Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025KultPlus

Lidhja e pathyeshme artistike e Gustav Klimt me Egon Schiele

By: Kult Plus
14 July 2025 at 23:57

Nga Sophie Haydock

Vienë, 1907. Një artist i ri, me duart e djersitura nga frika i afrohet një artisti më të madh në moshë të veshur me kostum bojëqielli në kopshtin e shtëpisë së tij atelie. Vetëm 17 vjeç, ai i zgjati vizatimet mbi fletët japoneze të zbehta ngjyrë kafe, që shfaqnin torse të gjymtuara, shprehi të shtrembëruara dhe bukuri përhumbëse, njërit prej artistëve kryesorë të Europës. Mori frymë thellë, dhe i bëri pyetjen që e kishte pllakosur, formuar, që kur ishte fëmijë.

“A kam talent?” Çdo gjë, për Egon Schiele-n, varet nga ky moment.

“Talent?”, erdhi përgjigja nga burri që ai adhuronte – Gustav Klimt, atëherë 45 vjeç, themeluesi dhe udhëheqësi i Shkëputjes Vieneze – dhe për Schiele-n, një meteor talenti. “Më shumë se ç’duhet”.

I trullosur nga çlirimi, Schiele i propozon një shkëmbim të vizatimeve, duke i ofruar disa fletë të tij për një nga Klimt-i. Përgjigja e Klimt-it? “Pse do që t’i shkëmbesh me mua? Ti vizaton më mirë se unë.”

Dhe me këtë, Egon Schiele mori vulën e praruar të aprovimit nga Gustav Klimt. Ishte një përplasje krijuese shpirtrash të afërm dhe mendjesh rebele që do të ishte tragjikisht e shkurtër – të dy burrat do të ishin të vdekur për më pak se një dekadë më vonë. Por ndikimi i tyre artistik jehon edhe sot.

Gustav Klimt u lindur i varfër në Baumgarten, afër Vienës, në 1862, i dyti nga shtatë fëmijë – dhe u bë një prej artistëve më të dashur në planet.

Egon Schiele u lind në 1890 dhe u rrit në një qytet të vogël të Tulln, me jo aq larg nga Viena. Babai i tij, një shef stacioni, ishte një burrë i dashur por i rreptë. Në fillim, ishte i impresionuar nga fiksimi i djalit të tij të vogël për të vizatuar trenat që shihte nga dritarja e shtëpisë pranë stacionit. Por entuziazmi i tij u kthye në dëshpërim kur Schiele ngeli në shkollë dhe refuzoi karrierën për të ndjekur hapat e babait të tij.

Babai i Schiele e dogji nga inati bllokun e skicave të fëmijërisë së Egon-it. Por artisti nuk u frenua. Ai u bë studenti më i ri që pranohej në Akademinë e Arteve të Bukura të Vienës në 1906, njomzak,  një gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Jo për shumë kohë, Egon-i u nda nga mësuesit e tij konservatorë, dhe u largua në 1909 për të themeluar Neukunstgruppe me studentët e tjerë.

Gjatë kësaj kohe Schiele u njoh me Klimt – dhe burri i ri filloi të imitonte mjeshtrin e tij. Por provat e para të Schiele-s ishin për të ardhur keq.

Merr pikturën Danaë, të Klimt, krijuar në 1907. Shih “shiun e artë” që bie mes kofshëve të brishta të gruas, më shprehi të lumtur. Dhe më pas shih përpjekjet adoleshente të Schiele në 1909 – modelja është e strukur në pozicion fetal, gjunjët nën mjekër, shiu jetësjellës që lan kurrizin e saj. Schiele e kishte humbur thelbin.

Danaë, Klimt

Por sidoqoftë, respekti mes dy burrave ishte i ndërsjellë. Schiele pikturoi një autoportret me Klimt-in, The Hermits, në 1912, si homazh të miqësisë së tyre, dhe ishte krenar kur vepra e tij u ekspozua përballë Klimtit në Berlin,  gjatë luftës së parë botërore.

Më pas, në pranverën e 1911, kur artisti 21-vjeçar, pa para, po kërkonte për modele të lira që të pozonin për veprat e tij të artit provokativ dhe kontroversial, Klimt-i, me bujari e prezantoi burrin e ri me një modele që ai e përdorte vazhdimisht: Wally Neuzil.

Ajo ishte dhurata e madhe që Klimt i bëri Schiele-s.

Wally ishte 17 vjeç atëherë, e lindur në Tattendorf, dhe ishte shpërngulur në Vienë për të fituar jetesën si modele, gjë që, në atë kohë, ishte e ngjashme me prostitucionin. Ishte një shkëndijë flakëruese e një gruaje me sy plot shpirt, një gojë të madhe sensuale dhe flokë të kuqerremtë. Schiele e pikturoi atë përgjatë historisë së tyre të dashurisë 4 vjeçare, dhe ajo u bë pjesë në çdo gjë që ai krijonte.

“Wally, në fillim, ishte thjesht një prej modeleve të Schiele-s”, thotë Jane Kallir, autore e katalogut të Egon Schiele dhe bashkëdrejtore e Galerisë St. Etienne në New York. “Ajo nuk veçohet lehtësisht, apo të zhvillohet në një prani të dukshme në veprën e tij deri në 1912”.

Më pas, tiparet e saj dalluese janë të qarta në vepra si Sleeping Woman (Wally Neuzil), 1912; Wally Neuzil Kneeling with Grey Cloack, 1912; dhe sensuale në Woman in Underclothes and Stockings (Wally Neuzil), 1913. Kallir shton: “Ajo që është vërtet e pazakontë është që Schiele i jep [Wally-t] një lëkurë barazie. Jo thjesht si partnerja e tij e jetës, por si partnerja e tij artistike.”

Wally-t i atribuohet transformimi i pjekurisë emocionale të artistit të ri dhe depërtimi që ai u dha modelëve të tij. Kjo dëshmohet te Portrait of Wally Neuzil, 1912, krijuar si homologu i Self-portrait with Physalis. “Në alegoritë e tij, Schiele është gjithmonë ylli,” thotë Kallir. “Ai është ‘profeti’, ai me shikimin e dytë. Por në alegoritë nga 1912-14, Wally është krah tij, gjithashtu një ‘profete’ – kjo shkallë njohjeje është vërtet e jashtëzakonshme për atë kohë.”

Portrait of Wally Neuzil, 1912, krijuar si homologu i Self-portrait with Physalis

Me Wally-n, Schiele gjeti zërin e tij. Ai mundi gjithashtu të arrinte mjeshtrin e tij, dhe disa mund të thonë, e tejkaloi atë. Në 1912, ai krijoi veprën kontroverse Cardinal and Nun (Caress), bazuar te The Kiss qëndrueshmërisht e famshme e Klimt-it. Por Schiele ka një dell të egër eroticizmi dhe rebelimi që Klimt-i nuk e zotëron.

Por me gjithë forcën dhe bujarinë e Wally-t – ajo qëndroi pranë artistit të turpëruar, pasi Schiele u burgos për 24 ditë i akuzuar për rrëmbim, përdhunim statutor dhe imoralitet publik (dy akuzat e para u rrëzuan shpejt) – ai nuk do të martohej kurrë me të.

Piktura zemërthyese Death and the Maiden u bë në 1915, si përgjigje e ndarjes së tyre të afërt, para se Schiele të martohej me më të respektueshmen Edith Harms.

