Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

‘Vajzë Fest’ mbyll edicionin e tretë: Tri ditë këngë, valle e art në zemër të Lumit të Vlorës

Mbrëmja e së dielës ka shënuar mbylljen e edicionit të tretë të “Vajzë Fest”, një aktivitet artistik mbresëlënës, që për tri ditë me radhë mbushi me këngë, valle dhe art krahinor zonën e Lumit të Vlorës.

Një edicion që i përmbushi të gjitha pritshmëritë sipas njërit prej organizatorëve regjisorit, Armand Bora. “Vendosim pritshmëritë tona, por ato janë tejkaluar. Pa dyshim falë miqve që vijnë, falë popullatës së Vajzës, por edhe të fshatrave përreth,” tha z. Bora.

Festa bëri bashkë personalitete e banorë të shumtë, të cilët vlerësuan traditën e kësaj treve dhe përcjelljen e saj brez pas brezi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bir i kësaj treve, thotë se vlera mbetet rrënja, e se vlerë mbi vlerë është përcjellja e kulturës e traditës së zonës ndër breza.

“Në fakt ne e bëjmë për herë të tretë. Unë ndihem shumë krenar për mënyrën sesi zhvillohen aktivitetet në Vajzë. Unë jap mbështetjen për ta, por sigurisht çdo gjë varet nga këta njerëz, që e bëjnë me shumë dashuri, me shumë përkushtim. Më habit shumë që kanë dëshirë për të dhënë kontribute, për ta bërë sa më mirë një festë të tillë,” u shpreh z. Sadushi.

Në organizim ka kontribuar edhe pushteti vendor, duke e parë aktivitetin si një vlerë të shtuar për turizmin. “Këto aktivitete që bëjmë sot nuk janë takim brezash. Janë aktivitete për të promovuar polifoninë, traditën, gastronominë, sitet arkeologjike…” tha kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bello.

Banorët, të ardhur edhe nga larg, e shijuan çdo detaj të kësaj feste të bukur.

Piktura, aktrimi, muzika dhe sporti ishin pjesë e mozaikut të gjerë që e bëri këtë edicion të paharrueshëm/rtsh/KultPlus.com

‘Kështu foli Zarathustra’, fjali nga kryevepra e Niçes

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”.

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.
“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?
“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.
“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.
“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.
“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.
“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.
“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”
“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.
“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.
“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.
“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet”. / Përgatiti: Bota.al/KultPlus.com

BE: Llakët gjysmë–të përhershëm për thonj ndalohen që nga shtatori

Nga 1 shtatori 2025, TPO, produkti që fshihet prapa thonjve gjysmë – të përhershëm nuk do të mund të shitet më. Për më tepër, tani është vendosur nga inspektorati shëndetësor që produktet që përmbajnë TPO, të cilat ishin në qarkullim, nuk mund të përdoren më as nga sallonet profesionale të thonjve. Ky ndalim i TPO është pasojë e klasifikimit të ri të tij si CMR kategori 1B, toksik për riprodhim, transmeton KultPlus.

Ky klasifikim është përcaktuar nga rregullorja evropiane CLP (Klasifikimi, Etiketimi dhe Paketimi), e cila klasifikon kimikatet sipas rrezikut më të lartë, pavarësisht përdorimit të tyre.

Nuk do të ketë më prodhim, shitje apo përdorim. Drejtoria e Përgjithshme e Konkurrencës, Konsumatorëve dhe Sanksioneve për Mashtrime (DGCCRF) ka shpallur një ndalim të plotë. Madje edhe stoqet e mbajtura tashmë në sallone duhet të hidhen menjëherë.

Deri tani, TPO ishte sekreti i ruajtur mirë i aplikimit perfekt: tharje e shpejtë, shkëlqim i lartë, qëndrueshmëri e patëmetë për javë të tëra… Por pas këtij shkëlqimi, fshihej ana e errët. E publikuar në maj 2025, rregullorja evropiane “Omnibus VII” vendos një goditje radikale ndaj substancave kancerogjene, mutagjene ose toksike në kozmetikë.

Nga shtatori, të gjitha produktet që përmbajnë TPO do të tërhiqen nga tregu dhe do të ndalohen nga përdorimi, madje edhe nga profesionistët./KultPlus.com

Kodrat e Dukagjinit

Poezi nga Enver Gjerqeku

Po digjen flakë n’zjarr t’blerimit 
Kësulat e fushave t’arta gjiplote. 
Lumejt’ – udhëtarë t’palodhun n’mote 
Vrapojnë me i zanë rrezet e agimit. 

Si plis me nji sy në cikolet e veta 
E vejnë borën për lindje e për dekë, 
E s’guxon kush veç puhisë m’i prekë, 
Kur nata zbret n’to me krahë t’le’ta. 

