Nga Monada Mehmetaj, Strasburg
Në një sallë të ndriçuar të selisë së Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 14 korrik 2025, u zhvillua një ngjarje me jehonë të veçantë për diplomacinë ndër-rajonale: takimi i parë i Këshillit të Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Amerikës Qendrore. Ky ishte një moment historik, jo vetëm për përmbajtjen politike dhe ekonomike të diskutimeve, por edhe për frymën që e përshkoi takimin një frymë e ndërtuar mbi sfida të përbashkëta dhe aspirata të ndërsjella për paqe, zhvillim dhe integrim më të thelluar
Një marrëdhënie me rrënjë të hershme, por me ambicie të reja
Marrëdhëniet mes BE-së dhe Amerikës Qendrore nuk janë të reja. Ato shtrihen pas në kohë, që nga dekadat kur Evropa ofronte mbështetje për paqen në rajonin e trazuar të Amerikës Latine. Por sot, për herë të parë, këto marrëdhënie janë të institucionalizuara në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit, e cila hyri në fuqi më 1 maj 2024. Kjo marrëveshje shumëdimensionale – që përfshin dialog politik, bashkëpunim dhe tregti është simbol i një qasjeje të re strategjike, ku Evropa kërkon të ndërtojë ura më të forta me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera.
Simbolika e pjesëmarrjes së liderëve
Në takim morën pjesë personalitete të nivelit të lartë si Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, dhe Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, që përfaqësonte Presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së. Nga ana e Amerikës Qendrore, të pranishëm ishin ministrat e jashtëm dhe zëvendësministrat e gjashtë vendeve: nga Kosta Rika e deri në Panama, përfshirë El Salvadorin, Guatemalën, Hondurasin dhe Nikaraguan. Ky diversitet institucional dhe kulturor solli me vete jo vetëm qëndrime të ndryshme për çështje globale, por edhe një pasuri përvojash që ndihmoi në ndërtimin e një vizioni të përbashkët. Dialogu u zhvillua në një klimë mirëkuptimi dhe respekti, ku u pranua se pavarësisht sfidave të brendshme apo dallimeve gjeopolitike, ekziston një vullnet real për të ndërtuar së bashku.
Gjeopolitika si sfond dhe sfidë
Diskutimet prekën me intensitet realitetin e polarizuar global. Ndërsa konflikti në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të tronditin rendin ndërkombëtar, BE-ja dhe partnerët nga Amerika Qendrore shprehën angazhimin për të mbrojtur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtat e njeriut. Në një kohë kur shumë rajone të botës po përballen me rritjen e autoritarizmit dhe kërcënime ndaj demokracisë, kjo deklaratë e përbashkët për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ka vlerë të veçantë. Për vende si Guatemala apo El Salvadori, të cilat kanë kaluar tranzicione të dhimbshme nga diktatura në demokraci, angazhimi ndaj multilateralizmit është një përvojë e jetuar dhe jo vetëm një deklaratë diplomatike.
Kriza globale dhe përgjigje të përbashkëta
Ndryshimet klimatike, migrimi, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm ishin boshtet kryesore të diskutimeve. BE-ja dhe partnerët nga Amerika Qendrore u zotuan të bashkërendojnë përpjekjet për të ndalur degradimin mjedisor, për të ruajtur oqeanet dhe për të forcuar qeverisjen mjedisore ndërkombëtare. Migrimi, sidomos nga Amerika Qendrore drejt SHBA-së dhe Evropës, mbetet një sfidë dramatike për rajonin. Zyrtarët evropianë propozuan qasje të reja për menaxhimin e migrimit përmes mbështetjes për zhvillimin lokal dhe integrimin ekonomik të komuniteteve të brishta. Bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar u vlerësua si i domosdoshëm për të frenuar rrënjët e migrimit të detyruar.
Axhenda 2030 si busull zhvillimi
Një tjetër pikë kyçe ishte riafirmimi i angazhimit ndaj Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Palët u pajtuan që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) duhet të mbeten në themel të bashkëpunimit të ardhshëm, veçanërisht në fusha si shëndetësia, arsimi, siguria ushqimore dhe energjia. Në mënyrë të veçantë, për vendet e Amerikës Qendrore, përballja me pasojat e ndryshimeve klimatike është emergjente. Përmbytjet ciklike, uraganët dhe thatësirat kanë shkaktuar pasoja shkatërruese në bujqësi dhe infrastrukturë. Në këtë kontekst, përfshirja aktive e BE-së përmes fondeve të qëndrueshme dhe mbështetjes teknike është thelbësore.
