Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Opinion.al

Ulet interesi për degën e Mjekësisë/Në garë 40% kandidatë më pak se vitin e kaluar

By: b b
16 August 2025 at 16:58

Testi i informatizuar për pranimet në degën Mjekësi e Përgjithshme në universitetin publik do të nisë të hënën, më 18 gusht, dhe do të vijojë deri më 22 gusht 2025.

Datat dhe oraret e testimit, si dhe ndarja e maturantëve sipas grupeve, janë bërë tashmë publike nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Fakulteti i Mjekësisë Tiranë.

Por këtë vit bie në sy reduktimi me mbi 40% i numrit të maturantëve që garojnë për degën e Mjekësisë. Nga 2035 kandidatë që ishin në garë vitin e kaluar, këtë vit numri është ulur në 1202 maturantë.

Në total, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme janë miratuar 436 kuota pranimi për kandidatët brenda vendit, të cilët do të përzgjidhen në varësi të rezultateve të testit informatizuar, por edhe nga rezultatet e shkollës së mesme.

Nga testi informatizuar, kandidatët marrin 30% të pikëve, ndërsa 70% të pikëve në total i fitojnë nga rezultatet e shkollës së mesme.

Testi do të zhvillohet në mënyrë elektronike, në kushte të kontrolluara dhe të monitoruara, duke garantuar transparencë dhe barazi për të gjithë kandidatët.

Pyetjet përfshijnë lëndët Biologji, Kimikë dhe Fizikë, dhe çdo maturant do të testohet individualisht në kompjuter pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Tiranë, sipas orareve të caktuara.

Tv Klan

Liderët evropianë përkrahin takimin eventual Trump-Zelensky-Putin

By: b b
16 August 2025 at 16:31

Liderët evropianë e kanë ofruar të shtunën mbështetjen e tyre për një samit trepalësh në mes të presidentit amerikan, Donald Trump, atij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologut të tyre rus, Vladimir Putin, pasi në një samit të mbajtur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Alaskë, më 15 gusht, palët nuk kanë arritur marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.

Në një deklaratë të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është insistuar në rritjen e presionit ndaj Rusisë deri në arritjen e paqes, përfshirë vendosjen e sanksioneve.

Liderët evropianë kanë insistuar, gjithashtu, që Moska “nuk mund ta ketë të drejtën e vetos” në vendimet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian apo në NATO.

Rusia, në anën tjetër, e ka bërë të qartë se nuk do ta tolerojë anëtarësimin e Kievit në aleancën veriatlantike. Mirëpo, liderët evropianë, kanë thënë se janë të gatshëm që të punojnë drejt një samiti trepalësh, me mbështetje të BE-së.

Takimi i 15 gushtit në mes të Trumpit dhe Putinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret drejt dhënies fund të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Ne do ta vazhdojmë ashpërsimin e sanksioneve dhe masat tjera ekonomike për të rritur presionin ndaj luftës ekonomike të Rusisë, derisa të ketë paqe të qëndrueshme”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të zyrtarëve evropianë.

Liderët evropianë nuk kanë qenë shumë rehat me takimin Trump-Putin, duke argumentuar se Zelensky do të duhej të ishte përfshirë në samitin në Alaskë.

Në një deklaratë të lëshuar ndaras, Starmer e ka përgëzuar Trumpin për përpjekjet që po bën për t’i afruar palët me fundin e luftës.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili është miqësor me Trumpin dhe Putinin – e ka duartrokitur samitin.

“Për vite me radhë i kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore duke prishur kornizën e bashkëpunimit të tyre dhe duke nisur mesazhe armiqësore. Kjo tani ka marrë fund. Sot bota është vend më i sigurt sesa dje”, ka thënë Orban përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Mirëpo, Macron ka bërë thirrje për kujdes kundër asaj që e ka quajtur “tendencë të dokumentuar nga Putini për mospërmbushje të zotimeve”.

Ai ka kërkuar që secila marrëveshje për paqe t’i përfshijë garancitë “e pathyeshme” të sigurisë.

Edhe presidenti francez ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj Rusisë, derisa të arrihet një paqe e qëndrueshme.

Liderët evropianë i kanë mirëpritur ato që i kanë quajtur “garanci të sigurisë” të përmendura nga Trumpi, por pa dhënë më shumë hollësi.

Një burim diplomatik i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se Trumpi i ka ofruar Ukrainës garanci të ngjashme – por të ndara – me ato të anëtarësimit në NATO.

“Garanci të forta të sigurisë që i mbrojnë interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës janë thelbësore”, ka shkruar von der Leyen në X.

