Normal view

“Thellësisht i tronditur”, Rama reagon për sulmin në Berlin: Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë

By: E S
26 July 2026 at 13:52

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi sulmin në paradën e krenarisë në Berlin, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën 16 të tjerë.

Kreu i qeverisë përmes një postimi në “X” shprehet “thellësisht i tronditur” për ngjarjen, duke theksuar se nuk mund të ketë asnjë tolerancë ndaj urrejtjes, dhunës apo ekstremizmit.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shpreh solidaritetin tonë më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman. Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim. Në këto çaste të vështira jam me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë e sa më të shpejtë të gjithë të plagosurve. Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë”, shkruan Rama.

Një i vdekur dhe 16 të plagosur në Marshimin e Krenarisë në Berlin, reagon Merz: Sulm ndaj shoqërisë sonë

By: E S
26 July 2026 at 13:44

Kancelari gjerman ka folur për sulmin, duke thënë se incidenti ishte një “akt i neveritshëm”.

Friedrich Merz shkroi në X: “Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota po festonin në mënyrë paqësore në Ditën e Rrugës Christopher. Ata donin që ne të sillemi me njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë”.

Merz tha se Gjermania ishte “mendjehapur dhe liridashëse” dhe do të “vazhdonte të mbështeste dhe mbronte këto vlera”.

Ai tha se do të kishte një hetim dhe ndjekje penale “me forcë të plotë”, duke shtuar se mendimet e tij ishin me ata që u prekën.

Dëgjuam gjithashtu nga ministri i brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili tha se ishte i tronditur nga “ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që festonin në mënyrë paqësore”.

Tabloidi gjerman Bild raportoi se Dobrindt po kthehet gjithashtu në Berlin sot për të shqyrtuar situatën.

Horoskopi ditor për nesër, e hënë 27 korrik 2026

By: E S
26 July 2026 at 13:36

Dashi

Shume planetë do kenë ndikim te madh sot ne jetën tuaj ne çift. Ata do ju udhëheqin drejt rrugës se duhur dhe gjithçka do shkoje me se miri. Beqaret nuk do mund ta realizojnë dot sot takimin e ëndërruar dhe kjo do i mërzitë paksa. Me financat mundohuni te tregoheni sa me te matur dhe te kujdesshëm ne mënyrë qe te keni para edhe për te nesërmen.

Demi

Nëse kohet e fundit e keni neglizhuar partnerin, mundohuni te rifitoni kohen e humbur gjate kësaj dite. Vetëm ne këtë mënyrë gjerat do ecin mire. Beqaret do kenë takime shume interesante te cilat nuk duhen humbur për asnjë lloj arsyeje. Se çfarë do ndodhe me tej lërjani kohës. Financat nuk do ndikohen aspak pozitivisht nga yjet kështu qe do ju duhet shume pune për te ruajtur qëndrueshmërinë.

Binjaket

Do keni surpriza te njëpasnjëshme gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift dhe kënaqësitë do jene te njëpasnjëshme. Shfrytëzojeni çdo sekonde sikur te ishte e fundit. Beqaret papritur do kenë dashuri me shikim te pare dhe jeta do ju marre një tjetër drejtim. Gjendja financiare do vije dalëngadalë duke u stabilizuar fale edhe masave qe do merrni ju. Bravo për perkujdesin.

Gaforrja

Plutoni do jete planeti me pozitiv sot ne jetën tuaj ne çift. Gjerat kane për te ecur me se miri me personin qe keni ne krah, madje do flisni hapur e do i zgjidhni edhe disa mosmarrëveshje. Beqaret nuk do ndihen ende gati për te filluar një lidhje, kështu qe nuk do i pranojnë as ftesat qe do iu bëhen. Për financat nuk duhet te shqetësoheni aspak sepse do jene te afërmit qe do ju ndihmojnë tej mase.

Luani

Do jeni shume te zënë me pune sot ju te dashuruarit dhe ka rrezik ta lini pas dore partnerin. Duke mos e ditur shkakun ai do filloje te imagjinoje gjera te paqena. Beqaret do jene te gatshëm te pranojnë çdo lloj ftese qe do iu bëhen ne mënyrë qe te ndryshojnë statusin. Ne planin financiar nuk do ketë vështirësi te mëdha, megjithatë mire është qe te shpenzoni me kursim.

Virgjeresha

Dite goxha e qete dhe pa probleme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Beni atë qe do ju duket me e logjikshmja pa menduar se çfarë mund te ndodhe me pas. Beqaret do jene te turpshëm dhe ka rrezik te humbasin mundësi te shkëlqyera. Me financat do i keni punët mire dhe gjendja nuk do ketë aspak vështirësi. Dini si t’i menaxhoni me maturi ato para qe keni.

Peshorja

Dite aspak e kënaqshme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje, Do debatoni me partnerin për gjera te kota dhe nuk do qëndroni asnjë moment te qete. Beqareve do iu jepen vetëm mundësi për aventura kalimtare, asgjë me shume sesa aq. Ne planin financiar gjerat do vijnë duke u rregulluar disi. Do i kuptoni gabimet e kryera dhe do mundoheni te gjeni mënyrën për t’i zgjidhur.

Akrepi

Do jeni gjithë kohës ne humor te mire sot ju te dashuruarit dhe do jeni gati te bëni edhe ndonjë çmenduri te vogël vetëm për te përjetuar kënaqësi. Beqaret do pranojnë ftesa dhe do argëtohen me personat e sapo njohur. Me tej nuk i duhet çfarë mund te ndodhe. Ne planin financiar nuk duhet absolutisht te rrezikoni sepse mund te mbeteni edhe pa asnjë para. Kujdes!

Shigjetari

Te dashuruarit do kalojnë një dite normale dhe pa ndonjë emocione te veçante. Me mire te jeni te qete sesa te përballeni me debate. Beqaret do kenë dashuri me shikim te pare gjate kësaj dite dhe shume gjera do ju ndryshojnë njëherë e mire. Financat do ua mbrojnë gjithë kohës Merkuri. Do mund te kryeni edhe ndonjë transaksion apo investim te rëndësishëm.

Bricjapi

Te dashuruarit do kenë sukses ne dashuri gjate kësaj dite. Do qëndroni edhe me shume pranë partnerit, do flisni gjere e gjate me te dhe do bashkëpunoni fort. Beqaret fatkeqësisht nuk do jene as sot me fat dhe do mbeten vetëm. Gjendja e financave nuk do jete ashtu si e keni pritur, megjithatë nuk duhet as te merrni hua. Kërkoni ndihmën e familjareve për te ndryshuar disi situatën.