O ujdhesa t’kohës mbi liqej t’grunit, 
Që dënesni nën ortiqe, breshën e shi 
E trupin e çlodhni nën hije t’drunit, 

Në shputat e mia barin tuej e báj, 
Nën gishtat e mi damar’t tuej i ndi’, 
Për ju bukë e krypë prore do të ndaj. / KultPlus.com

‘New York Times’: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit.

Dhjetë minuta me autobus larg Butrintit, në resortin modern bregdetar të Ksamilit, turistët shtrihen mbi shezlongë, vallëzojnë me muzikë elektronike dhe lëvizin me jet ski rreth një gjiri piktoresk, të bërë të famshëm nga influencerët e rrjeteve sociale, të cilët e krahasojnë pamjen e tij të harlisur me Maldivet.

Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.

Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu.

Vitin e kaluar, 11,7 milionë vizitorë hynë në vend nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

”Shqipëria është ende një vend ekzotik për shumë njerëz”,  tha Frenkli Prengaj, i  cili merret me ture turistike për “Discover Albania” dhe kaloi dy ditë duke më shëtitur.

Vendi, që shtrihet mes Greqisë dhe Malit të Zi përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, shpalli pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912 dhe duke filluar nga vitet 1940, kaloi dekada nën një diktaturë staliniste, i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1990.

Në fund të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një krizë ekonomike të ndjekur nga një periudhë trazirash, por vitet e fundit situata politike është përmirësuar dhe turizmi, i nxitur pjesërisht nga çmimet e ulëta, ka lulëzuar.

Shqipëria e re

Resorti i gjallë i Ksamilit është një shembull i qartë i Shqipërisë së re.

”Gjatë dekadave të diktaturës, një numër i vogël vullnetarësh dërgoheshin në Ksamil për të ngritur komunitete bujqësore”, shpjegon Dorina Dhima, një guidë e pavarur.

”Zona, megjithatë, mbetej e kufizuar, sepse njerëzit mund të arratiseshin duke notuar deri në Korfuz. S’kishte më shumë se katër pallate”, shton ajo.

Ajo epokë ka marrë fund prej kohësh. Unë shijova një drekë të qetë me oktapod (1 800 lekë, rreth 22 dollarë) me pamje nga uji kristal dhe ishujt e gjelbër në një ”beach bar” të quajtur “Freskia e Jonit”.

Por, vizitorët që preferojnë një pushim më të qetë mund të zgjedhin destinacionet bregdetare si Jala, Borshi apo Dhërmiu, një deri në dy orë më në veri.

Kur udhëtova në vitin 2023 në Dhërmi për festivalin e muzikës dhe mirëqenies “Kala”, mbeta e mahnitur nga bukuria natyrore e peizazhit dhe mikpritja lokale.

Rreth 20 minuta larg Ksamilit ose 30 minuta me traget nga Korfuzi (bileta një drejtim nga 14 deri në 33 dollarë), qyteti bregdetar i Sarandës ofron një atmosferë të ngjashme të qetë, plazhe publike, një shëtitore të gjallë që mbushet në mbrëmje me vendas të veshur bukur në xhiro, si dhe shumë mundësi për të ngrënë e pirë me fruta deti të shkëlqyera, si te ”Haxhi” dhe ”Marini”.

Qëndrova në “LaFe Boutique Hotel” në qendër të qytetit dhe kalova një mbrëmje të bukur duke parë familje dhe miq.

Çatitë e kuqe dhe domatet gjithë lëng

Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik.

Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë.

Kalaja e Beratit (hyrja falas), një kompleks i hapur mbi qytet, përfshin një kishë bizantine, rrënojat e një prej xhamive të para në Shqipëri dhe një lagje me shtëpi ende të banuara nga shekulli XVIII-XIX, disa prej të cilave janë bujtina.

Po ashtu, aty ndodhet muzeu ikonografik ”Onufri”, i cili ekspozon objekte fetare që datojnë që nga vitet 1300, përfshirë një ikonostas të gdhendur në dru të stolisur (biletë me audioudhëzues 500 lekë).

Kur e vizitova Beratin në fund të qershorit, qyteti ishte i heshtur deri në perëndim, kur rrugët papritur u mbushën me fëmijë me biçikleta, burra që luanin domino dhe shitës që ofronin kupa plastike të mbushura me rrush e qershi për rreth 100 lekë.

Bollëku i përbërësve të freskët e bënte ushqimin në Shqipëri një kënaqësi.

Në “Amalia Homemade Food” në Berat, bëra një duzinë fotosh të tryezës, e thjeshtë dhe e bukur. Sallata me domate ishte aq e lëngshme dhe e gjallë, sa ndjeva sikur kisha zbuluar një dije të humbur prej kohësh mbi shijen e vërtetë të domates.

