Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Gazeta Fjala

Si po ecin bisedimet SHBA-Kinë për tarifat?

By: el da
12 August 2025 at 20:55

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zgjatur “armëpushimin” tregtar për 90 ditë të tjera, vetëm pak orë para se të dyja ekonomitë më të mëdha në botë të planifikonin rritje të tarifave ndaj njëra-tjetrës.

Tarifat më të larta do të pezullohen edhe për 90 ditë të tjera, kanë bërë të ditur zyrtarët e Pekinit dhe Uashingtonit përmes një deklarate të përbashkët, ku bisedimet e muajit të kaluar kishin përfunduar duke u kualifikuar si konstruktive.

Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për të vazhduar pauzën deri më 10 nëntor ndaj Kinës, ndërsa Pekini konfirmoi gjithashtu se do të vazhdojë pezullimin e tarifave ndaj SHBA-së, e cila do të thotë që SHBA-të do të mbajnë taksën mbi importet kineze në 30%, ndërsa Kina do të mbajë tarifën prej 10% mbi mallrat amerikane.

Në fillim të këtij viti, Uashingtoni kishte kërcënuar me tarifa deri në 145% për mallrat kineze, dhe Pekini iu kundërpërgjigj me tarifa prej 125% për dërgesat amerikane.

Tensionet tregtare midis dy vendeve arritën kulmin në prill, kur Trump shpalli tarifa të reja për disa nga vendet e botës, me Kinën që u përball me taksat më të larta.

Pekini iu përgjigj me tarifa të larta SHBA-së, duke shkaktuar një luftë tregtare “dhëmbë për dhëmbë” që pothuajse mbylli tregtinë midis dy vendeve.

Shtëpia e Bardhë tha se zgjatja e fundit e “armëpushimit” tregtar do të japë më shumë kohë për negociata të mëtejshme rreth “korrigjimit të çekuilibrave tregtarë” dhe “praktikave të padrejta tregtare”.

Edhe pse me “armëpushim”, flukset tregtare midis dy vendeve janë reduktuar ndjeshëm gjatë këtij viti. m.p.

Pesë vrasje në 48 orë në Kosovë! Shkaqet: nga fajdet te parkimi

By: el da
12 August 2025 at 20:41

Kosova është tronditur nga pesë vrasje në 48 orë, ndërsa vetëm në ditët e para të gushtit janë shënuar gjithsej 6 vrasje.

Rasti më i rëndë u regjistrua në Gjilan, ku Selami e Edmond Hashani si dhe Abedin Hoxha mbetën të vrarë nga Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij Edonis dhe Engjull me motivet që dyshohet të jenë për fajde.

Mefail dhe Edonis Shkodra të cilët ishin në paraburgim deri në tetor të vitit 2024 u liruan pasi dhanë garanci pasurore deri në 70 mijë euro për të dy.

“Gjyqësori është përgjegjës për krimin që ka ndodhur në Gjilan. Gjyqësori të jap llogaridhënie dhe të merr masa të ashpra sa herë ka lëshime të tilla, nëse janë këto lëshime profesionale dhe ato duhet të ndëshkohen, por asesi të mos mbeten të pandëshkuara”, shprehet Mentor Vrajolli.

Për shkak të rëndësisë së ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës pezullimin për 4 efektivë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Për njohësit e sigurisë standard i njëjtë duhet të ndiqet edhe me prokurorët e gjyqtarët.

“Edhe në këtë rastin e Gjilanit u suspenduan apo u kërkua për suspendim për disa policë, që është në rregull, mendoj se institucionet duhet të suspendojnë secilin që mendojnë se kanë qenë të përfshirë në aktivitetet që nuk i përket profesionit të tyre, megjithatë standardi nuk po mbahet i njëjtë”, shton Vrajolli.

Të dielën në mbrëmje mbeti i vdekur edhe Hekuran Shala pas një fjalosjeje me të dyshuarin Erolind Badalli, pasi paraprakisht kishin nxitur një përleshjeje mes qensh.

Mbrëmjen e së hënës, me një plumb në kokë Xhemail Nuhiu e privoi nga jeta Muhamet Matoshin pas një konflikti për parkim.

“Edhe këto fenomene nuk janë duke u trajtuar aq seriozisht, kjo jo dosmosdosmhërisht është faji i gjyqësorit, këtu ka dështime dhe të hallkave të tjera, mendoj se parandaimi i hershëm i krimit duhet të ndodh në sistemet e edukimit, në instanca të tjera dhe jo të pritet që policia apo gjyqërori të parandalojë çdo krim”, shton Vrajolli. m.p.

