Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.
Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.
Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.
Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” vijon të tërheqë kuriozitetin e turistëve të huaj.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e një turisti anglez nga vizita e tij në këtë muze.
“Izolimi i vendit gjatë diktaturës bëri që Shqipëria të mbetej e ndarë nga pjesa tjetër e botës. Jack nga Anglia ishullore, del me mbresat më të mira nga ballafaqimi në muze me të shkuarën totalitare, jetën e përditshme, dhe pse Shqipëria ishte dikur për të dhe për shumë të tjerë, një vend pothuajse i panjohur”, shkruan Gonxhja.
Jack tha se “absolutisht interesant aspekti i jetës në Shqipëri për të cilin në Angli dimë fare pak. Por është gjithashtu shokuese njohja se si funksiononte aparati shtetëror”.
“Më vjen shumë mirë që këto janë ruajtur dhe do t’ia tregoni brezave në të ardhmen”, tha Jack.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në vendin tonë, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.
E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com
Muzeu i “Dritëro Agolli” në Devoll është projekti më i ri për të cilin ka nisur sot zbatimi në vendlindjen e shkrimtarit të shquar.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur se ky projekt vjen falë një bashkëfinancimi nga Këshilli i Qarkut Korçë dhe Bashkia Devoll.
Në një ceremoni, ku ishin të pranishëm autoritetet vendore, nisi sot hedhja e themeleve për këtë projekt të shumëpritur.
Ndërtimi i muzeut të Dritëro Agollit po bëhet në fshatin e tij të lindjes, Menkulas dhe sipas autoriteteve vendore “është konceptuar si një muze që i shkon për shtat një kolosi të letërsisë shqipe dhe një devolliu të mirë, atij që e ngriti lart emrin e Devollit dhe të devollinjve kudo”.
Ky muze do të jetë një nga pikat kryesore të turizmit, jo vetëm për bashkinë Devoll, por për të gjithë qarkun e Korçës.
Interesi për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë vijon të rritet, me Qendrën Muzeore Krujë që ka pritur mbi 65 mijë vizitorë vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Lajmi u bë i ditur sot nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi rëndësinë që ka qyteti i Krujës në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 55 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ruan dhe paraqet me krenari historinë e një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar. Ndërkohë, rreth 10 mijë vizitorë kanë eksploruar Muzeun Etnografik të Krujës, ku ekspozohen objekte të trashëgimisë kulturore që pasqyrojnë jetesën tradicionale të trevës.
Ministri Gonxhja u shpreh se këto shifra dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të interesit të publikut për historinë dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
Kruja mbetet një simbol i krenarisë kombëtare, dhe muzetë e saj po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga vendi dhe bota, duke kontribuar edhe në zhvillimin e turizmit lokal dhe ekonomik./ atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përcolli në rrjetet sociale mesazhin e një turisteje arberëshe që vizitoi muzeun e Onufrit.
“Nga Kalabria në Berat, një arbëreshe ndalet përballë ikonave të Onufrit, aty ku gjuha e artit dhe gjuha e gjakut flasin të njëjtën histori”, tha Gonxhja.
Nga ana e saj, turistja thotë se vjen nga Kalabria, ndërsa nëna e saj ka pasur mbiemrin Minishi si arbereshe që ishte, ndërsa gjyshërit ishin italianë. “Ne arbëreshët, qëndruam siç erdhëm 500 vite më parë, aty ku jemi vendosur me të gjitha traditat tona në shumë zona të Kalabrisë. Është hera e parë që vij në Shqipëri, pasi ne themi shpesh Arbëria është në zemrën tonë. Erdha sepse jemi vëllezër, motra, jemi vëllazëri e vërtetë. Jam pritur shumë mirë dhe jam e lumtur që jam këtu”, thotë ajo.
Njëherësh, turistja thotë se është kthyer pas 500 vitesh, erdha në shtëpinë e etërve të saj. “Erdha në Berat dhe Berati qenka vërtet i bukur. Nuk e dija që do të ishte një vend kaq i bukur. U ngjita në kala, erdha në këtë kishë, dhe m’u hap zemra që të shihja gjithë këto ikona që të flasin. Është vërtet shumë i bukur”, pohoi turistja arbëreshe.
Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.
Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita, një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar.
