Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

By: Kult Plus
2 August 2025 at 15:30

Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

“Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht./atsh/KultPlus.com

Projekti që nxjerr në dritë monumentet e harruara, ‘Triada e Trashëgimisë së Arbërit’

By: Kult Plus
2 August 2025 at 14:30

Organizata mjedisore ‘REC Albania’ ka zhvilluar projektin “Triada e Trashëgimisë së Arbërit”, duke organizuar një eksperiencë të paharrueshme kampingu në Kepin e Rodonit, një prej siteve të restauruara në kuadër të programit EU4Culture.

‘REC Albania’, e njohur për angazhimin e saj në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes këtij projekti ka sjellë në vëmendje disa prej monumenteve kulturore dhe natyrore të shpesh të anashkaluara. Ndër to përfshihen Kisha Manastir në Rubik, Ura e Kurçajt dhe Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Projekti ndërthur edukimin, turizmin e qëndrueshëm dhe ndërgjegjësimin mjedisor, duke përfshirë të rinjtë dhe komunitetet lokale në procesin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë.

Kjo nismë realizohet me mbështetjen e programit të granteve EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Triada e Trashëgimisë së Arbërit” synon jo vetëm të rikthejë vëmendjen te këto thesare historike dhe natyrore, por edhe të ndërtojë ura mes brezave të rinj dhe trashëgimisë së tyre kulturore përmes përvojave gjithëpërfshirëse dhe ndërgjegjësuese./atsh/KultPlus.com

Enigma e Mesopotamisë

By: Kult Plus
2 August 2025 at 12:05

Në librin “The Mesopotamian Riddle”, gazetari dhe shkrimtari amerikan Joshua Hammer sjell një rrëfim të gjallë dhe plot ndërlikime për përpjekjet shekullore për të deshifruar gjuhët dhe shkrimet më të hershme të njerëzimit, ato të Mesopotamisë së lashtë.

Një nga episodet më të paharrueshme të këtij rrëfimi është zbulimi i bërë në fillim të viteve ’60 të shekullit XX nga George Smith, i cili në rrënojat e bibliotekës së djegur në Ninevë gjeti një fragment të historisë së Utnapishtimit, një mbret i mirë që shpëtoi nga një përmbytje e madhe duke ndërtuar një anije, shekuj përpara rrëfimit të Noes. Ky tekst është pjesë e Epit të Gilgameshit dhe ishte shkruar me shkrim kuneiform, një sistem gërmimesh trapezoidale mbi pllaka balte, i krijuar përmes një kallami të mprehur.

Në qendër të librit janë tre figura që u përfshinë në garën për të deshifruar kuneiformin:
Henry Rawlinson, një ushtar britanik dhe punonjës i Kompanisë së Indisë Lindore, që punoi mbi mbishkrimet shumëgjuhëshe të Behistunit në Iranin perëndimor. Ato përmbanin të njëjtin tekst në persishten e vjetër, elamisht dhe akadianisht, dhe nëse deshifrohej njëra, të tjerat mund të kuptoheshin më lehtë. Rawlinson përdori kallëpe papier-mâché për të riprodhuar shkrimet dhe pretendoi se ia doli të deshifronte tekstin, ndonëse shumë nga përfundimet e tij u sfiduan më vonë.

I dyti ishte Austen Henry Layard, një arkeolog praktik dhe këmbëngulës, që punoi me Rawlinsonin dhe bëri zbulime të rëndësishme në rajonet e lashta mesopotamike.

I treti, Edward Hincks, një pastor irlandez dhe njohës i hebraishtes, vuri re ngjashmëri të thella midis teksteve kuneiforme dhe tregimeve biblike. Edhe pse shpesh i anashkaluar nga bashkëkohësit, ai më vonë mori vlerësimin që i takonte për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në këtë fushë.

Hammer i përshkruan këta tre si një “pas de trois herë miqësore, por shpeshherë kontradiktore”. Libri është i mbushur me histori dytësore, që nga Lufta e Krimesë dhe uria e patateve në Irlandë, te rivalitetet perandorake mes Rusisë dhe Britanisë, deri te zbulimi i Pompeit dhe zakonet e magëve zoroastrianë, duke e bërë rrëfimin një mozaik të pasur të historisë, politikës dhe filologjisë.

Në mes të kësaj pasurie tematike, qëndron sfida e deshifrimit: një përpjekje për të kuptuar simbolet që ngjajnë me gjurmë zogjsh, por që ruajnë historinë e shkruar të qytetërimeve të para. Hammer na kujton se përballë kohës, ajo që mbetet, më shumë se pergamena apo letra, janë pllakat e baltës dhe përpjekjet e njerëzve për t’i lexuar ato./KultPlus.com

Kisha që mbijetoi dhe ruajti shpirtin e Zagorisë, Begaj ndan pamje dhe mesazh

By: Kult Plus
1 August 2025 at 13:20

Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit, e njohur ndryshe si Kisha e Shën Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë (Gjirokastër), është një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. E ndërtuar në zemër të një prej zonave më piktoreske të jugut, kjo kishë është shndërruar vitet e fundit në një destinacion turistik për vizitorët që kërkojnë të njohin historinë përmes arkitekturës dhe artit.

Presidenti Bajram Begaj ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo kishë historike, duke e përshkruar me fjalët: “E pikturuar e gjitha me afreske, shfaqet si një befasi e bukur pas malit Dhëmbel”. Në postimin e tij, Begaj thekson më tej: “Ajo i ka mbijetuar pushtimeve dhe regjimit nga kujdesi dhe dashuria e banorëve të zonës, pavarësisht besimeve të tyre fetare”.

Kisha e Apostujve është një prej monumenteve më të rralla të kultit dhe të artit bizantin ortodoks në vend, e njohur për afresket e saj të gjalla, të cilat datojnë rreth vitit 1843. Përveç vlerës së saj artistike dhe shpirtërore, ajo përfaqëson një simbol të qëndresës kulturore dhe përkushtimit të komunitetit vendas për ruajtjen e trashëgimisë./KultPlus.com

Oazat shqiptare që ruajnë traditën dhe identitetin në zemër të Malit të Zi

By: Kult Plus
31 July 2025 at 19:15

Edhe pse prej shumë dekadash jashtë kufijve të Shqipërisë, fshatrat shqiptare Muriq, Besi dhe Krajë në Malin e Zi mbeten gurë themeli të ruajtjes së identitetit kombëtar. Banorët e tyre vazhdojnë të flasin shqip, të mbajnë gjallë traditat e lashta dhe të forcojnë lidhjen e thellë me origjinën e tyre.

Edhe pse emigracioni dhe sfidat e jetës kanë shkaktuar zbrazje në këto treva, dashuria për vendlindjen dhe kujtesa kulturore janë të palëkundura. Pikniku tradicional i Muriqit është një moment i veçantë ku shqiptarë nga të gjitha anët e botës mblidhen pranë liqenit të Shkodrës për të ndarë këngë, valle, ushqime dhe momente kulturore që mbajnë gjallë shpirtin e kombit, përcjellë KultPlus.

Në këtë tokë ku erërat e kohës mund të përpiqen të fshijnë gjurmët, fjalët shqipe dhe tingujt e valleve kanë rrënjët e tyre të thella si pemët e lashta, që mbajnë gjallë historinë dhe ëndrrat e brezave. Në një kohë kur asimilimi dhe largimi kërcënojnë të zhdukin trashëgiminë kulturore, këto ngjarje janë si dritat e zjarrta që ndezin flakën e identitetit, duke dëshmuar se gjuha dhe traditat shqiptare nuk shuhet, por jeton dhe përjetohet me krenari të thellë dhe pasion të pashuar./KultPlus.com

Mjeshtri i fundit i Santoorit në Kashmir, lufta për të ruajtur një trashëgimi muzikore

By: Kult Plus
31 July 2025 at 18:40

Në rrugicat e qeta dhe të ngushta të Srinagarit, në Kashmirin e administruar nga India, ndodhet një punëtori e vogël dhe me dritë të zbehtë, që është një nga mbrojtëset e fundit të një zanati në zhdukje.

Brenda kësaj punëtorie ndodhet Ghulam Zaz, i cili njihet si mjeshtri i fundit në rajon që di të ndërtojë santoor me dorë. Santoor është një instrument muzikor me tela në formë trapezi, i ngjashëm me dulcimer-in, i luajtur me paleta. Ai njihet për tingullin e kristaltë, të pastër si zile, dhe ka qenë shenja dalluese muzikore e Kashmirit për shekuj.

