Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit të Shqiponjave, Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri, është nisur drejt spitalit të Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ai ka mbetur i plagosur gjatë hapjes së zjarrit me policinë, ndërsa pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Korçës është nisur drejt Tiranës.
Në momentin që e kanë shoqëruar në ambulancë, në prani kanë qenë forca të shumta policie pasi në spital ka pasur familjarë të viktimës, raporton Tch.
Siç shihet nga pamjet, një i ri shkon pranë ambulancës dhe tenton t’i afrohet autorit, por është ndaluar nga policia.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur rëndë.
Në një prononcim për mediat nga Spitali i Traumës, Hita e cilësoi këtë një ditë të dhimbshme për Policinë e Shtetit, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe kolegët e efektivit të ndjerë.
“Sot është një ditë e trishtuar për Policinë e Shtetit. Ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi një nga shërbëtorët e saj. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe një tjetër efektiv policie”, u shpreh ai.
“Është një ngjarje që të lë pa fjalë. Nuk do të doja të isha sot para jush në këto rrethana”, shtoi Hita.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Maliq të Shqipërisë, ku një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
Autori i vrasjes së një efektivi polici dhe plagosjes së një tjetri është Violand Braçellari, raporton euronews.al
Nga përplasja me armë humb i jetën policie Enea Mekolli dhe u plagos efektivi tjetër Edison Adri.
Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku bëri me dije se në kuadër të zbatimit të planit të masave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe Komisariatin e Policisë Korçë, kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim dhe janë organizuar për ndërhyrje në zonën ku ai dyshohej se fshihej.
Rreth orës 07:30, forcat e Policisë kanë rrethuar një stan në zonën malore të Lozhanit, ku dyshohej se ndodhej i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Ky i fundit rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe ndaj tij në vitin 2011 ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Gjatë ndërhyrjes, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrave dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve. Si pasojë e sulmit, ka humbur jetën në krye të detyrës inspektor Enea Mekolli 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektor Edison Adri 36 vjeç, të dy pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.
Rama bëri të ditur se gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarit, i cili prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë në zonat malore të Korçës dhe kishte arritur vazhdimisht t’u shpëtonte rrethimeve të forcave të rendit, një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.
Sipas tij, pas hapjes së zjarrit ndaj efektivëve, autori u plagos dhe u arrestua.
“Nder i përjetshëm dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë policit tjetër të plagosur”, shkroi Rama, teksa kërkoi dënimin maksimal për të arrestuarin dhe shprehu mbështetje për Policinë e Shtetit.
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi… — Edi Rama (@ediramaal) June 4, 2026
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, i cili e dënoi ashpër sulmin, duke theksuar se Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.
Ai shprehu ngushëllime për familjen e Enea Mekollit dhe kolegët e tij, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur, Edison Adri.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit, duke theksuar se sakrifica e Enea Mekollit do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. /Telegrafi/
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku humbi jetën një efektiv policie dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni.
Autori, i kërkuari Violand Braçellari, ishte një person me rrezikshmëri shumë të lartë.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ai ndër vite i ka ikur katër herë RENEA-s sepse terreni i vështirë ia ka bërë të mundur. Ka një stan sipër fshatit dhe ky person futej direkt në pyll.
Për të ka pasur një vendim gjyqësor për dënimin me 10 vite burg të Braçellarit për "prodhim dhe shitje narkotikësh".
I dënuar nga Gjykata e Korçës në 2017, dënim i lënë në fuqi edhe nga Apeli e Gjykata e Lartë, shkruan A2.
Ndërkohë, ishte në gjyq edhe për krime ndaj personit, konkretisht për një plagosje.
Violand Braçellari ka qenë një ish-ushtarak dhe prej vitesh në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një grup policor ishte nisur drejt fshatit të thellë malor Bodë, në Lozhan të Maliqit, për kapjen e Braçellarit.
Gjatë momentit të afrimit pranë stanit të madh të qenve, autori ka vërejtur lëvizje të dyshimta dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Nga të shtënat ka mbetur i vrarë në krye të detyrës një efektiv policie, Enea Mekolli, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Pas tragjedisë së ndodhur në Shëngjin, në zonën e Ranës së Hedhun, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova, ka folur gazetarja nga Shqipëria, Ledina Jakimi.
