Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Java News

Përplasja me Ramën, kryebashkiaku i Konispolit: S’ka vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë, nëse punon mirë. Faji është i drejtuesit, nëse…

By: B K
16 July 2025 at 10:52

Kryebashkiaku i Konispolit, Erges Dule, ka reaguar pas raportimeve se mes tij dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një përplasje për shkarkimin e administratorëve.

Dule në reagimin e tij, ndër të tjera shkruan se kush punon mirë, nuk lëviz.

Ai shprehet se nëse vartësit nuk punojnë mirë, përgjegjësia kryesore është e drejtuesit.

“Përshëndetje të gjithëve! Ju falënderoj për interesimin dhe komentet por ju garantoj që nuk ka asnjë debat në lidhje me shkarkimin e administratorëve.

Kjo është një nisëm për ripërtëritjen e administratës, për një rritje në cilësinë dhe sasinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Kush e ndien veten që mund të bëjë më tepër është i ftuar të aplikojë për këto pozicione pranë sekretarisë se bashkisë Konispol.

Me këtë administratë kemi bërë plot punë të mira për komunitetin, pastrim teritori, kanale kullues e vaditës, kemi shuar zjarre, kemi bere ndricim publik ne 100% të teritorit, kemi shtruar rrugë rurale, infrastrukturë bujqësore, kemi bërë projekte, kemi pritur e trajtuar qindra kërkesa/ankesa, kemi asistuar në aplikime të ndryshme e-albania, kemi organizuar aktivitete kulturore, mirmbajtje rrugë rurale, mirmbajtie e investime në shkolla etj etj.

Ka akoma për të bërë? Patjetër që po. A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Po ju them unë që jo.

Por punonjësit varen dhe angazhohen nga ai që i drejton. Nëse drejtuesi nuk ka pasionin, dëshirën dhe dashurinë për vendin e vet atëherë dhe punonjësi do bëje aq sa për t’u dukur.

Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto dhe cdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo. Këtu na duhet ndihma juaj dhe opinioni juaj.

Nëse administrata punon mirë dhe është në shërbim të qytetarit s’ka vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë. Opinioni juaj vlen dhe është vlerësimi i performancës për ne.

Mos nguroni të shprehni mendimin tuaj per secilin nga punonjësit e bashkisë Konispol, na shkruani për cdo problematikë. Shpresoj që kjo nisëm të vazhdojë në cdo zyrë shteti ku i shërbehet qytetarëve”, shkruan ai.

The post Përplasja me Ramën, kryebashkiaku i Konispolit: S’ka vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë, nëse punon mirë. Faji është i drejtuesit, nëse… first appeared on JavaNews.al.

I vendosi zjarrin mbeturinave në oborr, humb jetën 78-vjeçari në Kurbin

By: B K
16 July 2025 at 10:45

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Fushë-Milot të Kurbinit, ku një i moshuar ka humbur jetën pasi u përfshi nga flakët e zjarrit në oborrin e banesës.

Korrenspondenti i Report Tv, Elvis Hila, ka mësuar se viktima Demer Haxhiu 78 vjeç ka qenë duke djegur mbeturina në bahçen e tij.

Papritur, flakët e zjarrit morën përmasa më të mëdha dhe përfshinë edhe vetë të moshuarin.

Ky i fundit nuk mundi të shpëtonte dhe fatkeqësisht humbi jetën.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

The post I vendosi zjarrin mbeturinave në oborr, humb jetën 78-vjeçari në Kurbin first appeared on JavaNews.al.

Urdhri i Ramës, vazhdon vala e dorëheqjeve në Vlorë

By: B K
16 July 2025 at 10:38

Në Vlorë vazhdon vala e dorëheqjeve. Pas dorëheqjes së drejtuesve të institucioneve në varësi të bashkisë së Vlorës, si dhe atyre në varësi të ministrive të linjës, kanë dhënë tashmë dorëheqjen edhe kryetarët e 5 rajoneve të qytetit, por edhe 4 administratorët e njësive administrative të qytetit. Të parët që kanë dhënë dorëheqjen kanë qenë kryetarët e rajoneve në Vlorë dhe më pas kryetarët e njësive administrative.

Siç mësohet, dorëheqja është pranuar edhe nga kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, teksa ka nisur puna për zëvendësimin e tyre.

Deri më tani, siç bëhet me dije, nuk kemi dorëheqje të nënkryetarëve të bashkisë. Theksojmë këtu faktin që një prej tyre është emëruar në muajin maj dhe ka ardhur pikërisht nga radhët e të rinjve të FRPD-së në Vlorë.

The post Urdhri i Ramës, vazhdon vala e dorëheqjeve në Vlorë first appeared on JavaNews.al.

SPAK siguron mesazhe nga aplikacioni Matrix, letërporosi drejt Hollandës për marrjen e kodeve të reja

By: B K
16 July 2025 at 10:31

Një lajm i mirë për drejtësine dhe i keq për botën e krimit. Prokuroria e posacme ka siguruar biseda nga rrjeti i enkriptuar Matrix.

