Një re gjigante me tym të dendur të zi mbuloi qiellin mbi Noginsk, qytet rreth 50 kilometra në lindje të Moskës, pas një zjarri që shpërtheu në një terminal nafte gjatë një vale sulmesh me dronë ukrainas në rajonin e gjerë të Moskës.
Pamjet tërhoqën vëmendjen për shkak të perdes masive të tymit, e cila dukej si një re e errët mbi zonën.
Tymi u krijua nga djegia e sasive të mëdha të produkteve të naftës, proces gjatë të cilit lirohen sasi të mëdha bloze dhe grimcash të imëta që mund të mbulojnë qiellin dhe të pengojnë rrezet e diellit.
Ekspertët shpjegojnë se qëndrueshmëria e atmosferës verore ka ndikuar në mbajtjen e tymit mbi zonë.
Për shkak të inversionit të temperaturës, pra një shtrese ajri më të ngrohtë që mban ajrin më të ftohtë pranë tokës, tymi nuk është shpërndarë shpejt në shtresat e larta të atmosferës, por është përhapur horizontalisht dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë mbi rajon.
Zjarri në Noginsk u shkaktua nga rënia e mbetjeve të një droni të rrëzuar, njoftoi guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov. Në incident u plagosën dy persona, ndërsa si masë paraprake u evakuua edhe një maternitet aty pranë.
Sulmet me dronë goditën edhe zona të tjera në Rusi. Në qytetin Kotovsk, në rajonin Tambov, shtatë punëtorë të një magazine të kompanisë Wildberries humbën jetën, ndërsa të paktën 25 persona u plagosën. /Telegrafi/
E ardhmja e modelit legjendar Lancia Delta është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi emri i saj nuk figuron më në planet e ardhshme të kompanisë Stellantis deri në vitin 2030.
Prej vitesh, rikthimi i Deltës ishte konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme për ringjalljen e markës italiane Lancia. Në vitin 2021 ishte paralajmëruar se modeli do të rikthehej si një automjet tërësisht elektrik dhe ishte planifikuar të prezantohej rreth vitit 2028.
Megjithatë, në prezantimin më të fundit të strategjisë së Stellantis për modelet e ardhshme, Lancia Delta nuk përmendet fare, ndërsa në listë shfaqet vetëm modeli i ri Lancia Gamma, i cili pritet të zgjerojë ofertën e markës së bashku me Ypsilon.
Ky zhvillim ka zhgënjyer shumë adhurues të markës, pasi Delta ka një histori të jashtëzakonshme në industrinë e automobilave. Veçanërisht versioni Lancia Delta HF Integrale u bë një legjendë falë sukseseve të shumta në garat e rally-t gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Fillimisht ishte menduar që Delta e re të ishte një model elektrik sportiv, që do të përfaqësonte një epokë të re për Lancia-n. Por ndryshimet strategjike brenda Stellantis dhe fokusimi më i madh te modelet më fitimprurëse kanë ngritur dyshime nëse ky projekt do të realizohet ndonjëherë.
Për momentin, Stellantis nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për anulimin e Deltës, por mungesa e saj në planet afatgjata ka bërë që shumë ekspertë të automjeteve të mendojnë se rikthimi i kësaj ikone mund të jetë shtyrë ose edhe braktisur. /Telegrafi/
Analisti dhe profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka vlerësuar për televizionin N1 se nisja e dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë është “një hap i madh”, por se ai nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë nga ky proces, pasi shumëçka do të varet nga rrethanat.
Sipas tij, ky dialog është gjithashtu “një arritje e madhe parazgjedhore” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan danas.
“Është mjaft befasuese që të organizohet diçka e tillë vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar mbështetje Vuçiqit, i cili më herët është ankuar ashpër se amerikanët po përpiqen të mbështesin një revolucion kundër tij”, ka deklaruar Serwer.
Ai ka thënë se SHBA-ja do të përpiqet ta orientojë Serbinë drejt një perspektive më pro-perëndimore.
Megjithatë, Serwer ka kritikuar faktin që Uashingtoni, sipas tij, mund të jetë i gatshëm të anashkalojë çështje si “rritja e represionit dhe sjellja autokratike e Vuçiçqit”, si dhe veprimet e Beogradit lidhur me sulmin në Banjskë në veri të Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë të Kosovës.
Sipas tij, “Beogradi është shumë i aftë t’u japë amerikanëve vetëm gjysmën e asaj që kërkojnë”. Ai përmendi si shembull vizitën e Vuçiqit në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke e cilësuar atë si një “gjysmë-koncesion”.
