Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Reagon edhe Adelina Ismaili: Kush do ta besonte që do të arrijnë në pikën ku do ta fyejnë Jusuf Gërvallën? Definitivisht duan t’i përmbysin vlerat

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Ismaili, ka reaguar ashpër përmes një statusi në rrjetin social Facebook, duke shprehur indinjatën e saj lidhur me debatet e fundit politike në Kosovë.

“Kush do ta besonte që do të arrijnë në pikën ku do ta fyejnë Jusuf Gërvallën? Definitivisht duan t’i përmbysin vlerat”, shkroi artistja, duke kujtuar figurën e veprimtarit dhe patriotit të madh, i cili u flijua për çështjen kombëtare.

Reagimi i Ismailit vjen në një kohë kur vajza e të ndjerit Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla-Schwarz, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme në detyrë, është përfshirë në një debat të ashpër publik. Një ditë më parë, ajo nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Foto: Adelina Ismaili/Facebook

Situata u bë edhe më e ndjeshme pasi bashkëpartiakja e saj, Shqipe Mehmeti Selimi, refuzoi ta votonte, duke u bazuar në disa deklarata të Gërvallës të bëra në vitin 2020 për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin.

Përmes reagimit të saj, Adelina Ismaili i është bashkuar atyre zërave që e shohin këtë zhvillim si cenim të trashëgimisë dhe vlerave që përfaqëson emri i Jusuf Gërvallës. /Telegrafi/

The post Reagon edhe Adelina Ismaili: Kush do ta besonte që do të arrijnë në pikën ku do ta fyejnë Jusuf Gërvallën? Definitivisht duan t’i përmbysin vlerat appeared first on Telegrafi.

Arta Bajrami letër të hapur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, iu drejtohet me kërkesa për formimin e institucioneve dhe fëmijët me nevoja të veçanta

Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka bërë një reagim të fuqishëm publik përmes një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, ku ka ngritur shqetësimin e saj si nënë e dy fëmijëve me autizëm dhe si qytetare e vendit.

Në shkrimin e saj të publikuar në Facebook, Bajrami thekson se Kosova ndodhet në një ngërç të rëndë politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke kritikuar klasën politike për dështimin në formimin e institucioneve dhe për pasojat që kjo krizë po sjell në jetën e qytetarëve. “Kuvendi ka dështuar mbi 50 herë të zgjedhë një kryetar, Qeveria nuk është formuar, dhe jeta e qytetarëve është lënë peng i pazareve politike”, shkruan ajo, duke e cilësuar situatën si një “kolaps shtetëror”.

Një nga pikat më të theksuara në letrën e saj është mungesa e Ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta, i cili, sipas këngëtares, është zvarritur prej vitesh, duke lënë mbi 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara jashtë sistemit arsimor dhe pa mbështetje adekuate. “Çdo ditë vonesë është një dëm i pariparueshëm për zhvillimin e këtyre fëmijëve”, shkruan Bajrami, duke shtuar se është turp për një shtet të kthejë shpinën ndaj më të pambrojturve.

Në letrën e saj, Bajrami ndalet edhe te projekti i humanistit Halil Kastrati, i cili ka nisur ndërtimin e një residence për fëmijët me autizëm, por që sipas saj ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale.

Në fund, këngëtarja liston tre kërkesa kryesore për institucionet:

Formimin e menjëhershëm të institucioneve dhe daljen nga kriza politike.

Miratimin pa vonesë të ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta.

Mbështetjen dhe aprovimin e projektit të Halil Kastratit.

“Unë nuk po ju lutem, po ju kërkoj me të drejtën që ma jep statusi i qytetares, i nënës dhe i një figure publike që përfaqëson shumë familje të ngjashme me timen”, përfundon Bajrami, duke paralajmëruar se historia do t’i gjykojë udhëheqësit që braktisin fëmijët më të brishtë të vendit. /Telegrafi/

Foto: Arta Bajrami/Facebook

The post Arta Bajrami letër të hapur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, iu drejtohet me kërkesa për formimin e institucioneve dhe fëmijët me nevoja të veçanta appeared first on Telegrafi.

Klipi “Levitating” i Dua Lipës tejkalon shifrën e një miliard klikimeve në YouTube – kënga e saj e tretë që kap këtë sukses

Hiti i Dua Lipës, “Levitating”, vazhdon të ngjitet në majat e suksesit, pasi videoja plot energji e këngës ka kaluar tashmë shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Ky është klipi i tretë i artistes me prejardhje kosovare që arrin këtë sukses, pas “New Rules” (2017) dhe “No Lie”.

Videoklipi, i realizuar nga regjisori Warren Fu në bashkëpunim me TikTok-un, e sjell këngëtaren në një portal galaktik që duket si një ashensor retro. E veshur me një fustan blu me shkëlqim dhe grim me xixa në sy – në përputhje me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like” – Dua dhe miqtë e saj vallëzojnë mbi ritmet e hitit.

Në video shfaqet edhe reperi DaBaby, me të cilin Lipa publikoi remiksin e këngës, duke e çuar atë deri në vendin e dytë të Billboard Hot 100 në vitin 2021. Në fund të udhëtimit, grupi zbret nga “ashensori” në një pistë vallëzimi futuriste në hapësirë, të formuar si një unazë që sfidon gravitetin, shkruan Billboard.

“Levitating”, pjesë e albumit Future Nostalgia (2020), u shndërrua në një nga këngët më përfaqësuese të atij viti. Sipas të dhënave të 2025-ës, ky hit është renditur si kënga e nëntë më e madhe e shekullit në Hot 100, duke lënë pas super-suksese si “As It Was” e Harry Styles dhe “Circles” e Post Malone.

Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar për Dua Lipën. Pas fejesës me aktorin Callum Turner dhe publikimit të albumit të vitit 2024, albumi “Radical Optimism”, këngëtarja është distancuar edhe nga DaBaby, pasi ky i fundit bëri deklarata homofobike gjatë festivalit ‘Rolling Loud’ në vitin 2021.

Foto: Gareth Cattermole/Getty Images

“Jam e habitur dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby-t”, shkroi Dua në një reagim publik. “Nuk e njoh më këtë njeri si atë me të cilin kam punuar”, shkroi ajo aso kohe në Instagram.

Ndërkohë, “Levitating” vazhdon të dëgjohet dhe të shënojë rekorde. Nëse ende nuk e keni parë, mund t’i bashkoheni mbi një miliard shikuesve që kanë klikuar videon në YouTube. /Telegrafi/

The post Klipi “Levitating” i Dua Lipës tejkalon shifrën e një miliard klikimeve në YouTube – kënga e saj e tretë që kap këtë sukses appeared first on Telegrafi.

