Nga Bajram Peçi
Muçua, ngelur tashmë në një shprehje popullore shqiptare, mund të ketë qenë ai magazinieri që përmend populli, po mundet dhe ai marinari që shpjegon fjalori! Kushdo që të ketë qenë, është pranuar të jetë figura që personifikon rrumpallën! E majta shqiptare ka marrë gjithnjë si shembull rrumpalle kohën kur shteti ra si drejtim në dorën e Sali Berishës. Jo se nuk është e vërtetë, por më e drejtë do ishte të përfshinte pak a shumë edhe periudha të tjera të pas diktaturës komuniste.
Mund t’i kisha vënë artikullit edhe titullin “Gjej shesh e bëj përshesh”. Është pak a shumë e njejta gjë, ndërsa njihesh me akuzat e bëra publike nga Prokuroria Fierit për dyshimet se “Bankers”, kompania që prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, e që “…ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend”.
Hetimi i Prokurorisë së Fierit ka çuditur shumë qytetarë, pasi dimë që shteti ka humbur disa arbitrazhe; pasi në veshët tanë për vite e vite ka kumbuar në veshët e mëndjet tona e qeshura tallëse e “Bankers”; pasi dyshimi ka qenë më se me vend se interesat kombëtare në marrëdhenjet me “Bankers”-in i kanë përfaqësuar e “mbrojtur” individë pa vullnet, pa vetmohim kombëtar, gënjeshtarë e parazitë, që për t’u pasuruar s’ndalën, duke na poshtëruar!
U çuditëm vërtet sepse (pas 20 vjetësh) nuk besonim se ndonjë prokuror do ishte i aftë dhe në gjendje të zbulonte (atë që është sheshit) krijimin nga kompania të skemave mashtruese për të fshehur të ardhurat. 20 vite rresht që dilte me humbje, bahhhh… dhe financat tona sikur nuk ekzistonin?!
Ndodh kështu kur shteti administrohet në të gjitha nivelet nga individë që mbulojnë drejtoritë e financave dhe drejtoritë juridike me nëpunës, që veç rrogës, nuk kishin në botë as dhe gjënë më të vogël për të dashur. Po Shqipëria…?
Kur përmend financat, e para gjë që të ndërmendet, është të qenurit e saj si shkenca për qeverisjen. Ndërsa ka lindur qeveria, kanë lindur njëherësh dhe financat, kanë ecur pambarimisht krah njëra-tjetrës. Nëse “Bankers” fryhet në banketin e madh shqiptar, filantropët janë zyrat tona të financave, të paafta ose të korruptuara. “Pasurohuni!” është fjala që përmbëledh e shpjegon heshtjen e tyre 20 vjeçare.
Në shërbim të finacave qeveritë vënë gjithmonë juristë, të cilët në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e shteti shqiptar hartojnë ligjet, normat, kontratat me qytetarët që të paguajnë tatime e taksa. Kur është fjala për koncesionet që u jepen të huajve, lipset një përgatitje ku e ku më e mirë për të kryer kontrollin mbi përmbajtjen e kontratave. E kush nuk e di se kapitali i madh është në gjendje të rekrutojë juristët më të aftë, që zotërojnë aftësitë për të ushtruar përmes kontratave koncesionare një influencë më të fortë?!
Vlen të risjell në vëmendje të lexuesit kontratën me “Tap”. Në mos është shëmbulli i hartimit e miratimit të një kontrate përçmuese për shtetin, ngelet të jetë përdorur ashtu siç e ka cilësur një inxhinier e specialist i shquar shqiptar, pjesë dikur e “Tap”, tashmë i larguar, për të na paraqitur si budallenj. T’i japësh një privati tokën shqiptare për të gërmuar e shtrirë tubacionet e biznesit të tyre në 215 kilometara e jo vetëm të mos përfitosh asgjë, por madje të mos të të jepet e drejta të blesh prej saj gaz, përmes ndërtimit të një pike, Zot na ruaj!
Për të qnë të saktë, nga “Tap” ka përfituar Tirana si dhuratë disa ndënjëse plastike, vendosur në Sheshin Skënderbej. Hahaha, …çfarë nuk u pjell mëndja për të na tallur!
Jo vetëm kapitali i madh, por dhe mashtruesit e mëdhenj tip Beketi, muskujt e tyre i kanë ushtruar me juristët rrufjanë. Juristët tanë, si rregull, kanë zënë një pozicion shumë të dobët përballë koncesionarëve. Si ka mundësi që kontrata e shfrytëzimit nuk parashikon falimentimin, kur brënda X periudhe del me humbje?
Shpresoj që Prokuroria të ketë “qepur” sa më mirë letrat e të mos kemi një rast të dytë “Beketi”, ku na thanë se e kishin zbardhur skemën e pastrimit të parave nga biznesmeni italian Françesko Beketi, se televizionin “Agon Channel” nuk kish likuajduar atë e këtë detyrim, se të drejtën koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit në Kalivaç, mbi lumin Vjosë e shfrytëzoi për të turpëruar shtetin shqiptar dhe t’i merrte “Deutsche Bank”, miliona euro me dokumente të falsifikuara, thjesht duke përdorur letra fallco për punimet në hidrocentral. Edhe “Bankers”, sipas prokurorisë Fier, na paska përdorur metoda tip “Beketi”, i cili kish krijuar nëntë shoqëri fantazma me anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë shqiptarë.
Por nuk ka qënë e mjaftë nga “Bankers Petroleum” që gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj të rriti në mënyrë fiktive shpenzimet, që në bilancet vjetore të dilte me humbje! Ka shmangur pagesën e tatim-fitimit, por ndërkohë ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së. Janë 244 milion lekë. Hapu dhe të futem…! Mashtrimi është realizuar, sipas hetimeve, me ndihmën e individëve dhe shoqërive kontraktuese, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve financiare të dyshimta, të kryera me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Dihet se koncesionari do mbrohet përmes sulmit, do protestojnë me forcë kur ne “të huajtë”, guxojmë të përzihemi në përmbushjen e misionit të tyre, zhvatjen.
Nafta, dikur portofoli i shtetit shqiptar, përmes prodhimit të së cilës mbahej në këmbë ekonomia dhe kryheshin importet klering, tani del do ishte më mirë të mos ekzistonte si pasuri. Këtë mendim e kanë patur dhe e kanë dëshiruar shumë banorët e fushës naftëmbajtëse, të cilëve, përmes shpërthimeve provokuese, u shkatërroi jetën, ua nxiu jetën, ajrin, tokën dhe u ndoti ujin.
Kjo kohë e dërdëllitjeve pa lidhje me realitetin, ndonëse shohim që jemi të vjedhur, e llafazanërive, do merrte fund kur të zbatohej rreptësisht parimi “Barazi para ligjit”. Sot ka filluar gjyqi dhe nëse gjëndet e drejta e shqiptarëve, Presidenti i Republikës do duhej të përgatitej të dekoronte me më të lartën medalje grupin e prokurorëve dhe trupin gjykues që patën fatin të na vënë nderin në vend.
The post Ha Muço, pi Muço! first appeared on JavaNews.al.