Serwer vlerëson se Uashingtoni nuk kërkon nga Ballkani asgjë më shumë sesa stabilitet dhe se SHBA-ja e sheh Beogradin si një aktor që ka kapacitet për të destabilizuar situatën.
“Për këtë arsye, amerikanët janë të gatshëm të anashkalojnë sjelljen e Vuçiqit në politikën e brendshme dhe të përpiqen ta bindin atë për bashkëpunim në çështjet ndërkombëtare, në mënyrë që të pengojnë veprime që mund të destabilizojnë veriun e Kosovës, Republikën Serbe apo edhe Malin e Zi”, ka thënë ai. /Telegrafi/
Një zjarr masiv në qytetin e Drammenit, në jug të Norvegjisë, ka shkatërruar më shumë se 100 banesa dhe ka detyruar qindra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu të premten rreth orës 15:30 në një shtëpi të tipit rresht në Drammen dhe më pas u përhap me shpejtësi në zonën përreth, duke prekur edhe pyjet pranë lagjes.
Zjarrfikësit kanë vijuar përpjekjet për shuarjen e flakëve edhe gjatë së shtunës, ndërsa autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si zjarrin më të madh të këtij lloji në kohët moderne në Norvegji, shkruan ap.
Transmetuesi publik norvegjez NRK raportoi se qindra banorë janë dërguar në qendrat e evakuimit. Deri tani, policia ka bërë të ditur se nuk ka persona të raportuar të zhdukur.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet pritet të nisin pasi situata të stabilizohet plotësisht.
Drammeni ndodhet rreth 34 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit norvegjez, Oslo. /Telegrafi/
Një nga gratë që për vite me radhë ishte pjesë e rrethit të të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein ka folur për herë të parë në detaje për abuzimet që, sipas saj, i ka përjetuar për vite me radhë. Ajo e përshkroi sistemin e manipulimit të Epsteinit si një "kult" nga i cili ishte pothuajse e pamundur të largohej.
Gruaja, e cila foli për BBC-në me pseudonimin Anya për të mbrojtur identitetin e saj, tregoi se vetëm pas vdekjes së Epsteinit në vitin 2019 arriti të largohej nga ajo jetë, e cila, sipas saj, karakterizohej nga kontrolli psikologjik, abuzimi seksual dhe varësia e plotë prej tij.
"Ende po përpiqem ta pranoj faktin se kam qenë e abuzuar për vite me radhë. Nuk isha e lidhur me zinxhirë dhe as e mbyllur në një bodrum. Prangat ishin më pak të dukshme, por ato ekzistonin", tha Anya.
Sipas saj, vetë Epsteini e përshkruante veprimtarinë e tij si një "kult", ndërsa veten si udhëheqës të tij. Ajo pretendon se jetonte me rreth dhjetë gra të tjera të reja në apartamente të financuara prej tij, punonte për të 24 orë në ditë dhe ishte vazhdimisht e ekspozuar ndaj abuzimeve seksuale.
Anya thotë se Epsteini e joshi me premtime për një karrierë të suksesshme si modele. Pasi u largua nga Rusia për të punuar në industrinë e modës dhe bashkëpunoi me shtëpi të njohura mode, ajo u prezantua me Epsteinin si një person me lidhje të shumta në këtë industri. Sot ajo beson se ishte zgjedhur me kujdes si objektiv që në fillim.
"Ishte një kurth i organizuar në mënyrë perfekte", tha ajo, duke shtuar se i gjithë procesi ishte planifikuar për të fituar besimin e saj.
Ajo rrëfen se për muaj të tërë Epsteini e bindte të punonte për pamjen e saj, i premtonte takime me figura të rëndësishme të botës së modës dhe i kërkonte fotografi, përfshirë edhe foto nudo, ndërsa njëkohësisht ia shkatërronte vetëbesimin duke i thënë se nuk ishte mjaftueshëm e mirë.
Sipas saj, sulmi i parë seksual ndodhi gjatë kohës kur Epsteini po vuante një dënim me burg në Florida. Më pas, gra të tjera nga rrethi i tij i thanë se po e ekzagjeronte situatën, gjë që bëri që ajo të dyshonte edhe në perceptimin e saj për atë që kishte ndodhur.
Me kalimin e kohës, ajo u bë plotësisht e varur financiarisht dhe në jetën e përditshme nga Epsteini. Nuk kishte llogari bankare, nuk mund të merrte një banesë me qira dhe ai kontrollonte lëvizjet e saj, kontaktet me njerëzit e tjerë dhe madje edhe qasjen në kujdesin shëndetësor.