Kur Klimt-i vdiq papritur, në moshën 55-vjeçare, në shkurt të 1918 për shkak të epidemisë së gripit spanjoll që përfshiu kontinentin, Schiele ishte i shkatërruar. Ai e vizatoi Klimt-in në shtratin e tij të vdekjes. Ai shkroi për mentorin e tij: “Një artist pabesueshmërisht i arrirë – një burrë me thellësi të rrallë – vepra e tij është një vend i shenjtë”.

Pas vdekjes së Klimt-it, Schiele mori mantelin si figura udhëheqëse e skenës së artit vienez. Por ai nuk do ta dinte që gjithashtu, do të vdiste në fund të vitit.

Schiele vdiq, në moshën 28-vjeçare, në 31 tetor 1918 – tre ditë pas gruas së tij, Edith Harms, e cila ishte gjashtë muaj shtatzënë me fëmijën e tyre të parë. Dy artistët më të mëdhenj të Austrisë të shuar.

Sot, pak më shumë se 100 vjet nga vdekja e tyre e parakohshme, jehona e tyre mund të ndihet ende. Veprat e Schiele-s mbesin sizmike, transcendentale, tronditëse dhe plot zjarr. Klimt-i do të mbetet përgjithmonë mjeshtri i tij.

Përktheu Enxhi Hudhri. / KultPlus.com

’Koha për poezi’

By: Kult Plus
14 July 2025 at 23:10

Poezi nga Sibel Halimi

Koha për poezi

Mbi 40-tat

Të gjitha recetat kërkojnë ndryshim,
të maskuar, të heshtur, të gdhendur në pritje.

Por mbi dyzet, të jesh vetja
është një akt i vogël rebelimi,
një refuzim i ngadalshëm
i përsosmërisë që të mbaron.

Miratimi fishket,
arsyetimi tretet, shterron
si një burim i harruar
në shkretëtirë.

Liria s’është shpërthim,
por një pajtim i butë
me vijat që të rrethojnë,
trupi s’është më projekt,
mendja nuk pret të riparohet.

Të dyja, një terren i hapur,
ku e vërteta fton ajrin të hyjë.

Thjeshtësimi,
jo zbrazëti, por thelb
i përqendruar,
që mban peshën e kohës
pa ulur kokën.

Të jesh e pranishme,
pa falje, pa lutje,
pa retorikë që të zvogëlon.

Mbi dyzet, të qenit grua
është një ujëvarë pyetjesh
të heshtura, e rizbuluar n’ecje
dyzetat nuk kërkojnë përgjigje,
por hapin rrugë,
krijojnë vend për frymëmarrje.

E lirë./KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane, në Bylis

By: Kult Plus
14 July 2025 at 22:30

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se sektori i Veprave të Artit (IKTK), në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik Bylis/Klos, po kryen ndërhyrje konservuese paraprake në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane.

Sipas IKTK-së punimet përfshijnë: Trajtim çarjesh; Bordurime; Mbushje lakunash; Rivendosje teserash.

Qëllimi i restaurimit është ruajtja dhe nxjerrja në pah e trashëgimisë sonë kulturore.

Bylisi antik ruan në nëntokën e tij edhe objekte të tjera kulti. Parku Arkeologjik i Bylisit ndodhet në një lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit mbi luginën e Vjosës dhe ofron, përveç të dhënave historike, edhe një pamje mahnitëse të Mallakastrës dhe zonave përreth./atsh/KultPlus.com

Yesterday — 14 July 2025KultPlus

“Buka Buskers Fest”, festa e bukës dhe arteve të rrugës në zemër të Horës së Arbëreshëve

By: Kult Plus
14 July 2025 at 22:00

Në datat 2 dhe 3 gusht 2025, Hora e Arbëreshëve do të mirëpresë edicionin e parë të ‘Buka Buskers Fest’, një festë e veçantë që bashkon traditën e bukës, artet e rrugës, dhe kulturën arbëreshe, në një atmosferë të gjallë dhe përfshirëse për të gjitha moshat, përcjell KultPlus.

Ky festival unik është një ide origjinale e Federica Cuccia, realizuar në bashkëpunim me Giusi Maria Puglia dhe dedikuar komunitetit të banorëve të Horës. Në qendër të ngjarjes do të jetë buka – simbol i jetës dhe mikpritjes – por gjithashtu do të ndërthuren muzika live, cirku, poezia, performancat artistike dhe teatri rrugor, për të krijuar një përvojë të paharrueshme.

Aktivitete kryesore të festivalit do të jenë koncerte dhe performanca muzikore live, cirk modern dhe teatro rruge, poezi dhe mikrofon i hapur në oborr poetik, punëtori dhe aktivitete për fëmijë, të rinj dhe të rritur.

Po ashtu përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe punëtori dhe bashkëpunime të veçanta si punëtori vallesh folklorikë.  Italia Carroccio, aktore dhe trajnuese e njohur, do të sjellë punëtorinë e improvizimit teatror “Biografi Urbane”. Miriam Palma udhëheq punëtorinë e këndimit “Trupi i zërit”. Spazio Euphoria organizon punëtori cirku për fëmijët dhe të rinjtë nga 3 deri në 18 vjeç./KultPlus.com

Grupi i ikonik ‘Scorpions’, koncert në Tiranë më 14 shtator

By: Kult Plus
14 July 2025 at 21:36

Pas më shumë se dy dekadash, një nga grupet më ikonike të rock-ut botëror rikthehet në Tiranë për një mbrëmje që premton të shkruajë histori më 14 shtator.

Scorpions, autorët e hiteve si “Wind of Change”, “Still Loving You”, “Rock You Like a Hurricane” dhe shumë të tjera, ngjiten sërish në skenë përpara publikut shqiptar – aty ku në vitin 2001 krijuan një nga koncertet më të paharrueshme që ka përjetuar ndonjëherë ky vend.

Me një karrierë që shtrihet në mbi 50 vite, mbi 100 milionë disqe të shitura dhe turne në çdo cep të botës, Scorpions janë shumë më tepër se një grup – janë një simbol i gjallë i muzikës rock.

Biletat tashmë të disponueshme në Vivere.al./KultPlus.com

‘Me zjarr ju flas… me zjarr’

By: Kult Plus
14 July 2025 at 21:16

Poezi nga Lasgush Poradeci

Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr…

Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,
Dh’u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! Gjirin ta godas…
Dh’e hap ah! gjirin për një ças…
Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…

Ahere – helmohet e buçet
Pas mallit tim liqer-i shkret,
E rrit tallazin posi det.

Ay e tund, ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit, gjer mu në fund.

E shpirtin dyke ma përcjellë
Më thotë ah! shih sesa ‘sht’i fellë…
Ky gjir’i em që të pat pjellë…

Me zjarr ju flas…
Me zjarr…/KultPlus.com

Përkujtohet në ditëlindjen e tij, regjisori i njohur suedez Ingmar Bergman

By: Kult Plus
14 July 2025 at 20:39

Ingmar Bergman konsiderohet si një nga kineastët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Regjisori suedez ishte i veçantë, filmat e tij morën një ton personal dhe hynë thellë në sferat e paeksploruara të psikikës njerëzore. Burimet thonë se pjesa më e madhe e punës së Bergman ishte autobiografike. Mënyra se si ai eksploroi gjendjen njerëzore ishte diçka personale, diçka që nuk mund të kopjohet, transmeton KultPlus.

I famshëm për pamjet e tij nga afër, Bergman kishte thënë një herë: “Fytyra njerëzore është subjekti i madh i kinemasë. Gjithçka është aty.”

 Regjisori ka realizuar më shumë se 50 filma në karrierën e tij, shumica prej të cilëve konsiderohen si klasikë sot. Nga eksplorimi i vetvetes tek një marrëdhënie mes dy njerëzve e deri te besimi, regjisori suedez ka eksploruar shumë tema.