Trump dhe Putini kanë diskutuar për gati tri orë në një bazë ushtarake amerikane në Alaskë.

Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.

Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO./REL

Thethi i rikthehet normalitetit/ Perla shqiptare pushtohet me vizitorë

By: b b
16 August 2025 at 16:15

Thethi i rikthehet normalitetit pas aksionit të korrikut kundër ndërtimeve pa leje, duke u populluar me turistë të shumtë.

E cilësuar si perla e Shqipërisë, turistë nga vende të ndryshme të botës kanë vendosur këtë fshat piktoresk në listën e tyre të vendeve të preferuara.

“Shiko ku jam: të zgjohesh në një ditë me diell, me qiell të kaltër, të rrethuar nga malet, në një fshat të bukur si Thethi, si mund të mos jetë një ditë e mirë. Jam nga Australia, e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe, në total, kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë. E rekomandoj shumë Thethin sepse shtëpitë dhe shtëpitë e pritjes këtu janë thjesht të bukura dhe atmosfera, ndjesia këtu është thjesht magjike, është magjike.”

“Vij nga Austria, përshtypja jonë e parë për Thethin ishte e mrekullueshme sepse nuk e prisnim këtë lloj lëndine në mes të maleve.”

“Është e mrekullueshme, ne po e shijuam shumë të vinim këtu me motoçikleta dhe u ndjemë shumë të relaksuar.”

“Ne na pëlqen të bëjmë hiking dhe na pëlqejnë njerëzit këtu.”

“Jemi nga Austria, ne na pëlqen natyra dhe vendosëm të vinim në Theth sepse kërkuam një vend më të largët.”

“Është shumë fantastike këtu.”

“Jemi nga Zelanda e Re, po e shijojmë atë, është shumë këndshëm.”

“Jam nga Franca, po kërkoja për një vend ku të bëja hiking në malet këtu, pashë këtë dhe disa njerëz ma rekomanduan nga Tirana.”

Thethi është një kombinim perfekt i natyrës së paprekur, traditës dhe mikpritjes shqiptare.

Thethi ofron edhe mundësi të reja për aventurierët.

Një zip line spektakolar i jep mundësinë vizitorëve të shohin nga lart panoramën e fshatit dhe të ndiejnë adrenalinën mes maleve, duke e bërë përvojën edhe më të paharrueshme.

Me bukuritë natyrore që mahnisin dhe aventurat që të krijojnw adrenalinë, Thethi vazhdon të fitojë zemrat e turistëve nga e gjithë bota.

Tv Klan

Golemi dhe Durrësi “gëlojnë” nga pushuesit

By: e xh
16 August 2025 at 16:00

Në mesin e gushtit, plazhet e Durrësit dhe Golemit janë të mbushura me pushues.

Ky fluks i madh ka sjellë një gjallëri të veçantë në bregdet, duke e kthyer këtë vijë bregdetare në destinacionin kryesor të fundjavës dhe të pushimeve verore.

“Do të qëndrojmë 10 ditë këtu. Është shumë bukur, shumë këndshëm.”

“Është hera e parë që jemi në Shqipëri. Është një vend i bukur, me pamje të bukura. Njerëzit janë miqësorë, mund të rikthehemi sërish këtu.”

Hotelet janë pothuajse të gjitha të rezervuara, lokalet dhe restorantet punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa operatorët turistikë e konsiderojnë këtë periudhë si kulmin e sezonit veror.

Nga ana tjetër, fluksi i lartë i pushuesve reflektohet edhe jashtë plazhit. Trafiku në rrugët kryesore që lidhin zonat bregdetare rëndohet ndjeshëm, sidomos gjatë fundjavave. Klan News

Aksioni/Rezultatet në Shkodër, Beci: Lirohen mbi 470 hapësira publike. Sa gjoba..

By: e xh
16 August 2025 at 15:57

Kreu i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka publikuar rezultatet nga aksioni për lirimin e hapësirave publike. Konkretisht siç bën me dije Beci në Facebook deri më tani janë liruar mbi 470 hapësira publike në 12 akse kryesore të qytetit.

‘Janë dhënë përgjigje për 286 ankesa të mbërritura në Sallën e Koordinimit dhe Komandimit. Po vijon puna për verifikimin e 200 ankesave të depozituara në portalin “Hapësira Ime”. Janë përpiluar 386 akte konstatimi, si dhe janë vendosur 121 masa administrative’, shkuan Beci.

