Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Opinion.al

Rekord historik i nxehtësisë në Japoni

By: e xh
6 August 2025 at 18:11

Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin. Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin.

Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.

Përpara kësaj vale të fundit të të nxehtit, rekordi më i lartë ishte 41.1°C, i shënuar më parë në vitet 2020 dhe 2018. Agjencia Meteorologjike ka bërë të ditur gjithashtu se muaji i kaluar ka qenë më i nxehti që prej fillimit të matjeve në vitin 1898.

Temperatura mesatare mujore ishte 2.89°C mbi mesataren e periudhës 1991-2020. Edhe qyteti turistik i Kyotos është prekur nga vala përvëluese. Javën e kaluar, temperaturat atje arritën në 40°C, për herë të parë që ndonjë prej pikave të matjes, nga më e vjetra që daton në vitin 1880, deri tek më e reja e hapur në 2002 ka regjistruar një vlerë të tillë.

Klima ka ndryshuar dhe vitet e fundit, verat janë më të gjata dhe të nxehta, dimrat më të butë, ndërsa pranvera dhe vjeshta janë çrregulluar plotësisht. Studimi i fundit i publikuar në “Progress in Environmental Geography”, thekson se nuk po përballemi thjesht me ndryshime, por me lindjen e stinëve të reja të krijuara si pasojë e aktiviteteve të njeriut.

Autorët propozojnë terma të rinj për të përshkruar këtë epokë të çuditshme klimatike. Sipas tyre e para janë stinët sinkopike; verat po bëhen më të nxehta, dimrat po bëhen më të butë dhe ngjarjet ekstreme po bëhen më të shpeshta.

“Turizmi dhe ndërtimi ndihmuan ekonominë”, Sejko: Rritje pozitive ekonomike

By: e xh
6 August 2025 at 18:07

Një performancë e mirë ekonomike e mbështetur turizmi dhe ndërtimit, punësimi dhe pagat në rritje dhe një inflacion i qëndrueshëm, është kjo ecuria e Shqipërisë në gjysmën e parë të vitit.

Në konferencën e përmuajshme të politikës monetare guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ky trend do të vazhdojë.

“Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje.

Kjo ecuri pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Përqasja jonë konsistente ndaj objektivit ligjor të stabilitetit të çmimeve ka gjeneruar kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit dhe për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë”, tha Sejko.

Sipas guvernatorit politika monetare ka rezultuar positive dhe për këtë arsye norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar në nivelin e 2.5%.

“Politika e kujdesshme dhe konsistente monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol parësor në përmirësimin e kushteve të financimit. Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të fundit ka ulur kostot e financimit të sektorit bankar dhe yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e interesit të kredive. Paralelisht me të, normalizimi i pritjeve për inflacionin ka ndihmuar në kontrollin e segmentit afatgjatë të kurbës së normave të interesit dhe ka nxitur funksionimin normal të tregjeve financiare. Së fundi, rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në absorbimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij”, tha Sejko.

Guvernatori shprehet optimist për vijueshmërinë e ekonomisë teksa sipas tij rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.

Patos/ Zjarri përfshin pyllin me pisha, era favorizon flakët

By: e xh
6 August 2025 at 17:46

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në pyllin me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos.

Sipas burimeve të informacionit nga banorë të fshatit dhe zjarrfikës, era po ndihmon flakët, ndërkohë që terreni është shumë i thyer dhe e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Alket Halimi, shef i zjarrfikëseve në Bashkinë Patos thotë se në vëndngjarje janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, dhe ndërhyrja është e pamundur. Po luftohet me mjete rrethanore, teksa ndihmojnë zjarrfikëset edhe banorë të zonave apo struktura të bashkisë.

Për momentin flakët po avancojnë të favorizuara nga era. Ky pyll u dogj afro 3 vjet më parë, ndërsa për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit, pasi pylli ndodhet midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie.

India kritikon sanksionet e SHBA: Të padrejta

By: e xh
6 August 2025 at 17:40

Qeveria e Indisë ka kritikuar ashpër sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për importet e naftës ruse, duke i cilësuar ato “të padrejta, të pajustifikuara dhe të paarsyeshme.”