Ajo në emisionin “Ora 7” tha se qytetarë të Lezhës dhe pushues të rastit u përpoqën të shpëtonin të rinjtë sapo morën njoftimin për ngjarjen, duke hyrë në det me mjete lundruese.
“Sapo është dhënë njoftimi, qytetarë të Lezhës, por edhe pushues që ndodheshin në zonë, kanë hyrë me jet ski në det për t’i shpëtuar të rinjtë. Ata arritën t’i nxjerrin nga uji pas kërkimeve, por fatkeqësisht të dy viktimat dolën në breg pa shenja jete”, deklaroi Jakimi.
Ajo në Klan Kosova tha se, megjithëse kushtet e motit ishin të paqëndrueshme dhe në det kishte dallgë të mëdha, nuk kishte pasur asnjë paralajmërim për qytetarët që të mos futeshin në ujë.
“Në breg koha ka qenë e paqëndrueshme dhe ka pasur dallgë të mëdha. Megjithatë, nuk ka pasur njoftim për qytetarët që ndodheshin aty që të mos hynin në det. Në fakt, në atë zonë nuk ka pasur as kullë vrojtimi”, tha ajo.
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku humbi jetën një efektiv policie dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni.
Sipas informacioneve paraprake A2 CNN mëson se autori i ngjarjes është Violand Bracellari, një ish ushtarak dhe prej vitesh në kërkim për ngjarje kriminale.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një grup policor ishte nisur drejt fshatit të thellë malor Bodë në Lozhan të Maliqit, për të kapur një person në kërkim me rrezikshmëri të lartë.
Gjatë momentit të afrimit pranë stanit të madh të qenve, që autori dispononte për të mbajtur larg policinë, ai ka vërejtur lëvizje të dyshimta dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri.
Nga të shtënat ka mbetur i vrarë në krye të detyrës një efektiv policie, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa të mërkurën ishte për vizitë në Kosovë, gjersa u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian varet kryesisht nga përmbushja e detyrimeve dhe reformave nga vetë institucionet e Kosovës.
Gjatë një konference në Prishtinë ai e lavdëroi Kosovën për harmonizimin vullnetar të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Duke folur për procesin e ardhshëm zgjedhor që do të mbahet më 7 qershor, Costa theksoi se gjatë takimeve me liderët politikë në Kosovë ua dha një mesazh të qartë.
“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës. Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme e funksionale”, ka thënë Costa.
Costa theksoi se rruga evropiane e Kosovës kërkon jo vetëm reforma institucionale, por edhe përkushtim ndaj vlerave demokratike që, sipas tij, janë të mishëruara në Kushtetutën e vendit.
Ai vuri në pah rëndësinë e dialogut ndërpartiak, respektimit të të gjitha komuniteteve dhe zbatimit praktik të vlerave evropiane.
Sipas tij, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente kyçe për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Costa tha se procesi i normalizimit është vendimtar për perspektivën evropiane të të dy vendeve.
“Dialogu Beograd–Prishtinë është kritik. Normalizimi është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja palëve, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë”, u shpreh Presidenti i Këshillit Evropian.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së Telegrafit, Jehona Hulaj lidhur me faktin se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2022, por ende nuk ka pasur një hap të qartë institucional për shqyrtimin e tij, Costa tha se çdo proces ka kohën e vet dhe se fokusi aktual duhet të mbetet te zbatimi i reformave.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është orientim strategjik dhe vullnet i qytetarëve.
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë,” ka thënë ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar agjenda evropiane, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat dhe stabiliteti rajonal.
Ajo ka theksuar gjithashtu orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Ky orientim i qartë i qytetarëve tanë është forcë për vendin dhe bazë e sigurt për rrugën tonë evropiane”, ka thënë Haxhiu.
Takim me presidentin e Këshillit Evropian ka pasur edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e falënderoi Costan për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet partneri kryesor zhvillimor i vendit.
Gjatë takimit, Kurti vuri në pah progresin që Kosova ka shënuar në vitet e fundit në fusha të ndryshme, duke theksuar se vendi ka realizuar “progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”.
Ai po ashtu ritheksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që burojnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën evropiane.
“Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftim.
Qeveria rikujtoi se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.
Në përfundim, Qeveria vlerësoi se “me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”. /Telegrafi/
Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura prej orëve të para të 24-orëshit deri në orët e mesditës.