Po ashtu ky muze mbetet një destinacion tërheqës për turizmin e kulturës, ndërsa në 4 muajt e parë të vitit ka pritur mbi 3900 vizitorë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga muze, të cilin e konsideroi një thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan.
Që prej vitit 1980 ky muze ruan një trashëgimi të vyer duke reflektuar një pasuri të jashtëzakonshme kulturore.
Këtu gjenden mbi 5 mijë objekte nga periudha mesjetare, përfshirë ikona, dorëshkrime dhe artefaktet të tjera që datojnë nga shekulli i XIII deri në shekullin e XIX.
Shumë ikona të krijuara nga mjeshtra të njohur si Onufri, Konstandin Shpataraku dhe Nikolla janë shpirti i këtij muzeu dhe mbajnë brenda tyre shumë histori.
Teknikat e avancuara të përdorura për krijimin e këtyre ikonave tregojnë aftësitë dhe kreativitetin e artistëve mesjetarë shqiptarë.
Ky muze është një qendër e rëndësishme për restaurimin dhe ruajtjen e ikonave duke siguruar që këto thesare të çmuara të mbeten të paprekura për brezat e ardhshëm.
Gjithashtu në këto hapësira organizohen ekspozita speciale dhe evente kulturore të cilat e kthejnë në një platformë për artistët bashkëkohorë duke promovuar artin mesjetar në një kontekst modern si një pikë kyçe e turizmit kulturor. Ky muze në Korçë gjatë vitit 2023 u vizitua nga 30 mijë njerëz./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Muzeu, i cili mban emrin e ikonografit të pavdekshëm Onufri.
“Muzeu që mban emrin e ikonografit të pavdekshëm shqiptar, Onufri, e që brenda mureve plot histori mban 2,000 objekte të përzgjedhura nga kishat dhe manastiret e rrethit të Beratit, duke mirëpritur numrin rekord të mbi 30,000 vizitorëve gjatë pesëmujorit të parë të vitit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.
Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita – një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë janar-prill 2025.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau pamje nga vizita e tursitëve në këtë muze.
Gonxhja theksoi se Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar, i cili ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë Janar-Prill 2025.
Ndërsa turistët shprehen se muzeu është i mrekullueshëm.
“Një muze i mrekullueshëm, me të vërtetë! Me ngjyrat pastel që i japin një vlerë të veçantë. Është kënaqësi të shohësh kualitetin e pikturave dhe cilësinë e punimeve të ikonave. Me të vërtetë një muze i veçantë!”, shprehet një turist francez.
Një tjetër turist francez thekson se, “është një muze i mrekullueshëm. Përfaqëson denjësisht pasurinë e trashëgimisë suaj kulturore dhe fetare”.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar gjendet në qytetin e Korçës, prej 24 prillit të vitit 1980. Muajin e kaluar MKAM festoi 45 vjetorin e krijimit. Ky muze konservon trashëgiminë më me vlerë, të krijuar nga piktorët shqiptarë nder shekuj.
Pikturat e periudhës post bizantine janë ekspozuar në pavionin e artit ikonografik. Ato janë piktura të shek.XII dhe XIV. Në muze ndodhen rreth 7500 objekte artistike prej: guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera. Ndër to janë 1200 objekte ndërsa ikona janë rreth 6000, shumica me përkatësi kohore nga epoka bronzit dhe epokës së hekurit. Gjithashtu përbëhet edhe nga kostumet folklorike, nga objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare./atsh/ KultPlus.com
Nga Kanadaja në Katar, përgatituni të frymëzoheni nga disa prej arkitekturës më mahnitëse në botë.
Këto muze, ose ndërtesa ekstravagante moderne ose rrënoja mistike mesjetare ose stacione treni të konvertuara, janë vepra arti në vetvete dhe do t’ju lënë të mahnitur, transmeton KultPlus.
Musée d’Orsay, Paris
Këtu, ju do të gjeni koleksionin më të madh në botë të veprave të artit të respektuara nga impresionistët dhe post-impresionistët. Dikur një stacion hekurudhor, Musée d’Orsay, fillimisht i njohur si Gare d’Orsay, është një nga shembujt më të shkëlqyer të lëvizjes franceze të arteve të bukura me shumë tipare origjinale të ruajtura.
Muzeu i Historisë Natyrore, Londër
Miliona njerëz vizitojnë çdo vit Muzeun e Historisë Natyrore në Londër. Çdo dhomë është një gëzim për tu vizituar pasi pikturat dhe gdhendjet e kafshëve, florës dhe faunës janë të vendosura në të gjithë tavanet, muret dhe madje edhe shtyllat e muzeut.