Ai me sukses solli në ekran të gjallë ndjenjat për të cilat shumica e njerëzve janë të shqetësuar. Regjisori i lindur më 14 korrik 1918, vdiq në korrik 2007. Sot, në përkujtim të mjeshtrit të regjisorit, ju sjellim pesë nga veprat e tij më të mira:

1.The Seventh Seal (1957)

2.Winter Light (1963)

3.Persona (1966)

4. Cries and Whispers (1972)

5. Fanny and Alexander (1982)./ KultPlus.com

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian 

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:57

Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit, shkruan atsh./KultPlus.com

Del në ankand Porsche e dizajnuar nga Dua Lipa

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:19

Gjatë fundjavës së Çmimit të Madh në Monako është prezantuar zyrtarisht një nga makinat më të veçanta të këtij viti: Dua Lipa Rennstall GT3 RS, një version ekskluziv i modelit 2024 Porsche 911 GT3 RS, krijuar në bashkëpunim me këngëtaren e njohur Dua Lipa dhe kompaninë Porsche.

Kjo makinë unike përmban paketën e kërkuar Weissach, me rrota prej magnezi, komponentë prej karboni, frenat Porsche Ceramic Composite, si dhe një motor atmosferik 4.0 litra flat-six, që arrin deri në 9,000 rpm, transmeton.

Pamja e jashtme e makinës është zbukuruar me një dizajn të veçantë dhe ngjyra të gjalla të krijuara nga vetë Dua Lipa, të frymëzuara nga energjia dhe stili vizual i turneut të saj Radical Optimism.

Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të shkojnë për Fondacionin Sunny Hill themeluar nga Dua Lipa.

Makina do të ekspozohet në Goodwood Festival of Speed si dhe në #SothebysParis, ndërsa ankandi është i hapur deri më 31 korrik./KultPlus.com

Agjencia e Kosovës për Akreditim rikthehet si anëtare me të drejta të plota në EQAR

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:07

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas vlerësimit pozitiv nga ekipi i pavarur i ekspertëve të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Sipas njoftimit të AKA, në letrën zyrtare të cilën, të hënën presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick i ka dërguar drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, thuhet: “I nderuar z. Naim Gashi, Komiteti i Regjistrit ka shqyrtuar aplikimin tuaj të datës 02.02.2024 për (riperfshirjen) në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Aplikimi juaj është aprovuar dhe përfshirja juaj do të jetë e vlefshme deri më 31.12.2029. Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”.

EQAR është institucioni më i lartë evropian që regjistron agjenci të cilat veprojnë në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë (ESG).

“Anëtarësimi në EQAR përfaqëson një njohje ndërkombëtare të punës së palodhshme dhe të përkushtuar të AKA-së në përmbushjen e standardeve më të larta evropiane, duke rritur ndjeshëm kredibilitetin dhe besueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se si rezultat, diplomat e studentëve kosovarë do të kenë vlefshmëri të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, si në kuptimin akademik ashtu dhe profesional në të gjithë Evropën dhe më gjerë, pasi që regjistrimi në EQAR është tregues se diploma vjen nga një program ose institucion që përmbush standardet rigoroze të cilësisë, duke siguruar studentët dhe punëdhënësit për vlerën e diplomës.

Nga ana tjetër, institucionet e arsimit të lartë në vend do të kenë qasje të plotë në programe të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit, mundësinë për njohjen ndërkombëtare, partneritete, financim, tërheqje studentësh dhe zhvillim të vazhdueshëm.

Me anëtarësimin në EQAR, AKA bëhet institucion kredibil, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtarë, pasi që në kuptimin e cilësisë është e barabartë me agjenci tjera për të vlerësuar institucione të arsimit të lartë nëpër Evropë dhe më gjerë.

“Pas pranimit të vendimit për anëtarësimin e AKA në EQAR Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, potencoi se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin anëtarësimin në këtë institucion ndërkombëtar. “Ky është një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë, pasi që diplomat e tyre tashmë bartin vulën e cilësisë evropiane. Kjo rrit imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës si vend me arsim të lartë në përputhje me standardet e BE-së”, citohet Ilazi në komunikatë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, theksoi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë. “Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas anëtarësimit si affiliate në ENQA në shtator 2022 dhe pas aplikimit zyrtar për EQAR në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024, një ekip prej pesë ekspertësh ndërkombëtarë vizitoi Kosovën dhe dha një vlerësim pozitiv,” tha Gashi.

Kryetarja Ilazi dhe drejtori Gashi falënderojnë për përkrahje Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, Qeverinë, Kuvendin, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë partnere ndërkombëtare që mbështetën këtë proces, në mënyrë të veçantë agjencitë homologe nga Kroacia, Austria dhe Gjermania./KultPlus.com

Kroçera “Nautica” me 676 turistë në Durrës, Rama: Përjetuan mikpritjen e pashoqe shqiptare

By: Kult Plus
14 July 2025 at 18:43

Porti i Durrësit edhe këtë sezon turistik është kthyer në ndalesën e kroçerave me turistë të huaj, të cilët ndalojnë për të vizituar qytetin bregdetar por jo vetëm.

Gjatë fundjavës që lamë pas në kalatën nr. 5 në portin e Durrësit u ankorua anija luksoze “Nautica”, duke sjellë në bregdetin tonë 676 vizitorë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga mbërritja e turistëve në port, të cilët më pas vizituan  Durrësin dhe zonat përreth.

“676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçerë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare”, shkruan Rama.

Anija “Nautica”, me gjatësi 182 m dhe kapacitet për 684 udhëtarë, lundroi nën flamurin e ishujve Marshall dhe është pjesë e flotës prestigjioze të Oceania Cruises.

Gjatë ndalesës në Durrës, turistët eksploruan sitet historike të qytetit dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar mikpritjen shqiptare dhe ofertat autentike që ofron destinacioni ynë bregdetar./atsh/KultPlus.con

Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit

By: Kult Plus
14 July 2025 at 18:00

 Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.

“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.

Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.

Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës./atsh/KultPlus.com

Rrënjët e identitetit të pasqyruara me artin e letërsisë, muzikës dhe teatrit

By: KultPlus
14 July 2025 at 17:30


Promovim i librit ” Memorie lufte” 
Koncert recital i Gjejlan Tacit “Zëri i rrënjëve”
Shfaqja “Streha e nemun” e Ilir Bokshit
Grupi “Jericho” Etno neja

Agron Gërguri


Lufta është sëmundje dhe se pasojat e kësaj  sëmundjeje mund të shërohen edhe përmes  artit të poezisë tha midis tjerash Halil Matoshi për librin hulumtues “Memorie lufte” e autores Blerina Gaxha – Rugova e cilësuar si stidiuese e ftoht pa patos emocional duke përfillur maksimen se “memoria letrare i plakë shekujt si një proces i riprodhimit të  kujtesës për mos me e lënë të vërteten me vdekë. Në librin e studimit të dhembjes  ku kurohet trauma e luftës Blerina ka trajtuar mbi 40 autorë kosovar kryesisht poet. Në këtë kontekst të trajtimit të pasojave të luftës 
Fadil Hysaj shtroj  se mos jemi vonuar me trajtimin e rrënjëve identitare qofshin edhe të dhimshme rrjedhimisht kësaj mos jemi vonuar në riparimin e asaj që është identitet i ynë. Sigurisht se trajtimit objektiv historik të luftës i duhet një distancë kohore porse kjo distancë do duhej të shkurtohet kur flasim për kurimin e traumave të luftës të cilat nganjëherë eklipsohen nga narrativa e heroizmit ndërsa zëri i viktimave nuk dëgjohet. Autorja në libër ka trajtuar disa autorë që  përmbajtshëm tematizojnl traumat e luftës. Letërsia në këtë rast përveçse një akt i rezistencës bëhet edhe proces i kurimit të pasojave të luftës. 
Skender Boshtrakaj akcentoi  çështjen e ndjeshme të grave të dhunuara në luftë dhe procesin e vështirë të gjetjes dhe rehabilimit të pasojave duke nxjerr një rrëfim prekës të një puntoreje sociale e cila tinëz opinionit kishte mbushur notesin me emra e rrëfime grash të dhunuara që mbaheshin larg opinionit.

