Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Gazeta Fjala

SPAK mbyll hetimin ndaj ish-deputetit Çyrbja (3 vepra penale)

By: el da
15 July 2025 at 18:55

SPAK, ka përfunduar hetimin e nisur ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. Në dosjen e dërguar në gjykatë, ku janë të pandehur edhe Ahmet Masha dhe Altin Hajri, SPAK kërkon gjykimin e tyre për veprat penale të “tregimit të sekretit shtetëror”, “përkrahje të autorit të krimit” dhe të “korrupsionit në zgjedhje”.

Sipas SPAK, në 8 episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020- mars 2021, të pandehurit janë vënë në dijeni të të dhëna nga sistemi “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informatave sekrete të Policisë së Shtetit për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Referuar hetimit, këto informacione i janë përcjellë të kërkuarve përmes aplikacionit SKY ECC, çka i ka ndihmuar ata t’i shpëtojnë arrestimit.

Nga ana tjetër, SPAK pretendon ish-deputeti Çyrbja ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, aktualisht i shpallur në kërkim edhe për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës. Të njëjtit, ai akuzohet se i ka premtuar ushtrim të ndikimit në Polici dhe prokurori në këmbim të mbështetjes elektorale.

Për llogari të hetimit të kësaj çështjeje, SPAK ka analizuar jo vetëm komunikime në platformën “SKY EÇ”, por edhe në atë “Matrix”. Në përmbajtjen e tyre evidentohet njohja mes të pandehurve, veprimet e paligjshme të pretenduara nga SPAK, por edhe pohim i vendtakimeve me punonjës të policisë, nga janë informuar për operacionet policore. Struktura e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ka veçuar një hetim, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tre të pandehurve, të cilët kanë zbuluar akte “sekret shtetëror”. m.p.

Rusia nuk trembet, Lavrov: Të shohim se ç’dëshiron në të vërtet SHBA-ja

By: el da
15 July 2025 at 18:44

Ministri i Jashtëm rus thotë se nuk ka dyshim se Moska do të jetë në gjendje të përballojë çdo sanksion të ri nga SHBA-të.

Sipas mediave të huaja, Sergei Lavrov po fliste në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë.

I pyetur në lidhje me kërcënimin e Trump për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nëse Kremlini mund të vazhdojë bisedimet me Uashingtonin, Lavrov tha: “Do të donim të shihnim se çfarë fshihet pas kësaj deklarate nga presidenti Trump”.

“Tani janë 50 ditë, më parë ishin 24 orë, kemi dëgjuar për 100 ditë më parë. E kemi kaluar tashmë. Duam të shohim se çfarë dëshiron në të vërtetë SHBA-ja”, tha Lavrov.
Ministri rus tha gjithashtu se e kuptonte që po ushtrohej “një sasi e madhe presioni” ndaj SHBA-së nga udhëheqja e BE-së dhe NATO-s.

Ai shtoi: “Ekziston një shprehje që kemi: Mos i hap një gropë dikujt tjetër ose do të biesh në të.”

“Sanksionet që po përgatiten në Bruksel nga BE-ja dhe ky kanal sanksionesh që ekziston tashmë, duan ta fusin edhe SHBA-në në të”, shtoi ai. m.p.

Policia e Vlorës aksione blic: gjoba të majme dhe konfiskim makinash

By: el da
15 July 2025 at 18:37

Drejtoria e policisë së Vlorës ka vijuar kontrollet në të gjitha rrugët e qytetit bregdetar për evidentimin dhe ndëshkimin e parkimeve të parregullta që pengojnë lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Mësohet se përveç gjobave të majme për shoferët e mjeteve, policia ka bërë dhe konfiskimin e mjeteve me karrotrec, ndërsa shoferët rrezikohet të ndiqen edhe penalisht.

Burimet për mediat bëjnë me dije se gjatë katër ditëve të fundit janë vendosur mbi 200 gjoba, si edhe heqja e makinave me karrotrec ku pronari i makinës duhet te kryejë pagesën e gjobës dhe më pas mund te marre makinën. m.p.

Sulmet izraelite vrasin 12 persona në Luginën Bekaa të Libanit

By: el da
15 July 2025 at 18:24

Të paktën 12 persona janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Luginën Bekaa lindore të Libanit.

Shtatë sirianë, përfshirë një familje me pesë anëtarë, dhe tre libanezë u vranë kur u godit zona Ëadi Faara, shkroi guvernatori i Baalbek-Hermel, Bachir Khodr, në X. Dy vdekjet e tjera u raportuan në Shmustar.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur një numër bazash ushtarake që i përkisnin grupit të armatosur Hezbollah, duke përfshirë kampe stërvitjeje të lidhura me Forcën e saj elitare Radëan.

Këto ishin sulmet më vdekjeprurëse që nga armëpushimi që i dha fund një viti luftimesh midis Izraelit dhe Hezbollahut, duke përfshirë dy muaj luftë të përgjithshme që e la grupin të dobësuar rëndë.

