Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Gazeta Fjala

A do e bojkotojnë Parlamentin e ri dhe çdo të ndodhë me forumet? Ja si përgjigjet Berisha

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:51

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, është pyetur nëse Partia Demokratike do të bojkotojë Kuvendin e ri në shtator, pas deklaratave të ish-kryeminstrit se nuk i njeh zgjedhjet e 11 Majit.

“Gjithçka do të vendoset nga forumet e saj”, deklaroi Berisha. Gjithashtu i pyetur nëse do të ketë një riformatim të forumeve të PD-së, ish-kryeministri la të nënkuptohet se nuk do të ndodhë.

Pjesë nga konferenca:

Keni thënë që PD do të hyjë në një proces analize, a do të ketë PD një riformatim të forumeve të saj?

PD në këtë periudhë po merret me ndriçimin e të vërtetës së farsës elektorale dhe mendoj se ka arritur të grumbullojë dokumente zyrtare të pakundërshtueshme që faktojnë shkatërrimin e këtij procesi në çdo qelizë.

PD nuk i njeh zgjedhjet, a do të jetë pjesë e Parlamentit?

Të gjitha do të vendosen nga forumet. Gjithçka do të vendoset nga forumet e saj

Forumet nuk do të ndryshojnë?

Gjithçka do ta vendosin forumet.

/E.T

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025! 9-të masat mbështetëse

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:40

Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për sektorin bujqësor hapen sot duke ofruar një paketë financimi të integruar që përfshin kredinë e butë dhe mbështetje financiare përmes granteve, njoftoi në rrjetet e saj sociale Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.

Sipas Denaj, kjo skemë ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e inovacionit në zinxhirin agroushqimor, duke siguruar gjithashtu përmbushjen e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore.

“Për më tepër, ajo synon realizimin e objektivit ambicioz të qeverisë për eksportimin e 1 miliard eurove produkte bujqësore deri në 2030-ën.

Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara”, thekson Ministrja Denaj.

Kredia e butë e nisur prej janarit, me një normë interesi vetëm 2% dhe 70% kolateral nga shteti, gërshetohet me Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 me 50% grant, duke krijuar një paketë të plotë financimi për sektorin bujqësor.

Ministrja sqaron në postimin e saj, se aplikantët mund të përfitojnë nga disa masa mbështetjeje, duke i mundësuar kështu të krijojnë një plan të qëndrueshëm dhe tërësor për zhvillimin e fermave të tyre.

Ky program është i hapur për fermerët individualë, si dhe për shoqëritë me status fizik ose juridik, të cilët mund të aplikojnë për ndihmë financiare nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në zonën e tyre.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron 9 masa mbështetëse:
ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve,
luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës;
mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta;
rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese;
sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta;
ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë;
mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale;
pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri;
investime në agroturizëm;
koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.

Aplikimet janë të hapura nga data 30 korrik deri më 30 shtator, dhe fermerët mund të marrin asistencë nga ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për çdo pyetje ose nevojë për ndihmë.

Skema e Investimeve 2025 ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit./E.T

Rreth 520 miliardë euro shpenzime, Gjermania rrit fondet për ushtrinë dhe infrastrukturën

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:32

Kabineti qeveritar gjerman miratoi të mërkurën një projektbuxhet për vitin 2026, thanë burime qeveritare, duke hapur rrugën për të shpenzuar qindra miliarda euro për infrastrukturë dhe mbrojtje, raporton DPA.

Buxheti i Ministrit të Financave, Lars Klingbeil, për vitin e ardhshëm parashikon shpenzime prej rreth 520 miliardë eurosh dhe një borxh të ri në vlerë rreth 174 miliardë euro.

Qeveria e re gjermane, që mori detyrën në maj, ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet për të përditësuar infrastrukturën e amortizuar të vendit dhe për të riarmatosur ushtrinë gjermane.

Buxheti për vitin 2025, i cili u miratua nga kabineti në qershor, mbetet ende në shqyrtim dhe pritet të miratohet në parlament pas pushimeve verore.

Buxheti për vitin pasues pritet të hidhet në votim në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit, në nëntor.

Projektbuxheti thekson si përparësi investimet për rritje ekonomike, më shumë punësim dhe modernizimin e Gjermanisë

Ministri i Financave ka paralajmëruar këtë javë se nga viti 2027 priten masa të konsiderueshme kursimi, pasi në buxhetin federal parashikohet një mungesë fondesh prej rreth 172 miliardë eurosh./REL

Cunami në Japoni shënon viktimën e parë, një grua humb jetën teksa po i largohej dallgëve

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:21

Një grua humbi jetën në Japoni teksa përpiqej të largohej nga zona bregdetare e goditur nga cunami. Në Japoni, paralajmërimet për cunami u dhanë herët në qytete përgjatë bregdetit të Paqësorit të Japonisë dhe u lëshuan urdhra evakuimi për dhjetëra mijëra njerëz.