Ujori

Dite pasionante dhe e mbushur me çmenduri te vogla kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Çdo çast do ju duket i veçante dhe here pas here do mendoni se jeni ne ëndërr. Beqaret do abuzojnë me joshjen dhe mund te bëjnë gjeste te cilat do ndikojnë për keq. Ne planin financiar duhet te jeni me te organizuar ne mënyrë qe gjendja te ndryshoje sa me shpejt. Ju mundeni!

Peshqit

Dite shume e këndshme kjo e sotmja për te gjithë ata qe janë ne një lidhje. Shume gjera kane për te qene me ndryshe se me pare dhe ju do e shihni gjithçka me optimizëm. Beqaret bëjnë mire t’i marrin gjerat ashtu si t’iu vijnë pa kërkuar asgjë me ngulm. Gjendja e financave do varet nga mënyra sesi ju do shpenzoni dhe sesi do i menaxhoni te ardhurat. Nuk është momenti për te bere çmenduri.

Furnizoi makinën me karburant dhe pagoi me euro false, arrestohet 24 vjeçari në Rrogozhinë

By: E S
26 July 2026 at 13:28

Një pagesë me euro false në një pikë karburanti në Rrogozhinë çoi në arrestimin e një 24-vjeçari ditën e sotme. Gjatë kontrollit, policia i gjeti edhe 10 kartëmonedha të tjera, të dyshuara si të falsifikuara.

I riu dyshohet se kishte furnizuar automjetin me karburant në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj dhe pagesën e kishte bërë me tre kartëmonedha 20-euroshe të dyshuara si të falsifikuara. Denoncimi i bërë nga punonjësit e karburantit vuri në lëvizje policinë, e cila organizoi operacionin e koduar “Përdorimi” dhe bëri të mundur identifikimin e arrestimin e tij.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e 24-vjeçarit u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara si të falsifikuara. Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit.

Njoftimi i plotë i Policisë

” Finalizohet operacioni policor i koduar “Përdorimi”. Blinte produkte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, kapet dhe arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Sekuestrohen 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përdorimi”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale

Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”

Bulevardi i flamingove dhe qeveria e empatisë

26 July 2026 at 13:18

Konspekt nga fjala e kryeministrit

Nga Thoma Gëllçi

Kryeministri doli para grupit parlamentar me një video të prodhuar nga Kinostudio “Rilindja” dhe një dokument që iu shpërnda deputetëve dhe ministrave për lexim në kohën e pushimeve. Pas shfaqjes së filmit, që u ndoq me vëmendje të madhe nga të pranishmit, e mori fjalën kryeministri, i cili deklaroi që në fillim se vërtet në rrugët e Tiranës kishte protesta, por protestuesit nuk kishin dalë kundër qeverisë, edhe pse kërkonin largimin e saj.

Më pas, fjalimi vazhdoi duke sjellë si shembull një kryetar bashkie që kishte rregulluar një rrugë, por që banorët ishin zemëruar, sepse ata kërkonin edhe ujë, drita dhe kanalizime. Sipas këtij kryetari, qytetarët ishin mosmirënjohës. Kryeministri theksoi se qytetarët nuk ishin aspak mosmirënjohës, por ata kishin rritur kërkesat dhe pritshmëritë. Dikur qytetari gëzohej kur i shtrohej rruga.

Sot kërkon edhe që rruga të mos çahet pas shiut të parë. Këtu qëndron, sipas kryeministrit, problemi i madh i Shqipërisë moderne: qytetari nuk kënaqet më aq lehtë.
Më parë populli priste me durim. Sot kërkon përgjigje. Më parë falënderonte për një shkollë. Sot pyet pse mungojnë mësuesit. Më parë shihte spitalin e ri në televizor. Sot shkon në poliklinikë dhe nuk gjen as mjek dhe as ilaçe. Këto nuk janë më halle. Janë pritshmëri evropiane.

Kryeministri pranoi se faktet e qeverisë nuk mjaftojnë më. Qeveria thotë se ekonomia rritet, ndërsa qytetari shikon çmimet. Qeveria thotë se shëndetësia është falas, ndërsa pacienti paguan nën dorë doktorin dhe blen ilaçet që nuk janë në spital. Qeveria thotë se administrata është digjitale, ndërsa fermeri pret tre vjet për një përgjigje me email. Midis dy alternativave, ndryshimit të realitetit dhe shpjegimit të këtij realiteti, që edhe qytetari ta shohë me sytë e qeverisë, sigurisht që alternativa e dytë është më e mira. Ndryshimi i realitetit do të kërkojë kohë, kurse ndryshimi i perceptimit mund të arrihet më lehtë.
Dhe pikërisht këtu lindi zgjidhja e re: empatia.

Mandati i katërt nuk do të premtojë vetëm rrugë, aeroporte, porte dhe kulla. Do të premtojë që, kur administrata të mos të japë përgjigje, të paktën të të kuptojë. Kur të refuzojë, të refuzojë me butësi. Kur të të lërë tre vjet në pritje, në fund të të telefonojë vetë kryeministri dhe të të shpjegojë pse askush tjetër nuk të kishte telefonuar.Kjo i ngarkonte detyre edhe Lepiresit te shpjegonte se administrata nuk i kishte zbatuar porosite e herepashershme te udheheqesit.
Pastaj erdhi klasifikimi i shpendëve.

Flamingot ishin protestuesit e mirë, ata që dolën në shesh, ngritën zërin dhe më pas u kthyen në shtëpi. Sorrat dhe korbat ishin ata që vazhduan të protestonin edhe pasi qeveria kishte vendosur se protesta kishte mbaruar.

Flamingoja kërkon llogari me qytetari. Korbi kërkon dorëheqje. Flamingoja është simbol i demokracisë. Sorra bëhet armike e turizmit. Kështu, me pak ornitologji politike, protesta u nda në shpendë të dobishëm dhe shpendë të rrezikshëm.

Nuk munguan as armiqtë e jashtëm. Kishte iranianë, rusë, serbë, grekë xhelozë për turizmin, profile të rreme, algoritme, lobistë dhe senatorë të largët. Mbeti vetëm të zbulohej nëse edhe flamingot kishin ardhur nga jashtë me financime të dyshimta.

Megjithatë, kryeministri u tregua i drejtë. Ai tha se protesta nuk ishte shpikur nga armiqtë. Armiqtë vetëm e kishin përdorur. Pra, qytetarët kishin dalë vetë, por më pas ishin futur pa e kuptuar në një operacion ndërkombëtar kundër turizmit, stabilitetit dhe rezervimeve të hoteleve.
Në fund u shpall edhe kthesa e madhe politike. Tre mandatet e para kishin ndryshuar Shqipërinë. Mandati i katërt do të ndryshonte mënyrën si qytetarët duhet ta përjetonin Shqipërinë.