Nga debati për dhimbjen dolëm tek pasqyrimi i asaj dhimbje përmes poezisë dhe këngës në koncertin 
“Zëri i rrënjëve” i Gjejlan Tacit e cila rrugëtimi saj identitar si një jehonë e mallit për rrënjët u tha me këngë.  Familja e saj kishte ikur në Turqi pasta nga atje në Belgjikë me baule plotë rrëfime të cilat aq ndjeshëm i  tregoj  përmes këngës Gjejlane Taci.
      Secila këngë sikur nxirrej nga  thellësi të shpirtit, si ndjesi të ndrydhura që dolnin përmes zërit të saj plotë ndjenja që  prodhonin vibrime emocionesh përshpirtëruese te spektatorët.
Nuk mundesh me u largu askund pa u takuar me vehten me botën shpirtnore aty ku rrinë e vërteta shpesh e ndrydhur dhe e frikuar si një ëndërrë që është e jona por dikush tjetër e tregon shumë para nesh. 
   Programi i këngëtares Gjejlane Taci ishte në fonin e debatit për librin e Bletina Gaxha  Rugova me fuqinë që zien brenda e do të shprehet për të treguar rrënjët e dhembjes aty ku dashuria e gjenë vehten dhe bëhet identitet. Këtë bukuri komunikimi e solli në  Etno Fest artistja Gjejlane Taci duke e fuqizuar ndjenjën e përkatësisë deri në lot që e këthjellin kujtesen dhe ne themi po e gjeta kuptimin se çka është identiteti. Transmetimun e fuqishëm të ndjenjave të estetizuara në art e ndihmuan  me instrumentimin e tyre Adorel Haxhijaj, Astrit Stafaj dhe Xhemil Gjini. 

Shfaqja e Ilir Bokshit “Streha e nemun” tragjikomedi bazuar në veprën “Liza në Maj” nga Zsolt Pozgaj

Kryepersonazhi Liza(Albulena Kryeziu Bokshi) në kërkim të kuptimit të jetës: Pjepëri në supë, peshku, pija, rubineti i prishur, tjetërsimi dhe sistem i prishur i vlerave që pret riparim njohje e rinjohje pikësëpari të vetevetes, një grua e cila kërkon një burrë të munguar ideal i cili nuk ekziston andaj asaj të gjithë mëtonjësit  “aksidentalisht” i vdesin  apo ajo i vret në përpjekje për ta vrarë pakënaqësinë me jetën. 
Kur trupi mbetet e vetmja shprehje e dashurisë atëherë ajo është në dhimbjet e saj të vdekjes. Liza është një produkt i jetës me një ritëm të pabërballueshëm që prodhon stres andaj në ato kushte nuk mbinë dashuria.
Dhe ate e lë edhe vetja … Këtë rrëfim skenik Ilir Bokshi kishte zbërthyer  me elemente të humor të zi dhe ironisë së fatit edhe psr secila skenë përfundonte në vrasje sado në dukje aksidentale situatat ishin të besueshme ngase zbërtheheshin domethënëshëm përmes lojës së aktorëve me mizanskenë të organizuar mirë dhe veprime miniaturiale që fuqizonin reagimin e publikut. 
Loja e aktorëve dhe regjisura zbërthyese deri në detaje  miniaturale e karakterizonin rrëfimin skenik plotë ritëm dhe dinamikë për të nxjerr fuqishëm mesazhin se të vërtetën martesore apo martesen ideale e gjenë vetëm në vdekje….Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina.
Pas ilaritetit që provokoj shfaqja spektatorët u mblodhën tek “qilimi fluturues i gjyshes”  në koncertin e grupit “Jericho” që ishin nikoqir të mbrëmjes duke kënaqur  mysafirët me këngë rok me bazë etnike duke krijuar atmosferë festive, hare dhe vallëzim.

Etno fest po përmbushë përmbajtësisht pritshmërit e audiencës me programe të koncipuara të cilat plotësojnë njëra tjetren në rrëfimin për identitetin dhe poashtu japin kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e një sistemi vlerash pa të cilin nuk ka as identitet të konsoliduar/ KultPlus.com

163 vjet nga lindja e Gustav Klimt, bohemit të pikturës simboliste vjeneze

By: Kult Plus
14 July 2025 at 16:59

Gustav Klimt do të mbamendet në historinë e artit ndër më të kurajshmit bohem të pikturës. Biri i një argjendari të pafat do të qëndiste me ar dhe zjarr penelatash të epshme përvojat dhe përjetimet më të zellshme të gjakut dhe kurmit. Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale të deriatëhershme, ose më saktë e pasuroi atë duke e përjetësuar seksin dhe epshin me elementë dhe shprehës më cytës, gjithnjë brendandjesor dhe shpërthyes.

E lartësoi si pakkush tjetër deri asokohe femrën, duke e shndërruar atë në një simbolikë qëndore të universales. Ai e ngërthen në themel të gjithçkasë dhe e pjesëmerr në çdo ngjizje amshimi. Depërton brenda saj jo vetëm seksualisht. Rrëmon në fundin e kësaj qënie dhe gjen kuptimin e shumëçkasë dhe nuk druhet t’ia kumtojë botës si një zbulim. Në një shumësi punësh ai i’u kushtua trupit të gruas, spariherë si energji përtëritëse dhe si mjet komunikimi estetik. Kjo epërsi, ky dominim i femrës, nuk kridhet në tablonë e piktorit  në mënyrë rastësore. Ajo vendoset si element shprehës, si nevojë e mjeshtrit për ta orjentuar shpërthimin kumtues përnga gufojnë përjetimet dhe jetësimet në tablotë e tij monumentale.

Shpirti i këtij gjahtari gjendjesh të epshme priret të dëshmojë njëherash dhe botëkumtimin që ngas në këtë lojë të prushtë përjetimi dhe krijimi.

Gustav Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të tij, se “I gjithë arti është erotik”, në veprën që la, dëshifrojmë huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një terren parafrojdian shtresohej prej humusit së tij kumtues. Në tablo, një hapësirë e zbrazët e ndjek si një domosdo për ta mbushur me ngjyrën që ai i jep ofsheve. Shpesh ky bosh i ngjan një jehone të frikshme, e mbushur me makth dhe panik. Sepse ai jeton tokësoren e konsumimit të këtij akti të hyjshëm. Jeton krisjen dhe thyerjen. Sprovon, ndalet dhe riniste sërish më me zjarr. Femra që ka marrë në dorë frerët e zotërimit të mashkullit e ngjeth piktorin dhe ai e dëshmon hera-herë.

Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja. Klimt është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një “orgazme vrasëse” në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim estetik i jashtëzakonshëm i Klimt, parajsa është një nga motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Për të kulmuar te “The Kiss”, e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqsi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk e ndalën, Gustav Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapsira që zbraztësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.

