Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025FaxWeb

(VIDEO) Zjarr masiv ne pyllin me pisha midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie në Poliçan

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:19

Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është bërë e pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe dendësisë së madhe të pyllit.
Kryeplaku i fshatit Gjinoqarë Nuri Gllava ka deklaruar për mediat se situata mund të përkeqësohet gjatë natës, pasi zjarri rrezikon të përparojë drejt zonave të banuara. Ai apelon për ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, duke theksuar se mjetet aktuale nuk mund të depërtojnë në vatrën e zjarrit. Deri tani jane djegur mbi 3 hektar pyll me pishe.
Sipas banorëve, zjarri dyshohet se është i qëllimshëm, pasi vatra ndodhet në mes të pyllit, larg çdo rruge apo banese.
Autoritetet lokale dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa rreziku për përhapjen e flakëve drejt fshatrave përreth mbetet i lartë.

Trump: Do të vendosen tarifa shtesë për vendet që blejnë energji nga Rusia

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:18

Presidenti Donald Trump sugjeroi se do të vendoste tarifa shtesë për vendet që blejnë energji nga Rusia – përfshirë Kinën, sipas CNBC. Trump gjithashtu pretendoi se nuk kishte njoftuar kurrë një përqindje të tarifave- që do t’u vendoste partnerëve tregtarë rusë.

Më herët, Trump u tha gazetarëve se po planifikonte të vendoste tarifa shumë të ashpra deri në rreth 100%. Kjo tërheqje retorike sugjeron se Trump mund të mos ketë ndërmend të zbatojë plotësisht kërcënimet e tij të mëparshme.

“Sot kemi një takim me Rusinë. Do të shohim se çfarë ndodh. Do ta marrim këtë vendim në atë kohë”, tha presidenti amerikan.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, mbërriti sot në Rusi për takime me zyrtarë rusë, përpara afatit të 8 gushtit të vendosur nga Trump – që Moska të arrijë një armëpushim me Ukrainën.

Aleatët e Ukrainës thanë se blerjet e naftës ruse nga vendet, përfshirë Kinën dhe Indinë, kanë ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë së udhëheqësit rus Vladimir Putin dhe kanë ulur presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund një lufte – që tani është në vitin e saj të katërt.

Gjithashtu, Trump tha për CNBC se po “i afrohej shumë një marrëveshjeje” me Kinën për të zgjatur armëpushimin tregtar – pasi të dyja vendet ranë dakord për uljen e tarifave reciproke dhe lehtësimin e kufizimeve të eksportit për magnetet e rralla të tokës dhe teknologji të caktuara.

Zelensky reagon pas takimit të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së me Putin

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:17

Në një mesazh drejtuar popullit ukrainas, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia duket “më e gatshme” të vazhdojë me një armëpushim, pas takimit të drejtpërdrejtë që i dërguari amerikan Steve Witkoff pati me presidentin rus, Vladimir Putinin sot në Moskë.

“Presioni që po ushtrohet mbi ta po jep fryte”, theksoi presidenti ukrainas.

Megjithatë, ai nuk e fshehu skepticizmin e tij në lidhje me qëllimet ruse, duke vënë në dukje në mënyrë karakteristike: “Gjëja e rëndësishme është të mos mashtrohemi në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara”.

Tema e takimit Putin-Witkoff u diskutua edhe në bisedën e mëparshme telefonike midis Trump dhe Zelenskyt dhe udhëheqësve evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Sir Keir Starmer.

Aktori Brad Pitt në zi, ndahet nga jeta nëna e tij në moshën 84-vjeçare

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:17

Një humbje e madhe ka prekur aktorin e njohur Brad Pitt. Nëna e tij, Jane Etta Pitt, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.  Sipas raportimeve, Jane ka ndërruar jetë gjatë ditëve të fundit,  ndërsa lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga  mbesa e aktorit, Sydney , në një postim në rrjetet sociale.

Sydney është vajza e vëllait të vogël të aktorit, Doug Pitt, dhe përmes llogarisë së saj në Instagram, ajo i tha lamtumirë gjyshes së saj, të cilën e përshkroi si një person plot dashuri dhe mirësi.

Nga i dënuar në Serbi, në gjyqtar në Kosovë, Kushtetuesja: Radomir Llaban u emërua gjyqtar pasi iu nënshtrua procedurave kushtetuese e ligjore

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:16

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se gjyqtari i saj, Radomir Llaban, u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.