Rilindja e parë ndërtoi faktet. Rilindja 2.0 do të ndërtojë ndjenjat.

Qeveria nuk premtoi se do të ndalonte projektet që kundërshtohen, se do të përgjigjej më shpejt, se do të dëgjonte përpara se të vendoste apo se do të jepte më shumë llogari. Premtoi se do t’i shpjegonte të gjitha me empati.
Mesazhi për protestuesit ishte i thjeshtë: “Ju kam dëgjuar. Nuk do të bëj asgjë nga ato që kërkoni, por ju kam dëgjuar.”

Në fund, flamingot duhet të kthehen në lagunë, qytetarët në shtëpi dhe deputetët te dokumenti “Besa”. Duhet t’u shpjegojmë me durim qytetarëve se përse kërkimi i votës së tyre në katër mandatet e para nuk mund të quhej sikur qeveria u kishte dhene besen , dhe pse tani vota që kërkohet do të kërkohet me besë.

Prokurori pa Magjistraturë, Veliaj dhe ironia e një beteje ligjore

26 July 2026 at 13:10

Nga Altin Ketro

Ka raste kur një shkrim duhet ta ndërtosh duke veshur për pak çaste petkun e cinizmit. Jo sepse e përqafon këtë qëndrim, por sepse ndonjëherë vetëm përmes ironisë së ftohtë mund të nxjerrësh në pah një paradoks.

Pa këtë shpjegim, ajo që do të shkruaj më poshtë mund të keqkuptohet. Dikush mund ta lexojë si mbrojtje të prokurorit. Nuk është. Është thjesht një përpjekje për ta çuar një paradoks deri në fund të logjikës së tij. Ndonjëherë vetëm kështu kupton sa absurd mund të bëhet ai.

Ajo që më nxiti të shkruaj ishte një vendim, as mish e as peshk, i dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, pas një padie që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë kundër prokurorit që ndjek çështjen e tij.

Kjo padi nuk ka të bëjë me themelin e akuzave ndaj Veliajt. Nuk është një betejë mbi fajësinë apo pafajësinë e tij. Beteja është nëse prokurori që ka ngritur këto akuza e ka përmbushur apo jo një kërkesë ligjore, konkretisht diplomimin në Shkollën e Magjistraturës.

Deri më sot, nuk kemi asnjë provë që e rrëzon “akuzën” Veliajt ndaj prokurorit. Madje, as Gjykata Administrative nuk arriti ta rrëzojë atë. Por gjykatësi që shqyrtoi padinë gjeti një arsye që, në leximin tim, tingëllon si një arsye pa arsye, duke e konsideruar Veliajn si person “jo i denjë” për ta ngritur këtë padi. Në fakt, gjykatësi nuk e ka formuluar pikërisht kështu, por unë ashtu e kuptova.

Sipas interpretimit që i bëj atij vendimi, një ankim-padi të tillë mund ta kishte bërë, bie fjala, Presidenti Begaj kundër ish-Presidentit Topi, si firmëtar i atij dekret-emërimi. Mund ta kishte bërë Prokurori i Përgjithshëm, Çela, apo kryeprokurori i SPAK-ut, Braho, kundër ish-kryeprokurores Ina Rama, si paraqitëse e atij emërimi. Mund ta kishte bërë KLP-ja apo ILD-ja. Por vetëm Veliaj jo.

Dhe këtu fillon ironia, sepse duket sikur sistemi pranon që një problem mund të ekzistojë, por personi që e ngre atë problem nuk është i duhuri për ta ngritur. Sikur dera e drejtësisë të jetë e hapur, por jo për këdo. As për atë që ndjehet drejtpërdrejt i përndjekur nga prokurori në fjalë.

Me demek, denoncimi i Nesti Angonit, një personazh i rremë, mjafton që prokurori dhe gjykata ta çojnë Veliajn në qeli. Aty interesi qenka i drejtpërdrejtë. Por kur vetë Veliaj kërkon të vërë në diskutim ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës nga ai prokuror, gjykata arrin në përfundimin se Veliaj “nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por të tërthortë”. Hajde e gjej logjikën e këtyre standardeve alla-shqiptarçe.

E dini çfarë? Edhe unë jam dakord që prokurori që ngriti akuzat penale ndaj Veliajt të vijojë detyrën e tij. Por jo deri në daljen në pension. Duhet bërë një kompromis. Le të vazhdojë deri sa të përfundojë saga penale ndaj Veliajt në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Dhe kur them në të gjitha shkallët, përfshij edhe Gjykatën e Strasburgut.

Madje, në atë gjykatë, mesa di, përfaqësimi bëhet vetëm nga Avokatura e Shtetit, e cila, si në çdo rast, duhet të mbrojë interesat e shtetit. Pra, edhe pozicionin e një prokurori që sot përballet me një debat mbi ligjshmërinë e emërimit të tij.

Në këtë rast, do të dëshiroja që në vijën e parë të përballjes në Strasburg me Veliajn të ishte vetë prokurori në fjalë. Jo sepse dikush duhet të shpëtojë nga përgjegjësia, por sepse aty do të ishte vendi ku ai do të mund të provonte gjithçka, përfshi aftësinë profesionale, argumentin juridik dhe legjitimitetin e tij.

Nëse do të arrinte ta fitonte atë betejë, atëherë do i duhej thënë: “Hallall e paç mos-pasjen e Magjistraturës”. Sepse një fitore e tillë do të ishte diploma më e fortë që mund të merrte. Atij do i duhej shtrënguar dora dhe inkurajuar të vijojë punën e tij pa frikë dhe pa asnjë dridhje të dorës.

Nuk është pak të fitosh betejën në gjykatën më të lartë që njeh rendi kushtetues shqiptar. “Është Magjistraturë e shkuar Magjistraturës, or Tunxh”, do thoshte sot Dhaskal Todri.

150 vullnetarë për pastrimin e bregdetit në Porto Palermo, Rama: Shembull i bukur i kujdesit për mjedisin

By: E S
26 July 2026 at 13:00

Në Porto Palermo është mbajtur për të katërtin vit rradhazi iniciativa “Preserving Our Sea” që bashkoi rreth 150 vullnetarë, zhytës profesionistë, partnerë dhe komunitetin lokal për pastrimin e bregdetit.

Kjo nismë u mbajt në kuadër të të edicionit të 6-të të Porto Palermo Festival, dhe u vlerësua edhe nga kryeministri Edi Rama si një shembull i bukur i kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore

“Porto Palermo, ku për të katërtin vit radhazi iniciativa “Preserving Our Sea” bashkoi qindra vullnetarë, zhytës profesionistë dhe komunitetin lokal për pastrimin e bregdetit, Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të Porto Palermos, duke dhënë një shembull të bukur të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë tonë natyrore” shkroi Rama në rrjete sociale këtë të dielë.

