Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 June 2026Telegrafi

Mbërritën në Kupën e Botës me autobus shkollor: Debutuesit e Botërorit u bënë hit në rrjetet sociale

7 June 2026 at 15:54


Ndërsa elita e futbollit dhe yjet më të mëdhenj të botës po përgatiten për Kupën e Botës 2026 duke udhëtuar në autobusë luksozë, të markave të njohura dhe me ajër të kondicionuar, autsiderët dhe debutuesit absolutë të turneut kanë vendosur për një qasje krejtësisht të ndryshme.

Ekipi kombëtar i Kuraçaos u bë hit në mediat sociale pasi mbërriti në Kupën e Botës me një autobus të vjetër shkolle, as më pak.

"Një autobus i vjetër shkolle. Dritaret janë të hapura. Muzika është kumbuese. Mbërritja e ekipit kombëtar të Curacao është thjesht e papërsëritshme", njoftoi Sports Illustrated FC së bashku me videon virale që mblodhi qindra mijëra shikime në kohë rekord.

Old-school bus. No windows. Music playing. Curaçao‘s team bus arrival is unmatched. pic.twitter.com/mj1OuLKD0m
— Sports Illustrated FC (@SI_FootballClub) June 7, 2026


Edhe pse shumë yje do të refuzonin të hipnin në një automjet të tillë, përfaqësuesit e këtij shteti ishullor të Karaibeve treguan se çfarë do të thotë të shijosh çdo moment të ëndrrës sate të futbollit.

Kjo skuadër e mrekullueshme po shkruan faqet më të bukura të historisë së saj sportive këtë vit, sepse kjo është pjesëmarrja e tyre e parë debutuese në Kupën e Botës, dhe me ardhjen e tyre kanë fituar simpatinë e tifozëve të futbollit.

Megjithatë, kur festa mbaron dhe ndeshjet zyrtare fillojnë, ata përballen me një sfidë brutale. Curaçao është përfshirë në Grupin E jashtëzakonisht të vështirë, ku do të luajë kundër Gjermanisë, Ekuadorit dhe Bregut të Fildishtë. /Telegrafi/

Fisnik Asllanin mund ta shohim në Ligën e Kampionëve, një tjetër skuadër e do yllin kosovar

7 June 2026 at 15:30


Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane pas një sezoni fantastik në Bundesligë.

Sipas mediumit gjerman Bild, RB Leipzig ka nisur lëvizjet për transferimin e 23-vjeçarit, madje kontaktet e para mes drejtuesve të klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit tashmë kanë ndodhur.

Megjithatë, bisedimet janë ende në fazën fillestare dhe nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Asllani ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit 2029, por raportohet se ai mund të largohet përmes një klauzole lirimi prej rreth 30 milionë eurosh.

telegrafi.com

Interesimi për reprezentuesin e Kosovës nuk ndalet vetëm te Leipzig. Borussia Dortmund e ka ndjekur prej kohësh zhvillimin e tij, ndërsa edhe Barcelona, nën drejtimin e Hansi Flick, thuhet se ka kontaktuar së fundmi me agjentin e futbollistit.

Megjithëse Leipzig po e shqyrton seriozisht transferimin, brenda klubit gjerman ekzistojnë disa dilema për shkak të numrit të madh të sulmuesve që ka aktualisht në skuadër.

Fisnik Asllani vjen pas sezonit më të mirë të karrierës së tij, duke regjistruar 10 gola dhe 9 asistime në 33 paraqitje në Bundesligë gjatë edicionit 2025/26, statistika që e kanë shndërruar në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve. /Telegrafi/

Muriqi do të rikthehet në Turqi, Mallorca arrin marrëveshje me kandidatin për president të Fenerit

7 June 2026 at 15:05


Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet në futbollin turk gjatë kësaj vere.

Sipas gazetarit të njohur turk Yagiz Sabuncuoglu, kandidati për president të Fenerbahçes, Aziz Yildirim, ka arritur marrëveshje me Real Mallorcan dhe me vetë futbollistin për transferimin e tij.