Reagimi vjen pas vendosjes nga Presidenti Donald Trump të një urdhri ekzekutiv që imponon një taksë shtesë prej 25% për produktet indiane, për shkak të vazhdimit të tregtisë me naftë ruse.

Trump deklaroi se kjo masë kishte për qëllim të ndikonte në çmimet globale të energjisë dhe të ushtronte presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për të përfunduar luftën në Ukrainë.

Megjithatë, India ka reaguar duke e cilësuar këtë vendim si “fatkeqësi” dhe ka theksuar se do të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.

Qeveria indiane theksoi se importet e saj të naftës janë të bazuara në faktorët e tregut dhe se janë bërë me qëllimin e sigurimit të energjisë për 1.4 miliardë njerëzit e saj.

Ajo përsëriti se politika energjetike e vendit është e orientuar drejt sigurimit të furnizimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme me energji, pa marrë parasysh ndikimet gjeopolitike.

Në këtë mënyrë, India mbetet e vendosur në mbrojtjen e nevojave të saj energjetike dhe ekonomike, pavarësisht presionit nga SHBA.

Video/ Sherr në një plazh në Ukrainë, gratë përleshen mes tyre

By: e xh
6 August 2025 at 17:29

Një përleshje shpërtheu mes grave me bikini në Odessa kur, sipas raportimeve, një këngë ruse u luajt nga altoparlantët e një dyqani.

Dëgjimi në publik i këngëve ruse është ndaluar në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus. Në videon e regjistruar nga dëshmitarët okularë, fillimisht shihen dy gra duke i tërhequr flokët njëra-tjetrës, me sherrin që përshkallëzohet me pjesëmarrjen e grave të tjera.

Pjesëmarrëset në përleshje u përpoqën të ndaheshin nga dy burra me rroba banje, të cilët u përpoqën të ndanin grupet kundërshtare.

“Turiste femra u grindën në një plazh në Odessa pasi u luajt një këngë ruse”, raportoi faqja e internetit ukrainase Strana.

Odessa ka qenë shënjestër e më shumë se 700 sulmeve ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, me të paktën 131 civilë të vrarë dhe 312 të plagosur.

Incident në një aeroport të Anglisë, mbyllet pista pasi një avioni iu bllokua helika

By: e xh
6 August 2025 at 17:24

Aeroporti i Birminghamit në Anglinë qendrore njoftoi se kishte mbyllur përkohësisht pistën e tij sot pas një incidenti ajror, tha menaxhmenti i aeroportit.

“Pas një aksidenti ajror, pista është mbyllur përkohësisht”, shkruhej në deklaratën e aeroportit.

Imazhet e postuara në X tregojnë një aeroplan të vogël me helikë, me helikën e bllokuar, në pistën e aeroportit të shtatë më të ngarkuar të Britanisë.

The Telegraph raportoi se të gjitha nisjet dhe mbërritjet do të vonohen deri në orën 6 pasdite sipas orës lokale.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo do të shkaktojë. Ne do t’i përditësojmë pasagjerët që janë tashmë në aeroport dhe u rekomandojmë atyre që udhëtojnë më vonë sot të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre para se të vijnë në aeroport. Ne do të vazhdojmë të lëshojmë përditësime sa herë që të jetë e mundur”, thanë autoritetet e aeroportit.

Aeroporti i Birminghamit është aeroporti i shtatë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar dhe i treti më i madh jashtë Londrës, me rreth 11.5 milionë pasagjerë në vitin 2023.

Ai pret afërsisht 30 linja ajrore dhe ofron mbi 130 rrugë direkte dhe më shumë se 450 destinacione me një ndalesë.

Rikonstruksioni i spitalit të Kavajës, Koçiu: Investim për mbi 100 mijë banorë

By: e xh
6 August 2025 at 17:20

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Njësia Kavajë, Silvana Bala inspektoi nga afër detajet e fundit të punimeve për rikonstruksionin e spitalit në Kavajë, një investim që ka mundësuar rehabilitimin tërësor të ambienteve duke sjell standarde të reja shërbimi për mbi 100 mijë banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth.