Shegë Beqiri zgjidhet brand ambasadore e GWC Diaspora Prishtina si shembull i lidershipit dhe fuqizimit të grave në Kosovë

Shegë Beqiri është një nga figurat më të shquara të skenës profesionale kosovare, duke mbajtur sot dy pozita kyçe: Drejtoreshë e Administratës në kompaninë Kujtesa dhe Këshilltare në Komunën e Prishtinës. Ajo është gjithashtu nënë e dy fëmijëve dhe së fundmi është zgjedhur brand ambasadore e GWC Diaspora Prishtina, duke dëshmuar ndikimin dhe angazhimin e saj në komunitet.

Me mbi dy dekada përvojë në sektorin e telekomunikacionit, Shega ka ndërtuar një karrierë të spikatur në disa prej kompanive më prestigjioze të industrisë në Kosovë. Përkushtimi, profesionalizmi dhe dëshira për sfida të reja janë shtyllat mbi të cilat ajo ka ndërtuar suksesin e saj.

Si një nënë vetëushqyese dhe profesioniste e suksesshme, Shega arrin të balancojë me kujdes karrierën dhe jetën familjare, duke u bërë shembull i fuqizimit të grave dhe vendimmarrjes me përgjegjësi. Përmes prezencës dhe angazhimit të saj, ajo synon të frymëzojë gratë që të hyjnë në rolet e udhëheqjes dhe të kontribuojnë në zhvillimin e institucioneve dhe të vendit.

Shegë Beqiri është një figurë që dëshmon se lidershipi i vërtetë nuk është vetëm të arrish rezultate, por edhe të krijosh ndikim të qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme.

Roli i saj si brand ambasadore e GWC Diaspora Prishtina i jep mundësinë Shegës të promovojë iniciativa që lidhin diasporën me vendin, të krijojë projekte zhvilluese dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi mes komuniteteve lokale dhe atyre jashtë vendit. Ky rol përforcon imazhin e saj si një udhëheqëse që jo vetëm menaxhon me sukses pozita profesionale, por edhe investon në komunitet dhe në të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/

The post Shegë Beqiri zgjidhet brand ambasadore e GWC Diaspora Prishtina si shembull i lidershipit dhe fuqizimit të grave në Kosovë appeared first on Telegrafi.

“Nuk janë në komunikim të vazhdueshëm”, a ka mbaruar romanca e Katy Perryt me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau?

Romanca midis yllit amerikan të muzikës pop Katy Perry dhe ish-kryeministrit kanadez Justin Trudeau, e cila kohët e fundit tërhoqi vëmendjen e mediave botërore, sipas burimeve të huaja, tashmë ka marrë fund.

Edhe pse u panë për darkë së bashku në Montreal, dhe Trudeau më vonë ndoqi një nga koncertet e saj, entuziazmi fillestar duket se u shua shpejt. Komunikimi midis tyre është dobësuar ndjeshëm në javët e fundit, dhe arsyeja kryesore thuhet se është axhenda e tyre e ngjeshur dhe presioni publik.

“Nuk ka asgjë negative në lidhje me këtë. Ata thjesht nuk janë më në komunikim të vazhdueshëm. Kjo mund të ndryshojë, por tani për tani, kështu është. Është qetësuar situata”, tha burimi.

Sipas burimeve pranë çiftit, ish-kryeministri kanadez nuk ishte i përgatitur për kaq shumë vëmendje të shkaktuar nga marrëdhënia e tyre.

Foto: Backgrid

“Ishte vetëm takimi i parë dhe fotot përfunduan menjëherë në media. Atij nuk i pëlqeu”, zbuloi një burim për Daily Mail. Gjithashtu u shtua se Perry nuk është në humor për një lidhje serioze tani për tani, duke pasur parasysh se ajo ende po rikuperohet nga ndarja me aktorin Orlando Bloom.

“Ajo është e zënë, ai është i zënë. Po ndodhin shumë gjëra dhe ngazëllimi fillestar është zbehur”, tha burimi.

Pavarësisht se shumë veta u habitën nga lidhja e tyre, burimet pohojnë se mes tyre kishte një tërheqje të fortë dhe “lidhje të menjëhershme”. Megjithatë, për momentin – sipas një burimi të brendshëm – ata janë vetëm miq, pa ndonjë dramë apo konflikt të veçantë në sfond.

Si kujtesë, Justin Trudeau u divorcua nga gruaja e tij Sophie Gregoire në vitin 2023 pas 18 vitesh martesë. Ata kanë tre fëmijë. Megjithatë, Katy Perry konfirmoi së fundmi fundin e marrëdhënies së saj afatgjatë me Orlando Bloom, me të cilin ka një vajzë, Daisy. /Telegrafi/

The post “Nuk janë në komunikim të vazhdueshëm”, a ka mbaruar romanca e Katy Perryt me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau? appeared first on Telegrafi.

Donald Trump teston altoparlantët e rinj në Shtëpinë e Bardhë me një ‘playlist’ personale

Presidenti amerikan Donald Trump ka testuar altoparlantët e rinj të vendosur në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, duke shijuar muzikë pranë Rose Garden të rinovuar së fundmi.

Sipas medias britanike, Trump ka zgjedhur të luajë disa nga këngët e tij të preferuara.

Mes tyre himnin patriotik “God Bless the USA” të Lee Greenwood, arien klasike “Nessun Dorma” të interpretuar nga Luciano Pavarotti, si dhe dy balada të famshme – “Are You Lonesome Tonight” nga Elvis Presley dhe “You Are So Beautiful” nga Joe Cocker.

Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, ka zbuluar se presidenti ka kontrolluar muzikën drejtpërdrejt nga Zyra Ovale, përmes iPad-it të tij, ndërkohë që zhvillonte edhe takime pune.

Ky moment i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e stafit dhe vizitorëve, duke i dhënë një atmosferë më të gjallë oborrit të Shtëpisë së Bardhë, i cili prej muajsh ka qenë nën rikonstruksion. /Telegrafi/

🎧Well, what else to do at work? DJ Trump tested the new outdoor speakers at the White House

He played several of his favorite songs near the newly renovated Rose Garden, Daily Mail reports.

The playlist included Lee Greenwood’s God Bless the USA, Nessun dorma performed by… pic.twitter.com/HiJfs9N9nq

— NEXTA (@nexta_tv) August 20, 2025

The post Donald Trump teston altoparlantët e rinj në Shtëpinë e Bardhë me një ‘playlist’ personale appeared first on Telegrafi.