Ghulam vjen nga një familje mjeshtrash që kanë ndërtuar instrumente me tela në Kashmir për më shumë se shtatë brezash. Emri i familjes Zaz ka qenë prej kohësh sinonim i prodhuesve të santoor-it, rabab-it, sarangi-t dhe sehtar-it. Por në vitet e fundit, kërkesa për instrumente të punuara me dorë është zvogëluar ndjeshëm, pasi janë zëvendësuar nga versione të prodhuara me makineri, më të lira dhe më të shpejta për t’u bërë. Ndryshimet në shijet muzikore kanë ndikuar gjithashtu në këtë rënie.

“Me hip hop-in, rap-in dhe muzikën elektronike që dominojnë tani peizazhin muzikor të Kashmirit, brezat e rinj nuk lidhen më me thellësinë apo disiplinën e muzikës tradicionale,” thotë Shabir Ahmad Mir, mësues muzike. Ai shton se kjo ka çuar në rënien e kërkesës për santoor dhe mungesën e nxënësve për mjeshtrat.

Në punëtorinë e tij shekullore, Ghulam qëndron pranë një blloku të zbrazët druri dhe veglave të vjetra hekuri, mbetje të heshtura të një tradite në zhdukje. Ai thotë: “Nuk ka më askënd që të vazhdojë zanatin. Unë jam i fundit.”

Por kjo nuk ka qenë gjithmonë situata. Gjatë viteve, artistë të njohur sufi dhe folklorikë kanë luajtur me santoorë të punuar nga Ghulam Zaz. Një foto në punëtorinë e tij tregon mjeshtrat Pandit Shiv Kumar Sharma dhe Bhajan Sopori duke performuar me instrumentet e tij.

Santoor, i cili besohet të ketë origjinë në Persia, ka arritur në Indi në shekullin e 13-të ose 14-të, duke u përhapur nëpër Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Në Kashmir, instrumenti ka marrë një identitet të veçantë, duke u bërë pjesë qendrore e poezisë sufi dhe traditave folklorike.

“Fillimisht, pjesë e Sufiana Mausiqi (një traditë muzikore ansambli), santoor kishte një tingull të butë dhe folklorik,” shpjegon Shabir Ahmad Mir.

Pandit Shiv Kumar Sharma e përshtati më vonë për muzikën klasike indiane, duke shtuar tela, duke riorganizuar urat për rezonancë më të pasur dhe duke futur teknika të reja të luajtjes.

Bhajan Sopori, me rrënjë në Kashmir, “thelloi gamën e tingullit dhe i dha një shprehje sufi”, shton Mir, duke ndihmuar që santoor të konsolidohej në muzikën klasike indiane.

Ghulam Zaz ka marrë çmimin Padma Shri nga Presidentja Droupadi Murmu në vitin 2022, një nderim për mjeshtërinë e tij me çmimin e katërt më të lartë civil në Indi./BBC/KultPlus.com

Country Life (1940) / Fytyra e Shqipërisë, aty ku lindja bashkohet me perëndimin, mesjeta me modernen (Rrëfim)

By: Kult Plus
26 July 2025 at 21:14

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Korrik 2025

“Country Life” ka botuar, të shtunën e 28 dhjetorit 1940, në faqet n°560 – 562, rrëfimin e udhëtimit asokohe në Shqipëri të autorit britanik Jan Gordon, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fytyra e Shqipërisë

Ku lindja bashkohet me perëndimin, mesjeta me modernen.

Nga Jan Gordon

Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Shqipëria është një vend me kontraste të jashtëzakonshme. Një e treta e popullsisë është po aq e dëshpëruar dhe e prekur nga malaria sa çdo komunitet tjetër në Evropë, ndërsa një e treta përfshin malësorë aq të ashpër dhe agresivë sa nuk mund të gjenden kudo. Është një vend ku, nën një sistem tërësisht modern të ndriçimit elektrik, zakonet mund të jenë ende ato të shekullit të 12-të, ku gratë që veshin këpucë, shputat e të cilave janë të prera nga copa gomash të vjetra makinash, duke lënë gjurmë “Dunlop” ose “Michelin” në baltë ndërsa lëvizin, veshin funde, prototipet e të cilave mund të gjenden në figurinat prej qeramike të periudhës minoane. Vetëm dje, të qëlloje fqinjin pas shpine nga një kaçubë ishte shpesh një detyrë familjare (në emër të një hakmarrjeje), ndërsa një vajzë e vogël, pavarësisht moshës së saj, që ecte me guxim ofronte mbrojtje shumë më të vlefshme sesa pushka e saj e famshme, rripi i fishekëve dhe thika e saj. Dëgjuam një gjykatës t’i kërkonte një falje pothuajse të përulur një vrasësi famëkeq që e dënoi me vdekje. Pastaj na kërkoi të shkonim në shtëpinë e tij për të admiruar punimet e sofistikuara të qëndisjes që ai prodhonte në kohën e tij të lirë.

Është një vend ku, nganjëherë, të mbetesh një beqare e deklaruar është më e nderuar sesa të jesh një grua e martuar, sepse në malet veriore një virgjëreshe të betuar i lejohen të gjitha privilegjet e një burri, përveç atij që nuk mund ta arrijë, domethënë, mustaqet, rritja e mustaqeve është një krenari dhe preokupim mashkullor, shpesh i kultivuar me gjithë zellësinë e një kinezi që rrit thonjtë e gishtave, dhe me një efekt të ngjashëm të ekzagjeruar dhe të paqëndrueshëm.

Koka e një prijësi malësor mysliman. Vizatim nga Cora J. Gordon. — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Koka e një prijësi malësor mysliman. Vizatim nga Cora J. Gordon. — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Këtu, fshatrat shpesh banohen pothuajse ekskluzivisht nga gratë, burrat janë jashtë vendit, qoftë në Amerikë apo Turqi, duke fituar paratë që kanë paguar për shtëpitë e ndërtuara dhe të dekoruara në mënyrë madhështore. Edhe këtu, do të ishte një fyerje për pronarin e një ferme që t’i ofrohej të paguante dhomën, ushqimin dhe mëngjesin, por të mos rrëshqitësh një shumë të mjaftueshme në dorën e gruas më të re të martuar në shtëpi do të ishte mashtrim.

Feja nuk ka rëndësi për shumicën e shqiptarëve ; myslimanët shkojnë në festat e krishtera dhe të krishterët te myslimanët. Kemi parë një kishë të krishterë të ndërtuar nga një zdrukthëtar mysliman, në të cilën ai kishte përzier kryqin me gjysmëhënën, ndërsa në male ka fshatra të quajtura “gjysmë-gjysmë”, në të cilat të dy fetë praktikohen njëkohësisht, fshatarët kanë emra të krishterë dhe myslimanë dhe i mbajnë të dy grupet e festave. Është një vend ku mesazhet e dërguara me zë të lartë nga njëri burrë te tjetri përmes maleve me një kod sekret mund ta kalojnë telegrafin me shumë orë diferencë, ku dadoja (nëna), duke dalë për të bërë pazarin, vendos foshnjën me djep dhe gjithçka tjetër mbi kokë dhe pastaj duket se i harron të gjitha, ku nëse je konservator është më mirë që partneri yt të jetë liberal dhe atëherë të paktën njëri prej jush ndoshta do të dalë nga burgu për të vazhduar biznesin. Është një vend ku në përgjithësi nuk ka asgjë midis rrugëve më të bukura dhe dredha-dredha moderne që shkenca ushtarake italiane ka qenë në gjendje të ndërtojë dhe shtigjeve të pjerrëta për mushka që shpesh kufizohen mes buzëve të greminave të rrezikshme.

Dhe këto rrugë të bukura janë padyshim kryesisht përgjegjëse për rrënimin italian. Në hartën e vogël të botuar në shtypin e përditshëm, mund të shihen praktikisht të gjitha rrugët e Shqipërisë. Në këto rrugë të mëdha mund të shtysh tanke, armë të rënda, kamionë dhe furnizime, por përmes maleve të egra, të rrezikshme, por jo të paarritshme, mund të përparosh vetëm me mushka vendase, njohuri të thella lokale dhe një trup të ngurtësuar ndaj ashpërsisë së klimës dhe kushteve ushqimore. Dhe njeriun që mund të zotërojë malet e Shqipërisë.

Përmeti, çati prej rreshpe. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Përmeti, çati prej rreshpe. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Majat e maleve dhe vende të tilla si Përmeti, një fshat i çuditshëm i fshehur nën çati prej argjili të trashë, i ndërtuar në shpatet e vargmalit të pjerrët të Nemerçkës, Këlcyra që shtrihet në fund të një gryke të egër dhe të pjerrët, rruga për në Berat, që përshkon Mallakastrën dhe rrëzën e Tomorit, dhe madje edhe kështjella e vjetër e madhe turke e Gjirokastrës (në shqip, Gjinokastër), duke u bërë e papërshtatshme për t’u mbajtur, u evakuua si rezultat.