Në një reagim për media të mërkurën, Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se, për shkak Llabanit, ka tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses në korrik, përmes së cilës kërkoi sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Llaban ishte caktuar si gjyqtar raportues për këtë lëndë.

Sipas saj, institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit.

Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Shefja e shtetit nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke argumentuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

Kushtetuesja tha se është e drejtë e palëve para gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, “të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte  refuzua te emerohet  Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Shkarkimin e një gjykatësi të Kushtetueses e bën presidenti i Kosovës.

Por, propozimi për shkarkimin e tij paraprakisht duhet të bëhet nga dy e treta e gjyqtarëve të Kushtetueses – që ka gjithsej nëntë gjykatës – dhe kjo kërkesë t’i dërgohet Presidencës. rel

Meloni zhvillon një takim zyrtar në Beograd, takohet me presidentin serb: Italia mbështet integrimin e Serbisë në BE

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:12

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Gjatë takimit, në fokus ishte mbështetja e pakushtëzuar e Italisë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e reformave që Beogradi ka ndërmarrë.

Vuçiç shprehu mirënjohje për Melonin për mbështetjen në rrugën evropiane të Serbisë dhe për kontributin në organizimin e EXPO 2027. Ai e cilësoi Italinë si një mik të sinqertë, që i njeh dhe i vlerëson aspiratat dhe vlerat e vendit të tij.

“E falënderova Kryeministren Meloni për mbështetjen parimore të Italisë, veçanërisht në lidhje me integrimin evropian dhe EXPO 2027, ku do të tregojmë forcën e miqësisë dhe një vizion të përbashkët. Një vend që konfirmon pjesëmarrjen e tij nuk tregon thjesht pjesëmarrje në një ekspozitë – kjo nënkupton mbështetje, partneritet dhe besim. Serbia i çmon shumë marrëdhëniet me Italinë, jo vetëm si partner politik, por edhe si një mik i vërtetë që kupton vlerat, traditat dhe aspiratat tona. Serbia dhe Italia qëndrojnë krah për krah në rrugën e zhvillimit dhe stabilitetit për të gjithë rajonin”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Kosovë/ E ngarkuara me punë e SHBA-së Anu Prattipati thirrje liderëve politikë: Të mos bllokohet pjesëmarrja e asnjë partie në zgjedhje

By: Fax Web
6 August 2025 at 21:00

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, u ka dërguar një porosi të qartë partive politike në vend që të shmangen çdo përpjekje për të bllokuar pjesëmarrjen e ndonjë partie në zgjedhje përmes taktikave politike apo procedurale.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, u bë e ditur se gjatë kësaj jave, Prattipati ka zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

SPAK i komunikoi akuzat, Meta kërkon në GJKKO ndryshimin e masës arrest me burg

By: Fax Web
6 August 2025 at 20:40

Përfaqësuesit ligjore të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta depozituan sot pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Kjo kërkesë është paraqitur duke nisur nga fakti që Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj Metës dhe i ka komunikuar akuzat.

Sipas përfaqësuesve ligjor “nevojat për ta mbajtur Metën akoma nën paraburgim nuk kanë më asnjë kuptim procedural”.

Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të shkuar, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Presidenti i PL akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Vetë Meta i ka cilësuar akuzat si politike dhe se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij.

Njoftimi i PL:

Përshëndetje!
Sot, përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta kanë depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit për Presidentin Ilir Metaj.

Kjo kërkesë është paraqitur duke nisur nga fakti që Prokuroria e Posaçme SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Presidentit Meta dhe duke qënë se nevojat për ta mbajtur akoma nën paraburgim nuk kanë më asnjë kuptim procedural.

Netanyahu aludon për zgjerimin e luftës në Gazë

By: Fax Web
6 August 2025 at 20:35

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën aludoi për një ofensivë më të gjerë ushtarake në Gazën e shkatërruar, edhe pse ish-krerët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për dhënien fund të luftës gati 22-mujore.

Presioni i ri ndaj Netanyahut vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar shifrën 61.000, raporton AP.

Zyrtarët shëndetësorë në Gazë njoftuan për viktima të reja në mesin e palestinezëve të uritur që po kërkonin ushqim në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.

