Sondazhi: Shumica e europianëve duan rikthimin e Anglisë në BE
Një dekadë pasi deputetët votuan për të mbajtur referendumin që çoi në largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, një sondazh ka treguar se shumica në katër shtetet më të mëdha anëtare të BE-së do të mbështesnin rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar – por jo me të njëjtat kushte që kishte më parë.
Sondazhi i realizuar nga YouGov në gjashtë vende të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe Britaninë, konfirmon gjithashtu se një shumicë e qartë e votuesve britanikë tani mbështesin rikthimin në bllok – por vetëm nëse mund të ruajnë përjashtimet që kishin më parë.
Sipas sondazhit, kjo përbën një “ngërç të opinionit publik”, edhe pse aktualisht duket shumë e pamundur që qeveria laburiste e Mbretërisë së Bashkuar – e cila këtë vit negocioi një “riformatim” të marrëdhënieve me BE-në – të tentojë një rikthim në BE sipas The Guardian.
Sondazhi EuroTrack i YouGov tregoi se të paktën gjysma e të pyeturve në katër vendet më të mëdha të BE-së – Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë – mbështesnin lejimin e Britanisë për t’u ribashkuar me BE-në. Përqindjet varionin nga 51% në Itali, 53% në Francë, 60% në Spanjë dhe 63% në Gjermani.
Por kur u pyetën nëse Britanisë duhet t’i lejohet të rikthehet me të njëjtat kushte që kishte kur doli – përfshirë jo-përdorimin e euros dhe qëndrimin jashtë zonës Shengen – shifrat ndryshuan ndjeshëm.
Vetëm rreth një e pesta e të anketuarve në katër vendet më të mëdha të BE-së – nga 19% në Itali dhe Francë, në 21% në Spanjë dhe 22% në Gjermani – mendonin se Britania duhet të lejohet të rikthehet me ato kushte, ndërsa 58-62% thonin se ajo duhet të jetë pjesë e të gjitha fushave kryesore të politikave të BE-së.
Sondazhi gjithashtu testoi qëndrimet duke pyetur nëse, nëse Britania do të pranonte të rikthehej vetëm nëse mund të ruante përjashtimet e mëparshme, a duhej t’i lejohej kjo. Disa (33-36%) mendonin se kjo do të ishte e pranueshme, por më shumë (41-52%) ishin kundër.
Në Britani, ndërkohë që 54% e britanikëve mbështesnin ribashkimin me BE-në kur pyetja u bë në mënyrë të përgjithshme, kjo shifër ra në vetëm 36% nëse ribashkimi nënkuptonte heqjen dorë nga përjashtimet e mëparshme. Në këto kushte, 45% e britanikëve ishin kundër rikthimit.
Sondazhi tregoi se votuesit që kishin votuar për të qëndruar dhe ata që mbështesin partitë më pro-BE-së do ta mbështesnin ende rikthimin, edhe nëse kjo nënkuptonte pranimin e euros dhe pjesëmarrjen në zonën Shengen – por me përqindje shumë më të ulëta.
Pothuajse 60% e votuesve pro-qëndrimit në BE thanë se do ta mbështesnin rikthimin pa përjashtimet e mëparshme – një rënie prej rreth 25 pikësh nga pyetja e përgjithshme. Po ashtu, 58% e votuesve të Partisë Laburiste (-23 pikë) dhe 49% e Liberal Demokratëve (-31 pikë) do ta mbështesnin.
Ndërsa votuesit euroskeptikë që ishin të gatshëm të mbështesnin rikthimin pa trajtimin e veçantë të mëparshëm, pothuajse u përgjysmuan: nga 21% në 10% mes votuesve që kishin votuar për të dalë nga BE-ja; nga 25% në 12% mes votuesve konservatorë; dhe nga 15% në 9% mes mbështetësve të partisë Reform UK.
Danimarka, vendi i pestë i anketuar në Evropë kontinentale, rezultoi si përjashtim. Atje, 72% e të anketuarve ishin shumë të gatshëm për rikthimin e Britanisë në BE, dhe ishin më entuziastë se vendet më të mëdha për t’i lejuar Britanisë mbajtjen e përjashtimeve të mëparshme (43%).
Danimarka është një nga vetëm tre vendet anëtare të BE-së që ka përjashtime nga politikat kryesore të BE-së. Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica të mëdha në të pesë vendet kontinentale (nga 63% në 75%) do të mbështesnin anëtarësimin e një Skocie të pavarur në BE.
Sondazhi u krye mbi mostra përfaqësuese me më shumë se 2,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, si dhe më shumë se 1,000 në Danimarkë, Francë, Itali dhe Spanjë, gjatë periudhës 12-27 qershor. m.p.