Simon Jenkins*
Cilat janë gjasat për një hetim publik mbi super-ndalimin informativ të lidhur me Afganistanin? Me shumë gjasa do të ishte një hetim i gjatë, i udhëhequr nga një gjyqtar, që do të zvarritej për tre vjet – kështu funksionon politika britanike kur kërkon ta fshehë ndonjë turp. Dhe po ashtu, cilat janë gjasat që ndonjë prej fajtorëve të shpëtojë pa ndëshkim – për shembull Tony Blair?
Sa më shumë i shqyrtojmë etapat e këtij dështimi, aq më e qartë bëhet se një gafë tërhiqte tjetrën si pasojë e pashmangshme. Nuk kishte asnjë arsye që Britania të pushtonte Afganistanin në vitin 2001. Nëse SHBA kërkonte hakmarrje ndaj regjimit të Kabulit për strehimin e al-Kaidës pas 11 Shtatorit, mund të kishte vepruar si Donald Trump muajin e kaluar ndaj Iranit: një goditje e shpejtë e shkatërruese ndaj udhëheqjes së vendit do të kishte mjaftuar për të dhënë mesazhin.
Përdorimi i nenit 5 të traktatit të NATO-s për të justifikuar pushtimin e Afganistanit ishte i pakuptimtë. Siguria e Amerikës nuk ishte realisht e kërcënuar nga terrorizmi i drejtuar nga Kabuli – po aq sa nuk ishte as ajo e Britanisë. Vendet e tjera të NATO-s, të detyruara të shfaqnin simpati, u kufizuan në role minimale, jo-luftarake. Pasi Kabuli u godit dhe talebanët u larguan, arsyeja dhe kujdesi kërkonin një tërheqje të shpejtë. Edhe komandantët amerikanë nuk e dëshironin një pushtim.
Por Blair nguli këmbë që të bindte Bush-in për “ndërtimin e kombit”, pavarësisht skepticizmit amerikan. Ai ishte i dëshpëruar që Britania të “boksone përtej peshës së saj”. Në fjalimin e tij të famshëm në Çikago në vitin 1999, ai paraqiti doktrinën e tij për “bashkësinë ndërkombëtare”, që në thelb ishte një ftesë për më shumë luftëra. Zyra e Clinton-it e përshkroi ndërhyrjen e tij në Kosovë si një kryeministër që “i kishte hedhur shumë adrenalinë mbi drithërat e mëngjesit”.
Kur lufta erdhi, Blair nguli këmbë që nëndetëset britanike të lëshonin valën e parë të raketave mbi Kabul. Në konferencën e Laburistëve të 2001-it, ai shpalli:
“Ne nuk do ta braktisim Afganistanin, siç ka bërë bota e jashtme kaq shumë herë më parë… Ka vetëm një përfundim: fitorja jonë, jo e tyre.”
Një okupim i plotë dhe një dështim i rëndë
Pasoi një okupim i plotë britanik, që kulmoi në vitin 2006 me një përpjekje të pamatur dhe të dështuar për të shtypur talebanët në Helmand. Një rezultat i kësaj përpjekjeje ishte që për gati 20 vjet, një pjesë e mirë e klasës administrative afgane punonte për forcat pushtuese perëndimore, përfshirë Britaninë. Kur talebanët u rikthyen, këta njerëz besuan – ndoshta në mënyrë naive – se “Perandoria e Vjetër Britanike” nuk do t’i braktiste.
Por, kur lista me 19 mijë bashkëpunëtorë të pushtimit britanik u zbulua, rreziku u bë i menjëhershëm. Ministria e Mbrojtjes u njoftua se një përdorues anonim në një grup të Facebook-ut pretendonte se kishte të gjithë databazën dhe po kërcënonte ta publikonte. Pa e ditur nëse ajo listë ishte ndarë me talebanët, qeveria ndërhyri për të mbrojtur ata që ishin përmendur në të.
Sekretari i Mbrojtjes në atë kohë, Ben Wallace, donte që e gjithë kjo të mbahej e fshehtë. Edhe një gjykatës ra dakord, përkohësisht. Por as vendimi i qeverisë, as ai i gjykatës nuk i rezistuan kohës – dhe as turpit në rritje. Kostoja financiare për të respektuar përgjegjësinë ndaj personave të përfshirë nuk ishte miliona, por miliarda paundë.
Përgjegjësia – dhe harresa
Pjesa më e madhe e fajit bie mbi vetë vendimin për pushtim dhe tërheqjen e mëvonshme. Përpjekja e parlamentit britanik këtë javë për ta politizuar çështjen e rrjedhjes së të dhënave qe qesharake. As kabineti, as parlamenti nuk e ndaluan ndonjëherë pushtimin fillestar të Blair-it. Në vitin 2010, pas nëntë vitesh lufte, parlamenti votoi në shumicë për vazhdimin e pranisë britanike. Po kështu, në 2003, parlamenti ishte po aq në favor të pushtimit të Irakut. Kur në vitin 2021 Boris Johnson më në fund ndoqi SHBA-në në tërheqjen e befasishme, parlamenti nuk ndërmori asnjë veprim.
Në Afganistan humbën jetën 457 ushtarë britanikë. Kostoja për taksapaguesin britanik: 30 miliardë paundë. Rreth 200,000 afganë u vranë, ndërsa 29,700 persona u pranuan për rishpërndarje në Britani midis 2021 dhe 2024. Këto janë faturat e një hakmarrjeje për 11 Shtatorin – dhe krejtësisht të panevojshme. Asnjë shtet tjetër evropian nuk iu bashkua SHBA-së në një shkallë kaq të madhe. Deri më sot, nuk është bërë asnjë hetim për të përcaktuar përgjegjësinë personale.
Britania u përpoq gjatë shekullit XX të tërhiqej me dinjitet nga perandoria e saj. Por duket se udhëheqësit e saj, si Blair, vazhdimisht kanë ndjerë nostalgji për një Britani që ende ka rol në skenën botërore – edhe nëse ky rol është i dhunshëm.
Ndërsa Britania nuk ishte kurrë realisht e kërcënuar, Blair gjeti veten pothuajse gjithmonë në luftë: Kosovë, Sierra Leone, Afganistan dhe Irak. David Cameron u infektua me të njëjtin “virus”, duke ndërhyrë në Libi dhe përpjekur të bëjë të njëjtën gjë në Siri. Ai ndërtoi dy aeroplanmbajtëse gjigante, njërën prej të cilave Boris Johnson nuk mundi t’i rezistonte ta dërgonte në Detin e Kinës Jugore. Pse? Asnjëherë nuk u dha ndonjë shpjegim.
Nëse Donald Trump ka ndonjë virtyt, është ai i të thënit hapur Evropës se epoka e ndërhyrjeve globale ka përfunduar. SHBA është lodhur duke qenë polici i kontinentit të vjetër. Evropa duhet të jetë realiste dhe të kujdeset për punët e saj. Por as ai nuk i rezistoi tundimit për të bombarduar Iranin.
Mësimi i vërtetë
Mësimi nga kjo rrjedhje informacioni nuk është se email-et nuk janë të sigurta – këtë tashmë e dimë.
Mësimi i vërtetë është: Britania nuk duhej të kishte kaluar një çerek shekulli duke u përpjekur të impononte sundimin e saj mbi Afganistanin.
A do të mësojë më në fund?
*Simon Jenkins është kolumnist në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi