Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Gazeta Fjala

Kapiteni i Brugge flet për Jasharin: “Po të isha aq i ri, dhe un do të shkoja te Milani”

By: Admin
21 July 2025 at 11:55

Hans Vanaken, kapiteni i Club Brugge, foli për Sky Sport pas fitores 2-1 të ekipit të Hajen në Superkupën e Belgjikës kundër Union SG, duke analizuar situatën në lidhje me Ardon Jasharin, i cili ka kohë që kërkon një transferim te Milani, por ende nuk ia ka dalë, duke pasur parasysh rezistencën e klubit të tij.

“Nëse ai do të kthehej në stërvitje me ne nesër (sot), ne do ta mirëprisnim me krahë hapur, pa asnjë problem. Sinqerisht, mund ta kuptoj: nëse do të isha një lojtar i ri në vendin e tij, do të doja të shkoja në një klub si Milani. Kjo nuk është një situatë e lehtë, por mendoj se nëse Milani paguan 40 milionë euro për Jasharin, atëherë marrëveshja mund të arrihet”, tha ai./ D.C

Trump mburret për “rilindjen” e SHBA-ve në gjashtë muaj

By: el da
21 July 2025 at 11:44

Presidenti Donald Trump pretendon se ka rilindur Shtetet e Bashkuara brenda vetëm gjashtë muajve nga kthimi i tij në pushtet. Në realitet, ai po i ndryshon rrënjësisht SHBA-të, me një shpejtësi të rrallë për një president, aq sa shumë amerikanë thonë se nuk e njohin më vendin e tyre.

Nëse demokracia amerikane do t’i mbijetojë këtyre ndryshimeve është një çështje që mbetet për t’u vlerësuar në tre vitet e ardhshme, gjithnjë nëse Trump nuk sfidon Kushtetutën për të kërkuar një mandat të tretë.

“Sot është përvjetori i gjashtëmujorit të parë, një prej periudhave më të rëndësishme për çdo president në histori. Kemi bërë shumë gjëra të mëdha, përfshirë përfundimin e disa luftërave. Gjashtë muaj nuk janë shumë, por mjaftojnë për të rilindur një vend”, shkroi Trump në rrjetet sociale. Sipas tij, “një vit më parë ishim të vdekur, tani jemi vendi më i respektuar në botë”.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë në politikën e brendshme, përveç tarifave doganore që kanë ndikim të dyfishtë. Kongresi miratoi ligjin “Big Beautiful Bill”, që parashikon ulje taksash prej 4.500 miliardë dollarësh dhe ulje të ndihmës shëndetësore për miliona amerikanë. Deputetja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez e ka cilësuar ligjin si “transferimi më i madh i pasurisë te më të pasurit, një akt masiv korrupsioni”.

Ndërkohë, kritika të forta ka marrë edhe për pasurimin personal të tij dhe familjes, përfshirë përfshirjen në tregun e kriptovalutave. Pikërisht mbi këtë çështje ka ndodhur një përçarje e hapur me Elon Musk, i cili e akuzoi Trumpin për tradhti ndaj premtimeve të fushatës dhe për afrimin me elitën politike në vend që të qëndronte pranë popullit./kb

Sivasspor i bën “bllokadë” Manajt, zbulohet klauzola e largimit për sulmuesin kuqezi

By: Admin
21 July 2025 at 11:30

Mediat turke bëjnë me dije se Sivasspor, ekipi që ka në pronësi kartonin e Rey Manaj nuk ka ndërmend të lëshojë sulmuesin kuqezi, pa marrë fillimisht atë që kërkojnë, 4 milionë euro.

Ofertat për Manajn nuk mungojnë, e fundit ishte ajo e Samsunspor, me ekipin e Arbnor Mujas që trokiti në derën e Sivas me një ofertë zyrtare, 1,5 milionë euro, por kjo ofertë u refuzua në mënyrë të prerë: nëse dëshironi Manajn duhet të paguani klauzolën e largimit, 4 milionë euro.

Manaj është nën kontratë deri në 2026 me Sivasspor, dhe gjatë rinovimin në janar, drejtuesit e klubit përfshinë në kontratë edhe këtë klauzolë largimi. Në këto kushte, Manaj është i detyruar të qëndrojë te Sivasspor, sezonin e ri mund të luajë në kategorinë e parë, larg elitës, nëse nuk gjen një skuadër të aftë të paguajë klauzolën e tij të largimit.

Pavarësisht se Manaj rrezikon të largohet falas pas një viti, drejtuesit e Sivasspor po marrin përsipër këto kosto, të bindur se bomberi kuqezi vlen të paktën 4 milionë euro./ D.C

Paul Pogba flet për transferimin e Rashford tek Barça: “Jam shumë i lumtur për të”

By: Admin
21 July 2025 at 11:20

Barcelona ka siguruar shërbimet e Marcus Rashford, një nga lëvizjet më të mëdha të kësaj merkato. Marrëveshja do të bëhet zyrtare në orët e ardhshme, me sulmuesin që pritet të bëhet një shtesë e re në skuadrën e Hansi Flick.

Këtë kalim e komentoi dhe Paul Pogba, pasi të dy futbollistët kanë qenë shokë skuadre te Manchester United. Mesfushori francez, tani te Monaco, foli me transmetuesin Speedy HQ në rrjetet sociale.

“Është çmenduri. Jam i lumtur për të sepse nuk po gjente më hapësirë tek United. Ata po humbasin një lojtar të shkëlqyer, gjë që është keq për ta, por mirë për Barcelonën. Nuk po flas fare për United, sepse ata kanë nënshkruar disa lojtarë dhe trajneri i ri, Amorim, dëshiron të imponojë stilin e tij, mendoj. Nuk mendoj se është faji i trajnerit nëse nuk beson te një lojtar… Ata duhet të fitojnë, në fund të fundit. Nëse nuk fitojnë dhe nuk luajnë mirë, do ta shkarkojnë”, përfundoi Pogba./ D.C

Vijon zjarri në malin e Dukatit, punohet për të shmangur përhapjen e flakëve

By: el da
21 July 2025 at 11:16

Vijon të jetë aktiv prej disa ditësh zjarri në malin e Dukatit në Vlorë. Puna për shuarjen e flakëve po vazhdon nga toka edhe pse terreni është mjaft i vështirë.