Sipas tij, Bashkia Shkodër mbetet e angazhuar për të garantuar hapësira publike të lira dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

Postimi i Benet Becit për Shkodrën

Rezultate konkrete nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në Shkodër

Gjatë këtij aksioni janë arritur deri tani këto rezultate:

✅ Janë liruar mbi 470 hapësira publike në 12 akse kryesore të qytetit

✅ Është dhënë përgjigje për 286 ankesa të mbërritura në Sallën e Koordinimit dhe Komandimit

✅ Vijon puna për verifikimin e 200 ankesave të depozituara në portalin “Hapësira Ime”

✅ Janë përpiluar 386 akte konstatimi

✅ Janë vendosur 121 masa administrative

Bashkia Shkodër mbetet e angazhuar për të garantuar hapësira publike të lira dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

‘Skandal i përsëritur në Onkologjik’/ Vokshi: Pacientët me kancer mbeten pa trajtim

By: e xh
16 August 2025 at 15:37

‘Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur, baraz rrezik për jetën!’. Kështu shkruan në një postim në rrjetin social Facebook, deputetja Albana Vokshi, ku ndërt të tjera e ka kosnideruar si skandal i përsëritur në Onkologjik faktin se aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit.

‘Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!

-Nuk është hera e parë.

– Nuk është rast i izoluar.

-Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura’, shkruan Vokshi.

Sipas Vokshit, sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.

‘Ky është krim shtetëror dhe SPAK, duke heshtur është bërë bashkëfajtor’, shkruan Vokshi.

13 vatra zjarri në vend/ MM: 10 janë aktive, 3 po monitorohen

By: e xh
16 August 2025 at 15:26

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e fundit me zjarret në vend. Aktualisht, sipas MM janë 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 në monitorim.

  • Bashkia Bulqizë: Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë. Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen. Në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. *Aktiv*
  • Bashkia Bulqizë: Vatra e zjarrit e rënë më 14.08.2025 në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore. *Monitorim*
  • Bashkia Fushë Arrëz: Në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. *Aktiv*
  • Bashkia Mirditë: Në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë. *Aktiv*
  • Bashkia Tiranë: Në “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues. *Aktiv*
  • Bashkia Tiranë: Në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore. *Aktiv*
  • Bashkia Tiranë: Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. *Aktiv*
  • Bashkia Tiranë: Në zonën Zgure, njësia administrative Zall Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. *Monitorim*
  • Bashkia Tiranë: Në fshatin Pezë – Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA. *Aktiv*
  • Bashkia Kolonjë: Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë. *Monitorim*
  • Bashkia Gramsh: Në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë. *Aktiv*
  • Bashkia Gramsh: Në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 1 mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit. *Aktiv*
  • Bashkia Elbasan: Në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake. *Aktiv*

 

2025-a, dëme kolosale nga zjarret. U dogjën mbi 54 mijë hektarë pyje

By: e xh
16 August 2025 at 15:17

Më shumë se 54 mijë hektarë pyje dhe kullota janë djegur deri më tani nga zjarret në vendin tonë sipas të dhënave të Sistemit Europian të Monitorimit të Zjarreve, EFFIS.

Sipas inxhinierit të pyjeve, Abdulla Diku, dëmet në mjedis, por edhe ekonomi janë kolosale.

“Këtë vit, situata paraqitet ndër më dramatike, jo vetëm nga përmasat e zjarreve, por edhe në dëmtimet që ka pasur në bujqësi, blegtori e humbjes së jetës së një personi.”

Mosmenaxhimi i pyjeve është një nga arsyet që po shtohen jo vetëm zjarret, por edhe sipërfaqet e djegura.

“Para dhjetë ditësh, Shërbimi Pyjor është përbërë. Janë pushuar nga puna 700 ekspertë pyjesh me një të rënë lapsi. Në pyje, nëse gabon sot, do duhet një shekull për ta rikuperuar.”

Sipas eksperti, jugu i vendit është rajoni më i dëmtuar nga zjarret  gjatë këtij viti.

“Zona më e dëmtuar në Shqipëri, është qarku i Vlorës, zona jugperëndimore e Shqipërisë. Lidhet me dy arsye kryesore, së pari është zona më e nxehtë dhe së dyti sepse strukturat pyjore atje janë më të dobëtat të mundshme. Shumë bashki, s’kanë as specialistë pyjesh!”

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende europiane ka pasur zjarret të shumta këtë vit. Por dallimi mes tyre dhe Shqipërisë sipas ekspertit është investimi që këto shtete bëjnë në shtimin e sipërfaqeve pyjore.

“Nëse në vendet e BE-së investimi për rikuperim luhatet nga 40-100 euro për hektar, në Shqipëri kjo është afër zeros.”

