Agjencitë turistike kanadeze: Shqipëria, bukuri ballkanike me trashëgimi të pasur
Vendi ynë vijon të rrëmbejë vëmendjen e agjencive më të mëdha turistike botërore, që sugjerojnë njëkohësisht se mbetet një nga destinacionet e kësaj vere.
Një prej tyre është “G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është njëherësh partner me “National Geographic”, dhe që shkruan se “e fshehur në një cep të Detit Mesdhe, Shqipëria është një bukuri ballkanike me trashëgimi të pasur, plazhe të bukura që po riprezantohet si një nga destinacionet më të dashura të Mesdheut.”
Kanadezja “G Adventures” rendit në artikullin e radhës se në Shqipëri mund të përjetoni historinë e periudhave të ndryshme, duke nisur me Gjirokastrën, qytetin e gurtë përrallor me rrugët me kalldrëm që të çojnë në shpatin e kodrës tek kalaja unike.
Në brendësi të artikullit për Shqipërinë, kanadezja “G Adventures” ndalet në Amfiteatrin e Durrësit, të epokës romake, dikur vendi i betejave të gladiatorëve, që sot është një atraksion turistik që duhet vizituar.
“Mahnituni nga fortesa që shikon nga Berati, një nga vendet magjike të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, i listuar nga UNESCO. Kudo që të ecni, do të shihni shtëpitë karakteristike dhe më pas mund të merrni shtegun me kalldrëm drejt rrënojave të kështjellës në majë të kodrës.”
“G Adventures”, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada që është partner me “National Geographic”, sugjeron për vizitorët edhe Rivierën e bukur shqiptare. “Riviera Shqiptare është një vend me diell dhe me plazhe me rërë të artë dhe vende të UNESCO-s që tërheqin vizitorët e festivaleve dhe ata që e duan historinë.”
Në artikullin e detajuar përmendet Dhërmiu, vendi argëtues ku ka shumë festivale dhe adhuruesit e muzikës elektronike dynden në brigjet mesdhetare të Dhërmiut për të shijuar diellin dhe për të pirë në baret e plazhit.
Më tej, tur-operatori kanadez “G Adventures” sugjeron Porto Palermon si një vend të qetë me Kalanë e Ali Pashës për të vëzhguar gadishullin e bukur. Në listën e sugjerimeve të “G Adventures” nuk mungojnë as Himara dhe Vlora, destinacione të cilat kanë plazhe të kristalta dhe ia vlen të vizitohen.
Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, një nga operatorët e tureve turistike në Kanada përmend Butrintin si një zonë mahnitëse me bukuri natyrore dhe mrekulli arkeologjike e shtigje këmbësorësh që të lënë pa fjalë.
“Alpet Shqiptare janë një vend i mrekullueshëm për dashamirësit e natyrës së egër dhe vargmalet shtrihen në Kosovë dhe Mal të Zi, dhe majat shkëmbore janë një mikpritëse për shëtitësit, shkruhet në publikimin e fundit të “G Adventures”.” Klan News