Asahi TV raportoi se një grua 58-vjeçare vdiq kur makina e saj ra nga një shkëmb në prefekturën qendrore Mie, ndërsa po largohej nga zona. Zyrtarët thanë se tre valë cunami u regjistruan në Japoni, më e madhja prej të cilave ishte 1.3 metra (4.3 këmbë)./E.T

Ndahet nga jeta Paul Mario Day, këngëtari i grupit legjendar ‘Iron Maiden’

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:11

Këngëtari kryesor i parë i grupit legjendar Iron Maiden, Paul Mario Day, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Lajmi u bë i ditur më 29 korrik nga grupi i tij i fundit muzikor, More, përmes rrjeteve sociale, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.

Në një postim në Instagram, grupi More shprehu dhimbjen për humbjen e artistit, duke e përshkruar atë si një pjesë të rëndësishme të valës së re të heavy metal-it britanik.

“Jemi thellësisht të trishtuar të mësojmë për ndarjen nga jeta të këngëtarit të madh të More, Paul Mario Day. Ai ishte pjesë e valës së re të heavy metal britanik, duke nisur që nga koha e tij me një version të hershëm të Iron Maiden dhe performanca e tij fantastike në albumin ‘Warhead’.”

Paul Mario Day ishte një figurë e dashur në skenën britanike të rock-ut, i njohur për koncertet legjendare ku performoi, përfshirë “Monsters of Rock” në Castle Donington në vitin 1981, ku u ndanë skena me emra si AC/DC, Whitesnake, David Coverdale, si dhe turnetë me Iron Maiden, Def Leppard dhe artistë të tjerë të njohur.

Mike Freeland, bashkëpunëtor i tij, e kujtoi Day si një “këngëtar të çmendur dhe të shkëlqyer”, ndërsa grupi More theksoi se vazhdon të luajë muzikën e tij me nderim dhe e mban mend gjithmonë gjatë performancave të albumit “Warhead”.

Paul Mario Day u rekrutua nga basisti Steve Harris kur Iron Maiden u formua në vitin 1975 dhe ishte vokalisti i parë i grupit deri në vitin 1976, kur u zëvendësua nga Dennis Wilcock. Në dokumentarin “Iron Maiden: The Early Days” u zbuluan detaje se Day u pushua nga puna për mungesë prezence në skenë.

Grupi More u shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe fansat e Paul Mario Day në të gjithë botën./E.T

Berisha: Kodi i ri, atentat madhor kundër fjalës së lirë

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:05

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kodi i ri Penal “shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”.

“Edhe njëherë, narkoshteti nuk mund të mos hartonte narkokodin. Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për kodin Rama-Ulsiu. Pra, kur unë u deklarova ju se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi. Por, ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”, tha Berisha.

Kreu demokrat theksoi se ky kod është “atentat madhor kundër fjalës së lirë”.

“Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd.
Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë. Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avoketërit, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që u bëhen në sallën e gjyqit. Absurditeti i kodit tejkalon çdo kufi. Dhe pse ky nen për mbrojtjen e Irena Gjokës dhe Altin Troplinit? Sepse ata janë në shërbim të regjimit, më të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë. A mund të imagjinoni ju një mercenar që kryeson prokurorinë speciale me katër banesa, gjatë gjithë jetës së tij me një rrogë, dhe gjen edhe megafonët e Edi Ramës që thonë se është i ndershëm. E morët vesh tani termin e fundit, është diktator, por është liberal. Këta janë njerëz të zbrazur edhe nga korteksi trunor, edhe nga karakteri njerëzor”, shtoi Sali Berisha.

“Pra, mediat po përdoren nga Edi Rama, po keqpërdoren në shkallën më ekstreme dhe tani edhe ata pak gazetarë të guximshëm që kanë mbetur dhe që shtrojnë me të drejtë pyetjen që si ka mundësi që Altin Troplini të ketë me rrogë të tij tre banesa në emër të vet dhe të banojë kollovar tek vjehrri, me dyshimet se është aksioner në atë vilë, të vazhdojë detyrën, ndërkohë që një tjetër gjykatës pse ka paguar faturat elektrike të vëllait të vet, i quhet banesë e tij. Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Atij u përdoren ato fatura si dëshmi nga Altin Dumani dhe të tjerë për ta dënuar me një vit burg”, theksoi Berisha./E.T

162 të vdekur, përplasja fatale e Boeing 727 dhe luftarakut F-86 tronditi Japoninë

30 July 2025 at 13:00

30 korrik 1971 – Tragjedia ajrore mbi Morioka

Përgatiti: L. Veizi

Më 30 korrik 1971, një nga fatkeqësitë më të mëdha ajrore në historinë e Japonisë ndodhi mbi qiejt e qytetit Morioka, në prefekturën Iwate, kur një aeroplan pasagjerësh i kompanisë All Nippon Airways (ANA), tip Boeing 727-281, u përplas në ajër me një avion luftarak F-86F Sabre të Forcave Ajrore të Japonisë. Si pasojë, 162 persona humbën jetën, duke e renditur këtë ngjarje ndër aksidentet më tragjike të aviacionit civil japonez të asaj kohe.