Këndi i kalasë dhe urës së Beratit. Pjesa më e madhe e transportit italian pa dyshim po e përdor këtë urë. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Këndi i kalasë dhe urës së Beratit. Pjesa më e madhe e transportit italian pa dyshim po e përdor këtë urë. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Në kushte të tilla luftimi, zakoni dhe praktika janë avantazhe të mëdha. Supozohet se shqiptarët janë kryesisht pasardhës të fiseve të lashta ilire para-greke. Edhe pse malësorët grekë janë me origjinë etnike shumë të ndryshme, ata megjithatë kanë asimiluar shumë tipare lokale, duke përfshirë një shpërfillje për lodhjen dhe urinë. Shpesh, kur kalonim natën në një fermë malore shqiptare, darka, një dhi që duhej të sillej posaçërisht nga malet, e përgatitur dhe gatuar më pas për ne, nuk servirej para mesnatës, megjithëse kishim qenë gjithë ditën në shale (kalërim). Nuk ofrohej asnjë meze paraprake dhe çdo shenjë lodhjeje, urie apo padurimi duhej të fshihej me shumë kujdes.

Dhoma e ndenjes, distrikti (rrethi) i Përmetit. Vini re komodinat (arkat) e nuses dhe një gardërobë amerikane. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Dhoma e ndenjes, distrikti (rrethi) i Përmetit. Vini re komodinat (arkat) e nuses dhe një gardërobë amerikane. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Një grua malsore nuk do të hezitonte fare të marshonte gjashtë ditë — tre vajtje, tre ardhje — ndoshta me foshnjën dhe djepin e lidhur në shpinë, deri në tregun më të afërt për të shitur një shportë me vezë për të blerë kripë. 

Marketingu i kujdestareve (dadove). Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Marketingu i kujdestareve (dadove). Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Mushkat e malit shkuan më larg dhe u ngjitën më shumë, me më pak ushqim se çdo kafshë tjetër me të cilën kemi udhëtuar. Burrat e ushqyer nga tradita të tilla, të përballur me italianët — shumë prej të cilëve ndoshta vinin nga fushat dhe u mposhtën nga një vend ku edhe qentë mund të jenë më të rrezikshëm për të huajt sesa ujqërit që vazhdojnë të plaçkitin kopetë e barinjve — duhet të gëzojnë një epërsi të pallogaritshme. Duket se vetëm numrat, rraskapitja totale apo vështirësitë e zgjatjes së linjave të komunikimit mund të ndalojnë grekët. Sapo të arrijnë në fusha — që shtrihen disa kilometra në brendësi nga Vlora deri në Liqenin e Shkodrës në veri — kushtet do të ndryshojnë ; mekanizmat italianë do të luajnë një rol më të madh dhe mund të parandalojnë dëbimin e italianëve nga vendi.

Muret e vjetra veneciane të Durrësit, mjaft të dëmtuara nga tërmetet. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Muret e vjetra veneciane të Durrësit, mjaft të dëmtuara nga tërmetet. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Ndërkohë, qytetërimi i çuditshëm gjysmëmesjetar që është kapur fort në këtë cep të pavarur të Ballkanit do të zhduket nga gurët e mullirit të luftës. Shtëpitë e gdhendura dhe të praruara bukur të Gjirokastrës dhe të vendit përreth po digjen ose po shkatërrohen nga bombat dhe nuk mund të zëvendësohen.

Gjirokastra, tregu, xhamia dhe cepi i kështjellës së vjetër turke. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Gjirokastra, tregu, xhamia dhe cepi i kështjellës së vjetër turke. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Kisha unike, e pikturuar, gjysmë nëntokësore e Përmetit ndoshta është rrënuar, fiset dhe komunitetet pothuajse patriarkale do të shpërndahen dhe në Shqipëri, si në pjesën tjetër të botës, do të lindë një rend i ri. Megjithatë, shkatërrimi i këtij cepi të paimitueshëm do të thotë për Evropën humbjen e diçkaje unike në sjelljet dhe zakonet bashkëkohore./ KultPlus.com

Mozaiku sensual, i vjedhur nga një oficer gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Pompei

By: Kult Plus
25 July 2025 at 18:50

Një mozaik erotik, i vjedhur nga një kapiten nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në sitin antik të Pompeit.

Mozaiku i vogël, që paraqet një burrë të shtrirë në një divan duke u shërbyer nga një grua me veshje të pakët, mund të ketë zbukuruar dyshemenë e një dhome gjumi në një vilë romake, tha Parku Arkeologjik i Pompeit në një deklaratë.

Kur Pompei u shkatërrua nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit, ndërtesat, mijëra banorë dhe ky mozaik u mbuluan nga shtresa të hirit.

Kjo mbulesë e ruajti në mënyrë të përkryer qytetin për më shumë se 1,600 vjet, duke e bërë atë një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në botë, pasi ofron një pamje të paçmueshme mbi jetën e përditshme romake.

Pavarësisht se daton nga fundi i shekullit të 1 para Krishtit deri në shekullin e 1 pas Krishtit, mozaiku është ende me ngjyra të gjalla dhe të gjitha pllakat janë të paprekura, përcjellë KultPlus.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë zona të Pompeit ishin tashmë zbuluar. Ky mozaik, sipas pjesëtarëve të parkut arkeologjik, u vodh nga një kapiten i Wehrmacht, që mbikqyrte zinxhirin ushtarak të furnizimit të Gjermanisë në Itali gjatë luftës.

Ai ia dhuroi atë një qytetari gjerman pa emër, të cilit trashëgimtarët i kontaktuan policinë italiane duke pyetur se si mund ta kthenin.

Një njësi specialiste e policisë italiane, përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, më pas investigoi prejardhjen e mozaikut, duke e lidhur tentativisht atë me zonën e shkatërruar nga Vezuvio, megjithëse mungonin disa informacione mbi zbulimin e tij.

“Çdo artefakt i plaçkitur që kthehet është një plagë që shërohet, prandaj shprehim mirënjohjen tonë për Punën e Njësisë së Mbrojtjes. Plaga nuk qëndron aq shumë në vlerën materiale të veprës, por në vlerën e saj historike, një vlerë që cenohet rëndë nga trafiku i paligjshëm i antikiteteve,” tha Gabriel Zuchtriegel, drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, në një deklaratë.

“Nuk e dimë prejardhjen e saktë të artefaktit dhe me gjasë as nuk do ta dimë kurrë,” shtoi ai, duke theksuar se parku do të kryejë teste të mëtejshme për të rindërtuar historinë e mozaikut sa më shumë që të jetë e mundur.

Mozaiku do të ekspozohet përkohësisht në një muze në Pompei për shikim publik.

Arti erotik është zbuluar më parë në Pompei. Arkeologët zbuluan një shtëpi të vogël të mbushur me afreske të hollësishme dhe ndonjëherë provokuese, në tetor 2024. Një tjetër shtëpi me afreske të guximshme u hap për publikun në janar 2023 pas një periudhe 20-vjeçare mbylljeje. Ndërsa një afresk tjetër, që paraqet një skenë erotike nga miti grek i Ledës dhe rosës, u zbulua në vitin 2018./CNN/KultPlus.com

Afresket e Kishës së Shën Kollit në Voskopojë po pastrohen nga mbishkrimet e dëmshme

By: Kult Plus
23 July 2025 at 17:45

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale pamje nga procesi i pastrimit të afreskeve në Kishën e Shën Kollit, që ndodhet në qendër të Voskopojës. Kjo ndërhyrje është pjesë e punimeve restauruese që po zhvillohen në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore.

Specialistët e DRTK Korçë po angazhohen për të pastruar mbishkrimet e paligjshme dhe të dëmshme të vendosura në afresket e hajatit të kishës. Në një njoftim zyrtar, Drejtoria thekson se:
“Këto shkrime jo vetëm që kanë cenuar vlerën artistike të afreskeve, por përbëjnë edhe një formë dëmtimi të trashëgimisë sonë të përbashkët.”

Kisha e Shën Kollit është një nga objektet më të rëndësishme të kultit në Voskopojë dhe përfaqësuese e denjë e arkitekturës post-bizantine. E ndërtuar midis qershorit 1721 dhe shtatorit 1722, ajo ruan të gjitha elementët tipikë të tipologjisë bazilikale post-bizantine: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren — kjo e fundit mendohet të jetë shtuar në një periudhë më të vonë, përcjellë KultPlus.

Rindërtimi i fundit i saj u realizua rreth vitit 1936. Për vlerat e saj të mëdha artistike dhe arkitektonike, Kisha e Shën Kollit u shpall monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1948.