Kjo plarfomë u godit nga një njësi speciale e Europolit në dhejtor të vitit që lam pas. Në atë kohë u konfirmua se mes 33 gjuhëve të përdorur në këtë aplikacion ishte edhe gjuha shqipe.

Nisur nga interesimi i lartë prokuroria e posacme ka dërguar disa letër porosi drejt autoriteteve hollandeze ku kërkohej marrja e disa komunikimeve.

Më herët Spak ka siguruar disa kode të cilat janë përdorur në këtë aplikacion nga të penduarit e drejtësisë.

Madje ata kanë treguar edhe biseda të krimeve te tjera për të cilën i kanë ndërmarrë duke komunikuar ne këtë platforme.

Spak zbuloi se për të provuar akuzën ndaj ish deputetit Juris Cyrbja, përdori edhe të dhënat e marra nga aplikacioni Sky edhe Matrix.

Ky aplikacion ka ndihmuar në sigurimin e mesazheve dhe zbulimin e rasteve të korrupsionit apo atë të tregimit të sekretit shtetëror.

Për të provuar krime te tjera SPAK ka nisur me dërgimin e letër porosive drejt Hollandës ku do të kërkohet marrja e kodeve por edhe mesazheve te tjera.

The post SPAK siguron mesazhe nga aplikacioni Matrix, letërporosi drejt Hollandës për marrjen e kodeve të reja first appeared on JavaNews.al.

Nard Ndoka: Rama është çmendur, pas aksionit të tij fshihet diçka e madhe

By: B K
16 July 2025 at 10:22

Kreu i PDK Nard Ndoka e konsideroi sjelljen e kryeministrit Edi Rama në raport me kryetarët e bashkive si tejet të rrezikshme,  jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese.

Ndërsa i cilësoi shembjet në Theth si çmenduri, Ndoka tha që diçka më e madhe fshihet pas këtij aksioni, e cila do të dalë shumë shpejt.

Po ashtu Ndoka vuri në dukje se në Tiranë ka pallate dhe kulla pa leje, ndërkohë që Rama merret me Thethin.

“Ajo që po bën Edi Rama është e rrezikshme, sjellja e tij. Hyn në mandatin e katërt dhe po tregohet jashtë mase i rrezikshëm, jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese. Po shemb pushtetin lokal, që është pushtet më vete.

Ramiz Aliaj kishte një mendësi shumë më të avancuar se sa Rama sot për pushtetin. Ne Edi Ramën e kemi patur kryetar bashkie, ku ka treguar shenja agresiviteti dhe ka qenë tip regresiv që në atë kohë.

Shoqata e kryetarëve të bashkive ka qenë një autoritet i padiskutueshëm. Ky s’e ka atributin ligjor, ndërhyn dhunshëm dhe krijon shumë probleme. Fajin për keqqeverisjen e këtij vendi e ka ky.

Çdo faj që vërehet te mungesa e funksionimit të administratës lokale, është Edi Rama pas tyre, që kërkon t’i largojë që të shfryjë tullumbacen e tij.

Është e vështirë t’i japësh një përgjigje vendimit të një të çmenduri për Thethin, se kjo s’është mendje normale! Këtu ku ndodhemi ne janë me qindra pa leje, dhe Rama i di shumë mirë. Janë pallate, kulla pa leje, edhe merret me Thethin. Kjo s’bëhet kështu siç e bën ky.

Shkoi i mashtroi, i nxiti, ju tha që kthehuni nga jashtë, zhvilloni biznesin në tokat tuaja. Unë kam përshtypjen që po fsheh diçka më të madhe, do dalë shumë shpejt. Me këtë që bëri ky s’ka shpjegim tjetër.

Ky shkërmoqi autoritetin e shtetit në Theth, e bëri bandë terroriste. Ky është peng i një loje të madhe që do dalë. Ata s’kanë rrugë tjetër veç Kanunit, Kanuni i ka mbajtur ata. Duhet të kesh një vendim gjykate që të hysh ti”, tha ai për MCN.

Ndoka denoncoi se “banorët janë detyruar të paguajnë nën dorë 1 milion për të lidhur energjinë elektrike, 500 mijë për ujin, dhe të tjera para për t’u regjistruar si biznese, apo para për policët e zonës, bashkinë dhe inspektoriatin”.

The post Nard Ndoka: Rama është çmendur, pas aksionit të tij fshihet diçka e madhe first appeared on JavaNews.al.

Grabitje, drogë e arratisje nga burgu, kush janë tre vëllezërit Bushgjokaj të përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Dobra

By: B K
16 July 2025 at 10:14
Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj janë tre vëllezërit nga Kamza që dyshohet se kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës në Mat. Një prej tyre tashmë ka rënë në prangat e Policisë dhe dy vëllezërit e tjerë, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj janë në kërkim nga blutë. Të tre kanë të shkuar të shkuar kriminale dhe rezultojnë me precedentë kryesisht në vjedhje, shpërndarje droge dhe arratisje nga burgu.Fatjon Bushgjokaj rezulton më i njohur për uniformat blu, pasi është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa leje të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit si dhe arratisje nga burgu.