Anya pretendon se Epsteini përdorte metoda të ndryshme për t'i mbajtur gratë nën kontroll. Ai i kërcënonte me fotografi dhe video komprometuese, i detyronte t'i shkruanin letra falënderimi dhe i kthente kundër njëra-tjetrës për të mos krijuar besim mes tyre.
Një nga momentet më të rënda, sipas saj, ishte kur ai e bindi t'i hiqte një tatuazh me ndërhyrje kirurgjikale duke prerë lëkurën, në vend të trajtimit me laser, çka i ka lënë plagë të dukshme edhe sot.
Ajo thotë se turpi më i madh për të është fakti se, nën presion, mori pjesë edhe në sjelljen e vajzave të tjera të reja.
"Ai krijoi një ekosistem të tërë abuzimi që i shërbente vetëm atij", tha Anya, duke shtuar se vendosi të flasë publikisht për të ndihmuar gratë e tjera të njohin dhe të largohen nga marrëdhëniet abuzive. /Telegrafi/
Që nga koha kur personi i parë emigroi nga Ballkani – historia ka qenë gjithmonë e njëjtë.
Kur njerëzit nisen drejt botës së jashtme, nga shtëpia marrin me vete ushqime tradicionale.
Në Kroaci, zakonisht bëhet fjalë për proshutë të tymosur, suxhukë dhe produkte të tjera të mishit, ndërsa një fotografi e publikuar sot nga Serbia është bërë një hit absolut në gjithë rajonin.
Në aeroportin e Nishit është fotografuar një grua, e cila e kishte mbushur bagazhin e saj deri në fund – me speca.
Natyrisht, askush në internet nuk ka dyshime se për muaj të tërë do të përgatiten speca të mbushur në Gjermani, Francë, Rusi apo kudo tjetër ku zonja po udhëton.
Fotografia ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi shumë emigrantë nga Ballkani janë identifikuar me këtë traditë: të mos nisesh për në mërgim pa marrë me vete pak shije nga vendlindja. /Telegrafi/
Google ka prezantuar një funksion të ri në platformën e saj të krijimit të videove Google Vids, i cili u mundëson përdoruesve të krijojnë avatarë (figura) me inteligjencë artificiale që duken dhe flasin si ata vetë.
Falë këtij funksioni, përdoruesit nuk kanë më nevojë të regjistrojnë vazhdimisht video me kamerë. Ata mund të krijojnë një version digjital të vetes duke përdorur një fotografi dhe një regjistrim të zërit, ndërsa më pas avatari mund të shfaqet në video duke lexuar tekstet e shkruara nga përdoruesi.
Procesi është relativisht i thjeshtë: përdoruesi hyn në Google Vids, zgjedh opsionin për krijimin e një avatari personal, regjistron fytyrën dhe zërin përmes telefonit ose tabletit dhe më pas mund ta përdorë këtë avatar në projekte të ndryshme video.
Google thotë se avatarët mund të përdoren për prezantime pune, materiale trajnimi, video marketingu apo komunikime të tjera profesionale, duke kursyer kohë dhe duke eliminuar nevojën për studio regjistrimi.
Përveç avatarit personal, Google Vids ofron edhe avatarë të gatshëm me pamje dhe zëra të ndryshëm. Përdoruesit mund të zgjedhin një personazh digjital, të shkruajnë skenarin dhe sistemi krijon videon automatikisht.
Megjithatë, funksioni i avatarëve personalë ka disa kufizime: aktualisht kërkon një llogari të përshtatshme Google Workspace ose plan Google AI, përdoruesi duhet të jetë mbi 18 vjeç dhe në disa rajone mbështetja gjuhësore është ende e kufizuar.
Me këtë hap, Google hyn më fuqishëm në garën e videove të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke synuar të thjeshtojë mënyrën se si kompanitë, krijuesit e përmbajtjes dhe përdoruesit individualë prodhojnë materiale video. /Telegrafi/
Europol ka mbështetur një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti të organizuar kriminal që merrej me prodhimin e amfetaminës në Gjermani dhe Holandë.
Gjatë bastisjeve të koordinuara janë arrestuar disa persona dhe janë çmontuar laboratorë të paligjshëm të drogës.
Hetimi zbuloi se grupi kriminal ishte i specializuar në prodhimin e sasive të mëdha të amfetaminës, duke përdorur laboratorë të fshehtë dhe një rrjet logjistik për shpërndarjen e drogës në vende të ndryshme evropiane.
Autoritetet sekuestruan pajisje për prodhimin e drogës, substanca kimike, drogë të gatshme dhe prova të tjera që lidhen me aktivitetin kriminal.