Investimet që krijojnë ura: Global Gateway në veprim
Nisma “Global Gateway” e Bashkimit Evropian u prezantua si mekanizëm konkret për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë institucionale në rajon. Ajo synon të mobilizojë miliarda euro përmes partneritetit publik-privat në fusha strategjike si energjia e pastër, dixhitalizimi, infrastruktura sociale dhe zinxhirët e furnizimit. Për vende me nivel të lartë pabarazie sociale dhe sfida në sektorin publik, siç është Nikaragua ose Honduras, investimet në arsim dhe infrastrukturë do të jenë vendimtare. BE-ja shpreson që përmes kësaj agjende të krijojë alternativa reale ndaj ndikimit ekonomik kinez apo prirjeve autoritare në rajon. Në këtë kuadër, përparësia iu dha zhvillimit të mëtejshëm të Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike të Amerikës Qendrore, i cili pritet të krijojë një treg të unifikuar energjetik, më efikas dhe më të qëndrueshëm, që nxit integrimin dhe ul varësinë nga burimet fosile.
Një tregti në lulëzim dhe një potencial ende i pashfrytëzuar
Statistikat tregojnë se bashkëpunimi tregtar mes BE-së dhe Amerikës Qendrore ka përjetuar një rritje të ndjeshme që nga hyrja në fuqi e shtyllës tregtare të marrëveshjes në vitin 2012. Vëllimi i tregtisë është rritur nga 8.7 miliardë euro në 2012 në 22 miliardë euro në 2023. Kjo rritje ka ndodhur pavarësisht krizave të shumta globale, si pandemia apo kriza e zinxhirëve të furnizimit, dhe është dëshmi e rezistencës së këtij partneriteti. Mallrat agro-ushqimore përbëjnë shumicën e eksporteve të rajonit drejt Evropës, duke dëshmuar rëndësinë e sektorit rural dhe traditës bujqësore për ekonomitë lokale. Palët u zotuan të përforcojnë më tej marrëdhëniet tregtare dhe të nxisin diversifikimin e eksporteve me vlerë të shtuar, duke inkurajuar gjithashtu investimet evropiane në industri të qëndrueshme, teknologji të pastër dhe inovacion.
Perspektiva të reja: më shumë kontakte njerëzore dhe shkëmbime
Një nga elementët më të theksuar të deklaratës së përbashkët ishte nevoja për thellimin e kontakteve njerëzore – një formë “diplomacie qytetare” që përfshin shoqërinë civile, sektorin privat, universitetet dhe organizatat e të rinjve. Në këtë drejtim, programet e shkëmbimit akademik, projektet kulturore ndërajonale dhe nismat për të forcuar kapacitetet e sipërmarrjes lokale janë pjesë e planit të zbatimit që do të pasohet nga Komitetet dhe Nënkomitetet e Asociimit. Takimi i radhës i Këshillit të Asociimit do të mbahet në vitin 2027 në njërin nga vendet e Amerikës Qendrore një gjest simbolik që tregon se partneriteti nuk është më një marrëdhënie “veri-jug”, por një dialog i barabartë, me ndikim konkret në të dy anët e Atlantikut.Nga bashkëpunimi teknik në një vizion të përbashkët gjeostrategjik
Takimi i parë i Këshillit të Asociimit BE–Amerika Qendrore nuk ishte thjesht një event protokollar. Ai përfaqëson një vizion të ri të politikës së jashtme të BE-së, që e shikon bashkëpunimin ndër-rajonal si mjet për të përballuar sfidat globale me partnerë të besueshëm. Në një botë të trazuar ku rendi ndërkombëtar sfidohet çdo ditë, dialogje si ky ofrojnë një alternativë të prekshme për diplomacinë bashkëpunuese, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndërtimin e një bote më të ndershme dhe të balancuar. Qëndron tani në dorën e aktorëve institucionalë, por edhe të shoqërive tona, ta mbajmë gjallë këtë frymë të bashkëpunimit nga Brukseli në San Salvador, nga Guatemala City në Strasburg, në një hark solidariteti që shkon përtej kufijve dhe kontinentëve. m.p.