Raportohet se Muriqi ka pranuar një kontratë deri në verën e vitit 2029, por gjithçka varet nga zgjedhjet presidenciale që do të mbahen këtë fundjavë te gjiganti turk. Në rast se Yildirim nuk fiton, marrëveshja mund të mos realizohet.

Fillimisht, Mallorca kishte vendosur një çmim prej 18 milionë eurosh për "Piratin", por sipas mediave turke, vetë Muriqi i ka kërkuar drejtorit sportiv Pablo Ortells që të lehtësojë largimin e tij duke ulur kërkesat financiare.

telegrafi.com

Përfaqësuesit e Aziz Yildirim kanë udhëtuar drejt Palma de Mallorcas për të finalizuar detajet e transferimit, ndërsa rivali i tij në garën për president, Hakan Safi, po ashtu ka premtuar transferime të mëdha në fushatën e tij.

Një detaj interesant është se Real Mallorca zotëron 100% të kartonit të Muriqit, por ish-klubi i tij, Lazio, përfiton 45% nga çdo shitje e ardhshme e sulmuesit kosovar.

Mallorca e bleu Muriqin për rreth 8 milionë euro, ndërsa tani synon ta shesë për 18 milionë euro.

Mbetet të shihet nëse zgjedhjet te Fenerbahçe do t'i hapin rrugën rikthimit të Vedat Muriqit në futbollin turk. /Telegrafi/

Frikë te Interi, Calhanoglu ka nënshkruar me gjigantin turk?

7 June 2026 at 14:49


Te Interi kanë filluar të bien sërish kambanat e alarmit për të ardhmen e Hakan Calhanoglu, por këtë herë jo për një kalim të mundshëm te Galatasaray.

Sipas raportimeve nga Turqia, kandidati për president të Fenerbahçes, Hakan Safi, ka arritur një marrëveshje paraprake me mesfushorin turk për një kontratë trevjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.

Zërat u forcuan edhe më shumë pas deklaratës së agjentit të futbollistit, Gordon Stipic, i cili konfirmoi se ka zhvilluar takime me Safin.

"Nuk jam kufizuar vetëm në biseda me Hakan Safin, por edhe e kam takuar personalisht. Jemi miq prej shumë kohësh dhe kemi diskutuar për disa futbollistë, veçanërisht për njërin prej tyre. Nëse Safi fiton zgjedhjet, kemi një marrëveshje për futbollistin tim më të rëndësishëm", deklaroi Stipic.

Ndërkohë, vetë Hakan Safi ka ndezur edhe më shumë spekulimet me një video që është bërë virale në rrjetet sociale, ku dëgjohet duke thënë: "Njoftojmë transferimin e Calhanoglu te Fenerbahçe."

Edhe pse kjo shihet si një lëvizje elektorale në prag të zgjedhjeve presidenciale te klubi turk, deklarata ka shkaktuar reagime të shumta.

Vetëm pak ditë më parë, mediat turke raportonin se Calhanoglu ishte i gatshëm të rikthehej te Galatasaray, skuadra që e mbështet që nga fëmijëria, madje duke pranuar edhe një ulje të pagës nga 6.5 në 5 milionë euro në sezon.

Tashmë, mundësia që ai të përfundojë te rivalët e përjetshëm të Fenerbahçes ka zemëruar tifozët e Galatasarayt, të cilët kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale. /Telegrafi/

Kryebashkiaku i New Yorkut parashikon surprizën e Botërorit, zgjedh edhe kampionin e ri të botës

7 June 2026 at 14:20


Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka tërhequr vëmendjen me parashikimet e tij për Kupën e Botës 2026, të cilat i ka dhënë në një intervistë për gazetën britanike The Guardian.

Mamdani ka ndarë mendimet e tij për ecurinë e turneut, duke parashikuar disa rezultate interesante, ndërsa ka befasuar me zgjedhjen e skuadrës që sipas tij do ta fitojë trofeun.

Sipas parashikimit të tij, Anglia do të arrijë deri në ndeshjen për vendin e tretë, por aty do të mposhtet nga Kolumbia. Ndërkohë, finalja e madhe do të zhvillohet mes Marokut dhe Francës.

- YouTube www.youtube.com

Kur u pyet se cili ekip do të shpallej kampion, Mamdani dha një përgjigje interesante:

"Zemra dëshiron atë që dëshiron zemra".