Në vendin e ngjarjes janë prezente 17 forca zjarrfikëse, 30 efektivë të Forcave të Armatosura, por edhe punonjës të Emergjencave Civile Vlorë dhe të pyjores. Forcat po punojnë për të lokalizuar flakët për të mos lejuar përhapjen e tyre drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Në varësi të situatës, pritet që të ketë sërish ndërhyrje nga ajri.
Ndërkohë, një vatër zjarri është aktive edhe në fshatin Vernik të Devollit. Prefektura e qarkut Korçë bëri me dije se intensiteti i zjarrit ka rënë nga mbrëmë, ku rrezikonte që të përhapej drejt zonës kufitare. Po shqyrtohet mundësia e ndihmës nga pala greke për ndërhyrje ajrore, me të cilën autoritetet shqiptare janë në kontakt./kb

Fiasko nuk nisi kur Britania zbuloi emrat e afganëve, por kur pushtuam vendin e tyre

21 July 2025 at 11:10

Simon Jenkins*

Cilat janë gjasat për një hetim publik mbi super-ndalimin informativ të lidhur me Afganistanin? Me shumë gjasa do të ishte një hetim i gjatë, i udhëhequr nga një gjyqtar, që do të zvarritej për tre vjet – kështu funksionon politika britanike kur kërkon ta fshehë ndonjë turp. Dhe po ashtu, cilat janë gjasat që ndonjë prej fajtorëve të shpëtojë pa ndëshkim – për shembull Tony Blair?

Sa më shumë i shqyrtojmë etapat e këtij dështimi, aq më e qartë bëhet se një gafë tërhiqte tjetrën si pasojë e pashmangshme. Nuk kishte asnjë arsye që Britania të pushtonte Afganistanin në vitin 2001. Nëse SHBA kërkonte hakmarrje ndaj regjimit të Kabulit për strehimin e al-Kaidës pas 11 Shtatorit, mund të kishte vepruar si Donald Trump muajin e kaluar ndaj Iranit: një goditje e shpejtë e shkatërruese ndaj udhëheqjes së vendit do të kishte mjaftuar për të dhënë mesazhin.

Përdorimi i nenit 5 të traktatit të NATO-s për të justifikuar pushtimin e Afganistanit ishte i pakuptimtë. Siguria e Amerikës nuk ishte realisht e kërcënuar nga terrorizmi i drejtuar nga Kabuli – po aq sa nuk ishte as ajo e Britanisë. Vendet e tjera të NATO-s, të detyruara të shfaqnin simpati, u kufizuan në role minimale, jo-luftarake. Pasi Kabuli u godit dhe talebanët u larguan, arsyeja dhe kujdesi kërkonin një tërheqje të shpejtë. Edhe komandantët amerikanë nuk e dëshironin një pushtim.

Por Blair nguli këmbë që të bindte Bush-in për “ndërtimin e kombit”, pavarësisht skepticizmit amerikan. Ai ishte i dëshpëruar që Britania të “boksone përtej peshës së saj”. Në fjalimin e tij të famshëm në Çikago në vitin 1999, ai paraqiti doktrinën e tij për “bashkësinë ndërkombëtare”, që në thelb ishte një ftesë për më shumë luftëra. Zyra e Clinton-it e përshkroi ndërhyrjen e tij në Kosovë si një kryeministër që “i kishte hedhur shumë adrenalinë mbi drithërat e mëngjesit”.

Kur lufta erdhi, Blair nguli këmbë që nëndetëset britanike të lëshonin valën e parë të raketave mbi Kabul. Në konferencën e Laburistëve të 2001-it, ai shpalli:

“Ne nuk do ta braktisim Afganistanin, siç ka bërë bota e jashtme kaq shumë herë më parë… Ka vetëm një përfundim: fitorja jonë, jo e tyre.”

Një okupim i plotë dhe një dështim i rëndë

Pasoi një okupim i plotë britanik, që kulmoi në vitin 2006 me një përpjekje të pamatur dhe të dështuar për të shtypur talebanët në Helmand. Një rezultat i kësaj përpjekjeje ishte që për gati 20 vjet, një pjesë e mirë e klasës administrative afgane punonte për forcat pushtuese perëndimore, përfshirë Britaninë. Kur talebanët u rikthyen, këta njerëz besuan – ndoshta në mënyrë naive – se “Perandoria e Vjetër Britanike” nuk do t’i braktiste.

Por, kur lista me 19 mijë bashkëpunëtorë të pushtimit britanik u zbulua, rreziku u bë i menjëhershëm. Ministria e Mbrojtjes u njoftua se një përdorues anonim në një grup të Facebook-ut pretendonte se kishte të gjithë databazën dhe po kërcënonte ta publikonte. Pa e ditur nëse ajo listë ishte ndarë me talebanët, qeveria ndërhyri për të mbrojtur ata që ishin përmendur në të.

Sekretari i Mbrojtjes në atë kohë, Ben Wallace, donte që e gjithë kjo të mbahej e fshehtë. Edhe një gjykatës ra dakord, përkohësisht. Por as vendimi i qeverisë, as ai i gjykatës nuk i rezistuan kohës – dhe as turpit në rritje. Kostoja financiare për të respektuar përgjegjësinë ndaj personave të përfshirë nuk ishte miliona, por miliarda paundë.

Përgjegjësia – dhe harresa

Pjesa më e madhe e fajit bie mbi vetë vendimin për pushtim dhe tërheqjen e mëvonshme. Përpjekja e parlamentit britanik këtë javë për ta politizuar çështjen e rrjedhjes së të dhënave qe qesharake. As kabineti, as parlamenti nuk e ndaluan ndonjëherë pushtimin fillestar të Blair-it. Në vitin 2010, pas nëntë vitesh lufte, parlamenti votoi në shumicë për vazhdimin e pranisë britanike. Po kështu, në 2003, parlamenti ishte po aq në favor të pushtimit të Irakut. Kur në vitin 2021 Boris Johnson më në fund ndoqi SHBA-në në tërheqjen e befasishme, parlamenti nuk ndërmori asnjë veprim.