Në tetor të vitit 2019, Bushgjokaj është arratisur nga burgu i Rrogozhinës, ku po vuante një dënim me 6 vite burg për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Ai kishte dalë me leje nga burgu i Rrogozhinës disa ditë, por nuk është kthyer më duke u arratisur.

Ai u arrestua në vitin 2017, si pjesë e një grupi që mashtronin, grabisnin dhe dhunonin qytetarët. Në skemë ishte e përfshirë asokohe edhe e dashura e tij dhe dy vëllezërit e tjerë.

Fatjon Bushgjokaj, dhe e dashura e tij e cilësonin njëri-tjetrin si Bonnie e Clyde, (çifti i famshëm i grabitësve amerikanë), ndërkohë që grabitjet e tyre tmerruan Tiranën.

Ndërkohë, Fation Bushgjokaj, bashkë me një prej kushërinjve të tij, Elson Bushgjokaj, në vitin 2011 janë vënë nën akuzë për grabitjen me dhunë të një ish-efektivi të policisë së burgjeve në Mamurras.

Rastet për të cilat u akuzua Fatjon Bushgjoka

Më datë 23.03.2017, në Kodër Mëzes, kanë vjedhur shtetasen R. M., të cilës i kanë marrë një telefon të markës “Alfa 5”

Më datë 23.03.2017, në rrugën “Kasem Shima”, kanë vjedhur shtetasin E. A., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Samsung S3” dhe një xhp lëkure

Më datë 28.03.2017, në “Fushë Mëzes”, kanë vjedhur shtetasin I. T., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6 S plus”

Më datë 29.03.2017, tek rrethrrotullimi “Vorës”, kanë vjedhur shtetasin Xh. L., të cilit i kanë marrë një telefon të markës ” iPhone 4S” dhe 4 mijë Lekë të reja

Më datë 31.03.2017, pranë ish “C. Italia”, kanë vjedhur shtetasin O. H., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Doogee” dhe 12 mijë Lekë të reja

Më datë 01.04.2017, në rrugën dytësore të autostradës Durrës–Tiranë, kanë vjedhur shtetasin R. Ç., të cilit i kanë marrë një telefon të markës ” iPhone 6 S plus”

Më datë 01.04.2017, në rrugën “Sokrat Mio”, kanë vjedhur shtetasin S. M., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6”, një varse, një orë dore, 15 mijë Lekë të reja dhe xhupin

The post Grabitje, drogë e arratisje nga burgu, kush janë tre vëllezërit Bushgjokaj të përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Dobra first appeared on JavaNews.al.

Gjyqi në Hagë/ Sot vendimi për mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së

By: B K
16 July 2025 at 10:08

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.

12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave. Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kohë të përgjigjet deri më 7 korrik.

Vendimi për mocionin pritet ta përcaktojë edhe rrjedhën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor.

Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.

Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. /kosovapress

The post Gjyqi në Hagë/ Sot vendimi për mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së first appeared on JavaNews.al.

Shteti i Muçit përballë Bardhës së Rigonit

16 July 2025 at 10:00

Nga Auron Tare 

Video e Bardhës, shitëses së njohur të tregut të perimeve në Sarandë që debatonte me Muçin përfaqësuesin e Bashkisë së Qytetit u bë virale. Kushdo që e pa u habit nga argumentimi i Muçit i cili pak më parë kishte pasur të njëjtin debat me Lutin, një peshkatar i cili prej dekadash me një varkë me kupi del në det dhe gjuan peshk me grep.

Argumenti i Muçit se si Bardha duhej të kishte qese me etiketë se nga dhe prej cilit Mal vinte rigoni ishte i njëjtë edhe për Lutin i cili duhej t’u vinte etiketë peshqve që kapte çdo ditë me fillo.

Po kështu edhe Rigoni i Malit edhe Peshku i kapur në det me grep duhet të kishin faturë tatimore. Që Bardha apo fshatarët e zonës kanë vite qe mbledhin në mal rigon, çaj, lakra të egra e kështu me radhë këtë e di gjithë qyteti. Këtë e di edhe Muçi që si rigonin si peshkun e freskët e blen te Bardha apo tek Luti.

Mirëpo dje Muçi i cili përfaqëson institucionin shtetëror kërkonte llogari përpara kamerave për një gjë që logjika e quan absurde.

Sot Tatimet me sa lexova në shtyp, e kishin quajtur pretendimin e Muçit për Rigonin dhe peshkun me fillo, të pa bazuar në Ligj dhe të pa argumentuar në asnjë urdhëresë apo vendim.