Hezbollahu nuk ka komentuar ende mbi sulmet, megjithëse kanali i tij televiziv Al-Manar tha se ato përbënin shkelje si të armëpushimit ashtu edhe të sovranitetit të Libanit. m.p.

Kanadezët zbulojnë Shqipërinë: Një perlë ballkanike!

By: el da
15 July 2025 at 18:18

Vendi ynë vijon të rrëmbejë vëmendjen e agjencive më të mëdha turistike botërore, që sugjerojnë njëkohësisht se mbetet një nga destinacionet e kësaj vere.

Një prej tyre është “G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është njëherësh partner me “National Geographic”, dhe që shkruan se “e fshehur në një cep të Detit Mesdhe, Shqipëria është një bukuri ballkanike me trashëgimi të pasur, plazhe të bukura që po riprezantohet si një nga destinacionet më të dashura të Mesdheut.”

Kanadezja “G Adventures” rendit në artikullin e radhës se në Shqipëri mund të përjetoni historinë e periudhave të ndryshme, duke nisur me Gjirokastrën, qytetin e gurtë përrallor me rrugët me kalldrëm që të çojnë në shpatin e kodrës tek kalaja unike.

Në brendësi të artikullit për Shqipërinë, kanadezja “G Adventures” ndalet në Amfiteatrin e Durrësit, të epokës romake, dikur vendi i betejave të gladiatorëve, që sot është një atraksion turistik që duhet vizituar.

“Mahnituni nga fortesa që shikon nga Berati, një nga vendet magjike të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, i listuar nga UNESCO. Kudo që të ecni, do të shihni shtëpitë karakteristike dhe më pas mund të merrni shtegun me kalldrëm drejt rrënojave të kështjellës në majë të kodrës.”

“G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është partner me “National Geographic”, sugjeron për vizitorët edhe Rivierën e bukur shqiptare. “Riviera Shqiptare është një vend me diell dhe me plazhe me rërë të artë dhe vende të UNESCO-s që tërheqin vizitorët e festivaleve dhe ata që e duan historinë.”

Në artikullin e detajuar përmendet Dhërmiu, vendi argëtues ku ka shumë festivale dhe adhuruesit e muzikës elektronike dynden në brigjet mesdhetare të Dhërmiut për të shijuar diellin dhe për të pirë në baret e plazhit.

Më tej, tur-operatori kanadez “G Adventures” sugjeron Porto Palermon si një vend të qetë me Kalanë e Ali Pashës për të vëzhguar gadishullin e bukur. Në listën e sugjerimeve të “G Adventures” nuk mungojnë as Himara dhe Vlora, destinacione të cilat kanë plazhe të kristalta dhe ia vlen të vizitohen.

Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada përmend Butrintin si një zonë mahnitëse me bukuri natyrore dhe mrekulli arkeologjike e shtigje këmbësorësh që të lënë pa fjalë.

“Alpet Shqiptare janë një vend i mrekullueshëm për dashamirësit e natyrës së egër dhe vargmalet shtrihen në Kosovë dhe Mal të Zi, dhe majat shkëmbore janë një mikpritëse për shëtitësit, shkruhet në publikimin e fundit të “G Adventures”.” m.p.

Serbët i pengon flamuri shqiptar, dështon takimi në Preshevë

By: el da
15 July 2025 at 18:07

Një takim në mes kryetarit të Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq e ushtruesin e detyrës së drejtorit të shërbimit të TK në Bujanoc, Nenad Mitroviq dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka dështuar për shkak se dy serbët, kanë refuzuar të mbajnë takim në një sallë ku ishte i vendosur flamuri kombëtar shqiptar.

Rexhepi ka shkruar se flamuri nuk është kusht, është përfaqësim dhe nuk hiqet ppor qëndron.

Gjatë ditës së sotme, me kërkesë të Trupit Koordinues, ishte paraparë të mbahet takim mes kryetarit të Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq e ushtruesin e detyrës së drejtorit të shërbimit të TK në Bujanoc, Nenad Mitroviq dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Rexhepi ka shkruar në Facebook se qysh nga kërkesa për takim, e ashtu edhe gjatë organizimit të detajeve të takimit, nga zyrtarët e Trupit Koordinues kishte tendenca dashakeqe që si i tillë të dështojë, por sigurisht tendencat ishin që barra e fajit për dështimin e takimit të bie mbi Këshillin Kombëtar Shqiptar.

“Fillimisht, kërkesa e tyre ishte që takimi të mbahej në ambientet e shërbimit të Trupit Koordinues në Bujanoc, e pas refuzimit tonë, kërkesa e radhës, edhe më absurde se e para, ishte që takimi të mbahet në, siç thonin ata “lokacion neutral”, gjegjësisht në Sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc. Këto kërkesa absurde, që në thelb përbëjnë mosnjohjen e Këshillit Kombëtar, si institucioni i vetëm që përfaqëson shqiptarët, nga ana jonë morën përgjigjen definitive, që takimi duhet të mbahet në hapësirat e Selisë së KKSh. Edhe pas dakordimit përmes komunikimit zyrtar mes Trupit Koordinues dhe shërbimit të Këshillit, kërkesa tjetër ishte që takimi të mbahet, por në ambiente ku nuk ka asnjë flamur të vendosur. Në këto hapësira, që nga themelimi i Këshillit si institucion e deri më tani, janë mbajtur takime të ndryshme me zyrtarë e përfaqësues shtetëror të Serbisë, pikërisht në hapësirat ku qëndron i vendosur flamuri kombëtar. Prandaj, informacionin se flamuri kombëtar do të qëndroj në hapësirat ku ishte paraparë takimi, zyrtarët e Trupit Koordinues e kishin të qartë, dhe mbi këto premisa u dakordua takimi i sotëm në ora 14:30”, ka shkruar ai.