Nisma është pjesë e një projekti kundër plastikës nga GIZ Albania dhe synon jo vetëm të pakësojë ndotjet plastike në brigjet e Shqipërisë por edhe të promovojë një turizëm të qëndrueshëm.

Qëlloi me armë zjarri duke kërcënuar disa persona, arrestohet 38-vjeçari në Dibër

By: E S
26 July 2026 at 12:52

Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës pasi qëlloi me armë zjarri duke kanosur disa persona. “Blutë” bëjnë me dije se ka nisur procedimi penal për 8 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi, si dhe për një 44-vjeçar, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Dibër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 24.07.2026, në bulevardin “Elez Isufi”, arrestuan në flagrancë shtetasin: F. I., 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, Dibër. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K. I., 19 vjeç, banues në Pollozhan, Dibër”, thuhet në njoftim.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi F. I., në bashkëpunim me shtetasin K. I., ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur shtetasit M. H., 52 vjeç, L. H., 21 vjeç, O. H., 25 vjeç, R. H., 21 vjeç, J. Sh., 18 vjeç dhe K. D., 18 vjeç, banues në Peshkopi dhe Pollozhan. Për këta shtetas, si dhe për shtetasit K. C., 70 vjeç dhe R. C., 42 vjeç, banues në Pollozhan, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi, megjithëse kanë pasur dijeni për ngjarjen, nuk e kanë kallëzuar atë pranë organeve të Policisë. Gjithashtu, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë edhe për shtetasin G. I., 44 vjeç, banues në Pollozhan, pasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, vijon njoftimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Gazmend Bardhi akuzon Ramën për “Paketën e Maleve”: As Diella e tij nuk e beson më

By: E S
26 July 2026 at 12:44

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me debatet për “Paketën e Maleve”, duke e akuzuar për mashtrim dhe propagandë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi pretendon se platforma e-Albania kundërshton deklaratat e Ramës se shtetasit e huaj nuk mund të përfshihen në këtë paketë. Sipas tij, një aplikim në e-Albania tregon se ekziston mundësia për të aplikuar edhe si “shtetas i huaj”, duke rrëzuar, sipas tij, pretendimin e kryeministrit.

Bardhi ka publikuar gjithashtu një video ku përfshin edhe një dialog me ChatGPT, duke akuzuar Ramën se po e përdor inteligjencën artificiale si mjet propagande për të mbështetur ligjin.

Një administratë me dhembshuri për qytetarin, mision i (pa)mundur?

26 July 2026 at 12:29

Nga Fatos Çoçoli

Në adresimin ndaj grupit parlamentar socialist dy ditë më parë, kryeministri, ndërsa paraqiti një strategji me emrin “Besa”, për kthesën që, sipas tij, duhet të marrë qeverisja, si dhe një aneks(ose plan veprimi) për Partinë Socialiste, që kjo parti ta mbështesë këtë kthesë, foli për empatinë(dhembshurinë) që administrata shtetërore duhet të tregojë ndaj qytetarit, sa herë ai i drejtohet asaj.

Po sa e përgatitur është administrata jonë të tregohet e dhembshur me qytetarët që i drejtohen per një shërbim apo informacion? Mund të duket si paradë mirësjelljeje, por dhembshuria është themelore në perceptimin e qytetarit për një shtet që kujdeset për ty, dhe nuk do vetëm të të rrjepë.

Administrata publike është vetë Shteti

Administrata publike është pika e parë e kontaktit mes shtetit dhe qytetarit. Për shumicën e njerëzve, shteti nuk identifikohet me Kushtetutën, Parlamentin apo qeverinë, por me sportelin ku kërkojnë informacion, zyrën ku kërkojnë një leje, institucionin ku presin një përgjigje ose inspektorin tatimor që u troket në derë. Pikërisht aty matet cilësia e qeverisjes.

Në teori, administrata ekziston për t’i shërbyer qytetarit. Në praktikë, administrata jonë shtetërore sillet sikur është qytetari ai që duhet t’i shërbejë administratës.

Procedurat e ndërlikuara, pritjet e gjata, mungesa e informacionit të qartë, burokracia dhe komunikimi i ftohtë, në plot raste gati fodull, vazhdojnë të jenë ankesa të zakonshme të qytetarëve tanë. Shto paratë nën dorë që qytetari detyrohet t’i japë, për të mposhtur këtë ftohtësi që e interpreton (dhe ka të drejtë në 95 përqind të rasteve) si lojë e nëpunësit të administratës që ka përballë, duke bërë të vështirin, për të marrë bakshishin e majmë, sipas hallit dhe urgjencës që qytetari ka.

Nga kjo batërdi, vijnë shprehjet e qytetarit, me plot të drejtë: “Ky është shtet hajnash”, “Agjencia Shtetërore e Kadastrës është një bandë e organizuar për të të marrë “kafen”(nënkupto paratë bakshish)!”, të thëna me dhjetra mijëra herë. Edhe pse shërbimet e ASHK-së dhe shumicës dërrmuese të institucioneve të Shtetit që i shërbejnë qytetarit janë online!

Një administratë indiferente, fodulle dhe, në një pjesë jo të vogël, rrjepëse abuzivisht ndaj qytetarit, është burimi kryesor i indinjatës dhe revoltës qytetare, të shprehur aq me paqësi e dinjitet nga protesta 57 ditore në 10 ditët e para të saj.
Prandaj dhe kryeministri kërkon besën, për të ndërtuar një administratë shtetërore me dhembshuri për qytetarin.

Dhembshuria nuk është dobësi
Kur flitet për dhembshuri në administratë, nuk nënkuptohet “dobësi” e administratorit që e ka zemrën “e dobët” dhe ndihmon këdo që i drejtohet, si të ishte “Babë Terezi”. Nuk ndënkuptohet as favorizim, shkelje e ligjit apo trajtim i pabarabartë. Përkundrazi, bëhet fjalë për një kulturë shërbimi, ku qytetari trajtohet me respekt, dinjitet dhe mirëkuptim.

Një administratë me dhembshuri është ajo që dëgjon qytetarin, përpara se ta gjykojë, që ia shpjegon procedurat me durim dhe në mënyrë të qartë; që kërkon zgjidhje për hallin ose kërkesën e qytetarit, brenda kufijve të ligjit, pa i sjellë atij pengesa të panevojshme. Është një administratë që komunikon me edukatë dhe profesionalizëm, dhe jo të shtiret se po sillet kështu(qytetari e kupton menjëherë shtirjen).
Është një administratë që e konsideron kohën e qytetarit, po aq të vlefshme sa edhe të sajën.