Në Afganistan humbën jetën 457 ushtarë britanikë. Kostoja për taksapaguesin britanik: 30 miliardë paundë. Rreth 200,000 afganë u vranë, ndërsa 29,700 persona u pranuan për rishpërndarje në Britani midis 2021 dhe 2024. Këto janë faturat e një hakmarrjeje për 11 Shtatorin – dhe krejtësisht të panevojshme. Asnjë shtet tjetër evropian nuk iu bashkua SHBA-së në një shkallë kaq të madhe. Deri më sot, nuk është bërë asnjë hetim për të përcaktuar përgjegjësinë personale.

Britania u përpoq gjatë shekullit XX të tërhiqej me dinjitet nga perandoria e saj. Por duket se udhëheqësit e saj, si Blair, vazhdimisht kanë ndjerë nostalgji për një Britani që ende ka rol në skenën botërore – edhe nëse ky rol është i dhunshëm.

Ndërsa Britania nuk ishte kurrë realisht e kërcënuar, Blair gjeti veten pothuajse gjithmonë në luftë: Kosovë, Sierra Leone, Afganistan dhe Irak. David Cameron u infektua me të njëjtin “virus”, duke ndërhyrë në Libi dhe përpjekur të bëjë të njëjtën gjë në Siri. Ai ndërtoi dy aeroplanmbajtëse gjigante, njërën prej të cilave Boris Johnson nuk mundi t’i rezistonte ta dërgonte në Detin e Kinës Jugore. Pse? Asnjëherë nuk u dha ndonjë shpjegim.

Nëse Donald Trump ka ndonjë virtyt, është ai i të thënit hapur Evropës se epoka e ndërhyrjeve globale ka përfunduar. SHBA është lodhur duke qenë polici i kontinentit të vjetër. Evropa duhet të jetë realiste dhe të kujdeset për punët e saj. Por as ai nuk i rezistoi tundimit për të bombarduar Iranin.

Mësimi i vërtetë

Mësimi nga kjo rrjedhje informacioni nuk është se email-et nuk janë të sigurta – këtë tashmë e dimë.

Mësimi i vërtetë është: Britania nuk duhej të kishte kaluar një çerek shekulli duke u përpjekur të impononte sundimin e saj mbi Afganistanin.

A do të mësojë më në fund?

*Simon Jenkins është kolumnist në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Pak minuta në SPAK, Berisha “shpërthen” ndaj Gjokës: Ta quajmë mashtruesen Irena Dumani

By: el da
21 July 2025 at 10:59

Ka zgjatur shumë pak minuta, “vizita” e kryedemokratit Sali Berisha në Prokurorinë e Posaçme. Për gazetarët, ai lexoi shënimin që sipas tij i la kreut të SPAK, Altin Dumani.

“Po lexoj deklaratën që unë lashë për kreun e skapit, Altin Troplini. Pasi mbajti në xhep për javë të tëra mandatin e arrestit të kreut të kartelit Troplini, duke u bërë kështu anëtar i organizatës, Altin Troplini, hapi dosje për Irenën me 5 mbiemra, pa emër”, tha Berisha.

Vijoi me akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

“Bashkë me Altinin, u bënë fytyra e vërtetë e reformës dhe sistemit. Është një mashtruese ordinere! T’ja shtojmë dhe një mbiemër, ta quajmë Irena Dumani, fytyra e vërtetë e sistemit të drejtësisë!”, shtoi ai.

Ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me seancën gjyqësore për dosjen “Partizani”, që ishte parashikuar të niste në orën 10:30./kb

Revolta në PD? Dashnor Sula: Dështakët mblidhen në dreka peshku

By: el da
21 July 2025 at 10:48

Demokrati Dashnor Sula ka komentuar deklaratën e bërë nga kryebashkiaku i Kavajës. Fisnik Qosja, i cili bëri thirrje se ‘PD ka nevojë për ndryshim’.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, deputeti Sula argumenton pse duhet të dëgjohet Qosja, duke shtuar se në PD mungon analiza dhe se po ‘sulmohen të rinjtë që duan ta sjellin në pushtet’.

Më tej ai thotë se Fisnik Qosja është një i ri i cili theu “mitin” se mazhoranca aktuale nuk mundet me Ramën kryeministër. ‘Qosja tregoi se edhe farsa nuk bën punë kur ka alternativë të re dhe punë të palodhur’.

Sula e mbyll postimin duke thënë se ‘Ajo që nuk duhet të ndodh në PD është ajo që në fakt po ndodh tani. Dështakët, humbsit serial mblidhen nëpër dreka peshku për të thurur kulisa në mënyrë që të mos analizohen humbësit dhe të sulmohen të rinjtë qe kanë qëllime dhe projekte për të sjellë demokratët në pushtet“.

Postimi i plotë:

Pse duhet të degjohet ajo çfarë tha kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja?!

Më në fund dje, pas më shumë se dy muajsh dikush nga te “preferuarit” në PD doli publikisht për të kërkuar ndryshime të thella në PD.
E thënë nga Fisnik Qosja, kërkesa për reformim të thellë në PD ka një vlerë edhe më domethënëse.
Fisnik Qosja është një i ri i cili theu “mitin” se mazhoranca aktuale nuk mundet me Ramën kryeministër. Qosja tregoi se edhe farsa nuk bën punë kur ka alternativë të re dhe punë të palodhur.

Fatkeqësisht, si Fisniku këto kohë mendojnë shumë pak. Janë shumë pak sepse në Partinë Demokratike, parimi i futjes në garë për të fituar ka shkuar me kohën. Mendimi më dritë gjatë në selinë blu është si të mbajmë karriget tona e ta përdorim për ndonjë skemë të vogël. Pikërisht nga këta llojë duhet të shkëputet PD.
OPSION PËR ZGJIDHJE?!

Që Partia Demokratike të mos mbesë një relike në histori, do duhet patjetër të reformohet. Në mënyrë që edhe Partia Demomratike të mos jetë si ato shifrat që jep INSTAT (POPULLSIA PO PLAKET), do duhet që të rienërgjizojë Partinë.

Grupi Parlamentar, ta tregojë në jetën parlamentare punën, ta justifikojnë mandatin që kanë marrë në masën 90% qyl nga kryetari. Secili prej tyre ta dëshmojë sa vlen.

Ndërkohë, Partia Demokratike, selia e saj, postet drejtuese në të duhet ti atribuohen të rinjve që e treguan në 11 Maj se nuk mungojnë por se nuk u lihet hapsirë.
Partia Demomratike duhet të bëj një analizë të thellë të rezultateve të 11 majit, të performancës në vitet e kaluar, të ndahet nga galloshet e vjetra që janë bërë “gogoli” i qytetarëve.

Ajo që nuk duhet të ndodh në PD është ajo që në fakt po ndodh tani. Dështakët, humbsit serial mblidhen nëpër dreka peshku për të thurur kulisa në mënyrë që të mos analizohen humbësit dhe të sulmohen të rinjtë qe kanë qëllime dhe projekte për të sjellë demokratët në PUSHTET./kb

Si i mbolli flokët Salianji? Flet zv/drejtori i Burgjeve: Nuk ka kufizim

By: el da
21 July 2025 at 10:36

Zv/drejtori i Burgjeve, Feim Sufaj, në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, shpjegoi se si Ervin Salianji mbolli flokët gjatë kohës që ishte në burg.

“Çdo i burgosur ka dalë për vizita sepse i kufizohet liria, por i gëzon të gjitha të drejtat e tjera. Aktet rregullative i japi akses dhe të drejtë që të shkojë edhe në klinikë private, sigurisht duke marrë masat e sigurisë e duke parë mundësitë tona për të bërë garantimin e tij. Nuk ka kufizim, një person mund të dalë për një trajtim estetik apo emergjent”, tha Sufaj.

Sipas tij, rregullorja e burgut parashikon vizitat në klinika private.

“Aktet rregullative parashikojnë të drejtën e të burgosurit për t’u vizituar në një klinikë private kundrejt shpenzimeve të tij. Ne i kemi kufizuar këto gjëra dhe operojmë me spitale publike, por në rastet e veçanta të shërbimeve që nuk i ofron spitali publik, nuk ka pse ndalohen”, deklaroi Sufaj./kb

Ndryshime në Tokio, kush është Sohei Kamiya, “Donald Trump i Japonisë”

By: el da
21 July 2025 at 10:14

Pak më shumë se 104 milionë votues japonezë me të drejtë vote shkuan në qendrat e votimit këtë të diel për të zgjedhur një parlament të ri. Nëse u besojmë sondazheve parazgjedhore, Liberal Demokratët (LDP) në pushtet dhe partneri i tyre i koalicionit Komeito duhet të mbeten fituesit relativë të zgjedhjeve, por për shkak të pakënaqësisë në rritje të qytetarëve me status quo-në, ata mund të humbasin kontrollin ndaj shumicës në pushtet. Përfaqësuesit e LDP-së do të monitorojnë me kujdes rezultatin që partia e tyre arrin në këto zgjedhje, sepse debakli zgjedhor mund të rezultojë në zgjedhje brenda partisë dhe shkarkimin e Kryeministrit aktual Shigeru Ishiba. Në të njëjtën kohë, opozita nga radhët e Partisë Demokratike Kushtetuese (CDP) pret një rritje të mandatit, dhe Sohei Kamiya, “Donald Trump i Tokës së Diellit që po Lind”, fitoi vëmendje të veçantë nga media globale në një fushatë të mërzitshme.

“Donald Trump i Tokës së Diellit që po Lind”

Partia e tij e sapoformuar populiste Sanseito është në vendin e tretë për sa i përket popullaritetit, me mbështetje prej rreth 7 përqind, dhe pret deri në 12 mandate në mbledhjen e re. Edhe pse kjo në vetvete nuk është e mjaftueshme për të kërcënuar seriozisht partitë kryesore të konsoliduara, ajo tregon një trend nga i cili është e rrezikshme të kthesh kokën, sepse Japonia, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, po flirton me një parti hapur shoviniste dhe mbështetja për atë opsion politik po rritet me shpejtësi. Duke pasur parasysh fragmentimin e pritur të parlamentit të ri, përfaqësuesit e Sanseit mund të shërbejnë si një peshë në peshore, në formimin e një shumice qeverisëse ose si udhëheqës të sabotatorëve në gjetjen e një numri të mjaftueshëm të votave. Rritja e çmimeve, pasiguria ekonomike, një fluks i vazhdueshëm i punëtorëve dhe, si rezultat i kësaj të fundit, një rritje e ndjeshme e ksenofobisë, kanë shtyrë një numër gjithnjë e në rritje japonezësh, veçanërisht të rinj, të marrin në konsideratë një opsion politik që u ofron atyre zgjidhje joortodokse.

“Japonia e Para”

“Japonia duhet të jetë një shoqëri që u shërben kryesisht interesave të popullit japonez”, tha Kamiya në fillim të tubimit të tij zgjedhor, i cili u karakterizua nga një përfaqësim mbi mesataren i të rinjve. Përveç rënies së standardit të jetesës së qytetarëve, fushata zgjedhore e këtij viti u shënua edhe nga çështja e rritjes së papritur të numrit të punëtorëve të huaj, i cili, sipas statistikave zyrtare, arriti në 3.8 milionë vitin e kaluar. Edhe pse numri i tyre korrespondon me popullsinë totale të Republikës së Kroacisë sipas regjistrimit të fundit, ata përbëjnë vetëm 3 përqind të 124 milionë japonezëve. Megjithatë, pjesa e tyre është rritur me një të tretën në vetëm tre vjet. Arsyeja për nevojën për të importuar punëtorë të huaj qëndron në faktin se popullsia vendase në moshë pune është në rënie të pashmangshme, gjë që mbështet pamjen demografike dramatikisht negative të Japonisë, për të cilën Jutarnji list ka shkruar shumë gjatë vitit të kaluar.