Kjo kishë, përveç rëndësisë së saj si vend kulti, mbetet edhe një dëshmi e gjallë e madhështisë historike që ka pasur qyteti i dikurshëm i Voskopojës. Punimet restauruese aktuale janë një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe ruajtjes së kësaj trashëgimie të çmuar për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm./KultPlus.com

Peruja zbulon një thesar antik, qyteti i ndërtuar para më shumë se 3.000 vitesh

By: Kult Plus
22 July 2025 at 17:15

Një qytet i lashtë që lulëzoi si qendër tregtare më shumë se 3.000 vjet më parë është zbuluar nga arkeologët në veri të Perusë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, vendbanimi i lashtë Peñico ndodhet në provincën Huaura, rreth 600 metra mbi nivelin e detit, në veri të kryeqytetit Lima. Zbulimi i këtij qyteti, i cili besohet se u themelua rreth vitit 1800 para Krishtit, ka hedhur dritë mbi një nyje të rëndësishme urbane që lidhte komunitetet bregdetare të Luginës Supe me ato të Andeve dhe Amazonës.

Në këtë sit janë identifikuar 18 struktura, përfshirë ndërtesa publike dhe banesa, që dëshmojnë për një organizim të avancuar urban. Veçanërisht e spikatur është një ndërtesë monumentale me funksion publik, ku studiuesit kanë zbuluar skulptura prej balte, mjete rituale dhe instrumente muzikore të punuara në formën e guaskave, elemente që tregojnë për funksione ceremoniale dhe kulturore të rëndësishme, përcjellë KultPlus.

Sipas arkeologëve, Peñico mori rëndësi të veçantë pas rënies së qytetërimit të Caral, një nga më të hershmit në kontinentin amerikan. Roli strategjik i qytetit e shndërroi atë në një pikë kyçe për shkëmbimet ndërmjet rajoneve të ndryshme të Perusë së lashtë.

Sot, zona arkeologjike e Peñicos është hapur për publikun, me një qendër moderne interpretimi, ambiente pritjeje dhe shtigje të posaçme që i lejojnë vizitorët të ecin mes rrënojave të ruajtura me kujdes.

Zbulimi përkon me organizimin e festivalit të parë publik “Peñico Reymi”, i cili do të mbahet të shtunën dhe synon të nderojë trashëgiminë kulturore të zonës përmes riteve tradicionale, ekspozitave artistike dhe një ceremonie dedikuar perëndeshës Pachamama./KultPlus.com

Restaurohet plotësisht një nga shtëpitë më të vjetra të Prishtinës

By: Kult Plus
22 July 2025 at 09:01

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për restaurimin e plotë të Shtëpisë së familjes Sylejmani, e cila gjendet në Qendrën Historike të Prishtinës. Kjo shtëpi e ndërtuar në vitin 1880, njihet si një prej ndërtesave më të vjetra dhe më autentike të kryeqytetit.

“Nga shkatërrimi në restaurim të plotë. Shtëpia e familjes Sylejmani në Qendrën Historike të Prishtinës. Përveç vlerës historike, këto shtëpi janë pjesë e identitetit të qytetit dhe pika të rëndësishme për turizmin kulturor”, ka shkruar ministri Çeku në një postim në rrjetet sociale, përcjellë KultPlus.

Sipas tij, ky restaurim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të vendit. Me kthimin e saj në gjendjen origjinale, shtëpia e familjes Sylejmani pritet të shërbejë si një atraksion i ri për vizitorët dhe një qendër simbolike për historinë urbane të Prishtinës.

Kjo ndërtesë tradicionale, me elemente të arkitekturës otomane dhe vendore, ka pasur për dekada me radhë një rëndësi të veçantë në memorien kolektive të banorëve të qytetit.

Ministria e Kulturës ka paralajmëruar se projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të mbrojtjes dhe restaurimit të objekteve të tjera me vlerë historike në mbarë vendin./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës nën dokumentimin arkitektonik të Koordinacija.hr

By: Kult Plus
21 July 2025 at 16:20

Një dritë e re po bie mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, përmes objektivit të ekipit të Koordinacija.hr, një grup i njohur kroat, që prej vitesh dokumenton arkitekturën moderne në hapësirën ballkanike.

Këtë herë, vëmendja e tyre është përqendruar tek një nga ndërtimet më ikonike dhe të diskutueshme të rajonit: biblioteka kombëtare, e ndërtuar mbi vizionin e arkitektit kroat Andrija Mutnjaković.

Gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë, ekipi realizoi xhirime të detajuara brenda dhe jashtë ambientit të bibliotekës, duke u fokusuar në formën e saj unike, strukturat kubike të mbuluara me kupola dhe rrjetën metalike që e bën këtë ndërtesë të pazakontë në çdo këndvështrim. Ky dokumentar do të transmetohet në HRT2, kanalin e dytë të televizionit publik kroat, dhe synon të sjellë për publikun më të gjerë një rrëfim mbi arkitekturën si pasqyrë e kohës, vizionit dhe shpirtit të një kombi, përcjellë KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, më shumë se një strukturë fizike, është simbol i dijes, qëndresës dhe identitetit kulturor. Që prej kur u ndërtua, ajo vazhdon të ngjallë debate për stilin e saj arkitektonik, por pa dyshim mbetet një pikë referimi në peizazhin urban dhe shpirtëror të Prishtinës.

Ky dokumentar vjen si një homazh jo vetëm për veprën e Mutnjakovićit, por edhe për vetë bibliotekën, që përmes arkitekturës së saj përçon një ndjesi të fortë të ndërthurjes midis së shkuarës dhe së ardhmes, një monument i gjallë që ruan zërin e librave, por edhe zërin e kohës./KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar publikon ikonën “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”, një thesar ikonografik nga shekulli XVII

By: Kult Plus
21 July 2025 at 13:20

Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon të pasurojë koleksionin e tij me publikime të reja nga fondi i pasur i objekteve, duke prezantuar këtë herë ikonën me titull “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.

Kjo ikonë daton në mes të shekullit të XVII-të dhe ka origjinë nga Kisha e Shën Marisë në Vllahernë të Beratit.

Ikona përshkruan momentin e hyrjes së Shën Marisë në tempull, një ngjarje me rëndësi të madhe në traditën ortodokse. Në skenën qendrore, Shën Maria paraqitet në moshën 3-vjeçare duke ngjitur shkallët e tempullit të Solomonit. Ajo shoqërohet nga prindërit e saj, Joakimi dhe Ana, ndërsa pas tyre qëndrojnë dhjetë virgjëresha, simbol i pastërtisë dhe përkushtimit shpirtëror.

Në hyrje të tempullit, Profeti Zaharia pret me fjalët e tij të bekuara: “Ti je e përzgjedhura ndër të gjithë brezat”. Sipas traditës, Shën Maria qëndroi në tempull deri në moshën 14-vjeçare, pas së cilës ndodh ngjarja e “Ungjillëzimit”, e ilustruar në skenën e sipërme të ikonës, përcjellë KultPlus.

Kisha, nga e cila rrjedh kjo ikonë, ndodhet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Beratit dhe përbën një nga ndërtimet më të vjetra mesjetare të kultit në qytet. Brenda saj, një dysheme e zbukuruar me një rozetë dekorative dhe piktura murale të realizuara nga Nikolla, biri i Onufrit, në vitin 1578, dëshmojnë për rëndësinë historike dhe artistike të vendit. Në dritaren e absidës dhe murin verior të kishës janë të ripërdorura elemente arkitektonike paleokristiane, që shtojnë vlerën e saj kulturore.

Ky objekt i vyer është një dëshmi e gjallë e traditës ikonografike shqiptare dhe pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore, që Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon ta ruajë dhe promovojë me përkushtim./atsh/KultPlus.com

Zbulohen themele të një vile romake me mozaikë në Durrës

By: Kult Plus
21 July 2025 at 10:42

Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, pikërisht në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.

Gjatë punimeve është zbuluar një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike. Zbulimi ka ngjallur interes të madh për rëndësinë që mbart në trashëgiminë kulturore të qytetit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se pas gjetjeve është hartuar menjëherë Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, i cili i hapi rrugën një procesi të plotë studimi dhe konservimi, përcjellë KultPlus.

“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.

Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke zhvilluar një koncept të ri arkitektonik ku edukimi dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në mënyrë harmonike. Projekti i ri do të mundësojë që gjetjet të ekspozohen për publikun, duke u integruar natyrshëm në infrastrukturën e shkollës.

Ky model i ri zhvillimi synon të sjellë një transformim të qëndrueshëm urban dhe arsimor për qytetin, si dhe të nxisë turizmin kulturor.

Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, janë të angazhuara për të ndjekur nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e plotë të gjetjeve në projektin e ri të shkollës.

“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Gara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën

20 June 2025 at 17:35

Citizens publikoi hartën e kullave të Tiranës me 140 projekte që pritet t’i shtohen qytetit me bekimin e qeverisë shqiptare.