Gjatë vizitës në ambientet e rinovuara, ministrja Koçiu theksoi që punimet në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit janë drejt përfundimit ku qytetarët do marrin shërbime shëndetësore në kushte dhe ambiente modern.

 “Jemi në përfundim të punimeve të spitalit të Kavajës, që ka për afro një vit që është binjakëzuar me spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe shërben jo vetëm për banorët e Bashkisë së Kavajës dhe Bashkisë së Rrogozhinës, Ndërkohë është edhe një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore për të gjithë pushuesit që vijnë e pushojnë në vijën bregdetare nga Golemi në Spille”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u ndal tek përmirësimi i hapësirave që ka përfshirë ky investim ku është bërë i mundur edhe rinovimi tërësor i dy pavioneve, të Maternitetit dhe Pediatrisë.

“Është një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore që i kushtuam një rikonstruksion dhe rehabilitim të plotë të katër kateve, duke krijuar hidroizolimin e tarracës, rifreskimin dhe rishikimin edhe mënyrën se si organizoheshin pavioni i Maternitetit dhe i Pediatrisë, por ndërkohë edhe nyjet hidrosanitare dhe të gjithë problematikat që kjo infrastrukturë kishte, me qëllim kryesor për ta kthyer në shërbim funksional sa më të plotë për të gjithë qytetarët”, u shpreh mininstrja e Shëndetësisë.

Ajo vlerësoi punën e mjekëve për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët afër vendbanimit, një prej prioriteteve kryesore të MSHMS-së.

Gjithashtu, Koçiu vuri theksin te Urgjenca, një ndër shërbimet e rëndësishme në Spitalin e Kavajës, veçanërisht gjatë sezonit veror.

 “Urgjenca është pikë nevralgjike ne Spitalin e Kavajës për aq kohë sa pret jo vetëm qytetarët e Kavajës dhe Rrogozhinës, afro 100 000 banorë të të dy bashkive, por i shërben edhe të gjithë pushuesve që vijnë e pushojnë në bregdetin e Golemit deri në Spille. Kjo është arsyeja që duam të forcojmë edhe spitalin, jo vetëm infrastrukturën që tashmë e kemi në përfundim, por edhe shërbimin shëndetësor me mjekë që të jenë sa më afër banorëve”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu tha se një ndër shërbimet e rëndësishme në spitalin e Kavajës është edhe Kabineti i Fizioterapisë, një shërbim për të cilin po punohet për ta shtrirë edhe në të gjitha spitalet rajonale dhe forcuar si shërbim edhe në qendrat shëndetësore.

“Besoj se tani me rikonstruksionin e godinës si dhe me dy pavione që janë kthyer me kushte bashkëkohore, Materniteti dhe Pediatria, por patjetër edhe shërbimi i urgjencës që në fakt i ka të gjitha kushtet për të bërë triazhin ashtu siç duhet, e kthejnë dhe e shndërrojnë këtë strukturë spitalore të domosdoshme, nevralgjike, sigurisht duke konsideruar edhe mbështetjen që japin mjekët e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi””, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Trump vendos tarifa shtesë prej 25% ndaj Indisë, shkak importi i naftës ruse

By: e xh
6 August 2025 at 17:15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv ditën e sotme, duke vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për mallrat që importohen nga ky shtet.

Vendimi vjen si pasojë e pretendimeve që India, drejtpërdrejt ose tërthorazi, po importon naftë nga Rusia.

Kjo tarifë e re është shtesë prej tarifës ekzistuese prej 25% që ishin shpallur më herët nga Presidenti amerikan.

Ky zhvillim pritet të përkeqësojë më tepër marrëdhëniet SHBA-Indi, në një kohë kur Kryeministri Narendra Modi pritet të vizitojë Kinën gjatë këtij muaji, për herë të parë pas më shumë se 7 vitesh.

Marrëdhëniet SHBA-Indi po kalojnë një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, pasi bisedimet për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve kanë dështuar.

