Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Opinion.al

Balluku inspekton sportelet për e‑Albania në Patos: Abuzuesit do ndëshkohen…

By: b b
21 July 2025 at 15:54

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka inspektuar sot një nga sportelet e dedikuara për asistencë ndaj qytetarëve në përdorimin e portalit “e-Albania” në Bashkinë e Patosit.

Gjatë vizitës së saj, Balluku tha se ky shërbim siguron që çdo qytetar të ketë mundësi të barabartë për të përdorur teknologjitë e reja pa pengesa financiare.

“Ne kishim identifikuar në terren prej disa kohësh që në disa raste kishte një shkelje të plotë me ligjin, në zyrat e noterisë apo edhe në zyrat e disa avokatëve jepej shërbim për e-Albania. Një shërbim që qeveria shqiptare e ofron falas, pensionistët shkonin dhe paguanin.

Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë gjithë këtë proces dhe ua bëmë me dije gjithë qytetarëve, jo vetëm moshave të treta, por edhe ata qytetarë që nuk kanë akses të mundshëm në pajisjet elektronike që ofrojnë aksesin direk në e-Albania.

Ky është një nga shërbimet digjitale që administrata shqiptare është shumë krenare që e ofron prej kaq kohësh, ku mund të aksesohen një sërë shërbimesh që janë të kërkuara si certifikatat personale e shumë të tjera dhe janë falas”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

GJKKO reagon pas deklaratave të Berishës: S’kemi asnjë konflikt institucional

By: b b
21 July 2025 at 15:31

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, të bëra jashtë ambienteve të SPAK-ut.

Berisha tha për mediat se drejtuesi i institucionit, Altin Dumani, kishte qenë pranë një përplasjeje fizike me një gjyqtare gjatë një operacioni për sekuestrimin e një kompjuteri.

Përmes një reagim zyrtari, GJKKO sqaron se nuk ka pasur asnjë incident, përplasje apo tension gjatë këtij procesi në ambientet e SPAK.

Reagimi:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme.

Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës.

Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike.

Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Tentoi të hynte në Shqipëri, kapet në Morinë turku i shpallur në kërkim ndërkombëtar

By: b b
21 July 2025 at 15:17

Policia Kufitare e Morinës ka kapur në tentativë për të hyrë në Shqipëri një 35-vjeçar turk, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore turke, me 4 vjet burgim për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kufitare dhe për parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, kanë siguruar informacion për një shtetas në kërkim që po tentonte të hynte në Shqipëri.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, me shërbimet e DVP Kukës, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk Kadir Kuçukologu, 35 vjeç, banues në Turqi.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, Turqi, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës””, njofton policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e shtetasit Kadir Kuçukologu.

Rituali i dollisë/ Gonxhja: Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore!

By: b b
21 July 2025 at 14:56

Rituali i Dollisë është shpallur Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Lajmin e bëri të ditur ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka ndarë pamje dhe skena të dollive të realizuara në filma të ndryshëm shqiptarë.

“Mirëmëngjes dhe me Ritin e Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale, ju urojmë një javë të mbarë”, shkruan Gonxhja.

Deputetja Albana Vokshi shpallet e pafajshme për shpifje ndaj Vilma Nushit

By: b b
21 July 2025 at 14:39

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në procesin gjyqësor për shpifje të ngritur nga biznesmenia Vilma Nushi.

Sipas prokurorit të SPAK, deklaratat e Vokshit janë bërë në kuadër të detyrës së saj si deputete dhe nuk përmbajnë elementë të veprës penale të shpifjes.

Pas vendimit, Vokshi ka thënë për gazetarët se e vërteta vonon, por nuk harron.

Më tej, ajo paralajmëroi se denoncimet e saj do të vijojnë.

“Sqarova edhe njëherë duke vënë në dispozicion dokumentacionin zyrtar të marrë nga unë si deputete, vërtetova që çdo thënie e imja qëndron dhe ka qenë e vërtetë. Zonja Nushi në një moment të caktuar u nervozua pasi përmenda faktin e ditur botërisht që ka qenë sponsore e PS dhe Edi Ramës. U nervozua për këtë fakt. Në fund, gjykata mori vendimin për të më shpallur të pafajshme. Kam kryer detyrën time si deputete, si kryetare e komisionit hetimor. SPAK vërtetoi faktin se Nushi është përsëri nën hetime për shkak të denoncimit që unë kam bërë para 5 viteve.