Operacioni u zhvillua me pjesëmarrjen e autoriteteve të Gjermanisë dhe Holandës, ndërsa Europol ofroi mbështetje analitike dhe koordinuese gjatë gjithë hetimit.
Ekspertët e agjencisë ndihmuan në shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve në terren.
Sipas Europolit, prodhimi i drogërave sintetike mbetet një nga kërcënimet më serioze për sigurinë në Bashkimin Evropian.
Organizatat kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë laboratorë të sofistikuar dhe rrjete ndërkombëtare për prodhimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, duke e bërë bashkëpunimin ndërkombëtar vendimtar në luftën kundër këtij fenomeni. /Telegrafi/
Oligarkët rusë të lidhur me Kremlinin kanë nisur të zhvendosin në mënyrë masive kapitalet e tyre jashtë vendit, në një sinjal që sipas analistëve tregon rritjen e pasigurisë për të ardhmen ekonomike të Rusisë.
Sipas vlerësimeve të publikuara nga burime të ndryshme, biznesmenët e afërt me pushtetin në Moskë po përpiqen të mbrojnë pasuritë e tyre nga rreziqet e mundshme, ndërsa ekonomia ruse po përballet me presion të madh për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, shpenzimeve të larta ushtarake dhe dobësimit të disa sektorëve ekonomikë.
Oligarkët, të cilët për vite me radhë kanë qenë ndër përfituesit kryesorë të sistemit ekonomik rus, dyshohet se kanë frikë nga një valë e re ndërhyrjesh shtetërore, përfshirë marrjen nën kontroll të kompanive private ose transferimin e aseteve drejt strukturave të lidhura me shtetin.
“Kur edhe njerëzit më të afërt me pushtetin fillojnë të shqetësohen, kjo është një shenjë e problemeve të thella”, vlerësojnë kritikët e Kremlinit, shkruan bloomberg.
Megjithatë, autoritetet ruse kanë mohuar vazhdimisht se ekonomia e vendit ndodhet në krizë dhe kanë deklaruar se Rusia ka arritur të përshtatet me sanksionet perëndimore.
Zhvendosja e kapitalit nga biznesmenët më të pasur shihet si një tregues i rëndësishëm i klimës së pasigurisë, ndërsa ekonomia ruse vazhdon të jetë e varur nga shpenzimet shtetërore dhe sektori i mbrojtjes. /Telegrafi/
BMW ka marrë një vendim që dikur do të dukej i pamundur për një model të serisë M: M2 tani është i disponueshëm edhe me sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat (xDrive). Për shumë vite, M2 ishte simbol i veturës sportive me tërheqje vetëm në rrotat e pasme, por kërkesat e klientëve ndryshuan.
Arsyeja kryesore për këtë ndryshim lidhet me kërkesën e blerësve, veçanërisht në tregjet ku kushtet e motit janë më të vështira. Klientët në zona me dimra të ashpër, si disa pjesë të SHBA-së dhe Zvicra, kërkonin një M2 që mund të përdorej gjatë gjithë vitit me më shumë siguri dhe stabilitet.
BMW nuk ka hequr dorë nga karakteri sportiv i modelit. Sistemi M xDrive mund të shpërndajë fuqinë mes boshteve të përparme dhe të pasme sipas nevojës, ndërsa shoferi mund ta çaktivizojë sistemin dhe ta kthejë makinën në një model me tërheqje vetëm në rrotat e pasme.
Motori mbetet i njëjti: një 6-cilindërsh 3.0 litra me dy turbo, me rreth 480 kuaj/fuqi dhe 600 Nm çift rrotullues. Falë xDrive, përshpejtimi nga 0 në 100 km/h përmirësohet në rreth 3.7 sekonda, rreth 0.3 sekonda më shpejt se versioni me tërheqje të pasme.
Megjithatë, versioni me tërheqje në katër rrota vjen vetëm me transmision automatik me 8 shpejtësi, ndërsa adhuruesit e drejtimit tradicional ende mund të zgjedhin M2 me rrota të pasme dhe ndërrues manual të shpejtësive.
Vendimi i BMW-së tregon ndryshimin e epokës së veturave sportive: prodhuesit po përpiqen të ruajnë emocionin e drejtimit, por njëkohësisht t'u ofrojnë klientëve më shumë prakticitet, siguri dhe performancë në çdo kusht moti. /Telegrafi/
Kompania mediatike nën kontrollin e familjes Trump po përgatit një lëvizje të diskutueshme biznesi: shitjen e qasjes së hershme në postimet e presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale.
