Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.
Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.
Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.
Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë ka regjistruar një numër më të lartë vizitorësh përgjatë këtij viti, ku vetëm në muajin maj kanë qenë mbi 3500. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj të apasionuar pas historisë së Shqipërisë.
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është një ndër pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, ku vit pas viti numri i personave që duan të njohin historinë e vendit tonë vjen duke u rritur. Sa i përket 2025-ës shifrat janë pozitive, sidomos përgjatë muajit maj.
“Numri i vizitorëve këtu në Muzeun Kombëtar Pavarësia Vlorë është rritur ndjeshëm e duket jashtë mase duke filluar që nga janari, shkurti, marsi dhe maji. Tani që ne kemi mbyllur statistikat në maj – 3501 vizitorë. Duket një shifër kolosale kjo dhe falë promocionit që ne i kemi bërë muzeut nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që zhvillojmë”, thotw Kozeta Halili, drejtoreshë e muzeut.
Shifrat kanë një përmirësim të ndjeshëm nga viti në vit.
Historinë e shtetit shqiptar dëshirojnë ta mësojnë edhe të huajt, të cilët përbëjnë numrin më të lartë të vizitorëve.
“Është një shifër e kënaqshme, nga janari deri në maj numri i vizitorëve është 6450 vizitorë, ku 70% e tyre janë të huaj. Këtu kemi ata që vijnë nga vendet nordike, kemi nga Italia, Gjermania, Spanja, por dhe shqiptarët që jetojnë në trevat e Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, të cilët studentët vijnë dhe nxënësit e shkollave të mesme se kanë dhe ata orët mësimore, edukimin nëpërmjet kulturës – për të parë traditat, vendin, kulturën”, shprehet Halili.
Përgjatë verës, muzeu do të qëndrojë i hapur me orar të shtuar në mënyrë që të jetë sa më i aksesueshëm nga vizitorët.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” vijon të tërheqë kuriozitetin e turistëve të huaj.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e një turisti anglez nga vizita e tij në këtë muze.
“Izolimi i vendit gjatë diktaturës bëri që Shqipëria të mbetej e ndarë nga pjesa tjetër e botës. Jack nga Anglia ishullore, del me mbresat më të mira nga ballafaqimi në muze me të shkuarën totalitare, jetën e përditshme, dhe pse Shqipëria ishte dikur për të dhe për shumë të tjerë, një vend pothuajse i panjohur”, shkruan Gonxhja.
Jack tha se “absolutisht interesant aspekti i jetës në Shqipëri për të cilin në Angli dimë fare pak. Por është gjithashtu shokuese njohja se si funksiononte aparati shtetëror”.
“Më vjen shumë mirë që këto janë ruajtur dhe do t’ia tregoni brezave në të ardhmen”, tha Jack.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në vendin tonë, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.
E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com
Përgjatë këtij vitit Muzeu Etnografik në Gjirokastër është vizituar nga 10 mijë turistë kryesisht të huaj.
Në mjediset e muzeu nëpërmjet relikeve, eksponanteve, materialeve filmike etj., prezantohen vlerat e traditës dhe trashëgimisë etno-kulturore të zonës së Gjirokastrës dhe më gjerë. Pjesa me e madhe e turistëve e vizitojnë muzeun Etnografik në mënyrë të organizuar por nuk mungojnë turistët individualë si dhe vizitorët vendas.
“Përgjithësisht janë vizitorë që vijnë me grupe të organizuara, me agjenci turistike, janë turistët familjarë, individual dhe nga gjithë bota specifikisht nga Europa, Hollanda, Franca, Gjermania, gjatë muajit gusht presim më shumë turistët italianë dhe turistët spanjollë, por kryesisht nga gjithë bota”, thotë Besjan Dida, ciceron.
Përgjatë këtij sezoni turistik konstatohet një interes në rritje i turistëve për tu njohur me vlerat e traditës, folklorit, veshjet popullore etj.
“Mendoj se është shumë tërheqës, është diçka e bukur të mësosh për historinë dhe kulturën e Shqipërisë dhe Gjirokastrës, ishte një përvojë e veçantë”, shprehet një turist.
Vlerat e traditës popullore, etnografisë dhe folklorit po kthehen në pika të forta për tërheqjen e turistëve kryesisht të huaj në Gjirokastër.