Fifi reagon publikisht ndaj kërcënimeve që po merr nga fansat e Eglit

Këngëtarja e njohur shqiptare, Filloreta Raçi – Fifi dhe finalistja e Big Brother VIP Albania 4, Egli Tako, i kanë prishur prej kohësh raportet mes tyre.

Fifi së fundmi ka reaguar publikisht ndaj një ndjekëseje që i kishte dërguar mesazhe fyese dhe banale në rrjete sociale, në lidhje me partnerin e saj, Eglin.

Në një postim në “Instagram Story”, ajo publikoi screenshot-in e bisedës, ku gjuhës së rëndë të ndjekëses iu përgjigj me ironi, duke e quajtur “klienti i radhës të një kompanie pelenash”.

Foto: Fifi/InstaStory

Ky reagim i artistes vjen vetëm dy ditë pas raportimeve se marrëdhënia e saj me Eglin është krisur, pasi të dy kanë hequr njëri-tjetrin nga Instagrami dhe duket se kanë ndërprerë çdo kontakt.

Me këtë postim, Fifi duket se ka dashur të japë një mesazh të qartë për ndjekësit e saj: pavarësisht çfarë mund të ndodhë në jetën e saj private, ajo nuk do të tolerojë gjuhën e urrejtjes dhe ofendimet në adresën e saj. /Telegrafi/

The post Fifi reagon publikisht ndaj kërcënimeve që po merr nga fansat e Eglit appeared first on Telegrafi.

Dua Lipa: Nuk kam qenë ndonjëherë një person që ëndërron për martesën ose të qenurit nuse, por tani pyes se çfarë do të vesh?

Dua Lipa ka rrëfyer për herë të parë me detaje lidhjen dhe fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, duke pranuar se është “dashuruar marrëzisht” me të.

Në një intervistë të sinqertë për edicionin Global Icons të Harper’s Bazaar U.S., këngëtarja 29-vjeçare, e cila pozoi edhe për një set fotografik mahnitës, u shpreh se është gati të jetë e ndjeshme dhe të lejojë dashurinë në jetën e saj, edhe nëse kjo mund ta lëndojë.

“E dua dashurinë. Është një gjë e bukur dhe frymëzuese. Ti e gjen veten duke u dashuruar marrëzisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjeshmëri është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj”, tha ajo, shkruan DailyMail.

Dua dhe Callum nisën të frekuentoheshin në janar të vitit të kaluar, por e bënë publike lidhjen në qershor. Një vit më pas, çifti e konfirmoi fejesën.

“Kam kaluar shumë kohë duke mbrojtur zemrën time, por tani po e lë pas këtë ndjenjë. Nëse është e shkruar të lëndohem, atëherë le të ndodhë. Duhet thjesht ta lejoj dashurinë”, shtoi artistja.

E pyetur përse ka zgjedhur të flasë kaq hapur për lidhjen e saj, Dua tha: “Jam më e lumtur se kurrë, ndaj më duket padrejtësi të mos flas për këtë. Kur je person publik, çdo gjë personale bëhet edhe më e ndjeshme, por nuk është se nuk dua ta ndaj”.

Këngëtarja, e cila më 22 gusht mbush 30 vjeç, foli për herë të parë publikisht për emocionet e fejesës gjatë një interviste për British Vogue. Ajo pranoi gjithashtu se ka menduar për të ardhmen e saj si nënë.

“Një ditë do të doja të kem fëmijë. Por gjithmonë pyes veten kur është koha e duhur – si do të kombinohej me karrierën time, me turnet, dhe sa kohë do të më duhej të shkëputesha. Është diçka që thjesht do të ndodhë kur të vijë momenti. Unë i dua fëmijët, por e di se rritja e një fëmije është shumë më tepër sesa thjesht dashuria për ta”.

Në fund të vitit të kaluar, mediat raportuan lajmin e propozimit romantik të çiftit, ndërsa Dua është parë shpesh me unazën e saj me diamant.

“Po, jemi të fejuar. Është një ndjenjë e veçantë, ky vendim për të jetuar bashkë gjithë jetën, për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë”, u shpreh këngëtarja.

Lidhur me planet e martesës, ajo tregoi se dëshiron të përfundojë turin e saj muzikor dhe Callum xhirimet e filmave përpara se të organizojnë dasmën.

“Nuk kam qenë ndonjëherë një person që ëndërron për martesën ose për atë se çfarë lloj nuseje do të isha. Por tani, papritur, pyes veten: ‘Po unë çfarë do të vesh?’” – tha ajo me humor.

Dua pranoi se është “e fiksuar” pas unazës së fejesës dhe shtoi: “Është një ndjenjë e bukur të dish që personi me të cilin do të kalosh jetën të njeh aq mirë”.

Historia e dashurisë së tyre nisi në janar 2024, kur u panë së bashku në një festë pas premierës së “Masters of the Air” në Londër. Sipas saj, ata kishin pasur “momente Sliding Doors” – ku ndodheshin në të njëjtin vend pa u njohur – përpara se të prezantoheshin në River Café në Londër.

Një vit më vonë, gjatë një darke në Los Angeles me mikun e saj Mustafa the Poet, ajo u ndesh sërish me Callum. “Mendova: ‘Oh, është ai djali shumë simpatik nga River Café’”. Gjatë bisedës, ata zbuluan se të dy po lexonin në atë kohë romanin Trust të Hernan Diaz.

E pyetur nëse beson se ishin të destinuar të ishin bashkë, Dua u përgjigj: “Një mijë për qind po”.

Para se të bënte publike këtë lidhje, këngëtarja e “Dance the Night” pranoi se i ishte dashur të gjente sërish besimin tek vetja pas disa marrëdhënieve të dështuara.

“Duhet të jesh në gjendje të falësh, të mësosh dhe të rritesh për të vazhduar përpara. Çdo marrëdhënie të mëson diçka për veten – çfarë të lëndon, çfarë pret dhe çfarë je gati të japësh. Kam pasur lidhje të dhimbshme, sidomos në fillim, që më kanë bërë të ndihem e pavlerë, por më është dashur të gjej sërish vetëbesimin tim. Mësohesh të kuptosh kufijtë e tu – gjërat për të cilat nuk mund të bësh kompromis. Dhe kjo është po aq e rëndësishme sa gjetja e personit të duhur”, u shpreh ajo. /Telegrafi/

The post Dua Lipa: Nuk kam qenë ndonjëherë një person që ëndërron për martesën ose të qenurit nuse, por tani pyes se çfarë do të vesh? appeared first on Telegrafi.

Taika Waititi e quan Rita Orën lideren supreme të jetës së tij, teksa e falënderon për festën e veçantë të ditëlindjes së tij të 50-të

Regjisori i njohur hollivudian Taika Waititi ka festuar 50-vjetorin e lindjes në një festë madhështore në Ibiza, ku të pranishëm ishin miq të ngushtë, familjarë dhe personalitete të njohura të botës së artit e muzikës.