Rrethanat e ngjarjes

Avioni i kompanisë All Nippon Airways ishte ngritur nga aeroporti Sapporo (Chitose) dhe ishte në rrugën për në aeroportin Tokyo Haneda, duke transportuar 155 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit. Ndërkohë, avioni ushtarak F-86F Sabre ishte pjesë e një stërvitjeje rutinë, i pilotuar nga një kadet i ri në trajnim, i cili po kryente një fluturim nën mbikëqyrjen e instruktorëve të Forcave Ajrore.

Për arsye që mbetën të debatueshme, dy avionët u gjendën në të njëjtin sektor lartësie, dhe për shkak të komunikimeve të pasakta dhe mungesës së koordinimit mes kontrollit të trafikut civil dhe atij ushtarak, ndodhi përplasja.

Përplasja

Sipas hetimeve zyrtare, avioni luftarak u përplas me krahun e majtë të Boeing-ut, duke shkaktuar humbjen e menjëhershme të kontrollit nga ekuipazhi i aeroplanit civil. Avioni i ANA-s u shkatërrua në ajër dhe rrënojat ranë mbi një zonë malore pranë qytetit Shizukuishi, duke i vrarë të gjithë personat në bord.

Piloti i avionit ushtarak arriti të hidhej me parashutë dhe mbijetoi, çka ngjalli reagime të forta publike dhe politike.

Pasojat dhe hetimet

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh publik në Japoni. U shtrojnë pyetje të mëdha rreth rolit të ushtrisë në hapësirat ajrore civile dhe mungesës së koordinimit mes kontrollorëve të fluturimit ushtarak dhe civil. Hetimet treguan se kadeti në avionin luftarak kishte bërë manovra të papërshtatshme, por përgjegjësia e plotë i takonte gjithashtu edhe sistemit të kontrollit të fluturimeve, i cili kishte lejuar dy avionët të operonin në të njëjtën lartësi pa paralajmërim të mjaftueshëm.

Në vitin 1973, piloti i F-86, 22-vjeçari Kazumi Hirose, u dënua me dy vjet burg me kusht, çka u kritikua si një dënim shumë i lehtë në raport me pasojat katastrofike.

Trashëgimia

Kjo tragjedi shërbeu si një pikë kthese për përmirësimin e sigurisë ajrore në Japoni. U përforcua ndarja mes trafikut ajror civil dhe atij ushtarak, u rritën investimet në sistemet e radarëve dhe komunikimit, dhe u vendosën protokolle të reja për koordinimin ndërmjet aviacionit civil dhe ushtrisë.

Ngjarja mbetet ende një nga aksidentet më të rënda ajrore në historinë e Japonisë, dhe një simbol i rrezikut që paraqet ndërhyrja ushtarake në hapësirat ajrore të banuara pa koordinim të plotë.

Turisti hungarez vjedh në Ksamil portofolin me lekë dhe kartat bankare të pushuesit

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:50

Një 36-vjeçar hungarez që kishte ardhur si turist për pushime në Shqipëri, është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi akuzohet se ka kryer vjedhjen e portofolit me para dhe kartave bankare të një pushuesi tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në bregdetin dhe plazhin e Ksamilit më 28 korrik, kurse pas denoncimit të të dëmtuarit K.P., kanë nisur hetimet dhe është bërë dokumentimi i rastit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim A. S., 36 vjeç, banues në Hungari, pasi dyshohet se në Ksamil, ka vjedhur portofolin me një shumë parash dhe karta bankare të shtetasit K. P.”, sqaroi policia vendore

Për ngjarjen e ndodhur po heton edhe Prokuroria vendore, të cilës iu referua dosja pas veprimeve paraprake nga uniformat blu./E.T

Ushtroi dhunë ndaj të bijës 19-vjeçare, arrestohet nëna

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:41

Një nënë 38-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Fierit pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj 19 vjeçe.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasen M. K., 38 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj 19 vjeçe”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./E.T

GJKKO dënon me 1.4 vite burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:30

GJKKO dënon ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai dënohet me 2 vite burg për tjetërsimin e një prone në plazhin e Livadhit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuaj 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Dënimi ndaj tij parashikon edhe heqjen e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Gjithashtu dënimi me 1 vit e 6 muaj burg u dha për Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Menaxhimit të Pronave në Bashkinë e Himarës.

I cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj vetëm 1 vit heqje lirie. Dënimi ndaj tij pezullohet në 2 vite shërbim prove. Vasillaq Strakoshës i hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Akuzat e SPAK për Goron
Jorgo Goro u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre, vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Livadh, në Bashkinë e Himarës, e cila përfundoi në pronësi të Arqile Bollanos, i komanduar dikur në krye të Bashkisë Himarë.

 

 

Pjesë e të njëjtës çështje është edhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i tokës dhe menaxhimit të pronës pranë Bashkisë Himarë. Për të, SPAK kërkoi një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg, që reduktohet në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Hetimet për këtë rast nisën pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi të Arqile Bollanos.

Kjo nuk është çështja e vetme penale ndaj Jorgo Goros. Që prej marsit 2024, ai ndodhet në burg, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, ka falsifikuar dokumente për të kaluar sipërfaqe të konsiderueshme të tokës shtetërore në pronësi të privatëve. Sipas SPAK, këto prona përfunduan në zotërim të një shoqërie të lidhur me Artan Gaçin, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka përfituar më pas statusin e investitorit strategjik.

2 vite burg për tjetërsimin e pronës në Gjilekë
Ndërkohë, Apeli i Posaçëm la në fuqi në 21 korrik 2025 vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, për çështjen e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Himarës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg.

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie. Po ashtu, Apeli vendosi konfiskimin e apartamentit rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula. Shkalla e parë më herët, vendosi t’ia kthente apartamentin firmës, ndërsa SPAK pretendonte se ishte pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut, por biznesmeni Sula ka pretenduar se apartamenti është i tij dhe ia kishte lënë në përdorim.

Hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, person në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin, bashkëshorten e Olta Xhaçkës. Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO ka vendosur që të konfiskohet për llogari të shtetit./E.T

Andia Ulliri kërkon mandatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, nis mbledhja në KAS!

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:56

Komisioni i Ankesave dhe Sanksione ka nisur mbledhjen e ditës së sotme me pikën e parë të rendit të ditës, shqyrtimin e ankimimit të kandidates së PD-së për zgjedhjet e 11 majit për qarkun Durrës, deputetes aktuale Andia Ulliri, e cila nuk u rizgjodh dot nga lista e hapur për legjizlaturën e ardhshme.

Kandidatja ka kërkuar që të zbatohet Kodi Zgjedhor për kuotën gjinore, dhe t’i jepet asaj mandati i deputetes që e ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Ulliri u përfaqësua në këtë mbledhje nga mbrojtësi i saj ligjor Indrit Sefa, i cili deklaroi se duhet të respektohet Kodi Elektoral për kuotat gjinore, pasi vihet re se në listat e mbyllura, jo vetëm në Durrës por edhe qarqe të tjera, nuk është respektuar.

Ai tha se në raste si lezha ka vetëm burra në listat e mbyllura dhe se mandati në Durrës i takon kandidates Ulliri, pasi nga 5 fituesit e listës së mbyllur aty gjendet vetëm një grua dhe sipas kuotës 30%, emri i radhës, pra i gjashti, i takon pikërisht Ullirit.

Përfaqësuesit e KQZ u shprehën kundër, duke deklaruar se është bërë shpërndarja e mandateve sipas listave përkatëse, të mbyllura dhe të hapura në listë rendore, apo fituese./E.T

Kodi i ri Penal, 2 vite burg kush lëviz me makinë pa i bërë kolaudimin

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:52

Sesioni i ri parlamentar në shtator do të nisë me diskutimet për Kodin e ri Penal, i prezantuar së fundmi nga Ministria e Drejtësisë.

Mes shumë neneve të propozuara, përfshihen ndryshime për kontrollin teknik të mjeteve.

Në nenin e draftit të Kodit të Ri Penal thuhet se moskryerja e kontrollit teknik të mjeteve motorike apo në kundërshtim me ligjin do të konsiderohet kundërvajtje penale që dënohet me gjobë deri në dy vite burg.

“Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike, apo kryerja e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nga personi i cili ka për detyrë ta kryejë atë, kur kanë krijuar apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor ose, kur kanë sjellë ndotjen tej normave të lejuara të ajrit, ujërave apo tokës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”-thuhet në nen.

Pas tërmetit 8.8 ballë në Rusi, shpërthen vullkani Klyuchevskoy, reja e hirit arrin 3 km

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:50

Vullkani Klyuchevskoy në Rusi shpërtheu dhe hiri i tij arriti deri në 3 kilometra mbi nivelin e detit, sipas Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamchatka-s (KVERT), të Institutit të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë të Akademisë ruse të Shkencave, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi rajonin.