Betejën time do ta vijoj siç e kam bërë deri më tani për 10 vite me radhë. Do të vazhdoj të denoncoj skandalet në shëndetësi. Deri në fund, deri në zbardhjen e koncesionit të check-up dhe sterilizimit, do të depozitoj pranë SPAK dokumente të tjera. E vërteta vonon, por nuk harron. Nëse beteja është për interes publik, në fund të ditës është një betejë e fituar”, tha Vokshi.

Kontrollet në Elbasan, arrestohet vëllai i deputetit socialist

By: b b
21 July 2025 at 14:26

Policia e Elbasanit ka arrestuar vëllain e deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.

Sipas uniformave blu mësohet se ai është vënë në pranga gjatë kontrolleve të zhvilluara mëngjesin e sotëm, në kuadër të hetimeve të prokurorisë për djegiet e ndodhura në landfillin e Elbasanit.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë luftarakë.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:

-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;

-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak“, thuhet në njoftimin e policisë.

Pengesë për zjarrfikësen, shemben mure rrethuese në Shkodër

By: b b
21 July 2025 at 14:10

Bashkia Shkodër ka shembur gardhe dhe mure rrethuese që pengonin hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, pranë pallateve tek “Kryqëzimi i spitalit”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka bërë publike hartën me 41 pikat kritika që janë në evidentuar në qytetin e Shkodrës, të cilat bllokojnë hyrjen në godinë.

“41 pika kritike janë identifikuar në qytet, ku ndërtime të ngritura prej mbi 30 vitesh bllokojnë hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Sot strukturat e Bashkisë ndërhynë në njërën prej tyre, pranë kryqëzimit të spitaleve, ku jo vetëm që mungonte hapësira për raste emergjente, por edhe banorët hasnin vështirësi në qarkullim.

Paralelisht me lirimin e hapësirave publike do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.

Opozita serbe në Kosovë në kërkim të bashkimit për zgjedhjet lokale

By: b b
21 July 2025 at 13:59

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të caktuara për 12 tetor, brenda komunitetit serb po shtohen zërat që kërkojnë bashkim dhe krijim të një platforme të përbashkët veprimi.

Nisma për formimin e një lëvizjeje më të gjerë popullore, e cila, siç thuhet, do t’u kundërvihej politikave aktuale në Prishtinë dhe Beograd, vjen nga radhët e aktorëve opozitarë, që janë të pakënaqur me pozitën e serbëve në Kosovë.

Kreu i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, thotë se ka ardhur koha që lufta politike të zhvillohet në mënyrë të qartë, pa ndarje, frikë apo kalkulime partiake.

Ndërsa, Stefan Velkoviç, nga Partia Demokracia Serbe, thotë se thirrjet e tyre për veprime konkrete në terren, prej kohësh injorohen.

Ai nuk e përjashton bashkëpunimin me të tjerët, përveç me zyrtarët e lartë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka përkrahje nga Beogradi.

Politologu serb, Ognjen Gogiç, vlerëson se tek aktorët opozitarë serbë, nuk ka ende vetëdije të pjekur për bashkim, dhe se Lista Serbe nuk do të rrezikohet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, ka nisur procesin e aplikimeve për certifikimin e partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht.

Kujt i drejtohet thirrja për bashkim?

Javën e kaluar, udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, u bëri thirrje aktorëve politikë, studentëve, përfaqësuesve të shoqatave dhe organizatave, bizneseve dhe intelektualëve që ta mbështesin, të tregojnë pjekuri dhe guxim për veprim të përbashkët.

Megjithatë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se kjo ftesë nuk vlen për përfaqësuesit e Listës Serbe ose Nenad Rashiçin – ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne mendojmë se kjo politikë që ka ndjekur Lista Serbe, por edhe [Nenad] Rashiç, i cili është pjesë e institucioneve në Prishtinë, nuk është e mirë për popullin tonë. Me ta nuk ka hapësirë për dialog. Ata kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes në terren”, vlerëson Bishevac.

Ai kritikon Beogradin që, siç thotë, për vite me radhë ka mbështetur vetëm Listën Serbe, e cila, sipas tij, ka qenë e përfshirë në skandale dhe nuk ka sjellë asnjë të mirë për serbët në Kosovë.