Pjesa tjetër e menusë përfshinte djathë dhe perime të pjekura në enë balte; speca të mbushur me oriz e barishte; patëllxhan me hudhër, spec dhe domate; byrek me spinaq dhe djathë; dhe biftek vjenez, mish i mbushur me djathë (menu me 11 pjata për dy persona, 28 euro ose 32 dollarë).

Siç është tipike në Shqipëri, vakti u mbyll me një gotë raki, një pije e fortë alkoolike e bërë nga frutat e fermentuara, versione të së cilës janë të zakonshme në gjithë Ballkanin.

“Ata që janë mbi 40 vjeç e pinë pothuajse çdo ditë”,  tha Andi Kallanxhi, punonjës i “Pupa Winery”, 20 minuta me makinë në juglindje të Beratit.

”Dy gota të mëdha në 5 ose 6 të mëngjesit, të shoqëruara me një cigare dhe kafe turke, dy teke rreth orës 10 ose 11, një tjetër pas punës me kafe, dhe pastaj edhe tre a katër të tjera pas punës me salcë kosi e hudhër”, shton ai.

Rakia “te Amalia”, e zbutur me kanellë, ishte një përzierje ngrohtë dhe e fortë për fytin dhe një fund i përsosur i darkës sime.

Do ta pija për mëngjes? Më pyesni kur të kem mbushur 40 vjeçe.

Vizita në një bunker të Luftës së Ftohtë

Ismail Kadare, fitues i çmimit ”Booker International”, e përshkruan  qytetin e Gjirokastrës, rreth dy orë e gjysmë në jug të Beratit, si një “krijesë parahistorike që ngjitet si me grep në shpatin e malit”.

Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj.

Për t’u bashkuar me një tur prej 200 lekësh, shkoni në agjencinë turistike ”Experience Gjirokastra” në sheshin ”Çerçiz Topulli”.

Nëse ngjiteni përtej qendrës historike të Gjirokastrës, mund të vizitoni një kështjellë shekullore (hyrja 400 lekë), pjesë të së cilës u përdorën si burg, së fundmi gjatë regjimit të Hoxhës.

Qelitë e burgut dhe dhomat e torturave janë lënë kryesisht të paprekura dhe janë një muze magjepsës (200 lekë).

Tarifa shtesë e hyrjes përfshin hyrjen në Muzeun e Armëve si dhe në Muzeun e Gjirokastrës, i cili ofron një histori kompakte, por të plotë të rajonit.

Disa nga muzetë më të papritura dhe interesante në Gjirokastër janë shtëpi të epokës osmane.

Në shtëpinë e Skendulajve, Edlira Skenduli, një pasardhëse e familjes së pasur tregtare që ndërtoi shtëpinë më shumë se 300 vjet më parë, na udhëhoqi në një tur (300 lekë).

“Ka 64 dritare, 44 dyer, gjashtë banjo dhe katër hamame”, shpjegon ajo.

”Dhoma e sigurt e shtëpisë”, tha ajo, ”funksiononte si strehë për 70 persona gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore. Pikat kryesore të tjera përfshinin një frigorifer natyror, një hapësirë ​​nëntokësore të ftohur nga një cisternë ngjitur, dhe dhomën e dasmës, të dekoruar me dru shege, të pikturuara dhe të gdhendura, me një ballkon të mbrojtur të caktuar për gratë beqare që donin të shikonin ceremoninë”.

Ndërsa zbrisja shpatin nga kështjella drejt hotelit ”Rose Garden”, ku po qëndroja, mund ta shihja diellin duke filluar të perëndonte ngadalë pas maleve, duke lënë vija portokalli dhe rozë të pluhurosura mbi qytetin prej guri.

Një thirrje melodike për lutje mbushi luginën, duke më kujtuar edhe një herë pasurin kulturore të Shqipërisë.

Vendpushimet e zhurmshme të plazhit, në anën tjetër të maleve, dukeshin shekuj larg./KultPlus.com

Presidentja Osmani me të rinjtë shqiptarë në Alpbach: Një gjeneratë që nuk njeh kufij

Në një pasdite të mbushur me energji pozitive në zemër të Alpeve austriake, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me të rinjtë shqiptarë pjesëmarrës në Forumin Evropian Alpbach, një prej ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare që bashkon liderë të rinj, akademikë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota.

Përmes një postimi, Presidentja u shpreh e frymëzuar nga përkushtimi dhe pasioni i të rinjve shqiptarë që po ndjekin forumin, duke i cilësuar ata si “një gjeneratë që nuk njeh kufij”.