Një ngasje që të përfshihet stuhishëm në një gjëndje, gjithnjë të mbarsura me pasioni dhe pjesëmarrje të vetvetishme në atë shtjellë çuçuritëse ndjenjash dhe afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është në të gjithmonshmen e pranisë artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij shugurimi të epërm, të domosdosë së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar, se në jetën e tij, seksi dhe femrat, janë të rëndësishme. Arti dhe familja gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në fund për mjeshtrin e madh, një domethënie botkuptimi dhe shëmbëllimi sublim. Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijet me bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitar të asaj që përcaktojnë veçorinë dalluese të këtij kolosi të brendisë së emëtuar në pikturë.

Në galerinë e pamatë të piktorit, është e kudogjendur ajo që do ta bënte këtë penel, një admirim i gjithmonshëm, një kurth ku shkrehet çdo andje, joshja. Koloriti i zgjedhur, teknika e përdorur, përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë me personazhin femër, universin e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vet Klimt, e në vijimsi të femrës më realitetin seksual, me filozofinë e funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt. Ai përgjon brenda vetes, si të mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë, linjë, dritëhije a sfond.

Vetvetja i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me femrat, pasionin, seksualitetin, epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimesionin ekzistencial. Klimt, me gjasë, s’kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë për seksin, për marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve uturitëse të gjakut dhe kurmit. Ai “guxoi” që tabutë ti kthente në shprehje estetike, në marrëdhënie artistike, një dimesion të ri komunikimi për botkuptimin e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka mbushur deri në buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më pak zjarrvënëse, ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se e gjithë ajo masë që mbush e çmbush papushim atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe duke e bërë këtë si kurrkush tjetër derimtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por ngulmoi dhe mbërriti. Po, përnjimend mbërriti në atë pjedestal që as ai vetë nuk e bluante në hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin asokohe.

Femra një tipar joshës u përfshi në subjekt dhe impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Ai vetëm sa konstatoi atë qe ishim, jemi dhe do të mbetemi të njëmendtë. Femrë, dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e transformoi në një nocione soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbete një trill, një vegim, por një realitet.

Ajo është aty para nesh e gatshme të ofrohet dhe sejcili ndër ne të jepet.  Në pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar, për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën duke e ndërfutur lakuriqsinë nën poren e delikate të qëmtesave simboliste. Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t’i derdhur jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i nderen përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike, që e djeg përbrenda, që e ysht ngutaz, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në sytë që shohin përmbytaz. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t’iu dhënë çdo soditjeje.

Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbraztësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel.

Kush ishte themeluesi i shkëputjes vjeneze

Gustav Klimt lindi më 14 korrik të vitit 1862 në Baumgarten, në rrethinat e Vjenës. I ati, emigrant nga Bohemia, dështoi në zanatin prej argjendari dhe fëmijët e tij u rritën në varfëri të skajshme. Familja e Klimt, ashtu si shumë të tjera në Vjenën e viteve 1860, ishte në gjendje shumë të keqe financiare. Ata jetonin në shtëpi të vogla, të errëta, duke ndryshuar shpesh adresë, gjithnjë në kërkim të një strehe të lirë. Kur ishte vetëm 14 vjeç, Gustav la shkollën, por arriti më pas të regjistrohej në një kolegj lokal për art dhe punime artizanale. Në kolegjin “Bÿrgerschule”, aftësitë e tij artistike ranë menjëherë në sy. Aplikoi dhe siguroi një vend në “Kunstgewerbeschule”, Shkollën e Artit dhe Punimeve Artizanale në Vjenë, një prej dy shkollave publike në kryeqytet. Ai ishte aq i talentuar saqë fitonte duke hyrë në komisionet e pikturave në shkollë. Krijoi një shoqëri me vëllezërit Ernst dhe me një student tjetër, Franz Matsch. Deri në vitin 1890 kompania “Klimt-Matsch & Co.” fitoi shumë me anë të komisioneve për ndërtesat e reja që ngriheshin. Deri në fund të qëndrimit në “Kunstgewerbeschule”, Klimt së bashku me ortakët e tij themeloi edhe një shoqëri artistësh, “Kÿnstlercompanie”. Kur u largua nga shkolla në vitin 1883, Klimt dhe Matsch nisën të punonin me kohë të plotë për të piktuaruar me porosi. Klimt dëshironte të konsiderohej si një piktor i dekoracioneve arkitekturore, një reputacion që vihej në dukej nga natyra e komisioneve të hershme në karrierën e tij, ku përfshihen punimet në kisha, muzeume dhe teatër. Disa seri pikturash si “Alegoritë” dhe “Emblemat” u prodhuan me kërkesën e një pronari. Pas këtij suksesi iu kërkua një tjetër seri që u realizua në vitet 1896- 1900, ku përfshihet edhe piktura e Klimt “Tragjedia”. Në këtë pikturë, dolën në pah elementë që do ta karakterizonin artistin në veprat e mëvonshme: zona të përqëndruara në detaje, ngjyrat e arta, forma e femrës, simbolizmi klasik dhe hapësira abstrakte.

Në vitin 1897, ai ishte figura kryesore në themelet e shkëputjes vjenez, dhe pas pak vitesh ai kishte bërë përfaqësuesi më i mirë i stil modern. Në vitet e mëvonshme, ai tregoi një vlerësim të avant-gardës, tendencave të Ekspresionizmi. Talenti i jashtëzakonshëm i siguroi suksesin e punës që përmbante materiale të ndryshme shprehëse në një përbërje, duke kujtuar traditat gotike dhe bizantine, ndërsa gjithashtu duke parashikuar artin multimedial të shekullit të 20-të.

Synimi drejt kreut ia mbushën rrugën me gropa të thella dhe vramëndje të mëdha. Mitin e tij në embrion e sulmojnë skandalet periodike, si në rastin e pikturave të tij në Universitet, i cili më në fund duhej ti hiqte. Edhe pse Perandori Franz Josef I, e kishte nderuar Gustav Klimt me “Urdhërin e Artë e Meritës”.  Klimt vendos të rebelohet, të dëshmojë vetveten: “Mjaft prej censurës … Unë dua të largohem … unë refuzoj çdo formë të përkrahjes nga shteti, unë do të bëj pa të…” /albertvataj/ KultPlus.com

Kënga e vallëzim si pikëtakim i identitetit njerëzor

By: KultPlus
14 July 2025 at 16:23

Në Natën e tretë të Etno Fest  2025 u prezantuan:
Vjosa Robelli Mripa, këngëtare
“Sarakassi dancer”  grup i vallëzimit nga Keni
“Melodia e vjetër” i Nezafete Shalës

Agron Gërguri

Natën e tretë të Etno Fest 2025 e nisi këngëtarja Vjosa Robelli – Mripa me këngë të njohura të përpunuara në jazz.
Shumë këngë të mia janë investim në identitet dhe vijnë nga trashëgima e pasur e identitetit tonë  kulturor tha në nisje të koncertit të saj këngëtarja Vjosa Robelli. Këngët e përpunura në  jazz preknin thellësin e vlerave të etnosit dhe përpikshmërisht intehrohesjin në ambientet dhe frymen e Etno Fest-it i cili po bëhet vendakim jo vetëm i artistëve dhe traditës por tashmë edhe me artistë e arye të kombeve tjera
Këngëtarja me një.zë.të ëmbël të cilën e përcillte trio e instrumentistëve:Nikos Ziarkas (gitarë), Theodoros Ziarkas (kontrabas), Gizem Altınordu (perkusion) përveç tjerash solli një rrëfim për vitet e 90 – ta kur pësuan shumë fëmijë me një  kënga dedikuar atyre që shkaktojë  emocione të fuqishme. Vjosa këndoj për Nënën si mbretëreshë e jetës,  vajzërinë e dashurinë duke përmbushë kënaqësin e spektatorëve të cilët disa nga këngët i kënduan bashkë me Vjosën.