“Mendojmë se shfaq dhe përfaqëson traditat e qytetit të Gjirokastrës dhe ma materialet video, eksponatet me kostume tradicionale apo përshkrime në gjuhën angleze dhe shqiptare, stafi që mundohemi ti shoqërojmë grupet turistike të ndryshme”, thotë Dida.
Sezoni turistik i verës po regjistron një numër të lartë të vizitorëve vendas dhe të huaj ndërsa përgjatë këtij viti qyteti i gurtë është vizituar nga rreth 80 mijë turistë.
Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Muzeu, i cili mban emrin e ikonografit të pavdekshëm Onufri.
“Muzeu që mban emrin e ikonografit të pavdekshëm shqiptar, Onufri, e që brenda mureve plot histori mban 2,000 objekte të përzgjedhura nga kishat dhe manastiret e rrethit të Beratit, duke mirëpritur numrin rekord të mbi 30,000 vizitorëve gjatë pesëmujorit të parë të vitit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.
Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita – një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë janar-prill 2025.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau pamje nga vizita e tursitëve në këtë muze.
Gonxhja theksoi se Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar, i cili ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë Janar-Prill 2025.
Ndërsa turistët shprehen se muzeu është i mrekullueshëm.
“Një muze i mrekullueshëm, me të vërtetë! Me ngjyrat pastel që i japin një vlerë të veçantë. Është kënaqësi të shohësh kualitetin e pikturave dhe cilësinë e punimeve të ikonave. Me të vërtetë një muze i veçantë!”, shprehet një turist francez.
Një tjetër turist francez thekson se, “është një muze i mrekullueshëm. Përfaqëson denjësisht pasurinë e trashëgimisë suaj kulturore dhe fetare”.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar gjendet në qytetin e Korçës, prej 24 prillit të vitit 1980. Muajin e kaluar MKAM festoi 45 vjetorin e krijimit. Ky muze konservon trashëgiminë më me vlerë, të krijuar nga piktorët shqiptarë nder shekuj.
Pikturat e periudhës post bizantine janë ekspozuar në pavionin e artit ikonografik. Ato janë piktura të shek.XII dhe XIV. Në muze ndodhen rreth 7500 objekte artistike prej: guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera. Ndër to janë 1200 objekte ndërsa ikona janë rreth 6000, shumica me përkatësi kohore nga epoka bronzit dhe epokës së hekurit. Gjithashtu përbëhet edhe nga kostumet folklorike, nga objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare./atsh/ KultPlus.com
Ndërsa Muzeu Arkeologjik i nënshtrohet rikonstruksionit, prej 3 vjetësh 17 mijë objekte të fondit arkeologjik të Durrësit ruhen në një kapanon të vogël dhe dy kontejner mallrash, mjedise të papërshtatshme për kërkim shkencor. Investimi për projektin restaurues të Muzeut Arkeologjik të Durrësit ka hyrë në fazën e tij të fundit, megjithëse nuk dihet nëse ekspozita […]
Një muze i Holokaustit në Republikën Çeke është hapur në një ish-fabrikë që ishte në pronësi të biznesmenit të njohur gjerman të kohës, Oskar Schindler, i cili u bë i famshëm në filmin fitues të çmimit Oscar të Steven Spielberg, “Lista e Schlinderit”.
Dy ekspozita – njëra mbi fatin e të mbijetuarve të Holokaustit dhe tjetra rreth lëvizjes avangarde Bauhaus – ishin ekspozitat fillestare të muzeut.
Fabrika, e cila ka qenë nën mbrojtje të trashëgimisë që nga viti 2016, ndodhet në Brnenec, afërsisht 160 kilometra në lindje të Pragës.
”Për momentin, muzeu është i hapur vetëm për turne me guidë në ditë të caktuara të vitit”, sipas një zëdhënëseje të memorialit, siç u raportua nga agjencia çeke e lajmeve, CTK.
Para hapjes së muzeut, rrënojat industriale duhej të pastroheshin nga mbeturinat toksike dhe të restauroheshin gjatë disa viteve.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Schindler punësoi më shumë se 1 000 punëtorë hebrenj në fabrikën e tij të municioneve duke i mbrojtur ata nga deportimi dhe vrasja.
Në vitin 1944, fabrika u zhvendos nga Krakovi, i pushtuar nga gjermanët në Brnenec.
Ajo shërbeu si një nënkamp i kampit gjerman të përqendrimit të Gross-Rosenit.