“Pasdite e bukur në zemër të Alpeve austriake, mes të rinjve të jashtëzakonshëm shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach. Të gjithë kanë një të përbashkët: dashurinë për vendin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën më të mirë,” ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Tre vite nga vdekja e shkrimtarit të njohur Nasho Jorgaqi

Më 25 gusht 2022 ka vdekur në Tiranë shkrimtari Nasho Jorgaqi.

Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier. Ai ishte shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues shqiptar nga më të njohurit, doktor i shkencave, “Mjeshtër i Madh i Punës”.

La pas një sërë botimesh letrare, skenarësh filmash, përkthimesh dhe botimesh shkencore.

Nga krijimtaria e tij e gjerë përmendim veprat: Dashuria e Mimozës, Ëndrra dhe plagë, Tomka, Antologji e mendimit estetik shqiptar, Udhëtim me Fan Nolin, Larg dhe afër, Mërgata e qyqeve, Estetika e fjalës shqipe, Portrete dhe gjurmime./KultPlus.com

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund t’iu besojë më”

Thënie nga Friedrich Nietzsche

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund të ju besojë më.”

“Ata shiheshin duke vallëzuar, mendoheshin si të çmendur prej atyre që s’mund ta dëgjonin muzikën.”

“Ti ke rrugën tënde, unë rrugën time. Sa për rrugën e drejt, rrugën e duhur, ajo nuk ekziston.”

“Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhën jetë një ylli vallëzues.”

“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.”

“Njeriu i dijes jo vetëm që duhet të jetë në gjendje t’i dojë armiqt e vetë, por gjithashtu edhe ti urrejë miqt e vetë.”

“Nuk mund të besoj në një Zot i cili përgjatë gjithë kohës dëshiron të jetë i lavdëruar.”

“Kur jemi të lodhur, ne sulmohemi nga idetë të cilat i kemi pushtuar shumë kohë më parë.”

“Gjarpëri që nuk mund ta flak tutje lëkurën e tij, vdes. Njësoj është edhe me mendjet të cilat pushojnë së ndryshuari mendimet e tyre; ato pushojnë së qenuri mendje.”

“Tek individët, marrëzia është e rrallë; mirëpo tek grupet, partitë, kombet dhe epokat, ajo është rregull.”

“Përparësia e një kujtese të dobët është se njeriu, i shijon disa herë gjërat e njejta sikur për herë të parë.”

“Njeriu është kafsha më mizore.”

“Besimi: të mos duash ta dish cila është e vërteta.”

“Një shëtitje e zakonshme nëpër çmendinë tregon se besimi nuk vërteton asgjë.”

“Keni kujdes kur i luftoni bishat, që edhe ju vetë të mos bëheni bishë pastaj…. Sepse kur e vështron me ngulm për kohë të gjatë humnerë, edhe humnera ju vështron juve.”

“Nuk ekzistojnë sipërfaqe të bukura pa thellësitë e tmerrshme.”

“Në botë ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që duan të dijn dhe ata që duan të besojnë.”

“Ajo që është bërë nga dashuria, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqe.”

“Heshtja është më e keqja; të gjitha të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese.”

“Fijet e padukshme janë lidhëset më të forta.”

“I vetmuari i’a zgjat dorën shumë shpejt kujtdo që e ndesh.”

“Ndoshta unë e di se përse vetëm njeriu qesh; vetëm ai vuan aq thellë sa që i është dashur ta shpik qeshjen.”

“Në fund të fundit është dëshira, dhe jo e dëshiruara ajo që e dashurojmë.”

“Edhe sot si gjithmonë, njerëzit ndahen në dy grupe: skllevërit dhe të lirët. Kushdo që nuk i ka 2/3 e ditës për veten e vetë, është skllav, pavarësisht nëse është burrështetas, biznesmen, zyrtarë ose profesor.”

“Ata e turbullojnë ujin për t’u dukur më i thellë.”

“Ekziston më shumë mençuri në trupin tuaj se sa në filozofinë tuaj më të thellë.”

“Në të vërtetë, shpresa është më e keqja sepse ajo i zgjat vuajtjet e njeriut.”

/ KultPlus.com

“Bear Hug” hap edicionin e 17-të të PriFest me premierën botërore

Edicioni i 17-të i PriFest – Prishtina International Film Festival hapet më 9 shtator në Kino Armata me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj. Filmi është pjesë e programit kryesor garues të festivalit, duke shënuar nisjen e ngjarjes me një histori të fuqishme dhe emocionale që vjen nga Kosova dhe Shqipëria.