Sipas tij, skenari i dobët, i përgaditur vetëm për spektakël mediatik, kinse kryetari i Trupit Koordinues u ndie i befasuar me flamurin kombëtar në zyrën e takimit, ishte skenë sa e gërditshme, po aq denigruese për një përfaqësues shtetëror.

“Një shfaqje si kjo e sotmja, më së miri dëshmon mbi mosdurimin që ka në përgjithësi kjo garniturë udhëheqëse e Serbisë, e të cilën sot vetëm e interpretoi Aleksandar Martinoviq e Nenad Mitroviq. Kërkesat tona, të parapara që të diskutohen në takimin e paraparë, ishin që të diskutohej mbi Planin Aksional për periudhën 2023-2026, i aprovuar nga vet Qeveria e Serbisë, e ku Trupi Koordinues ishte ndërmjetës në implementimin e tij. Poashtu kërkesë që do t’i bëhej hapur sot Aleksandar Martinoviqit, ishte që Plani Aksional do të diskutohet vetëm në nivele të larta shtetërore, edhe atë vetëm pas një raporti deri ku ka arritur realizimi i tij deri tani dhe cilat do të jenë hapat konkret në të ardhmen. Në të kundërtën, çdo tentativë përmes Martinoviqit e Mitroviqit që me mbështetje simbolike të projekteve të caktuara dhe dialog bosh, është vetëm prolongim dhe tentim për ikjen nga përgjegjësia të cilën e kanë ndaj dokumenteve të nënshkruara nga vet institucionet shtetërore”, ka shkruar ai, derisa ka shtuar se për situatën e krijuar sot, do të njoftohen në detaje të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe ambasadat, të cilat veprojnë në Serbi, e po ashtu edhe Tirana e Prishtina. m.p.

PSG do të shtangë botën: 250 mln euro për yllin e Premier League

By: el da
15 July 2025 at 17:55

PSG po përgatitet të bëjë disa goditje të mëdha në merkato. Objektiv i madh i parizienëve është Cole Palmer, lojtari më i mirë i finales, ku francezët u mundën në mënyrë spektakolare nga Chelsea.

Drejtuesit e PSG-së po hartojnë një plan ambicioz për të nënshkruar me 23-vjeçarin dhe sipas raportimeve të ndryshme nga mediat franceze, bëhet fjalë për një shifër historike. PSG po përgatit një ofertë prej 250 milionë eurosh për të transferuar këtë verë Cole Palmer.

Në këtë mënyrë, PSG po mendon të thyejë rekordin e historik të vendosur po prej tyre kur transferuan Neymar në vitin 2017 nga Barcelona për 222 milionë euro. Megjithatë, Chelsea nuk ka ndërmend të heq dorë prej Cole Palmer, pavarësisht ofertës tunduese të PSG-së.

Gjithsesi, javët në vijim pritet të nisin negociatat zyrtare mes palëve dhe pritet një verë e nxehtë në aksin Londër-Paris. m.p.

Mediat e huaja: Trump i kërkon Ukrainës të bombardojë Rusinë

By: el da
15 July 2025 at 17:49

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus. Trump madje duke e pyetur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëse ai mund ta godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, raportoi të martën Financial Times, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.

Duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelensky, kjo media shkruan se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai ofronte armë të afta për ta bërë këtë. Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të mediave të huaja për koment.

“Volodymyr, a mund ta godasësh Moskën?… A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?” tha Trump, sipas Financial Times.

Lajmi vjen ndërsa Trump duket se po përmirëson raportet me Ukrainën pas muajsh të tërë marrëdhëniesh të trazuara, duke i ofruar armë të përparuara vendit të shkatërruar nga lufta nëpërmjet një marrëveshjeje me NATO-n dhe duke e kërcënuar Rusinë me “tarifa të ashpra” nëse Putin nuk pranon një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh. m.p.

Ernest Simoni në konferencën e ekzorcizmit në New Jersey, mban lutjet në shqip

By: el da
15 July 2025 at 17:38

Kardinali Ernest Simoni ka mbajtur lutjen në shqip në konferencën “Mbrojtja e Fëmijëve të Perëndisë” e organizuar nga John Leaps Evangelization në Neëark të New Jersey.