Ditë më parë, përmes një letre të hapur qindra ish-zyrtarë të sigurisë, përfshirë ish-udhëheqësit e shërbimit të brendshëm të sigurisë, Shin Bet, dhe të agjencisë së spiunazhit, Mossad, kërkuan që presidenti amerikan, Donald Trump, të ndihmojë në përfundimin e luftës së Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ish-zyrtarët e lartë të sigurisë së Izraelit kanë lëshuar edhe video-mesazhe, duke bërë thirrje për ndaljen e luftës.

Objektivat e Netanyahut në Gazë janë “një fantazi”, tha Yoram Cohen, ish-shefi i Shin Betit, përmes një videoje.

“Nëse dikush imagjinon se mund të godasim çdo terrorist, çdo strehë dhe çdo armë, dhe njëkohësisht t’i kthejmë pengjet tona në shtëpi – unë mendoj se kjo është e pamundur”, theksoi ai.

Netanyahu mblodhi Kabinetin e Sigurisë për t’i dhënë udhëzime ushtrisë lidhur me fazën e ardhshme të luftës, duke lënë të kuptohet se mund të ketë veprime edhe më të ashpra. Megjithatë, takimi përfundoi disa orë më vonë pa ndonjë njoftim për planet e Izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nga gazetarët nëse e mbështet ripushtimin e Gazës. Ai tha se nuk ishte në dijeni për një “sugjerim” të tillë, por shtoi se “kjo do të varet kryesisht nga Izraeli”.

Netanyahu tha se objektivat e tij përfshijnë mposhtjen e Hamasit, lirimin e 50 pengjeve të mbetura dhe sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në vitin 2023, që nxiti luftën.

Mediat izraelite raportuan për mospajtime mes Netanyahut dhe shefit të shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, lidhur me hapat e mëtejshëm në luftë.

Sipas këtyre raportimeve, ku citohen zyrtarë anonimë nga zyra e Netanyahut, kryeministri po i kërkon ushtrisë – e cila tashmë kontrollon rreth tre të katërtat e Gazës – të pushtojë të gjithë territorin, një hap që mund të rrezikojë pengjet, të përkeqësojë krizën humanitare dhe ta izolojë më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare.

Zamir raportohet se kundërshton këtë hap dhe mund të japë dorëheqje ose të shkarkohet nëse plani miratohet. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar për këto raportime.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje janë në Gazë dhe vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë.

Ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës dhe mbi 2 milionë banorët e kësaj enklave po përballen me krizë të rëndë humanitare.

Sorensen bisedon me Kurtin e Osmanin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

By: Fax Web
6 August 2025 at 20:30

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij në Kosovë më 6 gusht ka biseduar me udhëheqësit shtetërorë për mënyrat e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për situatën aktuale në terren.

“Sigurisht, situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, tha ai për gazetarët pasi përfundoi takimin me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

I pyetur se në çfarë gjendje është aktualisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, emisari evropian tha shkurt se procesi “është aktiv”.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Ohrit më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Gjatë një prononcimi për gazetarë, në një ngjarje tjetër të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se me Sorensenin ka biseduar për gjendjen e komuniteteve në Kosovë, veçmas të atij serb.

Kurti tha se ky komunitet ka të drejta të garantuara me Kushtetutë, siç është përdorimi i gjuhës serbe në të gjithë territorin, e jo vetëm në komunat ku ata janë shumicë.

Ai tha se që nga viti 2023 – kur në katër komunat në veri të Kosovës u zgjodhën kryetarë shqiptarë – në veri janë bërë hapa për integrimin e serbëve. Këtu ai përmendi punësimin e serbëve përmes një programi qeveritar dhe hapjen e bizneseve të reja në atë pjesë.

“Çfarëdo që bëjmë ne është në funksion të integrimit të serbëve dhe nuk është shkelje e Marrëveshjes së Ohrit, por përkundrazi në përputhje me të. Por, e kundërta vlen për Serbinë, e cila nuk e respekton marrëveshjen dhe e shkel atë vazhdimisht”, tha Kurti.

Sorensen gjatë ditës u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Osmani i kërkon Sorensenit që dialogu të jetë i paanshëm dhe me objektiva të qartë

Sipas një njoftimi të Presidencës kosovare, Osmani i ka kërkuar emisarit Sorensen, që procesi negociues në Bruksel të jetë i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi zotin Sorensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Ndërkaq, BE-ja ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Rundi i fundit i dialogut mes kryenegociatorëve të dy shteteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.

Përveç dialogut, sipas Presidencës së Kosovës, Osmani dhe Sorensen kanë folur edhe për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga blloku evropian.