Më pas ai zgjodhi Marokun si fituesin e Kupës së Botës 2026, duke parashikuar që kombëtarja afrikane do të shkruajë histori dhe do të ngjitet për herë të parë në majën e futbollit botëror. /Telegrafi/

Juventusi do t'i transferojë dy sulmues, me njërin marrëveshja është shumë afër

7 June 2026 at 13:59


Juventusi po punon intensivisht për rindërtimin e repartit ofensiv para sezonit të ri, ndërsa largimi i pritshëm i Dusan Vlahovicit ka shtyrë drejtuesit e klubit të hidhen në sulm për dy emra të njohur të futbollit evropian.

Sipas raportimeve të Tuttomercatoweb, bardhezinjtë kanë vendosur në krye të listës sulmuesin e Atletico Madridit, Alexander Sorloth, dhe atë të Paris Saint-Germainit, Randal Kolo Muani.

Për Sorloth, Juventusi thuhet se ka bërë hapa konkretë në negociata, me norvegjezin që ka dhënë pëlqimin paraprak për një kontratë katërvjeçare me pagë rreth katër milionë euro në sezon.

Megjithatë, klubi italian duhet ende të arrijë marrëveshje me Atletico Madridin, i cili raportohet se kërkon mbi 30 milionë euro për kartonin e 29-vjeçarit.

Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka hequr dorë as nga Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez kishte lënë përshtypje shumë të mira gjatë periudhës së tij në Torino, ku realizoi 10 gola në 22 ndeshje.

Pas huazimit te Tottenhami gjatë sezonit 2025/26, Kolo Muani është sërish në dispozicion për transferim, ndërsa PSG-ja thuhet se është e gatshme ta shesë për rreth 40 milionë euro, duke mos përjashtuar edhe formula më fleksibile pagese.

Sipas mediave italiane, nevoja e Juventusit për të afruar dy sulmues të rinj është rritur pas dështimit të bisedimeve për rinovimin e kontratës së Dusan Vlahoviqit.

Sulmuesi serb pritet të largohet nga "Zonja e Vjetër" në fund të muajit qershor, duke i dhënë fund aventurës së tij në Torino, pasi palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit. /Telegrafi/

Elbasani organizon homazhe në nderim të Fatjon Bunjakut

7 June 2026 at 13:46


Klubi i Elbasanit ka njoftuar se sonte do të organizojë një mbledhje përkujtimore në nderim të futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi verdheblu ka ftuar tifozët dhe të gjithë dashamirësit e futbollit që t'i bashkohen kësaj ceremonie për të kujtuar 22-vjeçarin, i cili ishte pjesë e skuadrës gjatë sezonit të fundit.



Më poshtë, njoftimi i plotë i AF Elbasanit:

"Të nderuar tifozë verdheblu dhe dashamirës të futbollit,

Sot në 19:00, në hyrjen kryesore të stadiumit "Elbasan Arena" mblidhemi për të nderuar Fatjon Bunjakun, një atlet të shkëlqyer dhe një njeri pozitiv e plot pasion.

Le ta nderojmë së bashku kujtimin e Fatjonit". /Telegrafi/

Barcelona po vëzhgon nga afër pesë talentë të mëdhenj evropianë

7 June 2026 at 12:35


Barcelona po vazhdon të ndërtojë të ardhmen e saj përmes një strategjie të qartë afatgjatë, duke kombinuar fuqinë e akademisë së famshme La Masia me ndjekjen aktive të talenteve më premtuese në futbollin evropian.

Ndërsa emra si Lamine Yamal, Pau Cubarsí dhe Marc Bernal tashmë janë bërë pjesë e ekipit të parë, departamenti i skautimit të klubit katalanas po intensifikon vëzhgimin e lojtarëve të rinj që po spikatin në ligat kryesore të Evropës.

Sipas Mundo Deportivo, Barcelona ka identifikuar disa profile interesante që mund të bëhen pjesë e projekteve të ardhshme të klubit, duke i konsideruar si investime të rëndësishme për të ardhmen.