Për institucionet në Prishtinë, Bishevac thotë se ato nuk interesohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, nuk duan dialog dhe zgjidhje paqësore, por se me veprimet e tyre, “nxisin nacionalizmin” dhe përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.

Velkoviç: “Të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”

Partia Demokracia Serbe i ftoi, gjithashtu, qytetarët, aktorët shoqërorë dhe politikë, si dhe palët e tjera të interesuara që t’i bashkohen në “vazhdimin e luftës”.

Nënkryetari i kësaj partie, Stefan Velkoviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë vitit të fundit, ata i kanë ftuar aktorët opozitarë për bashkim “kundër represionit” të autoriteteve të Kosovës, por se nuk kanë gjetur mirëkuptim.

“Tani nuk shohim hapësirë për ndonjë bashkëpunim të madh, sepse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur, dhe ne kemi fituar më shumë vota si parti opozitare serbe. Ndaj, duhet të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”, thotë Velkoviç, duke shtuar se opozitarët “duhet të dëshmohen”.

Velkoviç thotë, gjithashtu, se anëtarët e Partisë Demokracia Serbe janë arrestuar disa herë.

Ai thotë se udhëheqësi i tyre, Aleksandar Arsenijeviç, po “persekutohet” dhe se askush nuk ka reaguar.

Arsenijeviç nuk gjendet në Kosovë, pasi është në kërkim, sepse në pronën e tij janë gjetur armë, për të cilat ai vetë ka thënë se “janë kurdisur”.

Më parë, Arsenijeviç dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar për “shqetësime” ose “shkelje të rendit publik” – kryesisht kur kanë protestuar kundër politikanëve shqiptarë të Kosovës që kanë vizituar pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Bashkimi i opozitës do të ndodhë vetëm nëse ka përfitim politik”

Politikologu Ognjen Gogiç thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët në Kosovë gjenden midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dhe midis dy sistemeve, dhe është e vështirë për ta që të qëndrojnë jashtë këtij ndikimi.

“Reale është, por në praktikë është e vështirë”, vlerëson ai.

Ai shton se në komunitetin serb të Kosovës, nuk ka shumë aktorë opozitarë, dhe se me shumë mundësi pozitat e kryetarëve në dhjetë komunat me shumicë serbe do t’i takojnë sërish Listës Serbe.

“Nëse nga njëra anë keni Listën Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, dhe nga ana tjetër është Rashiçi, i cili është i lidhur me Prishtinën, nuk mendoj se ka një rrugë të tretë për serbët. Nëse ka bashkim, do të jetë për arsye pragmatike, që të shpaguhet politikisht”, thotë Gogiç.

Sipas tij, mundësitë për bashkëpunim të opozitës serbe janë të vogla, edhe për faktin se në zgjedhjet lokale është më e lehtë të fitohen mandatet e këshilltarëve në kuvendet komunale.

Megjithatë, Gogiç thekson se zgjedhjet lokale të tetorit janë të rëndësishme për komunitetin serb në veri të Kosovës, sepse përfaqësuesit serbë do të rikthehen në kuadrin institucional, që e kanë braktisur në nëntor të vitit 2022 me iniciativë të Listës Serbe./REL

“The Times”: 10 nga vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri

By: e xh
21 July 2025 at 13:55

E përditshmja britanike “The Times” rekomandon për lexuesit e saj 10 nga vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri, ku mund të gjeni plazhe si në Maldive, male spektakolare dhe një vend me histori interesante.

Shqipëria, e izoluar nën diktaturën komuniste deri në vitet ’90, dikur sekret, tani është një nga vendet më emocionuese të Europës.

Më tej, “The Times” ndalet tek sugjerimi i parë në listë, ku rendit Ksamilin veçanërisht për ata që janë të magjepsur nga përshkrimet e Shqipërisë si “Maldivet e Evropës”. Ksamili duhet të jetë vendi i parë që duhet të vizitoni. Plazhet e tij kanë ujë si pasqyrë dhe aty pranë janë 4 ishuj të pabanuar, tepër unikë.

Destinacioni i dytë që sugjeron “The Times” është Parku Kombëtar i Thethit, i përshtatshëm për ata që duan shetitjet rrëzë maleve të njohura të Alpeve Shqiptare. Thethi është një vend i shkëlqyer për të parë jetën e egër dhe ujëvarat piktoreske.