“Deri në këtë kohë, reja e hirit është përhapur 58 kilometra në lindje të vullkanit. Vullkani vazhdon të shpërthejë në majë. Emetimet e hirit në lartësi deri në 8 kilometra mbi nivelin e detit mund të ndodhin në çdo kohë. Aktiviteti i vazhdueshëm mund të ndikojë në fluturimet në lartësi të ulët”, thuhet në deklaratë, sipas Interfax.

KVERT raportoi gjithashtu se “krateri i vullkanit është pothuajse i mbushur me llavë dhe priten rrjedha llave”.

Një kod paralajmërimi portokalli për aviacionin është lëshuar, por fluturimet ndërkombëtare nuk kalojnë nëpër zonën e Klyuchevsky-t.

Vullkani Kluchevskaya Sopka, i njohur edhe si Kluchevskoy, ndodhet në Kamchatka, e cila gjeologjikisht i përket Unazës së Zjarrit të Oqeanit Paqësor.

Është maja më e lartë në Siberi dhe vullkani më i lartë aktiv në Euroazi, duke arritur një lartësi prej 4,750 metrash. Vullkani është pjesë e monumentit natyror të Vullkaneve Kamchatka, i cili është njohur si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Është një vullkan, i formuar rreth 7,000 vjet më parë nga shpërthimet e njëpasnjëshme të llavës, hirit dhe materialeve të tjera vullkanike.

Forma e tij klasike konike e bën atë një tipar mbresëlënës në peizazh, ndërsa aktiviteti i tij intensiv e rendit atë midis vullkaneve më aktive në botë./E.T

Fatos Klosi flet për rënien e Metës: PL do të shpërbëhet, u kthye në një parti familjare

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:34

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, komentoi arrestimin dhe paraburgimin e ish-presidentit Ilir Meta, si dhe ndikimin që kjo ngjarje ka në politikën shqiptare dhe të ardhmen e Partisë së Lirisë. Klosi, një ish-bashkëpunëtor i afërt i Metës, shprehu keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet ish-presidenti, por nënvizon se fjalën e fundit për fajësinë ose pafajësinë do ta japë gjykata.

“Si bashkëpunëtor i tij, më vjen keq që përfundoi në gjendjen e sotme,” tha Klosi për gazetën “SOT”, duke komentuar situatën e Metës, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim për akuza të rënda si afera CEZ-DIA dhe lobimi i dyshimtë në SHBA.

Në lidhje me pretendimet e Metës se është tradhtuar nga njerëzit e tij në LSI dhe se nuk ka hedhur asnjë firmë që ta implikojë, Klosi deklaron se duhet të presim vendimin e formës së prerë.

“Për t’i dhënë përgjigje problemit, duhet të presim vendimet e gjykatës së formës së prerë.Uroj që ai të jetë në gjendje ta mbrojë veten nga akuzat që i bëhen”, tha ai.

I pyetur nëse rënia politike dhe ligjore e Ilir Metës është një simbol i përfundimit të tranzicionit politik shqiptar, Klosi është i prerë që jo.

“Jo, sipas meje, tranzicioni politik shqiptar do të mbyllet me pranimin në Bashkimin Europian,” u shpreh ish-kreu i SHISH.

Klosi foli edhe për të ardhmen e Partisë së Lirisë, duke dhënë një parashikim aspak optimist. Sipas tij PL pritet të shpërbëhet.

“Kjo parti, pas krijimit të saj, u kthye në një parti familjare, të cilën unë në Kongresin e ndarjes e quajta ‘Një SHPK me pak aksionerë’. Nuk besoj se ka të ardhme!”, tha ai.

Në vijim, Klosi ndalet te puna e SPAK dhe perceptimi publik për këtë institucion.

“Vlerësimin e punës së SPAK do ta bëjë gjykata, nuk është punë që mund ta bëjmë ne. SPAK nuk duhet të ketë merak balancat politike-Bibla e tij është ligji dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara tij”, u shpreh Klosi.

Së fundmi, ai foli dhe për konceptin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe nëse vendi është më në fund në rrugën drejt drejtësisë së vërtetë. Klosi tha se momentin do ta quaj të ardhur kur për ngjarjet e sotme të mos flitet më dhe ato të jenë harruar.

“Sigurisht, fenomeni i pandëshkueshmërisë ka filluar të preket dhe unë uroj që të mos e konsiderojmë eksperiment, por të përdorim eksperiencën e atyre që janë para nesh në këtë fushë. Momentin do ta quaj të ardhur kur për ngjarjet e sotme të mos flitet më dhe ato të jenë harruar. Kjo do të dojë dhe ca kohë, të paktën sa të mbarojnë gjyqet e çështjeve të hapura”, u shpreh Klosi./E.T

Tritol për borxhe, policia zbardh ngjarjen në Rrugën e Durrësit, pranga 46-vjeçarit

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:29

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 18 korrik ku u vendos lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, duke vënë në pranga 46-vjeçarin Hysni Lila. Hysni Lila është pronari i motomjetit që ka përdorur autori i dyshuar në vendosjen e tritolit te rruga e Durrësit.