Lennart Karl i Bayern Munich është një nga emrat që po ndiqet nga afër. Mesfushori 18-vjeçar ka treguar potencial të lartë në fazën ofensive, megjithatë një dëmtim muskulor ka ndalur përkohësisht progresin e tij dhe pritet të ndikojë edhe në pjesëmarrjen në turnetë e ardhshëm.

telegrafi.com

Kees Smit i AZ Alkmaar është gjithashtu në listën e lojtarëve të vëzhguar. Mesfushori 20-vjeçar holandez vlerësohet për inteligjencën taktike, vizionin dhe aftësinë për të kontrolluar ritmin e lojës në mesfushë.

Rodrigo Mora i FC Porto përfaqëson një tjetër profil të rëndësishëm, me aftësi të theksuara teknike dhe kreativitet në fazën ofensive, duke u konsideruar si një lojtar që mund të bëjë diferencën në të ardhmen.

Lewis Miley i Newcastle United është gjithashtu nën monitorim të vazhdueshëm nga Barcelona, falë pjekurisë së tij në mesfushë dhe aftësisë për të luajtur në nivele të larta pavarësisht moshës së re.

Në listën e klubit katalanas figuron edhe Ibrahim Maza i Bayer Leverkusen, një mesfushor sulmues që ka tërhequr vëmendjen me kreativitetin dhe aftësitë teknike në fazën ofensive.

Barcelona vazhdon kështu të ndjekë me kujdes “valën e re” të talenteve evropiane, me synimin për të garantuar konkurrueshmëri në nivelet më të larta për vitet që vijnë. /Telegrafi/

Policia e Kosovës jep detaje për aksidentin ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku

7 June 2026 at 12:00


Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në të cilin humbi jetën futbollisti 22-vjeçar, Fatjon Bunjaku.

Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, në Vushtrri, ku është përfshirë një veturë me drejtues dhe dy pasagjerë.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës:

“Aksident trafiku me fatalitet në Vushtrri. Më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Ndërsa rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit viktima mashkull 22 vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit".

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Nga Elbasani te Gjilani e Malisheva – reagimi i klubeve për vdekjen tragjike të Fatjon Bunjakut

7 June 2026 at 11:30


Ndarja tragjike nga jeta e futbollistit Fatjon Bunjaku ka lënë në pikëllim të thellë mbarë komunitetin sportiv në Kosovë dhe Shqipëri.

22-vjeçari, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik, kishte ndërtuar një karrierë të pasur duke veshur fanellat e disa klubeve dhe të përfaqësueseve U19 e U21 të Kosovës.

Pas konfirmimit të lajmit të hidhur, klubet ku ai luajti gjatë karrierës së tij kanë reaguar me mesazhe prekëse, duke kujtuar jo vetëm futbollistin e talentuar, por edhe njeriun e përkushtuar dhe të dashur që ishte Fatjoni.

AF Elbasani:

*"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku.

Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë.

Përkushtimi dhe pasioni i tij për futbollin do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit tonë.

Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin.

AF Elbasani shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bunjaku dhe për të gjithë komunitetin sportiv që sot humbi një nga njerëzit e tij. Fatjoni nuk do të harrohet."*



SC Gjilani:

*"Telegram ngushëllimi familjes Bunjaku.

E nderuara familje Bunjaku,

Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Fatjon Bunjakut.

Në emrin e gjithë komunitetit kuqebardh, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë e të pazëvendësueshme.

Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.

Kontributi i tij në klubin tonë do të mbetet pjesë e kujtimeve të çmuara. Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat tona dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara.

Largimi i tij në një moshë kaq të re na ka tronditur të gjithëve. Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre.

Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.

Me respekt,

SC Gjilani."*


FC Malisheva:

*"Lajm tronditës për klubin tonë!

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të ish-lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku, si pasojë e një aksidenti fatal.

Lajmi na ka tronditur thellësisht të gjithëve.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën.

Humbja e tij është e madhe dhe dhimbja e papërshkrueshme.

Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë.

U prehsh në paqe, Fatjon. Nuk do të harrohesh kurrë."*



KF Trepça:

*"Lamtumirë i dashuri ynë Fatjon Bunjaku.