Vendimi i fundit i Shtëpisë së Bardhë u paralajmërua nga Presidenti Trump që të hënën dhe vjen pas vizitës së të dërguarit të tij të lartë diplomatik, Steve Witkoff, në Moskë, ku u përpoq të bindte Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave më të larta ndaj Rusisë si dhe sanksione të tjera ndaj vendeve aleate të saj, nëse Presidenti rus Vladimir Putin nuk ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

U akuzua se i dha informacion Mossad-it, Irani ekzekuton shkencëtarin

By: e xh
6 August 2025 at 17:07

Autoritetet iraniane ekzekutuan Rouzbeh Vadi-n, i cili u akuzua për spiunazh për Izraelin dhe rrjedhje informacioni të ndjeshëm në lidhje me një shkencëtar bërthamor iranian të vrarë në një sulm izraelit në qershor, raportoi të martën gazeta Mizan e gjyqësorit iranian.

Vadi punonte në “një nga organizatat shtetërore të rëndësishme” dhe kishte kryer “krime të shumta kundër sigurisë shtetërore që shkaktuan prishje të rendit publik”, thuhet në raport, teksa nuk ka informacion se ku apo kur u krye ekzekutimi.

Mizan nuk zbuloi detaje të mëtejshme rreth identitetit të shkencëtarit bërthamor, por sipas burimeve të, ai është një zyrtar i lartë në programin bërthamor iranian, vrasja e të cilit iu atribuua nga Teherani shërbimeve të inteligjencës izraelite.

Ekzekutimet e iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin janë rritur ndjeshëm këtë vit, me të paktën tetë dënime me vdekje të kryera në muajt e fundit .

Rreth 935 persona u vranë në Iran gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, deklaroi më 30 qershor një zëdhënës i gjyqësorit iranian. Numri i të vdekurve përfshinte 132 gra dhe 38 fëmijë. Autoritetet izraelite kanë raportuar 28 vdekje në Izrael si rezultat i sulmeve hakmarrëse nga Irani gjatë luftës.

Izraeli nisi luftën ajrore më 13 qershor, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë, si dhe civilë, në goditjen më të keqe ndaj Republikës Islamike që nga lufta e viteve 1980 me Irakun.

Pse dështuan bisedimet tregtare Indi-SHBA?

By: e xh
6 August 2025 at 16:23

Pas pesë raundeve të negociatave tregtare, zyrtarët indianë ishin aq të sigurt se do të siguronin një marrëveshje të favorshme me Shtetet e Bashkuara saqë madje sinjalizuan median se tarifat doganore mund të kufizoheshin në 15%.

Nju Delhi tani ka mbetur me vendosjen surprizë të një tarife dogonare prej 25% mbi mallrat indiane nga e premtja, së bashku me penalitete të paspecifikuara mbi importet e naftës nga Rusia, ndërsa Trump ka mbyllur marrëveshje më të mëdha me Japoninë dhe BE-në, dhe madje i ka ofruar kushte më të mira rivalit të përbetuar Pakistanit.

Intervistat me katër zyrtarë të qeverisë indiane dhe dy zyrtarë të qeverisë amerikane nxorën në dritë detaje të pazbuluara më parë të marrëveshjes së propozuar dhe një rrëfim ekskluziv se si negociatat dështuan pavarësisht marrëveshjeve për shumicën e çështjeve.

Zyrtarët nga të dyja palët thanë se një përzierje e gjykimeve të gabuara politike dhe sinjaleve të humbura prishi marrëveshjen midis ekonomive më të mëdha dhe të pestave më të mëdha në botë, tregtia dypalëshe e të cilave vlen mbi 190 miliardë dollarë.

India besonte se pas vizitave të Ministrit Indian të Tregtisë Piyush Goyal në Uashington dhe të Zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance në Delhi, kishte bërë një sërë lëshimesh që kishin për qëllim arritjen e marrëveshjes.

Nju Delhi po ofronte zero tarifa doganore për mallrat industriale që përbënin rreth 40% të eksporteve amerikane në Indi, thanë dy zyrtarë të qeverisë indiane për Reuters.