Përpara hetuesve ai nuk ka pranuar që të tregojë emrin e autorit të dyshuar. Sipas tij motorin e ka shitur ndërsa në një tjetër dëshmi ka thënë që e ka dhënë në përdorim tek një person tjetër.

Pista kryesore e policisë janë borxhet. Pronari i lokalit i kishte borxhe tek personat e tjerë rreth 50 mijë euro, çka sipas policisë mos shlyerja e borxheve dyshohet si shkak për vendosjen e tritolit.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./E.T

Qeveria miraton skemën, 5 metër kub ujë falas për familjet në nevojë! Kush përfiton

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:17

Qeveria ka miratuar metodologjinë e re për subvencionimin e konsumit të ujit për familjet në nevojë. Skema parashikon që përfituesit e ndihmës ekonomike dhe kategori të tjera sociale të mbështeten me mbulimin e plotë të konsumit jetik që përllogaritet deri në 5 m³ ujë në muaj, së bashku me tarifën fikse dhe kostot për kanalizimet e trajtimin e ujërave të ndotura.

Zbritja aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Shoqëritë ujësjellësve janë të detyruara të zbatojnë skemën, teksa ngarkohet AKUK (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve) që të kontrollojë përdorimin e fondeve publike. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.

SI DO NDAHEN PARATË

Në thelb, metodologjia e publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon që shteti të mbulojë konsumin bazë të ujit për disa kategori familjesh në nevojë, në një sasi prej deri në 5 metër kub në muaj për çdo kontratë, së bashku me tarifën fikse, atë të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Ky është një ndryshim i rëndësishëm i bërë në metodologji për mënyrën se si jepet subvencioni i ujit të pijshëm. Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira.

Në total, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish, të cilët nga muaji janar i këtij viti kanë filluar të ndiejnë ndikimin e kësaj mase në buxhetin e tyre familjar pasi skema është implementuar nga viti i shkuar. Ajo që e bën këtë skemë edhe më efektive është fakti se zbatimi i saj bëhet automatikisht. Çdo muaj, bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit. Qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë apo të paraqesin dokumente – ndihma vjen pa burokraci, në mënyrë të organizuar dhe të drejtë. Por përtej lehtësimit të drejtpërdrejtë financiar, skema synon të garantojë një standard minimal jetese për të gjithë.

Uji i pijshëm, i konsideruar si një e drejtë bazë e njeriut, merr në këtë rast trajtën e një politike sociale konkrete, e cila ndihmon në mbrojtjen e shëndetit dhe dinjitetit të familjeve më të brishta. Sipas metodologjisë, subvencioni jepet vetëm një herë për çdo familje, edhe nëse ka më shumë se një anëtar që përmbush kriteret. Për më tepër, shoqëritë e ujësjellëskanalizimeve që nuk kanë nënshkruar kontratën e performancës me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve nuk do të rimbursohen nga shteti, por mbeten të detyruara të zbatojnë zbritjen për qytetarët./E.T

Patrik Modiano, kur kujtesa shërben si letërsi dhe heshtja si stil

30 July 2025 at 11:15

30 korrik 1945 – Dita e lindjes së shkrimtarit

Nga Leonard Veizi

Në rrugët e Parisit, si në një fantashkencë, ka hije që ecin më ngadalë se kalimtarët. Ato ndalen pranë vitrinave, zhduken pas qosheve të mjegullta, shfaqen befas në ndonjë kafene të harruar. Janë hije që nuk mbajnë emra të qartë, as fytyra të plota. Janë kujtime, të kaluara e të fshira, njerëz që ndoshta kanë ekzistuar vetëm në ndjesinë e një fëmije të përgjumur që kërkon prindërit e tij në një qytet të zhurmshëm. Pikërisht në këtë univers të zymtë dhe të tronditur nga pasiguria e identitetit, lindi dhe u rrit Patrik Modiano, shkrimtari francez që e shndërroi mungesën në temë qendrore, harresën në strukturë narrative, dhe kujtimin e lënduar në art të lartë letrar…

…Përmes veprës së tij, Modiano eksploron thellësisht ndërlidhjen mes memories, identitetit dhe historisë, duke krijuar një atmosferë melankolike dhe misterioze që i fton lexuesit të zhytën në thellësitë e ndërgjegjes njerëzore. Ai kërkon vazhdimisht përgjigje për pyetjet themelore mbi atë se kush jemi dhe si na formëson e kaluara, edhe kur ajo mbetet e paqartë apo e humbur.