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku, djaloshit që hodhi hapat në Shkollën e Futbollit KF Trepça dhe që me krenari mbajti ngjyrat e klubit tonë.

Fatjoni ishte më shumë se një futbollist; ai ishte një shembull i përkushtimit, respektit dhe dashurisë për sportin. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së KF Trepçës dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.

Në këto momente të rënda, KF Trepça shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë bashkëlojtarët e tij.

Prehu në paqe, Fatjon. Emri dhe buzëqeshja jote do të jetojnë përgjithmonë në kujtimet tona." /Telegrafi/

Capello zgjedh favoritët për Botërorin 2026: Franca dhe Spanja mbi të gjithë

7 June 2026 at 11:08


Ish-përzgjedhësi i Anglisë dhe një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, Fabio Capello, ka dhënë parashikimin e tij për Kupën e Botës 2026, duke veçuar skuadrat që, sipas tij, kanë më shumë gjasa të ngjiten në majën e botës.

Tekniku italian beson se Franca dhe Spanja hyjnë në turne si favoritët kryesorë, falë cilësisë së lartë që kanë në përbërje.

"Franca dhe Spanja janë favoritët kryesorë; ato kanë një nivel më të lartë cilësie teknike," deklaroi Capello.

Ai u ndal edhe te Anglia, e cila në këtë Botëror do të drejtohet nga Thomas Tuchel, ndërsa vlerësoi se Gjermania nuk është në nivelin e viteve të kaluara.

Capello Fabio Capello (Getty Images)

"Jam i intriguar nga Anglia nën drejtimin e Thomas Tuchel. Gjermania ka rënë pak në renditje dhe mezi pres të shoh se si do të performojnë në këtë Kupë Bote," shtoi ai.

Megjithatë, Capello pranoi se mbështetja e tij personale shkon për Brazilin, që tashmë drejtohet nga Carlo Ancelotti.

"Unë mbështes ekipin kombëtar të Brazilit të Carlo Ancelottit. Ai ka një karakter të jashtëzakonshëm dhe përshtatet shpejt në çdo mjedis, gjë që nuk është një gjë e lehtë për t'u bërë në Brazil," u shpreh strategu italian. /Telegrafi/

"Do të takohemi së shpejti në Evropë" - postimi i fundit i Fatjon Bunjakut i cili u nda tragjikisht nga jeta

7 June 2026 at 10:43


Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë zhytur në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit të Elbasanit, Fatjon Bunjaku. 22-vjeçari humbi jetën në një aksident automobilistik që ndodhi pas mesnatës në aksin Prishtinë – Mitrovicë, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe e gjithë bota e futbollit.

Teksa shumëkush ende nuk po e beson lajmin e hidhur, në rrjetet sociale po shpërndahet postimi i fundit i sulmuesit, një mesazh plot optimizëm dhe shpresë për të ardhmen, i publikuar vetëm pak ditë më parë pas përfundimit të sezonit me Elbasanin.

Në atë postim, Bunjaku falënderonte tifozët për mbështetjen dhe shprehte entuziazmin për aventurën evropiane që e priste me klubin shqiptar.

"Faleminderit për këtë super mbështetje tifozat verdheblu. Do të takohemi së shpejti edhe në arenën evropiane", kishte shkruar ai.


Sot, këto fjalë marrin një kuptim krejtësisht tjetër dhe shumë më të dhimbshëm për të gjithë ata që e njohën.

Fatjon Bunjaku iu bashkua Elbasanit verën e kaluar, duke qenë pjesë e një sezoni të suksesshëm që i siguroi skuadrës pjesëmarrjen në garat europiane. Më herët, ai kishte luajtur për Trepçën, Phoenixin, Lirinë, Gjilanin dhe Malishevën, ndërsa kishte veshur me krenari edhe fanellën e Kosovës U19 dhe U21.

Ndarja e tij e parakohshme ka tronditur komunitetin sportiv, ndërsa postimi i fundit mbetet një kujtim prekës i një futbollisti të ri, me ëndrra të mëdha, të cilat u ndërprenë tragjikisht shumë herët. /Telegrafi/

Brazili fiton edhe provën e fundit para Botërorit, mposht Egjiptin me përmbysje

7 June 2026 at 10:13


Kombëtarja e Brazilit ka mbyllur me fitore fazën përgatitore për Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 2:1 ndaj Egjiptit në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Cleveland.

