Normal view

Dasma e miliarderit, 50 mijë USD kosto për çdo të ftuar, 10 milion USD fatura e festimeve

By: S M
22 June 2025 at 08:59

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, është gati të lidhë kurorë me partneren e tij, Lauren Sánchez, në një dasmë që është përshkruar tashmë si “dasma e shekullit”. Ceremonia do të zhvillohet në fund të qershorit në Venecia, në një ndërtesë historike e shndërruar për këtë rast në një vend magjik luksi dhe stili.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ngjarja do të zgjatë disa ditë, me mbi 200 të ftuar që do të shijojnë një eksperiencë të pakrahasueshme. Çdo detaj është menduar me përpikëri. Kostoja për çdo të ftuar arrin deri në 50 mijë dollarë, duke përfshirë menunë, akomodimin luksoz, ekskursione me jaht, ambientin dhe argëtimin, për rreth 200 të ftuar, shuma totale arrin në 10 milionë dollarë. Menuja për çdo të ftuar shkon në 1000 euro për person.

Ushqimi do të përgatitet nga një ekip prej 500 profesionistësh, përfshirë shefa kuzhine të njohur, kuratorë ushqimi, kamerierë të specializuar, floristë dhe teknikë që do të kujdesen për çdo element të ceremonisë.

Pritet që ambienti të pasqyrojë një përzierje të luksit tradicional venecian me teknologji të avancuar, përfshirë ndriçime speciale, skenografi dinamike dhe elementë të sofistikuar dekorativë.

 

 

Të ftuarit do të akomodohen në resorte dhe vila me pesë yje, ndërsa lëvizja e tyre nëpër qytet do të bëhet me mjete detare private dhe eskortë të posaçme.

Ky event nuk është thjesht një dasmë, por një shfaqje e pasurisë, ndikimit dhe finesës që karakterizon çiftin Bezos–Sánchez. Me shpenzime që kapin shifrën e miliona dollarëve, kjo dasmë pritet të mbetet në histori si një nga ngjarjet më të bujshme të dekadës.

The post Dasma e miliarderit, 50 mijë USD kosto për çdo të ftuar, 10 milion USD fatura e festimeve first appeared on JavaNews.al.

Netanyahu pas sulmit amerikan: Unë e Trump mendojmë njëlloj, paqe përmes forcës!

By: S M
22 June 2025 at 08:55

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përshëndetur Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për goditjet “precize” të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kundër tri objekteve bërthamore në Iran.

Në një mesazh video të publikuar të dielën, Netanyahu tha: “Urime President Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e drejtë dhe të jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë.”

Netanyahu theksoi se gjatë operacionit , Izraeli kishte bërë gjëra vërtet të jashtëzakonshme, por sipas tij, veprimi i Amerikës kundër objekteve bërthamore të Iranit ishte i pakrahasueshëm dhe se asnjë vend tjetër në botë nuk mund ta kishte bërë atë që bëri SHBA.

Netanyahu tha se historia do ta mbajë mend Presidentin amerikan si liderin që veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë, armët më të rrezikshme në botë.

 

 

Duke theksuar se udhëheqja e tij dhe ajo e Presidentit Trump ka krijuar një “pikë kthese historike” që do të çojë Lindjen e Mesme dhe më gjerë drejt një të ardhmeje me paqe dhe begati, Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij të njohur:
“Presidenti Trump dhe unë themi shpesh: paqja arrihet përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja.”

The post Netanyahu pas sulmit amerikan: Unë e Trump mendojmë njëlloj, paqe përmes forcës! first appeared on JavaNews.al.

Moti sot, vranësira të dobëta dhe temperatura deri 35 gradë celsius

By: S M
22 June 2025 at 08:51

Ditën e diel vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, pa përjashtuar vranësira të pakta deri mesatare kalimtare gjatë orëve të mesditës dhe pasdites përgjatë relieveve malore në jug të territorit të cilat do të shoqërohen me reshje të dobta shiu e afatshkurtra në formë pikash. Temperatura do te shkoje deri ne 35 grade celsius

Erado do të fryjë  me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi deri në 10 m/s.

The post Moti sot, vranësira të dobëta dhe temperatura deri 35 gradë celsius first appeared on JavaNews.al.

Skenaret e mundshme: Si mund të hakmerret Irani për sulmet amerikane?!