Në pesë vitet e fundit në vendin tonë janë djegur më shumë se 153 mijë hektarë pyje dhe kullota. Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Monitorimit të Zjarreve viti me më pak dëme ka qenë viti 2023-i, ku janë djegur vetëm 5500 hektarë. Klan News

 

 

PD: Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje tek ‘5 Maji’, policia nuk ndërhyn pasi..

By: e xh
16 August 2025 at 15:12

Partia Demokratike ka marrë një tjetër denoncim nga qytetarë për ndërtim pa leje në Tiranë. Sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’. Kështu shprehet në një deklaratë për mediat e zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.

“Këto pamje të siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm. Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim.

E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre.

Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet” thuhet në deklaratën e saj.

Sipas Vangjelit, Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.

 

 

Ukrainë: Territoret e pushtuara dhe e drejta ndërkombëtare

By: e xh
16 August 2025 at 14:55

Sikur Trump dhe Putin të bëjnë një marrëveshje sipas së cilës Ukraina duhet të heqë dorë nga territoret e pushtuara dhe qeveria ukrainase ta pranonte? A është i lejueshëm ky çmim për paqen sipas ligjit ndërkombëtar?

Në prill të këtij viti, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se kishte rënë dakord në parim për një traktat paqeje me Rusinë. Asokohe presidenti i SHBA-së tha se marrëveshja me Putinin përcakton që gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi, duhet t’i përkasë Rusisë.

“Një vendim nga ana e Rusisë dhe e SHBA-së mbi Ukrainën është ligjërisht i paimagjinueshëm, edhe nëse politikisht po bëhet gjithnjë e më i mundshëm”, thotë Pierre Tilberger, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Ruhr në Bochum. Pa pëlqimin e Ukrainës, nuk mund të ketë një traktat të tillë paqeje. E drejta ndërkombëtare moderne bazohet në “barazinë sovrane të të gjitha shteteve”. Dy shtete nuk mund të lidhin thjesht marrëveshje në dëm të një të treti.

Një marrëveshje për t’i dhënë territor Rusisë pa pëlqimin e Ukrainës shkel qartë sovranitetin territorial të vendit, thekson Tilberger. Përveç kësaj, një marrëveshje e tillë midis Rusisë dhe SHBA-së “ndoshta do të shkelte ndalimin e përdorimit të forcës dhe për këtë arsye do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë një ekspert i së drejtës ndërkombëtare.

Territoret e pushtuara i përkasin Ukrainës

Gadishulli i Krimesë dhe katër distriktet administrative të Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit i përkasin Ukrainës sipas së drejtës ndërkombëtare. Fakti që Rusia kontrollon de facto këto territore – ose të paktën pjesë të tyre – dhe i ka aneksuar ato nuk e ndryshon këtë.

Në vitin 2014, u mbajtën referendume në Krime, e në vitin 2022 në Ukrainën lindore dhe jugore për bashkimin e territoreve të pushtuara me Rusinë.

Megjithatë, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare i konsiderojnë ato si refendume të reme. Ekzistojnë udhëzime të qarta mbi kushtet në të cilat referendume të tilla mund të njihen sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Për shembull, duhet të garantohet që votuesit të mund të shprehin mendimin e tyre lirisht, pa detyrim dhe pa frikë”, thotë Tilberger. Ky sigurisht nuk ishte rasti në vitin 2014 gjatë pushtimit rus të Krimesë. Votimet në Ukrainën lindore dhe jugore në shtator 2022 u zhvilluan gjithashtu në kushtet e një lufte agresioni dhe pushtimit rus të këtyre territoreve.

Votimet ishin kundër ligjit ndërkombëtar

Vetëm në korrik 2025, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg zbuloi se Rusia kishte krijuar tashmë një “sistem shkeljesh” të të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara midis viteve 2014 dhe 2022.

Sipas vendimit të Gjykatës, kjo përfshinte sulme ushtarake pa dallim, ekzekutime të civilëve dhe ushtarëve ukrainas, tortura dhe dëbime, por edhe “shtypje të gjuhës ukrainase në shkolla”. Duke pasur parasysh këtë situatë në rajonet e pushtuara nga Rusia, nuk mund të supozohet se referendumet atje ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka konfirmuar vazhdimisht se referendumet në Krime dhe në Ukrainën lindore dhe jugore ishin të paligjshme. Ato nuk do të kishin ndryshuar asgjë në lidhje me përkatësinë e këtyre territoreve ndaj Ukrainës. Profesori i drejtësisë Tilberger thekson se në vitin 2003, u arrit një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë – në përputhje me ligjin ndërkombëtar – në të cilën Rusia e njohu Krimenë si pjesë të Ukrainës. Përveç kësaj, në vitin 1997, të dy shtetet i premtuan njëri-tjetrit të respektojnë kufijtë e njëri-tjetrit.