Mesazhi për SHBA

Fushata u shënua edhe nga çështja e varësisë së tepërt nga Shtetet e Bashkuara.  Ngatërresa SHBA-Japoni në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe financave ka garantuar status quo-në në Paqësor për dekada të tëra. Këtë vit, hija e një lufte tregtare u shfaq mbi ta, e cila mund ta trondisë atë strukturë nga themelet. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse çdo ndërprerje e përfshirjes SHBA-Japoni në Paqësor do të krijonte një boshllëk që një aktor tjetër rajonal do ta mbushte menjëherë dhe me lehtësi. Ministria e Mbrojtjes e Japonisë filloi të punonte mbi një “libër të bardhë” për t’iu përgjigjur kërcënimit më të madh strategjik ndaj Tokios, pretendimeve territoriale në rritje të Republikës Popullore. “Nëse lexoni midis rreshtave, mund ta kuptoni se Tokio po i dërgon një mesazh SHBA-së se qeveria japoneze po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, dhe se dëshiron që SHBA-të të vazhdojnë t’i besojnë asaj si aleat dhe partner”, tha për DW Ryo Hinate-Yamaguchi, profesor në Institutin për Strategji Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Tokios./kb

Plazhet shqiptare si ringje boksi, mund të bësh para duke vënë baste

21 July 2025 at 10:00

Nga Leonard Veizi

A po i afrojmë apo po i largojmë turistët?

Me shumë gjasa, ne shqiptarët nuk e përballuam dhe as e menaxhuam siç duhet lukuninë e turistëve të huaj që u derdhën drejt Shqipërisë sapo disa media të mëdha ndërkombëtare shpallën se në brigjet e Adriatikut ndodhej një vend piktoresk me çmime të favorshme.

Për peizazhin nuk gënjeu askush. Por ndoshta harroi të përmendte që pas kodrave me ullinj e plazheve me rërë të artë, fshiheshin pirgje plehrash që konkurronin në lartësi me shezlonët.

Turistët erdhën me entuziazëm, por shumë prej tyre u larguan me një ndjesi zhgënjimi që nuk e lan as deti.

Kohët e fundit, Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes jo për promovime vezulluese, por për kronika dhune që ngjajnë më shumë me raporte nga ringje boksi sesa me fletëpalosje turistike.

Në lajme dhe rrjete sociale shfaqen pa ndërprerje pamje ku vendasit i nisin debatet me grusht, i vijojnë me bishta çadrash dhe, nëse argumenti logjik dështon, përfundojnë me armë zjarri. Turizëm “all-inclusive”, që përfshin edhe traumën si suvenir.

Në fakt, një turist mund të humbasë ca orë nxirjeje nga dielli, por mund të fitojë më shumë duke vënë baste për gladiatorët që përplasen çdo ditë në arenën e improvizuar të plazhit.

A nuk do ishte më me leverdi të organizonim një kampionat kombëtar “Plazh Fight Club” dhe ta përfshimë në guidat turistike si atraksion?

Ndërkohë, tregu shqiptar ofron gjithmonë diçka të re – zakonisht një rritje çmimesh.

Çmimet janë të kripura, shërbimi pa kripë, dhe fatura shpesh të kujton Parisin – vetëm se mungon Kulla Eiffel dhe ndonjë kamerier që të sjell ujë pa u thirrur tri herë.

Në rrjetet sociale, turistët shfaqen të hutuar: “Na thanë Shqipëria është e lirë… po për kë?”, pyesin teksa numërojnë centët para se të porosisin një birrë që kushton sa një koktej në Berlin.

Dhe të kemi parasysh: Shqipëria ende nuk ka përjetuar vërshimin e turistëve me xhepa të rëndë.

Nuk na kanë zbarkuar milionerët e rivierës franceze, por kryesisht backpacker-ët me Google Maps në dorë dhe tenda në çantën pas shpine. Ata që hanë një herë në ditë dhe flenë në kampingje – jo sepse janë aventurierë, por sepse hotelet me pesë yje u duken si zyrat e NASA-s: të paarritshme.

Ndërkohë, edhe personeli që duhet t’i presë, thjesht… nuk ekziston. Ai i trajnuar jo e jo, por nuk gjen as personel të patrajnuar.

Po shteti?

Ai është aty… diku.Jo për të vendosur standarde, por për të bërë foto me drone dhe për të lëshuar slogane. Në vend të strategjive, kemi spote me violina, ndërsa në realitet pushuesit ballafaqohen me tejmbushje, kaos urbanistik dhe pagesa “cash-only” që kalojnë nën radarin e tatimorit.

Mediat vendase, nga ana tjetër, kanë marrë rolin e Public Relations-it zyrtar. Ndërsa dhuna përhapet si valët e detit, ato vazhdojnë të flasin për “vit rekord turistik”, një term që duket se matet me numrin e makinave që bllokojnë rrugët, jo me kënaqësinë e turistëve.

Çdo raport është një trumbetë suksesi – edhe kur plazhi ngjan me një landfill me shezlonë.

Jemi një vend që ecim kuturu nëpër ekonomi tregu, e me një shpresë gati fetare për integrimin në Europë.

Por ndoshta, më parë duhet të integrojmë veten me veten, me ndonjë standard, ndonjë ndjeshmëri ndaj tjetrit, dhe ndonjë përpjekje për të kuptuar që turistët nuk janë vetëm për t’u shtrydhur si limonë në gusht, por për t’i kthyer sërish në maj. Sepse nëse vazhdojmë kështu, mund të kemi një turizëm “të qëndrueshëm” – në kuptimin që nuk do lëvizë më askush drejt nesh.

Dhe kur të kujtojmë vitet kur bregdeti gëlonte nga të huaj, do na mbetet vetëm nostalgjia… dhe ndonjë bast i humbur në ringun e rërës.

Rama: “Bankers” na detyrohet 240 mln euro, Prokuroria t’ia nxjerrë ujin e zi!

By: el da
21 July 2025 at 09:44

Kryeministri Edi Rama u ndal sot, 21 korrik, te “Bankers Petroleum”, duke mbështetur Prokurorinë e Fierit në hetimin e kësaj kompanie.

“Së pari, ne kemi fituar me Bankersin një arbitrazh dhe kjo kompani na detyrohet 240 milion euro! Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur, i heq kapelen që ka bërë këtë hetim dhe uroj t’i nxjerrë të gjithë ujin e zi asaj ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika dhe është akoma sot kostoja e një koncesioni të dhënë para se të merrja detyrën”, tha Rama gjatë komunikimit virtual me qytetarët.

“Unë s’kam asnjë problem me Bankersin apo kush e ka bërë Bankers, apo kush ka lidhje me ato emra. S’kam fare asnjë problem”, theksoi Rama.