Ky hap do t'u japë investitorëve të mëdhenj institucionalë një avantazh prej disa milisekondash përpara se postimet që ndikojnë tregjet të bëhen të disponueshme për publikun.
Trump Media & Technology Group (TMTG) ka njoftuar krijimin e të ashtuquajturit "Truth API", një ndërfaqe programimi e projektuar për transmetim ultra të shpejtë të të dhënave mes sistemeve softuerike.
Ky mekanizëm synon drejtpërdrejt fondet e mëdha dhe kompanitë që bëjnë tregtim me frekuencë të lartë në bursë (High-Frequency Trading - HFT), të cilat kërkojnë njoftime të menjëhershme për vendimet dhe deklaratat e presidentit amerikan.
TMTG, që menaxhon platformën Truth Social, ku Donald Trump ka rreth 12.9 milionë ndjekës, e quan këtë projekt një "zgjerim komercial". Drejtori i përkohshëm ekzekutiv Kevin McGurn deklaroi se iniciativa synon të "monetizojë asetet pronësore" të kompanisë.
Kompania konfirmoi se abonentët e këtij shërbimi do t'i marrin postimet disa milisekonda përpara publikimit të tyre. Në botën e tregtimit algoritmik, ku çdo pjesë e sekondës mund të vlejë miliona dollarë, ky avantazh konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Postimet e Trumpit mbi konfliktet gjeopolitike ose kompanitë e listuara në bursë kanë shkaktuar edhe më parë lëvizje të menjëhershme të tregjeve, duke ndryshuar vlerën e aseteve me miliarda dollarë, shkruan nbcnews.
Si shembull për ndikimin e këtyre postimeve, kompania përmend një rast nga marsi i këtij viti, kur në tregun e naftës u regjistruan transaksione me vlerë 500 milionë dollarë vetëm 15 minuta para publikimit të një postimi të Trumpit mbi bisedimet diplomatike me Iranin. Pas publikimit, çmimet e naftës ranë ndjeshëm dhe tregjet përjetuan luhatje të mëdha.
Sipas TMTG-së, shërbimi i ri do të eliminojë "joefikasitetin e tregut", pasi deri tani kompanitë janë detyruar të monitorojnë manualisht postimet e rëndësishme, ndërsa sistemi i ri do t'u ofrojë klientëve me pagesë qasje të menjëhershme dhe të verifikuar.
Lëshimi komercial i këtij shërbimi është planifikuar për gusht, ndërsa TMTG ka bërë të ditur se disa klientë institucionalë tashmë kanë rezervuar shërbimin. Çmimet e abonimit nuk janë bërë publike.
Ky projekt vjen në një kohë kur kompania përballet me vështirësi financiare. TMTG raportoi një humbje neto prej 405 milionë dollarësh në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me 31 milionë dollarë humbje në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu, kompania po shqyrton një riorganizim strukturor përpara një bashkimi të planifikuar me vlerë 6 miliardë dollarë me kompaninë e energjisë së fuzionit TAE Technologies, e mbështetur nga Google. /Telegrafi/
Një raketë balistike iraniane me rreze të ndërmjetme (IRBM) dyshohet se ka goditur zonën e akomodimit të trupave në Bazën Ajrore Muwaffaq Al Salti në Jordani, ku janë të vendosura forca amerikane.
Sipas raportimeve paraprake, goditja ka prekur zonën e strehimit të personelit ushtarak. Strukturat mbrojtëse në këtë bazë janë të projektuara kryesisht për mbrojtje nga copëzat dhe zjarri, por jo për t’i rezistuar një goditjeje të drejtpërdrejtë nga raketat balistike.
Për momentin nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e viktimave apo dëmeve të shkaktuara, por ekziston shqetësimi se sulmi mund të ketë shkaktuar humbje mes trupave amerikane.
Ndërkohë, Irani ka kryer një tjetër sulm ndaj objektivave në rajon, duke goditur për të dytën ditë radhazi një impiant energjie dhe shkripëzimi uji në Kuvajt, ku u raportua për shpërthim zjarri.
Sulmi ndaj impiantit të ujit vjen pasi një objekt i ngjashëm ishte goditur një ditë më parë. Autoritetet vlerësojnë se këto impiante kanë rëndësi kritike për Kuvajtin, pasi vendi siguron rreth 90 për qind të ujit të pijshëm përmes shkripëzimit të ujit të detit.
Sulmet janë pjesë e një fushate më të gjerë iraniane kundër bazave dhe infrastrukturës amerikane në rajon, përfshirë Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt dhe objekte të tjera ushtarake.