"Seleçao" e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e shtatë. Bruno Guimaraes përfitoi nga një gabim i mbrojtjes egjiptiane dhe me një goditje të saktë nga distanca realizoi për 1:0.

Megjithatë, avantazhi i brazilianëve nuk zgjati shumë. Vetëm katër minuta më vonë, Mostafa Ziko barazoi shifrat në 1:1, pasi përfitoi nga një gabim i rëndë i Marquinhos, i cili e ktheu topin gabimisht drejt zonës së tij.

- YouTube www.youtube.com

Golin e fitores për Brazilin e realizoi talenti Endrick në minutën e 52-të. Sulmuesi i ri, i aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, shfrytëzoi një asistim të bukur të Raphinhas për të vulosur rezultatin përfundimtar 2:1.

Me këtë sukses, Brazili e mbyll fazën përgatitore me tri fitore radhazi, pasi më parë kishte mposhtur Kroacinë (3:1) dhe Panamanë (6:2), duke hyrë me vetëbesim të lartë në Kupën e Botës, ku synon rikthimin te trofeu pas 24 vitesh.

Brazilianët do ta nisin aventurën në Botëror me përballjen ndaj Marokut, e cila zhvillohet të shtunën, më 13 qershor, në New York. Në anën tjetër, Egjipti do ta luajë ndeshjen e parë në turne më 15 qershor, kur do të përballet me Belgjikën në Seattle. /Telegrafi/

FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen tragjike nga jeta të Fatjon Bunjakut

7 June 2026 at 09:53


Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas lajmit të rëndë për ndarjen tragjike nga jeta të futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën në moshën 22-vjeçare.

Përmes një telegrami ngushëllimi, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të Komitetit Ekzekutiv dhe të gjithë komunitetit të futbollit kosovar, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, duke e cilësuar të ndjerin si një futbollist të talentuar dhe një djalosh me vlera të larta njerëzore.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë telegramin e ngushëllimit të Federatës së Futbollit të Kosovës:

E nderuara familje Bunjaku,

Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Fatjon Bunjakut.

Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vend, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë e të pazëvendësueshme.

Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.

Kontributi i tij në klubet ku luajti dhe paraqitjet me fanellën e Kosovës U21 do të mbeten pjesë e kujtimeve të çmuara të futbollit tonë. Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat e Kosovës dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara.

Largimi i tij në një moshë kaq të re na ka tronditur të gjithëve. Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre.

Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.

Qoftë i përhershëm kujtimi për Fatjonin. U prehtë në paqe!

Me respekt,

Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës

Nga Trepça te Elbasani dhe te Kosova U21: Karriera që Fatjon Bunjaku e la përgjysmë

7 June 2026 at 09:39


Largimi tragjik nga jeta i Fatjon Bunjakut ka lënë në pikëllim të madh futbollin kosovar. Vetëm 22 vjeç, ai po ndërtonte karrierën e tij me hapa të sigurt, duke kaluar nëpër disa klube të njohura dhe duke përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Bunjaku hapat e parë në futbollin profesionist i hodhi te Trepça, klub ku u formua si lojtar. Më pas provoi një aventurë edhe në Kroaci, te Zmaj Makarska, para se të rikthehej në Kosovë.

Gjatë karrierës së tij ai veshi fanellat e Phoenixit, Lirisë, Gjilanit dhe Malishevës, duke u shquar si një futbollist luftarak dhe me potencial të madh për të ardhmen.

Paraqitjet e mira i siguruan edhe ftesën nga Kombëtarja e Kosovës, ku ishte pjesë e grupmoshave U19 dhe U21, duke përfaqësuar me krenari ngjyrat e "Dardanëve" në ndeshjet ndërkombëtare.

Në verën e vitit 2025, ai hodhi një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë, duke u transferuar te Elbasani në Shqipëri, me synimin për të vazhduar ngritjen e tij në futboll.

Por, ëndrra e një futbollisti që po ndërtonte të ardhmen e tij u ndërpre tragjikisht. Fatjon Bunjaku humbi jetën në moshën vetëm 22-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë, bashkëlojtarët dhe e gjithë bota e futbollit.