Muzeu Guggenheim, New York
Muzeu Solomon R. Guggenheim në New York është një nga ndërtesat më të njohura për shkak të arkitekturës së tij spirale unike. Muzeu është një nga ndërtesat e firmës së arkitektit të famshëm Frank Lloyd Wright, ndërsa disa lehtë do të argumentonin se është padyshim perlë e tij, dhe iu deshën 16 vjet për ta ndërtuar. Forma e ndërtesës lejon që puna e jashtëzakonshme dhe e thellë që ajo mban – dhe me të cilën përputhet në mënyrë të përsosur – të përjetohet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, duke u paraqitur në një shteg të vazhdueshëm nga maja në fund të ndërtesës.
Guggenheim Bilbao, Bilbao
Kjo ndërtesë e Frank Gehry vlerësohet globalisht si një nga ndërtesat më të spikatura të fundit të shekullit të 20 -të dhe kombinon një sukses kritik dhe atë popullor, diçka jashtëzakonisht e rrallë në botën e arkitekturës. Muzeu strehon një koleksion të veprave të artistëve spanjollë dhe ndërkombëtarë dhe pasqyron historinë detare të Bilbaos duke sugjeruar anije dhe peshore peshku përmes modelit të tij.
Muzeu Hanoi, Hanoi
Kjo ndërtesë në dukje që kundërshton gravitetin është në thelb një piramidë e përmbysur dhe është ndërtuar për të festuar përvjetorin mijëvjeçar të Hanoi. Pak ndërtesa dhe monumente më të gjera në krye sesa në fund kanë arritur sukses në një shkallë kaq të jashtëzakonshme.
Muzeu Royal Ontario, Toronto
Në Amerikën e Veriut, Muzeu Royal Ontario i Torontos ka qenë prej kohësh një nga muzetë më të njohur. E projektuar nga Daniel Libeskind, kjo ndërtesë e rrënuar dekonstruktive u ndërtua si një shtrirje në ndërtesën origjinale.
Shtëpia dhe Kopshtet e Monet, Giverny
Ajo që e bën “Fondacionin Claude Monet” kaq tërheqës është se kur hyn, vizitori transportohet menjëherë në kryeveprat goditëse dhe elegante të piktorit. Kjo është një ndërtesë që përfiton shumë nga fakti që Monet punoi gjerësisht duke përshkruar kopshtet e tij, të cilat, së bashku me shtëpinë, janë ruajtur në një standard të lartë në mënyrë që t’i ofrojnë vizitorit një pasqyrë unike në bota e artistit -një botë me ngjyra, heshtje dhe bukuri të shkëlqyer kombëtare.
Muzeu Historik Shtetëror i Moskës, Moskë
E ndërtuar në shekullin XIX, kjo është një ndërtesë e jashtëzakonshme neo-ruse. Ngjyra e tij e ndritshme, e kuqe e gjakut e bën atë një pjesë të përsosur për t’u ulur në Sheshin e Kuq së bashku me ndërtesat e tjera me ngjyra të gjalla të Moskës. Duke ndjekur historinë ruse nga koha parahistorike e deri më sot, vlerësohet se muzeu mban një koleksion të objekteve që arrijnë në miliona.
Muzeu Hedmark, Hamar
Ky është më shumë një koleksion i muzeve dhe ndërtesave sesa një muze i vetëm. Ajo që e veçon Hedmark nga muzetë e tjerë rajonalë ose të përkohshëm të këtij lloji është ajo që nganjëherë quhet “katedralja e dyfishtë”. Ndërtesa është një kombinim i bukur i rrënojave të katedrales mesjetare dhe një serë që mbyll rrënojat dhe i mbron ato.
Luvri, Paris
Luvri është zyrtarisht muzeu më i vizituar në botë. Një ndërtesë që u zgjerua ndër shekuj, muzeu është shtëpia e disa prej veprave më monumentale të artit të bëra ndonjëherë, si “Mona Lisa” e Da Vinçit dhe “Venus de Milo”. Themelet origjinale të kalasë mesjetare janë të dukshme nga kripta dhe piramida e saj e dukshme prej qelqi u ndërtua në vitin 1989, ndërsa piramida e saj e përmbysur u përfundua në 1993.