Në një postim të gjatë në Instagram, fituesi i Oscar-it ka ndarë disa fotografi nga festa duke falënderuar të gjithë ata që morën pjesë dhe në veçanti bashkëshorten e tij, këngëtaren shqiptare Rita Ora, e cila sipas tij ishte “regjisorja e vërtetë” e surprizës.

“Po, është e vërtetë – heroi, mentori dhe figura juaj hyjnore ka mbushur më në fund 50 vjeç. Jam mirënjohës që isha i rrethuar nga një grup kaq i mrekullueshëm njerëzish, të cilët më bënë të ndihem i veçantë duke ardhur në ditëlindjen time në Ibiza. Një falënderim i madh për Vas J Morgan dhe Michael që u morën me organizimin – nën mbikëqyrjen e lideres supreme të jetës sime dhe gruas absolute të festave, gruas sime, Rita Ora. Ti vërtet e tejkalove veten këtë herë, e dashur”, shkroi ai.

Ai gjithashtu nuk i kurseu komplimentet për Ritën, duke e cilësuar si më të shkëlqyerën e mbrëmjes: “Sigurisht që i zbehe të gjithë me flokët, fytyrën, veshjen dhe sharmin e zakonshëm plot shkëlqim”.

Festa e organizuar në një vilë luksoze përfshinte performanca live, muzikë nga DJ të njohur dhe një surprizë të veçantë nga kushërinjtë e tij të cilët i bënë një haka tradicionale në nder të tij.

“Më bënë dhurata, pije dhe mbi të gjitha më mbushën me DASHURI. Ndihesha i lumtur dhe i rrethuar nga njerëz që dua. Të 50-tat ndihen kaq mirë – ndihem i dashur, i lumtur, i ri… dhe i pashëm. Edhe pse gjuri më dhemb”, tha ai me humor.

Në fund, regjisori paralajmëroi se festa nuk do të ndalet me kaq: “Në stil tipik të një Luani, do të festoj deri në fund të vitit, ndaj nëse e keni ditëlindjen nga tani deri në dhjetor – bëhuni gati të më lini rrugë”.

Taika Waititi dhe Rita Ora janë një nga çiftet më të komentuar në skenën ndërkombëtare. Ata kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në vitin 2022 dhe shpesh ndajnë me fansat momente të përbashkëta plot humor e dashuri. /Telegrafi/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Taika Waititi (@taikawaititi)

The post Taika Waititi e quan Rita Orën lideren supreme të jetës së tij, teksa e falënderon për festën e veçantë të ditëlindjes së tij të 50-të appeared first on Telegrafi.

Olta Gixhari ekspozon format trupore gjatë pushimeve luksoze në brigjet greke

Aktorja dhe opinionistja e njohur shqiptare, Olta Gixhari, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram disa fotografi mahnitëse nga pushimet që po i shijon në bregdetin e mrekullueshëm të Syvotës, në Greqi.

E shoqëruar nga bashkëshorti dhe fëmijët, Olta po kalon disa ditë relaksi dhe qetësie, larg angazhimeve profesionale.

Në fotografitë e publikuara, ajo shfaqet me një bikini elegante me motive lulesh dhe më vonë me një veshje verore të ngjashme në nuanca blu, duke ruajtur një stil të thjeshtë por tepër elegant.

Foto: Olta Gixhari/Instagram

Me një trup të tonifikuar dhe një prezencë që tërheq vëmendjen, Olta ka treguar edhe një herë pse është një nga figurat më të pëlqyera publike.

Pamjet përfshijnë momente të ndryshme — që nga kafen e mëngjesit në ballkonin e hotelit me pamje panoramike, tek relaksimi në jaht, deri te çastet e qeta duke notuar në ujërat kristal të Jonit.

Foto: Olta Gixhari/Instagram

Një tjetër detaj që ra në sy është kapelja prej kashte dhe syzet e mëdha, që kompletonin pamjen e saj plot stil.

Krahas jetës personale, këtë vit Olta ishte e angazhuar profesionalisht si opinioniste në sezonin e tretë të Big Brother VIP Kosova.

Foto: Olta Gixhari/Instagram

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse do të rikthehet në të njëjtin rol për sezonin e katërt, duke lënë hapësirë për spekulime dhe pritshmëri nga fansat e saj. /Telegrafi/

Foto: Olta Gixhari/Instagram

 

Foto: Olta Gixhari/Instagram

 

Foto: Olta Gixhari/Instagram

 

Foto: Olta Gixhari/Instagram

The post Olta Gixhari ekspozon format trupore gjatë pushimeve luksoze në brigjet greke appeared first on Telegrafi.

Michelle Williams bëhet nënë për herë të katërt përmes një nëne surrogate

Aktorja e njohur amerikane Michelle Williams është bërë nënë për herë të katërt, këtë herë me ndihmën e një surrogate. Ky është fëmija i tretë që 44-vjeçarja, e cila disa herë ka qenë e nominuar për çmimin Oscar, ka me bashkëshortin e saj, regjisorin dhe producentin 48-vjeçar Thomas Kail.

Lajmin, Williams e ndau publikisht të hënën gjatë pjesëmarrjes së saj në emisionin Jimmy Kimmel Live, ku intervistën e drejtonte përkohësisht aktorja Tiffany Haddish.

Ylli i serialit të famshëm Dawson’s Creek shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e saj për gruan që i bëri të mundur ardhjen në jetë të vajzës së saj. “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Christine, sepse ky fëmijë nuk erdhi përmes trupit tim. Por mrekullinë e vajzës sonë ia detyrojmë Christine-s. Nëse po na shikon – faleminderit Christine”, u shpreh aktorja, duke lënë të kuptohet se ka sjellë në jetë një vajzë.

Michelle është gjithashtu nënë e Matildës 19-vjeçare, të cilën e ka me aktorin e ndjerë Heath Ledger, që u nda tragjikisht nga jeta në vitin 2008. Me Kail, me të cilin u martua në vitin 2020, ajo ka edhe dy fëmijë të tjerë: djalin Hart, sot 4 vjeç, si dhe një fëmijë të lindur në vitin 2022, emrin e të cilit çifti ende nuk e ka bërë publik. “Faleminderit Christine, sot në shtëpi kam tre fëmijë nën moshën pesë vjeç”, tha Williams me humor.