Një djalosh me ëndrra të mëdha, një futbollist që veshi me krenari fanellën e Kosovës dhe që do të kujtohet gjithmonë nga ata që e njohën. /Telegrafi/

Lajm i trishtë: Ndërron jetë futbollisti kosovar Fatjon Bunjaku

7 June 2026 at 09:03


Futbolli kosovar është goditur nga një lajm i rëndë. Ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike futbollisti Fatjon Bunjaku, në moshën 22-vjeçare.

Bunjaku, i cili së fundmi ishte pjesë e Elbasanit në Shqipëri, gjatë karrierës së tij kishte luajtur për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, ku konsiderohej një prej futbollistëve me perspektivë.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga faqja zyrtare e fshatit Samadraxhë, e cila ka njoftuar se 22-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.

"Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Të nderuar bashkëvendas, ju njoftojmë që mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fatjon Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t'ju njoftojmë me kohë. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit ju shprehim ngushëllime familjes Bunjaku", thuhet në njoftim.

Vdekja e parakohshme e Bunjakut ka tronditur familjarët, miqtë dhe mbarë komunitetin e futbollit, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë reagime edhe nga klubet ku ai ka luajtur dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Bunjaku ka luajtur për Malishevën, Lirinë, Gjilanin dhe Trepçën. /Telegrafi/

Argjentina fiton me lehtësi miqësoren edhe pa Lionel Messin

7 June 2026 at 08:40


Kombëtarja e Argjentinës ka vazhduar formën e shkëlqyer, duke triumfuar 2:0 ndaj Hondurasit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në College Station të Teksasit, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.

“Albicelestët” luajtën pa kapitenin Lionel Messi, i cili u kursye për shkak të një shqetësimi fizik, por kjo nuk e pengoi skuadrën e Lionel Scalonit të dominonte takimin nga fillimi deri në fund.

Goli i parë erdhi në minutën e 37-të, kur Lautaro Martinez u tregua i saktë nga pika e bardhë, ndërsa në pjesën e dytë sulmuesi i Interit u shndërrua në asistues, duke i dhuruar një pasim të bukur Giuliano Simeones, i cili vulosi fitoren 2:0.

- YouTube www.youtube.com

Për kampionët në fuqi të botës, kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në ndeshjet përgatitore para Botërorit. Pas përfundimit të kualifikimeve, Argjentina ka mposhtur Venezuelën (1:0), Porto Rikon (6:0), Angolën (2:0), Mauritaninë (2:1), Zambian (5:0) dhe tani Hondurasin (2:0), duke pësuar vetëm një gol në këto gjashtë takime.

Skuadra e Scalonit do të zhvillojë edhe një miqësore tjetër ndaj Islandës, para se të nisë mbrojtjen e titullit në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/

Dita e ndeshjes: Kosova sonte luan miqësore me Andorrën në 'Fadil Vokrri'

7 June 2026 at 08:27


Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në aksion, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë zhvillon ndeshjen miqësore ndaj Andorrës.

Kjo do të jetë miqësorja e dytë për "Dardanët" gjatë këtij grumbullimi, pasi javën e kaluar u mposhtën nga Çekia me rezultat të ngushtë 2-1, në një takim ku Kosova la përshtypje të mira pavarësisht disfatës.

Përzgjedhësi Franco Foda pritet të shfrytëzojë edhe këtë sfidë për të testuar alternativa të ndryshme në formacion dhe për t'u dhënë minuta futbollistëve që kanë pasur më pak hapësirë, me synimin që skuadra të jetë sa më e përgatitur për ndeshjet zyrtare që e presin në vazhdim.

Në anën tjetër, Andorra vjen në Prishtinë me objektivin për të zhvilluar një paraqitje sa më të mirë ndaj Kosovës, në një duel që do t'u shërbejë të dyja përfaqësueseve për të fituar ritëm dhe për të provuar variante të reja.

Atmosfera në "Fadil Vokrri" pritet të jetë mjaft e mirë, me tifozët që edhe një herë do të jenë pranë Kombëtares për ta mbështetur drejt një rezultati pozitiv.