Pavarësisht presionit të brendshëm, India gjithashtu do të ulë gradualisht tarifat doganore për makinat dhe alkoolin amerikan me kuota dhe do të pranojë kërkesën kryesore të Uashingtonit për importe më të larta të energjisë dhe mbrojtjes nga SHBA-ja, thanë zyrtarët.

“Shumica e mosmarrëveshjeve u zgjidhën pas raundit të pestë në Uashington, duke rritur shpresat për një përparim”, tha një nga zyrtarët, duke shtuar se negociatorët besonin se SHBA-të do të pranonin ngurrimin e Indisë për importet pa taksa të fermave dhe produkteve të qumështit nga SHBA-të.

Ishte një llogaritje e gabuar. Trump e pa çështjen ndryshe dhe donte më shumë lëshime.

“Është bërë shumë përparim në shumë fronte në bisedimet me Indinë, por nuk pati kurrë një marrëveshje për të cilën të ndiheshim mirë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

“Nuk arritëm kurrë në atë që përbënte një marrëveshje të plotë – një marrëveshje që po kërkonim.”

Besim i tepërt dhe llogaritje të gabuara

Kryeministri indian Narendra Modi, i cili vizitoi Uashingtonin në shkurt, ra dakord të synojë një marrëveshje deri në vjeshtën e vitit 2025 dhe të dyfishojë tregtinë dypalëshe në 500 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

Për të kapërcyer hendekun tregtar të mallrave prej 47 miliardë dollarësh, India u zotua të blinte deri në 25 miliardë dollarë energji nga SHBA-ja dhe të rriste importet e mbrojtjes.

Por zyrtarët tani pranojnë se India u bë tepër e sigurt pasi Trump foli për një marrëveshje “të madhe” të afërt, duke e marrë atë si një sinjal se një marrëveshje e favorshme ishte në dorë. Nju Delhi më pas e ashpërsoi qëndrimin e tij, veçanërisht në bujqësi dhe bulmet, dy fusha shumë të ndjeshme për qeverinë indiane.

“Ne jemi një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë dhe SHBA-të nuk mund ta injorojnë një treg prej 1.4 miliardë banorësh”, tha në mesin e korrikut një zyrtar indian i përfshirë në negociata.

Negociatorët madje nxitën për lehtësim nga tarifa mesatare prej 10% e SHBA-së e njoftuar në prill, plus një heqje të detyrimeve të çelikut, aluminit dhe automjeteve.

Më vonë, India i uli pritjet pasi SHBA-të nënshkroi marrëveshje tregtare me partnerë kryesorë, përfshirë Japoninë dhe Bashkimin Evropian, duke shpresuar se mund të siguronte një normë të ngjashme tarifore prej 15% me më pak lëshime.

Kjo ishte e papranueshme për Shtëpinë e Bardhë.

“Trump donte një njoftim që të tërhiqte vëmendjen e mediave me akses më të gjerë në treg, investime dhe blerje të mëdha”, tha një burim me qendër në Uashington i njohur me bisedimet.

Një zyrtar indian pranoi se Nju Delhi nuk ishte gati të përballonte ofertën e të tjerëve.

Koreja e Jugut , për shembull, arriti një marrëveshje pak para afatit të 1 gushtit të vendosur nga Trump, duke siguruar një normë prej 15% në vend të 25% duke ofruar 350 miliardë dollarë investime, importe më të larta të energjisë dhe lëshime për orizin dhe mishin e viçit.

Ndërprerje e komunikimit

“Në një moment, të dyja palët ishin shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Mark Linscott, një ish-Përfaqësues Tregtar i SHBA-së.

“Komponenti që mungonte ishte një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi midis Presidentit Trump dhe Kryeministrit Modi.”

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e kundërshtoi me forcë këtë, duke vënë në dukje se marrëveshje të tjera ishin zgjidhur pa një ndërhyrje të tillë.

Një zyrtar i qeverisë indiane i përfshirë në bisedime tha se Modi nuk mund të kishte telefonuar, nga frika e një bisede të njëanshme me Trump që mund ta vinte në pozitë të vështirë.