Osmani i ka cilësuar këto masa të padrejta, dhe ka thënë se ato prekin “më së shumti qytetarët e Kosovës”.

BE-ja veçse ka njoftuar se ka nisur heqjen e masave, por nuk ka treguar se cilat masa janë hequr deri më tani.

Në këtë takim, Osmani po ashtu ka folur me emisarin evropian për arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi “duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Vizita e emisarit evropian në Kosovë u zhvillua në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Igor Popoviq u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Po ashtu, takimet e Sorensenit me krerët shtetërorë ndodhën në kohën kur Kosova gjendet në një krizë politike, pasi që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit, vendi nuk ka institucione të reja.

Shefja për diplomaci e BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Kosovë të zhvilluar në maj, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të zhbllokonin ngërçin politik, teksa njoftoi se blloku evropian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Këto masa ndëshkuese, BE-ja ja vendosi Kosovës verën e vitit 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kallas po ashtu kanë thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Gjatë viteve janë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar nga palët.REL

Berisha denoncon skandalin: Rama bleu vota duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe! Ai shpërndau 40 euro për rreth 200 mijë persona me aftësi ndryshe dhe kujdestarët e tyre

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:46

Por, pse unë u ndala te kjo?
Sepse krimi elektoral i Edi Ramës nuk ka të ndalur.
Ai ka përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota.
Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim 4 mijë lekë apo 40 euro.
Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale.
Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë, e cila ndonëse i lë në kushte më të mjera, ju e patë, pensioni në Shqipëri është 60 përqind më i ulët se sa në vendin me pensionin më të ulët në Europë.
Dhe në vend se të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë.
Do bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

Farsa elektorale/ Berisha publikon statistikat: Pensionistët shqiptarë janë më të keqpaguarit në Europë, ndërsa Rama u bleu votat me 100 euro

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:45

Farsa elektorale 11 maj 2025 kishte aspektet më çnjerëzore, më cinike.
Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit.
Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët.
Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia.
Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë.
Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë.
Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian.
U ndala te ky grafik për dy arsye.
Për të dënuar politikën çnjerëzore që ndiqet ndaj pensionistëve, një politikë e cila bazohet kryekëput për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar.
Mos harroni se këta 760 mijë pensionistë, që siç e shihni në fuqi blerëse marrin 2 deri në 2.5 herë më pak se dy vendet e parafundit, marrin shumë më pak se minimumi jetik i premtuar, i cili do ishte 1.6, por do ishte 2.4, më shumë se sa është sot dhe natyrisht 100 eurot e dhuruara kanë pasur efekt jashtëzakonisht të këta njerëz që marrin një mesatare në muaj prej 133 eurosh.
Po të kemi parasysh çmimet, të cilat janë 117 përqind, pra 17 përqind më të larta se mesatarja e BE, i bie që hendeku midis pensionistit shqiptar dhe pensionistit evropian me mesatare pension të jetë edhe shumë herë më i madh.

Berisha: PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:44

Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë.
Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme.
Ndaj dhe PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë.
Ata janë përfaqësuesit e shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve.
Dhe kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, e cila ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë.

Berisha: Altin Troplini është përgjegjësi më kryesor për farsën elektorale pas Edi Ramës

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:43

Për çdo gjykatës, për çdo prokuror, me minimumit e integritetit dhe dinjitetit profesional dhe njerëzor, këto do ishin superprova, po këto nuk janë për Altin Troplinin.
Nuk janë për kreun e Skapit, i cili është një mercenar i Edi Ramës, i cili me amnistinë e dosjeve 184 dhe 339 shtroi platformën ligjore të drejtësisë së kapur, firmosi licencat në një akt kriminal për vazhdimin e praktikave antikushtetuese, antiligjore në qëndrimin ndaj votës së qytetarëve shqiptarë.
Unë i kam denoncuar Altin Troplinin që në atë kohë dhe e garantoj se do japë llogari gjer në një për këto qëndrime kriminale, antikushtetuese që mban ndaj krimit masiv elektoral të qeverisë, me të cilat ai mbron karrigen e tij, pasuritë e tij, mbron tre apartamentet me rrogë shteti si i vetmi zyrtar në Shqipëri.
Mbron rrogën prej mercenari.
Shqiptarët duhet ta dinë se asnjë prokuror në Ballkan, në rajon, asnjë prokuror, edhe në vendet ku rrogat janë tre-katër herë më të larta se në Shqipëri, nuk merr rrogën e Altin Troplinit.
Pra, është pikërisht ky avokat i krimit elektoral pas Edi Ramës, përgjegjësi më kryesor për farsën elektorale.