Gafa e Trump! Kujton se Alaska është tokë ruse

By: el da
12 August 2025 at 20:25

Për Donald Trump, Alaska mund të jetë tokë ruse. Në dy raste gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan u ngatërrua, duke thënë se të premten do të shkonte në Rusi për të takuar homologun Putin.

Lapsusin e bëri teksa fliste për nivelin e krimit në Uashington, në një podium ku shoqërohej prej Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

“Është një emergjencë tragjike. Është turpëruese për mua të jem këtu”, tha për gazetarët, para se të deklaronte se të premten do të shkonte në Rusi për të takuar Putinin.

Por, Trump nuk do të shkojë në Rusi, por në Alaskë, shtet në ekstremin veriperëndimor të SHBA. Kritikët e zhvillimit të takimit në këtë shtet, kanë kujtuar faktin se Alaska ka qenë koloni ruse para se të blihej nga Amerika në 1867.

Euro bie nën nivelin e 97 lekëve, rekordi i ri negativ

By: el da
12 August 2025 at 20:19

Zhvlerësimi i euros nuk ka të ndalur. Valuta europiane ka shkelur edhe “vijën” e kuqe të 97 lekëve duke u këmbyer për vetëm 96.77 lekë në blerje. Ky është niveli u ulët jo vetëm për këtë vit, po që na 2008-ta kur valuta europiane hyri në Shqipëri.

Eriola Hoxha, eksperte për ekonominë, deklaroi: “Kjo do të thotë se ka mjaftueshëm euro në qarkullim dhe kjo do të thotë se ka jo vetëm euro formale, por edhe euro nga kanale informale. Jemi në periudhën e verës ku emigrantët sjellin në rrugë formale apo informale para, apo thënë ndryshe remitanca”.

Kliton Vaso, ekspert bankar, shprehet për A2: “Dhe për mua kjo sjell pikërisht atë që po ndodh tani. Zhvlerësimin e euros edhe jashtë sezonit turistik. Oferta e euros është shumë e lartë”.

Krahasuar me fillimvitin, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se euro është zhvlerësuar me 1.05 lekë.

“Kjo nuk është vetëm një krizë kursi. Është një ndryshim paradigme. Një kohë e re ku lekut po i jepet dinjitet. Një realitet i ri ku euroja nuk frikëson më, por barazohet. Një botë ku fiton ai që merr pagë në lekë… dhe humbet ai që paguhet në euro”, thekson Vaso.

Kjo edhe si pasojë e turistëve që ende vijojnë të vijnë në Shqipëri.

“Hyrjet masive të turistëve të huaj që sjellin valutë, investimet e huaja që përllogariten në euro, si dhe mungesa e kërkesës për të blerë valutë për importe – të gjitha kanë ndikuar në këtë zhvlerësim të qëndrueshëm të euros”, shpjegon Hoxha. m.p.

Coman i bashkohet Ronaldos, Bayern ndjek 3 yje për ta zëvendësuar

By: el da
12 August 2025 at 20:09

Kingsley Coman mund të konsiderohet 100% i shitur në Arabinë Saudite. Ylli francez do të transferohet tek Al Nassr, ku do t’i bashkohet Ronaldos për 30 mln euro.

Bayern po mendon për një zëvendësues dhe alternativat janë 3. Sipas gjermanez TZ, ata janë Malick Fofana (Olympique Lyon), Xavi Simons (RB Leipzig) dhe Christopher Nkunku (Chelsea).

Ky i fundit duket më i lehti për t’u arritur, sepse nuk ka vend te Chelsea. Francezi ka dy vite që përmendet në lajmet e merkatos së Bayern. Xavi Simons, ndërkohë, kërkohet edhe nga City.

Fofana është gjithashtu një opsion i realizueshëm, por më i kushtueshëm se Nkunku, i cili edhe mund të huazohet. m.p.

Analiza: Serbia, fillimi i fundit apo manovra e radhës?

By: el da
12 August 2025 at 19:53

Në muajin e fundit, në disa qytete të Serbisë, përkrahësit dhe kundërshtarët e pushtetit janë ndarë nga kordone policore, ndërsa përplasjet kanë kaluar nga hedhja e ujit e vezëve, te sharjet dhe deri te dhuna fizike.

Incidenti më i fundit ndodhi më 10 gusht në Vërbas, rreth 30 kilometra nga Novi Sadi, ku policia ndërhyri për të ndarë mbështetësit e pushtetit, të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), dhe kundërshtarët e tij. Dy grupet shkëmbyen fyerje, ndërsa drejt njëri-tjetrit hodhën shishe plastike dhe vezë.