Muzeu i Artit Islam, Doha
Projektuar nga I.M. Pei, arkitekti i famshëm gjithashtu përgjegjës për piramidën e Luvrit, ndërtesa e Muzeut të Artit Islamik është frymëzuar nga arti islamik që përmban. Është i pari i këtij lloji në Shtetet Arabe, por muze të tjerë i janë bashkuar që në vende si Kajro dhe Ghazni.
Muzeu Dali, Shën Petersburg, Florida
Muzetë që përqendrohen në paraqitjen e punës së një artisti të vetëm janë të ngarkuar me detyrën e strehimit të punës së artistit në një ndërtesë që flet absolutisht për ta. Muzeu Dali është ndoshta ai që ka më shumë sukses në atë përpjekje. Edhe pse struktura kryesore ka një formë kubike mjaft standarde, është qelqi dhe çeliku që duket se derdhen nga ndërtesa si një material i shkrirë i një lloji – shumë si orët e shkrirjes në “Qëndrueshmëria e kujtesës” – që me të vërtetë i jep muze karakterin e tij Dali. Kjo shtesë surreale në bregun perëndimor të Floridës jeton absolutisht me famën e mjeshtrit të Surrealizmit. / KultPlus.com
Muzeu “Muza ime”, një memorial kushtuar disidentes Musine Kokalari në qytetin e Gjirokastrës, është kthyer në një qendër kulturore shumëdimensionale.
Përveçse ofron mundësinë për të njohur jetën, kujtimet, objektet personale dhe dorëshkrimet e saj, ky muze po shndërrohet gjithashtu në një hapësirë ku vepra e Musine Kokalari ndërvepron në mënyrë kreative me publikun e të gjitha moshave.
Familjarët e Musine Kokalari shprehin dëshirën se ajo kishte një vullnet të fortë për të ndarë njohuritë e saj dhe për të parë shoqërinë shqiptare të përqafojë progresin dhe të renë.
“Qëllimi parësor i ngritjes së këtij memoriali është që të bëhet një qendër takimi e brezave të rinj, një qendër sociale, një qendër edukative dhe mendoj se me këto aktivitete ne realizojmë qëllimin. Tek Musineja kemi gjithmonë shumë për të mësuar, sepse ajo ishte shumë e parakohshme për kohën e saj, por mendoj se edhe për kohën tonë. Ajo nuk është vetëm një personazh historik, Musine Kokalari është një personalitet i shumanshëm që ka dhënë kontribut në shumë fusha, si të kulturës ashtu edhe shoqërisë.” – tha Arjeta Kokalari, familjare e Musine Kokalari.
Muzeu është duke komunikuar në forma të ndryshme me publikun përmes dimensioneve të shumta që mishëronte vetë Musineja në jetën dhe veprën e saj.
“Vetë personaliteti i Musine Kokalari është mjaft interesant dhe ngjall kuriozitet, jo vetëm tek ne shqiptarët, por edhe tek të huajt, të cilët befasohen nga ekzistenca e një intelektualeje të tillë në një shoqëri jo shumë të zhvilluar, siç ishte ajo e Shqipërisë së viteve 30-të, veçanërisht nga qasja e saj emancipuese për rolin e gruas.” – tha Arjeta Kokalari.
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe themeluese e Partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi në Rrëshen në gusht të vitit 1983. Ajo përjetoi mbi 37 vite burgime dhe internime nga regjimi komunist, por mbeti deri në fund simbol i lirisë së mendimit dhe qëndresës intelektuale./euronews/ KultPlus.com
Muzeu i Traditës në Sarandë është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj.
Nga viti në vit, numri i turistëve ka ardhur në rritje, ku më së shumti dominojnë moshat e treta dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Ky muze ofron një pasqyrë autentike të trashëgimisë etnografike dhe mënyrës së jetesës së brezave të mëparshëm në bashkitë jugore të Shqipërisë.
Muzeu është i ndarë në dy kate dhe paraqet një koleksion të pasur që përfshin veshjet tradicionale të përditshme dhe festive, mjetet e punës, si dhe elementë të kulturës së të ushqyerit, si sofra dhe aksesorët e saj.
Në vitin 2024, interesi për muzeun është rritur ndjeshëm, duke u përfshirë gjithashtu në paketat turistike të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Përgjegjësja e muzeut, Elda Koçi, shprehet se ky vit ka qenë i mbushur me aktivitete, ndërsa sezoni veror ka shënuar një fluks të lartë turistësh.