Spektakël i vallëzimit dhe akrobacioneve mahnitëse të grupit ” Sarkassi dancer” nga Kenia



Në skenën e re të Etno Festit në platon e së cilës  dominon piktura “Qilimi fluturues i gjyshes” u paraqiten dance grupi “Sarakassi Dancer”  nga Kenia të cilët me vallëzim e akribacione mahnitëse rrëfyen për
jetën, dashurinë,  vdekjen, lirinë, gëzimin, pikëllimin të gjitha me një ritëm.të “çmendur” si shprehje fundamentale e mundësive fizike,  duke krijuar figura të kuptueshme që prodhonin emocione dhe krahasueshëm shtrohej  pyetja  njerëzit gjithëandej  kanë kaluar nëpër shumë ravgime e krajata për ta dëshmuar identitetin dhe se  ky pikëtakim sonte në etno fest ishte madhështor. Përveçse një spektakël i lëvizjes harmonisë ritmit dhe shprehjes plotë ndjenja përmes vallëzimit dhe akrobaconeve në fund vallëzuan bashkë me grupin të gjithë spektatorët që ishinë sonte në Etno Fest, edicioni i 25 -të.  Një pamje madhështore që krijoj emocione gëzimi e hareje e cila e përligjte thënien ” ate që s’ta them dot me fjalë ta tregoj me vallëzim”. 


Për të vazhduar etno nejen me grupin e Nezafete Shalës “Melodia e vjetër” të cilët e kapen emocionin aty ku e la danc grupi nga Keni,  vallëzimi e kënga vazhduan duke u bërë një me dëshirat e shumë spektatorëve të etnofestit i cili sivjet po prek dimensione të reja të vlerave të etnosit si urë komunikimi midis popujve në shërbim të identitetit njerëzor ku dashuria dhe respekti për tjetrin bëhen mënyrë e komunikimit.
 Konstatojmë se në natën e tretë  të Etno Festit përmes muzikës, vallëzimit dhe zërit dhe gjuhës së trupit  dhe melodisë u prekën rrënjët  e identitetit njerëzor./ KultPlus.com

Britanikët dhe klubet që përjashtonin gratë: Një traditë që sfidohet

By: KultPlus
14 July 2025 at 16:13

Tre shekuj pas shfaqjes së tyre të parë, klubet tradicionale elitare për burra në Londër, që vazhdojnë të frekuentohen nga anëtarë të familjes mbretërore dhe figura të fuqishme politike apo ekonomike, jo vetëm që kanë mbijetuar, por edhe janë përshtatur me kohën.

Ndërsa debatet vazhdojnë për lejimin e grave në klubin e famshëm “The Garrick”, një libër i ri hedh dritë mbi këtë fenomen unikisht britanik dhe historinë e tij të gjatë.

Për më shumë se 300 vjet, Londra ka qenë epiqendra botërore e klubeve private për anëtarë të përzgjedhur. Askund tjetër në botë nuk kanë ekzistuar kaq shumë hapësira të mbyllura e ekskluzive, që shpesh funksionojnë larg syve të publikut. Sot, me 133 klube në funksionkryeqyteti britanik lë pas me shumë diferencë edhe rivalin më të afërt, New York-un, ku ndodhen vetëm 53 klube të tilla.

Shumë prej klubeve historike vetëm për burra në Londër kanë ecur me kohën dhe tashmë pranojnë edhe gra si anëtare.Por ndoshta më i njohuri në botën tradicionale të “klubeve të zotërinjve”, The Garrick Club, i themeluar në vitin 1831, u bë pjesë e lajmeve vitin e kaluar kur vendosi më në fund të heqë rregullin që lejonte vetëm burra.

Megjithatë, që atëherë vetëm një numër shumë i vogël grash është pranuar si anëtare, dhe muajin e kaluar, gazetarja e njohur britanike Julie Etchingham tërhoqi kandidaturën e saj. Sipas raportimeve, disa kandidate potenciale ndihen të pazgjedhura përballë një procesi të gjatë verifikimi dhe një klime të ftohtë e mospranuese nga shumë prej anëtarëve ekzistues.

Ndërkohë, klubi Savile votoi më herët këtë vit për të vazhduar përjashtimin e grave, duke treguar se qëndrimet konservatore ende qëndrojnë të ngulitura thellë në disa prej këtyre institucioneve.

Një libër i ri me titull “Londra e Klubeve: Një Udhërrëfyes për Kuriozët”, nga Dr. Seth Alexander Thévoz, ofron një vështrim të detajuar klub pas klubi mbi këtë botë të mbyllur e plot tradita. Libri shpalos veçoritë e secilit klub, rregullat, zakonet, historitë e pazakonta, madje edhe ndonjë recetë nga kuzhina e tyre.

Sipas autorit, klubet kanë qenë të detyruara të ndryshojnë për të mbijetuar, dhe ata që vazhdojnë të funksionojnë sot, zakonisht i shërbejnë një grupi të veçantë dhe të përzgjedhur anëtarësh.

Dr. Thévoz beson se, ndonëse koncepti i klubeve është i rrënjosur në psikologjinë njerëzore anembanë botës, në Britaninë e Madhe ai ka një jehonë të veçantë kulturore. Në një intervistë ai shprehet:
“Britanikët gjithmonë e kanë pëlqyer sigurinë dhe përkatësinë që sjell anëtarësia në një klub. Ata janë thellësisht të lidhur me kulturën e shoqërimeve vullnetare, që nga fëmijët që i bashkohen skautëve apo guidave, e deri te të rriturit që angazhohen në shoqëri amatore teatrale.”/ KultPlus.com

Kërkohet ndërhyrje për Fortesën Trekëndore, monumenti venecian që sfidon kohën

By: KultPlus
14 July 2025 at 15:37



Fortesa Trekëndore, një nga strukturat më madhështore dhe domethënëse të trashëgimisë historike të Butrintit, po përballet me nevojën urgjente për ndërhyrje konservuese. E pozicionuar në bregun jugor të Kanalit të Vivarit, kjo kala e veçantë jo vetëm që përfaqëson trashëgiminë veneciane në rajon, por është edhe një pikë strategjike e sistemit fortifikues të Butrintit, që lidh pjesën fushore me atë detare përmes kanalit.

E ndërtuar në formën e një trekëndëshi, prej të cilës merr edhe emrin, fortesa përfshin tre kulla rrethore, ndër të cilat ajo në këndin jugperëndimor është ruajtur në lartësinë e saj të plotë. Struktura përfshin elementë arkitektonikë të ndërtuar në faza të ndryshme, përfshirë mure të fuqishme, frëngji me mbulesë pllakash dhe një kullë dykatëshe, duke dëshmuar mjeshtërinë ndërtimore të periudhave pas-klasike.

Për të arritur te Fortesa Trekëndore, vizitorët dhe stafi i parkut udhëtojnë me lundër përmes Kanalit të Vivarit, duke e bërë atë një përvojë të veçantë dhe autentike. Lundra mbetet mjeti i vetëm i aksesit, duke shtuar magjinë e këtij vendi historik.