Rrënjë

Patrik Modiano lindi më 30 korrik 1945, në Boulogne-Billancourt, në periferi të Parisit, vetëm disa muaj pas çlirimit të Francës nga nazistët. Ishte një fëmijë i një kohe të pasigurt dhe një familjeje të përçarë: babai i tij, Alberto Modiano, ishte një hebre sefardik me origjinë italiane, i cili kishte qëndruar në Paris gjatë pushtimit gjerman dhe ishte përfshirë në veprimtari të dyshimta, ndërsa nëna, aktorja belge Luiza Kolpain, ishte shpesh e munguar dhe e ftohtë. Fëmijëria e tj kaloi ndër internate të ashpra dhe kujdes të shpërfillur, duke i lënë atij një ndjenjë të thellë braktisjeje, që do të shfaqej më vonë si temë themelore e veprës së tij. Vëllai i tij më i vogël, Rudi, vdiq në moshë të njomë, një ngjarje që e shënjoi përjetë. Modiano ia dedikoi shumë nga librat e tij emrit të vëllait, sikur të përpiqej ta mbante të gjallë në faqet e kujtesës.

Letërsia e kujtimit

Në qendër të veprës së Modiano-s është Parisi – jo ai turistik dhe i ndritshëm, por një Paris gri, melankolik, me rrugë të mjegullta, kafene të errëta dhe apartamente të mbyllura plot sekrete. Shkrimtari ndjek në romanet e tij personazhe që kërkojnë një të kaluar të zhdukur, që përpiqen të rindërtojnë jetën e dikujt tjetër – apo edhe të vetes – përmes fragmentesh të çoroditura kujtese, emrash që nuk përputhen, adresash të fshira nga hartat.

Romane si “La Place de l’Étoile” më 1968, “Rue des boutiques obscures” apo e ardhur në shqip si “Rruga e dyqaneve të errëta” më 1978, fitues i Çmimit Goncourt, “Dora Bruder” 1997 dhe “Accident nocturne” apo në shqip: “Aksident natën” më 2003, nuk janë vetëm histori, janë investigime poetike mbi atë çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë ku identiteti është gjithnjë në rrëshqitje, dhe ku e kaluara është më shumë zbrazëti sesa fakt.

Në “Dora Bruder”, Modiano ndjek gjurmët e një vajze hebreje që u zhduk gjatë pushtimit nazist, përmes kërkimeve në arkiva, gazeta të vjetra dhe kujtime personale. Ai nuk e plotëson dot portretin e saj, por pikërisht përmes kësaj mospasjeje, ai i jep zë gjithë atyre për të cilët historia ka heshtur.

Nobeli i heshtur

Në vitin 2014, Akademia Suedeze i dha Patrik Modiano-s Çmimin Nobel për Letërsi, me motivacionin: “Për artin e shkrimit të kujtimeve, me të cilat evokon fatet njerëzore më të pakapshme dhe përmes të cilave ai ka zbuluar jetën e njerëzve gjatë periudhës pushtimit”.

Në vend që të ndriçonte të shkuarën me prozhektor, Modiano e rindërton me dritë të zbehtë, duke lënë hapësira të bardha që lexuesi duhet t’i mbushë vetë. Ai nuk është një shkrimtar i ndërtimit klasik, por një zhbirues i të padukshmes, një arkeolog i kujtesës së thyer, një topograf i heshtjes.

Kur mori Nobelin, Modiano nuk mbajti ndonjë fjalim të madh. I rezervuar, i përkorë, ai është një ndër të paktët laureatë të Nobelit që ka preferuar të mos bëjë zhurmë, në një epokë që shpesh vlerëson më shumë figurën publike sesa veprën.

Stili

Kritika është shprehur se stili i tij është shpesh minimalist, i pastër, thuajse i zhveshur nga retorika, por bart në heshtjen e vet një ngarkesë emocionale të thellë. Fjalitë e tij janë të shkurtra, të qeta, por me një ritëm të veçantë: ato nuk tregojnë – kërkojnë; nuk zbulojnë – përpiqen të kujtojnë. Letërsia e Modiano-s është një akt rikthimi, jo drejt ngjarjes, por drejt jehonës së saj.

Në mjegull

Sot, Patrik Modiano mbetet një nga figurat më të veçanta të letërsisë bashkëkohore. Ai ka shkruar dhjetëra vepra që, edhe pse të ngjashme në atmosferë dhe ndërtim, kurrë nuk përsëriten. Letërsia e tij është si të ndjekësh hapat e tua në mjegull: duken për një çast, pastaj zhduken… Por ti e di se kanë qenë aty.

Rama ndan pamjet nga ura e re e Bahçallëkut/ I jep qendrës së veriut një hyrje dinjitoze

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:13

Punimet për zgjerimin e rrugës dhe urën e re të Bahçallëkut në hyrje të Shkodrës po avancojnë me ritme të shpejta.