Rusia i referohet së drejtës për vetëvendosje

Shpesh dëgjohet nga Rusia: njerëzit në Krime dhe në rajonet lindore dhe jugore duan të largohen nga Ukraina, dhe kjo mbulohet nga një parim i rëndësishëm i së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht e drejta e popujve për vetëvendosje.

Megjithatë, e drejta ndërkombëtare është shumë e rezervuar nëse e drejta e një populli për vetëvendosje i jep atij të drejtën për t’u shkëputur nga shteti amë përmes një referendumi, shpjegon Tilberger.

Në thelb, e drejta për vetëvendosje u lejon popujve të përcaktojnë lirisht zhvillimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor. Ajo lindi kryesisht kur ish-shtetet e kolonizuara fituan pavarësinë e tyre.

Por ky parim duhet të jetë gjithmonë në përputhje me një parim tjetër themelor të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetin shtetëror mbi territorin. Të dy parimet mund të bien ndesh kur një grup popullsie dëshiron të shkëputet dhe shteti e kundërshton këtë.

Pengesat e mëdha ligjore për ndarjen e territoreve

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, duhet të bëhet një dallim midis vetëvendosjes “të brendshme” dhe “të jashtme”, thotë Tilberger. Vetëvendosje “e brendshme” do të thotë: pakicat kombëtare marrin mbrojtje të veçantë brenda shtetit të tyre të origjinës, për shembull vetëqeverisje ose mbrojtje të kulturës dhe traditave të tyre.

Nga ana tjetër, vetëvendosja “e jashtme”, ose ndarja nga shteti i tyre i origjinës, është e mundur vetëm në rrethana ekstreme. Një popull që shtypet sistematikisht dhe nënshtrohet me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut mund të ketë të drejtën e shkëputjes. Në rastin e Krimesë dhe Ukrainës lindore dhe jugore, nuk pati shkelje të tilla të rënda nga qeveria ukrainase.

A mund të heqë dorë Ukraina nga territoret e pushtuara?

Po sikur Trump dhe Putin të bëjnë një marrëveshje sipas së cilës Ukraina duhet të heqë dorë nga territoret e pushtuara dhe qeveria ukrainase ta pranonte? A do të ishte i lejueshëm ky çmim për paqen sipas ligjit ndërkombëtar?

“Në thelb po”, thotë Tilberger. Megjithatë, të biesh dakord për një marrëveshje të tillë paqeje do të duhej të ishte “një akt i ligjshëm dhe mbi të gjitha vullnetar i qeverisë ukrainase”. Në veçanti, kjo nuk duhet të ndodhë nën presion ose kërcënim me forcë.

Nga perspektiva e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, “është shumë e diskutueshme se si do të dukej një vendim nga qeveria ukrainase që do të merrej pa detyrim ose vullnetarisht në situatën aktuale”.

Se si do të duhej të zhvillohej saktësisht situata në Ukrainë që të mund të flitet për një transferim vullnetar të territorit sipas së drejtës ndërkombëtare është aktualisht e vështirë të thuhet. Sulmet e ashpra ajrore ruse ndaj objektivave civile në muajt e fundit dhe kërcënimet e qeverisë amerikane me pezullimin e plotë të ndihmave ushtarake sigurisht që nuk flasin në favor të një situate vendimarrjeje në të cilën qeveria ukrainase mund të veprojë lirisht.

Tilberger thekson një aspekt tjetër: kur vendoset për integritetin territorial të një shteti, duhet të merret parasysh edhe roli i popullsisë së prekur. Ka mendime të ndryshme në të drejtën ndërkombëtare për këtë. Disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare besojnë se kur hiqet dorë nga territori shtetëror, njerëzit që jetojnë atje duhet të japin gjithashtu pëlqimin e tyre.

Kushtetuta ukrainase gjithashtu ofron udhëzime

Për ndryshimin e territorit edhe Kushtetuta ukrainase parashikon një referendum, ku të gjithë ukrainasit me të drejtë vote mund të marrin pjesë.