Sipas Planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit, Fortesa Trekëndore është përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara për konservim, për të siguruar ruajtjen afatgjatë të saj dhe rritjen e potencialit për aktivitete kulturore dhe komunitare, që mund të zhvillohen në oborrin e brendshëm të saj të gjerë.

Kalaja përfaqëson një dëshmi të gjallë të ndikimit venecian dhe të rolit të Butrintit si një pikë strategjike ushtarake dhe tregtare në shekuj. Si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ajo është jo vetëm një objekt historik, por edhe një pasuri e çmuar që duhet mbrojtur me përkushtim.

Autoritetet bëjnë thirrje për rëndësinë e ruajtjes së saj, jo vetëm si pjesë e trashëgimisë kombëtare shqiptare, por edhe si një atraksion i rëndësishëm për turizmin kulturor në jug të vendit./ KultPlus.com

A e dini që UNI është institucioni i parë privat në Kosovë me akreditim maksimal 5-vjeçar?

By: KultPlus
14 July 2025 at 15:15

Ne nje kohe kur informacioni i pasakte shpesh ngjall pasiguri, eshte e rendesishme qe studentet dhe prinderit te kene fakte te qarta perpara se te marrin vendime te rendesishme per te ardhmen akademike . Nje nga pyetjet me te shpeshta qe na behet eshte: “A eshte UNI i akredituar?” Jo vetem qe UNI eshte i akredituar, por eshtee edhe i pari institucione private ne Kosove qe ka marre akreditimin institucional per periudhen maksimale prej 5 vitesh, ashtu siç parashikohet nga rregulloret e Agjencise se Kosoves per Akreditim.

https://universum-ks.org/akreditimi-antaresimi

Ky akreditim nuk eshte thjeshte simbolik. Ai bazohet ne nje proces te nderlikuar dhe plotesisht te pavarur, i cili udhehiqet nga eksperte nderkombetare me eksperience te gjere ne vleresimin e arsimit te larte. Keta eksperte analizojne me kujdes nje sere fushash, duke filluar nga misioni dhe vizioni i institucionit, perberja dhe kualifikimi i stafit akademik, struktura e menaxhimit dhe proceset e brendshme, e deri te infrastruktura fizike dhe dixhitale qe u ofrohet studenteve. Me rendesi te vecante eshte fakti se vleresimi nuk fokusohet vetem ne dokumente, por ne meryren se si institucionet krijojne nje pervoje arsimore dhe domethenese per studentin. Qellimi i ketij procesi eshte te siguroje qe studenti te marre jo vetem njohuri teorike, por edhe aftesite praktike, mendimin kritik, dhe kompetencat e nevojshme per te pasur sukses ne jete dhe karriere.

 Per me teper, akreditimi institucional i UNI-te forcohet edhe me shume nga partneriteti strategjik me Arizona State University (ASU), nje nga universitetet publike me te medha dhe me me reputacion ne SHBA. Ky bashkepunim transformon pervojen studentore ne UNI, duke i mundesuar studenteve te ndjekin nje edukim me standarde amerikane, pa u larguar nga Kosova. Nepermjet planprogrameve te harmonizuara, qasjes ne teknologjine dhe metodologjine e ASU, si dhe me trajnime te stafit nga ekspertet amerikan, studentet perjetojne nje arsim bashkekohor, interaktiv dhe te orientuar drejt zhvillimit te aftesive praktike. Per me teper, studentet kane mundesi reale te vazhdojne studimet ne SHBA dhe te marrin nje diplome amerikane nga Arizona State University, duke u bere konkurues global ne tregun e punes.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Arizona State University (ASU) – Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion dhe një nga më të mëdhenjtë në botë!

💡 Krijo suksesin tënd me edukim amerikan – në Kosovë!
📝 Apliko tani dhe fillo rrugën drejt një karriere të sigurt dhe ndërkombëtare!

Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, info@universum-ks.org ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram.–/ KultPlus.com

Brenda shkollës sekrete të mozaikut në Itali

By: KultPlus
14 July 2025 at 14:45

E fshehur në qytetin e qetë Spilimbergo, në rajonin verilindor të Friuli-Venezia Giulia, ndodhet një nga institucionet më të veçanta të artit në botë, “Scuola dei Mosaicisti del Friuli”, shkolla e vetme në botë e përkushtuar plotësisht artit të mozaikut. Për më shumë se një shekull, kjo shkollë ka ruajtur e zhvilluar një traditë që shkon pas në kohë deri te Mesopotamia, Roma e Lashtë, Bizanti dhe bota islame, duke edukuar breza të krijuesve të mozaikëve me mjeshtëri të rrallë.

Sot, ajo është institucioni i vetëm akademik në botë që i është kushtuar plotësisht artit të mozaikut. Studentë të të gjitha moshave, nga maturantë e deri te artistë në mes të karrierës, vijnë nga e gjithë bota për t’u regjistruar në programin e saj intensiv trevjeçar. Gjatë kësaj kohe, ata mësojnë teknikat historike të mozaikut, nga modelet e ndërlikuara greko-romake deri te kompozimet ndriçuese byzantine, përpara se të eksperimentojnë me dizajne më bashkëkohore dhe të lira në formë.

Në vitet e fundit, shkolla është shndërruar edhe në një destinacion më vete, duke tërhequr udhëtarë të apasionuar pas dizajnit që ngelen të mahnitur nga bota unike e mozaikëve. Të interesuarit mund të vizitojnë ambientet e saj përmes tureve publike apo private. Rreth 40,000 vizitorë e bëjnë këtë çdo vit, duke e kthyer Scuola Mosaicisti në një nga vendet më të vizituara në rajonin e Friulit.

Ndërsa rreth 40 studentë pranohen çdo vit në programin trevjeçar, jo më shumë se 15 prej tyre e përfundojnë të gjithë kurrikulën, duke fituar titullin maestri mosaicisti (mjeshtër mozaiku). Nga këta, vetëm një grup i përzgjedhur prej gjashtë vetash vazhdojnë një vit të katërt  një lloj masteri për të përmirësuar edhe më tej aftësitë e tyre dhe për të thelluar mjeshtërinë në këtë art të veçantë.

Në të vërtetë, krijimi i mozaikut është një mjeshtëri jashtëzakonisht precize. Ai kërkon që artisti të vendosë me kujdes qindra, e madje mijëra, copëza të vogla të quajtura tesserae (që mund të jenë të vogla deri në 0.5 cm), për të formuar modele të ndërlikuara dhe skena me pamje të gjallë. Të punuara nga mermeri, xhami, smalto (pllaka xhami të errëta dhe të padepërtueshme) dhe madje edhe nga guaskat, këto inkrustime të vogla kërkojnë mjeshtëri të hollë dhe një ndjeshmëri intuitive ndaj ritmit dhe vendosjes.

Siç vuri në dukje edhe Brovedani, kjo është gjithashtu një punë thellësisht bashkëpunuese. Mozaikistët zakonisht punojnë individualisht në pjesë të veçanta të një kompozimi të madh, por efekti i vërtetë i punës së tyre shfaqet vetëm kur shihet në tërësi. “Është një zanat që, në një mënyrë, të kërkon të ‘zhdukësh’ veten,” tha Cristina de Leoni, mësuese në vitin e tretë. “Një pllakatë e vetme nuk thotë shumë, por së bashku me të tjerat, ajo krijon një vepër arti. Nuk ka vend për ego në krijimin e mozaikut.”