Deri tani, autoritetet amerikane dhe ato rajonale nuk kanë publikuar një bilanc zyrtar për pasojat e sulmeve të fundit. /Telegrafi/
Dronët ukrainas kanë goditur qendrën më të madhe të përpunimit të porosive të Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë elektronike në Rusi, në rajonin e Moskës.
Sipas raportimeve, sulmi ka pasur në shënjestër një nga objektet kryesore logjistike të kompanisë, e cila shërben si një pikë qendrore për përpunimin dhe shpërndarjen e miliona porosive në të gjithë Rusinë.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë menjëherë detaje të plota për dëmet e shkaktuara, ndërsa nga pala ukrainase nuk është bërë ende një deklaratë zyrtare për operacionin.
Sulmet me dronë në territorin rus janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, me Ukrainën që ka zgjeruar përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot për të goditur objektiva që ajo i konsideron të lidhura me kapacitetet logjistike, ushtarake dhe ekonomike të Rusisë.
Rajoni i Moskës, përfshirë zonat përreth kryeqytetit rus, është goditur disa herë nga sulme me dronë, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme dhe masa shtesë sigurie.
Wildberries është një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve online në Rusi dhe konsiderohet ekuivalenti rus i platformave ndërkombëtare të tregtisë elektronike. /Telegrafi/
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta, ndërsa qytetet po detyrohen të kërkojnë zgjidhje të reja për t’u përshtatur me valët ekstreme të të nxehtit.
Ekspertët thonë se qytetet duhet të ndjekin shembullin e disa zonave në Arizona të SHBA-së, të cilat prej vitesh janë përballur me temperatura ekstreme dhe kanë zhvilluar mënyra për të mbrojtur banorët nga nxehtësia e madhe.
Ndër masat që po shqyrtohen janë zgjerimi i zonave të gjelbra, mbjellja e më shumë pemëve, përdorimi i materialeve që reflektojnë rrezet e diellit në ndërtesa dhe rrugë, si dhe krijimi i hapësirave publike të freskëta për qytetarët.
Valët e të nxehtit në Evropë kanë sjellë temperatura rekord, duke vënë në alarm shërbimet shëndetësore dhe autoritetet lokale.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto episode më të shpeshta dhe më intensive, shkruan bbc.
Në shumë qytete evropiane, infrastruktura tradicionale urbane po rezulton e papërshtatshme për përballimin e temperaturave gjithnjë e më të larta.
Betonizimi i madh dhe mungesa e hapësirave të gjelbra krijojnë të ashtuquajturin “efektin ishull i nxehtësisë urbane”, ku temperaturat në qytete janë dukshëm më të larta se në zonat përreth.
Ekspertët theksojnë se qytetet duhet të ndryshojnë mënyrën e planifikimit urban dhe të përgatiten për një klimë më të nxehtë, duke e trajtuar mbrojtjen nga temperaturat ekstreme si një çështje të sigurisë publike. /Telegrafi/
Një rakun me pamje të pazakontë në qytetin amerikan Seattle ka tërhequr vëmendjen e mijëra njerëzve në internet. Banorët e kanë quajtur atë “Jimothy”, ndërsa videot e tij duke lëvizur nëpër oborre dhe ballkone janë bërë virale në rrjetet sociale.
Pamja e pazakontë e kafshës ka bërë që shumë njerëz fillimisht ta konsideronin si një krijesë misterioze, por ekspertët dyshojnë se rakuni mund të vuajë nga një gjendje shumë e rrallë e quajtur sindroma e shtyllës kurrizore të shkurtër (Short Spine Syndrome), e cila shkakton shkurtimin e theksuar të shtyllës kurrizore.
Videot tregojnë Jimothy-n duke vrapuar nëpër oborre, duke u ngjitur në shkallë dhe duke kaluar nëpër hapësira të ngushta. Pavarësisht pamjes së tij të veçantë, ai duket se është në gjendje të lëvizë dhe të ushqehet vetë.
Banorët e Seattle-it janë mahnitur nga qëndrueshmëria e kafshës dhe shumë prej tyre kanë kërkuar që ai të lihet i qetë në habitatin e tij natyror. Disa përdorues të rrjeteve sociale e kanë quajtur edhe "maskota e re" e qytetit.
Ekspertët paralajmërojnë se nuk ka ende një diagnozë zyrtare për Jimothy-n, por pamja e tij përputhet me një çrregullim të rrallë gjenetik. Ata këshillojnë qytetarët të mos e shqetësojnë, pasi rakunët janë kafshë që përshtaten mirë me zonat urbane.