Ernest Simoni është shpallur Kardinal nga Papa Françesku në një koncistori të mbajtur më 19 nëntor 2016, ndërsa është i njohur për mbijetesën e tij ndaj persekutimit nën regjimin komunist shqiptar. Simoni u burgos më 24 dhjetor 1963 nga qeveria e asaj kohe pasi kreu një Meshë për vdekjen e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy. Në atë kohë, Simoni u torturua dhe iu kërkua që të martohej për të hequr dorë njëherë e mirë nga besimi i tij.

Kardinal Simoni ka treguar në shqip historinë e jetës së tij, ndërsa risjell dhe njëherë në kujtesë takimin me Papa Shën Gjon Pali II dhe Nënë Terezën, kur ata vizituan Shqipërinë pas rënies së komunizmit.

“Shqipëria u bekua nga Gjon Pali II kur ai mbërriti në Shqipëri [në vitin 1993, menjëherë pas rënies së komunizmit]”, tha kardinali. “Ai u përpoq të lidhej me popullin shqiptar dhe ky është bekimi më i madh që patëm [nën komunizëm].”

Kardinali Simoni theksoi rëndësinë qendrore të dashurisë vëllazërore në besimin e krishterë, duke thënë se, për sa kohë që pjesëmarrësit në konferencë e jetojnë këtë vëllazëri dhe e mbajnë Krishtin pranë, nuk kanë pse të kenë frikë nga demonët.

Pas fjalimit të mbajtur në gjuhën shqipe, 96-vjeçari Ernest Simoni kreu një ekzorcizëm të sendeve personale dhe më pas u lut në latinisht për çlirimin e të gjithë botës nga e keqja dhe nga ndikimi djallëzor.

Në fund Ernest Simoni e mbylli fjalimin me një thirrje të fortë drejtuar të gjithë botës për të vepruar dhe për të mos harruar se të gjithë i përkasin Jezu Krishtit.

“Çdo gjë që bëjmë dhe çdo gjë që jemi. Nuk mund ta harrojmë kurrë se i përkasim Jezu Krishtit”. m.p.

Erion Braçe: Deputetët e rinj të PS nuk janë gati për politikë

By: el da
15 July 2025 at 17:27

Deputeti i PS, Erion Braçe për Report TV komenton edhe Akademinë politike të PS. Braçe thotë se ende deputetët e rinj, nuk janë gatti të bëjnë punën e deputetit që javën e parë të shtatorit.

Raziela Myslimaj: Ajo që ju po bëni me shkollën verore në Partinë Socialiste, mendoni që do duhet të ishte një strukturë brenda Kuvendit të Shqipërisë. Pra, ju jeni një nga lektorët, trajnoni deputetët e rinj, që i njihni me organigramën, me mënyrën se si funksionon kuvendi, me rolin që ata do të kenë. Duhet ta bëjë Kuvendi këtë dhe jo Partia Socialiste?

Erion Braçe: Jo në çdo rast mund të qeshë deputet të gatshëm, por duhet të synosh. Të kandidosh njerëz që mund të jenë të gatshëm të bëjnë punën në Kuvend. Në qoftë se listat e mbyllura kishin ndonjë vlerë, kishin vlerë që ti të merrje apo të sillje të sillje në Kuvend njerëz të gatshëm për të bërë punën e deputetit në Kuvend, se është punë.

Raziela Myslimaj: E ka ruajtur bërthamën Partia Socialiste me këto zgjedhje, të njerëzve profesionistë të aftë të punojnë në Kuvend?

Erion Braçe: Po bërthamën e ka ruajtur por unë do doja që të 83, të ishin të gatshëm që në javën e parë të shtatorit të shërbenin si deputetë në Kuvend. Janë të gatshëm? Jo. m.p.

Baton Haxhiu kërkoi mbylljen e RTSH-së, reagon Mevlan Shanaj:

By: el da
15 July 2025 at 16:53

Aktori i mirënjohur Mevlan Shanaj, ka reaguar pas letrës publike të analistit Baton Haxhiu dërguar drejtoreshës së Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), gazetares Eni Vasili. Analisti ka parë si një “zgjidhje” mbylljen e RTSH-së, duke shkruar se institucioni ka nevojë për rithemelim dhe për një tjetër qasje.

Për aktorin Shanaj, ideja e Baton Haxhiut është shkatërrimtare, duke vijuar të thotë se nuk është politika ajo që sot po ndikon negativisht në rrugëtimin e RTSH-së, por paaftësia e menaxhimit dhe mungesa e personelit me aftësi krijuese.

“Nga sa kam kuptuar, aty është mbytur roli i regjisorit apo gazetarit krijues! Vetëm këto figura krijojnë fytyrën artistike! Sa për garën politike mendoj se RTSH është shumë komod, pasi forcat politike kanë nënshtruar kanalet private të cilat janë nonstop media në shërbim të përfaqësimit respektiv politik nën shëmbëlltyrën e shëmtuar të politikës siç behej në redaksitë politike në RTSH vite të shkuara, por ne të krijimtarisë artistike e kishim fituar garën me spektakle, koncerte, dokumentarë, drama apo filma ! Ne kishim publikun me vete! Baton, jepe kontributin tënd për t’i shërbyer publikut shqiptar me ide krijuese dhe jo shfaruese”, shkruan ndër të tjera Mevlan Shanaj.