By: S M
22 June 2025 at 08:47

Ekspertët thonë se Irani është dobësuar ndjeshëm nga sulmet e Izraelit ndaj bazave të tij ushtarake deri më tani, si dhe nga çmontimi i aleatëve të tij rajonalë në Liban (Hezbollah), në Siri dhe në Gaza (Hamasi). Por Irani është ende i aftë të shkaktojë një sasi të konsiderueshme dëmesh.

Zyrtarët iranianë paralajmëruan SHBA-në kundër përfshirjes, duke thënë se do të pësonte “dëme të pariparueshme” dhe se rrezikonte një “luftë të përgjithshme” në rajon.

Ajo ka kërcënuar të shënjestrojë bazat amerikane në rajon në shenjë hakmarrjeje. SHBA-të operojnë me vende ushtarake në të paktën 19 rajone në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Bahreinin, Egjiptin, Irakun, Jordaninë, Kuvajtin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndër objektivat më të dukshme për Iranin është selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane në Mina Salman në Bahrein.

 

 

Mund të synojë gjithashtu një rrugë kritike transporti detar të njohur si Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe përmes së cilës transportohet 30% e furnizimit botëror me naftë. Mund të sulmojë gjithashtu rrugë të tjera detare që rrezikojnë destabilizimin e tregjeve globale.

Irani mund të shënjestrojë gjithashtu asetet e vendeve fqinje që i percepton se po ndihmojnë SHBA-në, gjë që rrezikon përhapjen e luftës në të gjithë rajonin.

The post Skenaret e mundshme: Si mund të hakmerret Irani për sulmet amerikane?! first appeared on JavaNews.al.

Këshilltari i Khamenei: Do godasim flotën amerikane dhe do mbyllim ngushticën e Hormuzit

By: S M
22 June 2025 at 07:57

Raketa kundër anijeve amerikane dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit – kjo është përgjigjja që Irani kërcënon t’i japë Shteteve të Bashkuara pas sulmit të natës ndaj tre impianteve bërthamore.

«Pas sulmit amerikan ndaj impiantit bërthamor të Fordow-t, tani është radha jonë», ka paralajmëruar Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i gazetës konservatore Kayhan, e cila shpesh është identifikuar si “zëdhënëse” e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Në një mesazh në Telegram, Kayhan citon Shariatmadarin të ketë thënë:

«Pa hezitim dhe pa vonesë, si hap të parë duhet të kryejmë sulme me raketa kundër flotës detare amerikane të vendosur në Bahrein dhe njëkohësisht të mbyllim ngushticën e Hormuzit për anijet amerikane, britanike, gjermane dhe franceze».

Mesazhi përmbyllet me një citat nga Kurani: «Vritini kudo që t’i gjeni».

The post Këshilltari i Khamenei: Do godasim flotën amerikane dhe do mbyllim ngushticën e Hormuzit first appeared on JavaNews.al.

Fordow, qendra bërthamore 100 metra nën masivet malore që u godit nga amerikanët

By: S M
22 June 2025 at 07:51

Rreth orës 2 të mëngjesit, me orën shqiptare, të dielën më 22 qershor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin bombarduar Iranin, duke goditur tre objekte të programit bërthamor të Ajatollahëve.

Pika kyçe e këtij programi është e mbrojtur nga ajo që quhet “mali i shenjtë” – impianti bërthamor i Fordow-t. Është brenda këtij bunkeri gjigand që regjimi i Teheranit ka vendosur një pjesë të centrifugave të nevojshme për pasurimin e uraniumit.

Një objektiv i vështirë edhe për aviacionin izraelit, i cili deri në ndërhyrjen amerikane kishte arritur vetëm të “gërvishtte” pjesën e jashtme të kësaj strukture thelbësore.

Pamjet e fundit satelitore tregonin dëme të vogla në një mur mbajtës përgjatë një rruge hyrëse, dhe pikërisht për këtë arsye kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte kërkuar ndërhyrjen e SHBA-së – i vetmi vend që zotëron bombat speciale të afta të godasin në thellësi të tokës këtë strukturë të fortifikuar.

Republika Islamike e Iranit, që nga ditët e para të ekzistencës së saj, ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke u bazuar jo vetëm në përvojën e saj të vështirë, por edhe në atë të fqinjëve. Për tetë vjet ajo ka luftuar kundër Irakut, duke përdorur edhe raketat tokë-tokë – armë që sot konsiderohen të pazëvendësueshme në arsenalin e saj. Pikërisht gjatë atyre viteve, Irani ishte dëshmitar i sulmit izraelit ndaj reaktorit bërthamor irakian Osirak – një prej ndërhyrjeve të para të Izraelit për të ndalur përhapjen bërthamore në rajon. Kjo e bëri Iranin të kuptojë se, nëse donte të zhvillonte një program atomik, duhej ta mbronte atë siç duhej.