“Bear Hug” rrëfen historinë e Agu, një kujdestar në një strehimore arinjsh, jeta e të cilit ndryshon papritur një natë kur viziton të dashurën e tij. Në një rrugëtim të papritur për liri, ai takon Tinën, një vajzë e re dhe plot ëndrra, që ëndërron të bëhet këngëtare por ndodhet nën kontrollin e një politikani të pamëshirshëm. Agu vendos ta ndihmojë dhe së bashku arratisen drejt natyrës, në një udhëtim simbolik drejt lirisë – si një ari dhe një cërnile që kërkojnë paqe përtej ligjeve të njerëzve.

Filmi kombinon dramën me tensionin dhe trajton temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për liri personale. Me një kohëzgjatje prej 107 minutash, në film interpretojnë Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teuta Krasniqi, e cila është edhe producentja e filmit. Regjisori Ilirjan Himaj ka kontribuar gjithashtu si montazhier, ndërsa drejtoria e fotografisë është realizuar nga Latif Hasolli.

PriFest do të zhvillohet nga 9 deri më 14 shtator 2025 në Kino Armata, Prishtinë, duke sjellë një përzgjedhje të gjerë filmash artistikë nga rajoni i Ballkanit./KultPlus.com

Friedrich Nietzsche: Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq

Harry S. Truman: “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se të jesh president është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”!

Nikita Khrushchev: “Politikanët janë kudo të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku s’ka lumë”!

Vaclav Havel: “Nuk ka më komunist se ish-komunisti që e lufton komunizmin”!

Voltaire: “O Zot! Më shpëto nga miqtë e mi, se nga armiqtë mbrohem vetë”!

John F. Kennedy: “Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vet. Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë”!

Robert Frost: “Liberali është ai që është aq tolerant sa që mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”!

Friedrich Nietzsche: “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq”!

Charles de Gaulle: “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që e thotë, befasohet kur të tjerët e besojnë”!

Margaret Thatcher: “Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”!

Ronald Reagan: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”!

Stanley Kubrick: “Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!

Mason Cooley: “Tre njerëz të braktisur në një ishull të izoluar, do të shpiknin shumë shpejt politikën”!

James Clark: “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm”!

Ely Culbertson: “Politika, një emër diplomatik për ligjin e xhunglës”!

Will Rogers: “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”!

Pierre Trudeau: “Në pikëpamje akademike përpiqeni ta pohoni të vërtetën absolute; në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush”!

Alexis de Tocqueville: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që urrehen është pothuaj gjithnjë baza e miqësisë”!

Jesse M. Unruh: “Paraja është për politikën si nëna që ushqen me qumështin e saj”!

Georges Pompidou: “Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!

Bernard Baruch: “Votoni për njeriun që premton më pak, se ai do të jetë më pak zhgënjyes”!

Winston Churchill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë”!

Soren Kierkegaard: “Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon”!

Harold Wilson: “Në politikë një javë është kohë shumë e gjatë”!

Boris Mashalov: “Kongresi është i çuditshëm. Dikush ngrihet të flasë e nuk thotë asgjë. Askush s’dëgjon, pastaj të gjithë bien dakord”!

Johann Wolfgang von Goethe: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”!

Marie Ebner: “Ne botë do të kishte më pak çaste të kobshme, nëse të këqijat s’do të bëheshin në emër të ndonjë të mire”!

Adolf Hitler: “Sa fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!”

Faik Konica: “Ati ynë që je në Qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”!

Sydney J. Harris: “Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim”!

Konrad Adenauer: “Jetojmë të gjithë nën një qiell, por askush s’ka të njëjtin horizont”! / KultPlus.com

‘Nata ikën pa më bërë dot të lumtur, dita vjen për inatin tim’

Poezi nga Skënder Rusi

Njerëz të trishtë

Nuk jam aq i lumtur sa ju dukem,
Mos u gënjeni kur më shihni që qesh!
Nata ikën pa më dhënë atë që mundet, 
Dita vjen pa më sjellë atë që pres!

Është një lojë ku s’dimë si jemi futur,
Prej së cilës askujt nuk i iket!
Nata gdhin si një mashtrim i bukur,
Dita vjen po nuk pranon të më bindet!

Ju më shihni që eci gjithnjë i ngutur,
Te kjo rrugë që ka vetëm fillim!
Nata ikën pa më bërë dot të lumtur,
Dita vjen për inatin tim! / KultPlus.com

Dhjetë “urdhëresat” e Niçes

Këto dhjetë rregulla, Friedrich Nietzsche i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:

1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;

2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;

3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;

4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;

5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;

6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;

7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;

8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;

9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;

10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore. / KultPlus.com

Poeti që e bëri Shqipërinë të njohur në botën anglofone

“Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty,
O nënë e rreptë burrash t’egër!”

Udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt ”lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër ta është Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij ”Child Harold”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara. Ishte ajo poemë që e bëri atë të shkëlqente menjëherë pas botimit. Ai e vizitoi jugun e Shqipërisë pothuajse fill pas William Martin – Leake-ut. Në letrën e tij dërguar nënës, ai i përshkruan shqiptarët në veshjet e tyre kombëtare si veshja më madhështore në botë. Një kopje e portretit të tij me kostumin kombëtar shqiptar gjendet e ekspozuar në National Portrait’s Gallery në Londër. Ai është konsideruar edhe si portreti më i bukur i tërë kohërave i përzgjedhur me të drejtë në atë muze arti. Ai është objekt studimi i një filmi dokumentar të BBC – së .

Njohja me veprën e Bajroni-t dhe veçanërisht me këto dy letra dërguar nënës së tij, si dhe me udhëtarin tjetër Hobhouse na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve. Kjo përbën një pikënisje të njohjes së kombeve tona shumë kohë para se Shqipëria të ribëhej shtet dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë e Madhe. Ai vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashain, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj.

Shenim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Fotografuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Londër)

Bajron – i e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse (1786 – 1869). Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç. / Nga Mal Berisha / KultPlus.com

“Gjelat në Pentagram” – Fondacioni Rame Lahaj sjell muzikën klasike në 10 qytete të Kosovës

Fondacioni Rame Lahaj sjell projektin më të ri “Gjelat në Pentagram”, një udhëtim muzikor që do të zhvillohet nga data 2 deri më 11 shtator në 10 lokacione të ndryshme të Kosovës. Qëllimi i këtij projekti është t’i afrojë fëmijët dhe të rinjtë me muzikën klasike dhe operistike, veçanërisht në komunitete rurale dhe më pak të privilegjuara, që kanë përjetuar pasojat e luftës.

Gjatë këtij turneu, tre muzikantë profesionistë nga Gjermania do të mbajnë koncerte interaktive, duke sjellë përvoja të veçanta për publikun e vogël dhe duke ndërtuar një lidhje të re me artin dhe kulturën.

“Me ‘Gjelat në Pentagram’, ne besojmë se po mbjellim farat e një audience të re që nesër do të rritet me dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat artistike,” thuhet në njoftimin e Fondacionit.

Turneu do të ndalet në këto qytete:

  • Vrellë – 2 shtator
  • Drenas – 3 shtator
  • Vushtrri – 4 shtator
  • Dragash – 5 shtator
  • Deçan – 6 shtator
  • Viti – 7 shtator
  • Ferizaj – 8 shtator
  • Fushë Kosovë – 9 shtator
  • Prishtinë – 10 dhe 11 shtator

Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit Rame Lahaj për të ndërtuar një skenë të qëndrueshme artistike në vend dhe për të krijuar hapësira të reja për edukim dhe zhvillim artistik për brezat e rinj.

Publiku ftohet të ndjekë rrjetet sociale të Fondacionit për më shumë informacione rreth lokacioneve dhe orareve të koncerteve./KultPlus.com

Një vjershë e vonuar

Poezi nga Nathan Zach

Përktheu: Edon Qesari

Ndodhi larg, siç rëndom, atë natë ende kishte

ca pika shiu në dritare, kur ti the, kur unë thashë,

dhe qemë pranë ujdisë, në mos larg

nga gjithçka tjetër.

Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Tre herë dimri dimëroi, pati anafjalë;

çka mund të shtrëngoj në dorë, bie dhe thyhet.

Mos vallë është fryma, mos vallë trupi,

mbërthyer papritmas nga një ngërç, që e lë të bjerë?

Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Flok’t e saj qenë gështenjë, që atëbotë ngjyra humbi shkëlqimin.

U mbeti njëfarë brishtësie, një hapësirë e vogël brishtësie,

a mbase mosbrishtësie. Zor të jesh i saktë në kësi punësh.

Zor t’u japësh shpjegim, zor të jesh i saktë.

Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Thashë brishtësi, mund të thosha edhe më,

pas së pamohueshmes gjithkush mund të shtojë më.

Njëra prej llambave tona në dhomë u dogj.

Njëra s’del për të lexuar por mjafton për të vajtuar.

Mos duhet të vajtoj mbi çati, në kolltuk apo në shtrat?

Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë./ KultPlus.com

“Tre metamorfozat” e Friedrich Nietzsche, nga “Kështu fol Zarathustra”

“Nga tri metamorfozat e shpirtit po ju them: Si shpirti bëhet deve, deveja luan dhe luani më në fund fëmijë. Shumë gjëra të rënda janë atje për shpirtin, shpirtin e fortë nderues që do të duronte shumë: sepse e rënda dhe më e rënda dëshiron forcën e saj.

Çfarë është e rëndë? kështu pyet shpirti që do të duronte shumë, dhe pastaj ulet në gjunjë si deveja dhe dëshiron të jetë i ngarkuar mirë.