Megjithatë, incidenti që tërhoqi më shumë vëmendje të opinionit publik ndodhi më 9 gusht në Baçki Petrovac. Atë ditë, një grup burrash sulmoi verbalisht dhe grisi fotografi që paraqisnin protesta të udhëhequra nga studentët, në kuadër të bllokadave në gjithë Vojvodinën. Ekspozita ishte organizuar nga një grup joformal qytetarësh – sllovakë nga Baçka, Banati dhe Sremi.

Si erdhi deri tek incidenti në Baçki Petrovac?

Incidenti në Baçki Petrovac ndodhi pasi kordonet policore, që ndanin dy grupet e qytetarëve, u tërhoqën.

“Kjo ka shqetësuar jashtëzakonisht komunitetin etnik sllovak dhe një vend të qetë siç ka qenë deri tani Baçki Petrovac”, tha për Radion Evropa e Lirë Petar Holik, anëtar i Lëvizjes Qytetare opozitare “Bravo! Novi Sad” dhe asamblist në Kuvendin e Qytetit të Novi Sadit.

Holik tha se një ditë pas incidentit kishte shkuar në Baçki Petrovac për t’u shprehur mbështetje banorëve të këtij vendi të Vojvodinës. Sipas tij, ai arriti atje me varkë, pasi policia kishte bllokuar rrugët hyrëse në qytet kur ishte paralajmëruar se qytetarë dhe aktivistë do të mblidheshin atje.

“Qytetarët treguan një vullnet të madh për të arritur në Baçki Petrovac për të dhënë mbështetje, prandaj u nisën nëpër rrugë të fshatit dhe ia dolën qëllimit. Ne, dhjetë aktiviste dhe aktivistë të lëvizjes ‘Bravo! Novi Sad’, vendosëm të kalojmë kanalin Danub-Tisa-Danub me varkë”, tha Holik.

Ai e konsideron përgjegjëse për incidentin partinë në pushtet – Partinë Përparimtare Serbe (SNS) – të cilën e akuzon se “për vite me radhë ka përdorur pushtetin politik për të polarizuar shoqërinë” në Serbi.

“Përveç krijimit të një hendeku të madh brenda trupit kombëtar serb, ata kanë filluar ta zbatojnë këtë metodë edhe ndaj komuniteteve kombëtare, kështu që tani kemi sllovakë, rusë, hungarezë e kroatë ‘të përshtatshëm’ dhe ‘të papërshtatshëm’. Partia Përparimtare Serbe e ushqen fuqinë e saj nga ndarjet, urrejtja dhe manipulimi me ndjenjat kombëtare të të gjitha komuniteteve në vend”, tha Holik.

Sipas tij, ai dhe aktivistë të tjerë në Baçki Petrovac kanë identifikuar “disa persona” që grisnin fotografitë në ekspozitë, të cilët “i njohin prej kohësh si anëtarë dhe simpatizantë të SNS-së”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SNS-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse anëtarët e saj kanë marrë pjesë në incidentet në Baçki Petrovac.

Çfarë e lidh Baçki Petrovacin me Novi Pazarin?

Dejan Bursaq, bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore, tha i sheh ngjarjet në Baçki Petrovac si një “demonstrim force” nga ana e atyre në pushtet.

“Nuk jam i sigurt se çfarë po përpiqet të arrijë SNS-ja. Më duket si një demonstrim i pastër force, ku ata – edhe pas nëntë muajsh – nuk po arrijnë të shkëputen nga ndjenja se kjo është ‘shteti i tyre’ dhe se ‘disa bujq’ kanë guxuar të ngriten kundër”, tha Bursaq për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujtoi se ka pasur edhe më herët përpjekje të pushtetit për t’i ndarë qytetarët e Serbisë mbi baza etnike – hera e fundit në Novi Pazar, qytet me shumicë boshnjake. Në natën mes 27 dhe 28 korrikut, një grup burrash të maskuar nxorri me dhunë nga ndërtesa studentët që po bllokonin Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit.

Burrat e maskuar ishin në shoqërinë e rektores, Zana Doliçanin. Pas kësaj, qindra studentë dhe qytetarë dolën në protestë, që u pasua me përleshje me policinë dhe arrestime.

Më pas, mediat proqeveritare dhe përfaqësues të pushtetit në Serbi shpërndanë një seri ofendimesh ndaj popullsisë boshnjake në Novi Pazar, në jugperëndim të Serbisë.