Më shumë se gjysma e këtyre projekteve po zhvillohen në kushte të transparencës së cunguar, pasi gjenden vetëm në rendin e ditës së mbledhjeve të KKTU. Pavarësisht kërkesave të vazhueshme për informim institucionet kanë injoruar detyrën për të dhënë informacion nëse këto ndërtime do të realizohen, refuzohen apo ndryshohen.

Ekspertët argumentojnë se kjo është bërë e mundur përmes një përdorimi selektiv të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kryeqytetit, që lejon “zonifikim të përzier” në shumë zona.

Por cilat janë kullat më të larta në kryeqytet? 

Citizens ka listuar projektet që arrijnë nga 50-100 kate, ose thënë ndryshe nga 200-300 m lartësi.

1. Bond Tower – 200 metra e lartë

Një projekt i ideuar nga studio e arkitekturës OODA Architecture dhe investitor Nova Construction. Kjo kullë është 200 metër e lartë rreth 55 kate lartësi. Bond Tower është me vendodhje në Rrugën “Dritan Hoxha. 

2. Barcelona Tower – 202 metra

Ky projekt do të jetë  50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë, me një lartësi 202 metër. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Ndërtuesi i kësaj kulle është kompania “Bami Holding” e biznesmenit Besnik Bami. Studio që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura.

3. Lana Riverside Residences – 204 metra

Ky projekt është e pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës. Ndërtesa do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit.  Kulla është pjesë e një kompleksi dhe do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit. Kjo kullë është projektuar nga studio  e arkitekturës Marco Casamonti & Partners, X-Plan Studio.

4. Mount Tirana – 205 metra

Kjo kullë është e  vendosur në Rrugën e Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është 58 kate e lartë, ose 205 metër e lartë, me ndërtues Nova Construction – 2012 . Studio që ka ideuar projektin është CEBRA Architects. Kjo kullë po ngrihet në një hapësirë që më herët shërbente si lulishte, shkaktoi dhe një sërë protestash.

5. Papuli Tower – 205 metra

Kjo kullë  është e vendosurnë rrugën e Kavajës, 58 kate e lartë ose 205 metër, me zhvillues shoqërinë Classic  S & J sh.p.k. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura

6. Mixed-use Tower – 245 metra

Ky projekt është me vendodhje në Bulevardin e Ri dhe  është 65 kate e lartë ose 245 metër e lartë me zhvillues shoqërinë Klar shpk. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është Herzog and de Meuron.

7. Piano Nobile Tower – 250 metra

Kjo kullë do të ndërtohet mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropol dhe “Info-Point” i bashkisë. Kjo kullë do të jetë 250 metër e lartë ose rreth 66 kate. Investitori është Veliaj Construction në pronësi të Astrit Veliaj. 

8. Kastrati Tower – 265 metra

Kjo kullë do të jetë 265 metër e lartë ose ndryshe 70 katë. Investitori i këtij projekti është Kastrati Group.  Kjo kullë u prezantua për herë të parë në festivalin “Bread and Heart” nga arkitekti  Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Toëer” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donëtoën One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali.

9. Grand Park Skyline – 268 metra

Ky është një tjetër projekt ndërtimi po sfidon horizontin urbanistik të Tiranës duke synuar qiellin. Parashikon tre kulla 40, 51 dhe 71 kate për apartamente,  hotel dhe qendër tregtare në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Projekti është konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati me porosi të kompanisë “X One”, parashikon rreth 145 mijë metra katrorë ndërtim.

10. Tirana Society Tower – 300 metra

Përmes një konkursi që u zhvillua më 29 korrik 2024, juria përzgjodhi si fituese projektin “Tirana Society Towers”  i arkitektit kilian Alejandro Aravena me studion Elemental.Ndërsa kompanitë që do e ndërtojnë janë shqiptare, Delta në pronësi të Luan Meçës dhe Techno Alb në pronësi të Daljan Avdiajt. Nuk ka ende një leje të zbardhur për këtë kullë, por pritet të miratohet në vijim.

The post Gara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën appeared first on Citizens.al.

Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog

20 June 2025 at 17:23

Dy ndërtesa me rëndësi historike, që lidhen me familjen e Mbretit Zogu I-rë, mbeten sot në mëshirë të fatit pa mbrojtjen e duhur ligjore. Njëra në Durrës dhe tjetra në Shkodër, të dyja përballen me gjendje degraduese dhe mungesë plani të qartë restaurimi nga autoritetet.

Rezidenca verore e Zogut, nga shkatërrimi drejt rilindjes

Vila Mbretërore në kodrën e Durrësit ka një histori që nis në vitin 1925, kur, asokohe, Presidenti i sapozgjedhur Ahmet Zogu siguroi një hua nga qeveria italiane.

Ndërtimi i saj u mbështet nga fondet e kredisë SVEA (Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania/Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) dhe nisi punimet në vitin 1927, me një sërë kontratash e shtesash financiare që vijuan deri në vitin 1938.

Fillimisht u njoh si “Vila Presidenciale”, por më pas u shndërrua në simbol të pushtetit të Zogut dhe një nga ndërtesat më të rëndësishme të periudhës së tij si monark, me një investim total që kalonte 1.5 milionë franga ari – ekuivalente me 40 milionë euro të ditëve të sotme – të krahasueshme me ndërtimet madhore shtetërore të kohës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u përdor si godinë pritjeje dhe gjatë regjimit komunist priti figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, dhe më vonë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter në fillim-vitet ’90.

Gjatë trazirave të vitit 1997, godina u dëmtua rëndë dhe u vandalizua, duke humbur një pjesë të mirë të elementeve të saj të brendshëm.

Ditët e sotme vila qëndron e kyçur pa status mbrojtjeje. Trashëgimtari, Princ Leka, pati paraqitur dikur plan restaurimi, por pa përkrahje nga autoritetet nuk mundi ta materializonte.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) pohoi për Citizens.al se nuk ka projekte për restaurimin e saj pasi objekti nuk është klasifikuar si pasuri kulturore.

Sidoqoftë, atë që nuk e realizoi shteti ndër vite, duket se ka marrë përsipër ta realizojë sipërmarrësi Kadri Morina, i cili e fitoi të drejtën e pronësisë mbi vilën pas një marrëveshjeje me familjen mbretërore.1

Ai tha për Citizens.al se arkitektë italianë dhe francezë po punojnë për ripërpunimin sipas gjendjes origjinale të vitit 1939. Sipas Morinës, projekti parashikon restaurim brenda pesë vitesh.

“Do përdoret si qendër atraktive për turistët, shqiptarët dhe shtetin,” tregoi Morina.

Megjithatë, fakti që vila nuk ka status mbrojtjeje e lë të lirë sipërmarrësin e njohur në sektorin e sigurimeve që të vendosë vetë për projektin përfundimtar apo anën estetike.

Vila e Shirokës, mes pretendimeve për pasurinë dhe kërcënimin nga degradimi

Me stil neoklasik dhe të ndërtuar nga mjeshtri Kolë Idromeno rreth viteve 1920-1930, vila në Shirokë pretendohet nga Bashkia e Shkodrës, Kisha, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) dhe familja Zogu e cila e pati përdorur si shpi pushimi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u shtetëzua dhe përdor si kamp veror për pionerët dhe organizatat e punëtorëve. Pas rrëzimit të diktaturës, në vitin 1992 ajo iu dha BSPSH-së.

Njësoj si vila në Durrës, edhe vila e Shirokës u grabit dhe vandalizua gjatë trazirave të vitit 1997.

Pas rikthimit në Shqipëri, familja Zogu nisi një proces të gjatë gjyqësor që i kontestoi pronësinë sindikatave. Në dy vendime të viteve 2007 dhe 2013, Leka II-të gëzoi të drejtën, por kjo iu rrëzua nga një vendim tjetër i vitit 2023.

“Jam shumë i bindur, me dokumentacionin dhe provat, që dihet botërisht që [vila] ka qenë prona jonë, kemi plotësuar të gjitha kushtet ligjore,” tha për Citizens.al, Leka II-të, sipas të cilit, gjykata ka qenë e njëanshme.

Burime thanë për Citizens.al se interes për vilën e Shirokës kanë shfaqur edhe Kisha dhe Bashkia Shkodër. Ndërkohë Leka II-të thotë se synon ta transformojë godinën në një muze historik, duke theksuar mbështetjen publike dhe zhvillimin turistik të Shkodrës.

Arkitekti Zef Çuni, ish-zv.ministër i Ekonomisë, Kulturës, thekson se kjo vilë “ia vlen të hapet për publikun” pasi “është një nga ndërtesat më të bukura që ka realizuar Kolë Idromeno” përshkruan gjendjen e vilës në Shirokë si tejet të nderë.

“Ka vetëm një derë, që shtyhet dhe ti mund të hysh, por është e braktisur dhe e shkatërruar,” tregon Çuni, sipas të cilit fasada e vilës ruan ende aspekte domethënëse nga ana e arkitekturës.