Cila është gjëja më e rëndë, heronj? pyet shpirti që do të duronte shumë, që të mund ta marr mbi vete dhe të gëzohem me forcën time.

A nuk është kjo: Të poshtërosh veten për të mpirë krenarinë e dikujt? Të shfaqësh marrëzinë e dikujt në mënyrë që të tallesh me mençurinë e tij?

Apo është kjo: Të braktisim kauzën tonë kur ajo triumfon? Të ngjitesh në male të larta për të tunduar tunduesin?

Apo është kjo: Të ushqehesh me lisat dhe barin e diturisë dhe për hir të së vërtetës të vuash urinë në shpirt?

Apo është kjo: të jesh i sëmurë dhe të largosh ngushëlluesit dhe të bësh miq i të shurdhërve, të cilët nuk i dëgjojnë kurrë kërkesat e tua?

Apo është kjo: të hysh në ujë të ndyrë kur është uji i së vërtetës dhe të mos shmangësh bretkosat e ftohta dhe kalamajtë e nxehtë?

Apo është kjo: të duam ata që na përbuzin dhe t’i japim dorën fantazmës që përpiqet të na trembë?

Të gjitha këto gjëra më të rënda, shpirti që do të mbante shumë i merr përsipër: si deveja, e cila, kur ngarkohet, nxiton në shkretëtirë, kështu e shpejton shpirtin në shkretëtirën e saj.

Por në shkretëtirën më të vetmuar ndodh metamorfoza e dytë: këtu shpirti bëhet luan; ai do të kapë lirinë e tij dhe do të jetë zot në shkretëtirën e tij. Këtu ai kërkon zotërinë e tij të fundit: ai dëshiron të luftojë atë dhe Zotin e tij të fundit; për fitore do të luftojë me dragoin e madh. Kush është dragoi i madh që shpirti nuk dëshiron ta quajë më Zot?

“Ti do”, quhet dragoi i madh. Por shpirti i luanit thotë: “Unë do”.

“Ti do,” shtrihet në shtegun e tij, që shkëlqen me ar – një bishë e mbuluar me luspa; dhe në çdo peshore shkëlqen një “Ti do të jesh!” Vlerat e një mijë viteve shkëlqejnë në ato peshore dhe kështu flet më i fuqishmi nga të gjithë dragonjtë: “Të gjitha vlerat e të gjitha gjërave shkëlqejnë mbi mua. Çdo vlerë është krijuar prej kohësh dhe unë jam i gjithë vlera e krijuar. Vërtet, nuk do të ketë asnjë më shumë ‘do’”.

Kështu flet dragoi.

Vëllezërit e mi, pse shpirti ka nevojë për luanin? Pse nuk mjafton bisha e barrës, e cila heq dorë dhe nderon?

Të krijosh vlera të reja – që as luani nuk mund t’i realizojë: por të krijosh për vete lirinë për krijimin e ri – atë liri mund ta kapë fuqia e luanit. Për të krijuar lirinë për veten dhe për t’i dhënë një Jo të shenjtë edhe detyrës: për këtë, vëllezërit e mi, duhet luani.

Të marrësh të drejtën për vlera të reja – ky është supozimi më i frikshëm për një shpirt bartës dhe nderues. Për një frymë të tillë është pre dhe vepër e një bishe grabitqare. Ai dikur e donte “Ti do” si më të shenjtën: tani është i detyruar të gjejë iluzionin dhe arbitraritetin edhe në gjërat më të shenjta, që liria nga dashuria e tij të jetë pre e tij: luani duhet për një pre të tillë.

Por më thoni, vëllezërit e mi, çfarë mund të bëjë fëmija, që as luani nuk mundi ta bëjë? Pse luani grabitqar duhet të bëhet ende fëmijë?

Fëmija është pafajësia dhe harresa, një fillim i ri, një lojë, një rrotë vetërrotulluese, një lëvizje e parë, një Po e shenjtë. Për lojën e krijimit, vëllezërit e mi, nevojitet një Po e shenjtë: shpirti tani do vullnetin e tij; i dëbuari i botës tani pushton botën e tij.

Nga tre metamorfozat e shpirtit ju kam treguar: si shpirti u bë deve, deveja luan dhe luani më në fund fëmijë.

“Kështu foli Zarathustra.”

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare

Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.

Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com

Fridrih Niçe: Përjetësia e një mendje revolucionare

Në këtë ditë të 25 gushtit, bota kujton dhe nderon një ndër filozofët dhe mendimtarët më të ndritur të shekullit të njëzet. Fridrih Niçe, figura e ndritur dhe ndikuese e kohës së tij, vazhdon të përjetësohet përmes veprave të tij që kanë ndikuar thellësisht në filozofi, letërsi dhe kulturën moderne.