Pas orëve të mesditës mot me alternime kthjellimesh e vranësirash ndërsa pas orëve të pasdites mot kryesisht i kthjellët e vranësira të pakta deri mesatare kalimtare.
Reshjet e shiut parashikohen të jenë prezentë prej orëve të para të 24-orëshit deri në mëngjes me intensitet të ulët deri mesatar kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore në formën e shtrëngatave afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike, ndërsa pjesa tjetër e territorit me intensitet të ulët.
Gjatë ditës reshjet parashikohen me intensitet të ulët hera-herës shtrëngata afatshkurtra përgjatë relieveve malore. Pas orëve të pasdites pritet ndërprerje graduale e reshjeve të shiut në të gjithë territorin.
Era do të fryjë me drejtim juglindje - jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s.
Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin reshje shiu.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11–14°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 21–25°C.
Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–7 m/s. /Telegrafi/
Ditë më parë u bë e ditur se punonjësit e një banke të nivelit të dytë, nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë.
E lidhur me këtë rast, Policia e Shtetit ka dhënë detaje shtesë, duke bërë të ditur se janë ekzekutuar masa sigurie për 11 punonjës në një bankë të nivelit të dytë.
“Ekzekutohen masa sigurie për 11 punonjës në një bankë të nivelit të dytë, të cilët nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë. Shpallet në kërkim 1 punonjëse”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në kuadër të operacionit “Wrong Transaction”, pas një hetimi proaktiv rreth kallëzimeve të 2 shtetasve, kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan këto masa sigurie:
masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;
masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;
masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.
Policia ka bërë të ditur se është shpall në kërkim shtetasja B. N., 25 vjeçe, gjithashtu punonjëse shërbimi, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërkaq po punohet për kapjen e saj.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën respektive, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Ferizaj, ndërkaq lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar.
Rasti ka ndodhur të martën, në ora 12:00.
“Ferizaj / 02.06.2026 – 12:00. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se shtëpia e tij është përfshirë nga zjarri”, thuhet në raport.
Sipas dëshmitarëve dyshohet se një person i dyshuar mashkull kosovar e ka shkaktuar zjarrin, cili është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia thekson se rasti është në procedurë hetimore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të vjedhjes së rëndë. Njëri rast ka ndodhur në Fushë Kosovë dhe rasti tjetër në Podujevë.
Në këto dy raste janë vjedhur materiale të ndryshme sanitare, stoli ari, argjend e armë.
Lexoni të plotë raportin policor:
Fushë Kosovë / 02-03.05.2026-20:44-21:05. Më 02.06.2026 pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kishin vjedhur materiale të ndryshme sanitarie nga depot e dy ankuesve meshkuj kosovarë në vlerë të konsiderueshme. Dy nga të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.
Podujevë/ 06.05.2026-08:00-17:00. Më 02.06.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se person-a të panjohur nga shtëpia e tij i kanë vjedhur një sasi stoli ari dhe argjendi dhe katër armë zjarri (dy pistoleta, një pushkë gjuetie dhe një armë gjysmë-automatike) për të cilat kishte leje përkatëse. Gjatë ekzaminimit të rastit i janë gjetur disa stoli ari të cilat i janë kthyer pronarit. Rasti po vazhdon te trajtohet nga ekipet relevante. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të lëndimit të rëndë trupor.
Rasti ka ndodhur para disa dite në Prishtinë, ndërkaq të martën, më 2 qershor është arrestuar i dyshuari.
“Prishtinë/ 25.05.2026-21:00. Më 02.06.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar”, thuhet në raport.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, nga persona të panjohur.
Rasti ka ndodhur të martën në Prishtinë, në ora 19:21.
“Pas raportimit për disa të shtëna me armë zjarri nga person-a të panjohur, njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 11 gëzhoja të armës-pistoletë kalibër-9mm dhe një gëzhojë kalibër 7.65mm”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve. /Telegrafi/
Presidentja e 6-të e Kosovës, dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një maratonë të jashtëzakonshme tubimesh duke mbledhur mijëra qytetarë në katër qytete të vendit, si Mitrovicë, Istog, Prishtinë e Sllovi të Lipjanit.
Në vendlindjen e saj, Mitrovicën, para të pranishmëve ndër të tjerash ka bërë të ditur se ka marrë garanci se nuk do të luhet me integritetin e Kosovës.