48 orë vendimtare për Putinin/ Witkoff në Kremlin, Zelensky telefonon Trump, Shtëpia e Bardhë paralajmëron sanksione

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:42

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi publikisht homologun e tij rus Vladimir Putin para disa ditësh se nëse ky i fundit nuk do të përmbushte kërkesën e tij për t’u dhënë fund luftimeve në Ukrainë, Rusia do të përballej me sanksione edhe më të rënda.Megjithatë, teksa afati i kërcënimit të Trump skadon pas dy ditësh, pra në 8 gusht, ende nuk ka asnjë sinjal lëshimi nga Kremlini.

Trump ka kërcënuar se do ta godasë Rusinë me sanksione të reja dhe do të vendosë tarifa 100% për vendet që blejnë naftën e saj, çka besohet se do të dobësojë tejmase aftësinë e Moskës për të mbajtur gjallë makinerinë e luftës në Ukrainë si një prej vendeve kryesore të eksportit të naftës në botë.

Vetë Trump u shpreh para pak ditësh se ndikimi në çmimin e naftës do ta bënte Putinin që të ndalonte vrasjet.

 

 

Nga ana tjetër kanalet diplomatike kanë vijuar punën, teksa ditën e sotme i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, Steve Witkoff mbërriti në Moskë dhe zhvilloi një takim me presidentin rus Putin që raportohet se zgjati rreth 3 orë.

Në përfundim të tij, ndihmësi i Putin, Yuri Ushakov u shpreh se palët kanë patur një diskutim konstruktiv dhe të dobishëm dhe se janë shkëmbyer sinjale në lidhje me konfliktin në Ukrainë, pa zbuluar më shumë detaje.

Sakaq, edhe Kievi nuk ka mbetur në qetësi, teksa agjencia e lajmeve Reuters raportoi se presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky ka zhvilluar një telefonatë me Trump gjatë kohës së Witkoff ishte duke biseduar me Putin në Moskë.

Megjithatë ende nuk janë zbuluar detaje nga ky komunikim mes liderëve, ndërsa në muajt e fundit Trump ka arritur të bindë Zelenskyn që të ndryshojë qëndrim drejt një zgjidhjeje diplomatike me Rusinë.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ka qenë vetë Shtëpia e Bardhë që ka sqaruar përmes një zëdhënësi të saj ditën e sotme se edhe pse takimi i Witkoff me Putin ka shkuar mirë, Uashingtoni planifikon të vijojë me sanksionet dytësore ndaj Rusisë të premten.

“Rusët janë të etur të vazhdojnë të angazhohen me Shtetet e Bashkuara. Sanksionet dytësore pritet të zbatohen të premten”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë duke konfirmuar qëndrimin e Trump ndaj ultimatumit të dhënë më parë.

BKH kontrolle ne kompanine Soft & Solution ne pronesi te biznesmenit Ermal Beqiri. SPAK: Nuk kemi asgje per te ndare

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:40

Teksa biznesmeni Ermal Beqiri vijon të shpallet fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe jo vetëm, mësohet se aktiviteti i tij ka rënë në vëmendjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime për gazetaren e Fax Neës Bleona Prengëzaj bëjnë me dije se oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në zyrat e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit. Burime bëjnë me dije se dyshohet që agjentët e BKH kanë sekuestruar materiale dhe dokumentacione të ndryshme në ambientet e zyrave të Soft & Solution.
Nuk dihet ende nëse këto kontrolle nga Byroja Kombëtare e Hetimit lidhen drejtpërdrejt me tenderat e fituar nga kompania apo në kuadër të ndonje hetimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Në një reagim zyrtar për Fax Neës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deklaron se “nuk ka asgjë për të ndarë” në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, kompania Soft & Solution vijon të jetë një nga përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë, pa u përballur me asnjë pengesë ligjore apo institucionale.
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2021. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta
Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.
Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Lidhur me rastin priten veprime të mëtejshme hetimore nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Dosja “BANKERS”/ Lihet në burg drejtori kinez dhe ish-administratori Leonidha Çobo, zbuten masat për disa zyrtarë

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:37

Gjykata e Apelit la ne fuqi masën “arrest me burg” për ish-administratorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual kinez Hongping Xiao.