Megjithatë, tre zyrtarët e tjerë indianë thanë se vërejtjet e përsëritura të Trumpit në lidhje me ndërmjetësimin e konfliktit Indi-Pakistan i tensionuan më tej negociatat dhe kontribuan në mosmarrjen e një vendimi përfundimtar nga Modi.

“Vërejtjet e Trump për Pakistanin nuk u pritën mirë”, tha njëri prej tyre.

“Idealisht, India duhet ta kishte pranuar rolin e SHBA-së, duke e bërë të qartë se vendimi përfundimtar ishte i yni.”

Një zyrtar i lartë i qeverisë indiane ia hodhi fajin gjykimit të dobët për rrëzimin, duke thënë se këshilltarët e lartë indianë e keqmenaxhuan procesin.

“Na mungonte mbështetja diplomatike e nevojshme pasi SHBA-të arritën marrëveshje më të mira me Vietnamin , Indonezinë , Japoninë dhe BE-në”, tha zyrtari.

“Tani jemi në një krizë që mund të ishte shmangur.”

Trump tha të martën se do ta rriste tarifën doganore për importet nga India nga norma aktuale prej 25% “në mënyrë shumë të konsiderueshme” gjatë 24 orëve të ardhshme dhe pretendoi se blerjet e naftës ruse nga Nju Delhi po “nxisin luftën” në Ukrainë.

Bisedimet janë duke vazhduar, me një delegacion amerikan që pritet në Delhi më vonë këtë muaj dhe zyrtarët e qeverisë indiane ende besojnë se marrëveshja mund të shpëtohet nga këtu.

“Është ende e mundur”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Qeveria indiane po rishqyrton fushat brenda sektorëve të bujqësisë dhe qumështit ku mund të bëhen lëshime, tha zyrtari i katërt. Për naftën ruse, India mund të zvogëlojë disa blerje në favor të furnizimeve amerikane nëse çmimet përputhen.

“Me shumë mundësi do të kërkojë komunikim të drejtpërdrejtë midis kryeministrit dhe presidentit”, tha Linscott.

“Tani për tani, jemi në një situatë ku humbasim çdo gjë. Por ekziston një potencial i vërtetë për një marrëveshje tregtare të favorshme për të dyja palët.”/Reuters

Konstituimi i Kuvendit/Kurti: S’e di cila do jetë zgjidhja, respektojmë Kushtetuesen

By: e xh
6 August 2025 at 15:57

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm I madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.

Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.

Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Në prag të vendimit të Kushtetueses, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të martën e tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban. Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm” për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

I pyetur për këtë nga gazetarët, Kurti tha se presidentja Osmani “nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Llabanin, atëherë kur ai pati aplikuar për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Asokohe, Albulena Haxhiu nga partia jonë i pati shkruar letër zyrës së presidentit, mirëpo as presidenti i atëhershëm më 2018 e as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë parë të arsyeshme të ndalnin emërimin e tij”, theksoi ai.

Kurti shtoi se “është absurde që dikush, sipas informacioneve nga institucionet tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues, të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë. Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë. Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet. REL

 

“Dialogu Kosovë-Serbi ende aktiv”/ Sorensen: Situata politike në Kosovë ka bërë..

By: e xh
6 August 2025 at 15:33

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka paralajmëruar vonesa në dialog për shkak të situatës aktuale politike në vend.

Megjithatë, ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi është gjallë dhe ende aktiv. Ai pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, tha se ka biseduar lidhur me implementimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023 mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen, në një prononcim të shkurtër para mediave, tha se situata politike në Kosovë do të bëjë që gjërat të zgjasin më shumë në procesin e dialogut.

Kosova, edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ende nuk ka formuar institucionet e reja, si pasojë e bllokadës në konstituimin e Kuvendit.