Schindler u nderua më vonë në Izrael për përpjekjet e tij për të shpëtuar punëtorët.
Historia e biznesmenit gjermano-moravian fitoi famë botërore për herë të parë përmes romanit “Lista e Shindlerit” nga autori Thomas Keneally dhe më vonë nga filmi i Spielbergut.
Pasardhësit e familjes Low-Beer, të cilët kishin qenë industrialistë të pasur hebrenj para se Hitleri të vinte në pushtet, themeluan fondacionin “Shpëtimi i Arkës së Shindlerit” dhe morën përsipër vendin historik disa vite më parë për të ngritur një memorial.
Familja kishte qenë pronarët origjinalë të fabrikës derisa u konfiskua nga nazistët në vitin 1938./atsh/ KultPlus.com
Muzeu “Muza ime”, një memorial kushtuar disidentes Musine Kokalari në qytetin e Gjirokastrës, është kthyer në një qendër kulturore shumëdimensionale.
Përveçse ofron mundësinë për të njohur jetën, kujtimet, objektet personale dhe dorëshkrimet e saj, ky muze po shndërrohet gjithashtu në një hapësirë ku vepra e Musine Kokalari ndërvepron në mënyrë kreative me publikun e të gjitha moshave.
Familjarët e Musine Kokalari shprehin dëshirën se ajo kishte një vullnet të fortë për të ndarë njohuritë e saj dhe për të parë shoqërinë shqiptare të përqafojë progresin dhe të renë.
“Qëllimi parësor i ngritjes së këtij memoriali është që të bëhet një qendër takimi e brezave të rinj, një qendër sociale, një qendër edukative dhe mendoj se me këto aktivitete ne realizojmë qëllimin. Tek Musineja kemi gjithmonë shumë për të mësuar, sepse ajo ishte shumë e parakohshme për kohën e saj, por mendoj se edhe për kohën tonë. Ajo nuk është vetëm një personazh historik, Musine Kokalari është një personalitet i shumanshëm që ka dhënë kontribut në shumë fusha, si të kulturës ashtu edhe shoqërisë.” – tha Arjeta Kokalari, familjare e Musine Kokalari.
Muzeu është duke komunikuar në forma të ndryshme me publikun përmes dimensioneve të shumta që mishëronte vetë Musineja në jetën dhe veprën e saj.
“Vetë personaliteti i Musine Kokalari është mjaft interesant dhe ngjall kuriozitet, jo vetëm tek ne shqiptarët, por edhe tek të huajt, të cilët befasohen nga ekzistenca e një intelektualeje të tillë në një shoqëri jo shumë të zhvilluar, siç ishte ajo e Shqipërisë së viteve 30-të, veçanërisht nga qasja e saj emancipuese për rolin e gruas.” – tha Arjeta Kokalari.
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe themeluese e Partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi në Rrëshen në gusht të vitit 1983. Ajo përjetoi mbi 37 vite burgime dhe internime nga regjimi komunist, por mbeti deri në fund simbol i lirisë së mendimit dhe qëndresës intelektuale./euronews/ KultPlus.com
Mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropolitan dhe “Info-Point” i bashkisë, pritet të rrafshohen për t’i hapur rrugë një plani për kulla. Kjo u mësua të hënën gjatë konkursit ndërkombëtar për të ashtuquajturin Masterplan i […]
Në Kalanë e qytetit të Beratit ndodhet Muzeu Ikonografik “Onufri” i përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”.
Muzeu mban emrin e Onufrit, një prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shek. XVI.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje të muzeut, një udhëtim mes ngjyrash dhe historisë që flet përme ikonave.
“Muzeu Ikonografik Onufri në Berat! Një udhëtim mes ngjyrave dhe historisë që flet përmes ikonave”, u shpreh ai.
Në vitin 2024, ky muze ka mirëpritur mbi 106 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2023.
Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala” dhe ka qënë katedralia e qytetit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.
Ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin 1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes.
Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/ KultPlus.com
Një projekt dedikuar historisë së Vlorës, që risjell në kujtesë vlera të çmuara si mikpritja dhe humanizmi ndër shekuj i vlonjatëve, sapo ka nisur jetësimin në terren. Muzeu Hebraik Shqiptar është projekti më i ri që u zgjodh të ndërtohet në Vlorë, e cila ishte shtëpia e komunitetit më të madh hebre në Shqipëri.