Për shkak të deklaratave të kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, pas incidenteve në Novi Pazar, deputetët e partisë së pakicës boshnjake – Partia e Veprimit Demokratik (SDA) e Sanxhakut – dhe deputeti i vetëm shqiptar, Shaip Kamberi, në fillim të gushtit dorëzuan kallëzim penal kundër saj, duke e akuzuar për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Incidenti në Novi Sad pas vizatimit të flamurit tredngjyrësh

Më 10 gusht, në lagjen Liman të Novi Sadit, qindra të rinj vizatuan flamurin tredngjyrësh serb në fasadat e ndërtesave. Pas kësaj, banorët, që u organizuan përmes këshillave lokalë, nisën t’i lyenin fasadat me ngjyrë të bardhë, duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. Gjatë këtyre veprimeve ndodhën disa incidente, përleshje fizike dhe shoqërime nga policia.

Ministria e Brendshme e Serbisë, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse policia u tërhoq më 9 gusht në Baçki Petrovac, pasi një grup burrash kishin ofenduar organizatorët e një ekspozite dhe kishte grisur fotografitë. Përgjigje nuk pati as në pyetjet se sa persona dhe kush u shoqëruan në Baçki Petrovac, si dhe për çfarë dyshohen ata.

MPB-ja serbe nuk iu përgjigj as pyetjeve se sa persona dhe kush u shoqërua në Novi Sad, në lagjen Liman, më 10 gusht, dhe për çfarë dyshohen të ndaluarit. Po ashtu, s’pati përgjigje edhe për atë se çfarë urdhrash ka marrë policia në këto raste konkrete.

Çfarë deklaruan përfaqësuesit e pushtetit?

Qëndrimet për ngjarjet e fundit i shprehën presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, i cili në rrjetin social X lavdëroi qytetarët që vizatuan flamurin tredngjyrësh në fasada, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili akuzoi ata që iu kundërvunë vizatimit se “u pengon flamuri serb”.

Ngjarjet në Novi Sad, politologu Dejan Bursaq i vlerëson si një “lëvizje taktike” të partisë në pushtet.

“Së pari, ata po përpiqen t’i paraqesin protestuesit, tek ata votues të pasigurt e të pavendosur, si dikë që është antiserb, irracional e të ngjashme, dhe në këtë mënyrë ta shkëpusin lëvizjen protestuese nga grupi i votuesve që ende hezitojnë”, tha Bursaq.

Sipas tij, qëllimi tjetër është “të mbillet fara e përçarjes brenda vetë lëvizjes protestuese”.

“Aty ka njerëz me bindje qytetare e liberale, por edhe më konservatore e kombëtare”, shpjegoi ai.

Bursaq, duke i lidhur zhvillimet e fundit me masat e reja ekonomike dhe publikimin e sondazheve për zgjedhjet, nuk e përjashton mundësinë që pushteti “po shqyrton” mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Pas nëntë muajsh kështu, mendoj se Aleksandar Vuçiq e ka të qartë se nuk ka mënyrë tjetër për të zgjidhur këtë krizë shoqërore”, tha ai.

Kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare e paraqitën në fillim të majit studentët që prej nëntë muajsh po bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e një tende në Novi Sad.

Sipas tyre, ata morën këtë hap pasi “pushteti nuk po tregon as iniciativën më të vogël” për të përmbushur kërkesat e tyre.

Sipas Kushtetutës së Serbisë, shpallja e zgjedhjeve parlamentare është kompetencë e presidentit të shtetit, detyrë që aktualisht e ushtron Aleksandar Vuçiq. Më 8 gusht, ai deklaroi se zgjedhjet parlamentare do të shpallen “para afatit kushtetues dhe ligjor”, por nuk tregoi datën e saktë. (REL) m.p.

Dosja Çopja-Çela, ‘karteli’ bleu avion për transport droge

By: el da
12 August 2025 at 19:41

Organizata kriminale shqiptare e asaj që konsiderohet si “karteli i parë shqiptar i narkotrafikut” e që drejtohej nga Franc Çopja dhe Ervis Çela rezulton të ketë qarkulluar miliona euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në dosjen voluminoze prej 282 faqesh që A2CNN disponon, ajo që vihet re është anëtarët e kësaj organizate dyshohet që përtej rrugës detare, sasitë e kokainës t’i transportoni edhe me avionë privatë të blerë enkas.

Gjatë një bisede zhvilluar në dhjetor të 2020 të kryer në aplikacionin Sky Ecc, ngrihen dyshime se Ervis Çela ka nisur një sasi prej rreth 8 tonë kokainën si dhe ka blerë një avion të vogël të cilin e përdor për të transportuar lëndë narkotike direkt nga vendi i prodhimit për në magazinat e tij.

“Seriozisht e ke që ke blerë avion??? Ahahaha lart më lart të pafsha zemra, ta gëzosh zemra”, thuhet në dosje.