“Gjatë këtij viti kemi pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve, përfshirë turistë nga India, Meksika dhe Japonia, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për historinë dhe trashëgiminë e Sarandës. Nëse në vitin 2023 vizitat arritën në 70% të kapacitetit, në 2024 kjo shifër ka shkuar në rreth 75%, duke shënuar një rritje graduale”, thekson ajo.
Grupmoshat më të interesuara për muzeun janë kryesisht të moshës së mesme dhe të tretë, të cilët janë të mirëinformuar dhe të prirur për të njohur më shumë rreth historisë dhe origjinës së qytetit bregdetar.
“Vizitorët tanë janë të interesuar për historinë e Sarandës, prejardhjen e emrit të qytetit dhe ndryshimet që ai ka pësuar ndër vite. Ata vlerësojnë faktin që një qytet kaq i vogël dhe bregdetar ka një muze të pasur me trashëgimi kulturore”, shton Koçi.
Në periudhën dimërore, muzeu mbetet aktiv duke organizuar aktivitete edukative për nxënësit e shkollave, sidomos gjatë muajve tetor dhe nëntor, në kuadër të festave kombëtare.
“Edhe pse janari është një muaj i qetë, kemi ende vizitorë të huaj që shfaqin interes për muzeun. Së fundmi kemi pritur një grup nga India, të cilët ishin të informuar për ekzistencën e muzeut dhe donin ta vizitonin. Ndërsa me afrimin e pranverës, fillojmë të presim grupmoshat e treta nga Greqia, të cilët kombinojnë vizitën e tyre me qëndrimin në Korfuz”, tregon Koçi.
Muzeu i Traditës, si pjesë e grupit muzeal të Sarandës, jo vetëm që pasuron ofertën kulturore të qytetit, por gjithashtu e bën atë një destinacion më tërheqës për turistët që kërkojnë të eksplorojnë historinë dhe kulturën shqiptare./euronews/ KultPlus.com
Në një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e personaliteteve të shquara, sot në Prizren u hap zyrtarisht Muzeu “Nënë Tereza”, e cila ngjarje u zhvillua në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë kësaj dite një domethënie të veçantë.
Muzeu, i cili i dedikohet jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, përmban dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë humanizmin dhe përkushtimin e Nënë Terezës ndaj njerëzimit, që si institucion kulturor synon të jetë një qendër inspirimi dhe reflektimi për brezat e ardhshëm.
“Përurimi i Muzeut “Nënë Tereza” përforcon identitetin kulturor dhe historik të Prizrenit, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme për studiuesit, turistët dhe admiruesit e figurës së saj madhështore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës së Prizrenit./
Programet e edukimit dhe ekspozitat ndikuan pozitivisht në arritjen e numrit rekord të vizitorëve prej 22 500, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” përgjatë vitit 2024.
Politikat e këtij institucioni do të vijojnë orientimin drejt bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Organizimi i një konference shkencore është një nga objektivat e gjysmës së parë të këtij viti.
“Pjesë e programit të edukimit do të jetë edhe një konferencë shkencore. Këtë vit, muzeu do të mirëpresë një konferencë disaditore me ekspertë të rëndësishëm të Mesdheut. Do jemi si një kryeqytet për fotografinë”, tha Luçjan Bedeni, Drejtori Muzeut Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Për vitin 2025-së parashikohet çelja e katër ekspozitave dhe vijimi i programeve të lidhura me Javën e Ditëve të Fotografisë Antike si dhe Javën Europiane të Trashëgimisë. Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për procesin e përfshirjes në UNESCO.
“Ne presim rezultatet e para në fund të muajit shkurt. Besoj se muaji prill do të jetë muaji i cili e konfirmon ecurinë”, tha Bedeni.
Muzeu i Fotografisë “Marubi” mbetet një destinacion i rëndësishëm për vizitorët e interesuar në histori, kulturë dhe art, duke ofruar për ta një dritare unike përsa i përket zhvillimit të fotografisë dhe ruajtjes së trashëgimisë vizuale të vendit tonë./rtsh/ KultPlus.com
Në shtëpinë-muze të prozatorit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, mbrëmja e djeshme zhurmoi nga vizitat e miqve, adhuruesve e gazetarëve të shumtë, të pranishëm në ekspozitën me dorëshkrimet e letrave të dashurisë mes shkrimtarit dhe njeriut të tij të zemrës, Sadijes.