Administrata publike nuk është pronare e Shtetit, por administruese e tij, në emër të qytetarëve. Një nga problemet më të mëdha të administratës tonë sot është prirja për ta kthyer procedurën në qëllim më vete. Shpesh qytetarët përballen me kërkesa të tepërta për dokumente, interpretime të ndryshme të të njëjtit ligj ose përgjigje standarde që nuk marrin parasysh situatën konkrete të tyre.
Kur burokracia fiton përparësi ndaj logjikës së shërbimit, qytetari humbet besimin. Ai fillon ta shohë administratën si një mur, përballë të cilit duhet të luftojë dhe të provojë ta kalojë, duke i dhënë bakshishe të majme, dhe jo si një partner që duhet ta ndihmojë.

Transformimi dixhital nuk mjafton
Digjitalizimi ka sjellë përmirësime të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve publike. Platforma elektronike e-Albania, aplikimet online dhe automatizimi kanë ulur kohën dhe kontaktin fizik me institucionet.

Megjithatë, teknologjia nuk mund të zëvendësojë kulturën institucionale. Një sistem elektronik mund të jetë efikas, por nëse pas tij qëndron një administratë që nuk përgjigjet, nuk komunikon dhe nuk merr përgjegjësi, qytetari vazhdon të ndihet i braktisur.

Administrata moderne nuk ndërtohet vetëm me programe kompjuterike. Ajo ndërtohet me njerëz që e kuptojnë se shërbimi publik është një përgjegjësi ndaj komunitetit. Që kur e shkelin profesionalizmin dhe etikën me qytetarin që i shërbejnë apo që komunikojnë, duhet të jenë të qartë që ka sanksione shumë të rrepta. Nga një ndalim rroge një apo dymujore, në largim nga puna, në rast përsëritjeje.
Pa sanksione reale, sprova për dhembshuri rrezikon të katandiset në një farsë.

Dhembshuria (empatia) si aftësi profesionale
Në shumë vende të Bashkimit Evropian, trajnimet për administratën nuk kufizohen vetëm tek njohja e ligjeve. Punonjësit trajnohen edhe për komunikimin me publikun, menaxhimin e konflikteve, etikën profesionale dhe ndjeshmërinë ndaj kategorive vulnerabël.
Një qytetar i moshuar, një person me aftësi të kufizuara, një sipërmarrës që rrezikon të humbasë një investim, për shkak të vonesave administrative, apo një familje që pret një ndihmë sociale nuk kanë nevojë vetëm për një përgjigje ligjore. Ata kanë nevojë edhe për një administratë që i dëgjon dhe i orienton me korrektësi.
Kjo nuk cenon paanshmërinë e shtetit; përkundrazi, e forcon atë.

Besimi te institucionet nuk krijohet vetëm nga reformat e mëdha apo ndryshimet ligjore. Ai ndërtohet përmes mijëra kontakteve të përditshme mes qytetarit dhe administrates shtetërore.

Një përgjigje në kohë, një telefonatë e kthyer, një sqarim i qartë ose një sjellje e respektueshme mund të ndikojnë më shumë në perceptimin e qytetarëve sesa një fushatë e kushtueshme promovuese.
Po kështu, arroganca, indiferenca ose mungesa e përgjegjshmërisë mund të shkatërrojnë besimin, shumë më shpejt sesa mund ta rindërtojë.

A është empatia një mision i mundur?
Po, por vetëm nëse administrata publike e sheh qytetarin si arsyen e ekzistencës së saj, dhe jo si një barrë. Kjo kërkon më shumë sesa reforma organizative. Kërkon ndryshim kulture, udhëheqje institucionale, standarde të qarta të shërbimit, përgjegjshmëri dhe vlerësim të punonjësve, jo vetëm për korrektësinë ligjore, por edhe për cilësinë e komunikimit me publikun.

Kërkon dorë të hekurt, ndaj rasteve të provuara të abuzimeve të nëpunësve të administratës ndaj qytetarëve. Kërkon përgjigje të qytetarit ndaj çdo ankese të tij, nga një strukturë e dedikuar. Jo pergjigjet standard, të ftohta dhe formale të Bashkëqeverisjes. Kërkon përgjigje nga “agjentët” e dhembshurisë, kontrollorë të zgjedhur mirë të të etikës profesionale, që duhet të funksionojnë në çdo institucion publik me kontakte të shumta me qytetarin.
Një administratë me dhembshuri nuk është ajo që bën përjashtime nga ligji. Është ajo që e zbaton ligjin me profesionalizëm, transparencë dhe respekt për njeriun.

Euro do ndryshojë dizajn! BQE publikon modelet e reja të kartëmonedhave, qytetarët ftohen të votojnë

By: E S
26 July 2026 at 11:52

Pasi Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro është hapur konsultimi publik, ku qytetarët në të gjithë Evropën do të japin mendimet e tyre deri më 21 shtator 2026.

Propozimet e përzgjedhura janë rezultat i një konkursi dizajni në nivel të Bashkimit Evropian, ku u paraqitën më shumë se 1,200 aplikime nga dizajnerë grafikë. Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të ruajnë vlerën e tyre dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re. Ky do të jetë ridizajnimi i parë i plotë i kartëmonedhave euro që prej futjes së tyre në qarkullim në vitin 2002.

Ndër propozimet e përzgjedhura përfshihen figura të njohura historike dhe kulturore, si Maria Sklodoëska Curie, e vetmja shkencëtare që ka fituar çmimin Nobel si në fizikë ashtu edhe në kimi, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci. Një tjetër seri propozimesh, fokusohet te natyra dhe përfshin figura të shpendëve, mes tyre bituminozin dhe lejlekun e bardhë, sipas BQE-së.

Përmes këtij ndryshimi, Banka Qendrore Evropiane synon gjithashtu të rrisë qëndrueshmërinë e kartëmonedhave dhe të ulë ndikimin e tyre në mjedis. Gjatë kësaj të shtune, është prezantuar ky koleksion në Kosovë, ku Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për përzgjedhjen e dizajnit të ri të serisë së kartëmonedhave euro.

Ai theksoi se kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi euro është valuta zyrtare e vendit.

“Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, rruga jonë drejt integrimit evropian po mbështetet nga reforma të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemit të pagesave dhe avancimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA)”, ka thënë Ismaili.

Pjesëmarrja në konsultimin publik nuk është vetëm një mundësi për të shprehur preferencën për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, por edhe për të forcuar njohuritë dhe edukimin financiar.

Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në konsultimin publik të BQE-së mund ta bëjnë këtë përmes një linku të publikuar.

