Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2026Telegrafi

​16 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës

22 July 2026 at 07:44


Sot mbushen 16 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë publikoi opinionin e saj këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me dhjetë vota pro dhe katër kundër, gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik 2010 vendosën në favor të Kosovës, duke hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Vendimi u lexua nga presidenti i atëhershëm i Gjykatës, Hisashi Owada, i cili deklaroi se "miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare".

Procesi në GJND kishte nisur pas kërkesës së Serbisë, e cila, përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkoi një opinion këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Opinioni i Gjykatës u konsiderua një fitore e rëndësishme juridike dhe diplomatike për Kosovën, pasi konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë. Pas këtij vendimi, një numër shtetesh njohën Republikën e Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Deri më tani, Republika e Kosovës është njohur nga 118 shtete, ndërsa vazhdon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.

Vendimi i 22 korrikut 2010 mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike dhe shtetformuese të Kosovës, duke shërbyer si referencë kryesore në mbrojtjen e legjitimitetit të pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, shi e shtrëngata

22 July 2026 at 07:29


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të mërkurën do të jetë në ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira të cilat pas orëve të mëngjesit do të vijnë në pakësim.

Reshjet e shiut me intensitet të ulët parashikohen të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në veri dhe qendër të vendit, lokalisht shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.

Gjatë ditës reshjet e shiut me intensitet të ulët lokalizohen vetëm përgjatë relieveve malore të vendit, në mbrëmje ndërprerje të reshjeve të shiut në të gjithë vendin.

Era me drejtim veriperëndim-verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, e cila hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri në 15m/s.

Valëzim në det të forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/




Moti sot, Kosova në nivelin portokalli të sigurisë – IHMK njofton për shi, breshër e stuhi

22 July 2026 at 07:12


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në njoftimin për motin ka njoftuar se Kosova të mërkurën është në nivelin portokalli të sigurisë, duke paralajmëruar për shi, breshër, stuhi e bubullima.

IHK njofton se paralajmërimi vlen për datën 22 korrik, ora 00:00–23:59.

“Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish”, thuhet në njoftim.

IHK tutje paraqet ndikimet e mundshme:

  • Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët.
  • Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
  • Pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
  • Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive.
  • Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta.
  • Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.

Rekomandime për qytetarët:

  • Shmangni qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive.
  • Mos u strehoni nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike.
  • Mbroni automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta.
  • Tregoni kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
  • Ndiqni njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit. /Telegrafi/


Before yesterdayTelegrafi

Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?

21 July 2026 at 14:37


Në pak sekonda mund ta zgjedhësh qytetin. Më pas kombësinë, moshën, gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve dhe të syve, e madje edhe preferencat seksuale.

Mjafton një klikim dhe në ekran të shfaqen dhjetëra profile grash që ofrojnë shërbime eskorte në Kosovë.

Sipas autoriteteve kosovare, prapa disa prej këtyre profileve nuk fshihen gra që veprojnë me vullnetin e tyre, por viktima të trafikimit me qenie njerëzore.

Në këtë platformë, të identifikuar edhe nga Policia e Kosovës për shitje të shërbimeve seksuale, Radio Evropa e Lirë gjeti shumë profile të grave nga shtetet e Amerikës Latine.

Disa prej profileve thuhet të jenë të verifikuara nga vetë platforma, e cila ofron shërbime në të gjithë Evropën.

“Ato që rekrutohen nga jashtë, sidomos nga shtetet e Amerikës Latine, rekrutohen me kontrata të rregullta. Paraqiten si punëtore të rregullta në Kosovë, me lejeqëndrim dhe pajisen me kontratë pune”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Zana Sadiku-Sertolli nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sadiku-Sertolli, e cila është koordinatore për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, thotë se kjo formë e rekrutimit dhe organizimit e ka vështirësuar ndjekjen penale të këtyre rasteve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme - përgjegjëse për lëshimin e lejeve të punës dhe lejeqëndrimeve për shtetas të huaj - për politikat dhe strategjitë për luftimin e këtij fenomeni, por as pas tri javësh nuk ka marrë përgjigje.