Miliona eurot e përfituara nga trafiku i kokainës silleshin në Shqipëri kryesisht me linja të transportit të udhëtarëve. Fitimet e mëdha, të cilat kapnin dhjetëra miliona euro, investoheshin në prona dhe biznese në vendin tonë dhe vende të tjera të Europës.

Dorëzimi i parave bëhej në vende të mbyllura, kryesisht në garazhe, ku trafikantët sipas bisedave të përgjuara shpreheshin se ishte vend më i sigurt se sa t’i dorëzonin në rrugë. Në dosje përmendet po ashtu një episod kur në Shqipëri është dorëzuar shuma prej 595 mijë eurosh.

Një pjesë e parave groposej, në vendin tonë, ashtu sikundër edhe sasi droge që groposeshin nga trafikantët jashtë territorit shqiptar e që hidheshin në treg në kohë më të përshtatshme.

Në një tjetër bisedë të kryer mes dy drejtuesve të grupit, Ervis Çela dhe Franc Çopja, diskutojnë për fshehjen e parave nën rrënjët e ullinjve në Shqipëri.

Çela shkruante se zotëronte 200 ullinj dhe planifikonte të hapte një gropë për secilin prej tyre, por Çopja ishte më i kujdesshëm dhe e këshillonte që paratë t’i kthente në lingota ari, pasi paratë të groposura në tokë rrezikonin të dëmtoheshin.

Në një tjetër bisedë të bërë më shkurt 2021, Franc Çopja shprehej se “nuk dinin ku t’i çonin lekët” dhe se do t’i shndërronin në ar, duke përmendur sasi deri në 1000 kg flori. Nga komunikimet dyshohet se grupi kriminal ka bashkëpunuar edhe me një shtetas brazilian si dhe në një rast ka trafikuar edhe armë zjarri. m.p.

Kush janë 5 sulmuesit më të paguar në Angli?

By: el da
12 August 2025 at 19:39

Premier League krenohet me disa nga sulmuesit më të talentuar në futbollin botëror dhe për të siguruar shërbimet e tyre, klubet shpesh paguajnë shuma marramendëse javore.

Kush janë sulmuesit më të paguar në ishull, aty ku thuhet se luhet futbolli më atraktiv në planet? Lista nis me Erling Haaland dhe mbaron me Gyokeres. Më poshtë, shifrat javore bruto:

1. Erling Haaland – 619,500 euro në javë
2. Omar Marmoush – 348,100 në javë
3. Kai Havertz – 330,400 euro në javë
4. Gabriel Jesus — 312,700 euro në javë
5. Viktor Gyokeres – 236,000 euro në javë m.p.

Ofendoi Klopp në videon virale, arbitri merr dënimin nga Federata

By: el da
12 August 2025 at 19:22

David Coote është pezulluar për tetë javë nga Federata Angleze e Futbollit. Ai u ndëshkua zyrtarisht për komente abuzive ndaj trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp.

Komentet u bënë në një video të korrikut 2020, e publikuar në rrjetet sociale në nëntor 2024. FA deklaroi se Coote kishte shkelur rregullin E3.1 për sjellje të papërshtatshme dhe fjalë ofenduese. Gjithashtu, ai akuzohet për shkelje të rëndë të rregullit E3.2 për referenca ndaj kombësisë së Klopp.

Përveç pezullimit, ai duhet të ndjekë edhe një program “riedukimi”. Coote e pranoi fajësinë për shkeljet e konstatuara nga Komisioni Rregullator i Pavarur. UEFA e ka përjashtuar atë nga drejtimi i ndeshjeve evropiane deri në qershor 2026. m.p.

Tentoi të korruptonte me 2 mijë lekë policin, pranga 18-vjeçarit

By: el da
12 August 2025 at 19:11

Një 18-vjeçar tentoi të korruptonte efektivin e Policisë Rrugore, por përfundoi në prangat e uniformave blu, teksa 2 të tjerë gjithashtu u arrestuan dhe 2 u morën nën akuzë pasi drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe shkaktuan aksidente, ku i dëmtuar mbeti edhe një këmbësor.

Në pranga ra i pari A. Ll., 18 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë, i ka afruar punonjësit të policisë një kartëmonedhë me prerje 2000 lekë.

“U arrestuan edhe B. T., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe E. P., 47 vjeç, pasi automjeti të cilin dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur, është përfshirë në një përplasje me 2 automjete të tjera, duke shkaktuar vetëm dëme materiale”, bëri me dije Policia e Tiranës.