E përditshmja britanike, në vend të 3 dhe të 4, rendit Tiranën dhe Beratin. Tirana, ndryshe nga Berlini apo Varshava, është shumëngjyrëshe, me tregje të shumta, sheshe dhe galeri arti të sofistikuara. Ndërsa për Beratin, “The Times” shkruan se qyteti që është pjesë e listës së UNESCO-s, ka një pamje perfekte, me shtëpitë karakteristike që zbresin nga një shkëmb drejt grykës së lumit.

Një destinacion tjetër që britanikja “The Times” e rendit në vend të 5 është kryeqendra e veriut, Shkodra, me liqenin që është perla e kurorës së qytetit, një vend i rrethuar nga plazhe, manastire dhe fshatra piktoreskë.

Në artikullin e “The Times” nuk mungojnë Saranda dhe Parku Kombëtar i Llogarasë. Saranda është një nga destinacionet bregdetare më të njohura të Shqipërisë dhe me perëndimet e diellit me pamje nga deti pranë Kalasë së Lekursit, është një destinacion spektakolar. Ndërsa për Parkun e Llogarasë, që ndodhet mes disa majave malore të vendosura mbi rivierën e bukur me plazhe unike, ia vlen të vizitohet.

E përditshmja britanike “The Times” rekomandon për lexuesit e saj edhe Gjirokastrën dhe Krujën, dy qytete historike që gjithmonë gumëzhijnë nga vizitorët e shumtë gjatë gjithë vitit, por gjatë muajve të verës arrijnë fluksin më të madh të vizitorëve nga anë e mbanë botës.

Ndërsa qytetin më të lashtë të Shqipërisë, Durrësin, “The Times” e rendit në vendin e 10 si destinacion që duhet vizituar me patjetër, duke sugjeruar amfiteatrin romak dhe pjesën historike të qytetit, por edhe plazhet e shumta që kanë frekuentim masiv gjatë stinës së verës. Klan News

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 57 vite burg për vëllezërit Duka

By: b b
21 July 2025 at 13:46

Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet përfundimtare në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve për ekzekutimin e ish-policit, Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Mësohet se ndaj të pandehurve, SPAK ka kërkuar masën e dënimit:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai- 23 vjet burgim

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

Kryebashkiaku i Kavajës kërkoi reformim në PD, Berisha: Jemi parti e hapur dhe..

By: e xh
21 July 2025 at 13:34

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme për mediat u pyet se si e komentonte deklaratë e kryebashkiakut demokrat të Kavajës Fisnik Qosja, i cili në një intervistë kërkoi që PD të bëjë një riorganizim nga degët te kryesia pas humbjes së zgjedhjeve të 11 Majit.

Sipas kryedemokratit, PD është parti e hapur dhe transparente, por gjatë kësaj periudhe, shtoi ai është e fokusuar në paraqitjen e të vërtetava të mëdha të asaj që e quan farsë elektorale.

Ai garantoi se nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj.

‘PD është parti e hapur, transparente dhe e gatshme të analizojë të gjithë veprimtarinë  e saj në dritën e së vërtetës.

Por në këtë periudhë PD po paraqet të vërteta të mëdha të farsës elektorale. Dhe po paraqet me dokumente zyrtare, të pakundërshtueshme, të gjitha këto nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj’, shprehet Berisha.

 

“Shpërblim për angazhimin kriminal në fushatë”/Berisha: Karteli Troplini ka marrë…

By: b b
21 July 2025 at 13:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama i ka dhënë “kartelit Troplini” stadiumin e qytetit të Durrësit, “Niko Dovana”.

Në një konferencë për media, Berisha thotë se pas manipulimeve që kanë ndodhur më 11 maj, disa individë po shpërblehen me leje ndërtimi për kulla, kryesisht pranë zonës së stadiumit “Niko Dovana”.

“Kështu presidenti i klubit Teuta, që e ka mbajtur këtë klub nga viti 1999, dha dorëheqjen në mënyrë të papritur me datën 16 qershor dhe sipas burimeve të FSHF-së, të cilat nuk identifikohen dot nga terrori, aksionet e stadiumit Niko Dovana i kanë kaluar kartelit Troplini.