Kujtojmë se sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi për” Bankers Petroleum” Albania ka nisur në dhjetor të 2024-ës, ku është dokumentuar ngritja e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe fshehje të ardhurash për të cilën dyshohen nëntë persona (tanimë të arrestuar) si dhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë, shoqëria ka tregtuar mbi 532 miliardë lekë karburant, por në 20 vitet e fundit e ka deklaruar kompaninë me humbje ne vlerën e 11,7 miliardëve, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar./kb

“Në Tiranë, kemi një situatë jo të zakonshme”/ Rama flet për Veliajn në “Sy më sy”

By: el da
21 July 2025 at 09:24

Kryeministri Edi Rama teksa komentoi vendimin për pastrimin e hapësirave publike në Tiranë të zaptuara, u shpreh se në kryqytet ka pasur një situatë jo të zakonshme, referuar arrestimit të Erion Veliajt që ndodhet në burg prej 10 Shkurtit.

Rama u shpreh se Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet, duke theksuar se PS ka riorganuzuar tërësisht veten. Kreu i qeverisë theksoi se “deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre”.

Edi Rama: Kemi pasur në Tiranë një situatë, ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet.

Kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre.

Ka qenë absolutisht nga të katërt anët e kryeqytetit e qartë kërkesa nr 1 që na çlironi hapësirat publike./kb

Aksident tragjik në Athinë, humb jetën 22-vjeçarja nga Vlora

By: el da
21 July 2025 at 09:00

Një 22-vjeçare shqiptare ka humbur jetën nga një aksident tragjik në Athinë. Izabela Kuteli, me origjinë nga Dukati i Vlorës, humbi jetën në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të thellë tek familjarët, miqtë dhe gjithë ata që e njohën.

Familjarët, bashkëfshatarët dhe miqtë kanë ndarë mesazhe prekëse ngushëllimi në rrjetet sociale, ndërsa dhimbja për humbjen e saj ka bashkuar zemrat e të gjithëve në këtë moment zie./kb

“Putin do sulmojë me mbi 2 mijë dronë”, gjenerali paralajmëron rrezikun për Ukrainën

By: el da
21 July 2025 at 08:40

Rusia po planifikon të sulmojë me mbi 2 mijë dronë Ukrainën. Këtë fakt e ka bërë të ditur gjenerali gjerman Christian Freuding në një intervistë të publikuar më 19 korrik.

Numri i dronëve marramendës i përshkruar nga Freuding, i cili kryeson grupin e punës për Ukrainën në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, vjen ndërsa Rusia vazhdon të zgjerojë prodhimin e dronëve.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ukrainase i tha revistës Politico në qershor se Kremlini planifikon të prodhojë 2 milionë dronë dhe 30 mijë dronë me rreze të gjatë veprimi dhe me karrem në vitin 2025, duke shënuar një zgjerim kritik të programit të luftës me dronë të Moskës.

Midis 13 shtatorit 2022 dhe 30 gushtit 2023, forcat ruse qëlluan me gati 2 mijë dronë Shahed në Ukrainë. Kjo “do të paraqesë një sfidë serioze për sistemin e mbrojtjes ajrore ukrainase”, shtoi Freuding në një podcast. “Kundërmasa të zgjuara” janë të nevojshme, shtoi ai, duke vënë në dukje se përdorimi i raketave Patriot kundër dronëve kamikazë rusë është i palogjikshëm, të cilët kushtojnë 30,000-50,000 euro, ndërsa një raketë Patriot kushton mbi 5 milionë.

Sakaq, Moska ka bërë me dije se lufta e Ukrainës është e gjatë dhe komplekse. Deklaratat e Donald Trump tregojnë një dëshirë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Uashingtoni po e kupton gjithnjë e më shumë kompleksitetin e këtij procesi “të gjatë dhe të vështirë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me VGTRK, të cituar nga Tass. Ne jemi mësuar me “retorikë mjaft të ashpër dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Peskov, por “në të njëjtën kohë ai konfirmon qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar një zgjidhje paqësore”.

Në lidhje me një takim mes Trump dhe Putin, Peskov thekson se “ende nuk ka ardhur koha”. Ai pranoi, megjithatë, se kishte filluar ta konsideronte një takim midis dy udhëheqësve “të domosdoshëm” dhe se “me kalimin e kohës, është diçka që padyshim do të ndodhë”. Më pas, shtoi se “mund të jetë e nevojshme të formalizohen disa marrëveshje të rëndësishme të arritura me kalimin e kohës, pas shumë pune”. “Kjo punë ende duhet të bëhet”, vazhdoi ai, duke arritur kështu në përfundimin se koha për një samit midis Trump dhe Putin “ende nuk ka ardhur”./kb

1973 – Vrasja e gabuar në Lillehammer, Mossadi gaboi shënjestrën

21 July 2025 at 08:30

Më 21 korrik 1973, qyteti i qetë Lillehammer në Norvegji u bë papritur skena e një operacioni të errët dhe të dështuar të shërbimit izraelit të inteligjencës Mossad. Objektivi ishte hakmarrja për Masakrën e Mynihut të vitit 1972, kur një grup terrorist palestinez i njohur si “Shtatori i Zi” vrau 11 atletë izraelitë gjatë Lojërave Olimpike. Por në vend që të godisnin një nga përgjegjësit e masakrës, agjentët izraelitë vranë një njeri të pafajshëm.

Ahmed Bouchiki, një kamerier maroken që punonte në Lillehammer dhe ishte i martuar me një grua norvegjeze shtatzënë, u ekzekutua nga një skuadër agjentësh të Mossad-it, të cilët gabimisht besuan se ai ishte Ali Hassan Salameh, një nga udhëheqësit e “Shtatorit të Zi”. Bouchiki nuk kishte asnjë lidhje me ndonjë organizatë palestineze dhe nuk kishte asnjë përfshirje në terrorizëm – ishte një civil i zakonshëm që u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Operacioni ishte pjesë e “Operacionit Gjyqtari i Zotit” (Operation Wrath of God), një fushatë e fshehtë e Mossad-it për të ndëshkuar individët përgjegjës për masakrën në Mynih. Në këtë fushatë, qeveria izraelite kishte autorizuar eliminimin sistematik të anëtarëve të “Shtatorit të Zi” dhe të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP).

