmbët në nivelin e gjuve. Nuk u regjistrua rritje kur këmbët kryqëzoheshin në nivelin e kyçit të këmbës.
Një studim tjetër, i botuar në Journal of Hypertension, zbuloi një rritje pak më të madhe të presionit të gjakut kur pjesëmarrësit kryqëzonin këmbën duke vendosur kyçin mbi gju.
Edhe pse këto studime mbështesin idenë se kryqëzimi i këmbëve mund të rrisë presionin e gjakut, ato tregojnë vetëm rritje të përkohshme. Megjithatë, nëse tashmë keni presion të lartë të gjakut, për siguri shmangni qëndrimin me këmbë të kryqëzuara për periudha të gjata.
Venat me variçe
Prej shumë vitesh qarkullojnë thashetheme se kryqëzimi i këmbëve shkakton venat me variçe. Kjo është një mit.
Venat me variçe janë vena të fryra, të përthyera dhe të ngjashme me litarë që dalin në sipërfaqen e këmbëve. Ato janë shpesh blu, por mund të jenë edhe të kuqe ose ngjyrë lëkure.
Më së shpeshti gjenden në kofshë dhe në pjesën e brendshme të këmbës. Çdokush mund të ketë venat me variçe, por ato janë më të zakonshme tek gratë e moshuara dhe gratë shtatzëna.
Venat me variçe formohen për shkak të një problemi me valvulat në venat tuaja, të cilat punojnë shumë për të pompuar gjakun drejt zemrës. Ndërsa gjaku lëviz lart, valvulat njëkahëshe hapen dhe mbyllen për të parandaluar kthimin e gjakut mbrapsht.
Megjithatë, kur këto valvula dobësohen ose dëmtohen, forca e gravitetit tërheq gjakun mbrapsht. Kjo quhet pamjaftueshmëri venoze. Venat bëhen me variçe kur gjaku ngec, grumbullohet dhe shkakton fryrje.
Qëndrimi në këmbë ose ulur për periudha shumë të gjata mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e venave me variçe, por nuk ka prova që kryqëzimi i këmbëve ka këtë efekt. Nëse jeni të shqetësuar për zhvillimin e venave me variçe, përpiquni të ndryshoni pozicionin e këmbëve gjatë ditës.
Postura
Edhe pse shumica e miteve të zakonshme për uljen me këmbë të kryqëzuara nuk janë plotësisht të vërteta, ekziston një efekt anësor që shpesh injorohet — postura e keqe.
Qëndrimi gjatë periudhave të gjata me njërën këmbë mbi gju mund të shkaktojë që pelvisi të rrotullohet dhe të anojë. Kjo mund të shkaktojë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës. Me kalimin e kohës, mund të çojë edhe në keq-rritje të shtyllës kurrizore.
Kur keni posturë të keqe, muskujt tuaj detyrohen të kompensojnë duke punuar më shumë sesa duhet, gjë që mund të shkaktojë dhimbje dhe ngurtësi.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhet të ndaloni plotësisht kryqëzimin e këmbëve.
Përfundimi
Ulja me këmbë të kryqëzuara nuk shkakton ndonjë emergjencë mjekësore. Megjithatë, ajo mund të shkaktojë një rritje të përkohshme të presionit të gjakut dhe të çojë në posturë të keqe. Për shëndet të mirë, përpiquni të mos qëndroni gjatë në të njëjtin pozicion, qoftë me këmbë të kryqëzuara apo jo. /Telegrafi/
The post A është e rrezikshme të uleni me këmbën mbi këmbë? appeared first on Telegrafi.