Kaq e vërtetë është saqë sot, secili prej jush po të shkojë dhe të shohë regjistrat e shtetit, nuk gjen dot një person se kush i mori ato. Një gjë është e sigurt që ish-presidenti Edmond Hasanbelliu dhe Edi Rama ia kaloi stadiumin dhe qindra mijëra metra katrorë rreth stadiumit korporatës famëzezë të investimeve. Kjo korporatë që merr përsipër, ka gjetur si blerës dhe zhvillues me urdhër natyrisht të Edi Ramës, kartelin famëkeq Troplini.

Sipas burimeve që nuk duan kurrsesi të flasin publikisht nga FSHF. E kuptoni vetë ju frikën e tmerrshme. Por, e vërteta, rrotull stadiumit janë planifikuar një seri ndërtesash, ndër të cilat kulla me lartësi 125 metra. Përsëri po të pyesni se kush është autori, pronari, zhvilluesi, ju emër nuk do gjeni sepse po sipas burimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ky emër do ishte Ergys Agasi.

Por, diskreditimi i tij kombëtar dhe ndërkombëtar, skandali dhe afera e tij me fabrikën e duhanit dhe një seri lidhjesh të tjera, detyroi që prestanome i Troplinëve të mbetet prapë sekret, pa emër. Ngjashmëri e madhe me tjetërsimin e pronave të Niko Dovanës me stadiumin Dinamo. Ndërkohë pronat tek stadiumi Dinamo dhe Niko Dovana kanë pronarët e tyre.

Dhe në të gjitha ligjet e vendit, ato duhet t’u rikthehen pronarëve, por janë bërë të gjitha, janë viktimë e një njeriu të pangopur, që i ka vënë vetes detyrë të tejkalojë edhe Alabarin në pasuri dhe që quhet Edi Rama“, tha Berisha.

U kapën me 21 kg tritol/ Prokuroria: Dënimin me 30.8 vite burg për 3 të arrestuarit

By: e xh
21 July 2025 at 13:15

Prokuroria e Fierit ka dhënë pretencën për 3 personat e akuzuar se po transportonin një sasi prej më shumë se 21 kg lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.

Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa në momentin e kapjes me lëndë eksplozive policia informoi se kishte dyshime se do të kryenin atentat.

 “Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28 Gusht 2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit”, informoi Prokuroria.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve A.M., Ar.M. dhe E.C., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.

Shtetasit në fjalë, janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/7 dhe 236/2 të Kodit Penal.

Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.

Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit A. M. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 15 vjet burgim;

Deklarimin fajtor të të pandehurit  A. M. për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer me dhunë, e parashikuar nga neni 236/2 i K.Penal dhe dënimin e tij 4 vjet me burgim.

Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e shtetasit A.M. me 18 vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E. C. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim;

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet 4 muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ar. M. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe që gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.

Mbledhja e të dhënave/ “Nuk i përpunojmë dot”, Rama: Jemi për ibret!

By: b b
21 July 2025 at 12:58

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ditën e sotme stafin akademik të arsimit të lartë sa i përket për ruajtjen e të dhënave.

Pas pasqyrimit të të dhënave në raportin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, Rama tha se nevojitet qasje dhe strukturë e re në këtë fushë.

Ai tha se janë ‘ibret’ në këtë aspekt, së bashku edhe me qeverinë.

“Të ndryshojmë  drejtimin e ASCAL, për ne nga ana jonë leksioni që keni marrë nga bordi dhe të tjerat dhe mungesa e të dhënave, se në këtë pikë jeni ibret, por nuk jeni vetëm.

Jemi të gjithë ibret. Në raportin e shtetit me të dhënat në kuptimin sesa ne mbledhim të dhëna, përpunojmë dhe bëjmë politkika bazuar në të dhëna jemi të gjithë bashkë nqë nivelin më të ulet të mundshëm krahasimisht me vendin e fundit para nesh të BE.

Mos u ndjeni të vetë në këtë, mos u ndjeni të fyer por jeni të ibret. ASCAL  nuk mund të jetë dot një institucion që nuk përpunon dot të dhëna në mënyrë sasiore apo cilësore, s’mund  të pajtohet me ekspertë që nuk kanë arsim përkatës.

Ca faji ka bordi se eksperti x apo y nuk ka arsimit përkatës për tëe bërë atë punë që i kërkohet, apo nuk ka pikën e integritetit për të thënë se kjo nuk shkon dhe ky ptrogram nuk dunet adredituar.