Lidhur me platformën ku ofrohet shërbimi i eskortave, REL-i ka pyetur edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) nëse ka pasur ndonjë kërkesë për të bllokuar qasjen në këtë ueb-faqe në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Në të kaluarën, ARKEP-i ka ndërhyrë duke detyruar ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë të bllokojnë faqet e mediave ruse të sanksionuara në Kosovë. Ndërsa, edhe pse me shërbime që bien ndesh me ligjin, shumë platforma të basteve online që funksionojnë nga jashtë vendit, janë të qasshme në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë për REL-in se është duke monitoruar ueb-faqet e dyshuara, përfshirë atë ku listohen edhe gra nga Amerika Latine, por ka shtuar se “në këtë fazë nuk mund të ofrojmë informata të tjera”.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga ky institucion thuhet se Kosova “vazhdon të mbetet vend i origjinës, transitit dhe destinacionit për viktimat e trafikimit” dhe se një nga format e reja të identifikuara është ofrimi i shërbimeve seksuale përmes faqeve online të eskortave.

Sipas atij raporti, viktimat janë zakonisht të moshave nga 18 deri në 30 vjeç dhe vijnë në mënyrë të organizuar nga vende si: Brazili, Venezuela, Kolumbia e Peruja.

Pikërisht një shtetase e Perusë është arrestuar në Prishtinë në vitin 2024 nën dyshimet se ishte njëra nga organizatoret e këtij rrjeti të trafikantëve.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë të dhëna nga Prokuroria Speciale për vazhdimësinë e procedurave në këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.

Para disa muajsh, mediumi Kallxo.com raportoi se kishte siguruar një pjesë të dosjes hetimore të këtij rasti, ku dyshohet se organizatorët e rrjetit ua merrnin mbi 50 për qind të fitimeve vajzave të trafikuara, që rriheshin nëse nuk respektonin udhëzimet.

Edhe në Bosnje e Hercegovinë, Zyra e Prokurorëve tha për REL-in se gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka identifikuar disa shtetase braziliane të shfrytëzuara seksualisht përmes së njëjtës platformë.

Sipas saj, një grup i organizuar kriminal organizonte transportin dhe akomodimin e viktimave, ndërsa fitimet u dërgoheshin organizatorëve përmes kriptovalutave. Në hetime janë përfshirë edhe Europol-i, Interpol-i dhe autoritetet braziliane.

Në Kosovë, bashkëpunimi juridik me vendet e origjinës së këtyre viktimave është dëshmuar më i ndërlikuar në rastet ku vendi nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendin e origjinës së viktimës, tregon prokurorja Sadiku-Sertolli.

“Ka shtete që nuk e njohin Kosovën dhe duhet të ekzistojë një marrëveshje bilaterale me shtetin ku e ka origjinën ajo viktimë, pasi që duhet të vlerësohet se a do të ishte e sigurt viktima që të kthehej atje [ose jo]”, thotë ajo, duke shtuar se, megjithatë, ky problem zgjidhet zakonisht përmes Zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Agjencia evropiane e policisë, Europol, thotë se trafikimi për shfrytëzim seksual, përfshirë i grave nga Amerika Latine, është pjesë e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa kontinente.

Në qershor të këtij viti, disa agjenci të policisë dhe sigurisë - Europol-i, Interpol-i, Frontex-i dhe Ameripol-i - koordinuan një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku morën pjesë edhe autoritetet kosovare.

Operacioni përfundoi me mbi 1.000 arrestime dhe identifikimin e një numri të madh viktimash nga Amerika Latine.

“Gjatë fazës operative, vendet pjesëmarrëse kryen veprime të synuara për zbatimin e ligjit, duke përfshirë kontrolle të përforcuara në pikat e nxehta, si kufijtë dhe aeroportet, si dhe hetime proaktive për rastet në vazhdim, që kërkojnë bashkëpunim operativ të nivelit të lartë”, tha Europol-i në përgjigjen për REL-in.

Kosova nuk listohet në mesin e vendeve ku pati arrestime.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri, mediat kanë raportuar për një situatë të ngjashme si në Kosovë me eskorta nga vendet e Amerikës Latine, por autoritetet shtetërore nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Ndërsa, në Serbi, ku është rritur numri i viktimave të identifikuara të trafikimit, raportuesi kombëtar për këto raste, Zoran Pashalliq, i tha REL-it se, deri më tani, nuk ka të dhëna për viktima nga Amerika Latine.

Për dallim nga Serbia, statistikat në Kosovë tregojnë se numri i viktimave të identifikuara të trafikimit ka rënë në vitet e fundit.