Duke hedhur një vështrim mbi historinë e pasur të këtij arti  që daton që nga Mesopotamia në mijëvjeçarin e 3-të p.e.s. dhe shtrihet përtej kombeve e kulturave, nga grekët te majat, nga Perandoria Bizantine te bota islame, bëhet e qartë ajo që tha Cristina de Leoni. Në artin e mozaikut nuk ka Giotto apo Raphael, as Mona Lisa të vetme. Ky formë shprehjeje ka qenë gjithnjë e mbështetur mbi mjeshtëri anonime, duke ecur në një vijë të hollë mes artit dhe artizanatit.

Kjo është edhe më e vërtetë në Friuli-Venezia Giulia, ku mozaikistët nuk pushuan kurrë së zhvilluari mjeshtërinë, edhe pse ajo doli nga vëmendja që nga periudha e Rilindjes. Me bollëkun e gurëve nga Tagliamento (lumit kryesor të Friulit) dhe lidhjet e ngushta kulturore me Venecian, një qytet që për shekuj me radhë ka qenë në epiqendër të artit dhe mjeshtërisë europiane, rajoni u bë në mënyrë të heshtur një bastion i traditës së mozaikut, me artistë të kërkuar në mbarë kontinentet.

Në shekullin XIX, artisti friulan Gian Domenico Facchina ndihmoi në futjen e mozaikut në epokën moderne, duke shpikur metodën rovescio su carta (mozaiku me kthim mbi letër), që lejonte montimin e paneleve jashtë vendit të instalimit, një revolucion për përmasën dhe shpejtësinë e realizimit. Foaerja e Opéra Garnier në Paris ishte vendi i parë ku kjo teknikë u shfaq për publikun.

Që prej atëherë, mozaikistët friulanë, shumica e të cilëve janë formuar në Spilimbergo, kanë lënë gjurmë në mbarë botën: nga kompleksi sportiv ikonik Foro Italico në Romë, te stacioni i metrosë në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, nga kupola e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, deri te galeritë e Tokios. Këto vepra janë dëshmi e një tradite që vazhdon të evoluojë, pllakatë pas pllakatë.

“Dyshimi që mbart mozaiku e bën atë pafundësisht magjepsës,” thotë Purnima Allinger, një studente e vitit të tretë që la pas një karrierë në marketing në Berlin për t’iu përkushtuar mozaikut. “Është një zanat i saktë dhe meditativ, por njëkohësisht shprehës dhe emocional si arti. Gjithmonë kalon nga njëra gjendje në tjetrën – dhe kjo të mban tërësisht të përfshirë.”

Amos Carcano, një maestro mosaicista nga Zvicra, e konfirmon këtë ndjesi. “Punon me duar, por njëkohësisht je gjithmonë në proces shpikjeje, luan me teksturën, ngjyrat dhe modelet. Mozaiku bashkëkohor i shtyn këto kufij edhe më tej. Është traditë, por njëkohësisht e hapur dhe e lirë.”

Aktualisht, Carcano është një nga 10 ish-studentët që po punojnë në një nga veprat më ambicioze të shkollës deri më sot: një dysheme mozaiku prej 1,265 metrash katrorë në oborr, që paraqet florën dhe faunën karakteristike të Friulit, një projekt që pritet të zgjasë më shumë se një vit.

Nuk janë vetëm maestri-t që krijojnë për shkollën. Të gjithë ata mozaikë që pashë gjatë vizitës sime? Janë vepra të studentëve të mëparshëm dhe atyre aktualë. “Ne e mendojmë shkollën si një bottega – një punishte,” thotë Danila Venuto, pedagoge e historisë së mozaikut. “Dhe në një punishte, mëson duke punuar. Është krejtësisht e natyrshme që studentët të vihen në punë sapo fillojnë të mësojnë ABC-në e mozaikut. Ky është një zanat që mësohet dhe mbahet gjallë vetëm përmes praktikës.”

Dhe gjithnjë e më shumë, mozaiku mund të mësohet edhe nga vizitorët. Shkolla ofron corsi brevi,  kurse të shkurtra që variojnë nga intensive katërditore deri në programe njëjavore, për t’u dhënë udhëtarëve një hyrje praktike në artin e mozaikut.

 “Njerëzit nga Spilimbergo,  dhe nga i gjithë Friuli, janë shumë krenarë për këtë traditë shekullore,” thotë Danila Venuto. “Bërja e mozaikut është pjesë e ADN-së sonë kulturore, një trashëgimi e vërtetë friuliane.”/ KultPlus.com

Kate Middleton shkëlqen në Wimbledon me dy paraqitje radhazi – emocion dhe elegancë mbretërore

By: KultPlus
14 July 2025 at 14:15


Kate Middleton, Princesha e Uellsit, bëri dy paraqitje të njëpasnjëshme dhe tërheqëse në Wimbledon 2025, duke treguar edhe një herë përkushtimin e saj si patrone e All England Lawn Tennis and Croquet Club.
Pjesëmarrja e saj më 12 korrik
Një ditë para finales së meshkujve, më 12 korrik, Middleton mori pjesë në Finalen e Femrave e veshur me “Wimbledon whites” ,një fustan të bardhë elegant me mëngë të shkurtra nga marka Self-Portrait, me fund të palosur midi dhe korse me rrip në bel. Si pjesë e rolit të saj zyrtar, ajo mbante gjithashtu edhe simbolin e  famshëm të Wimbledon , një gjilpërë me ngjyrë vjollcë dhe jeshile.
Gjatë finales, Princesha e Uellsit pati nderin të dorëzonte trofetë për fituesen Iga Swiatek dhe nënkampionen Amanda Anisimova. Pas një humbjeje të rëndë pa fituar asnjë set, Anisimova shpërtheu në lot në fund të ndeshjes. Më vonë, ajo tregoi për gazetarët se Middleton e kishte inkurajuar duke i thënë: “Mbaje kokën lart”. “Ajo më tha disa fjalë që më emocionuan edhe më shumë,” shtoi tenistja amerikane.
Rikthimi familjar më 13 korrik
Të nesërmen, më 13 korrik, Kate Middleton u rikthye në tribunën mbretërore për Finalen e Meshkujve, këtë herë e shoqëruar nga Princi William dhe dy fëmijët e tyre, Princi George dhe Princesha Charlotte. Ajo veshi një fustan të kaltër mbretëror me mëngë me detaje në formë fjongosh, duke mbajtur me vete një kapelë kashte të gjerë me fjongo të zezë dhe taka ngjyrë kafe. Vathët e vegjël rrethorë dhe një varëse e artë me medalion rrumbullak plotësonin pamjen e saj elegante, ndërsa flokët i kishte të lëshuara me onde natyrale dhe ndarje anësore.
Familja mbretërore u koordinua në mënyrë perfekte: William me një xhaketë blu të errët dhe pantallona krem, Charlotte me një fustan të bardhë me rruffle në supe dhe George me një kostum blu të errët.
Një kthim me emocione të veçanta
Middleton ka munguar vetëm një herë në Wimbledon që nga martesa e saj në vitin 2011 – në vitin 2013, kur ishte shtatzënë me Princin George. Vitin e kaluar, në 2024, ajo kishte bërë një paraqitje shumë të ndjerë në turne, vetëm katër muaj pas shpalljes publike të diagnozës së saj me kancer. “Ajo ka kaluar diçka shumë të vështirë dhe është e rëndësishme të ketë momente për të cilat mund të gëzohet, ky ishte një prej tyre,” tha një burim për revistën People.
Përmes stilit, forcës dhe ndjeshmërisë së saj, Kate Middleton vazhdon të jetë një figurë frymëzuese në jetën publike britanike  dhe Wimbledon mbetet një nga skenat ku ajo shfaqet më e afërt me publikun./ KultPlus.com

❌
❌