Foto: Profimedia/EPA

Aktorja foli hapur edhe për sfidat e balancimit mes jetës së nënës dhe karrierës profesionale. “Gjithçka është në rregull dhe nën kontroll. Jam një grua e rritur dhe përpiqem të kuptoj si duket ajo balancë mes punës dhe jetës. Shumë flasin për kujdesin ndaj vetes, por unë pyes – kur? Sepse jam një nënë e zënë. Kam gjithmonë ndjenja faji dhe nuk dua t’ua marr edhe më shumë kohën fëmijëve të mi, por e di që edhe unë duhet të rigjenerohem”, tha ajo.

E pyetur se çfarë i pëlqen të bëjë kur gjen pak kohë për veten, Williams u përgjigj me humor: “Më pëlqen të shkoj në zyrat tona lokale të administratës. U them fëmijëve: ‘Më vjen keq, shpirt, por një ditë edhe ti do të rritesh, do të punosh, do të paguash taksa dhe do të të duhet numri i sigurimit social’”.

Foto: Profimedia/EPA

Ndërkohë që po shijon zgjerimin e familjes, Michelle Williams vazhdon të korrë edhe suksese profesionale. Muajin e ardhshëm ajo do të garojë për çmimin Emmy, në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol kryesor në një seri të limituar”, për interpretimin në serialin e FX-së Dying For Sex. Konkurrentet e saj do të jenë emra të mëdhenj si Cate Blanchett (Disclaimer), Meghann Fahy (Sirens), Rashida Jones (Black Mirror) dhe Cristin Milioti (The Penguin).

Bashkëshorti i saj, Thomas Kail, është i njohur kryesisht për regjinë e mjuzikleve të Lin-Manuel Miranda-s, “In the Heights dhe Hamilton”, të cilat kanë bërë histori në Broadway. Çifti u martua në vitin 2020, kur sollën në jetë edhe djalin e tyre, Hart. /Telegrafi/

The post Michelle Williams bëhet nënë për herë të katërt përmes një nëne surrogate appeared first on Telegrafi.

Dy influencerët e njohur i shpëtojnë për ‘një fije floku’ një aksidenti të tmerrshëm, kur vetura përplaset gjatë kohës që po realizonin një video

Dy influencerë ndihen falënderues që janë gjallë pas një aksidenti ku një SUV u përplas përmes një dritareje pranë tavolinës së tyre në një restorant në Texas.

Influencuesja Nina Santiago postoi pamjet e këtij incidenti pothuajse katastrofik për 227,000 ndjekësit e saj në Instagram të dielën, më 17 gusht. Klipi fillon me Santiago dhe krijuesin e përmbajtjes, Patrick Blackwood, teksa hanin sendviçët e tyre, kur papritmas xhami shpërthen dhe të dy nxitojnë jashtë tavolinës, shkruan revista People.

Në mbishkrimin e videos, Santiago — që poston me emrin @NinaUnrated — ka përfshirë restorantin lokal CuVee’s Culinary Creations në Houston. “E nesërmja nuk është e garantuar”, shkroi influencerja e ushqimit, duke e quajtur përplasjen e SUV-it një “përvojë afër vdekjes”.

😳 Food bloggers narrowly escape car crash in restaurant

Nina Santiago and Patrick Blackwood were filming their latest video at a restaurant in Texas when an SUV crashed into the building. The car shattered the window and almost ran over the couple, who were peacefully enjoying… pic.twitter.com/W3Xs5l5HIx

— NEXTA (@nexta_tv) August 19, 2025

Të hënën, më 18 gusht, Santiago postoi foto të pasojave të aksidentit, duke ndarë një karusel me selfie që tregon lëndimet e saj dhe të Blackwood. Disa nga fotot e tregojnë Santiago-n në spital me prerje të shumta në fytyrë dhe duar, ndërsa në foto të tjera, duket gjak që rrjedh në faqen e Blackwood-it, duke sugjeruar se janë marrë në një ambulancë.

“Jam jashtëzakonisht falënderuese që jam gjallë pasi një SUV përplasi murin prej xhami në @cuveesculinarycreations në Houston, TX, duke thyer gjithçka, ndërsa @iampatrickblackwood dhe unë po regjistronim një episod të shfaqjes sonë të ushqimit”, shkroi Santiago.

Ajo shtoi se xhami doli “nga askund” pikërisht kur ajo po kafshonte një slider salmoni shumë të shijshëm.

“Por ne mbijetuam”, vazhdoi Santiago. “Kjo përvojë më tregoi se kush ka rëndësi me të vërtetë; jeta është shumë e shkurtër për urrejtje ose zemërim. Lëri pas, fal, jeto në të tashmen dhe çmo ata që të rrethojnë — kjo mund të kishte qenë vakti ynë i fundit”.

Restoranti ripostoi videon në Instagram Stories, duke shkruar: “Ishte një fundjavë e çmendur në Cuvée’s. Thjesht falënderojmë Zotin që të gjithë jemi të sigurt!”. Ai gjithashtu u shtua si bashkëpunëtor në postimin origjinal të Santiago-s.

Në një përditësim tjetër në Stories, CuVee’s shtoi: “Asgjë nuk do të na ndalojë që t’i shërbejmë komunitetit tonë me ushqim dhe shërbim të shkëlqyer”. /Telegrafi/

The post Dy influencerët e njohur i shpëtojnë për ‘një fije floku’ një aksidenti të tmerrshëm, kur vetura përplaset gjatë kohës që po realizonin një video appeared first on Telegrafi.

‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’ po vjen me edicionin e katërt – zbulohet line up-i i artistëve pjesëmarrës

Pas tre edicionesh të suksesshme, festivali i shumëpritur i humorit, ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’, rikthehet këtë vit me edicionin e katërt, duke shpalosur programin e plotë të netëve të komedisë që do të mbahen më 31 tetor dhe 1 nëntor 2025 në Stadthalle Dietikon të Cyrihut.

Nata e parë – 31 tetor

Foto: Zurich Shqip Up Comedy Festival/Instagram

Publikun do ta argëtojnë emra të njohur të skenës së humorit: Luan Comedy, Ernest Zymberi, Besart Sllamniku & Edona Reshtaj, si dhe Med Sadrija.

Atmosferën muzikore do ta ndezë TNT Band, ndërsa për moderimin do të kujdesen Adriana Matoshi dhe Ylber Bardhi.

Nata e dytë – 1 nëntor

Foto: Zurich Shqip Up Comedy Festival/Instagram

Skena do t’i përkasë T-Ronimo, Shpend Ahmetit, Valina Muçollit dhe Lulzim Bucollit, duke sjellë një tjetër natë plot humor dhe energji.

Pjesa muzikore do të mbahet nga Edona & Band, me moderim të dyshes Adriana Matoshi dhe Ylber Bardhi.