Rasti i Jimothy-t ka kthyer një kafshë të pazakontë në një fenomen viral, duke sjellë interes dhe simpati nga njerëz në mbarë botën. /Telegrafi/
GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake dhe zbulohet data e daljes
Video-loja më e shumëpritur e viteve të fundit, Grand Theft Auto VI (GTA 6), pritet të jetë një nga sukseset më të mëdha financiare në historinë e industrisë së video-lojërave. Kompania Rockstar Games dhe shtëpia mëmë Take-Two Interactive presin të ardhura rekord pas publikimit të saj.
Sipas parashikimeve të analistëve, GTA 6 mund të arrijë mbi 5 miliardë dollarë të ardhura që në periudhën e parë pas lëshimit, falë interesimit të jashtëzakonshëm të lojtarëve në mbarë botën. Disa vlerësime sugjerojnë se loja mund të bëhet një nga produktet argëtuese me fitimet më të mëdha ndonjëherë.
Pritet që numri i porosive paraprake të jetë rekord, pasi miliona fansa të serisë GTA kanë pritur për më shumë se një dekadë për vazhdimin e lojës. Rockstar ka konfirmuar se fushata e marketingut dhe hapja e porosive paraprake do të zhvillohen para daljes zyrtare të video-lojës.
GTA VI pritet të dalë më 19 nëntor 2026 për platformat PlayStation 5 dhe Xbox Series X/S. Kompania Take-Two ka konfirmuar se data e publikimit mbetet në fuqi, pas disa shtyrjeve të mëparshme të projektit.
Video-loja do të rikthehet në universin imagjinar të Vice City, me një botë më të madhe dhe më të detajuar se çdo version i mëparshëm. Rockstar premton një përvojë të avancuar teknologjikisht, me grafikë të përmirësuar, histori të re dhe një hapësirë të gjerë eksplorimi.
Ekspertët e industrisë vlerësojnë se GTA 6 mund të vendosë standarde të reja në tregun e lojërave dhe të tejkalojë suksesin e GTA V, i cili është një nga lojërat më të shitura të të gjitha kohërave. /Telegrafi/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se kanë njoftuar Izraelin se do të dërgojnë dhjetëra aeroplanë shtesë cisternë për furnizim me karburant në ajër, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e një fushate të re të madhe bombardimesh ndaj Iranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, të cituar nga Axios, lideri amerikan mund të intensifikojë sulmet ndaj Iranit gjatë ditëve në vijim.
Aktualisht, në Aeroportin Ben Gurion ndodhen 33 aeroplanë amerikanë cisternë për furnizim me karburant në ajër. Sipas raportit, prania e tyre ka shkaktuar mbingarkesë në aeroport dhe ka kufizuar hapësirën për avionët që kryejnë fluturime komerciale.
Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, kishte deklaruar më herët gjatë kësaj jave se numri i këtyre aeroplanëve duhej të reduktohej në 20, me qëllim që të shmangeshin ndërprerjet në trafikun ajror gjatë sezonit veror.
Raporti thekson gjithashtu edhe dimensionin politik të çështjes. Regev ka propozuar që aeroplanët ushtarakë amerikanë të ulen në bazat ushtarake izraelite, por CENTCOM, Komanda Qendrore e SHBA-së për Lindjen e Mesme, thuhet se preferon infrastrukturën dhe qasjen që ofron Aeroporti Ben Gurion.
Në një pjesë të raportit, Axios shkruan se SHBA-ja e ka "njoftuar" Izraelin për mbërritjen e aeroplanëve shtesë, duke lënë të kuptohet se Jerusalemi nuk ka fjalën vendimtare në këtë çështje.
Megjithatë, më vonë në të njëjtin raport thuhet se kryeministri Benjamin Netanyahu do të ketë fjalën e fundit për këtë vendim.
Ndërkohë, sipas një raporti pa autor të publikuar nga portali Ynet, aeroplanët shtesë amerikanë që pritet të mbërrijnë në Izrael nuk do të ulen në Aeroportin Ben Gurion. /Telegrafi/
Tre javë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, numri i viktimave ka kaluar 5000, ndërsa mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre nën rrënoja, shpesh pa ndihmën e autoriteteve.
Sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, të paktën 5.069 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën shtetin bregdetar La Guaira me vetëm 39 sekonda diferencë.
Mbi 16700 persona janë plagosur, ndërsa Kombet e Bashkuara vlerësojnë se numri i të zhdukurve mund të arrijë deri në 50 mijë, shkruajnë mediat.