Në këtë mënyrë Muçi që përfaqëson Bashkinë e Sarandës duket se nuk di apo nuk ka lexuar Ligjin dhe në kundërshti si me logjikën e qytetarëve si me Ligjin e Tatimeve ju hakërrua kot edhe Bardhës edhe Lutit.

Në fakt performanca e Muçit në TV është një pasqyrë e qartë dhe realiste e injorancës dhe pa aftësisë totale të administratës sonë. Prandaj i sugjeroj z.Muçi se si një punonjës në Bashkinë e Sarandës duhet të lexojë Ligjin dhe pas kësaj do ishte e udhës që t’i kërkojë një ndjesë të madhe si Bardhës ashtu edhe Lutit, rigoni i malit edhe peshku i detit.

The post Shteti i Muçit përballë Bardhës së Rigonit first appeared on JavaNews.al.

Falsifikoi vdekjen e tij, ekstradohet në Itali Leonard Mnella i dënuar me 25 vjet burg

By: B K
16 July 2025 at 09:55

Ekstradohet nga Shqipëria në Itali Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela.

56-vjeçari prej vitit 2013 kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij përmes një certifikate të rreme.

56-vjeçari u ekstradua fillimisht nga SHBA në Tiranë në mars 2024, për llogari të autoriteteve italiane. Gjykata e Salernos e ka dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.

The post Falsifikoi vdekjen e tij, ekstradohet në Itali Leonard Mnella i dënuar me 25 vjet burg first appeared on JavaNews.al.

Irani sekuestron një cisternë që transportonte 2 milionë litra karburant

By: B K
16 July 2025 at 09:49

Një cisternë e huaj është sekuestruar nga Irani në Gjirin e Omanit për kontrabandë të 2 milionë litrave karburant. Sekuestrimin e njoftoi të hënën kreu i gjyqësorit në provincën Hormozgan, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Mehr të Iranit.

“Gjatë procesit të vazhdueshëm të monitorimit të lëvizjeve të dyshimta të kontrabandës së karburantit në Gjirin e Omanit, oficerët inspektuan një cisternë të huaj sepse nuk kishte dokumente ligjore për ngarkesën e saj dhe e ndaluan atë me akuzën e transportimit të 2 milionë litrave karburant të kontrabanduar”, tha Mojtaba Ghahramani, kreu i gjyqësorit në Hormozgan.

Zyrtari gjyqësor shtoi se 17 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë kapitenin, u arrestuan dhe se një dosje është hapur në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Jask.

Sipas Ghahrmani-t, autoritetet po vazhdojnë të mbledhin prova, si dhe të verifikojnë dokumentet, të kontrollojnë karburantin dhe të konfirmojnë vëllimin e ngarkesës, ndërsa gjyqësori iranian planifikon të shpallë rezultatet e hetimit sapo të përfundojë.

Deri më tani, nuk ka informacion mbi emrin e cisternës, flamurin e saj apo destinacionin e saj.

The post Irani sekuestron një cisternë që transportonte 2 milionë litra karburant first appeared on JavaNews.al.

Video/ E vranë dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, si e rrëmbyen autorët Renis Dobrën

By: B K
16 July 2025 at 08:53

Mediat kanë siguruar pamje nga rrëmbimi i 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili më pas u ekzekutua dhe u hodh në liqenin e Shkopetit.

Në videot e siguruara nga gazetari Ervin Leka, shihet se një automjet ndjek nga pas Renis Dobrës, i cili lëviz me automjetin e tij.

Pasi e rrëmbejnë Dobrën, autorët nisen drejt Shkopetit, aty ku kryen vrasjen e të riut, dhe e hodhën trupin e tij në liqen.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, janë arrestuar Petrit Çakrri, i njohur edhe me emrin Petrit “Hoxha”. Çakrri u arrestua në orët e vona të së martës në afërsi të Tropojës.

I arrestuari tjetër është Fatjon Bushgjoka. Ndërkaq, në kërkim janë shpallur dy vëllezërit e tij, Aleksandër Bushgjokaj dhe Kristi Bushgjokaj.

Kontrolle po kryhen në Tropojë për arrestimin e tyre.

Mësohet se Dobra ka punuar në Gjermani për vëllezërit Bushgjoka, në shpërndarjen e kokainës.

Në disa raste Renis Dobra nuk ka çuar para duke i mashtruar se drogën e kishte humbur dhe se e kishte ndjekur policia.

Kjo është zbuluar nga tre vëllezërit dhe me ndihmen e mikut të tyre, Petrit Çakrri kanë marrë tre makina me qira dhe kanë organziuar rrëmbimin e tij.

The post Video/ E vranë dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, si e rrëmbyen autorët Renis Dobrën first appeared on JavaNews.al.