Organizatorët kanë bërë të ditur se biletat Early Bird do të jenë të disponueshme nga data 25 gusht, duke i dhënë publikut mundësinë të sigurojë vendet e tyre përpara kohe.

Me një kombinim të humorit, muzikës dhe energjisë pozitive, ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’ pritet të mbledhë edhe këtë vit diasporën shqiptare dhe adhuruesit e komedisë në një atmosferë të paharrueshme në zemër të Zvicrës. /Telegrafi/

Foto: Zurich Shqip Up Comedy Festival/Instagram

The post ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’ po vjen me edicionin e katërt – zbulohet line up-i i artistëve pjesëmarrës appeared first on Telegrafi.

Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin e ri me Netsky – kënga publikohet këtë të premte

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka paralajmëruar projektin e saj më të ri muzikor, këtë herë në bashkëpunim me muzikantin e njohur belg, Netsky.

Kënga mban titullin “Light That Leads Me”, dhe ka qenë e prezantuar në disa festivale ndërkombëtare gjatë verës, por tani do të publikohet zyrtarisht për publikun më të premten.

Vetë Bebe ka ndarë lajmin me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, ku ka shfaqur entuziazmin për këtë bashkëpunim.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm drum and bass me të jashtëzakonshmin @netskyofficial. Shpresoj ta pëlqeni po aq sa e dua unë. Del këtë të premte!”, ka shkruar ajo në InstaStory.

Në dëgjimin e parë, “Light That Leads Me” duket të jetë një projekt mjaft premtues për t’u shndërruar në hit, duke qenë se i përket zhanreve electro house dhe drum & bass, ku energjia e stilit të Netsky ndërthuret me vokalin karakteristik të Bebe Rexhës.

Ky bashkëpunim pritet të jetë një tjetër sukses ndërkombëtar në karrierën e artistes shqiptare, e cila vazhdon të mbetet një nga emrat më të spikatur të skenës muzikore botërore. /Telegrafi/

@beberexha🌸🔐🛼🧚🏼‍♀️🤰🏼

♬ Light That Leads Me – Netsky & Bebe Rexha

The post Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin e ri me Netsky – kënga publikohet këtë të premte appeared first on Telegrafi.

Amanda Holden duket në top formë në moshën 54-vjeçare, ndërsa publikon fotografi me bikini nga pushimet luksoze në Korfuz

Dy yjet e “Britain’s Got Talent”, Amanda Holden dhe Alesha Dixon, po kalojnë pushime luksoze në ishullin grek të Korfuzit, së bashku me fëmijët e tyre.

Gjatë pushimeve shkollore, dyshja po shijon diellin dhe detin, duke kaluar kohë të çmuar larg angazhimeve në xhirime.

Amanda, 54 vjeç, u shfaq me një bikini të bardhë minimaliste, duke vënë në pah barkun e tonifikuar ndërsa përfitonte nga rrezet e diellit.

Ajo e kompletoi pamjen me syze të mëdha dielli dhe një shall elegant bardh e zi në kokë.

Në disa foto të tjera, ajo shihej pranë shoqes së saj Alesha, 46 vjeç, teksa relaksoheshin mbi një jaht luksoz. Dyshja u tregua në humor të gëzueshëm, duke kërcyer së bashku gjatë shëtitjes me varkë.

Amanda shkroi në përshkrim: “Jam shumë e lumtur që e kalova këtë kohë me të dhe me familjen e saj të bukur, së bashku me vajzat e mia, për disa ditë me diell në Korfuz”.

Së fundmi, aktorja dhe prezantuesja ka ndarë edhe foto të tjera nga ishulli mahnitës, ku shfaqej me vajzat e saj adoleshente, Lexi (19) dhe Hollie (13). Në një prej tyre, ato pozonin buzë detit në perëndim të diellit, me buzëqeshje të mëdha.

Amanda mbante një fustan të bardhë të hollë veror me dekolte të theksuar, Hollie kishte veshur një minifustan, ndërsa Lexi kishte zgjedhur një set të përputhur dy-pjesësh.

Në një tjetër shkrepje, tre vajzat pozuan në rresht në oborrin e hotelit luksoz ku po qëndrojnë.

Lexi, e cila është pjesë e agjencisë së njohur Storm Model Management që prej moshës 16-vjeçare, po ndjek hapat e nënës së saj në botën e showbiz-it. Ajo bëri debutimin e saj në pasarelë gjatë London Fashion Week vitin e kaluar, duke parakaluar për stilistin Tran Hung.

Amanda madje ka bërë edhe shaka publike për vajzën e saj, kur Lexi u pa duke shkëmbyer puthje me të dashurin. Ajo e ripostoi foton, duke shkruar me humor: “Më pëlqen të di çfarë do të mendojë babi për këtë…”.

Ndërkohë, gjatë javës së kaluar, Amanda mahniti ndjekësit me linjat e saj trupore, teksa pozoi përsëri me një bikini të bardhë dy-pjesësh gjatë një dite me jaht.

Ajo dukej e relaksuar, e kombinuar me syze klasike të zeza dhe një shall me printim paisley. Përveç kësaj, ylli televiziv ndau edhe një foto të ëmbël me bashkëshortin e saj Chris Hughes, i cili duket në formë rinore. /Telegrafi/

The post Amanda Holden duket në top formë në moshën 54-vjeçare, ndërsa publikon fotografi me bikini nga pushimet luksoze në Korfuz appeared first on Telegrafi.

Trajneri Arbër Peci tregon: Femrat duhet të ushtrojnë njëjtë sikurse meshkujt

Në palestër shpesh dëgjohet pyetja: “A duhet të ushtrohen femrat njëjtë si meshkujt?” Përgjigjja është e thjeshtë: po. Trupi i njeriut, pavarësisht gjinisë, i nënshtrohet të njëjtave ligje biologjike dhe shkencore. Forca, ushqimi i balancuar dhe disiplina funksionojnë njësoj për të gjithë.

Mitet që mbajnë peng femrat:

Ka vite që qarkullojnë paragjykime të gabuara për stërvitjen e grave. Një ndër to është se ngritja e peshave i bën ato “shumë muskulore”. Në realitet, femrat kanë nivele më të ulëta të testosteronit dhe nuk mund të ndërtojnë muskuj në përmasa mashkullore. Peshat nuk i deformojnë, por u japin formë, forcë dhe tonifikim. Po ashtu, ideja se femrat duhet të bëjnë vetëm kardio është një tjetër mit që ka frenuar progresin. Kardio ndihmon në shëndetin kardiovaskular, por vetëm stërvitja me pesha krijon ndryshime të qëndrueshme në trup.