Kështu nisi plani për të ndërtuar struktura nëntokësore, të afta të përballonin goditje, si Fordow dhe më vonë Kolan Gaz, në jug të Natanzit (një tjetër impiant i goditur nga sulmet amerikane).

Ndërtimi i “laboratorit” të Fordow-t ka nisur në vitet 2006–2007, ndërsa regjimi pranoi ekzistencën e tij publikisht vetëm në vitin 2009. Vendndodhja u zgjodh për shkak të terrenit malor, ideal për t’u përdorur si “strehë e mbrojtur”. Sipas disa burimeve, zona ka edhe një simbolikë: rajoni i Fordow-t kishte një përqindje të lartë “dëshmorësh” në luftën kundër trupave të Saddam Husseinit dhe nuk ndodhet larg qytetit të shenjtë Qom, një qendër e rëndësishme e islamit shiit. Megjithatë, ky aspekt simbolik mbetet dytësor përballë nevojave të sigurisë dhe rëndësisë shkencore të kërkimeve në fushën bërthamore.

Impianti thuhet se përbëhet nga një sërë hapësirash të mëdha nëntokësore, ku janë vendosur pajisjet teknologjike.

Një raport i Institutit Britanik për Studime të Sigurisë RUSI vlerëson se këto struktura ndodhen në një thellësi prej 90–100 metrash – mjaftueshëm për të përballuar një sulm izraelit. Aviacioni izraelit disponon bomba anti-bunker dhe i ka përdorur ato në të kaluarën për të vrarë drejtues të Hezbollah-ut të fshehur në tunele nën ndërtesa, por nuk i ka në arsenalin e tij bombat GBU-57A të zhvilluara nga Pentagoni, të vetmet që mund të lëshohen nga bombarduesit amerikanë B-2.

“Spirit”, siç quhet ky avion në zhargon ushtarak, është i vetmi aeroplan në botë që mund të mbajë GBU-57 – “superbombën” prej 14 tonësh të ndërtuar për të shkatërruar bunkerë në thellësi të madhe, siç është rasti i Fordow-t.

Janë bërë disa hipoteza mbi strukturën mbrojtëse të impiantit, duke llogaritur shtresa betoni, dheu dhe materialesh të tjera të vendosura nga punëtorët për ta kthyer “qendrën” në një kala të vërtetë. Megjithatë, këto mbeten me një nivel pasigurie për shkak të mungesës së të dhënave të sakta.

Përveç mbrojtjes së brendshme, rreth perimetrit të impiantit janë vendosur edhe masa kundër-operacionale për të parandaluar sulme të mundshme nga trupa speciale.

The post Fordow, qendra bërthamore 100 metra nën masivet malore që u godit nga amerikanët first appeared on JavaNews.al.

Bomba GBU-57, tmerri i tuneleve nëntokësore që u përdor në Iran

By: S M
22 June 2025 at 07:47

Gjithçka filloi me ngritjen në fluturim, 37 orë më parë, të një formacioni avionësh B-2 nga baza e Witheman-it, në Missouri, me destinacion bazën e Guam-it në Paqësor. Një zhvendosje, sipas burimeve zyrtare, për arsye mbrojtjeje. Por kjo rezultoi të ishte thjesht një lëvizje mashtruese, sepse shumëkush dyshonte se destinacioni përfundimtar ishte Irani – dhe ashtu ndodhi.

Avionët B-2 hodhën 12 bomba GBU-57, të ashtuquajturat “superbomba” prej 14 tonësh: dhjetë mbi Fordow – objekti më i rëndësishëm – dhe dy mbi Natanz, një tjetër pikë kyçe e programit bërthamor iranian. Më pas, një breshëri raketash lundruese të lëshuara nga Marina Amerikane goditi Isfahanin, nyjen e tretë të rrjetit atomik të Iranit. Kjo ndërhyrje konfirmoi skenarët që ishin parashikuar gjatë ditëve të fundit, me referenca të vazhdueshme për nevojën e përdorimit të armëve speciale për të goditur “malin” që mban brenda vetes centrifugat e Fordow-t.