Zbulimi dhe ndëshkimi

Vrasja e Bouchikit nuk kaloi pa u vënë re. Policia norvegjeze nisi menjëherë hetimet dhe arriti të identifikojë dhe arrestojë gjashtë anëtarë të skuadrës së Mossad-it. Ata u akuzuan për bashkëpunim në vrasje, u gjykuan dhe u dënuan nga autoritetet norvegjeze. Ky ishte një skandal i madh ndërkombëtar, që tronditi reputacionin e Mossad-it si një nga shërbimet më të sofistikuara të inteligjencës në botë.

Qeveria norvegjeze protestoi ashpër ndaj shkeljes së sovranitetit të saj dhe ndaj përdorimit të territorit të saj për vrasje politike. Izraeli, nga ana e tij, as nuk pranoi, as nuk mohoi zyrtarisht përfshirjen në operacionin e Lillehammer-it, duke ndjekur politikën e zakonshme të “mohimit të besueshëm”.

Pasojat

Rasti i Lillehammer-it ishte një goditje serioze për Mossad-in dhe solli rishikim të thellë të metodave të operacioneve të saj jashtë vendit. Operacioni u kritikua jo vetëm për paaftësinë në identifikimin e objektivit, por edhe për mënyrën e papërgatitur dhe të rrezikshme me të cilën u krye eliminimi në një vend të huaj e mik me Izraelin.

Disa nga të arrestuarit u liruan me kalimin e kohës dhe u kthyen në Izrael, ndërsa të tjerë shërbyen dënime të kufizuara. Por kjo ngjarje mbeti një njollë në historinë e Mossad-it dhe një shembull i pasojave tragjike të gabimeve në operacionet e inteligjencës.

Ndërkohë, Ali Hassan Salameh, objektivi i vërtetë i asaj nate në Lillehammer, arriti të shmangte Mossad-in për disa vite të tjera dhe u vra më në fund në Bejrut, në vitin 1979, nga një bombë e vendosur nga agjentët izraelitë – këtë herë, me objektivin e saktë.

Përgatiti: L.Veizi

U martua për t’i bërë “bisht” ushtrisë, Agroni përballet me “gruan e harruar”

By: el da
21 July 2025 at 08:20

“Çfarë është kjo grua që më nxirrni pas 30 viteve?! Po ik ore me gjithë atë Valentinën, të shikojë jetën e saj, se edhe unë kam jetën time”, kështu shprehet Agroni në insertin prezantues të rubrikës “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E diela Shqiptare” në Tv Klan. Ai është sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi nga vëllai i tij, Shpëtimi, i cili i kërkon që t’i japë zgjidhje një problemi 30-vjeçar.

Në vitin 1992, Agroni, për të shpëtuar nga shërbimi ushtarak në një qytet të largët, u martua me Valentinën dhe në këtë mënyrë, do të ishte ushtar në rrethin e Fierit. Por, gjërat nuk kishin shkuar ashtu sikurse ata i kishin menduar, pasi disa muaj pas celebrimit mes çiftit, Valentina largohet nga shtëpia e Agronit, dhe vazhdon jetën e saj me një partner tjetër. Nga ana tjetër edhe Agroni duket se ka bërë të njëjtën gjë. Pasi prej vitesh jeton në Greqi, ku ka krijuar dhe familjen e tij.

Më i shqetësuari në gjithë këtë çështje është Shpëtimi, i cili prej vitesh ka mbajtur mbi supe problemin e prezencës “nën hije” të Valentinës në trungun familjar.

Edhe pse të divorcuar Valentina rezulton në trungun e familjes së Agronit dhe Shpëtimit dhe është përfituese e pasurisë së tyre. Agroni thotë se nuk ishte në dijeni të kësaj, për më tepër ai shton se nuk e njeh fare Valentinën që prej 30 viteve.

Agroni: Unë po bëj 30 vjet që nuk e njoh Valentinën se kush është. Unë nuk e dija se Valentina është në trungun e familjes.

Shpëtimi: Të lutem shumë byrazer, e di se çfarë shqetësimi më ke sjellë ti mua apo jo!

Agroni: Të mbyllësh gojën, se më ke sjellë nga Greqia këtu.

Shpëtimi: Në të gjitha dokumentet më del Valentina sikur është nëpër dyert e shtëpisë.

Agroni: Unë me Valentinën po bën sot e 30 vjet që jam ndarë.

Shpëtimi: Je ndarë ti, por e ke në shtëpi.

Eni Çobani: Më fal kur je ndarë me Valentinën ti, e mban mend, apo nuk e mban mend. Agron se nuk është e lehtë kjo tani, se që është Valentina atje i kam letrat unë këtu. Valentinën e ke këtu.

Agroni: Sipas celebrimit që është bërë. U ngrit babai i saj atëherë se nuk më donte si dhëndër ndoshta…

Shpëtimi: Ore se ti nuk mban mend fare, o vëlla. Jenin martuar dhe keni bërë celebrimin në datën 23 korrik të vitit 1992 dhe kur u bë divorci dhe kur u bë divorci pas tre vjetësh, ajo ekziston në trungun familjar.

Agroni: Këtë gjë nuk e di akoma unë.

Shpëtimi: Ti nuk di gjë, por është bërë divorci në vitin 1994.

Eni Çobani: Ti ke marrë pjesë në divorc?

Shpëtimi: Nuk morëm pjesë për arsye se kishim atë mllefin e lënies së vëllait tim dhe nuk u paraqitëm në gjyq.

Ardit Gjebrea: Divorcin kush e kërkoi?

Eni Çobani: Divorcin e kërkoi Valentina.

Shpëtimi: Ajo vazhdon jetën e saj, kurse ti (Agroni) ike në Greqi dhe nuk doje që t’ia dije më.

Agroni: Nuk më duhet gjë se çfarë bën ajo. /kb

Shtëpia e Bardhë irritohet me Netanyahun: Si një fëmijë që nuk di si të sillet

By: el da
21 July 2025 at 08:00

Shtëpia e Bardhë thuhet se është e irrituar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas sulmeve në Siri dhe bombardimit të Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza.

Uebsajti amerikan Axios, duke cituar disa zyrtarë, raportoi acarimin e Uashingtonit: “Bibi po sillet si i çmendur. Ai po bombardon vazhdimisht gjithçka. Kjo mund të minojë atë që Trump po përpiqet të bëjë”.