Italia i ‘vë frenat’ raketave dhe avionëve amerikanë: Nuk do të ketë blerje të reja

By: B K
16 July 2025 at 08:47

Qeveria italiane vlerëson “ndryshimin e qëndrimit të SHBA”, siç e ka quajtur Giorgia Meloni, përsa i përket luftës në Ukrainë. Por nuk do të blejë armë drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara për t’ia kaluar më pas ushtrisë së Kievit. Kjo linjë konfirmohet për La Repubblica nga burime të Ministrisë së Mbrojtjes, në orët kur kancelaritë e vjetra të kontinentit po shqyrtojnë deklaratat e manjatit amerikan, i cili pardje, përkrah sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, deklaroi nga Zyra Ovale se Shtetet e Bashkuara do të prodhojnë pajisje ushtarake për t’u dërguar në Ukrainë, por do të jenë “evropianët që do të paguajnë” faturën.

Italia, sipas të njëjtave burime të Mbrojtjes, nuk ka ndërmend të ndjekë këtë lloj skeme blerjeje, siç po e shqyrton Gjermania e Friedrich Merz për raketat Patriot, raketa tokë-ajër të kërkuara disa herë nga Volodymyr Zelensky në samitet me aleatët perëndimorë. Kjo vlen edhe për çështje të tjera, nga obusët te bombat për avionët luftarakë. Sa i përket fushës ushtarake, për Italinë shkëmbimet tregtare me Uashingtonin do të mbeten të pandryshuara dhe do të përqendrohen kryesisht te F35-at (avioni shumëfunksional i gjeneratës së pestë, në dispozicion të Forcave Ajrore dhe Marinës Ushtarake), por pa aktivizuar kontrata të reja. Do të mbeten në fuqi vetëm marrëveshjet tashmë të nënshkruara. Ndoshta, duke ndjekur një kërkesë që NATO-ja e ka adresuar këto orë në Romë ashtu si në kryeqytete të tjera evropiane, Italia mund të ofrojë mbështetje, si financiare ashtu edhe logjistike, për transportin e armëve nga SHBA në Ukrainë. Asgjë më tepër.

Tema e blerjes së armëve amerikane për Kievin po trazojnë qeveritë e kontinentit. Dje përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, shpjegoi se “nëse armët paguhen nga Evropa, atëherë nuk është ndihmë nga Shtetet e Bashkuara”. Qëndrimi i qeverisë italiane merr në konsideratë kufizimet e ndërlikuara buxhetore: në vitin 2025 shpenzimet ushtarake nuk pritet të rriten më, ndërsa për 2026 shumëçka do të varet nga rishikimi i mekanizmave që Bashkimi Evropian do të vendosë për të financuar riarmatimin. Ndikojnë gjithashtu edhe ekuilibrat delikatë politikë brenda koalicionit qeverisës. Dje Matteo Salvini riktheu qëndrimin e Legës mbi këtë çështje: “Të futim në borxh italianët për të blerë armë diku tjetër nuk më duket veprim i dobishëm; të investojmë për sigurinë e brendshme, absolutisht po”.

Antonio Tajani, nga Uashingtoni, ku ka takuar sekretarin e Shtetit Marco Rubio – bisedë që përfshinte edhe çështjen e tarifave – ishte më i paqartë mbi këtë pikë, duke ia kaluar përgjegjësinë llojit të instrumentit të blerjes që duhet të përcaktojë aleanca atlantike. “Të blejmë armë nga SHBA? Vendimi i përket NATO-s – tha ministri i Jashtëm – Ne jemi në favor të mbështetjes për Ukrainën, sekretari i përgjithshëm Rutte do të flasë me liderët dhe do të shohim çfarë do të bëhet. Për momentin është e rëndësishme që nga ana amerikane ka pasur një zgjedhje të fortë në mbështetje të Ukrainës”. Sa i përket Putinit, për ta shtyrë drejt një armëpushimi duhen “tarifa dhe sanksione”.

Meloni e ka trajtuar këtë çështje nga Pallati Chigi, pas pritjes që i bëri mbretit të Bahreinit dhe kancelarit austriak Christian Stocker. “Po shohim sot një ndryshim qëndrimi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe sigurisht që e mirëpresim pozitivisht”, deklaroi ajo para kamerave dhe gazetarëve (pa pyetje). Qeveria italiane, si shumica e vendeve të BE-së, deri një muaj më parë e shihte me shqetësim linjën e Uashingtonit, nga frika e një tërheqjeje nga teatri i luftës në Ukrainë. Një tërheqje që sot duket më e largët, edhe pse ekziston gjithmonë faktori Trump, me ndryshimet e vazhdueshme të skenarëve dhe deklaratave të komandantit të përgjithshëm. Megjithatë, sipas kryeministres, për të arritur në një negociatë të vërtetë me Putinin është e domosdoshme “të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet, dhe të rrisim presionin mbi Rusinë”. Edhe sepse ofensiva e egër e Moskës vazhdon, civilët goditen, “sulme gjithnjë e më intensive, brutale, që tregojnë sa pak është e angazhuar Rusia për të ndërtuar paqen. Dhe kjo, pavarësisht vullnetit për dialog të administratës Trump, të cilin Putini ka vendosur të mos e pranojë”./La Repubblica

The post Italia i ‘vë frenat’ raketave dhe avionëve amerikanë: Nuk do të ketë blerje të reja first appeared on JavaNews.al.