Takimi Kosovë – Andorrë zhvillohet sonte në stadiumin "Fadil Vokrri", me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi/

Before yesterdayTelegrafi

Jashari mund të largohet nga Milani, tre klube italiane pas tij

1 June 2026 at 15:55


E ardhmja e Ardon Jasharit te Milan mbetet e paqartë, teksa klubi italian po kalon një periudhë ndryshimesh të rëndësishme dhe ende nuk ka emëruar trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane iu bashkua kuqezinjve pas negociatave të gjata me Club Brugge. Milan bëri disa oferta për transferimin e tij, të cilat fillimisht u refuzuan, përpara se të arrihej marrëveshja përfundimtare.

Sipas raportimeve të gazetarit Daniele Longo, ekziston mundësia që Jashari të largohet nga "San Siro" shumë më herët sesa ishte parashikuar. Interesim për 23-vjeçarin kanë shfaqur Roma, Como dhe Atalanta, ndërsa mesfushori po ndiqet gjithashtu nga disa klube në Gjermani dhe Angli.

telegrafi.com

Një largim i mundshëm i Jasharit do të ngjallte diskutime të shumta në ambientin kuqezi, duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha financiare dhe administrative që u bënë për ta sjellë atë në Milano. Për më tepër, drejtuesit e klubit ende nuk kanë finalizuar emërimin e trajnerit dhe strukturës së re sportive, çka e bën edhe më të vështirë marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e lojtarëve.

Nga ana tjetër, trajneri i ardhshëm mund ta konsiderojë Jasharin pjesë të rëndësishme të projektit sportiv dhe të kërkojë vazhdimin e tij në skuadër.

Sipas raportimeve, vendimi përfundimtar lidhur me të ardhmen e Jasharit pritet të merret pas përfundimit të Kampionatit Botëror, ku ai do të përfaqësojë Zvicrën. /Telegrafi/

Zhegrova drejt largimit, Juventusi e do yllin e Realit

1 June 2026 at 15:35


Juventusi ka rifreskuar listën e objektivave për afatin kalimtar të verës, me yllin e Real Madridit, Brahim Diaz, që është shfaqur si një nga emrat kryesorë për repartin ofensiv.

Trajneri Luciano Spalletti është një admirues i kahershëm i reprezentuesit maroken, të cilin e ka ndjekur që nga koha kur ai aktivizohej te Milani. Tekniku italian vlerëson zhvillimin e tij në vitet e fundit dhe e sheh si një përforcim ideal për skuadrën bardhezi.

26-vjeçari, i cili mund të luajë si anësor i djathtë dhe si mesfushor ofensivë, nuk ka pasur hapësirat e dëshiruara te Real Madridi për shkak të konkurrencës së madhe në repartin sulmues. Megjithatë, ai ka arritur të tregojë cilësitë e tij sa herë që është aktivizuar, duke regjistruar një gol dhe tetë asistime në të gjitha garat sezonin e kaluar.

Kontrata e Diaz me klubin madrilen skadon verën e ardhshme dhe raportimet nga Spanja sugjerojnë se largimi i tij gjatë këtij afati kalimtar mbetet një mundësi reale, pasi ende nuk ka qartësi për rolin që do të ketë në projektin e ri të klubit.

Nga ana tjetër, Real Madridi po vlerëson opsionet e tij në repartin ofensivë. Me të ardhmen e disa lojtarëve ende të paqartë, drejtuesit madrilenë mund të vendosin ta mbajnë Diazin si një alternativë cilësore në skuadër.

telegrafi.com

Interesimi i Juventusit lidhet edhe me pasiguritë rreth së ardhmes së disa lojtarëve ofensivë. Francisco Conceiçao mund të largohet gjatë verës, ndërsa forma jo bindëse e reprezentuesit të Kosovës, Edon Zhegrova, ka shtyrë drejtuesit e klubit të kërkojnë alternativa të reja për sulmin.

Mbetet të shihet nëse Juventusi do të konkretizojë interesimin e tij, por Brahim Diaz tashmë është një nga emrat më të përfolur në planet e merkatos së klubit torinez. /Teegrafi/

❌
❌