“Lidhur me idenë për të ftuar specialistë nga BBC, kjo rrugë duhet ndjekur duke mos u mbyllur, por duke transformuar me ndërhyrje të veçanta! Tokës i ndërrohen bimët por nuk e groposin! Po të thotë një njeri që punoi më se 30 vjet në atë Imstitucion që e di çdo të thotë kontroll, cenzurë dhe dënime, por jo deri në këtë pikë siç po thua ti, pasi kam dëgjuar në këto kohë dhe fjalën asgjesim! Hapësirat publike nuk janë të nevojshme vetëm për territore, por edhe për botën e komunikimit, informacionit dhe artit”. m.p.

Protestoi për pagë më të lartë, vagonisti pushohet nga puna në minierën e Bulqizës

By: el da
15 July 2025 at 16:45

Një prej punëtorëve të minierës së Bulqizës, i cili ishte pjesë e grupit të negociatave mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe kompanisë Albchrome, është shkarkuar nga puna pas përfshirjes në protesta. Altin Kola, i cili mbante pozicionin e vagonistit në minierë dhe me një eksperiencë prej 11 vitesh, ka marrë një shkresë zyrtare nga kompania, ku i komunikohet zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës.

Në shkresën e firmosur nga administratori i përgjithshëm i Albchrome, Cemil Acar, thuhet se Kola ka kryer veprime në kundërshtim me detyrimet kontraktuale, duke dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë dhe duke ndikuar në “përshkallëzimin e marrëdhënieve me punëmarrësit”.

Në mjediset publike të Minierës së Kromit në Bulqizë në mars 2025, pas protestave disa ditore të punëtorëve ishte vendosur një njoftim zyrtar nga kompania. Njoftimi i cilësonte veprimet e tyre si një “grevë e paligjshme” dhe paralajmëronte pasoja të rënda administrative dhe ligjore. Kompania i akuzonte punonjësit se kanë braktisur vendet e punës pa njoftim paraprak dhe se kanë krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikonte sigurinë e minierës dhe veprimtarinë normale të saj.

Nga ana tjetër, punëtorët e kanë konsideruar largimin e Kolës një veprim hakmarrës nga kompania.

Të hënën që lamë pas, punonjësve të minierës së Bulqizës u është shpërndarë nga kompania Albchrome një “Deklaratë përgjegjësie individuale”, të cilën ata janë ftuar ta plotësojnë me të dhënat personale dhe ta firmosin. Në këtë dokument, punëtorëve u kërkohet të distancohen nga çdo akt apo thirrje për ndërprerje të paligjshme të punës, të angazhohen për të vijuar normalisht detyrat sipas kontratës dhe të deklarojnë se nuk janë ndikuar apo nuk do të ndikohen nga persona të tjerë për të ndërmarrë veprime proteste. Deklarata paralajmëron se përfshirja në veprime të paligjshme konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore, që mund të çojë deri në shkarkim nga puna apo ndjekje civile dhe penale.

Kompania Albchrome gjithashtu u ka njoftuar punëtorëve se do të aplikojë një rritje page në masën 5%. Njoftimi është bërë në vijim të protestës disa ditore të punonjësve, të cilët kishin kërkuar më herët një rritje prej 10%, si dhe përmirësim të kushteve të punës. Megjithatë, shumë prej minatorëve e kanë konsideruar këtë rritje të pamjaftueshme dhe një reagim të vonuar ndaj premtimeve të mëparshme që, sipas tyre, nuk janë përmbushur.

Në vitin 2022, Albchrome u shit nga Balfin Group te konglomerati turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”, i cili prej asaj kohe ka marrë në dorë administrimin dhe operimin e aktiviteteve minerare në Bulqizë dhe jo vetëm.

Sektori minerar konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme të punës, ku punëtorët përballen me kushte të vështira dhe rreziqe të larta për jetën dhe shëndetin. Aksidentet në miniera shpesh çojnë në pasoja tragjike, duke përfshirë vdekje të punëtorëve ose dëmtime të rënda që sjellin paaftësi të përhershme.

Punonjësit e minierës së Bulqizës protestuan edhe në mars të vitit 2025 për rreth një javë, duke kërkuar rritjen e pagës dhe kushtet e punës. Megjithatë, ata ndërprenë përkohësisht protestën pasi kompania u premtoi në atë kohë se do të adresonte kërkesat e tyre dhe do të ofronte një zgjidhje të pranueshme.

Kompania Albchrome, si aktori kryesor në sektorin minerar në Shqipëri, punëson qindra punonjës në Bulqizë, Klos, Mat dhe Elbasan. m.p.

“200 mijë euro për kokën e dhëndrit të Qazim Sejdinit”

By: el da
15 July 2025 at 16:37

I penduari i tretë në dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi, ka dhënë këtë të martë dëshminë e tij para Gjykatës së Posaçme.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ai zbardhi detaje tronditëse për disa nga vrasjet e bujshme dhe porositë e ndryshme për vrasje.