Dallimet hormonale nuk janë pengesë:

Është e vërtetë që cikli menstrual, shtatzënia apo ndryshimet hormonale ndikojnë në energji dhe gjendje fizike, por kjo nuk do të thotë se femrat duhet të stërviten ndryshe nga meshkujt. Përkundrazi, përshtatja e ushtrimeve sipas fazave të ciklit i ndihmon ato të përfitojnë edhe më shumë.

Përfitimet konkrete

• Shëndet më i mirë afatgjatë: stërvitja me pesha ul rrezikun e osteoporozës, e cila prek kryesisht femrat.
• Formë trupore e balancuar: muskujt e fortë japin linja estetike dhe energji të re.
• Forcë mendore dhe disiplinë: fitnesi nuk ndërton vetëm trupin, por edhe karakterin.

Stërvitja nuk ka gjini, ka vetëm parime. Një mashkull mund të synojë masë më të madhe muskulore, një femër trup më të tonifikuar, por rruga drejt suksesit është e njëjtë: ngarkesë progresive, ushqim i kujdesshëm dhe mentalitet fitues.

Pyetja nuk është më “a duhet të ushtrohen femrat si meshkujt?”, por a janë të gatshme të thyejnë mitet dhe të tregojnë fuqinë e tyre të vërtetë. /Arbër Peci/

The post Trajneri Arbër Peci tregon: Femrat duhet të ushtrojnë njëjtë sikurse meshkujt appeared first on Telegrafi.

Olta Gixhari mahnit ndjekësit me poza provokuese nga pushimet luksoze

Aktorja e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar, Olta Gixhari, vazhdon të mbetet një ndër emrat më të komentuar në rrjetet sociale.

Së fundmi, ajo po shijon disa ditë pushimi në një destinacion luksoz, prej nga ka ndarë me ndjekësit e saj disa imazhe mjaft tërheqëse.

E veshur me një fustan të shkurtër dhe të ngushtë, Olta ka theksuar linjat e saj trupore, ndërsa dukja e saj provokuese ka marrë vëmendjen jo vetëm të pushuesve në vendin ku ndodhet, por edhe të fansave online.

Foto: Olta Gixhari/Instagram

Postimet e aktores kanë marrë me dhjetëra komente dhe pëlqime, duke dëshmuar edhe një herë popullaritetin e saj të madh në publik.

Foto: Olta Gixhari/Instagram

Olta përndryshe këtë vit ka qenë e angazhuar si analiste në spektaklin shumë të ndjekur, Big Brother VIP Kosova, teksa nuk është bërë ende e ditur nëse do të jetë prapë në sezonin tjetër. /Telegrafi/

Foto: Olta Gixhari/Instagram

The post Olta Gixhari mahnit ndjekësit me poza provokuese nga pushimet luksoze appeared first on Telegrafi.

“Dua t’i heq të gjitha tatuazhet” – Jessie J zbulon se si kanceri e bëri të kuptonte se ‘jeta është shumë e shkurtër’

Këngëtarja britanike Jessie J ka treguar se diagnoza me kancer të gjirit i ka ndryshuar tërësisht perspektivën për jetën, duke e shtyrë të ndjekë ëndrra e projekte që gjithmonë i kishte lënë pezull.

Artistja 37-vjeçare, e cila në qershor iu nënshtrua një mastektomie të plotë pasi mjekët zbuluan sëmundjen në fazë të hershme, është aktualisht në proces rikuperimi, shkruan DailyMail.

Në një video të publikuar në Instagram, ajo rrëfeu disa nga synimet e reja që dëshiron të realizojë: “Dua të shkruaj libra. Të bëj një album për fëmijë. T’i heq të gjitha tatuazhet. Të marr familjen time me pushime. Dua të mësoj të ngas biçikletën. Do të kisha dashur të mësoj edhe një gjuhë të huaj, por e di që s’ka për të ndodhur. Dua gjithashtu të gjej trajtimin e duhur për ADHD dhe OCD”.

Jessie shtoi se përvoja me kancerin i dha shtysën për t’i kthyer këto dëshira në realitet: “Kur kalon nëpër diçka të tillë, njerëzit thonë ‘je ndryshuar’. Por në fakt unë këto mendime i kam pasur gjithmonë. Thjesht kanceri të bën të veprosh, sepse kupton se jeta është e shkurtër. Dhe unë dua t’i bëj tani”.

Pak kohë më parë, këngëtarja ndau edhe momentin e vështirë pas operacionit, kur shpërtheu në lot duke parë plagët e saj.

“Mami po më masazhon gjoksin sepse unë s’mund t’i prek plagët. Fillova të qaja dhe thashë ‘Nuk mund ta besoj që më ka ndodhur mua kjo’. Ajo më tha ‘Do doja të isha unë në vendin tënd’ dhe ne të dyja shpërthyem në lot… jam e lumtur që nuk është ajo,” tregoi Jessie në një intervistë për The Sunday Times.

Mjekët i kishin thënë se falë zbulimit të hershëm nuk do t’i duhej as radioterapi apo kimioterapi, por për shkak të madhësisë së tumorit, iu desh të kryente një mastektomi të plotë.

Edhe pse e pret një ndërhyrje tjetër kirurgjikale për të përmirësuar simetrinë e implantit, Jessie është e vendosur të rikthehet fuqishëm në muzikë. Kënga e saj e re, Believe In Magic, do të publikohet më 29 gusht.

Ajo foli gjithashtu për djalin e saj dyvjeçar, Sky, të cilin e quajti “drita e jetës” gjatë gjithë betejës me sëmundjen.

Në një postim të gjatë në Instagram, Jessie sqaroi se nuk do të lejojë që operacionet apo problemet shëndetësore ta ndalin si nënë dhe artiste: “Mund të pushoj, të kujdesem për djalin dhe të publikoj muzikë të re. Kam 18 vite që lashë pas një label të madh, pikërisht që të mos frikësohem të shkruaj rregullat e mia dhe ta përshtas jetën me shëndetin tim. Një tjetër operacion më pret këtë vit – por unë mund ta përballoj. Po rris një fëmijë të vogël – mund ta bëj. Po sjell muzikë të re – mund ta bëj”.

Jessie shtoi: “Jeta kurrë nuk është e përsosur. Ka ulje-ngritje dhe thjesht duhet të vazhdojmë të jetojmë mes tyre. Kështu jam unë sot – duke jetuar – dhe dua që ju të keni muzikën time. Pranuar?”. /Telegrafi/

The post “Dua t’i heq të gjitha tatuazhet” – Jessie J zbulon se si kanceri e bëri të kuptonte se ‘jeta është shumë e shkurtër’ appeared first on Telegrafi.