Muzeu po ngrihet mbi Lagjen e dikurshme të Hebrenjve dhe ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, afër tre muzeve të tjerë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, ku Muzeu Hebraik Shqiptar do të jetë pjesë e kompleksit kulturor.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Vlorë, nisi inspektimet nga ky kantier, ku së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, u njoh me ecurinë e punimeve të nisura 1 muaj më parë.
“Vlen të meritojë më shumë prezantimi këtu, sepse objekti nuk shtrihet vetëm në këtë mbrojtjen, e objektit ekzistues, i cili është objekti i mbrojtur, po është gjithëpërfshirja po themi në gjithë këtë ansambël urban, ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, që quhej një herë e një kohë. Ndërtimi është jashtëzakonisht shumë kompleks. Do të ketë disa përforcime që do të bëhen gati. Dhe strukturat e xhamit do jenë unike në të gjithë Shqipërinë. Edhe në botë ka shumë pak struktura të tilla”, u shpjegua gjatë prezantimit të punimeve.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë, që ky është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës dhe atë shqiptar. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët është një histori e jashtëzakonshme. Trashëgimi historiko-kultutore e jashtëzakonshme për të gjithë ne, dhe që flet për shqiptarët, pavarësisht myslimanë apo të krishterë. Dhe duhet pasur parasysh që me vendosjen e linjës direkte me Izraelin fillon kërkesa nga turistët izraelitë për të ardhur në Shqipëri. Kërkesa është shumë e madhe. Kanë filluar ta njohin historinë tonë me ta dhe ky është një gur themeli me të cilin do të ndërtojmë gjëra në turizëm, ekonomi, teknologji. Besoj që Vlora është me fat dhe duhet të jetë krenare që ka këtë histori”, tha Rama.
Drejtuesi teknik i punimeve për Muzeun Hebraik tha se ky është një objekt i mbrojtur, por është gjithëpërfshirja në këtë ansambël urban ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, me gjithë sensin e mikpritjes së shqiptarit.
“Në këtë zonë do të jetë pavijoni i hyrjes, dhe pjesa e mbrapme ka një portë të hapur që do të thotë që është shumë pritëse. Veshja do të jetë 98% gurë shqiptarë dhe 2% gurë izraelitë, ku ai guri dhe për historinë e tyre personifikon lidhjen që kanë ata me vendin e tyre”, tha ai.
Sipas inxhinierëve dhe drejtuesve të këtij projekti, është parashikuar që ndërtimi të përfundojë për dy vjet, por Kryeministri Rama nënvizoi se pavarësisht kompleksitetit të godinës, projekti duhet të përfundojë brenda 18 muajve.
“Jam i bindur që për 18 muaj kompania e mbyll ndërtimin, e bashkë me të edhe muzealizimin”, u shpreh Rama.
Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.
“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.
“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com
Një grup hajdutësh ka kryer një grabitje spektakolare në Muzeun Drents në Assen, Holandë, duke përdorur eksplozivë për të hyrë brenda dhe duke vjedhur katër artefakte të lashta, përfshirë Helmetën e Cotofenesti, një objekt i rrallë historik rreth 2500-vjeçar. Incidenti ndodhi në orët e para të së shtunës. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin […]
Është publikuar momenti kur disa persona kanë shpërthyer derën e muzeut të Drents në Assen të Holandës dhe u futën të grabisnin katër objekte të lashta ari , pjesë e një ekspozite nga Rumania. Momenti kur hajdutët hynë në muze u regjistrua nga një kamera sigurie. Në video shihen disa nga autorët duke vendosur eksplozivin
KUKËS– E gjen në çdo orë të ditës në vendin e tij të punës. Një punë e profesion në fakt që është shumë e veçantë e kërkon impenjim, njohuri maksimale rreth historisë, traditës, kulturës, artit e natyrës.
Të gjitha këto i ka Liridon Cenaj, ciceroni i muzeut etnografik të Kukësit. Përgjithësisht muzetë në rolin e ciceronit punësojnë specialistë që kanë eksperienca disa vjeçare, por edhe pse menjëherë pas studimeve, Liridoni duket se e zotëron mjaft mirë.