Por thonë kjo nuk shkon, pro programi është ok. Muhabet shqiptarësh. Më keq akoma nga ato ekspertë të emëruar disave i jepet një volum i madh pune, disa të tjerë nuk thirren njëherë hajde t’u japim punë”, tha Rama

“Rritje 40% e financimit për universitetet”, Manastirliu: Synojmë të shkojmë drejt..

By: e xh
21 July 2025 at 12:51

U prezantua sot Raporti i Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë: “Arritjet dhe sfidat drejt Universitetit 4.0”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, drejtuesve të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, si dhe Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike.

Ministrja Manastirliu foli për rëndësinë e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universiteteve është të rrisë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit të lidhura drejpërdrejt me tregun e punës.

Duke folur për arritjet e deritanishme, Manastirliu tha: “Kemi bërë të mundur që në këto vite të kemi një rritje të financimit në institucionet e arsimit të lartë me 40%, kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona përmes programeve, të cilat çdo vit zgjerohen në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe programeve të kërkimit shkencor, dhe gjithashtu lidhjeve me industrinë dhe biznesin, që është edhe në fokus të punës tonë në raport me programet e reja të studimit e gjithashtu edhe me fushat prioritare, stratgjike të zhvillimit të vendit”.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe standardet e reja europiane të universiteteve, për të shkuar drejt Universitetit 4.0, Ministrja Manastirliu tha: “Ekonomia 4.0 kërkon aftësi 4.0, që do të thotë që dalin përtej mureve të universiteteve tona, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike, por kampuse online me universitetet në botë dhe për të krijuar mundësinë që të jemi të orjentuar drejt teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur, gjë e cila po ndodh me hapa të qëndrueshëm. Sot më shumë se kurrë ne jemi afër zhvillimit të inovacionit brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimit të programeve të studimit, në mënyrë që diplomat tona të mos jenë vetëm ato 4-vjeçaret. Pra Universiteti 4.0 kërkon që universiteti ti shërbejë të mësuarit përgjatë gjithë jetës, ndaj transfromimi i universiteteve tona duhet të fillojë pikërisht nga këto mësime të mësuara në këto vite, në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, por edhe të instrumentave dhe institucioneve që janë krijuar, sikurse është edhe Bordi i Akreditimit”.

Raporti i prezantuar nga Bordi i Akreditimit dha një analizë të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, që evidenton zhvillimet dhe sfidat kryesore në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë ndryshimet në numrin e studentëve, cilësinë e kurrikulave, kualifikimin e stafit akademik, kërkimin shkencor dhe lidhjen me tregun e punës.

Lapaj-KQZ-së: Miratoni me shkrim dorëheqjet e 12 kandidatëve të listës së mbyllur

By: b b
21 July 2025 at 12:40

Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, përmes së cilës kërkon që të konfirmohet me shkrim vlefshmëria e dorëheqjeve të paraqitura nga 12 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit për qarkun Tiranë.

Ai thekson se dorëheqjet janë dorëzuar më 11 maj 2025, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave dhe se meqë KQZ nuk ka marrë një vendim të kundërt, ato duhet të konsiderohen si të miratuara në mënyrë të heshtur.

Kërkesa zyrtare e Adriatik Lapajt:

“Nisma “Shqipëria Bëhet” me Vendimin Nr. 237, dt. 04.03.2025, është regjistruar në KQZ si koalicion për zgjedhjet parlamentare të dt. 11 maj 2025, me përfaqësues z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.

Në Qarkun Tiranë, ky koalicion ka siguruar 16,520 vota, duke fituar një mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, më datë 11 maj 2025, përpara fillimit të procesit të numërimit të votave.

Bazuar në Nenin 97, të Kodit të Procedurave Administrative, përsa kohë organi publik, në këtë rast Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, nuk është shprehur me vendim konsiderohen të miratuara në heshtje.
Në këtë kuadër, kërkojmë konfirmimin me shkrim se dorëheqjet e paraqitura janë konsideruar të miratuara në heshtje, në përputhje me ligjin në fuqi.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!