Ura, mes historisë dhe Kohës së Mbretit

By: E S
26 July 2026 at 11:35

Nga Auron Tare

Tashmë nuk ka mbetur asnjë dyshim se çfarë ka ndodhur në Kanionin e Langaricës. Nuk ishte një investim turistik, siç u quajt nëpër konferenca shtypi e kronika Televizioni. Ishte një krim. Një krim kundër natyrës dhe, njëkohësisht, kundër kulturës.

Në emër të zhvillimit u urbanizua një nga oazet më të rralla të jugut shqiptar. Lumi i Langaricës u shkel nga mjetet e rënda, që nxorën gurët për prita. Hapësirat e gjelbra u mbuluan me beton dhe u pagëzuan “parkingje”. Vaskat e ujërave termale, që natyra i kishte gdhendur me durimin e mijëvjeçarëve, u rindërtuan prej betoni, sikur bukuria e tyre të ishte një faj që duhej korrigjuar.

Gjithçka u bë nën hijen e ligjit famëkeq të vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura. Me një hua prej 2.5 milionë eurosh nga Banka Botërore, Ministria e Turizmit arriti të kryejë atë që pak kush do ta kishte menduar të mundur, ta “përmirësojë” natyrën duke e shkatërruar. Nuk kuptoi, ose nuk deshi të kuptonte, se vizitori nuk udhëton qindra kilometra për të parë betonin shqiptar. Beton gjen kudo. Në Langaricë shkonte për të parë atë që betoni nuk mund ta krijojë kurrë, natyrën.

Por sot nuk dua të ndalem te ky kapitull. Për të kam shkruar edhe më parë.
Sot dua të flas për një krim tjetër, më të heshtur, por jo më pak të rëndë. Një krim që mban vulën e Ministrisë së Kulturës.

Viktima është Ura e Kadiut.
Një urë mesjetare, e ndërtuar me atë zgjuarsi të heshtur që mjeshtrat e dikurshëm e kishin më shumë në duar sesa në diploma. Ajo lidhte luginën e Vjosës me fshatrat e Shqerisë dhe përcillte karvanët drejt tregjeve të Ballkanit. Nuk ishte vetëm një urë. Ishte një copë historie e gdhendur në gur.

Njëra këmbë e saj mbështetej mbi një formacion shkëmbor natyror, të zgjedhur me një intuitë inxhinierike që koha e provoi të pagabueshme. Për shekuj me radhë lumi u fry, dimrat erdhën e ikën, perandori u ngritën e ranë, por ura mbeti në këmbë.
Deri sa erdhi koha e Mbretit tonë.

Askush nuk e di me saktësi se cili institucion mban përgjegjësi për monumentet. Ka drejtori, institute, agjenci e komitete. Vetëm specialistë ka gjithnjë e më pak. Restauratorët e vërtetë janë larguar ose janë larguar me kujdes, duke ua lënë vendin njerëzve që e njohin më mirë procedurën e tenderit sesa historinë e gurit.
Dhe kështu me bekimin institucional, trashëgimia kulturore u bë pronë e kompanive të ndërtimit. Monumenti nuk studiohet me, por fitohet me tender. Historia nuk restaurohet sipas kritereve shkencore por ajo faturohet.
Ndërhyrja në Urën e Kadiut është shembulli më i qartë i kësaj filozofie. Formacioni shkëmbor që mbante urën u prish me eskavator dhe vendin e tij e zuri betoni. Nuk është çështje shijeje, siç mund të mendojë ndonjë burokrat. Është çështje inxhinierike.

Kam pyetur restauratorë dhe inxhinierë të brezit të vjetër. Asnjëri nuk merr përsipër të parashikojë se si do të sillet Ura kur ujërat e dimrit të godasin themelet e reja prej betoni. Si do të bashkëjetojnë gurët shekullorë me një material që nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj strukture? Askush nuk ka një përgjigje të sigurt.
Por puna nuk mbaron këtu.

Mbi urë vazhdojnë ndërhyrje që po fshijnë gjurmët e kohës, sikur koha të ishte një njollë që duhet pastruar. Po zhduken edhe nderhyrjet e mëparshme, te cilat ishin bërë tashmë pjesë e historisë së monumentit. Sepse një monument nuk është vetëm dita kur u ndërtua, është edhe gjithçka që i ka ndodhur gjatë jetës së tij.

Këtu qëndron keqkuptimi ynë më i madh me trashëgiminë. Ne nuk dimë ta ruajmë të vjetrën, dimë vetëm ta zëvendësojmë me një kopje të re.

Dhe kështu, pa zhurmë ne Shqiperine tone te dashur po vendoset një doktrinë e re e restaurimit shqiptar, monumenti duhet të duket sikur sapo ka dalë nga kantieri. Historia duhet të pastrohet bashkë me myshkun. Shekujt duhen fshirë me llaç. Historia duhet rindertuar.
Që nesër, kur vizitori të ndalet para Urës së Kadiut e jo vetëm asaj, duhet të lexojë se ky “Monument u Ndërtua në kohën e Mbretit”.

E rëndë në Pogradec, ra në kontakt me rrymën elektrike humb jetën elektricisti

By: E S
26 July 2026 at 11:26

Një ngjarje e rëndë është regjistruar e sot në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku një elektricist ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Sipas informacioneve paraprake, viktima, A.Beqiri, rreth 60 vjeç, dyshohet se ishte duke ndërhyrë për të riparuar një linjë elektrike që kishte pësuar defekt, kur ka rënë në kontakt me rrymën dhe ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj ngjarjeje. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit.

“Iku për të lypur!”/ Apeli i nënës nga Elbasani: Më ndihmoni të gjej djalin, i zhdukur prej 2 javësh

By: E S
26 July 2026 at 11:19

Nëna e një 12-vjeçari nga Elbasani ka bërë një apel prekës për ndihmë, pasi me djalin e saj Arjanito, ka humbur kontaktet prej gati dy javësh.

Sipas rrëfimit të saj, i mituri është larguar nga banesa në datën 15 korrik. Dy ditë më vonë, më 17 korrik, familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Deri më tani, nëna shprehet se nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e djalit. Nga hetimet paraprake të kryera nga policia dhe bazuar edhe në deklarimin e vëllait të të miturit, dyshohet se Arjanito është larguar për të lypur, një veprim që sipas familjarëve, e ka bërë edhe herë të tjera. Megjithatë, vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.