Tasi tha se ishte përhapur fjala se Çapjat ofronin 200 mijë euro për kokën e dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit.

Ai gjithashtu ka rrëfyer disa ndjekjet e shumta që u bënin ‘viktimave’ përpara se të vepronin, shkruan A2 CNN.

Avokatët kërkuan procesverbalin e dëshmisë së sotme të Skerdi Tase, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, në mënyrë që të përgatisin pyetjet. m.p.

Milan-Napoli, ka nisur gara e ethshme për talentin e Serie A

By: el da
15 July 2025 at 16:26

Giorgio Scalvini është bërë protagonisti i fundit i një gare të zjarrtë në merkaton e verës. Sipas raportimeve të fundit nga “SportMediaset”, mbrojtësi i talentuar i Atalantës është objektivi i përbashkët i Milanit dhe Napolit, dy gjigantë të Serisë A që po kërkojnë të forcojnë repartin e tyre defensiv.

I lindur në vitin 2003, Scalvini përfaqëson një profil të jashtëzakonshëm për nga teknika, fleksibiliteti dhe fiziku, cilësi që kanë ngjallur interes të madh sidomos te Masimiliano Alegri, i cili shpreson ta bëjë pjesë të projektit të ri kuqezi.

Milani ka nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit për të kuptuar nëse operacioni është i realizueshëm. Një ofertë konkrete për Atalantën ende nuk është dorëzuar, por ideja që qarkullon në ambientet e Milanelos është një shkëmbim me Çaun plus 15 milionë euro. Një propozim që për momentin nuk ka bindur drejtuesit e klubit bergamask. m.p.

Deputetja Dhima publikon pamje nga Darëzeza, por “harron” naftën që bëhet lumë

By: el da
15 July 2025 at 16:16

Deputetja e PS Antoneta Dhima ka publikuar ditën e sotme disa pamje nga Darëzeza, por ajo që duket në pamjet me dron është një derdhje masive nafte.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja ka publikuar një foto të peisazhit të cilën e konsideron si një nga peisazhet më të bukura.

“Fundjavë të mbarë me këtë peizazh të bukur në Grykederdhjen e lumit Vjosa”, shkruan deputetja. m.p.

Sponsorizimet, City parakalon Barcelonën, por vendi i parë nuk lëviz

By: el da
15 July 2025 at 16:09

Manchester City ka nënshkruar një zgjatje kontrate me Puma deri në vitin 2035, duke vendosur një rekord të ri dhe duke u bërë klubi i Premier League me marrëveshjen më fitimprurëse në ligë me një sponsor teknik.

Në fakt, Citizens kanë siguruar të paktën 1 miliard paund në total deri në fund të kontratës, e cila më parë skadonte në vitin 2029 dhe u lejonte atyre të fitonin 65 milionë paund, ose 74.8 milionë euro me kursin aktual të këmbimit, ndërsa duke filluar nga sezoni i ardhshëm kjo shifër do të rritet në mbi 115 milionë euro.

Siç u përmend, ky është një rekord për ligën angleze, me Cityn që tejkalon rivalët e tyre të qytetit Manchester United, të cilët në korrik 2023 nënshkruan një marrëveshje të re me Adidas me vlerë 105 milionë euro në sezon. Megjithatë, marrëveshja nuk është e mjaftueshme për të kapërcyer Real Madridin, i cili kështu mbetet klubi me marrëveshjen më të lartë me një sponsor teknik (Adidas).

Në 10 kontratat më fitimprurëse të sponsorëve teknikë (duke marrë parasysh vetëm tarifën bazë dhe jo sponsorët e lidhur), Juventusi është i vetmi klub italian dhe renditet i dhjeti, falë marrëveshjes së tyre me Adidas për një tarifë vjetore – siç tregohet nga të dhënat e fundit zyrtare financiare – prej 46 milionë eurosh. Minimumi i garantuar për Bianconerët do të rritet më pas në afërsisht 40.8 milionë euro për sezon kur rinovimi i nënshkruar së fundmi me gjigantin gjerman të veshjeve sportive të hyjë në fuqi në vitin 2027/28.

Kjo është renditja:

Real Madrid (Adidas) – 120 milionë euro;
Manchester City (Puma) – 115 milionë euro;
Barcelona (Nike) – 105 milionë euro;
Manchester United (Adidas) – 105 milionë euro;
Arsenal (Adidas) – 85 milionë euro;
PSG (Nike) – 80 milionë euro;
Liverpool (Adidas) – 70 milionë euro;
Chelsea (Nike) – 70 milionë euro;
Bayern Munich (Adidas) – 60 milionë euro; m.p.

Familja bllokonte parkimin e pallatit me blloqe betoni/ Arrestohet babai, nën hetim djali

By: Ke Si
15 July 2025 at 16:00

Një situatë absurdi është regjistruar në Tiranë, në rrugën “Ali Demi”, ku një familje bllokonte një hapësirë publike me blloqe betoni, përpara hyrjes së një parkimi në pallat.