Ky projekt infrastrukturor, që nis nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, është një investim i rëndësishëm për të ofruar një hyrje dinjitoze për qytetin e Shkodrës dhe rajonin e veriut.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kantieri i punës, duke theksuar progresin e shpejtë të realizimit të këtij projekti, që përfshin zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e këmbëve të urës.

“Ky është një investim i rëndësishëm infrastrukturor i qeverisë që i jep qendrës së veriut një hyrje dinjitoze”, shkruan kryeministri./E.T

Uria në Gaza, figura publike izraelite bëjnë thirrje për sanksione ndaj Izraelit

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:05

Një grup figurash publike izraelite të profilit të lartë, përfshirë akademikë, artistë dhe intelektualë publikë, kanë bërë thirrje për vendosjen e “sanksioneve shkatërruese” nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Izraelit, mes tmerrit në rritje për urinë e Gazës .

31 nënshkruesit e letrës së publikuar në “Guardian” përfshijnë fituesin e çmimit të Akademisë, Yuval Abraham; ish-prokurorin e përgjithshëm izraelit, Michael Ben-Yair; Avraham Burg, ish-kryetar i parlamentit të Izraelit dhe ish-kreu i Agjencisë Hebraike; dhe një numër marrësish të çmimit prestigjioz të Izraelit, nderi më i lartë kulturor i Izraelit.

Shifrat vijnë nga bota e poezisë, shkencës, gazetarisë dhe akademisë, dhe letra akuzon Izraelin se “i ka vrarë njerëzit e Gazës nga uria dhe po mendon për largimin me forcë të miliona palestinezëve nga Rripi i Gazës”.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë sanksione shkatërruese ndaj Izraelit derisa të përfundojë këtë fushatë brutale dhe të zbatojë një armëpushim të përhershëm”, vijon letra.

Një organizatë bamirëse shpërndan ushqime për palestinezët që përballen me mungesë ushqimi për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite.

Letra është e rëndësishme si për kritikat e saj të hapura ndaj Izraelit, ashtu edhe për thyerjen e tabusë së miratimit të sanksioneve të rrepta ndërkombëtare, në një vend ku politikanët kanë promovuar ligje që synojnë ata që mbështesin masa të tilla.

Midis nënshkruesve të tjerë janë piktori Michal Na’aman; Ra’anan Alexandroëicz, një regjisor dokumentarësh i vlerësuar me çmime; Samuel Maoz, regjisori i filmit fitues të çmimit Luani i Artë, Lebanon; poeti Aharon Shabtai dhe koreografi Inbal Pinto.

Tmerri në rritje ndërkombëtar mbi trajektoren e luftës së Izraelit në Gaza po reflektohet gjithnjë e më shumë brenda vetë Izraelit – dhe brenda diasporës më të gjerë globale hebraike – mes imazheve të fëmijëve të dobësuar palestinezë dhe raporteve për të shtënat nga forcat izraelite ndaj palestinezëve të uritur në qendrat e shpërndarjes së ushqimit.

Letra u botua ndërsa u njoftua se më shumë se 60,000 palestinezë ishin vrarë në luftën 21-mujore Izrael-Gaza , sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës.

Të hënën, dy grupe të njohura izraelite për të drejtat e njeriut, B’Tselem dhe Physicians for Human Rights Israel, publikuan raporte duke vlerësuar për herë të parë se Izraeli po kryente një politikë “gjenocidale” kundër palestinezëve në Gaza, duke thyer një tjetër tabu./E.T

Malta lajmëron njohjen e shtetit të Palestinës në Asamblenë e OKB në shtator

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:01

Malta do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, njoftoi të martën në mbrëmje kryeministri Robert Abela.

Deklarata, e bërë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, e pozicionon Maltën përkrah një numri gjithnjë e në rritje të vendeve evropiane që kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm në muajt e fundit në mbështetje të shtetësisë palestineze. Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, zbuloi planet e Britanisë për të bërë të njëjtën gjë dhe disa ditë pasi Franca premtoi gjithashtu njohjen.

“Qëndrimi ynë pasqyron angazhimin tonë ndaj përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, shkroi Abela në Facebook, menjëherë pasi një demonstratë pro-palestineze u mbajt në Valeta, duke protestuar kundër situatës së vazhdueshme në Gaza.

 

 

Qeveria malteze është përballur me presion të brendshëm në rritje për të ndërmarrë këtë hap. Në maj, eurodeputeti laburist Alex Agius Saliba kërkoi publikisht njohjen, e ndjekur javën e kaluar nga një thirrje e ngjashme nga ish-ministri Edward Zammit Lewis. Partia Nacionaliste gjithashtu ka kërkuar njohje të menjëhershme./E.T

❌
❌