“Sapo pata një takim me z. Kurti. E takova presidenten herët në mëngjes. Jam këtu si pjesë e diskutimeve të mandatit tim se si të zbatohet marrëveshja e Ohrit, situata në terren. Sigurisht, situata politike këtu do të thotë që gjërat mund të zgjasin pak më shumë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt dhe jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që më pritën në atë mënyrë siç më kanë pritur”, tha ai.

Sorensen po qëndron për vizitë zyrtare të mërkurën në Kosovë. Kjo është vizita e tij e tretë në vend, ndërsa ditë më parë Bashkimi Evropian tha për KosovaPress, se po punojnë me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve Kosovë-Serbi, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Të njëjtit shtuan se mundësia e takimeve të reja trilaterale në Bruksel varet nga gatishmëria e palëve.

Rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi e ka përmendur edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, javën e kaluar, pas një bisede me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç

Macron ka shkruar në rrjetin social X se Franca dënon çdo veprim të njëanshëm që mund të dëmtojë procesin e dialogut.

Ndërkaq, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur së fundmi për shkak të arrestimit në Kosovë të zyrtarit serb, Igor Popoviç, mbi akuzat për nxitje të urrejtjes dhe përçarjeve etnike. Ndërkohë, Serbia ka arrestuar ish-zyrtarin policor, Arbnor Spahiu, në muajin qershor, në lidhje me sulmin terrorist serb në Banjskë, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues./KosovaPress/

 

Hagë/ Gjykata Speciale zgjat paraburgimin ndaj Thaçit. Pretendimet e gjyqtares

By: e xh
6 August 2025 at 14:23

Zgjatet paraburgimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Këto vendime i mori dje me 5 gusht, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, me arsyetimin se duhet të mbesin në paraburgim për arsye proporcionale dhe të nevojshme, për të cilat për Thaçin tha se ende nuk është zhdukur rreziku i pengimit të procedurave me mbylljen e çështjes së Prokurorisë në rastin për krime lufte.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se ende vazhdon dyshimi ndaj Thaçit për kryerjen e veprave penale për të cilat ai është i ngarkuar.

“Veprimet e Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq që paraqesin mbrojtjen e Thaçit nuk kanë parashtruar përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit. Kujtojmë se Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër Thaçit në dhjetor të vitit 2024 për pengim të drejtësisë./ Kosovapress

 

“Ua blenë votën me 100 €”/ Berisha: Pensionistët shqiptarë më pak të paguarit në..

By: e xh
6 August 2025 at 14:07

Në konferencën e sotme për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar situatën e pensionistëve shqiptarë, duke i konsideruarit ata si më pak të paguarit në Europë.

Sipas statistikave të Eurostatit që paraqiti Berisha, pensionistët shqiptarë marrin pensione shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera europiane dhe ato të rajonit. Kreu i PD theksoi se kjo situatë është rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit qeveritar.

Berisha e kritikoi gjithashtu shpërndarjen e 100 eurove nga qeveria si një “farsë elektorale” për të blerë vota.

Fjala e kreut të PD Sali Berisha

Farsa elektorale 11 maj 2025 kishte aspektet më çnjerëzore, më cinike. Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit. Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët.

Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia. Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë. Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë.

Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian. U ndala te ky grafik për dy arsye.

Për të dënuar politikën çnjerëzore që ndiqet ndaj pensionistëve, një politikë e cila bazohet kryekëput për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar. Mos harroni se këta 760 mijë pensionistë, që siç e shihni në fuqi blerëse marrin 2 deri në 2.5 herë më pak se dy vendet e parafundit, marrin shumë më pak se minimumi jetik i premtuar, i cili do ishte 1.6, por do ishte 2.4, më shumë se sa është sot dhe natyrisht 100 eurot e dhuruara kanë pasur efekt jashtëzakonisht të këta njerëz që marrin një mesatare në muaj prej 133 eurosh. Po të kemi parasysh çmimet, të cilat janë 117 për qind, pra 17 për qind më të larta se mesatarja e BE, i bie që hendeku midis pensionistit shqiptar dhe pensionistit evropian me mesatare pension të jetë edhe shumë herë më i madh.