Megjithëse nuk specifikohet se sa prej tyre janë shfrytëzuar seksualisht, vetë policia e cilëson këtë si një nga format më të përhapura të trafikimit dhe pranon se numri real i viktimave besohet të jetë më i lartë.

Këtë muaj, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion nëpër sallone masazhi dhe në lokale të natës me muzikë, i cili përfundoi me arrestimin e disa personave.

Megjithatë, ata u dyshuan për veprat penale të mundësimit të prostitucionit e jo për trafikim me qenie njerëzore.

Ku qëndron dallimi? Prokurorja Sadiku-Sertolli thotë se dallimi qëndron te liria e personit: trafikimi nënkupton se viktima rekrutohet, kontrollohet ose detyrohet për t'u shfrytëzuar, ndërsa mundësimi i prostitucionit lidhet me organizimin ose përfitimin nga prostitucioni.

Ajo tregon se për shkak se trafikuesit sigurohen të mos lënë prova materiale, institucionet e hetuesisë në Kosovë e kanë të vështirë të sigurojnë prova materiale përtej deklaratave të viktimave.

“Këtu, sfidë tjetër është që viktimën ta bindësh që është viktimë e trafikimit”, tregon Sadiku-Sertolli, duke theksuar se ky problem shfaqet veçanërisht te viktimat nën moshën 18-vjeçare.

Sipas një raporti të Policisë së Kosovës, gjatë viteve 2021-2024 janë identifikuar 42 viktima në këtë grup-moshë, prej të cilave tetë ishin të moshave nga 12 deri në 14 vjeç. Shumica prej tyre thuhet të jenë shfrytëzuar për shërbime seksuale.

Por, jo vetëm mungesa e gjurmëve të lëna nga trafikuesit e vështirëson ndjekjen penale të këtyre rasteve, thotë Sadiku-Sertolli.

Ajo thotë se, pavarësisht bashkëpunimit të mirë mes institucioneve, sfida mbeten kapacitetet e kufizuara të disa prej tyre, veçanërisht mungesa e stafit në shërbimet sociale dhe pajisjeve të punës për policë.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për rastet e trafikimit me qenie njerëzore në tre vjetët e fundit janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim.

Kodi Penal parasheh dënime prej pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin me qenie njerëzore, ndërsa në rastet më të rënda dënimi mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm.

E, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2025 kritikon Kosovën pikërisht për politikën ndëshkimore.

Në raport thuhet se dënimet nën minimumin ligjor dhe “shqiptimi i gjobave si ndëshkim i vetëm minojnë përpjekjet për t'i mbajtur trafikuesit përgjegjës, dobësojnë efektin parandalues, krijojnë shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e kësaj vepre penale”.

I njëjti raport vë në pah edhe një tjetër problem, të cilin e thekson edhe prokurorja Sadiku-Sertolli: mungesën e trajnimeve dhe ekspertizës.

Sipas raportit, shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet që përfshijnë kontroll emocional ose psikologjik të viktimave - gjë që mund të ndikojë në shqiptimin e dënimeve më të lehta ose në kualifikimin e rasteve si vepra penale me dënime më të ulëta se trafikimi me qenie njerëzore.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me sfidat që gjykatat hasin në trajtimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe masat që po ndërmerren për forcimin e kapaciteteve të gjyqtarëve në këtë fushë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Skema e shtesave për fëmijë mbetet më e madhja, mbi 401 mijë përfitues në qershor

21 July 2026 at 13:59


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin qershor 2026, sipas të cilave skema me numrin më të madh të përfituesve mbetet ajo e shtesave për fëmijë.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajit qershor 401,786 fëmijë kanë përfituar nga Skema e Shtesave për Fëmijë, për të cilën janë ndarë 14,551,950.00 euro.

Në të njëjtën periudhë, 168,812 persona kanë përfituar nga pensionet bazike të moshës, me një vlerë të pagesave prej 26,968,970.00 euro, ndërsa 47,971 pensionistë kontribuues kanë marrë gjithsej 11,733,751.60 euro.

Nga skema për veteranët kanë përfituar 39,561 persona, me pagesa në vlerë prej 7,838,523.14 euro, ndërsa 12,395 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kanë marrë 3,770,279.71 euro.