Në nëntor 2023, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në parim vendosjen e mbrojtjes paraprake me qëllim shpalljen “Monument i Kategorisë së II-të”, por vendimi nuk është zbatuar.

Mungesa e një plani të qartë restaurimi e lë të braktisur edhe vilën e Shirokës, teksa në horizont edhe këtu shfaqet një sipërmarrës.

Leka II-të tha për Citizens.al se sipërmarrësi Alban Xhillari ka një kontratë zhvillimi me sindikatat. Citizens.al u mundua ta konfirmojë këtë pretendim duke synuar një komunikim direkt me z. Xhillari, por ai ishte i paarritshëm.

Të dyja vilat përfaqësojnë trashëgiminë arkitektonike shqiptare: Durrësi si tregues i periudhës mbretërore dhe Shiroka e gjenialitetit të Kolë Idromenos. Për fat të keq, pa plane mbrojtjeje, integrim institucional ose financim të qëndrueshëm, të dyja ndërtesat po degradojnë.

Ndërsa ka nisur një zgjidhje e mundshme në Durrës nga iniciativa private, Shiroka mbetet e paralizuar për shkak të çështjeve ligjore.

  1. Saktësim! Një version i mëparshëm i këtij artikulli përmendte gabimisht se Kadri Morina kishte fituar të drejtën e pronësisë mbi vilën Mbretërore në Durrës përmes një procedure ankandi. Në fakt, prona është siguruar nga z. Morina përmes një marrëveshjeje me përfaqësues të familjes mbretërore. Artikulli është përditësuar për të pasqyruar këtë informacion të saktë. ↩

The post Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog appeared first on Citizens.al.

Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin

20 June 2025 at 12:27

Pas tre javësh trysni dhe protesta të thirrura nga shoqëria civile, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka vendosur zyrtarisht të pezullojë ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit. Vendimi u konfirmua në një shkresë dërguar organizatës “Qëndresa Qytetare” ku theksohej se ndërprerja e punimeve bëhet “me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës”.

Në shkresë IKTK-ja tregon se pezullimin e punimeve e ka bërë që prej datës 2 qershor. Vendimi erdhi pas një vale reagimesh publike, peticionesh dhe mobilizimesh që u përqendruan në faktin se punimet restauruese në Spaç rrezikonin të deformonin memorien kolektive të vendit për një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste.

Më 10 qershor, një peticion i nënshkruar nga 35 organizata dhe 734 qytetarë iu dorëzua Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Peticioni kërkonte ndalimin e menjëhershëm të punimeve restauruese, të cilat ishin konsideruar si ndërhyrje jo transparente dhe të papërshtatshme në një vend që përfaqëson dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes politike.

Rreth 10 ditë më vonë, IKTK-ja konfirmoi se punimet tashmë janë pezulluar. Në reagimin e saj publik, “Qëndresa Qytetare” e përshëndeti pezullimin si një hap të rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por paralajmëroi se bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme.

“Themelet e kujtesës nuk mund të preken pa një vizion të qartë dhe pa një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në transparencë, respekt dhe konsultim publik”, theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratën e saj të shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Punimet në Spaç nisën në fund të majit dhe parashikohej të përfundonin brenda 56 ditëve.

Sipas dokumentacionit të siguruar, projekti përfshinte restaurimin e të paktën tetë ambienteve të brendshme, përfshirë vendrojen, komanden, dhomën e takimeve, infermierinë, kuzhinën/mensën, fjetoren, vendin e apelit dhe tualetet. Për më tepër, projekti përfshinte ndërtimin e një kulle vrojtimi të re, vendosjen e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimin me tela me gjemba të disa hapësirave të brendshme.

Këto elemente – sipas aktivistëve dhe studiuesve – rrezikonin autenticitetin e vendit dhe mund ta transformonin Spaçin në një “instalacion muzeal të sterilizuar” që i shmanget përballjes reale me të kaluarën.

Më 7 qershor, aktivistë dhe ish-të burgosur politikë u mblodhën pranë strukturave të ish-burgut të Spaçit. Në deklaratat e tyre publike, ata denoncuan përpjekjet për të “zbukuruar” apo “romantizuar” vendin ku për dekada u burgosën mijëra kundërshtarë të regjimit komunist.

Aktivistët ngritën gjithashtu pyetje mbi transparencën e procedurave: si u përzgjodh projekti, pse mungoi konsultimi me komunitetin e të përndjekurve dhe me studiues të fushës, dhe cilat janë objektivat afatgjata të Ministrisë për këtë vend? Këto pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qarta.

Më 6 qershor, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se ndërhyrjet në Spaç janë pjesë e një “strategjie më të gjerë për rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.

Në të njëjtin reagim, Gonxhja zbuloi se ndërhyrja ishte ndërmarrë për të mbështetur realizimin e një filmi nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili do të trajtojë revoltën e Spaçit që ndodhi në vitin 1973. Filmi është parashikuar të xhirohet në mjediset origjinale të burgut, dhe punimet për restaurimin janë cilësuar si “të nevojshme” për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti artistik.

Ky fakt shtoi më shumë shqetësimet, pasi përfaqësues të shoqërisë civile e konsideruan si të papranueshme që vendimmarrja për ndërhyrjet në një vend kujtese të ndikohet nga nevojat e një produksioni filmik.

Ndërhyrjet në Spaç kanë rikthyer në vëmendje edhe një herë boshllëqet në politikat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithëse vendi ka bërë hapa përpara në njohjen institucionale të vendeve të kujtesës, përfshirë edhe vetë Spaçin si monument kulture i kategorisë së parë, praktika konkrete vazhdojnë të ndjekin logjikën e projektimit nga lart dhe mungesës së dialogut publik.

Pezullimi aktual është një fitore e përkohshme për ata që kërkojnë transparencë dhe përfshirje, por beteja për Spaçin si vend i kujtesës vazhdon. Nëse autoritetet synojnë të restaurojnë dhe ruajnë vlerat e Spaçit, kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të ish-të dënuarve politikë, organizatave të kujtesës dhe komunitetit të gjerë qytetar.

Lexoni gjithashtu:

The post Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin appeared first on Citizens.al.

“Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!”

16 June 2025 at 17:26

Nën hijen e pemëve të parkut “Mbretëresha Geraldinë” në Burrel, takojmë 78-vjeçaren Fatmira Sulaj. Me ikjen në masë të banorëve nga fshati i saj, Batër e Vogël, pas vdekjes së bashkëshortit, ajo është zhvendosur në qendër të qytetit për t’u afruar me fëmijët dhe shërbimet kryesore.

Batër e Vogël, i formuar nga familje që për arsye bujqësore u shkëputën nga Batra e Madhe, tani është gati i braktisur. Tre fëmijët e Fatmirës jetojnë në emigracion, vajza në Itali, një djalë në Angli dhe tjetri në Turqi ku po trajtohet pas një operacioni të ndërlikuar.

“Jam me qira këtu! I kam në kurbet fëmijët”, thotë ajo për Citizens.

Shtysë për t’u larguar nga vendlindja ishte gjithashtu distanca nga spitali – në fshatin Batër taksia nuk vinte deri pranë shtëpisë dhe nevojitej barela.

Fatmira tregon se fëmijët i kanë kërkuar që ajo t’u bashkohet jashtë shtetit, por thotë se nuk e përballon dot jetën në një vend të huaj.

“Për Zotin në Angli nuk rrihet, se nuk njeh njeri; fëmijët janë në punë, vijnë në mbrëmje të lodhur.. ndenja një herë një muaj e gjysmë, herën tjetër dy muaj e gjysmë, por nuk rri dot më gjatë,” thotë ajo.

Burreli, pjesë e Bashkisë Mat, është një nga zonat më të prekura nga migrimi drejt Tiranës dhe emigrimi jashtë shtetit, një prirje që ka prekur gjithë qarkun e Dibrës. Sipas censit të popullsisë, në rreth një dekadë, Burreli humbi rreth 27% të banorëve të saj – nga 10,862 (2011) në 7,928 (2023).

Megjithatë mosha e tretë “duket rezistente” ndaj ikjes. Kjo më shumë për faktin se hasin vështirësi në integrimin në një zonë të re, që nuk është ajo ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Nuk largohemi nga Mati. Nga Burreli shkojmë në Gurrë të Vogël, 19 km më larg qytetit, për t’u takuar me 82-vjeçarin Imer Kurti. Ai dhe bashkëshortja refuzojnë të largohen nga kulla mbi 400-vjeçare, në pronësi të familjes. Me humor Imeri thotë se Gurra e Vogël është Evropë për të, që kur kushtet minimale si rruga, apo furnizimi me drita, janë siguruar.