Sipas policisë, kjo familje pretendonte për pronësinë mbi këtë hapësirë publike, dhe konfliktoheshin vazhdimisht me banorët e zonës që të mos parkonin automjetet.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet disa ditë më parë për këtë ngjarje, duke arrestuar me 7 Korrik 2025, 67-vjeçarin B.D. për 4 akuza; të falsifikimit të dokumenteve, pengimit të qarkullimit të automjeteve, vetëgjysi dhe kanosje.

Atë periudhë, policia hoqi 2 automjete që përdoreshin për të bllokuar rrugën dhe u sekuestruan. Ndërsa sot u hoqën blloqet e betonit dhe nisi hetimi për djalin e 67-vjeçarit, 25-vjeçarin E.D.

Babë e bir akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet për pronën që pretendonin se u përkiste dhe e bllokonin me vetëgjyqësi.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Vijon puna e mirorganizuar policore, në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, për lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.

Lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë, për këtë paligjshmëri.

Procedohet penalisht djali i 67-vjeçarit.

67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.

Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtes së Trotuarëve dhe Zgarave bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën “Ali Demi”.

Sot, nga hapësira u hoqën blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete.

Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme.

Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./E.T

Ministria e Bujqësisë: Fermerët s’janë fajtorë, nuk synojmë të vendosim gjoba

By: Ke Si
15 July 2025 at 15:51

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka dalë me një njoftim zyrtar pas aksionit të fundit për kontrollet e sigurisë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore të produkteve bujqësore. Sipas ministrisë, këto kontrolle nuk janë kundër fermerëve, por janë një hap i domosdoshëm për formalizimin, forcimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.

MBZHR, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, thekson se qëllimi është ndërtimi i një sistemi transparent dhe të kontrollueshëm që garanton sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Fermerët nuk janë fajtorë, por bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë,” thuhet në njoftim. Ministria sqaron se nuk synon vendosjen e gjobave, por krijimin e një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi të pastër, ku çdo hallkë është në shërbim të konsumatorit.

Pikat kryesore të kësaj nisme janë:

-Gjurmueshmëria e produkteve: Për të ditur saktësisht ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar çdo produkt.

-Siguria ushqimore: Rritja e besimit të qytetarëve në cilësinë dhe origjinën e ushqimeve që konsumojnë.

-Transparenca dhe mbështetja: Fermerët e formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar.

Ministria fton të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor bujqësor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurt, duke theksuar se eksportet shqiptare tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare./E.T

OKB: Të paktën 875 palestinezë u vranë duke pritur për ndihmat humanitare në Gaza

By: Ke Si
15 July 2025 at 15:40

Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) ka njoftuar të martën se ka regjistruar të paktën 875 vrasje brenda gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave të udhëhequra prej Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG), i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, si dhe afër autokolonave humanitare të drejtuara prej grupeve të tjera të ndihmës, përfshirë vetë Kombeve të Bashkuara.

Shumica e palestinezëve (674) ishin vrarë pranë zonave të FHG-së, teksa 201 të tjerët kanë humbur jetën përgjatë rrugëve të autokolonave të tjera humanitare.

FHG-ja përdor kompani private të sigurisë dhe logjistikës për të qarkulluar furnizimet humanitare në Gazë, duke e anashkaluar gjerësisht sistemin e ndihmave të udhëhequr prej OKB-së, për të cilin zyrtarët izraelitë kanë pretenduar se i mundëson militantëve të Hamasit të plaçkisin pakot ushqimore që synojnë popullatën civile.

Në këtë fondacion i kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha incidentet e aluduara pranë pikave të saj, teksa i kanë akuzuar Kombet e Bashkuara për “keqinformim”./E.T

Çerçiz Topulli, pushka që nuk heshti për Atdheun

15 July 2025 at 15:33

Nga Leonard Veizi

Një pasdite korriku, kur dielli qëndronte pingul mbi tokë ndërsa tymi i barutit ende errësonte qiellin, një trup luftëtari ra. Nuk kishte më pushkën në dorë, dhe duart i kishte nën pranga, por padyshim emrin e Shqipërisë e mbante në buzë.

Nuk ishte vështirë të kuptohej se ishte një intrige dhe pabesi e madhe.

Ishte 15 korrik 1915. Çerçiz Topulli, kapedani që nuk e njihte frikën, priti në gjoks plumbat e skuadrës së pushkatimit. Bashkë me të ishte dhe atdhetari tjetër, gazetari Muço Qulli. Aso kohe, Çerçizi ishte 35 vjeç dhe u ekzekutua në fushën e Shtoit në Shkodër nga forcat pushtuese malazeze, që kishin hyrë në territorin shqiptar.

Historianët hedhin akuzat nga shovinistët grekë, që me armët e shovinistëve malazezë eleminuan kapedanin, çeta e të cilit vrau dhespot Fotin e Korçës, si shenjë hakmarrje pasi qarqet greke vranë Papa Kristo Negovanin.

