Çfarë tregoi stërvitja ushtarake mes Serbisë dhe Kinës?
Stërvitjet dhjetëditore e njësive speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës është mbajtur në provincën Hebei në veri të Kinës, pavarësisht paralajmërimeve që Brukseli i kishte bërë Beogradit.
Pas manovrës së vitit të kaluar me ushtrinë e Bjellorusisë – në kufirin e NATO-s në Evropë – këtë vit, ushtarët kinezë zhvilluan stërvitje me ushtrinë e Serbisë.
Kjo ishte hera e parë që Kina dhe Serbia, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe aleate e afërt e Kinës dhe Rusisë, zhvilluan stërvitje të përbashkët ushtarake.
Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, e vlerësoi këtë zhvillim për Radion Evropa e Lirë si një konfirmim të mëtejshëm se “Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë me Pekinin, ashtu si edhe me Moskën”.
“S’kanë pasur të drejtë ata që thoshin se presidenti Vuçiq do ta përqafonte Perëndimin”, tha Serwer.
Edhe pse integrimi në BE është qëllim strategjik i Serbisë, ajo – nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq – po i thellon marrëdhëniet me Kinën. Të dyja vendet i quajnë marrëdhëniet e tyre “miqësi çeliku” dhe “partneritet strategjik”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë vlerësoi se stërvitjet i ka dhënë “impuls forcimit të bashkëpunimit ushtarak” me Kinën – duke e bërë Serbinë shtetin e vetëm kandidat drejt BE-së që stërvitet me ushtrinë kineze.
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe bashkëpunon me aleancën në këtë kuadër.
Në qendër të stërvitjeve të përbashkëta me emrin “Paqeruajtësi 2025” ishte përdorimi i dronëve, pasi Serbia ka blerë dronë luftarakë dhe sistemin kundërajror kinez FK-3. Kjo e ka bërë Serbinë vendin e parë në Evropë që operon me këto pajisje kineze – zhvillim që ka shkaktuar shqetësim në Bruksel dhe Uashington.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë përse stërvitjet u zhvilluan pavarësisht paralajmërimit nga BE-ja.
Kur stërvitjet u paralajmëruan në mesin e korrikut, një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se “Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme”.
I pyetur se sa gjatë Serbia mund të vazhdojë bashkëpunimin me Kinën, profesori Serwer tha: “Sa të dëshirojë – nëse nuk e ka seriozisht anëtarësimin në BE”.
Që nga dhjetori i vitit 2021, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim në BE – ndër të tjera edhe sepse nuk iu është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Thellimi i marrëdhënieve mes Kinës dhe Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 2022 është një ndër çështjet kryesore të përplasjes mes BE-së dhe Kinës.
Edhe samiti BE-Kinë i mbajtur më 24 korrik në Pekin nxori në pah dallimet e thella politike, me presidentin kinez Xi Jinping që deklaroi se “sfidat me të cilat përballet Evropa nuk vijnë nga Kina”.
Profesori Serwer thotë se “Serbia po sinjalizon qartë se nuk është, dhe nuk do të jetë në linjë me politikën e jashtme të BE-së”.
“Ajo gjithashtu nënkupton se ambicia e Kinës për të rikthyer Tajvanin ka një paralelizëm me ambicien e Serbisë për të rikthyer Kosovën”, shton ai.
Serbia llogarit në mbështetjen e Kinës dhe Rusisë në organizatat ndërkombëtare për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa në anën tjetër, Beogradi mbështet politikën e “një Kine” dhe nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit.
Aferësia e Beogradit me Pekinin
Stërvitjet e përbashkëta ushtarake “kurorëzuan” bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Kinës, i cili kishte nisur në vitin 2020 me blerjen nga Serbia të gjashtë dronëve të rinj CH-92A.
Dy vjet më vonë, Serbia bleu edhe sistemin kundërajror kinez FK-3.
Më pas, Serbia ka blerë edhe një dron të ri të modelit kinez CH-95, por nuk është bërë e ditur zyrtarisht se sa njësi të këtij tipi janë blerë.
NATO-ja dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Serbisë dhe Kinës, deri në publikimin e këtij raporti.
I pyetur se si mund të reagojë Uashingtoni, profesori Daniel Serwer – ish-emisar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Bosnjën dhe Hercegovinën në vitet ‘90 – u shpreh:
“Nuk mendoj se SHBA do të ndërmarrë ndonjë veprim të madh”.
“Ata kanë shumë probleme në vende të tjera. Por, kjo nuk do ta bëjë vizitën e Vuçiqit në Florida më produktive sesa herën e kaluar”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite në SHBA në fillim të majit, nuk u takua me presidentin amerikan Donald Trump, ndonëse kishte paralajmëruar se do ta takonte dy herë.
Ai ndërpreu vizitën në Florida dhe u kthye në Beograd, për shkak të – siç u tha – problemeve shëndetësore me tensionin e lartë të gjakut.
Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar më herët Serbinë për blerjen e armëve kineze.
“Qeveritë duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata, si dhe për çmimin që sjell bashkëpunimi me kompanitë kineze”, pati deklaruar Ambasada Amerikane për Radion Evropa e Lirë në gusht të vitit 2020.
Aktualisht nuk ka informacione nëse një stërvitje e përbashkët ushtarake do të mbahet edhe në territorin e Serbisë.
Në tokën evropiane, një stërvitje e përbashkët u mbajt në korrik të vitit 2019 – para pushtimit rus të Ukrainës – në Gjermani, ku u organizua ushtrimi ushtarako-mjekësor “Ndihma e përbashkët 2019” mes Kinës dhe Gjermanisë, me fokus përgatitjen për reagim në raste krizash humanitare.
Letra e Xi Jinping për Vuçiqin
Në të njëjtën ditë kur u publikua lajmi për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake të përbashkëta, presidenti i Kinës, Xi Jinping, i dërgoi një letër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si përgjigje ndaj urimit që ky i fundit i kishte dërguar për ditëlindje.
Në letrën e tij, Xi vlerësoi lart mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kinës në çështje që, siç u shpreh, lidhen me “interesa kyçe dhe shqetësime madhore” për Kinën.
Duke komentuar interesat kineze, profesori amerikan Daniel Serwer tha se Pekini është i interesuar që ta forcojë rolin e Serbisë si një pikë hyrëse të dobishme drejt Evropës.
“Po ashtu, edhe për projekte fitimprurëse në Serbi, siç është ai i hekurudhës”, shtoi ai.
Kompanitë kineze janë të përfshira në shumë projekte infrastrukturore në Serbi, të cilat zakonisht u janë dhënë pa procedura të rregullta tenderimi.
Ndërkohë, Kina është bërë partneri më i madh tregtar i Serbisë për importin. Vetëm në vitin 2024, importet nga Kina arritën vlerën e 5.13 miliardë eurove.
Përveç mbështetjes politike, autoritetet në Beograd mbështeten te Kina edhe për investime ekonomike dhe hua financiare./REL