“Ajri! Kur shkoj në Tiranë, se ju jeni mësuar, por unë nuk mbushem me frymë”, rrëfen Imeri, i cili ka tre fëmijë, – një djalë i jeton në Burrel, ndërsa djali tjetër dhe vajza në Tiranë. Tek ata mban shpresa për të ruajtur trashëgiminë.

“Fëmijët, ose vijnë-ose s’vijnë, punë tjetër, por më kanë thënë se ‘nuk e lëmë shtëpinë’. Bën vaki edhe e gënjejnë babanë, por më kanë thënë nuk e lëmë!” thekson Imeri.

Kurti me ironi shprehet se në Tiranë nuk ja di shtëpinë fëmijëve, duke nënkuptuar për një lidhje të fortë me fshatin dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për tu zhvendosur atje, ai shpreson se një ditë ata do të kthehen.

“Çfarë të bëj në Tiranë? Nuk mund ta lë vendin tim këtu!” thotë Imeri. “Kalamajtë nëse duan le të vijnë!”

Sistemi shëndetësor, plagë e hapur

Infrastruktura në fshatra nuk është kudo e lehtë, rruga na solli deri tek kulla e Imer Kurtit, por për të takuar kryeinfermierin e qendrës shëndetësore të Gurrës, Ibrahim Ahmatin, u detyruam të përshkruanim një pjesë në këmbë, pasi rruga nuk ishte shtruar ende deri në banesën e tij.

Ahmati e ushtron profesionin e infermierit që prej vitit ’98, ndërsa në këtë fshat e ka nisur aktivitetin në shërbim të komunës Rripë që prej vitit ’97.

“Është një lagje këtej, përtej malit, lagja Lezaj, janë 120 frymë, e ka vështirë edhe helikopteri për dimër. Madje një infermier një rast, i kishte thënë në telefon të sëmurit që merr Ibrahimin, se unë isha në Rripë, se deri kur të vi unë atje, o ke vdek, o je shëndosh, s’ke nevojë më,” tregon Ibrahimi.

Në tetë vitet e fundit, nga të dhënat e Urdhrit të Infermierit janë mbi 5,400 infermierë që kanë plotësuar dokumentacionin për Gjermani dhe Itali. Mungesa e personelit mjekësor ka sjellë që edhe shumë qendra shëndetësore të shkrihen me njëra – tjetrën.

“Suç-Gurra tashmë janë shkrirë në një qendër dhe mbulojnë 11 fshatra. Kanë bashkuar edhe Xibrin me Klosin (qendrat shëndetësore), edhe Bazin me Ulzën, që kanë qenë dy” shpjegon ai.

Mungesa e ilaçeve përveç auditimeve nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit, artikulohet edhe vetë nga specialistët e fushës.

“Ka pas raste që kam pasur nevojë për oksigjen, që nuk e kam pasur. Kam pasur nevojë për kateter, për t’u kataterizuar, që nuk e kam pasur, ka munguar dhe jam detyruar ta çoj në spital (rajonal, pacientin),”vijon Ibrahimi.

Edhe infermier Ibrahimi ka fëmijë emigrantë, njëri në Angli, tjetri iu kthye së fundmi. “Ka tetë muaj që ka ardhur, pa asnjë punë […] e vret sedra vetë”, rrëfen ai për vështirësitë e të rinjve që rikthehen nga emigracioni.

“Gjithë ky eksod nuk është pa shkak! Nuk falet!” vijon Ibrahimi.“Më dhimbset t’ja kthej shpinën fshatit! Sa të kem këmbën dhe dorën, jam duke ndenjur këtu, kur të ngel pastaj, me shku ke fëmijët…” përfundon ai.

Fatmira, Imeri dhe Ibrahimi bluajnë të njëjtën bindje për të mos i braktisur vendbanimet. Për ata, gjithçka fillon me ajrin, historinë, rrënjët dhe shpresën se dikur fëmijët do të rikthehen dhe do t’i japin jetë shtëpive të vjetra.

Qëndrimi i tyre është simbol i rezistencës në sfondin e infrastrukturës së dobët, mungesës së investimeve dhe “ikjes” së resurseve njerëzore, që përshpejton degradimin e fshatrave.

Dëshira e brezit të tretë është për mos ti lënë sofrat, por sesa do ti rezistoj kjo dëshirë vetmisë dhe pamundësive fizike që sjell mosha, kjo mbetet për tu parë. Të vetmit që humbim nga kjo boshatisje e fshatrave drejt qytetit, qytetit drejt perëndimit, jemi ne.

The post “Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!” appeared first on Citizens.al.

35 organizata dhe mbi 730 qytetarë kërkojnë ndalimin e punimeve në Spaç

10 June 2025 at 13:16

Qytetarë dhe aktivistë dorëzuan sot një peticion në Ministrinë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për ndalimin e punimeve në ish-burgun e Spaçit, e për rrjedhojë, sipas tyre, parandalimin e tjetërsimit të historisë.

Peticioni, i cili sipas aktivistëve u hartua në gjendje të jashtëzakonshme bëri bashkë 35 organizata dhe 734 qytetarë për vetëm 6 ditë.

“Kjo nuk mbetet me kaq! Ne do të vazhdojmë të gjitha hapat ligjore, ku do të kërkojmë të procedohen penalisht të gjitha autoritetet që nuk kanë ndërhyrë dhe nuk e kanë bërë detyrën siç duhet bërë,” tha aktivisti Edison Lika, gjatë fjalës së tij.

Lika theksoi se kjo ndërhyrje bie ndesh me çdo parim restaurues, por edhe me planin e menaxhimit që vetë qeveria ka miratuar.

“Kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë,” citohet në deklaratën e shpërndarë nga organizata “Qëndresa Qytetare”.

Arkitektja Entela Spahivogli shtoi se Spaçi është një ndër shembujt sesi shteti shqiptar bën projekte në terr informativ, pa konsultime me publikun dhe grupet e interesit.

“Shteti është i detyruar të ndalojë punimet, sepse ky projekt ka dhënë prova në terren dhe në letër, që nuk është projekti i duhur për Spaçin,” u shpreh Spahivogli.

Ajo përmbylli se të gjithë ata që po akuzojnë aktivistët se po punojnë kundër projektit, duhet të dinë se “jemi ende në fazën e konservimit dhe se projekti i aprovuar është i gabuar”.

Çfarë dimë për ndërhyrjet në Spaç

Në një artikull të mëparshëm, Citizens.al, ka treguar detajet e ndërhyrjeve të parashikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në strukturat e Spaçit.

Projekti me vlerë rreth 100 mijë euro, po zbatohet nga “Martini Konstruksion & Real Estate”. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit kjo kompani rezulton të mos ketë deklaruar pronarët përfitues (Link).

Nga ekstrakti historik kuptohet se ajo është themeluar në vitin 2008 nga sipërmarrësi shkodran Bernard Martini, fillimisht me emrin “Skela Martini” me objekt kryesor montim, çmontim skelash, punime muresh dhe rikonstruksione.

Më pas, ajo ndryshoi emrin në “Martini Konstruksion & Real Estate” në qershor 2019 kur sipërmarrësi Martini dubloi me rithemelim nga e para “Skela Martini” me ortakë sipërmarrësit Alfred dhe Kujtim Kola.

Kompania “Martini Konstruksion & Real Estate” ka rikonstruktuar galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës apo dhe shkollën 9-vjeçare në Gruemirë të Malësisë së Madhe.

Ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit/Foto Sidorela Vatnikaj, Facebook.

Punimet në Spaç nisën në fund të muajit maj me një afat prej 56 ditësh (8 javë).

Ato u miratuan më 12 dhjetor 2024 dhe u publikuan për tender publik në janar. Prej atëherë, e deri në fund të muajit mars, IKTK anuloi të paktën tre herë tenderin për mungesë ofertash.

Vlen të theksohet se – sikurse citohet, sipas preventivit të miratuar, por që nuk ka çmimet e afishuara – fillimisht buxheti qe parashikuar me vlerë rreth 40 mijë euro (4,166,282 lekë), më pas në shkurt, te dokumentet e publikuara u vendos fondi prej rreth 100 mijë eurosh (10,705,261 lekë).

Projekti parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Qeveria mbron projektin: “Pjesë e një strategjie më të gjerë”

Pas rreth një jave heshtje publike, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, reagoi më 6 qershor. Ai deklaroi se projekti që po zbatohet aktualisht është “pjesë e një strategjie më të gjerë” që synon “rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.

Në këtë pikë, ministri përmendi Planin e Përgjithshëm të Menaxhimit të Spaçit, të miratuar në vitin 2024 me kërkesë të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), e cila është angazhuar edhe për ngritjen e një fondacioni që do të administrojë sitin.