Situata me zjarret/ MM: Gjatë 24 orëve raportohen 23 vatra, 7 ende aktive

By: e xh
21 July 2025 at 12:39

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Kurbin, Mirditë, Devoll, Korçë, Mallakastër, Fier, Gjirokastër, Selenicë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Lezhë,

Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:

  • Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv zjarri, i cili po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
  • Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete. Në ndihmë janë edhe 30 efektivë nga FA.
  • Qarku Vlorë, në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar dje. Zjarri është shumë intensiv, me shkurre dhe fier që digjen poshtë pyllit me pisha. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorat e pishës duke e bërë gjendjen problematike. Në terren ndodhen edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar, i cili kreu 3 misione.
  • Qarku Elbasan. Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një pyll gështenje në fshatin Shmil, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd.
  • Qarku Lezhë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Vazhdon puna për krehjen e të gjithë vatrës së zjarrit. Në operacion u bashkua dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili kreu 2 misione.
  • Qarku Korçë. Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kaluar varrezat e fshatit, dhe duke shkuar pranë kufirit me shtetin grek. Vijon puna e forcave operacionale në terren për shuarjen e zjarrit.
  • Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre.

Në monitorim:

  • Bulqizë: Në “Livadhin e Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
  • Qarku Fier. Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ka vazhduar të mbetet nën monitorim vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 269 hektarësh të djegur dhe rreth 30 rrënjë ullinj.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 440 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 157 forca nga FA me 21 mjete dhe 2 helikopterë, të cilët kryen 5 misione. Ditën e sotme nga FA në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 155 forca ushtarake me 21 mjete.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve – Sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse.

Fisnik Qosja kërkoi reformim në PD/ Dash Sula: Të rinjtë në postet drejtuese..

By: e xh
21 July 2025 at 11:53

Pas deklaratës së bërë nga kryebashkiaku i Kavajës ku kërkoi reformim të thellë në PD, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, Dashnor Sula.

Sipas Sulës, më në fund dje, pas më shumë se dy muajsh dikush nga te “preferuarit” në PD doli publikisht për të kërkuar ndryshime të thella në Selinë Blu.

‘E thënë nga Fisnik Qosja, kërkesa për reformim të thellë në PD ka një vlerë edhe më domethënëse.

Fisnik Qosja është një i ri i cili theu “mitin” se mazhoranca aktuale nuk mundet me Ramën kryeministër. Qosja tregoi se edhe farsa nuk bën punë kur ka alternativë të re dhe punë të palodhur’, shkruan Sula.

Sipas tij, postet drejtuese në PD t’i atribuohen të rinjve që sipas tij e treguan në 11 Maj se nuk mungojnë por se nuk u lihet hapsirë. Gjithashtu Sula thekosi se Partia Demomratike duhet të bëj një analizë të thellë të rezultateve të 11 majit.

‘Ndërkohë, Partia Demokratike, selia e saj, postet drejtuese në të duhet ti atribuohen të rinjve që e treguan në 11 Maj se nuk mungojnë por se nuk u lihet hapsirë.

Partia Demomratike duhet të bëj një analizë të thellë të rezultateve të 11 majit, të performancës në vitet e kaluar, të ndahet nga galloshet e vjetra që janë bërë “gogoli” i qytetarëve’, theksoi Sula./opinion.al

Postimi i Dashnor Sulës

Pse duhet të degjohet ajo çfarë tha kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja?!

Më në fund dje, pas më shumë se dy muajsh dikush nga te “preferuarit” në PD doli publikisht për të kërkuar ndryshime të thella në PD.

E thënë nga Fisnik Qosja, kërkesa për reformim të thellë në PD ka një vlerë edhe më domethënëse.

Fisnik Qosja është një i ri i cili theu “mitin” se mazhoranca aktuale nuk mundet me Ramën kryeministër. Qosja tregoi se edhe farsa nuk bën punë kur ka alternativë të re dhe punë të palodhur.

Fatkeqësisht, si Fisniku këto kohë mendojnë shumë pak. Janë shumë pak sepse në Partinë Demokratike, parimi i futjes në garë për të fituar ka shkuar me kohën. Mendimi më dritë gjatë në selinë blu është si të mbajmë karriget tona e ta përdorim për ndonjë skemë të vogël. Pikërisht nga këta llojë duhet të shkëputet PD.

OPSION PËR ZGJIDHJE?!

Që Partia Demokratike të mos mbesë një relike në histori, do duhet patjetër të reformohet. Në mënyrë që edhe Partia Demomratike të mos jetë si ato shifrat që jep INSTAT (POPULLSIA PO PLAKET), do duhet që të rienërgjizojë Partinë.