Lëvizte me armë me vete, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë

By: B K
16 July 2025 at 08:40

Një 31-vjeçar i cili lëvizte me armë me vetë në makinë ka rënë në prangat e policisë së Tiranës.

Egzon Murataj kap nga blutë në urën e Babrroit.

Ndërkohë pasagjeri 27-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

Si provë materiale u sekuestruan pistoleta me municion luftarak, automjeti dhe 2 celularë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit, në urën e Babrroit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin F. B. dhe pasagjer E. M. Gjatë kontrollit në automjetit, në derën e pasagjerit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi E. M., 31 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të dy banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post Lëvizte me armë me vete, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë first appeared on JavaNews.al.

Meta kërkon lirinë, avokati: Ka hetim të thelluar nga SPAK, provat po përforcohen për veprat e dyshuara!

By: B K
16 July 2025 at 08:32

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila vlerësoi si të ligjshëm masën e sigurisë “arrest me burg”.

Meta përmes avokatit Kujtim Cakrani, kërkon në Kushtetuese lirimin nga qelia dhe shfuqizimin e masës aktuale.

Avokati i njohur Romeo Kara, i ftuar në “Ora e Fundit tha se të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri tani kanë konfirmuar se arrestimi i ilir Metës ka qenë i ligjshëm.

Gjatë diskutimit në studio, avokati Kara tha se nga hetimet që po kryen SPAK, provat që rëndojnë pozitat e Ilir Metës mund të përforcohen.

“Të gjitha shkallët e gjykimit nuk e gjetën se qëndron pretendimi i palës së Metës përballë prokurorisë, pasi nuk e gjykuan se ky arrestim është i paligjshëm. Me trendin e hetimit mund të përforcohen provat për veprat që ka bërë. Ka hetim të thelluar dhe po dalin prova pas provash, po dalin kartat, këto janë fakte.

Këto s’kanë dalë nga fantazitë e prokurorisë, por janë prova dhe janë dhe dëshmi. Do kemi dhe një proces të gjatë. Provat janë aty, sistemi TIMS, telefonata të përgjuara. Prokuroria e ka krijuar bindjet përtej dyshimit të arsyeshëm. Faktet dhe provat që tregojnë se ka kryer vepra të rënda, janë vepra më të rënda se ato të Berishës”, u shpreh ai.

Ai theksoi se hetimet duhet të provojnë nëse Ilir Meta ka përfituar nga kartat, që ka përdorur ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

“Meta do të përgjigjet nëse kartat i sollën përfitime. SPAK të marrë darët e ligjit dhe t’i sekuestrojë çdo pasuri”, theksoi ai

The post Meta kërkon lirinë, avokati: Ka hetim të thelluar nga SPAK, provat po përforcohen për veprat e dyshuara! first appeared on JavaNews.al.

Bashkitë rrisin shpenzimet e personelit, ulin investimet në 5-mujor

By: B K
16 July 2025 at 08:25

Shpenzimet e pushtetit vendor për 5-mujorin e parë 2025 evidentojnë zhvendosje të theksuar drejt shpenzimeve të personelit dhe tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve kapitale në raport me shpenzime totale.

Personeli zuri 56% të shpenzimeve totale bashkiake në 5 mujorin 2025 nga 52% që zunë vitin e kaluar në këtë periudhë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet për paga dhe kontributet shoqëruese arritën 16,454 milionë lekë, ose rreth 25% më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë shpenzimet kapitale zunë 14% të shpenzimeve totale në 5-mujorin 2025 nga 16.6% në vitin 2024.

Shtimi me 25% i shpenzimeve të personelit në vitin 2025 erdhi nga rritja e pagave.

Në anën tjetër, shpenzimet kapitale, matësi kryesor i investimeve publike në infrastrukturë, shërbime dhe asete të reja, kanë mbetur praktikisht të pandryshuara në nivelin: 4,1 miliardë lekë milionë lekë, gati të njëjtin nivel si një vit më parë.

Ndërsa kostot e personelit kanë “ngrënë” një copë më të madhe të tortës së shpenzimeve, hapësira për projekte zhvillimi nuk është zgjeruar,  madje realisht është ngushtuar, po të llogariten edhe efektet e inflacionit.

Kontrasti midis ritmit të rritjes së pagave dhe ngrirjes së investimeve po ul produktivitetin e buxheteve vendore, ku shumica e fondeve po përdoren kryesisht për funksionimin e përditshëm, jo për rritje kapacitetesh apo përmirësim shërbimesh.