Rasti i fundit i përket marrjes nën hetim të K. K., dhe E. M., pasi automjetet që drejtonin janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë është dëmtuar lehtë A. M., këmbësor. m.p.

Flet nusja e 80-vjeçarit që humbi jetën mes flakëve: “Më tha të merrja…”

By: el da
12 August 2025 at 18:59

Nusja e djalit të 80-vjeçarit që humbi jetën mes flakëve në Gramsh ka treguar si ndodhi ngjarja. Sipas saj, nuk ishte vjehrri ai që ndezi zjarrin, por u asfiksua dhe mbeti mes flakëve në pritje për ta shuar.

Nusja e djalit të të moshuarit e cila pësoi asfiksi të lehtë ndodhet aktualisht në spital. Teksa rrëfen për ngjarjen, ajo thekson se e njoftoi e bija që ra zjarr.

“Nuk e shova dot zjarrin’, shprehet ajo me lot në sy, teksa shton se ishte ajo që njoftoi policinë dhe zjarrfikësen.

“Po hiqja plehrat, vjen goca dhe më tha ra zjarr, vajta mora ujë dhe nuk e shova dot. I thërrita vjehrrit, ai më tha merr një markuç me ujë që ta fikim. Pastaj ai nuk mu përgjigj, dhe kur e gjeta, ç’të shihja”, tha ajo. m.p.

Gramsh, deri tani 200 të evakuuar! Shteti ofron strehim me 165 çadra kampingu

By: el da
12 August 2025 at 18:51

Situata e zjarreve po e con Shqipërinë thuajse në një situatë të jashtëzakonshme.

Deri tani raportohet se Gramshi është më problematiku, aty ku 8 banorë të fshatrave që janë përfshirë nga flakët dhe janë trajtuar me ndihmë mjekësore.

Më tej, mësohet se 200 të tjerë janë evakuuar nga zonat e rrezikut dhe deri në përmirësimin e situatës do të akomodohen përkohësisht në 165 çadra kampingu të marra nga rezervat e shtetit. m.p.

Zyrtare/ Crystal Palace përjashtohet nga pjesëmarrja në Europa League

By: Admin
12 August 2025 at 18:48

Crystal Palace është përjashtuar nga Liga e Europës për sezonin e ardhshëm. CAS hodhi poshtë ankesën e klubit kundër përjashtimit të tyre nga Liga e Europës e sezonit të ardhshëm (të cilin e arritën falë suksesit të tyre në Kupën FA) për shkak të pranisë së njëkohshme të aksionarëve të klubit anglez brenda Lionit, një tjetër pjesëmarrës në Kupën UEFA.

Deklarata e Crystal Palace

Në një kohë kur duhet të festonim fitoren tonë në Community Shield në Wembley, vendimi i UEFA-s, i ndjekur nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, tregon se merita sportive është bërë e pakuptimtë.

Kur fituam Kupën FA kundër Manchester Cityt në maj, në atë ditë të paharrueshme, trajneri dhe lojtarët tanë fituan të drejtën për të luajtur në Europa League në fushë.

Na u mohua kjo mundësi.

Duket se klube, organizata dhe individë të caktuar gëzojnë privilegje dhe pushtet unik.

Ky ndikim në rritje dhe i pashëndetshëm ka shkatërruar shpresat dhe ëndrrat e tifozëve të Crystal Palace dhe nuk është një shenjë e mirë për ekipet ambicioze në të gjithë Evropën që konkurrojnë për të përparuar kur rregullat dhe sanksionet zbatohen në mënyrë të pabarabartë dhe në mënyrën më të paturpshme.

Strukturat me shumë klube fshihen pas pretendimit të një “besimi të verbër”, ndërsa klube si i yni, të cilat nuk kanë lidhje me klube të tjera, nuk lejohen të luajnë në të njëjtën garë.

Për ta përkeqësuar padrejtësinë, klubet që duket se kanë marrëveshje të mëdha informale me njëra-tjetrën ende lejohen të marrin pjesë dhe madje, potencialisht, të konkurrojnë.

Ndërkohë që respekton anëtarët e Tribunalit të CAS-it, procesi është strukturuar në një mënyrë që kufizon rëndë, dhe në rastin tonë, e bën pothuajse të pamundur marrjen e një seance të drejtë dëgjimore.

Refuzimi i të gjitha kërkesave për akses në korrespondencë midis palëve të interesuara, ndalimi i dëgjimit të personave të përfshirë si dëshmitarë dhe mungesa e përgjithshme e formalitetit dhe respektit për ligjin nënkuptojnë se vendimet nuk mund të kundërshtohen siç duhet, duke çuar në rezultate të paracaktuara.