Gonxhja shpjegoi se ndërhyrja aktuale ka marrë përparësi për të mbështetur projektin filmik të regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti, të cilët kanë shprehur interes për të realizuar një film mbi revoltën e Spaçit të vitit 1973. Sipas tij, qeveria ka vendosur të ndërhyjë pjesërisht për të garantuar “sigurinë dhe krijimin e atmosferës së asaj periudhe kur u krye revolta” por “pa modifikuar kujtesën historike”.

Faksemile nga projekti i miratuar i IKTK-së ku përmendet rindërtimi i tualeteve/Citizens.al

Ministri theksoi se qëllimi i projektit është të sigurojë vazhdimësinë e saj. Në këtë kontekst, ai iu përgjigj kritikëve duke i quajtur disa nga aktivistët që kanë shprehur shqetësime për projektin si “Sanço Panço të politikës së vjetër” – një etiketim që nxiti reagime të shumta.

Një ditë më pas, më 7 qershor, Gonxhja vijoi mbrojtjen publike të projektit, duke theksuar se ndërhyrjet janë “korrekte” dhe “konservuese”. Ai i cilësoi debatet publike si “tymnajë” e krijuar “nga dy foto të punimeve [të papërfunduara] fillestare”.

Në një postim në Facebook, ministri u shpreh se rindërtimi i banjave dhe tarracës së ajrimit “nuk është pjesë e ndërhyrjes, nuk është aprovuar nga IKTK dhe nuk është në kontratë”. Ai shtoi se “çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, duke garantuar transparencë për publikun.

Sipas tij, struktura si rrethimi, porta metalike apo kulla e vrojtimit do të ndërtohen “pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto dhe dëshmi historike” dhe do të jenë të çmontueshme për projektet e tjera në vazhdim.

Megjithatë, shqyrtimet e realizuara nga Citizens.al tregojnë se jo çdo informacion është i aksesueshëm publikisht. Ndryshe nga sa deklaron ministri, dokumentacioni i projektit përfshin edhe rindërtimin e tualeteve.

Gjithashtu, në faqen zyrtare të IKTK mungon njoftimi për fituesin e tenderit të punimeve. Lidhja përkatëse në faqen e IKTK-së është e padisponueshme dhe rezulton me mesazhin “404 – Page not found” (Link). Ngjashëm edhe njoftimet për anulimin e tenderëve të muajve shkurt (Link),

Ndërkohë, përballë interesimeve për koment apo sqarim publik, as CHwB Albania dhe as IKTK nuk kanë kthyer përgjigje ndaj kërkesave të Citizens.al.

The post 35 organizata dhe mbi 730 qytetarë kërkojnë ndalimin e punimeve në Spaç appeared first on Citizens.al.

“Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat

3 June 2025 at 17:58

Ndërhyrjet restauruese në disa prej godinave të ish-burgut famëkeq të Spaçit kanë ndezur debat në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke ngritur pyetje thelbësore mbi ruajtjen e kujtesës dhe autenticitetit të vendit simbol të vuajtjes gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Restaurimi, i cili nga autoritetet konsiderohet i pjesshëm, po bëhet për të ndihmuar në realizimin e një filmi kushtuar së shkuarës së ish-kampit. Kjo ka ngjallur edhe më tepër reagime.

Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula, i cili botoi në rrjetet sociale fotografitë ku binte në sy një fasadë e suvatuar në të bardhë e godinës që dikur shërbente për pritjen e vizitorëve. Ai i konsideroi ndërhyrjet “të pakontrolluara” dhe që “zhdukin memorien historike”.

“Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike, ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese, është i të gjithëve,” theksoi Sula, autor i ekspozitës “E kaluara, e tashme” (2024) me 49 portretet e ish-të burgosurve politikë.

Pas tij, reagimet ishin të forta me në thelb shqetësimin se godina, dikur e degraduar, po merrte një pamje të transformuar. Sipas kritikëve kjo rrezikon të deformojë kuptimin e saj historik.

Filmi të cilit i vijnë në ndihmë punimet, është i regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti – të dy ish-të përndjekur dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës. Ajazi në Qafë Bari, Zhiti në Spaç.

Ish-dhoma e takimit me familjarët pas restaurimit me suva të bardhë/Foto nga Arnen Sula, Facebook.

Ajazi tha për Citizens.al se nuk është e vërtetë se ndërhyrjet po “manipulojnë historinë, përkundrazi”. Sipas regjisorit, ndërhyrjet po realizohen me supervizim teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), si dhe me pjesëmarrjen e skenografëve, arkitektëve dhe ekspertëve të huaj.

“Po luhet me faktin se ‘A u bë llaçi i bardhë, apo u bë i zi’,” theksoi Ajazi i revoltuar teksa ndau fotografi të mëvonshme të së njëjtës godinë. Sipas tij pas përfundimit të suvatimit dhe lyerjes është vijuar me “vjetërzimin e suvasë” pasi projekti i tij filmik synon të nxjerrë sa më mirë kontekstin historik.

Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur të cilët u angazhuan në minierën e bakrit dhe piritit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua. Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite.

Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Në vitin 2010 dhe – më vonë – në vitin 2023 u paraqitën projekte konkrete. Projekti i fundit duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).

Ajazi tregoi për Citizens.al se pas vendimit të vitit 2023, grupi i tij i punës zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi ndihmë për të materializuar idenë e filmit.

“I thamë kryeministrit, ju bëni muzeun, një projekt madhor i cili kërkon kohë, ne bëjmë filmin,” tha Ajazi duke nënvizuar se qëllimi i tij është i njëjtë, ruajtja e trashëgimisë historike të ish-burgut të Spaçit.

Sipas regjisorit ndërhyrjet që po bëhen aktualisht janë të pjesshme dhe të orientuara drejt rikrijimit të realitetit të asaj periudhe, e cila do ta ndihmojë ekipin e tij gjatë xhirimeve. Ai këmbënguli se nuk ka aspak rrezik për të dëmtuar sitin.

Më poshtë pamje të gjendjes së mëparshme të godinës në ish-burgun e Spaçit:

Çfarë parashikon projekti?

Projekti i (IKTKT-së) me vlerë rreth 100 mijë euro, parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.

Ndërtesës “Nr.3” njohur si “Komanda” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i riparohen dhe plotësohen parmakët dhe t’i suvatohet ballkoni i katit të dytë.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si vendroja parashikohet t’i rregullohet skarpata e sipërme dhe e poshtme, t’i vendosen parmakë, t’i rregullohen shkallët dhe muret.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si “Dhoma e takimeve” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i vendosen dritaret dhe dera e drurit, të suvatohet dhe lyhet me bojë hidromat.

Ndërtesave Nr.4 dhe Nr.5 njohur si “Infermieria, Kuzhina dhe Mensa” parashikohet t’u meremetohen muret, parmakët, t’u vendoset një derë dhe një dritare druri si dhe t’u rregullohen shkallët.

Ndërtesës Nr.6 njohur si “Fjetorja” parashikohet t’i vendoset parmak shkallëve të katit të parë dhe ballkonit të katit të dytë.

Brenda ish-dhomës së takimit me familjarët gjatë “procesit të vjetërizimit”/Foto Namik Ajazi.

Kritika dhe shqetësime për punimet

Arkitektë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur publikisht qëndrimin kundër mënyrës se si po veprohet në Spaç.

Kreshnik Merxhani, arkitekt, tha për Citizens se ndërhyrjet janë të papranueshme për një monument kulture.

“Aty ke një strukturë ekzistuese dhe ty të lejohet vetëm ta konservosh. Nuk ke të drejtë ta suvatosh, arnat lëri siç janë,” tha Merxhani duke theksuar se vetëm ekspertët mund t’i argumentojnë dhe mbrojnë ndërhyrjet e tilla.

Organizata të shoqërisë civile, përfshirë Bashkinë e Mirditës, fondacionin “Kujto.al”, “Qëndresën Qytetare”, shoqatën e të Përndjekurve Politikë Shkodër dhe figura të njohura publike si publicisti Fatos Lubonja (njëherësh ish-i përndjekur), kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim transparent dhe profesional.

“Ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës,” thuhet në letër, duke paralajmëruar rrezikun që Spaçi të shndërrohet në një “skenografi artificiale”.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i një prej organizatave nënshkruese dhe autor i ekspozitës “Anatomia e Burgut të Spaçit”, tha për Citizens.al se “kjo duket si ndërhyrje make-up-i”.

“Ai është vend vuajtjeje dhe nuk ka kuptim të bëhen ndërhyrje estetike, ku duket se lumturisht mund të jetoje. Duhet kthyer në nivelin që ka qenë, jo t’i ndërtohet realitet i ri.”

Tabela e Institutit të Monumenteve, jashtë objektit shënon se punimet do të zgjasin 8 javë dhe financohen nga Instituti. Nuk është e qartë nëse këto punime janë konform “Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit” të miratuar me propozim nga CHwB Albania në gusht 2024.

The post “Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat appeared first on Citizens.al.

❌
❌