Gjithashtu, për të hequr dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia, duhet të ndrysohen ndoshta edhe vetë Kushtetuta. Sepse neni 133, paragrafi 2, përcakton territorin shtetëror të Ukrainës dhe përmend në mënyrë të qartë katër rajone: Lugansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, situata ligjore në Ukrainë nuk luan një rol vendimtar. Por politikisht, Kushtetuta ukrainase mund të jetë e rëndësishme për çdo zgjidhje paqësore. DW

Analiza e DW: Samiti i Alaskës 1:0 për Putinin

By: e xh
16 August 2025 at 14:33

Samiti i shumëpritur midis Presidentit të SHBA-së Trump dhe udhëheqësit të Kremlinit Putin përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Në konferencën për shtyp Trumpi ia dha fjalën fillimisht Putinit.

Sipas njoftimit zyrtar takimi mes presidentëve të Rusisë dhe të SHBA-së zgjati 2 orë e 45 minuta. Tema kryesore e takimit midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin ishte përfundimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Po me sa duket nga takimi nuk ka ndonjë rezultat konkret. Pas samitit të tyre në Alaskë Trump dhe Putin thanë se bisedimet e tyre kishin qenë pozitive. Presidentit rus Vladimir Putin tha gjatë një deklarate për shtyp, ku atij iu dha fjala si i pari, se bisedimet kishin qenë konstruktive dhe të pasura në përmbajtje. “Ne krijuam kontakte të mira, të drejtpërdrejta me zotin Trump.” – tha Putini.

Putini e falënderoi Trumpin për përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën. Ai tha se qe biseduar për marrëveshje, të cilat mund të shërbejnë si pikënisje për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës, por nuk dha detaje.

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”

Edhe Trumpi e vlerësoi atmosferën e bisedimeve – por dhe ai nuk tha ndonjë gjë konkrete. “Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe ramë dakord për shumë pika. Të hapura kanë mbetur shumë pak. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra mund të jetë më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur qëllimin tonë. Nuk jemi ende atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje.” tha Trump duke shtuar: “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje.”

Trump njoftoi se do të flasë në telefon me NATO-n dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski. Pas deklaratave të bëra nga të dy presidentët nuk u lejuan pyetje nga shtypi.

Pas takimit Trumpi dha një intervistë për Fox News. Ai theksoi se Ukrainaduhet të bjerë dakord për një marrëveshje të mundshme me Rusinë dhe e këshilloi Zelenskin: “Bëjeni marrëveshjen. Ju duhet ta bëni marrëveshjen”. Rusia, tha ai, është një “fuqi shumë e madhe”, ndërsa Ukraina jo. Nuk është e qartë nëse Trump kishte folur në telefon me Zelenskyn përpara intervistës.

Ischinger: Samiti i Alaskës qe fitore 1:0 për Putinin

Samiti i Alaskës midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin ishte një fitore e qartë për Putinin, mendon ish-kryetari i Konferencës së Mynihut për Sigurinë, Wolfgang Ischinger. “Alaska: Putini mori tapetin e kuq me Trumpin, Trumpi asgjë,” shkroi Ischinger në platfformën X.

“Sikurse kishim frikë: pa armëpushim, pa paqe. Pa përparim të vërtetë – shumë qartë 1:0 për Putinin – jo sanksione të reja. Për ukrainasit: asgjë. Për Evropën: thellësisht zhgënjyese,” shkroi Ischinger.

Ischinger ka qenë ambasador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2006 dhe ishte kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë nga viti 2008 deri në vitin 2022. DW

U-21/Miqësorja e dytë në shtator, Shqipëria do të përballet me Zvicrën

By: e xh
16 August 2025 at 14:26

Ekipi kombëtar U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Zvicrës U-21 më 8 shtator 2025. Departamenti i Komunikimit në FSHF njofton se tashmë është zyrtarizuar edhe ora dhe stadiumi ku do të luhet kjo përballje.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Brügglifeld” të qytetit të Aaraut, në orën 18:30.

Kjo është miqësorja e dytë e planifikuar për kuqezinjtë gjatë muajit shtator, pas sfidës prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21, që do të luhet më 5 shtator në “Elbasan Arena”.

Të dhënat e DPT: 14,770 punonjës më shumë të deklaruar në qershor 2025

By: e xh
16 August 2025 at 14:18

Më shumë punonjës janë deklaruar deri në qershor 2025. Konkretisht 14 770 punonjës më shumë u deklaruan në qershor 2025 krahasuar me qershorin 2024.

Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku ndër të tjera nënvizohet se ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike dhe formalizimit të tregut të punës.

DPT në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë edhe një falënderim për bizneset.

“14,770 punonjës më shumë të deklaruar në qershor 2025 krahasuar me qershorin 2024, tregues i qartë i rritjes ekonomike dhe formalizimit të tregut të punës.