Burime bëjnë me dije se Policia ka bërë shpalljen në kërkim të 12-vjeçarit dhe vijon punën intensive për lokalizimin dhe gjetjen e tij, duke verifikuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që Arjanito largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Këtë herë, sipas saj, situata është shumë më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt dhe pa asnjë të dhënë konkrete. Sipas dëshmisë së saj, natën kur u largua, 12-vjeçari ndodhej në banesë dhe përfitoi nga momenti kur familjarët ishin në gjumë për t’u larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni. Në përpjekje për të gjetur të birin, nëna thotë se ka marrë disa informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në qytetin e Durrësit. Për këtë arsye, ajo është nisur vetë drejt këtij qyteti, me shpresën se do të arrijë ta gjejë.

Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Arjaniton ose disponojnë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë menjëherë në numrin +355 69 395 4449 ose të njoftojnë strukturat më të afërta të Policisë së Shtetit. Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për gjetjen e 12-vjeçarit dhe rikthimin e tij pranë familjes.

Sulm në Paradën e Berlinit, makina futet mes turmës! Humb jetën një grua, 16 të plagosur

By: E S
26 July 2026 at 11:07

Një grua ka humbur jetën dhe 16 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi një automjet u fut mes turmës gjatë një aktiviteti të Paradës së Krenarisë (Pride) në Berlin, sipas autoriteteve gjermane.

Ngjarja ndodhi pak para orës 22:00 me orën lokale, në parkun Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut, ku ishin mbledhur pjesëmarrës dhe vizitorë të aktivitetit.

Policia ka identifikuar një person të dyshuar, i cili, sipas hetimeve paraprake, ka lidhje me islamizmin. Megjithatë, deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim.

Në kryeqytetin gjerman është ndërmarrë një operacion i gjerë kërkimi. Autoritetet kanë publikuar fotografinë e të dyshuarit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.

Brenda perimetrit të sigurisë është gjetur edhe një automjet i bardhë, i cili dyshohet se është përdorur në sulm. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivet dhe rrethanat e ngjarjes.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “akt të tmerrshëm” dhe premtoi se autoritetet do të zhvillojnë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, reagoi pas incidentit, duke deklaruar se bëhet fjalë për “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur”. Hetimet vijojnë, ndërsa policia mbetet në gatishmëri të lartë në zonën ku ndodhi sulmi.

Zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin, shkak u bë një vajzë

By: E S
26 July 2026 at 10:57

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen e 22-vjeçarit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar, 25 korrik, në Gjorm të Kurbinit.

Sipas burimeve, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes. Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, të lidhura me një vajzë.

Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe 22-vjeçari Veron Pasha fillimisht janë përfshirë në një konflikt fizik, ndërsa më pas është përdorur edhe arma e zjarrit. Si pasojë, i riu ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Aksident i trefishtë në aksin Peqin-Elbasan, lëndohen dy persona

By: E S
26 July 2026 at 10:48

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 09:10 të mëngjesit të kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, në afërsi të fshatit Gjocaj, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime të lehta, por fatmirësisht pa pasoja fatale.

Sipas burimeve nga vendngjarja, në aksident janë përfshirë tri automjete, dy prej të cilave kanë pësuar dëmtime të pjesshme. Përplasja ka ndodhur në një nga rrugët hyrëse që lidhen me aksin e rrugës kombëtare, në zonën rurale pranë qytetit të Peqinit.

Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme, ndërsa gjendja e tyre nuk paraqitet shqetësuese.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë Rrugore mbërritën në vendngjarje, duke bërë të mundur normalizimin në kohë rekord të qarkullimit të automjeteve, pavarësisht fluksit të lartë të mjeteve në këtë aks rrugor.

Ky është aksidenti i tretë që regjistrohet në pak ditë në këtë segment pranë Gjocajt, duke rikthyer në vëmendje nevojën për rritjen e masave të sigurisë rrugore dhe kujdesin maksimal nga drejtuesit e mjeteve.

Prenga përlotet pas humbjes, i kërkon falje shqiptarëve! Joshua feston me flamur kuqezi (VIDEO)

By: E S
26 July 2026 at 10:35

Ishte ndeshja e jetës për Kristian Prengën, por ish-kampioni i botës Anthony Joshua rezultoi ‘kockë e fortë’ për shqiptarin. Në eventin kryesor të mbrëmjes së boksit në Xhedah të Arabisë Saudite Prenga u mposht me nokaut në raundin e dytë nga anglezi edhe pse e nisi shumë mirë raundin e parë.

35-vjeçari shqiptar, përkundër të gjithë pritshmërive, e nisi furishëm përballjen e peshave të rënda. Prenga në raundin e parë e hodhi dy herë në tapet Anthony Joshua-n edhe pse asnjë nga goditjet nuk ishte e pastër. Më pas gjithçka ndryshoi pas instruksioneve që Joshua mori në pushimin e raundit të parë nga ekipi i tij ukrainas.

Në raundin e dytë ishte komplet një histori tjetër. Pas disa goditjeve të forta Prenga mbeti në një cep ku në vijim mori një breshëri grushtesh të pastra, që e hodhën nokaut. Gjyqtari duke parë gjendjen e Prengës mbylli ndeshjen, duke vulosur fitoren e Joshua-s. Për Prengën kjo ishte ndeshja e jetës, pasi do ti hapte rrugën drejt ekselencës së boksit dhe për këtë arsye u pa me lot në sy në fund të duelit. Madje ai i kërkoi edhe falje shqiptarëve që ishin në Xhedah për ta parë nga afër aksionin.

Ndërkohë edhe 36-vjeçarin britanik ishte një ndeshje kritike, pasi për herë të fundit kishte fituar në 2023. Më pas kishte ardhur një humbje dhe ndër të tjera aksidenti i frikshëm në fund të 2025 në Nigeri ku dy shokët e tij humbën jetën, teksa udhëtonin në të njëjtën makinë.

Pas fitores kundër Prengës Joshua u pa i përlotur, ndërsa refuzoi të fliste për ta, duke thënë vetëm se ‘ishin vëllezërit e mij’. Pas shpalljes fitues Joshua tregoi respekt, duke takuar fillimisht Prengën, më pas nënën e shqiptarit dhe të gjithë stafin e tij. Joshua vlerësoi Prengën duke deklaruar se ‘është një djalë shumë i fortë, i shpejtë, por që e pengoi mungesa e eksperiencës’. Për më tepër ai festoi edhe me flamurin shqiptar.

Joshua nuk humbi kohë dhe thumboi një tjetër ish-numër 1 të botës së boksit si Tyson Fury. Dy anglezët, falë fitoreve respektive, siguruan duelin e madh që pritet të zhvillohet në muajin nëntor dhe që pritet me padurim nga admiruesit e boksit. Ndeshja është konsideruar si më fitimprurërsja ndonjëherë pasi të dy boksierët si Joshua ashtu edhe Fury do të marrin nga 100 milionë paund secili.