Qindra ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë, duke lënë afro 20 mijë persona pa strehë. Shumë prej tyre jetojnë në kampe të improvizuara të ngritura në stadiume, sheshe publike dhe trotuare pranë kryeqytetit Caracas.
Ndërkohë, në zonat më të goditura, familjarët dhe vullnetarët vazhdojnë kërkimet mes rrënojave dhe tufave të mizave. Disa kanë marrë me qira makineri të rënda për të lëvizur pllakat e betonit në përpjekje për të nxjerrë trupat e të afërmve të tyre.
"Ka aq shumë njerëz të varrosur aty; askush nuk dëshiron t'i prekë të vdekurit", tha 60-vjeçari Hildegar Mujica, i cili po kërkon ish-bashkëshorten e tij të mbetur nën rrënojat e një ndërtese 12-katëshe.
Ai akuzoi autoritetet për mungesë reagimi, duke thënë se shërbimet shtetërore nuk kanë treguar interes për trupat që ndodhen ende nën rrënoja. Sipas tij, disa trupa janë të dukshëm, por nëse nuk ka familjarë që t'i identifikojnë, ato mbeten të paprekura.
Për të përballuar kostot e rindërtimit, Venezuela ka siguruar 346 milionë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Qeveria ka bërë të ditur se fondet do të përdoren për strehimin e familjeve të prekura, rindërtimin e infrastrukturës dhe rikthimin e shërbimeve bazë publike. /Telegrafi/
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka njoftuar se ka kryer një sulm me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj një baze ajrore ruse në rajonin Saratov, qindra kilometra larg kufirit ukrainas, duke goditur një bombardues strategjik Tu-95.
Sipas SBU-së, dronët ukrainas kanë përshkuar rreth 800 kilometra deri te objektivi, ndërsa bombarduesi ka pësuar dëmtime kritike.
Në njoftimin e publikuar thuhet se pjesa e pasme e avionit është dëmtuar rëndë.
Bombarduesi Tu-95 është një nga avionët kryesorë strategjikë të Rusisë dhe është përdorur gjatë luftës në Ukrainë për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshëndetur operacionin, duke e cilësuar atë si një tjetër goditje me rreze të gjatë ndaj kapaciteteve ushtarake ruse.
Sulmi vjen në kuadër të përpjekjeve të Ukrainës për të goditur objektivat ushtarake ruse larg vijës së frontit, përfshirë bazat ajrore dhe pajisjet strategjike.
Në operacione të mëparshme, Kievi ka pretenduar se ka dëmtuar ose shkatërruar disa avionë ushtarakë rusë përmes sulmeve me dronë. /Telegrafi/
Rafineritë amerikane po përjetojnë një periudhë rekord fitimesh, pasi kërkesa ndërkombëtare për karburant amerikan është rritur ndjeshëm.
Tensionet në Lindjen e Mesme dhe kufizimet në furnizimin global kanë bërë që blerësit e huaj të drejtohen gjithnjë e më shumë drejt produkteve të rafinerive amerikane, shkruajnë mediat.
Sipas të dhënave të tregut, marzhet e rafinerive në SHBA janë rritur në nivele historike, pasi eksportet e benzinës, naftës dhe derivateve të tjera kanë arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Kjo ka sjellë fitime të mëdha për kompanitë amerikane të përpunimit të naftës.
Një nga faktorët kryesorë është kriza në Lindjen e Mesme, e cila ka ndikuar në tregjet globale të energjisë dhe ka rritur kërkesën për furnizime alternative. Në të njëjtën kohë, kufizimet e eksporteve ruse të disa produkteve energjetike kanë shtuar presionin mbi tregun ndërkombëtar të karburanteve.
Megjithatë, rritja e eksporteve ka edhe pasoja për tregun amerikan. Zvogëlimi i rezervave të brendshme të karburantit ka krijuar shqetësime për rritjen e çmimeve në SHBA, veçanërisht gjatë sezonit të udhëtimeve verore dhe periudhës së korrjeve bujqësore.
Ekspertët vlerësojnë se situata aktuale i ka kthyer rafineritë amerikane në ndër përfituesit më të mëdhenj të krizës energjetike, ndërsa rafineritë në disa rajone të tjera po përballen me vështirësi për shkak të kostove më të larta dhe problemeve me furnizimin.
Kjo periudhë tregon se në tregun global të energjisë, ndryshimet gjeopolitike mund të krijojnë fitime të mëdha për disa vende dhe kompani, ndërsa njëkohësisht rrisin presionin mbi konsumatorët për shkak të çmimeve të karburanteve. /Telegrafi/