Hetimet për rrëzimin tragjik të fluturimit Air India 171 vazhdojnë me intensitet, pasi më shumë detaje po dalin në dritë rreth asaj që ndodhi në kabinën e pilotit pak minuta pas ngritjes nga qyteti indian Ahmedabad, në qershor. Aksidenti, që ndodhi pesë minuta pas nisjes, mori jetën e 260 personave.

Sipas burimeve mediatike, përfshirë The Daily Telegraph, komandanti i fluturimit, Sumeet Sabharwal, mund të ketë vuajtur nga depresioni. Një pilot me përvojë të gjatë dhe në prag pensioni, ai kishte kaluar kohë të vështira pas vdekjes së nënës së tij dhe kishte thënë se do të jetonte me të atin e moshuar. Ndërkohë, copiloti Clive Kunder, 32 vjeç, konsiderohej një yll në ngritje në aviacion.

Sipas raportit paraprak, avionit nuk i janë konstatuar probleme teknike. Megjithatë, motorrët u fikën pak pas ngritjes, si pasojë e aktivizimit të padëshiruar (ose të qëllimshëm) të çelësave që kontrollojnë rrjedhën e karburantit. Një pjesë e bisedës në kabinë, e regjistruar nga kutia e zezë, zbulon një debat mes dy pilotëve:

“Pse e ndërpreve furnizimin me karburant?”

“Nuk e bëra unë,” – ishte përgjigjja, e konsideruar si gënjeshtër nga hetuesit.

Në atë moment, kontrollin e avionit e kishte copiloti, ndërsa komandanti Sabharwal ishte në rolin e mbikëqyrësit. Pasi çelësat u kthyen në pozicionin normal, motorrët u përpoqën të riaktivizoheshin, por vetëm njëri prej tyre filloi të rikuperonte fuqinë pak çaste para përplasjes fatale.

Ekspertët janë të ndarë, disa flasin për gabim njerëzor, ndërsa të tjerë nuk përjashtojnë një akt të qëllimshëm nga ndonjëri prej pilotëve.

Analiza e plotë e kutisë së zezë dhe e historisë së dy pilotëve do të jetë vendimtare për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie që tronditi Indinë dhe industrinë globale të aviacionit.

Pas publikimit të raportit paraprak, Autoriteti i Aviacionit Civil në Indi ka urdhëruar të gjitha kompanitë ajrore që përdorin avionët Boeing 787 dhe 737 që të inspektojnë deri më 21 korrik çelësat që kontrollojnë furnizimin me karburant.

Në Indi operojnë rreth 150 avionë të tillë, të gjithë me qira ndërkombëtare. Kompanitë si Air India, IndiGo dhe SpiceJet kanë nisur tashmë kontrollet, si masë parandaluese.

Kush ishin dy pilotët e fluturimit fatal?

56-vjeçari Sabharwal kishte mbi 15.600 orë fluturimi, më shumë se gjysma prej tyre në Boeing 787. I konsideruar si një nga më të besuarit në Air India, ai jetonte në Mumbai me të atin e moshuar. Pas humbjes së nënës në 2022, ai kishte marrë disa pushime për arsye shëndetësore dhe zije.

Sipas kolegëve, ai ishte “i përpiktë, i heshtur dhe gjithmonë i qetë”, por burime të brendshme kanë përmendur shenja depresioni dhe lodhjeje mendore pas rikthimit të tij në punë në shtator 2024. Nuk ka prova zyrtare që ai ishte i papërshtatshëm për fluturim, por autoritetet po shqyrtojnë edhe gjendjen e tij emocionale para aksidentit.

Në momentin e fundit, ai arriti të dërgonte një mesazh emergjence (“No thrust… losing power”), duke sinjalizuar një përpjekje të fundit për të shmangur përplasjen.

Në moshën 32-vjeçare, Clive kishte 3.400 orë fluturimi, prej të cilave mbi 1.000 në Dreamliner. Me origjinë nga Karnataka dhe me arsimim në SHBA, ai ishte konsideruar një nga pilotët më premtues të Air India.

I qetë, korrekt dhe i apasionuar pas fluturimit, ai ishte fejuar prej vitesh dhe kishte planifikuar martesën në muajt në vijim. Clive Kunder jetonte mes Indisë dhe Australisë, ku ndodheshin prindërit dhe motra e tij.