Falenderojmë bizneset që po kontribuojnë me përgjegjësi në këtë proces, duke respektuar ligjin dhe duke siguruar të drejtat e punonjësve të tyre!”

Durrës/ Tentoi të vriste me makinë komshiun, pranga 32-vjeçarit

By: e xh
16 August 2025 at 13:48

Tentoi të vriste me makinë komshiun e tij, vihet në pranga 32-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin B. Sh. banues në Sukth, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Në fshatin Perlat, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta (fyerje dhe ofendime), ky shtetas tentoi të vriste me automjetin që drejtonte, komshiun e tij, shtetasin L. D., 40 vjeç, banues në Sukth. Ky i fundit, si pasojë e goditjes me automjet, pësoi dëmtime  dhe u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe shërbimet e  Policisë Rrugore i kryen testin e alkoolit, ku rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 0.92 mg/l.Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qeveria serbe i përfundon mandatin Igor Popoviç në Zyrën për Kosovën

By: e xh
16 August 2025 at 13:40

Qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se ia ka përfunduar mandatin Igor Popoviçit, i cili mbante pozitën e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën. Vendimi duket se është i vlefshëm prej 13 gushtit, por aty nuk janë ofruar më shumë arsyetime.

Popoviç ishte i angazhuar në sektorin për mbrojtje juridike në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ky vendim është marrë disa ditë pasi ai e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Dënimi prej gjashtë muajsh burgim, i marrë më 8 gusht, i është zëvendësuar me gjobë prej 3.000 eurosh, dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për dy vjet.

Ndonëse ai e ka pranuar fajësinë në gjykatë duke thënë se nuk i është ushtruar presion, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka thënë të nesërmen se Popoviç e ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorët në Kosovë “nën presion dhe pa vullnetin e tij”.

Autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë pretendim. Ai është ndaluar nga autoritetet e Kosovës më 18 korrik, pas një fjalimi që ka mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përgjatë së cilit e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. REL

Tiranë/ Plagosi me thikë bashkëjetuesen, arrestohet 41 vjeçari

By: e xh
16 August 2025 at 13:25

Plagosi me mjet prerës thikë për motive të dobëta bashkëjetuesen e tij, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Besim Alla”, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëjetuesen e tij kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku si rezultat i veprimeve të shpejta, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar shtetasin:  -F. C., 41 vjeç.

‘41-vjeçari pas një konflikti për motive të dobëta, mbrëmjen e djeshme, në banesë, në rrugën “Besim Alla” ka goditur me mjet prerës (thikë) bashkëjetuesen e tij, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

“Hapësira ime publike”/ 4923 mijë denoncime nga qytetarët, zgjidhje për 735 raste

By: e xh
16 August 2025 at 12:48

Vetëm pak ditë pas prezantimit nga Kryeministri Edi Rama të aplikacionit më të ri digjital për denoncimin e zaptimit të paligjshëm të hapësirave publike, rezultojnë deri më tani 4923 denoncime nga qytetarët.

Janë 735 raste të raportuara nga qytetarët që kanë marrë zgjidhje deri më tani, ndërsa pjesa tjetër rezulton në proces shqyrtimi nga autoritetet.

Përmes portalit “Hapësira ime publike” qytetarët do të kenë mundësi që të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve, ndërtimet pa leje apo shkelje të lejes, zaptime anës rrugëve kombëtare, parkingje private të paligjshme apo shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

“Ky aplikacion vjen si pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë për mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e transparencës e pjesëmarrjes qytetare në administrimin e hapësirës urbane.

Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat.

Në rast të mosreagimit nga ana e autoriteteve brenda 24 orëve, qytetarëve u jepet mundësia e ankimit përmes një tjetër formulari,” thuhet në një njoftim të Agjencisë për Media dhe Informim.

 

Travel and Tour World: Shqipëria gati të kryesojë turizmin evropian

By: e xh
16 August 2025 at 12:35

Shqipëria, e njohur prej kohësh për bukurinë e saj të paprekur dhe trashëgiminë e pasur kulturore, po ngjitet me shpejtësi në listën e destinacioneve turistike më të kërkuara të Evropës.

Sipas Travel and Tour World, vetëm në vitin 2025 pritet të mirëpresë rreth 2.5 milionë vizitorë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 15% krahasuar me vitin e kaluar.

“Perla e fshehur” e Mesdheut

Nga vijat bregdetare të pastra të Jonit dhe Adriatikut, te Alpet Shqiptare madhështore dhe qytetet historike të listuara në UNESCO, Shqipëria ofron një përzierje unike aventuresh, kulture dhe relaksi.