Të pranishmit e kujtuan të madhin Agolli mes letrave të dashurisë, objekteve personale dhe zërit të tij, që është kudo në shtëpinë ku jetoi me familjen e tij të madhe.
Ishte e bija e Dritëroit, Elona, ajo që kontribuoi me dorëshkrime e objekte të tjera, për këtë ekspozitë.
Drejtoresha e Shtëpive Studio Kadare-Agolli, Anisa Ymeri tha për ATSH-në se me përfundimin e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj, dorëshkrimet, objektet personale etj. do të qëndrojnë në fondin e shtëpisë-muze.
Në shtëpinë e Dritëroit u ekspozuan: veshje të çiftit nga koha e rinisë, kur shkruanin letrat e dashurisë, orët e të dyve, një gjerdan me perla i Sadijes, dy portrete nga Lumturi Blloshmi, një bust i Dritëroit nga Ilmi Kasemi, objekte shtëpiake, si dhe stilografi i tij funksional, me të cilin po shkruhen letra gjatë ekspozitës.
“Të shënojmë stacione të rëndësishme të jetës së shkrimtarit, është misioni ynë, në këtë shtëpi,” u shpreh Anisa Ymeri, duke theksuar se është një ekspozitë e veçantë që mund të vizitohet nga e gjithë familja.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macro do të restaurojë me themel muzeun e famshëm Louvre në Paris, sepse lagështira po rrezikon veprat e artit dhe hyrja është e vogël për masën e vizitorëve.
Ndërtesa e muzeut të famshëm Louvre në Paris është në gjendje jo të mirë. Muret e prekura nga lagështia mund të rrezikojnë veprat e çmuara të artit, ndërsa hyrja është e ngushtë për masën e vizitorëve që vërshojnë nga të katër anët e botës për të vizituar Louvre. Presidenti i Francës Emmanuel Macron dëshiron që muzeu të restaurohet. Kryevepra e Leonardo da Vinçit “Mona Lisa” do të zhvendoset në një sallë të re më vehte duke u ekspozuar në një mënyrë që të shijohet edhe më mirë nga vizitorët, deklaroi Macron.
Në Louvre rreth nëntë milionë vizitorë në vit
Muzeu më i frekuentuar në botë pas restaurimit kapital do të ketë edhe një hyrje të re, për të menaxhuar më mirë kalimin e masës së vizitorëve. Hyrja e tanishme nën piramidën me xhama do të rikonceptohet tërësisht duke iu ndryshuar funksioni në salla të reja. Përurimi i hyrjes së re parashikohet në vitin 2031. Për projektimin e hyrjes së re në fasadën lindore në fund të vitit 2025 do të shpallet një konkurs ndërkombëtar i arkitekturës, tha Macron. Për herë të fundit Louvre është rinovuar në vitet 1980, kur arkitekti Leoh Ming Pei konceptoi piramidën ikonike të xhamit për hyrjen e muzeut, e cila u përurua më 1989 në kohën e presidentit Francois Mitterand. Por kjo hyrje asokohe ishte planifikuar për një masë turistësh deri në katër milionë në vit. Aktualisht Louvre vizitohet nga nëntë milionë turistë në vit, tha Macron.
“Muzeu Louvre pjesë e një mesazhi, që Franca i jep botës”
Çmimet e biletave për vizitorët jashtë vendeve të BE-së do të rriten. Macron nuk i bëri të ditura kostot e projektit, që mund të arrijnë në disa qindra milionë euro. Por një pjesë e kostove pritet të mbulohen nga të ardhurat e vet muzeut Louvre prej rritjes së çmimit të biletave dhe donacioneve.
Duke filluar nga janari 2026 vizitorët jashtë vendeve të BE-së do të duhet të paguajnë më shumë. Se sa do të çmimi i ri i biletave, nuk është komunikuar ende. Afatgjatë pritet që numri i vizitorëve të arrijë në 12 milionë në vit, tha Macron.”Ky muze është pjesë e historisë së Francës, dhe është pjesë një mesazhi, që Franca i jep botës”. Ashtu si arkitektura dhe mjeshtëria e zejtarisë franceze ka rigjallëruar katedralen e Parisit Notre-Dame, duhet që edhe rilindja e Louvre të krijojë një akses të ri tek arti dhe historia e artit, deklaroi Macron. “Eshtë një etapë e re në jetën e kombit”, shtoi ai./DW/ KultPlus.com
Më pas është një dhomë tjetër, më e vogël, me dy shtretër të tjerë të vetmuar. Në murin e dhomës së dytë janë figura të yjeve të filmit dhe postkartela me ngjyra.