Po ashtu, 15,090 familje kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale, me një vlerë prej 2,255,186.00 euro, ndërsa 21,644 persona me aftësi të kufizuara kanë marrë pensione në vlerë prej 3,563,995.00 euro.

Statistikat përfshijnë edhe pagesat për pensionet familjare, pensionet e Trepçës, pensionet e FSK-së dhe TMK-së, skemën për të verbrit, pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, kompensimin për punëtorët e arsimit, si dhe mbështetjen financiare për lehonat e punësuara dhe të papunësuara. /Telegrafi/

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

21 July 2026 at 12:44


Instituti i Kosovës për Drejtësi ka theksuar se një numër i madh i institucioneve dhe agjencive të pavarura vazhdojnë të funksionojnë me pozita të paplotësuara, mandate të skaduara ose me procedura të papërfunduara për zgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të tyre.

IKD njofton se në disa raste, mungesa e emërimeve ka lënë disa prej këtyre institucioneve pa përbërje të plotë, ndërsa pozita të caktuara vazhdojnë të jenë të zbrazëta prej vitesh.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e këtyre institucioneve.

Gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse. Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët”, thuhet në njoftim.

Sipas IKD-së, pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

Më tej, Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara.

“Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre.

Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024”, thuhet në komunikatë.

IKD njofton se probleme me plotësimin e përbërjes vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme.

Sipas Instituti, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës.

Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme. Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues.

Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit”.

IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative, gjersa mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

“Situata aktuale nuk është rezultat i një rasti të izoluar, por pasojë e një krize të zgjatur institucionale dhe politike. Që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova nuk ka arritur të krijojë stabilitet të institucioneve. Mosarritja e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të rregullta çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, ndërsa dështimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës solli shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të 7 qershorit 2026. Edhe pse rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik 2026, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa vendi vazhdon të qeveriset nga një Qeveri në detyrë.

Kjo gjendje ka lënë pezull një numër të madh procedurash për emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, varen nga veprimi i Kuvendit ose nga bashkëveprimi ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë. Sa më gjatë të zgjasë moskonstituimi i Kuvendit, aq më shumë rritet numri i institucioneve që funksionojnë me mandate të skaduara, me përbërje të paplotë ose me pozita kyçe të paplotësuara.

Megjithatë, kriza politike nuk mund të shërbejë si shpjegim për të gjitha vonesat. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre procedurave është dashur të ishin iniciuar muaj para përfundimit të mandateve, ashtu siç kërkon legjislacioni në fuqi. Mosrespektimi sistematik i këtyre afateve ka bërë që vonesat të grumbullohen nga një legjislaturë në tjetrën, duke krijuar një zinxhir të mosveprimit të institucioneve që sot reflektohet në numrin e madh të pozitave të paplotësuara”.

IKD i bën thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj.

Institucionet e pavarura janë krijuar për të garantuar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, konkurrencën, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien publike. Ato nuk duhet të mbeten peng i krizave politike dhe i mosveprimit institucional. Çdo vonesë në plotësimin e tyre është një vonesë në funksionimin e shtetit. /Telegrafi/

“Flamingot më kanë bërë të mendoj thellë”, Rama nuk heq dorë nga Paketa e Maleve: Do të jetë histori suksesi

21 July 2026 at 12:30


Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim në rrjetet sociale, ka zgjedhur të komentojë sërish protestën, e cila sot hyn në ditën e saj të 52-të.

Kryeministri Rama ka thelluar kthesën për protestën, duke u shprehur se historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, e cila e ka bërë të mësojë dhe të mendojë më thellë.

Ai shtoi se Paketa e Maleve do të jetë një histori suksesi e së ardhmes, gjë që sipas tij u ka munguar njerëzve.

“Ajo që unë di të them është që “Paketa e maleve” është gjëja që i ka munguar njerëzve që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë atë në një burim mirëqenie. Kjo është ‘Paketa e maleve’ dhe këto janë argumentet dhe faktet. Zhurma, llafet dhe akuzat, shpifjet, sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to apo zhyten në to.

‘Paketa e maleve’ do të jetë një histori e madhe suksesi e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të ba Zvicrën e vogël të Blertës. Ne po them përsëri me dialektin e maleve. Kështu që po shkoj për Theth aty ku realiteti i hedh poshtë të gjitha, të gjitha aguridhet dhe broçkullat që thuhen për mënyrën se si mund të zhvillohet ekonomia e maleve. Aty ku realiteti tregon se njerëzit që punojnë dhe fitojnë, në rastin më të mirë në raport me gjithë këto muhabete, kanale sociale, mund të bëhen viktima të sulmeve, siç u bënë, të sulmeve më agresive dhe më të ulëta mbi djersën e tyre, mbi sakrificat e tyre, mbi gjakun e tyre, mbi ato yjet e përshtypjeve të njerëzve që shkonin, shkojnë dhe do vazhdojnë të shkojnë, të trokasin në dyert e atyre ekonomive, të atyre realiteteve, të atyre agro-turizmave, të atyre bujtinave”, tha ai.

“Ato yje ndajnë Shqipërinë e dembel haneve që duan vetëm lekë dhe flasin vetëm për lekë dhe nuk lënë gjë pa thënë për të gjithë të tjerët që lekun e fitojnë me punë dhe që e kanë në majë të gojës fjalët më të ulëta dhe që shpifin e shajnë për këdo. Ato yje janë Shqipëria reale e punës. Ato yje janë Shqipëria që do bahet “Zvicra e vogël” atje nëpër male dhe ato yje u sulmuan, u shuan për pak ditë, por u kthyen përsëri dhe shkëlqejnë siç shkëlqejnë pikat e djersës të gjithë atyre njerëzve që merren me sipërmarrje në Shqipëri, të gjithë atyre njerëzve që krijojnë punë, të gjithë atyre njerëzve që japin punë, të gjithë atyre njerëzve që fitojnë me punë dhe që u bënë target. U bën target si shëmbëlltyra të një sistemi që disa sorra, disa korba duan ta kthejnë përmbys, por nuk kthehet përmbys më ky sistem.

Ky është sistemi i garës, ky është sistemi i punës, ky është sistemi i meritës. Natyrisht, këtu do ndalem sepse pastaj për çfarë unë kam reflektuar personalisht nga gjithë ajo që kemi parë, nga pasqyra e bulevardit të flamingove, është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim.

Por ai bulevard është shumë qartësisht i ndarë për mua të paktën sepse është i ndarë për historinë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Ndërsa historia e sorrave dhe e korbave që e kanë marrë peng përfundimisht dhe e kanë kthyer në një në një shëmbëlltyrë simetrike, simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që ta tani s’dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë. Është vetëm e shkuara. E shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese, po të shohim historinë.

Ekstremet, ekstremet e majta dhe djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend, përmes sharlatanësh, përmes delirantësh, përmes injorantësh dhe përmes dështak – zemërakësh të pangushëllueshëm. Janë dy histori të ndara. Paketa e maleve është historia e të ardhmes. Investimet e mëdha janë historia e të ardhmes. Shqipëria që duhet ta çojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 27 miliardë dhe kemi pasur më pak se 10 miliardë kur kemi nisur këtë detyrë, në 35 miliardë brenda këtij 10 vjeçari deri në 2030 është historia e të ardhmes. Këta që bërtasin për një Shqipëri që u dashka të jetë vetëm e shqiptarëve, për një Shqipëri kur nuk duhet të ketë të huaj janë më e keqja që mund t’i ndodhi këtij vendi.

Kaq keq Shqipërisë nuk ja kanë bërë as të tjerët që u tretën nga bulevardi dhe janë mbyllur atje në kuvlitë e Kuvendit dhe vazhdojnë ulërasin sepse janë të mbaruar. Gjithsesi do t’ju informoj në vijim për shumëçka, por edhe njëherë shumë respekt për flamengot që më kanë mësuar shumë edhe më kanë bërë të mendoj thellë dhe vetëm refuzim dhe madje, madje përveç refuzimit edhe neveri për ata që janë sorrat dhe korbat e mbledhur të këtij vendi dhe që ulërijnë, që shajnë, që këndojnë vulgaritete në kor dhe iu duket se po ndryshojnë botën. Asgjë nuk ndryshojnë ata dhe asnjë shans nuk do kenë këtu në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Hoti: Në Britani ulen taksat për energjinë, në Kosovë qytetarët paguajnë më shumë

21 July 2026 at 10:49


Ish kryeministri i Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë, gjersa në Kosovë ndodh e kundërta.


Lexoni të plotë postimin e tij:

Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Një masë e tillë është marrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian.

Në Kosovë ndodh e kundërta.

Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës.

Problemi nuk mbaron këtu. Mosveprimet e qeverisë sot lënë pasoja afatgjata në zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor në Kosovë.

Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre.

Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/


Nuk ka rikthim, Haxhiu dekreton dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb: Nuk mund të mbahet peng funksionimi i  institucioneve

21 July 2026 at 10:14


Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të disa prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

KPK-ja më pas dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e disa prokurorëve për lirim nga detyra.

E lidhur me këtë, sot ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin e shtatë prokurorëve serbë nga detyra.


Lexoni të plotë postimin e Haxhiut:

Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra.

Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj. /Telegrafi/

La një letër lamtumire në banesë, një person në Korçë i jep fund jetës duke u djegur në makinë

21 July 2026 at 09:43


Një person është gjetur pajetë brenda mjetit të tij në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës.

Shtetasi është gjetur i djegur ndërsa dyshohet se ka kryer akt vetëvrasje.

Po ashtu, mendohet se ka lënë një letër lamtumire në banesë ndërsa ditën e djeshme ka përcjellë bashkëshorten drejt Greqisë, raporton a2cnn

Policia në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave të rastit.

MINTI publikon çmimet e derivateve, nafta dhe benzina sërish më shtrenjtë

21 July 2026 at 08:55


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 21 korrik.

Sipas vendimit të MINTI-it, nafta sot është 1.66 euro për litër, dy cent më shtrenjtë se të hënën.

Çmimi i benzinës për të martën është 1.47 euro për litër, një cent më shtrenjtë, gjersa çmimi i gazit mbetet i njëjtë, 0.60 euro për litër.

Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/

Gjenden pa shenja jete dy gra - njëra në Prishtinë, tjetra në Prizren

21 July 2026 at 08:44


Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të hetimit të vdekjes.

Në raportin 24-orësh bëhet e ditur se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë dhe një tjetër në Prizren.

“Prishtinë / 20.07.2026-23:15. Lidhur me rastin njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkaq, rasti tjetër ka ndodhur në Prizren.

“Prizren / 20.07.2026 – 07:50. Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor ku është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Policia po heton dy rastet. /Telegrafi/

Arrestohet një grua në Lipjan, shantazhoi një burrë për disa muaj

21 July 2026 at 08:41


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një grua për shantazh ndaj një personi.

Rasti ka ndodhur në Lipjan.

“Lipjan / Janar-Qershor 2026. Më 20.07.2026 është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi e njëjta dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar”, thuhet në raport.

E dyshuara pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë rregullt. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, temperaturat deri në 37 gradë

21 July 2026 at 07:32


Shqipëria të martën do të ketë mot të kthjellët dhe me diell gjatë gjithë ditës.

Temperaturat do të luhaten nga 23 gradë Celsius në orët e mëngjesit deri në 37 gradë në orët më të nxehta të ditës.

Era do të jetë me drejtim veriperëndim-verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s. /Telegrafi/

Konflikti “Capat”–“Sekiraqët”, sot mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në mungesë për dy të pandehur në arrati

21 July 2026 at 07:29


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka bërë të ditur se sot mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PKR.nr.71/2026, e cila ka për objekt shqyrtimi Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – PP.I.nr.178/2024 të datës 12.02.2026, kundër të pandehurit Endrit Llapashtica, i cili dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e Rëndë” si dhe të pandehurit Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci dyshohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftim thuhet se sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

“Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se seanca mbahet sot, më 21 korrik në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në ora 09:00 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Fatime Dermaku.

“Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në muajin prill ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqa”, që lidhet me përplasjen e armatosur për motive hakmarrjeje ku mbeti i vrarë P.G., pasi ende nuk ka përfunduar ekspertiza psikiatrike për të akuzuarin Valdrin Ademi. /Telegrafi/

Moti në Kosovë, vende-vende shi e shkarkime rrufesh

21 July 2026 at 07:13


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot në Kosovë vende-vende priten reshje shiu me karakter lokal, të shoqëruara me shkarkime rrufesh, kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes.

IHMK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 gradë Celsius dhe 17 gradë, ndërkaq ato maksimalen nga 28 deri në 32 gradë.

Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi dhe perëndimi, e lehtë deri mesatare (2–8 m/s). /Telegrafi/

Mbante mbi 55 kg kanabis në makinë, 68-vjeçari shqiptar arrestohet sapo hyn në kufirin grek

18 July 2026 at 15:52


Pas një operacioni të organizuar dhe të koordinuar nga oficerët e policisë të Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë, një shqiptar 68-vjeçar u arrestua mëngjesin e djeshëm në një zonë të Follorinës, për trafikim të një sasie të madhe lëndësh narkotike.

Më hollësisht, në kuadër të veprimeve të synuara për të luftuar importin dhe trafikimin e drogës në vend dhe pas përdorimit të duhur të informacionit, mëngjesin e djeshëm oficerët e policisë lokalizuan një makinë private, të drejtuar nga një burrë 68-vjeçar, raporton Tch.

Gjatë një kontrolli u konstatua se ajo mbante 2 çanta udhëtimi dhe 1 thes që përmbante gjithsej 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kg e 422 gramë. U sekuestruan gjithashtu edhe 3 telefona celularë.

Kohët e fundit ka një riaktivizim të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi. Policia greke ka kapur në 11 muajt e fundit mbi 1.2 ton marihuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë e Selaniku.

Rastet më të shumta kanë qenë ato të trafikut nga Saranda në Igumenicë, ku pothuaj gjysma e sasisë së kapur në zonat e Greqisë është trafikuar nga kjo linjë. Madje në një rast në Igumenicë është kapur edhe një skaf i ngarkuar me drogë.

Organizoi futjen në mënyrë të paligjshme të emigrantëve nga Greqia në Shqipëri, arrestohet 43-vjeçar afgan në Vlorë

18 July 2026 at 15:50


Një 43-vjeçar afgan është vënë në pranga nga policia e Vlorës, ndërkaq arrestimi i tij ka ardhur pasi kishte organizuar futjen në mënyrë të paligjshme nga Greqia në Shqipëri të 10 emigrantëve të cilët më pas do t’i transportonte në Itali.

Rasti u zbulua pas ndërhyrjes së policisë kufitare ku emigrantët rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin pranë ishullit të Sazanit me një gomone.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme pranë ishullit të Sazanit, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i cili ndodhej në gomone.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale ‘Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror’, 10 shtetasit e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, që u gjetën në bordin e gomones”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi M. E., në bashkëpunim me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek.

Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.

Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tentativë për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë. /Telegrafi/


I gjenden 42 qese me kokainë, arrestohet i dyshuari në Isniq të Deçanit

18 July 2026 at 15:42


Policia e Kosovës ka bërë të ditur një personi në Isniq të Deçanit i janë gjetur 42 substanca me kokainë.

Rasti ka ndodhur të premten.

“Fsh.Isniq, Deçan 17.07.2026-00:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar 42 qese me substance narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.3 gram, 375 euro dhe një telefon”, thuhet në raport.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /Telegrafi/

Faton Bekteshi, atashe i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës

18 July 2026 at 15:15


Këtë javë, misionit diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel i është bashkuar edhe Atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, nënkoloneli Faton Bekteshi.

Kështu bëhet e ditur në postimin e Ambasadës.

“Pas përmbylljes së procesit të akreditimit pranë institucioneve belge, nënkolonel Bekteshi sot e ka nisur misionin e tij si Atashe i Mbrojtjes fuqiplotë. Ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Kosovë–Belgjikë!

Akreditimi i nënkolonel Faton Bekteshit si Atashe i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës shënon një zhvillim të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha shefi i Misionit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, ambasadori Agron Bajrami.

Më tej u tha se ky është një hap i rëndësishëm para në një fazë të re të bashkëpunimit bilateral me Belgjikën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ky zhvillim krijon mundësi për dialog më të ngushtë strategjik, shkëmbim përvojash profesionale dhe zhvillim të partneriteteve konkrete.

Akreditimi do të kontribuojë gjithashtu në forcimin e koordinimit bilateral, në mbështetjen e iniciativave të sigurisë euroatlantike dhe në avancimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Republika e Kosovës vlerëson lart angazhimin e Mbretërisë së Belgjikës për procesin e akreditimit të atasheut të mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë drejtim. Ky zhvillim hap perspektiva të reja për një partneritet edhe më të ngushtë, në frymën e respektit reciprok, vlerave të përbashkëta dhe vizionit të përbashkët për një Evropë më të sigurt dhe më stabile”, u tha më tej. /Telegrafi/


❌
❌