"Si Presidencë kemi arritur të marrim garanci të betonuar se askush nuk do të guxojë t’i prekë kufijtë e Kosovës. Garanci që nuk e kemi pasur nga viti 2008", ka deklaruar Osmani para mitrovicasve.
Tutje, duke sfiduar hapur edhe kundërshtarët e saj politikë lidhur me këtë temë, ajo tha “Prandaj kushdo që mashtron rreth kësaj, le ta marrin guximin që të përballemi në debat. E nga ana ime, edhe me prova se si e kam mbrojtur këtë vend!"
Për këtë vizitë, Osmani ka shkruar edhe në rrjetin e saj social Facebook.
"Mitrovicë, dashni e përjetshme. Qytet i qëndresës dhe i zemrave të mëdha. I njerëzve që nuk dorëzohen kurrë, që e duan vendin e tyre me shpirt dhe që e mbajnë gjallë krenarinë e Kosovës në çdo hap".
Osmani ka vazhduar agjendën e fushatës elektorale në bastionin historik të LDK-së, në Istog, ku ajo dhe kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku janë pritur nga qindra qytetarë.
"Istog, zemra e shpirti i Rugovizmit. Na prini drejt fitores! Një pritje që nuk do ta harrojmë kurrë në jetë! Një motiv për mos t’u ndalur kurrë! Faleminderit Istog!".
Mbrëmja ka rikthyer kandidaten për presidente në kryeqytet, saktësisht në Degën 4, në lagjen Dardania ku ka qenë e stërmbushur me një masë të madhe qytetarësh, të cilët e kanë pritur Osmanin me një energji jashtëzakonisht pozitive dhe entuziazëm.
Ngrohtësinë nga ky takim në Prishtinë, ajo e ka përmbledhur edhe në rrjetin e saj social në Facebook:
"Prishtina e kaltër sonte. Plot energji, plot dashni".
Në përmbyllje të kësaj dite tejet dinamike, Vjosa Osmani ka qëndruar në Sllovi të Lipjanit. Edhe në këtë lokacion, ajo ka zhvilluar një takim të rëndësishëm e të ngrohtë me banorët, duke dëshmuar vendosmërinë për të qenë pranë çdo qytetari në çdo cep të Kosovës deri në momentet e fundit të ditës.
Kjo e mërkurë në Shqipëri do të karakterizohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa në disa zona do të ketë kalime të herëpashershme vranësirash, pa sjellë reshje.
Sipas parashikimeve meteorologjike, orët e paradites do të dominohen nga moti i qëndrueshëm dhe intervalet me diell, ndërsa gjatë pasdites priten vranësira të lehta dhe kalimtare, kryesisht në zonat malore.
Temperaturat e ajrit do të luhaten nga 19 gradë Celsius në vlerat minimale deri në 29 gradë Celsius në maksimum.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa deti parashikohet të jetë i qetë deri pak i trazuar përgjatë vijës bregdetare.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të jetë sot në Kosovë në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
Costa deri tani ka vizituar Bosnjë dhe Hercegovinën, Tiranën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, sot më 3 qershor, presidenti i Këshillit Evropian do të qëndrojë në Prishtinë.
Ai do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, kryeministrin në largim Albin Kurti, si dhe me kryetarët e partive tjera.
Takimi me Haxhiun do të mbahet në ora 11:00, ndërkaq me kryeministrin në detyrë Albin Kurti në ora 11:40.
Costa do t’i takojë edhe kryetarët e partive tjera.
Turneu i tij do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd.
Vizita e presidentit të Këshillit Evropian do të përmbyllet në Mali i Zi, ku presidenti Jakov Milatoviq do të presë liderët rajonalë në një darkë me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së vendit.
Më 5 qershor, Costa do të bashkëkryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet nën temën: “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”. /Telegrafi/
Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Prokurorisë së Shtetit.
Tutje thuhet se pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre. Po ashtu, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës fton qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në vazhdën e takimeve për procesin zgjedhor, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari janë takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, i shoqëruar nga kolonel Florie Hajra nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe nga drejtori i departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës, nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Në këtë takim u diskutua lidhur me planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
Në fund të takimit të dyja palët shprehën përkushtimin e tyre që edhe Prokurori i Shtetit edhe Policia e Kosovës në të gjitha fazat e procesit zgjedhor do të veprojnë në kohë, në parandalimin dhe trajtimin e secilit keqpërdorim të mundshëm. /Telegrafi/