Ka gjithashtu një tavolinë me një ditar të mbyllur me “check” të kuqe mbi të. Pas saj, ka një lavaman, një dhomë pritjeje që shërben gjithashtu si një dhomë tjetër gjumi, dhe një dhomë gjumi e fundit me një biçikletë të varur në mur, me një shkallë që ngjitet në një hapësirë papafingoje.
Instalimi qendror në “Anne Frank: The Exhibition”, e cila u hap të hënën, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, në Qendrën e Historisë Hebraike në New York, është një riprodhim i kujdesshëm i aneksit sekret ku Anne Frank dhe familja e saj jetuan në Amsterdam midis viteve 1942 dhe 1944, para se ata dhe ata që jetonin me ta të dërgoheshin në kampet e përqendrimit.
Në këtë hapësirë të kufizuar me dritare të errësuara jetonin Anne, motra e saj Margot, prindërit e tyre, Otto dhe Edith, si dhe partneri i biznesit të Otto-s, Hermann van Pels, gruaja e tij, Auguste, dhe djali i tyre Peter. Fritz Pfeffer, ishte pjesë e rrethit social të Frankëve. Ai ndante një dhomë gjumi me Anne.
Anne vdiq, në moshën 15 vjeçare, në Bergen-Belsen në shkurt ose mars 1945, pak para se kampi të hapej. Vetëm Otto Frank mbijetoi burgosjen e tij në Auschwitz, dhe ishte ai që siguroi që shkrimi i vajzës së tij të bëhej i njohur në mbarë botën.
Ekspozita hapet me valixhen e hapur të Otto-s, dhe ka dokumente të ndryshme të familjes Frank, enë, valixhe dhe pasuri personale.
“Nuk kemi hapësirë për të shfaqur të gjitha artefaktet në Amsterdam, kështu që kjo është një mundësi e mirë për ta bërë këtë”, tha Tom Brink, kreu i koleksioneve dhe prezantimeve në Shtëpinë Anne Frank në Amsterdam dhe kuratori i “premierës botërore” të ekspozitës në New York, për The Times. Ditari në tavolinë është një kopje; origjinali mbetet në Amsterdam.
Brink hedh poshtë akuzat që riprodhimi i vendit të fshehjes është një “pornografi traumatike” shfrytëzuese, duke thënë se ekspozita është një komponent i një projekti më të madh që fokusohet në historinë e familjes Frank. Ne ndjekim historinë e tyre para, gjatë dhe duke shënuar jetën e Otto-s pas luftës, dhe se si historia e familjes Frank u ndërthur me ngjitjen e dhunshme dhe represive të Nazizmit.
Ekspozita ilustron grafikisht se si hebrenjtë në Holandë, si Frankët, u detyruan të fshiheshin pasi u morën të drejtat dhe liritë e tyre, dhe mundësia e tyre për të shpëtuar u shkatërrua.
“E kuptoj që shumë njerëz përqendrohen tek kopja e saktë e vendit të fshehjes”, pranoi Brink.
“Por unë kurrë nuk do ta riprodhoja aneksin dhe ta vendosja të qëndronte vetëm në një muze apo jashtë në një treg. E bëra këtë si pjesë të një historie të gjatë familjare që fillon në fillim të shekullit të 20-të dhe mbyllet në vitet 1970. Riprodhimi i aneksit është vetëm një kapitull në një histori më të madhe”, tha ai.
Ai tha: Ajo ishte jashtëzakonisht vëzhguese për jetën e të gjithëve. Ajo filloi ta rishkruante atë dy muaj para se të arrestohej. Mendoj se do të kishte dëshiruar që ditari të publikohej, edhe pse nuk e dinte se kjo do të ndodhte. Ajo ishte 13 vjeç kur filloi ta shkruante dhe ishte kaq e talentuar dhe pastaj duhej të vuante këtë gjë të tmerrshme vetëm sepse ishte hebreje. Unë kam fëmijë, dhe është e pamundur të kuptohet, e tmerrshme, të mendosh që diçka e tillë mund të ndodhte me ta.