Grupi Parlamentarë, ta tregojë në jetën parlamentare punën, ta justifikojnë mandatin që kanë marrë në masën 90% qyl nga kryetari. Secili prej tyre ta dëshmojë sa vlen.

Ndërkohë, Partia Demokratike, selia e saj, postet drejtuese në të duhet ti atribuohen të rinjve që e treguan në 11 Maj se nuk mungojnë por se nuk u lihet hapsirë.

Partia Demomratike duhet të bëj një analizë të thellë të rezultateve të 11 majit, të performancës në vitet e kaluar, të ndahet nga galloshet e vjetra që janë bërë “gogoli” i qytetarëve.

Ajo që nuk duhet të ndodh në PD është ajo që në fakt po ndodh tani. Dështakët, humbsit serial mblidhen nëpër dreka peshku për të thurur kulisa në mënyrë që të mos analizohen humbësit dhe të sulmohen të rinjtë qe kanë qëllime dhe projekte për të sjellë demokratët në PUSHTET.

 

 

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 50-të

By: b b
21 July 2025 at 11:49

Deputetët nuk arritur as për të 50-ën herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.

Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejojë “të keqpërdoret”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Deharin për “abuzim” me pozitën.

Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci e ka qethur kokën para Kuvendit, duke thënë se ky është akt simbolik, përmes së cilit po dëshmon se “ka ardhur fundi”.

“Kjo nuk është më politikë prandaj unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi”, ka thënë avokati Koci, duke përsëritur se nga kjo zvarritje po rrezikohet “shtetësia e Kosovës”.

Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura.

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka deklaruar paraprakisht se partia të cilës i takon ajo kërkon që Limaj të propozohet për kryetar Kuvendi.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë përsëritur të hënën se nuk kanë votë për Limajn si kryetar Kuvendi.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./REL

“Kurti ka humbur arsyen, po nxit konflikt”, çfarë paralajmëroi Vuçiç

By: e xh
21 July 2025 at 11:32

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shpërthyer me akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për atë që ai e quan si “provokim të qëllimshëm për të ndezur një konflikt në Ballkan”.

“Serbia ka probleme shumë më të mëdha sesa ata që bllokojnë rrugët. Sjellja e Albin Kurtit, arrestimet dhe persekutimet e qytetarëve tanë janë problemi real. Arrestimi i fundit i Igor Popoviçit tregon se Kurti ka humbur çdo sens logjik dhe po nxit tensione serioze në rajon. Kemi njoftuar të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Ky terror duhet të ndalet”, ka deklaruar Vuçiç.

Krahas tensioneve në Kosovë, Vuçiç shprehu shqetësim edhe për luftën në Ukrainë.

“Sigurisht që më shqetëson konflikti Rusi-Ukrainë. Do thoni se nuk jemi palë, por ndikimi është i drejtpërdrejtë. Që nga 2014-a, kemi kaluar përmbytje, krizë migracioni, pandemi, dhe tani një luftë në Evropë e një tjetër në Lindjen e Mesme. Të gjitha na prekin”, tha ai.

“Nuk do ketë luftë civile në Serbi!”

Duke folur për protestat dhe bllokadat në disa qytete, Vuçiç theksoi se nuk do të ketë përplasje civile në Serbi.

“Serbia nuk do të zhytet në kaos. Me përgjegjësi, përkushtim dhe shumë kujdes, kemi shmangur çdo përplasje. Qytetarët nuk kanë pse të ndihen të rrezikuar. Edhe për ata që bllokojnë rrugët, ne kemi treguar kujdes, nuk donim të përdornim forcë, për të shmangur përshkallëzime. Edhe ata janë qytetarët tanë, edhe kur gabojnë. Disa prej tyre i kam falur personalisht“, u shpreh ai.

Zgjedhjet?

Lidhur me zgjedhjet, presidenti serb u shpreh se ato do të zhvillohen sipas ligjit dhe kur t’i përshtatet interesit të shtetit, jo kërkesave të opozitës.

“Le të mos harrojmë, ka 13 vjet që Serbia po ecën në një kurs të qëndrueshëm. Paga mesatare është rritur ndjeshëm dhe tani duhet të përqendrohemi te rajonet e pazhvilluara, si jugu dhe jugperëndimi i vendit.”/tvklan.al

❌
❌