Vizitorët tërhiqen nga plazhet e virgjëra, monumentet shekullore dhe çmimet e përballueshme, një kombinim që e dallon vendin nga destinacionet tradicionale e të mbipopulluara të Evropës.

Turizmi po ndryshon drejt ekoturizmit dhe aventurës

Ndërsa plazhet mbeten një magnet i fuqishëm, gjithnjë e më shumë turistë po zbulojnë fytyrën tjetër të Shqipërisë, aventurën në male, ecjen në shtigje panoramike, eksplorimin e rrënojave të lashta dhe vizitat në parqe kombëtare si Llogaraja. Ky orientim drejt ekoturizmit po e forcon profilin e vendit si një destinacion i larmishëm.

Çmime të ulëta

Për të përballuar rritjen e kërkesës, sektori i akomodimit është zgjeruar ndjeshëm, ndërsa në disa zona bregdetare si Saranda, Himara dhe Ksamil, çmimet janë ulur me 10-25%. Një javë në një hotel me tre yje në Ksamil mund të kushtojë rreth 550 euro, shumë më pak se destinacionet e tjera mesdhetare.

Veriu dhe jugu

Në veri, zona si Shëngjini dhe Velipoja po tërheqin investime në resorte luksoze, por ruajnë opsionet ekonomike. Në jug, vende si Borshi dhe Qeparo po përjetojnë një bum kërkesash për pushime të qeta dhe të lidhura me natyrën, çka ka sjellë rritje çmimesh, por gjithsesi mbeten të përballueshme në raport me tregun evropian.

E ardhmja: Shqipëria në majë të hartës turistike

Me infrastrukturë në përmirësim, peisazhe mahnitëse, çmime konkurruese dhe ofertë të pasur kulturore, Shqipëria po pozicionohet si një nga destinacionet kryesore të Evropës. Travel and Tour World parashikon se ky trend do të vazhdojë me ritme të larta, duke e kthyer vendin në një pikë referimi për turizmin e viteve të ardhshme./tvklan.al

 

 

Kultivonin dhe shisnin drogë, arrestohen 5 persona/ E pëson edhe kryetari i fshatit

By: e xh
16 August 2025 at 12:23

Ekzekutohen 5 masa sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata e Beratit për pjesëtarët e një grupi që shisnin lëndë narkotike dhe kultivonin bimë narkotike.

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Bashkëpunimi”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të shitjes së lëndëve narkotike dhe kultivimit të tyre.

 “Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Berat.

Gjatë operacionit, në fshatin Jaupas, Skrapar, u gjetën dhe u asgjësuan 122 bimë narkotike cannabis sativa. Në këtë operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve:

-M. Q., 25 vjeç dhe S. H. (Q)., 30 vjeç (vëllezër), banues në Poliçan;

-A. Z., 41 vjeç, banues në fshatin Gostenckë, Skrapar;

-E. K., 33 vjeç, banues në Poliçan;

-S. Ç., 28 vjeç, banues në fshatin Jaupas, Skrapar.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryetari i fshatit Jaupas, Skrapar, shtetasi S. Ç., 46 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar S. Ç.).

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 3 krehra arme zjarri automatike, 3 koka të dyshuara me përmbajtje eksplozivi, tub uji që dyshohet se furnizonte parcelën me 122 bimë narkotike.

Gjatë këtij operacioni u ushtruan 15 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera, ku u sekuestruan në total 1 armë gjahu çifte, lëndë narkotike cannabis sativa, 7 aparate celularë dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

‘Udhëtim në Qeparo..’/Rama: Në rrugicat me kalldrëm kur ruhen kujtimet e shekujve

By: e xh
16 August 2025 at 12:10

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetin social Facebook, ku tregohen bukuritë e fshatit turistik të Qeparoit në jug të vendit.

Ai e ka konsideruar kete si një udhëtim midis blusë së Jonit dhe gjerlbërimit, një ecije, e ka kosideruar kryeministri, nëpër rrugicat me kalldrëm ku guri ruan kujtimet e shekujve..

‘Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit, me ftesën për një ecje nëpër rrugicat me kalldrëm të fshatit të vjetër, ku guri ruan kujtimet e shekujve, ndërsa aroma e agrumeve të përqafon me freskinë e saj. Video nga Pandeli Ceco, pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels “Wanderlust in Albania 2” nga Agjencia Kombëtare e Turizmit’, shkruan kryeministri Rama.

 

❌
❌