Pavarësisht shumë spekulimeve, nuk është zbuluar përfundimisht kush, nëse ka qenë dikush, i informoi nazistët për banorët e aneksit, ose nëse ishte thjesht fat i keq që ata u gjetën.
“Ne ende nuk e dimë, dhe për të qenë të sinqertë, nuk mendoj se do ta dimë kurrë”, tha Brink./oranews/ KultPlus.com
Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë vitit 2024 ka mirëpritur 106.303 vizitorë, 40% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një material filmik nga ky muze, së bashku me ftesën për ta vizituar atë.
Interesi i vizitorëve, e veçanërisht i turistëve të huaj, ka ardhur gjithnjë në rritje për këtë objekt kulturor që mbart në fondin e tij, objekte të rralla. Gjatë vitit 2024, vizitorët e huaj që shfaqën më shumë interes për këtë muze qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.
Por fluksi i vizitorëve në Muzeun “Onufri” nuk u ndërpre as në ditët e para të këtij viti.
Muzeu i Ikonografisë Onufri është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike./atsh/KultPlus.com
EC Ma Ndryshe ka lansuar platformën online për Muzetë e Kosovës, duke ofruar një burim të pasur informacioni për muzetë në qytetet si Prishtina, Prizreni, Mitrovica dhe Gjakova. Platforma përmban të dhëna të detajuara mbi llojet e muzeve, artefaktet e ekspozuara, lokacionet, oraret e punës dhe informacionet e kontaktit, duke synuar qasjen më të lehtë për qytetarët dhe turistët.
Ky projekt synon të promovojë muzetë e Kosovës, të rrisë interesin e vizitorëve dhe të lehtësojë orientimin e turistëve, ndërsa njëkohësisht mbështet digjitalizimin e trashëgimisë kulturore.
Platforma do të vazhdojë të përditësohet me informacione të reja për të përfshirë sa më shumë muze dhe të dhëna relevante. Ky zhvillim është pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni,” i mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Viti 2025 pritet të nisë me një lajm të rëndësishëm për historinë e Shkodrës dhe dokumentimin e saj. Drejtori i Muzeut të Fotografisë, Luçjan Bedeni u shpreh se arkivi i Marubëve është kandidat zyrtar për t’u pranuar në UNESCO.
“Jemi zyrtarisht kandidat për tu bërë pjesë e UNESCO. Besoj se Shkodrës do t’i mbesë një gjurmë e rëndësishme nga kjo. Ne do ta ridimensionojmë krejtësisht arkivin online dhe atë digjitalë të “Marubit”. Do t’i japim publikut një tjetër kënaqësi shumë të madhe për pasqyrimin e imazheve” u shpreh Bedeni.
Dhjetori shënoi po ashtu ekspozitën më të re në Muzeun “Marubi” e përbërë nga imazhe të fotografit me famë botërore nga SHBA, Gregory Crewdson.
Vepra e tij gërsheton në mënyrë mahnitëse një dimension autobiografik me portretin e një Amerike pa lavdi. Kjo ekspozitë bashkon vepra nga vitet 2012 deri në 2022
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Muzeu i shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare ka qenë një prej aseteve më të frekuentuara turistike që prej fillimit të vitit 2024 e deri më tani.
Përgjegjësi i këtij muzeu Bruno Pjetri shprehet se interesi i turistëve ka qenë i lartë në krahasim me vitin e kaluar dhe vijon ende të jetë si nga turistë vendas, por kryesisht ata të huaj.
“Viti 2024 ka qenë i suksesshëm përsa i përket numrit të vizitorëve në muze, por edhe aktivitete që ne kemi zhvilluar në ambjentet e muzeut. Rreth 8 mijë vizitorë kanë ardhur gjatë këtij viti”, tha Pjetri.
Ai ndër të tjera theksoj se edhe gjatë ditëve të dhjetorit nuk kanë munguar vizitorët të cilët vijnë të shohin vendin ku është lindur e rritur shkrimtari.
Prej fillimit të vitit 2024 e deri tani muzeu Kadare ka mirëpritur rreth tetë mijë turistë vendas e të huaj, duke e kthyer këtë muze në një prej destinacioneve më të frekuentuarat në Gjirokastër./atsh/ KultPlus.com