Por zhurma e pushkës së tij nuk u fashit. U përhap nëpër histori si krismë që nuk resht së trokituri në ndërgjegjen kombëtare. Ai nuk ra thjesht nga një plumb, por u ngjit në lartësi, atje ku qëndrojnë vetëm ata që jetojnë për të gjithë. Ishte një prej atyre burrave që zgjodhi lirinë përpara jetës.

Nga malet e Gjirokastrës, ku nisi betejën kundër osmanëve më 1907, e deri në përplasjet me trupat greke në Jug në vitet 1913-1914, Çerçiz Topulli ishte jo vetëm armë, por edhe vizion e zjarr që ndizte shpresën e një kombi të përçudnuar nga luftra që nuk mbaronin. Ishte më shumë se një luftëtar: ishte një ide që marshonte mbi male, një flamur i gjallë që nuk u përkul asnjëherë.

Për të përjetësuar këtë jetë, këtë frymë dhe këtë simbol, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi në vitin 1979 filmin “Liri a Vdekje” – një epope kinematografike që nuk shfaq vetëm historinë e një heroi, por ngre një monument për një brez të tërë luftëtarësh. Rolin e Çerçiz Topullit e interpreton aktori Timo Flloko, i cili nuk e portretizon vetëm kapedanin, por bëhet njësh me të. Në çdo shikim të ngulët, në çdo rrudhë mendimi, në çdo britmë për liri, Flloko nuk aktron – ai jeton Çerçizin.

Në ekran, zëri i tij jehoi:

– “Erdhi ora jonë, o trima. Me besa-besën. Ua njoh të gjithëve trimërinë. E di që secilit i vlon gjaku për hakmarrje dhe dora nuk i dridhet. Por ne kemi vendosur që për binbashin të shkojë Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë…”

Janë fjalët e një njeriu që nuk njeh frikë, që udhëheq jo nga prapavija, por nga maja e frontit.

Në një tjetër skenë, mes një rrethimi, komandanti armik, me flamur të bardhë, i ofron dorëzimin:

– “Kapedan Çerçiz Topulli! Hidhi armët ti dhe djemtë e tu. Nuk dua që të vriteni. Në emër të Allahut zotohem t’u fal jetën. Dhe Padishahu do të japë pozita për ty dhe për njerëzit e tu!”

Por përgjigjja është aq e qartë sa heshtja e një mali:

– “Largo taborët, Latif Aga, dhe lëri djemtë e mi të shkojnë. Ne nuk jepemi, se jemi bijtë e Skënderbeut që luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdesë sipas zakonit – me nder për mëmëdhenë!”

Pas kësaj, kapedani u kthye nga djemtë e çetës së tij dhe tha:

– “Këtu bëhet luftë. E kjo luftë u takon burrave. Mbushni armët, or trima!”

Filmi, me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros dhe me skenar të Vath Koreshit, është një poemë e gdhendur në celuloid, për një jetë të shndërruar në legjendë. Ai nuk tregon thjesht një radhitje ngjarjesh, por është një përjetim emocional – një kalvar burrërie, sakrifice dhe vendosmërie.

Sepse Çerçiz Topulli nuk lindi për t’u përkulur.

Dhe kënga që u ngrit atë çast, kaloi gojë më gojë:

Te Rrapi në Mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Turku këtej të mos shkojë,

Se i kuq, i  bëj me bojë, 

Mylazim largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë. 

Çerçiz Topulli më thonë

I lindur në Gjirokastër më 1880, ai u rrit me jehonën e legjendave dhe u bë vetë një legjendë. Bashkë me të vëllanë, Bajo Topullin, organizoi çetat kryengritëse në Jug, vrau komandantin turk të Gjirokastrës më 1908 dhe i tregoi Perandorisë se shqiptarët nuk ishin më nënshtetas të saj, por zotër të tokës së vet.

Pas shpalljes së Pavarësisë, kur shumë pushkë u ulën, ai nuk e hoqi dorën nga brezi me vezme e pisqollë. Luftoi kundër copëtimit të vendit nga fqinjët, mbrojti kufijtë e Jugut nga grekët, dhe pastaj vrapoi drejt Veriut, ku shqiptarët po binin nën çizmen malazeze. Dhe atje, pranë fushës së Shtoit, përballë taborëve të armikut, ai u bë pjesë e dheut që e deshi me gjithë zemër.

Por legjendat nuk mbyllen me plumb. Ato mbeten të hapura në rrëfime, në këngë, në filma, në flamuj që valëviten dhe në rrugë që mbajnë emrin e tyre. E tillë është edhe historia e Çerçiz Topullit. Pushka e tij heshti më 15 korrik 1915. Por fjala, ideali dhe guximi i tij nuk pushuan kurrë.

Më 1937, eshtrat e tij u kthyen në Gjirokastër – në qytetin ku nisi rruga dhe ku prehet sot, si një flamur i palosur në zemrën e Shqipërisë. Dhe kurdoherë që një brez i ri kërkon kuptimin e fjalës atdhe, le të dëgjojë zërin e Çerçizit, që nuk pranoi pozitë, nuk pranoi falje, por zgjodhi të jetojë në përjetësi me një fjalë të vetme:

Liri a vdekje!

 

❌
❌