Një muze modest, por i plotë për të dhënë një panoramë rreth Kukësit që nga vendbanimet e hershme mijëra vjeçare e deri në ditët e sotme. Liridoni na bën një guidë të shpejtë në Muze në tre pavionet kryesore të tij me sqarimet e nevojshme
E ka nisur që në 2018 këtë profesion. Thotë se është një profesion që kërkon veç dijeve për atë çfare përmban muzeu edhe mënyrën e komunikimit me vizitorët
Për Liridonin ciceroni është art me vete…Thotë se e do shumë si profesion dhe lexon shumë për të perfeksionuar njohuritë.
Muzeu vizitohet nga shumë turistë të huaj e vendas, veçanërisht qytetarë nga Kosova. Për nxënësit e shkollave, Liridoni thotë se muzeu shërben për orë të hapura mësimore.
E rëndësishme është etnografia, në të cilën janë ekspozuar kostume tradicionale nga të gjitha krahinat e Kukësit, por edhe enë e orendi që kanë shërbyer në përditshmërinë e qytetarëve.
Duket se sa i apasionuar është pas profesionit të tij dhe muzeut. Edhe pse kishte ide të tjera për të startuar pas studimeve nuk është penduar që zgjodhi këtë profesion.
MYNIH, 22 janar /ATSH-AA/ – Muzeu Gjerman në Mynih, muzeu më i madh i teknologjisë në Gjermani, raportohet se ka hequr një portret të miliarderit amerikan të teknologjisë Elon Musk.
Sipas raportimeve të mediave lokale, paneli i xhamit me portretin e Muskut është hequr nga muzeu.
Një zyrtar anonim i muzeut ka thënë se “prania e një personi të gjallë në një vend të rëndësishëm në muze mund të shkaktojë probleme”.
Elon Musk kohët e fundit është kritikuar gjerësisht për mbështetjen e hapur të partive të krahut të djathtë në Gjermani, veçanërisht përmes platformës së tij X. /os/
TIRANË, 15 janar/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë informuese dhe argëtuese “E Ka Kush E Ka” – “Xhubleta” në shkollën 9-vjeçare jopublike “DAS”.
Kjo veprimtari zhvillohet me mbështetjen dhe ndihmën e CHwB Albania.
Nxënësit mësuan për rëndësinë e xhubletës, e cila identifikon trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Gjithashtu u argëtuan duke vizatuar lahutën sipas modelit të dhënë.
Xhubleta si veshje tradicionale shqiptare është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.
Elenita Roshi do të jetë drejtuesja e Muzeut Historik Kombëtar.
Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se Roshi sjell mbi 20 vite përvojë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, turizmit të trashëgimisë, dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror.
Elenita Roshi ka punuar gjerësisht me organizata ndërkombëtare, në projekte që fokusohen në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, sidomos në Butrint dhe Gjirokastër. Bazat e saj akademike, përfshirë një doktoraturë në marketingun e trashëgimisë kulturore dhe një bursë Humphrey/Fulbright në Universitetin Cornell të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësojnë përvojën e saj praktike.
Si pedagoge e jashtme në Universitetin Politeknik të Tiranës, Elenita kontribuon gjithashtu në ndërtimin e ekspertizës së ardhshme në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
“Pasioni i saj për ta bërë trashëgiminë tonë tërheqëse dhe edukative, si për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët, do t’i shërbejë procesit të rëndësishëm të rindërtimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të shndërrimit të tij në një hapësirë për edukim, frymëzim dhe dialog”, theksoi Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com
TIRANË, 4 janar /ATSH/ Interesi i turistëve vendas e të huaj për Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat nuk ka reshtur as në këtë fillimviti.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, deklaroi për ATSH-në se “Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” ka hapur dyert që në datën 1 janar për vizitorët vendas dhe ata të huaj që zgjodhën të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri”.
“Në tri ditët e para të janarit ky muze u vizitua nga 250 vizitorë, ku vetëm ditën e djeshme pati 200. Vizitorët kryesisht janë vendas, por nga të huajt ishin kryesisht italianë dhe austriakë”, tha Pasku.
Vizitorët pas vizitës në muzeun që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI kanë lënë përshtypjet e tyre në librin e vizitorëve.
Drejtori Pasku bëri të ditur se “gjatë vitit 2024 ky muze u vizitua nga mbi 105 mijë vizitorë vendas e të huaj, duke shënuar një rritje me 40% krahasuar me 2023. Vizitorët e huaj që kanë shfaqur interes për këtë muze kanë qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.”.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.