Fridrih Vilhelm Niçe, lindur më 15 tetor 1844 në Röcken, Prusia (tani pjesë e Gjermanisë), shprehu shqetësimin dhe reflektimin e thellë në temat e ekzistencës, moraleve të shoqërisë dhe rolit të religjionit. Filozofia e tij e kritikës së vlerave tradicionale dhe shqyrtimi i mendimit konvencional shpërfaqën një vështrim të thellë mbi realitetin dhe natyrën njerëzore.

Një nga konceptet kryesore që u shprehën përmes shkrimeve të Niçes ishte “zgjimi i qytetërimit.” Ai shprehu nevojën për të përballuar sfidat intelektuale dhe morale të kohës, duke ecur përpara nga dogmatizmi dhe kufizimet e mendimit të ngushtë. “Zgjimi i qytetërimit” synonte të ndriçonte rrugën drejt një shoqërie më të zhvilluar dhe një individi më të vetëdijshëm për fuqinë e vet krijuese.

Përtej kontributit në filozofi, Niçe shkroi edhe në fushën e letërsisë. Për shembull, vepra e tij “Kështu foli Zarathustra” është një roman filozofik që përshkruan aventurat e personazhit kryesor, Zarathustra, në një udhëtim të frymëzuar nga synime të thella të mendimit human. Ky veprim i veçantë i Niçes lidh filozofinë me imazhin e krijuesit individual dhe forcën e mendimit për të shkaktuar ndryshime të thella në shoqëri.

Gjatë jetës së tij, Fridrih Niçe u përball me sfida personale dhe shëndetësore. Kjo periudhë e vështirë e jetës së tij shpërfaq trishtimin dhe izolimin, por gjithashtu prodhoi disa nga shkrimet më të fuqishme dhe të thella të Niçes.

Edhe pse vdiq më 25 gusht 1900, trashëgimia intelektuale e Fridrih Niçes vazhdon të jetë e gjallë. Mendimet e tij lidhen ngushtë me sfidat e kohës moderne, duke inkurajuar individët të reflektojnë mbi vlerat, qëllimet dhe kuptimin e jetës. Siç thoshte vetë Niçe, “Dëshira për dituri është një dëshirë e madhe për të ditur se si të duash.” Kjo thirrje për të eksploruar thellësitë e mendjes dhe të jetës është një trashëgimi e çmuar që vazhdon të frymëzojë dhe të udhëheqë njerëzit edhe sot e kësaj dite. / KultPlus.com

Mbyllet edicioni i pestë i Porto Palermo Festival, mbrëmje magjike në pedonalen e Himarës

Edicioni i pestë i Festivalit të Porto Palermos u mbyll në një mbrëmje magjike në pedonalen e Himarës.

Mbrëmjen e djeshme publiku këndoi dhe vallëzoi me energjinë e Olen Cesarit, Marsela Çibukajt, Dren Abazit, Ansamblit Folklorik Shqiptar, si edhe me pjesëmarrjen e veçantë të këngëtarit gjirokastrit, Roland Çenko dhe këngëtares himariote, Katina Beleri, duke e kthyer natën në një festë të paharrueshme.

Organizatorët e Porto Palermo Festival falënderuan bashkinë e Himarës dhe kryebashkiakun Vangjel Tavo, si edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për mbështetjen dhe besimin në këtë udhëtim artistik.

Porto Palermo Festival nisi më 31 korrik, me një aksion pastrimi të territorit.

Festivali synoi që jo vetëm të sillte artistët më të mirë, por edhe të promovonte turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Kalaja historike e Ali Pashës u mbush me muzikë, emocion dhe energji pozitive për 12 netë të paharrueshme gjatë të cilave interpretuan artistë të jashtëzakonshëm me emocione të forta në një skenë unike.

Natën e çeljes performoi vetë ideatori i këtij festivali, violinisti Olen Cesari. Në datën 1 gusht ishte i ftuar Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërsa një natë më pas interpretuan Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj.

Mbrëmja 3 gushtit ishte nën magjinë e këngëve të Dren Abazit. Më 7 gusht performoi e mirënjohura Aurela Gaçe, një natë më pas Adrian Trebicka dhe Kastriot Tusha. Ndërsa më 9 gusht, Carlo Paz dhe Sin Fronteras.

Këngëtari Alberto Laurenti performoi të dielën e 10 gushtit, ndërsa në netët finale performuan disa prej artisteve që janë bërë pjesë e pandarë e këtij festivali si Marsela Çibukaj, Eda Zari etj./atsh/KultPlus.com

Thesari im

Poezi nga Sharl Bodler

Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.

Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.

Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë.

Fëmijet që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithcka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.

Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im! / KultPlus.com

❌