Situata jashtë kontrollit nga zjarret, më shumë se 300 mijë persona largohen nga Franca dhe Spanja

By: E S
26 July 2026 at 10:26

Franca dhe Spanja nuk po gjejnë qetësi si pasojë e zjarreve të mëdha. Zjarrfikësit po përpiqen të përmbajnë zjarret në jugperëndim të Francës, ndërsa erërat e forta I shtyjnë flakët drejt qytetit të Bordeaux. Zyrtarët flasin për një situatë jashtë kontrollit.

Më shumë se 300,000 njerëz në Francë dhe Spanjë kanë ikur nga zjarret që kanë shpërthyer prej ditësh, pasi erërat dhe temperaturat e larta pengojnë përpjekjet për t’i mbajtur ato nën kontroll.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një ndryshim në kushtet e motit i ka ndihmuar zjarrfikësit jashtë Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pranoi se kishte “kohë të ndërlikuara përpara”. Ndërkohë, autoritetet në València konfirmuan vdekjen e një personi.

Burri, që besohet të jetë rreth të 70-ave, u gjet i vdekur në makinën e tij nga zjarrfikësit ndërsa shuanin një zjarr në përroin Salt de l’Aigua në Manises, sipas raporteve të mediave lokale.

Në Francë, 55,000 të tjerë u urdhëruan të evakuoheshin vonë të shtunën, duke e çuar totalin në rreth 250,000 njerëz në rajonet jugperëndimore të rajoneve Gironde dhe Landes.

Kapiteni i zjarrfikësve Nicolas Braz i tha agjencisë së lajmeve AFP se zjarri kishte krijuar “erërat e veta – të kompletuara me vorbulla”, duke shtuar se ishte “i çrregullt dhe i papërballueshëm”. Pritet të jetë një tjetër “natë e vështirë”, tha ai.

Franca ka mobilizuar ushtrinë e saj për të ndihmuar në reagim dhe përforcime shtesë nga ushtria janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit duke pastruar shkurret dhe duke krijuar zona zjarri.

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të “rindërtojë” dhe qeveria e tij do të “jetë aty për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Era fryu tym drejt qytetit të Bordeaux të shtunën dhe njerëzit raportuan një erë të athët në ajër.

Një turist që iku nga një zjarr i madh që po afrohej pranë Bordeaux me familjen e tij e përshkroi shkallën e flakëve si “të frikshme”.

Spencer Randall i tha BBC-së se familja e tij u evakuua në orët e para të së shtunës në një zonë 100 milje në lindje, por ata “ende mund të nuhasin zjarret nga këtu”. “Është një erë mjaft e fortë që shpërndan flakët, thjesht tmerruese”, tha ai. Macron do të zhvillojë një takim urgjent me ministrat, ndërsa rreth 30 zjarre kanë përfshirë vendin – një situatë që qeveria e quajti krejtësisht të pashembullt.

SHBA ndal sulmet ndaj Iranit, NYT: Trump u tërhoq nga frika se po pakësoheshin raketat Patriot

By: E S
26 July 2026 at 10:18

Për herë të parë pas 13 ditësh bombardimesh të pandërprera, Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit. Pauza, e cila vazhdon prej dy netësh, ka ngritur pikëpyetje nëse Uashingtoni po përpiqet të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.

Sipas New York Times, presidenti Donald Trump ka lënë mënjanë, të paktën për momentin, planet për një ofensivë më të gjerë ushtarake. Gazeta amerikane, duke cituar burime të informuara, shkruan se gjatë një mbledhjeje në Shtëpinë e Bardhë, drejtuesit ushtarakë paralajmëruan se një valë e re sulmesh mund të pakësonte në mënyrë të rrezikshme rezervat amerikane të raketave Patriot dhe municioneve të mbrojtjes ajrore në rajon.

Sipas CNN, edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, kanë shprehur rezerva për një ofensivë të re. Ata kanë paralajmëruar se konflikti mund të zgjerohej në gjithë rajonin dhe se SHBA rrezikon të konsumojë një pjesë të madhe të kapaciteteve të saj ushtarake. Nuk është ende e qartë nëse këto shqetësime bindën Trump të ndalonte përkohësisht sulmet dhe sa do të zgjasë kjo pauzë.

Nga ana tjetër, Teherani nuk e sheh situatën si të qetë. Ushtria iraniane ka paralajmëruar se lufta mund të zgjerohet nëse SHBA dëgjon kërkesat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të vazhduar bombardimet. Sipas zëdhënësit të ushtrisë iraniane, çdo sulm i ri ajror mund ta përhapë konfliktin përtej kufijve aktualë.

Edhe Garda Revolucionare iraniane ka ashpërsuar tonet. Ajo ka paralajmëruar se çdo shtet që mbështet ushtarakisht SHBA-në, përfshirë Britaninë e Madhe apo vende të Gjirit Persik, mund të konsiderohet objektiv legjitim. Po ashtu, Irani pretendon se gjatë javëve të fundit ka vrarë mbi 200 ushtarë amerikanë dhe ka shkatërruar 11 avionë dhe helikopterë ushtarakë amerikanë, pretendime që nuk janë konfirmuar nga SHBA.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se bllokada detare ndaj Iranit mbetet në fuqi. Sipas saj, deri më 25 korrik janë devijuar 12 anije tregtare që tentonin të kalonin bllokadën, dy janë nxjerrë jashtë funksionit pasi nuk iu bindën urdhrave dhe dy të tjera janë kontrolluar nga forcat amerikane.

Në të njëjtën kohë, Irani ka bërë të ditur se nuk ka ndryshime në rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse bisedimet me Omanin për sigurinë detare vazhdojnë. Hormuzi mbetet një nga pikat më të ndjeshme të krizës, pasi përmes tij kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës.

Përveç përballjes SHBA-Iran, tensionet vazhdojnë edhe në territoret palestineze. Agjencia palestineze Wafa raportoi se kolonë izraelitë i vunë flakën një xhamie në ndërtim dhe një banese pranë Nablusit, ndërsa në mure u shkruan slogane kundër arabëve.

Pavarësisht pauzës së përkohshme në bombardimet amerikane, shenjat tregojnë se konflikti është larg përfundimit. Uashingtoni vazhdon të lërë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, por paralajmëron se do të reagojë nëse Irani ndërmerr veprime të reja në Ngushticën e Hormuzit ose kundër aleatëve amerikanë. Nga ana tjetër, Teherani këmbëngul se çdo sulm i ri mund ta zgjerojë luftën në të gjithë rajonin, duke mbajtur Lindjen e Mesme në një gjendje tensioni të lartë.

❌