E zë masivi i kromit/ Minatori humb jetën në galeritë e Bulqizës

By: e xh
6 August 2025 at 14:04

Mesditën e sotme një minator ka humbur jetën në një aksident në subjektin minerar “Jeton Dani” në Bulqizë.

Raportohet se viktimë e aksidentit ka mbetur shtetasi F. Veliu, 60 vjeç, të cilin e zuri poshtë një masiv kromi që u shemb gjatë punës në galeri. Mësohet se trupi i pajetë është nxjerrë dhe dërguar në morg, pasi aksidenti ndodhi në një zonë jo shumë të thellë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Aksioni opozitar në vjeshtë/Berisha: Largimi i Ramës kusht i të gjitha kushteve

By: b b
6 August 2025 at 13:42

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot se në vjeshtë do të nisë aksionin opozitar kundër largimit të kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Në një konferencë për media, Berisha tha se largimi i tij është kushti i të gjitha kushteve, që qytetarët të vendosin për qeverinë e ardhshme me vullnetin e tyre.

 

“Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë.

Largimi i Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme.

Ndaj dhe PD do bëjë cdo gjë për të mobilizuar shqiptarët për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë.

Ata janë përfaqësues të shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve dhe kemi të bëjëm me një diktaturë autokratike që ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja nga kjo situatë”, tha Berisha.

Publikon videon, Bardhi:Kontroll nga vëzhguesit e PS mbi çdo votues në qendër votimi

By: e xh
6 August 2025 at 13:32

“Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues”.

Kështu shkruan në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ku ndër të tjera shkruan se “nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së”, shkruan Bardhi.

Sipas tij ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar pasi për të, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

 “Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde. QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje.”, shkruan Bardhi.

Postimi i Gazment Bardhit në Facebook

Episodi 2/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues. Nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së.

Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde.

QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje.

 

Meta i drejtohet GJKKO-së, kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë

By: b b
6 August 2025 at 13:24

Përfaqësuesit ligjorë të ish-presidenti Ilir Meta kërkojnë zëvendësimin e masës së sigurisë dhe për këtë kanë çuar një kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.

“Kjo kërkesë është paraqitur duke nisur nga fakti që Prokuroria e Posaçme SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Presidentit Meta dhe duke qenë se nevojat për ta mbajtur akoma nën paraburgim  nuk kanë më asnjë kuptim procedural”, njoftoi avokati i Metës, Kujtim Cakrani.

Kujtojmë se të hënën, SPAK i njoftoi mbylljen e hetimeve dhe akuzat ish-presidentit Ilir Meta për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Kujtojmë se Meta mbahet prej tetorit të vitit të shkuar në qeli./tvklan

Me kallashnikov kanosi me jetë familjarët e tij/ Arrestohet 41-vjeçari në Krujë

By: e xh
6 August 2025 at 12:58

Arrestohet një 41-vjeçar në Qerekë të Krujës pasi kanoste me jetë familjarët e tij. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarje kriminale në një familje. Sipas uniformave blu banesën e 41-vjeçarit u gjetën 3 armë, një .

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar se një shtetas po kanoste me armë zjarri kallashnikov, familjarët, në banesën e tyre, në fshatin Qerekë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve policore profesionale, u vu në pranga autori i rastit, shtetasi E. V., 41 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se kanosi familjarët, si dhe 2 armë gjahu”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

AMA bashkëpunim me platformën X për përmbajtjet në gjuhën shqipe

By: b b
6 August 2025 at 12:57

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar për një bashkëpunim të ri me një nga platformat më të mëdha online, platformën X.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka theksuar se është lidhur një urë bashkëpunimi me platformën X, për të mbikqyrur dhe ndjekur me prioritet çdo përmbajtje potenacialisht të dëmshme në gjuhën shqipe, që shpërndahet në këtë platformë.

“Një mjedis i pastër dixhital, pa dhunë e urrejtje dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve apo komuniteteve është prioritet për ne”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas marrëveshjes, AMA do të ketë një kanal të dedikuar në Platformën X, për të raportuar përmbajtje që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, nxisin dhunën, shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, apo cenojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

❌
❌