Ndërkohë nga 5 masa “arrest shtëpie”, togat e zeza kanë zbutur vendimin vetëm për një prej të dyshuarve duke caktuar “detyrim paaqitje” për shkak të rrethanave familjare, pasi është nënë e një femije 2-vjeç. Ndërkohë për 3 persona u hoq masa ndalim i daljes jashtë vendit duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Seanca ndaj të akuzuarve për dosjen “Bankers” u zhvillua ditën e djeshme (5 Gusht), por vendimi u shty për ditën e sotme.

Sipas vendimit të APELIT :

Vijon masa arrest me burg për:

Leonidha Çobo
Hongping Xiao

Masa arrest në shtëpi:

Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo

Kledi Xhani

Doina Goga, hiqet masa ‘arrestit në shtëpi’, caktohet ‘detyrim paraqitje’

Lihet në fuqi masa “detyrim paraqitje”, i hiqet masa “ndalim largimi jashtë vendi”:

Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj

Hetimet

Kujtojme qe Prokuroria kishte lëshuar 14 masa sigurie për 14 persona dhe subjekte, në kuadër të hetimeve për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje detyrash nga organet tatimore.

Hetimi, i nisur në dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive, zbuloi se kompania ka deklaruar humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.

Ambasada e SHBA pret në takime deputetët e rinj: Presim të punojmë me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:35

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se përfaqësues të saj janë takuar së fundmi me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, në prag të fillimit të legjislaturës së re.Sipas ambasadës, këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë,” shkruhet në postim.

Në fotot e publikuara nga ambasada amerikane shfaqen deputetë të rinj të PD si Igli Cara apo Besart Xhaferri si edhe përfaqësues të kampit socialist si Ilva Gjuzi apo edhe Erald Kapri i Partisë Mundësia.

SHBA/ Të shtëna me armë në bazën ushtarake në Georgia, raportohet për pesë ushtarë të plagosur

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:32

Baza ushtarake Fort Stewart në Georgia u vu në izolim të mërkurën në mëngjes pas një  incidenti të konfirmuar me të shtëna .

Siç njoftoi zëdhënësi i departamentit të policisë së bazës, nënkoloneli Angel Tomko, autoritetet konfirmuan praninë e një personi të armatosur, i cili, pas një operacioni policor që zgjati rreth gjysmë ore, u arrestua.  Informacioni tregon se pesë ushtarë të plagosur janë dërguar në spital. Faqja zyrtare në Facebook për Aeroportin Ajror Fort Stewart-Hunter tha se “ka raportime për viktima dhe situata mbetet aktive”, duke vënë në dukje se forcat e zbatimit të ligjit kanë qenë në vendngjarje që nga izolimi, në orën 11:04 të paradites.

Fort Stewart është një nga instalimet më të mëdha ushtarake në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet Divizioni i 3-të i Këmbësorisë së Mekanizuar dhe shërben si qendër trajnimi dhe zhvillimi si për trupat aktive ashtu edhe për ato rezervë. Baza ndodhet rreth 64 kilometra në jugperëndim të Savannah dhe është shtëpia e më shumë se 10,000 njerëzve përfshirë ushtarë, familjet e tyre dhe personelin civil.

Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp, deklaroi nëpërmjet platformës X se është në “komunikim të ngushtë” me forcat e sigurisë dhe shprehu trishtimin e tij për incidentin:

“Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që shërbejnë pa altruizëm. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Xhorxhias të bëjnë të njëjtën gjë”.

Aksident fatal në minierën e Bulqizës, humb jetën minatori gjatë punës

By: Eva Gjura
6 August 2025 at 19:29

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në një nga minierat private në Zonën D në Bulqizë, ku një minator me detyrë armator ka humbur jetën tragjikisht.

Ngjarja ndodhi gjatë punës për ndërtimin e një armature, ku minatori po asistonte kolegët në punimet e tyre, kur u përfshi nga shembja masive e mineralit.

Fatkeqësisht, për shkak të kësaj rrëzimi, ai nuk ka mundur t’i shpëtojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vend.

Autoritetet dhe strukturat përkatëse po vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë /informacion paraprak

Me datë 06.08.2025, rreth orës 11.40, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë dhe ka humbur jetën, shtetasi F.V., rreth 66 vjeç, me detyrë ndihmës armator.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.

❌
❌