10 vite nga nisja e zbatimit të reformës territoriale, në vend që të rrisin shërbimet për qytetaret i kanë përkeqësuar ato. Kompetencat dhe territoret e bashkive janë zgjeruar dukshëm pas reformës territoriale të vitit 2015 dhe gjithashtu, edhe kapacitetet financiare.

Reforma shkriu 373 njësi vendore në 61 bashki, ndërkohë fondet  janë dyfishuar dhe pushteti i bashkive është i gjerë në komunitetet që drejtojnë, që nga strehimi e deri te kujdesi social, bujqësia, infrastruktura rurale dhe arsimi parashkollor, të cilat nëse zotërohen siç kërkojnë ligjet, ata mund të ndikojnë cilësinë e jetës, po aq edhe sa politikat e qeverisë qendrore.

Por në realitet, cilësia e shërbimeve, jo vetëm që nuk ka ndryshuar që nga reforma, por në shumicën e rasteve, kostoja e tyre është rritur, teksa rajonet e Shqipërisë po zbrazen nga popullsia dhe sidomos të rinjtë.

Komunitetet rurale po përballen me mungesa të mëdha në shërbime dhe në infrastrukturë, teksa bashkitë e vendit nuk janë të afta të zbatojnë dhe të realizojnë buxhetet e tyre të vogla karshi nevojave të mëdha.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 2024 pushteti vendor realizoi vetëm 43 për qind të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit./Monitor

The post Bashkitë rrisin shpenzimet e personelit, ulin investimet në 5-mujor first appeared on JavaNews.al.

Rama në SchwarzGroup: Sipërmarrja më e madhe gjermane, interes për të investuar në Shqipëri

By: B K
16 July 2025 at 08:15

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Bavari, pati një vizitë në sipërmarrjen më të madhe gjermane, SchwarzGroup.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kompania shprehu interes për të investuar në Shqipëri.

“Mirëmëngjes dhe me FotoAlbumin e një dite mbresëlënëse në brendësinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, SchwarzGroup, ku na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi me 600 mijë punonjës si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipërinë që sipas vetë mikpritësve tanë po kthehet në kyç rajonal, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

The post Rama në SchwarzGroup: Sipërmarrja më e madhe gjermane, interes për të investuar në Shqipëri first appeared on JavaNews.al.

Vrasja e Renis Dobrës, ndalohen 2 autorët e dyshuar, shpallen në kërkim disa të tjerë

By: B K
16 July 2025 at 08:07

Petrit Çakrri është një nga personat e arrestuar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së 22-vjeçarit Renis Dobra, i cili u mbyt me litar dhe trupi i tij u hodh në Liqenin e Shkopetit mbërmjen e 8 korrikut.

Petrit Çakrri, sipas burimeve, është kapur nga uniformat blu në Lekbibaj të Tropojës. Ndërkohë në pranga ka rënë edhe Fatjon Bushgjoka, i cili u arrestua në Tiranë.

Të arrestuarit ndodhen në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ndërsa janë shpallur në kërkim Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Petrit Çakrri dhe 3 vëllezërit Bushgjoka dyshohen si autorët të krimit makabër. Renis Dobra po kthehej në banesë dhe ndodhej rreth 5 minuta larg shtëpisë kur autorët e rrëmbyen.

Pasi e dhunuan, e mbytën me litar dhe më pas trupin e pajetë të të riut së bashku me makinën ku ai udhëtonte në momentin e rrëmbimit e hodhën drejt liqenit të Shkopetit.

Dyshohet se trupi i 22-vjeçarit Renis Dobra ka dalë nga makina gjatë rrokullisjes, ndërsa u gjet mëngjesin e 9 Korrikut gjatë kërkimeve të familajrëve.

Kush është Petrit Çakrri

Emisioni Shënjestër ka zbuluar se pas dëshmisë së dhënë nga familjarët e 23-vjeçarit dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, grupi hetimor bëri të mundur edhe identifikimin e autorëve të dyshuar për krimin makabër.

Njëri prej tyre është Petrit Çakrri, një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

Petrit  Çakrri dyshohet se pas daljes nga burgu disa muaj më parë, ka ndryshuar mbiemrin, duke e vendosur Petrit Hoxha.

Hetimet kanë zbuluar se Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Honday të bardhë.

Petrit Çakrri, i cili pasi dha dëshminë për atë që njihet si procesi i Shekullit, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.

Teksa në vitin 2017 u arrestua nën dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda. Ku në aktakuzë thuhej se ai kishte mashtruar një biznesmen nga Vora, të cilit i kishte marrë një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja duke iu prezantuar si tregtar, të cilit i kishte premtuar se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira sesa tregu.

Çakrri, që u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim, nga ku hetuesit përmes pamjeve filmike kanë mundur të zbulojnë pikën e dhënies së automjeteve me qira ku del se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.

Por, zbulimi i GPS së makinës, i ka mundësuar grupit të hetimit, se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.

Policia ka ndaluar nipin e tij dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.