Eva Longoria shkëlqen në plazhin e Marbellës, duket senzacionale në bikini në moshën 50 vjeçare

Eva Longoria ka tërhequr sërish vëmendjen këtë javë, teksa është fotografuar duke shijuar diellin në një plazh të Marbellës, qyteti spanjoll ku jeton mes Spanjës dhe Meksikës.

Aktorja e serialit të famshëm Desperate Housewives ishte e shoqëruar nga djali i saj shtatëvjeçar, Santiago, të cilin e ka me bashkëshortin e saj të tretë, biznesmenin meksikan José Bastón, shkruan DailyMail.

Në moshën 50-vjeçare, Longoria tregoi fizikun e saj të tonifikuar në një bikini të zezë me lidhëse, që vinte në pah format e saj dhe këmbët e gjata, ndërsa shëtiste buzë detit. Flokët i mbante të lidhura bisht, duke u freskuar herë pas here me dallgët e detit.

Në momente të tjera, ajo shtonte në veshje një palë pantallona të shkurtra të zeza, ndërsa shihej duke folur në telefon. Pamjen e plotë e plotësonte me një varëse ari, ndërsa grimin e kishte mbajtur minimalist.

Eva ka rrëfyer më parë se ruan linjat falë tre rregullave kryesore: agjërim me ndërprerje, ushqyerje të pastër dhe moderim.

Ajo ndjek metodën e 16:8 fasting, duke konsumuar ushqim vetëm në një dritare tetëorëshe (nga ora 11:00 deri në 19:00).

Dieta e saj bazohet te proteina e dobët (mish pule, peshk, vezë), zarzavatet me gjethe jeshile, yndyrnat e shëndetshme (avokado, vaj ulliri) dhe karbohidratet komplekse (quinoa, oriz integral).

Aktorja shmang karbohidratet e përpunuara, sheqerin dhe ushqimet e skuqura, veçanërisht pas shtatzënisë.

Gjithashtu kujdeset që çdo vakt të përfshijë proteina dhe shpesh shton yndyrna të shëndetshme si avokado, ndërsa për karbohidrate zgjedh drithëra të plota.

Pavarësisht kësaj, Longoria beson në balancë dhe nuk e kufizon veten me dieta strikte. Ajo thekson rëndësinë e hidratimit, ndërsa për snacks zgjedh bajame, kos ose fruta.

Pas suksesit të dokumentarit “Searching for Mexico”, CNN ka lançuar një tjetër seri me Longorian, këtë herë dedikuar kuzhinës franceze, me titull “Searching for France”.

“Franca ka qenë gjithmonë një shtyllë e kuzhinës botërore, dhe jam e lumtur që po vazhdoj këtë udhëtim kulturor e gastronomik me CNN”, tha aktorja për The Hollywood Reporter.

Në një intervistë për Byrdie, Longoria rrëfeu se gjithmonë ka besuar se do të ishte e suksesshme në Hollywood.

“Kur shoh qëndrueshmërinë që kam pasur në këtë industri, më duket e natyrshme. Kam punuar gjithmonë shumë, dhe e dija që do të arrija sukses, sepse jam rritur mes grave të forta, të pavarura e të mençura – nëna, motrat dhe hallat e mia”, tha ajo.

Me një karrierë të gjatë dhe të larmishme, Eva Longoria mbetet një prej figurave më të dashura të ekranit, duke e kombinuar shkëlqimin në skenë me një stil jetese të shëndetshëm dhe të balancuar. /Telegrafi/

The post Eva Longoria shkëlqen në plazhin e Marbellës, duket senzacionale në bikini në moshën 50 vjeçare appeared first on Telegrafi.

Ndahet nga jeta Pippo Baudo, ikona e televizionit italian

Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i njohur për publikun si Pippo Baudo, ka ndërruar jetë sot në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga figurat më të dashura dhe më jetëgjata të televizionit italian, me një karrierë që shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli.

Gjatë jetës së tij profesionale, Baudo ka prezantuar një numër të madh emisionesh që kanë lënë gjurmë në historinë e televizionit, si Settevoci, Canzonissima, Domenica In, Fantastico, Serata d’onore dhe Novecento. Emri i tij lidhet ngushtë me Festivalin e Sanremos, të cilin e ka prezantuar plot 13 herë nga viti 1968 deri në 2008, duke mbajtur kështu rekordin absolut. Në shtatë prej këtyre edicioneve ai ka qenë edhe drejtor artistik.

Përveç televizionit, Pippo Baudo u shfaq edhe në teatër, filma e seriale, kryesisht si vetvetja, si dhe shkroi disa këngë të përdorura në spektakle dhe kinematografi. Daljet e tij në ekran ishin bërë më të rralla vitet e fundit, me paraqitjen e fundit publike në shtator të vitit 2023.

Baudo lindi më 7 qershor 1936 në Militello, Val di Catania. Fillimisht studioi drejtësi në Universitetin e Catanias dhe u diplomua, megjithëse nuk ushtroi kurrë profesionin e avokatit. Pas përvojave të para në teatër dhe si prezantues në skenat lokale, në fund të viteve ’50 ai iu bashkua orkestrës “Moonlight” si pianist e këngëtar. Me këtë grup debutoi në vitin 1959 në emisionin “La Conchiglia d’Oro”, i prezantuar nga Enzo Tortora.

Në fillim të viteve ’60 hyri në RAI, duke u bërë shpejt një prej fytyrave më të njohura të ekranit. Suksesi i madh erdhi me programin Settevoci në vitin 1966, ndërsa dy vite më vonë prezantoi për herë të parë Sanremon. Në vitet që pasuan, Baudo ishte pjesë e shumë projekteve televizive që shënuan epokë, përfshirë Domenica In, Fantastico dhe Un Disco per l’Estate.

Në vitet ’80, me ardhjen e televizioneve private, Baudo u angazhua edhe me Antenna Sicilia dhe Canale 5, ku prezantoi programe muzikore e zbavitëse. Nga 1984 deri më 1986 riktheu në kulm suksesin e Fantastico në Rai 1, duke fituar mbi konkurrencën e Canale 5.

Ndërkohë, prezantimet e tij në Sanremo të viteve 1984, 1985 dhe 1987 shënuan rekorde shikueshmërie, me finalen e vitit 1987 që mblodhi mbi 17 milionë italianë para ekranit.

Pippo Baudo mbetet një figurë ikonike e kulturës italiane, e dashur për publikun për profesionalizmin, karizmën dhe pasionin me të cilin e jetoi televizionin. /Telegrafi/

The post Ndahet nga jeta Pippo Baudo, ikona e televizionit italian appeared first on Telegrafi.

❌