Bomba GBU-57 u zhvillua në gjysmën e parë të viteve 2000 për t’u përdorur kundër shteteve armiqësore, si Koreja e Veriut apo Republika Islamike e Iranit. Më vonë, ajo u përmirësua për të rritur fuqinë shkatërruese, me teknologji që nuk janë zbuluar plotësisht për arsye sigurie. Qëllimi i bombës është të depërtojë në “guaskën” mbrojtëse të objektivit dhe të shpërthejë brenda, për të shkaktuar dëme të mëdha në thellësi. Besohet se përditësimet e fundit e kanë rritur efektshmërinë e saj edhe në rastet kur nuk ka të dhëna të sakta mbi thellësinë ose pozicionin e synuar.

Sipas një artikulli të New York Times, shumë ushtrime ushtarake të Pentagonit kanë treguar se për të goditur objektiva si Fordow nevojiten disa avionë B-2, secili prej të cilëve mund të mbajë dy bomba. Kështu, goditjet ndodhin në një rend të shpejtë, njëra pas tjetrës – si një çekiç që godet me ngulm një gozhdë. Sidomos kur duhet të përshkojnë mbrojtjen rreth centrifugave të Fordow-t, të cilat, sipas disa ekspertëve, ndodhen në një thellësi prej 90-100 metrash. Sipas Donald Trump-it, pas sulmit, objekti i Fordow-t është “fshirë nga faqja e dheut”. Megjithatë, për shkak të natyrës nëntokësore të strukturës, do të duhen orë për të kuptuar më qartë efektet e goditjes.

“Rrethi malor” i Fordow-t ka qenë themelor për zhvillimin e programit bërthamor iranian, por të njëjtin rëndësi kanë edhe dy “laboratorët” e tjerë. I pari, Natanz, aktiv që nga fillimi i viteve 2000, është përgjegjës për pasurimin e uraniumit. Ai ka një pjesë mbi tokë dhe një pjesë nëntokësore. Izraeli ka ndërmarrë më herët aksione për të penguar punën aty: përmes sabotimeve kibernetike, shpërthimeve dhe sulmeve të drejtpërdrejta. Tani, SHBA ka goditur sërish me GBU-57.

Impianti i dytë, Isfahani, plotëson rrjetin e shpërndarë në gjithë territorin iranian. Mendohet se aty grumbullohet uraniumi që më pas përdoret në centrifuga. Në të njëjtën zonë ndodhen edhe industri për prodhimin e raketave dhe dronëve. Ditët e fundit, Isfahani ka qenë objektiv i sulmeve izraelite dhe, sipas AIEA-s, aty janë konstatuar shkatërrime të konsiderueshme.

The post Bomba GBU-57, tmerri i tuneleve nëntokësore që u përdor në Iran first appeared on JavaNews.al.

Agjencia Atomike: Nuk ka sinjale rrezatim bërthamor pas sulmeve

By: S M
22 June 2025 at 07:43

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka thënë se deri më tani nuk ka pasur raportime për rritje të niveleve të rrezatimit jashtë vendit pas sulmeve amerikane në Fordow, Isfahan dhe Natanz.

“Pas sulmeve ndaj tre centraleve bërthamore në Iran – përfshirë Fordow – IAEA mund të konfirmojë se deri në këtë kohë nuk është raportuar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë centralit”, tha agjencia në një postim në rrjetet sociale.

“IAEA do të japë vlerësime të mëtejshme mbi situatën në Iran sapo të bëhen të disponueshme më shumë informacione”, thuhet në njoftim.

The post Agjencia Atomike: Nuk ka sinjale rrezatim bërthamor pas sulmeve first appeared on JavaNews.al.

Ministri i jashtëm iranian: Sjellje kriminale, do ketë pasoja të përjetshme!

By: S M
22 June 2025 at 07:39

Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar: “Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”.

Pas këtij deklarimi, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X: “Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan një akt lufte të mirëfilltë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin e SHBA si «një sjellje kriminale» që do të ketë «pasoja të përjetshme».

Kreu i diplomacisë iraniane theksoi sërish se programi bërthamor i Iranit ka natyrë paqësore dhe akuzoi SHBA-të për «një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara». Ai deklaroi: «Ne e rezervojmë të drejtën të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur interesat dhe sovranitetin tonë».

Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”. Ai deklaroi se objektet bërthamore iraniane janë “thuajse plotësisht të shkatërruara” dhe i bëri thirrje Iranit që të zgjedhë paqen, duke përmendur viktimat e shumta që, sipas tij, janë shkaktuar nga veprimet iraniane gjatë dekadave.

Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën gjashtë bomba “bunker-buster” me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.

Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.

Nga ana tjetër, Irani reagoi me vendosmëri përmes Organizatës për Energjinë Atomike, duke deklaruar se “zhvillimi i industrisë bërthamore nuk do të ndalet, pavarësisht konspiracioneve djallëzore të armiqve”. Sipas tyre, kjo industri është fryt i punës dhe gjakut të “dëshmorëve bërthamorë”.

Kryeministri izraelit Netanyahu vlerësoi lidershipin e Trump, duke thënë: “Historia do të kujtojë se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë armët më të rrezikshme në botë”. Ai shtoi se kjo goditje mund të hapë një të ardhme të begatë për Lindjen e Mesme dhe falënderoi SHBA-në për aleancën e palëkundur.

The post Ministri i jashtëm iranian: Sjellje kriminale, do ketë pasoja të përjetshme! first appeared on JavaNews.al.

Uluni në bisedime ose do ju godasim prapë, mesazhi Trump për Teheranin

By: S M
22 June 2025 at 07:35

Mesazhi i Trumpit drejtuar regjimit iranian ishte i shkurtër, i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: ejani në tryezën e negociatave, ose do të vijnë sulme të tjera.

“Nëse nuk e bëjnë këtë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha”, tha ai. “Dhe shumë më të lehta.”

Në prag të sulmeve, Trump kishte lënë vazhdimisht hapësirë ​​​​për vazhdimin e negociatave.

Tani, ai vazhdon ta lërë rrugën të hapur, por me kërcënimin e sulmeve të mëtejshme amerikane që i kanosen udhëheqjes së Iranit.

 

 

“Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin shumë më të madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit”, tha ai.

The post Uluni në bisedime ose do ju godasim prapë, mesazhi Trump për Teheranin first appeared on JavaNews.al.

Irani kundërpërgjigjet, një valë raketash niset drejt Izraelit

By: S M
22 June 2025 at 07:32

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmit amerikan mbi Iran.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se një numër raketash janë lëshuar nga territori iranian drejt Izraelit.

Sipas një deklarate zyrtare të IDF-së, sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të ndaluar kërcënimin, ndërsa qytetarët janë paralajmëruar të hyjnë në hapësira të mbrojtura dhe të qëndrojnë aty deri në një njoftim të dytë.

“Alarme paralajmëruese janë aktivizuar në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe qytetin e Jerusalemit,” thuhet në deklaratën e IDF. Dëshmitarë nga kryeqyteti raportojnë se kanë dëgjuar disa shpërthime të forta mbi qytet, të cilat besohet të jenë rezultat i aktivizimit të sistemit të mbrojtjes ajrore izraelite.

 

 

Nuk ka ende të dhëna për viktima apo dëme materiale, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme.

The post Irani kundërpërgjigjet, një valë raketash niset drejt Izraelit first appeared on JavaNews.al.

Trump sulmon Iranin, goditen tre qendra të pasurimit të uraniumit

By: S M
22 June 2025 at 07:30

Pritja mori fund. SHBA sulmoi mbrëmë Iranin. U tha që ky vendim do të merrej brenda dy javëve, por duket se Presidenti i SHBA, Donald Trump, nuk ka pritur as 48 orë për të sulmuar Iranin pas deklaratës së fundit.

Ishte vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë që deklaroi në rrjetet sociale se avionët amerikanë janë futur në Iran dhe kanë bombarduar objektiva nuklearë.

“Kemi përfunduar me sukses të plotë sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjithë avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane. BOMBA u hodhën mbi objektivin kryesor, Fordoë. Të gjithë avionët janë në rrugës për tu kthyer në shtëpi, të sigurt. Urime për Luftëtarët tanë të mëdhenj Amerikanë. Nuk ka një ushtri tjetër në botë që do të mund ta bënte këtë. TANI ËSHTË KOHA PËR PAQE! Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.” – deklaroi Trump.

Tashmë me përfshirjen e Amerikës hapet një kapitull krejt i ri. Nuk dihet se si do të reagojnë vendet fqinje apo fuqitë e tjera të mëdha, por fakt është se Irani tashmë ndodhet në një situatë tepër të vështirë.

The post Trump sulmon Iranin, goditen tre qendra të pasurimit të uraniumit first appeared on JavaNews.al.

❌