Vendimi i UEFA-s ka implikime më të gjera për qeverisjen e sportit. Një kombinim i rregulloreve të hartuara keq dhe zbatimit të tyre të pabarabartë do të thotë që tifozët tanë fantastikë do të privohen nga mundësia për ta parë këtë ekip të garojë në Europa League për herë të parë në historinë tonë.

Kjo duhet të jetë një pikë kthese për futbollin.

UEFA duhet të përmbushë mandatin e saj për të vendosur rregulla të qëndrueshme, të komunikuara siç duhet dhe të zbatuara, me afate kohore të arsyeshme për të zgjidhur çdo paqartësi dhe sanksione të qëndrueshme, duke i trajtuar të gjitha klubet në mënyrë të barabartë dhe duke siguruar një proces të vërtetë apelimi.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka sqaruar se vendime të ngjashme do t’i nënshtrohen një shqyrtimi më rigoroz nga gjykatat kombëtare në të ardhmen. Vetëm atëherë do të garantohet drejtësia dhe procesi i rregullt ligjor për të gjitha ekipet.

Ndërkohë që do të vazhdojmë të diskutojmë hapat e mëtejshëm me avokatët tanë, do të hyjmë në Ligën e Konferencës me të njëjtën vendosmëri dhe dëshirë për të fituar që e dallojnë këtë klub të jashtëzakonshëm./ D.C

Fushë-Arrëz, prefektja e qarkut viziton fshatrat e prekur nga zjarret

By: el da
12 August 2025 at 18:41

Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, ka mbërritur në fshatrat Xath e Flet të njësisë administrative Blerim, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, aty ku janë përfshirë nga flakët duke u shkrumbuar plotësisht dhjetëra hektarë me pyje pishe e bredhi.

Prefektja vlerësoi punën e forcave të angazhuara në terren nga bashkia Fushë-Arrëz dhe ushtria, teksa e konsideroi dëmin të konsiderueshëm.

Tashmë, kur flakët, të ndihmuara nga erërat që fryjnë në zonë, po ngjiten në Kuror Dardhë, po bëhet gjithnjë e më i pamundur manovrimi nga forcat për mbajtjen nën kontroll të situatës, pasi është i pamundur intervenimi i mjeteve, çfarë e bën të detyrueshme ndërhyrjen nga ajri. m.p.

Shqiptarë, kujdes! Rrahjet e zemrës shtohen dyfish këto ditë

By: el da
12 August 2025 at 18:32

Tirana, por jo vetëm po përvëlon nga temperaturat ekstreme të këtyre ditëve.

Termometri ka shënuar 43 gradë në hije pasditen e së hënës dhe kështu ka vijuar edhe dita e martë.

Temperaturat ekstreme kërkojnë kujdes të shtuar si tek individët e shëndetshëm dhe ata që kanë sëmundje kronike vlerëson mjekja kardiologë, Engjellushe Hasani .

“Personat që ndiejnë më tepër janë ata që kanë insuficiencë kardiake, ankth, ata me diabet”, thotë Engjellushe Hasani, kardiologë.

Për herë të parë mjekët këshillojnë reduktim të aktivitet fizik. Dhe ja çfarë duhet të bëjmë tjetër.

“Në orët e pikut nuk duhet të dalim, ata me sëmundje në mënyrë absolute jo. Ne këshillojmë ujë deri ne dy litra. Madje edhe kur nuk kanë etje duhet të pinë ujë. Në këto temperatura zemrës i duhet të punoje dy deri në 4 herë më shumë për të arritur balancën termike”, shprehet Hasani. m.p.

Mali i Zi, një ushtar i vdekur dhe një tjetër i plagosur

By: el da
12 August 2025 at 18:23

Një ushtar i Malit të Zi ka vdekur dhe një tjetër është plagosur seriozisht si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve, ushtria, në bashkëpunim me autoritetet, është duke kryer hetime lidhur me incidentin.

Ushtria, bashkë me zjarrfikësit dhe policinë, është duke tentuar për të dytën ditë me radhë që t’i shuajë zjarret që kanë përfshirë zonën rreth Podgoricës, si dhe rajonet mes Budvës dhe Tivarit.

Si pasojë e zjarreve është djegur edhe një shtëpi dhe disa prona. Disa banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në afërsi të Podgoricës. m.p.

Sa para qarkullojnë jashtë bankave në Shqipëri? Raportohet një shifër…

By: el da
12 August 2025 at 18:15

Sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend arriti në gati 442 miliardë lekë apo rreth 4.5 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Në raport me qershorin e vitit të shkuar paraja “cash” e pakontrolluar u zgjerua me 46.5 miliardë lekë.

“Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar, janë pjesë e ekonomisë informale dhe bashkë me të, aty ka edhe para nga aktivitete kriminale që zhvillohen brenda apo jashtë vendit tonë”, tha Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 1.83 trilionë lekë, paraja informale përbën mbi 24 për qind të totalit.

Për të kuptuar shkallën e lartë të parave jashtë bankave, mjafton të themi se në vendet e Bashkimit Europiane ky tregues nuk e kalon nivelin 9 për qind.

“Diku për shkak të paaftësisë së administratës e diku tjetër duke lejuar hyrjen e parasë nga aktivitete kriminale ka bërë që ne të kemi sot nivel kaq të lartë të parasë jashtë sistemit bankar. Edhe pse Amnistia Fiskale nuk u lejua të miratohej si ligj, në fakt ajo në praktikë ka ndodhur”, shton Preçi.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera.

“Bashkohem me i8nstitucionet ndërkombëtare se një farë efekti mund të ketë, por ne kurrsesi nuk mund të pretendojmë se paraja informale mund të luftohet nga bankat tregtare”, shton eksperti.

Kjo “traditë” e pagesave me para në dorë i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.

Për këto arsye Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për të kufizuar pagesat me para nën dorë, si një zgjidhje për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në vend. m.p.

Lewandowski: Doja të shkoja te Manchester United, por klubi…

By: el da
12 August 2025 at 18:09

Në vitin 2010, Robert Lewandowski ishte shumë pranë kalimit te Blackburn Rovers. Transferimi i tij dështoi për shkak të një reje vullkanike nga Islanda, e cila kishte pezulluar fluturimet drejt Anglisë.

Lewandowski ishte shumë pranë kalimit në Angli dy vite më vonë, në vitin 2012, kur mori një ftesë nga Sir Alex Ferguson. Ai donte të vishte fanellën e Manchester United, por Borussia Dortmund refuzoi.

“Po, isha gati. Si mund të refuzoja një legjendë si Ferguson?! Doja të luaja tek United, por klubi refuzoi. Drejtuesit kuptuan se mund të fitonin më shumë prej meje nëse prisnin edhe një ose dy vite. Ashtu ndodhi”.m.p.

Dogji tokën e fqinjit, kush është 80-vjeçari që vdiq mes flakëve

By: el da
12 August 2025 at 17:51

Ditën e sotme fatkeqësisht u shënua viktima e parë nga zjarri në vendin tonë. Vitkima e parë është 80-vjeçari nga fshati Kullolas në Gramsh, i cili ishte dhe shkaktari i zjarrit masiv që shkumboi të gjithë fshatin.

80-vjeçari i cili vendosi zjarrin ndërroi jetë pasi u asfiksua nga tymi. Ndërsa tronditëse është dhe arsyeja se përse i moshuari kishte ndezur zjarrin.

Shkak për zjarrvënien është bërë një sherr mes 80-vjeçarit dhe fqinjit të tij. Nga inati që kishte akumuluar ndaj komshiut, 80-vjeçari i vuri zjarrin parcelës së tij, por pa marrë parasysh pasojat të cilat tashmë rezultojnë të jenë katastrofale.

Ministria e Mbrojtjes bën apel për banorët në zonat më kritike në vend, të largohen sa më parë nga banesat dhe braktisin fshatin.

Situata paraqitet e vështirë në disa zona të vendit, por më kritike është në Gramsh, ku po evakuohen banorët e gjashtë fshatrave. Madje Presidenti Bajram Begaj ka dalë me një thirrje publike për banorët që të largohen nga shtëpitë, për shkak të rrezikut të madh nga zjarret. m.p.

Gramsh, zjarri përhapet në pyllin e Koshnicës! 8 fshatra të dëmtuar

By: el da
12 August 2025 at 17:44

Katër fshatra të djegur dhe 4 të tjerë të dëmtuar, ndërsa 9 numri i të evokuarve nga banorët që rrezikonin jetën.

Flakët janë përhapur edhe në pyllin e Koshnicës. Policia ka krijuar një kordon sigurie.

Gazetari i report Tv, Ronaldo Gjoshi, informon se banorët kanë refuzuar fillimisht të evakuohen, por pas këmbënguljes së grupeve të emergjencave janë dorëzuar duke u larguar.

Ka pasur edhe persona të lënduar, mes tyre edhe 4 gra, që po mjekohen në spital, por pa rrezik jete.

Forcat operacionale po punojnë që të mos lejojnë përhapjen e tij më tej, duke e lokalizuar. Nuk ka pasur përmasa kaq të mëdha të zjarreve më parë në këtë zonë. m.p.

❌
❌