Një zyrtar i dytë i lartë amerikan theksoi gjithashtu bombardimin e një kishe në Gaza këtë javë, gjë që e shtyu Presidentin Trump të telefononte Netanyahun dhe të kërkonte një shpjegim: “Ndjesia është se çdo ditë ka diçka të re. Çfarë dreqin?”

Një zyrtar i tretë amerikan deklaroi se “ka një skepticizëm në rritje brenda administratës Trump në lidhje me Netanyahun, idenë se gishti i tij në këmbëz është shumë i etur dhe se ai është shumë shkatërrues. Netanyahu ndonjëherë është si një fëmijë që nuk di si të sillet”./kb

Apatia që po e sfilit vendin

By: el da
21 July 2025 at 07:40

Nga Ben Andoni

Jo thjesht debati gati grotesk për mandatin e dy kryetarëve të partive të vogla, por ajo që po ndodh me opozitën në përgjithësi me ligjërimin deri cfilitës përditor të Berishës; zhgënjimi dhe boshësia që vjen nga vonesat dhe amullia e sistemit të drejtësisë, shtuar me aksionet e stërlodhshme të Ramës ndaj informalitetit po përcillen me një apati të madhe në vend. Stina e nxehtë e favorizon edhe më shumë për faktin se është stina më e vështirë e vitit, ndërsa shpresa e ndryshimit tashmë duket se është tejet i largët.

Zgjedhjet kanë pak javë që kanë mbaruar. I vetmi referim gjysmë objektiv është viti 2030, vit i mëtuar i integrimit të Shqipërisë, por që kap deri elementë grotesku, kur në ditët tona po përflitet deri për ekzistencë të kësaj status quo të BE-së dhe rrezikun gjithnjë e më të afërt të luftës. Ndërkohë apatia ka kapur çdo segment të së përditshmes, ndërsa situata në vend dhe sidomos tollovia e drejtimit nga PS-ja dhe papërgatitjes për shumë problematika të administratës së saj tregojnë se gjërat janë të vështira për t’u ndryshuar.

Studiuesit e lidhin termin “apati” sidomos në Evropën Lindore me shumë elementë kompleksë, të cilat janë të ndikuar kryesisht nga faktorë historikë, shoqërorë dhe politikë. Lajm i mirë është se nuk konsiderohet si tipar universal, por është përgjigje ndaj realiteteve tona specifike, ku tek ne ligjërohet sepse Berisha është prej 35 vitesh në fokus të Shqipërisë post ’90, kurse Rama nga viti 1998 (27 vjet) është prej gati katër mandatesh. Sëbashku, janë aktorët dhe protagonistët kryesorë politikë-shoqërorë të vendit. Duke pasur parasysh trashëgiminë e historisë së socializmit; zhvillimet ekonomike në vend, në disa momente që e ccuan vendin në zgrip; dhe mos arritjen e objektivave nga politika për demokracinë (ende s’kemi zgjedhje të pranuara), apatia tashmë është një reagim fare i arsyeshëm ndaj këtij realiteti. Dhe, pavarësisht njëfarë rritjeje ekonomike, e cila shikohet në vendet tona në Ballkan; pabarazitë e të ardhurave dhe mundësive janë të mëdha; kurse lodhja e publikut për lëvizje sociale ka përcjellë në një frustrim dhe ndjenjën që po e përjetojmë të gjithë se përpjekja individuale është fare e kotë. Nuk ndryshon asgjë. Ky realitet është fat vetëm i qeveritarëve dhe njerëzve pranë tyre që nuk i ndahen protagonizmit dhe që po ndikojnë t’i zbrazin vendet e tyre. Duke nisur me Shqipërinë dhe Kosovën, që dikur ishin krenare për popullsitë e reja në kontinent duke vazhduar me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Federatën e Bosnje Hercegovinës, tashmë ballkanasit garojnë për të ikur.

Shqipëria e ka të gjallë trashëgiminë e autoritarizmit dhe këtë e shikon deri në diskursin e liderëve të partive që lapsuset Frojdiane u nxjerrin fjalë për fjalë shprehjet e komunizmit, tranzicionet ekonomike dhe ndjenja e pafuqisë përballë diçkaje që nuk ndryshon…po e lodh vendin. Por nuk “e kupton” as Rama dhe ca më keq dhe opozita, që pason vetëm veprimet e tij, pa asnjë ide të re, duke i shërbyer pak individëve./kb

Plani për punësimin e emigrantëve/ Zbardhet projekti i qeverisë

By: el da
21 July 2025 at 07:20

Diaspora mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Jo vetëm me të drejtën e votës së mundësuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, por duket se ka një plan për t’i ftuar shqiptarët e larguar jashtë të rivijnë në atdhe.

Në strategjinë kombëtare për migracionin, parashikohen lehtësim politikash për rikthimin dhe riintegrimin e emigrantëve në shoqërinë shqiptare.

Në dokumentin e punuar në bashkëpunim edhe me Organizatën ndërkombëtare të migracionit theksohet një projekt që pritet të nis në 2026 si një fushatë e gjerë informuese për mundësitë e punësimit në vend, e cila do të zgjas katër vite me institucione përgjegjëse Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme dhe përfshirjen gjithashtu të Ambasadave dhe shoqatave me vlerë rreth 70 milionë lekë.

Së pari, planifikohet që deri në 2026 të jetë kryer identifikimi i kapaciteteve intelektuale dhe profesionale të emigrantëve shqiptarë. Mbi 56 milionë lek mendohen të shkojnë po ashtu për krijimin e stimujve për të promovuar kthimin e emigrantëve përkohësisht ose përgjithmonë, me qëllim transferimin e aftësive të fituara jashtë dhe për të sjellë vlera të reja kulturore në vendlindjen e tyre.

Më tej vlerësohet e nevojshme anketimi dhe konsultimi vjetor me sipërmarrësit shqiptarë që qëndrojnë jashtë vendit, për të matur nivelin e interesit të tyre për investime në Shqipëri dhe për të identifikuar pengesat kryesore që hasin institucionalisht.

E për ata që janë rikthyer kërkohet monitorimi i tyre në tregun e punës si dhe raportimi periodik në lidhje me nevojat që paraqesin në zyrat e punës, me qëllim përmirësimin e programeve të punësimit. /TCH/Kb

❌
❌