The post Vrasja e Renis Dobrës, ndalohen 2 autorët e dyshuar, shpallen në kërkim disa të tjerë first appeared on JavaNews.al.

Temperatura deri në 38 gradë Celcius, si parashikohet moti për sot

By: B K
16 July 2025 at 08:00
Vendi ynë edhe sot do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, me vranësira në zhvillim në orët e mesditës kryesisht përgjatë relieveve malore të vendit.

Temperaturat maksimale shënojnë vlerën 38 gradë Celcius në  qarkun e Tiranës, Elbasanit, Beratit dhe Fierit

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 8 m/s.

Valëzimi në det do të jetë i forcës 2-3 ballë.

The post Temperatura deri në 38 gradë Celcius, si parashikohet moti për sot first appeared on JavaNews.al.

Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet

By: E S
15 July 2025 at 23:10

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi sot se vende si Brazili, Kina dhe India mund të goditen shumë rëndë nga sanksionet nëse vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.

Deklarata e Rutte erdhi gjatë një takimi me senatorët në Kongresin e SHBA-së – një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dërgimin e armëve të reja në Ukrainë.

Gjithashtu, Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa të reja “të ashpra” prej 100% për blerësit e eksporteve ruse, nëse nuk arrihej një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua dje me presidentin amerikan, Donald Trump – si pjesë e vizitës së tij dyditore në Uashington

The post Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet first appeared on JavaNews.al.

Sadushi: S’kam ndërhyrë në mandatin e kryetares së Kushtetueses, po mbahet peng Kuvendi për pozicionin vakant

By: E S
15 July 2025 at 23:02

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka shpjeguar në emisionin “Ngjarja Kryesore” të gazetares Sonila Agostini përplasjen mes institucionit që ai drejton dhe Gjykatës Kushtetuese.

I pyetur mbi pretendimet se Sadushi ka ndërhyrë në mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Sadushi u përgjigj se ai nuk ka “ndërhyrë në mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese apo të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”

“Unë kam pasur dhe kam detyrimin si kryetar i Gjykatës së Lartë si organ emërtese për të zgjidhur çështjen që i takon kësaj gjykate në drejtim të gjyqtarit që ajo emëron në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mund të themi tension, natyrisht ka një lloj qëndrimi të shprehur fillimisht po që sot, ne jemi tërësisht në një situatë tërësisht ndryshe, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Gjykatës së Lartë në atë ndërhyrjen fillestare që bëri në dhjetor të vitit 2024 ku kërkoi që të zhvillohej rotacion. Nëse Gjykata e Lartë nuk do ta kishte zhvilluar këtë procedurë do të ishte ajo e përgjegjshme përpara ligjit për t’i kërkuar pse nuk po zbaton detyrën dhe ne vetëm kemi zbatuar detyrën tonë kushtetuese për të bërë rotacion”, u shpreh Sadushi.

Ai theksoi më tej se problematika e shfaqur me mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është evidentuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, që sipas Sadushit e ka cilësuar si pasiguri juridike.

“Dhe Gjykata e Lartë e ka përmbushur me sukses këtë mision të sajin ndërkohë që do të evidentoja faktin që edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, një nga problematikat që ngrihen aty është edhe pasiguria juridike që ekziston për mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është një çështje e Gjykatës së Lartë, por është një çështje e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi më tej Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje gjithashtu se që nga muaji janar e deri më tani nuk ka një vendim mbi çështjen mes Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës. Kjo sipas tij, mos-shprehja nga ana e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e gjyqtarëve të saj po mban peng edhe Kuvendin për zgjedhur gjyqtarin në Kushtetuese nisur nga pozicioni vakant i krijuar.

“Gjykata Kushtetuese ka një çështje në proces të drejtuar nga presidenti i Republikës që në muajin janar dhe sot jemi në korrik dhe ende nuk ka një vendim. Ndërkohë që bëhet fjalë për t’u shprehur përfundimisht lidhur me gjykimin që ata kanë lidhur me mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mos-shprehja për këtë vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka mbajtur peng edhe Kuvendin i cili pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur pozicionin vakant që ka për gjyqtarin që do të zgjedhë vetë Kuvendi. Pra, ky është një problem që lidhet me Gjykatën Kushtetuese dhe jo me Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë e ka përmbushur misionin e saj dhe e ka përmbushur në respekt të Kushtetutës. Tensioni zgjidhet kur merren vendimet, në rastin e Gjykatës së Lartë u mor vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe tani nuk ka më tension. Ndërkohë le të jetë tension mes Gjykatës Kushtetuese, presidentit dhe Kuvendit për pozicionet që ata kanë për të zgjidhur, por jo me Gjykatën e Lartë”, shpjegoi Sadushi.

The post Sadushi: S’kam ndërhyrë në mandatin e kryetares së Kushtetueses, po mbahet peng Kuvendi për pozicionin vakant first appeared on JavaNews.al.

❌
❌